Kërko: nese falenderoni do t'ua shtoj

Kalem 68:48–68:52 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… për ju të dy, me fjalët e përsosura të Allahut, prej së keqes së çdo shejtani dhe krijese dëmtuese, dhe prej të keqes së çdo syri të keq!) Dhe shtonte: “Kështu …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Po ti bëhu i durueshëm ndaj caktimit të Zotit tënd ... ” - Bëj durim, o Muhamed, ndaj mundimeve që të jep populli yt, ndaj refuzimit të Shpalljes, sepse Allahu është Ai që do të gjykojë me drejtësinë e Tij, për të të dhënë hakun që të takon kundër tyre. Allahu ka për të të dhënë përfundimin e mirë ty dhe pasuesve të tu, në dynja dhe në ahiret. - “... dhe mos u bëj si ai i peshkut kur u lut, në atë gjendje trishtimi. ” - Bëhet fjalë për Junus Ibn Mettan (paqja e Zotit qoftë mbi të!), kur ai iku i zemëruar me popullin e tij. Me të ndodhi ajo që ndodhi, kur ai po udhëtonte në det. Atë e gëlltiti peshku, i cili notoi thellë në oqean me Junusin në bark, në errësirat e ujërave të thella. Atje, Junusi dëgjoi tesbihun, që deti dhe gjithë gjallesat detare bënin për Zotin. Ato e dëlirësonin dhe e madhëronin të Lartësuarin, të Plotpu - shtetshmin, Allahun e Lavdëruar. Ai është Allahu, urdhëri, gjykimi dhe vendimi i të Cilit kurrë nuk mund të pengohet dhe të hidhet poshtë. Junusi, në ato errësira, iu drejtua Zotit me fjalët: “Lâ ilâhe il-lâ Ente! Subĥâneke! Inni kuntu minedh -dhâlimin!” (Nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Teje! Ti je i lavdëruar! Unë i bëra padrejtësi vetes sime!), siç thotë i Lartësuari në ajetin kuranor: “Edhe Dhennuni (Junusi), kur iku i zemëruar (prej popullit të tij) dhe mendoi se nuk do ta dënonim! Por, në the - llësitë e errësirës, ai tha: “Nuk ka Zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Teje. Qofsh i Lavdëruar! Unë i bëra vërtet, padrejtësi vetes sime.” Ne iu përgjigjëm atij dhe e shpëtuam nga trishtimi. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët.” [Enbija 87, 88]. Gjithashtu: “E sikur të mos kishte qenë prej atyre që e madhërojnë shumë Zotin (me tesbih), Ai do të mbetej në barkun e peshkut deri në Ditën e Ringjalljes. ” [Safat 143, 144]. Allahu i Lartësuar e përshkruan Junusin në ato mo - mente si “ mekdhum mekrub”, pra, i zhytur në dhimbjen dhe trishtimin e tij. Në hadith vjen: 2739. “Kur Junusi tha: “Lâ ilâhe il -lâ Ente! Subĥâneke! Inni kuntu minedh -dhâlimin!”, kjo lutje shkoi dhe vajtonte rreth Ar - shit të Allahut të Madhëruar. Atëherë, melekët thanë: “O Zot! Ky është një zë i dobët, i njohur, i cili vjen prej një vendi të çudit - shëm!” Allahu i Lartësuar tha: “Nuk e nji - hni?” - “Jo!” - thanë ata. Zoti tha: “Ky është Junusi.” Melekët thanë: “O Zot! Adhuruesi yt, ai prej të cilit vazhdojnë të ngrihen punë të mira dhe lutje të pranueshme?” - “Po”, - tha Ai. Melekët thanë: “A nuk e mëshiron, o Zot, për ato vepra dhe adhurime, ai që i bënte në kohë mirësie dhe ta shpëtosh tashmë, që është në bela?” Atëherë, Allahu i Madhëruar urdhëron peshkun, i cili e hodhi në një vend të hapur e të shkretë. - “Sikur të mos e përfshinte mirësia nga Zoti i tij, ai do të hidhej në shkretëtirë i braktisur dhe i fajësuar. Por Zoti i tij e bëri atë të zgjedhur dhe prej të mirëve.” - Imam Ahmedi përcjell nga Abdullahi se Profeti i Allahut ka thënë: 2740. “Askujt nuk i lejohet që të thotë se unë jam më i mirë se Junus Ibn Metta.” Hadithin e sjell edhe Buhariu prej Sufjan Theuriut. Gjithashtu, hadithi vjen në dy Sahihët edhe prej Ebu Hurejras. - “Ata që nuk besojnë, gati sa nuk të hanë me shikimet e tyre ...” - Pra, ata do të të hanin me hasedin e tyre, për shkak të urrejtjes të madhe në zemra, sikur Allahu të mos të të mbronte e të të ruante prej tyre. Ky ajet dëshmon se mësyshi dhe efekti i tij është i vërtetë, me lejen e Allahut Krenar dhe të Lartësuar. Për këtë ka hadithe, me rrugë të shumta transmetimi.173 Kështu, Ebu Daudi sjell me senedin e tij nga Enesi, se Profeti i Allahut ka thënë: 2741. “Nuk lejohet rukja, përveç kundër syrit të keq, temperaturës të lartë ose për gjakun që nuk ndalet (hemorragjinë nga hundët).174 Ibn Maxhe sjell nga Burajdeh Ibn Husajb hadithin se Profeti i Allahut ka thënë: 2742. “Nuk lejohet rukja, përveç kundër mësyshit ose temperaturës së lartë.” [Muslimi në Sahih-un e tij]. Gjithashtu, nga Xhabir Tejmi përcillet se ai e ka dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: 2743. “Kukuvajka nuk është ogur i keq, ndërsa mësyshi është i vërtetë.” Tirmidhiu ka thënë se ky është një hadith garib.175 Nga Ibn Abasi përcillet se: I Dërguari i Allahut ka thënë: 2744. “Mësyshi është i vërtetë. Nëse do të ekzistonte ndonjë gjë, që do ta paraprinte kaderin, ai do të ishte syri i keq. Prandaj, nëse dikujt prej jush i kërkohet të lahet (që me ujin e tij të spërkatet i sëmuri), le të lahet!”. Nga Ibn Abasi përcillet të ketë thënë se: Profeti i Allahut lutej shpesh për mbrojtjen e Hasanit dhe Husejnit me këto fjalë: 2745. "Uidhukumâ bi kelimâtil -lâhit-tâm-meh min kul -li shejtânin ue hâm -meh, ue min kul -li ajnin lâm-meh!" (Kërkoj mbrojtje për ju të dy, me fjalët e përsosura të Allahut, prej së keqes së çdo shejtani dhe krijese dëmtuese, dhe prej të keqes së çdo syri të keq!) Dhe shtonte: “Kështu lutej Ibrahimi alejhi selam për mbrojtjen e Is ’hakut dhe Ismailit (paqja e Allahut qoftë mbi ta.).” - “... dhe thonë: “Ai është i marrë.” - Pra, jo vetëm që dëmtonin me smirën dhe mësy - shin e tyre (Allahu i mallkoftë!), por i jepnin mundim edhe me fjalët e tyre, duke thënë se ai ishte i çmendur, për shkak se solli Kuranin. - “Po ai nuk është gjë tjetër, por veçse këshillë për botët. ” - (Kurani madhështor është veçse kujtim e këshillë për botën. Në - përmjet Kuranit, njerëzit kujtohen për të arritur mirësitë e fesë dhe të dynjasë së tyre.) Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Kalem. Vetëm Allahut i takon falënderimi, lavdërimi, prej Tij vijnë të gjitha mirësitë dhe vetëm Ai është mbrojtësi nga çdo e keqe.

Mus'haf Hape →
Nas 114:1–114:6 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… me ata që e shkaktojnë trazimin e ngasjen në zemrat e tyre? Sipas kuptimit të parë, pasi Allahu i Lartësuar na tregoi se shejtani i trazon zemrat e njerëzve, e shtje - …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Thuaj: “Kërkoj strehë te Zoti i njerë - zve, Sundimtari i njerëzve, i Adhuruari i njerëzve, ...” - Kjo sure është zbritur pas sures Felek. Këtu përmenden tri atribute të Zotit Krenar dhe të Lavdëruar: Ai është Zoti, Krijuesi i gjithçkaje. Ai është Pronari, Mbretëruesi, Sunduesi e i Plotpushtetshmi mbi gjithçka. Ai është i Adhuruari i vetëm me meritë, i vetmi që meriton që krijesat ta duan, ta madhërojnë t’i nënshtrohen e bi - nden plotësisht. Kështu, çdo gjë është krije - së e Tij, nën pronësinë e sundimin absolut të Tij dhe krijesat duhet ta adhurojnë, ta duan, ta madhërojnë e t’i nënshtrohen vetëm Atij. Allahu i Madhëruar i udhëzon krijesat që t’i drejtohen me lutje Atij përmes këtyre emra - ve dhe cilësive të Tij madhështore, për të kërkuar mbrojtjen nga sherri i shejtanit të mallkuar, ngasjeve të tij, që - siç thotë Zoti, - “rri në pritë.” - “Prej së keqes së nxitësit të ligësisë, që rri në pritë ...” - Bëhet fjalë për shejtanin, që është vendosur për çdo njeri. Çdo bir i Ademit ka një shoqërues prej shejtanëve, që e nxit për poshtërsi e gjynahe dhe nuk lë mundësi pa e shfryt ëzuar, për ta dëmtuar e për ta futur robin në telashe e sprova. I ruajturi është vetëm ai të cilin e ka ruajtur Allahu Mëshirëplotë. I mallkuari vazhdi - misht fut vesvese, dhe pastaj tërhiqet e struket, sa herë që robi kujton Zotin e tij dhe mbështetet tek Ai për arritjen e çdo të mire dhe largimin nga çdo e keqe, prandaj thuhet në ajet që i mallkuari është ai “që fshihet”. Sa herë që robi kujton Zotin e tij dhe mbështetet plotësisht tek Ai, për t’u ruajtur nga sherri i vesveseve dhe nga dëmi i shejtanit, ky i mallkuar struket i pafuqishëm dhe i poshtëruar. Imam Ahmedi sjell hadi - thin nga Abdullahi, se Profeti i Allahut ka thënë: 2965. “Nuk ka asnjë prej jush që mos ketë një shoqërues prej xhindëve dhe një shoqërues prej melekëve.” - “Edhe ti, o Profeti i Allahut?” - “Edhe unë, por Allahu më ndih-moi në lidhje me të (xhindin), dhe tashmë ai më urdhëron veçse për të mira.” Këtë hadith e ka sjellë vetëm Muslimi. Në një hadith tjetër të saktë, të sjellë nga Enesi, tregohet se gjatë kohës që Profeti ishte në itikaf, u takua me gruan e tij, Safijen. Kur ra nata, ai doli për ta përcjellë Safijen në shtëpinë e saj. Gjatë rrugës, u shkëmbye me dy ensarë. Kur e panë Profetin e Allahut të shoqëruar, ata nxituan hapat. Atëherë, Profeti i Allahut u tha: “Kjo është (bashkëshortja ime) Safija, bija e Hujejit”. Ata thanë: “ Subhanallah, o i Dërguari i Allahut (si mund të dyshojmë tek ti?!).” Profeti u tha: 2966. “Shejtani lëviz nëpër trupin e njeriut, ashtu siç lëviz gjaku (në damarë) dhe unë pata frikë se do të hedhë diçka në zemrat tuaja ose - sipas një versioni tjetër - ligësi.” Në hadith të saktë vjen se Profeti ﷺ kishte hipur mbi kafshë së bashku me një prej shokëve të tij. Kafsha u pengua dhe dikush tha: 2967. “U shkatë - rroftë shejtani!” Profeti ﷺ tha: “Jo ashtu, sepse kur thua: ‘U shkatërroftë shejtani’, ai fryhet (e krenohet) në vetvete dhe thotë: “E mposhta njeriun me forcën time”. Por nëse thua ‘Bismilah’, ai zvogëlohet, derisa bëhet i vogël sa një mushkonjë.” 281 Kjo është rruga për t’u fuqizuar në arritjen e çdo të mire dhe për të fituar kundër shejtanit. Nëse zemra përkujton Allahun, shejtani dobë - sohet, zvogëlohet e sprapset. Nëse nuk e kujton Allahun e Madhëruar, ndodh e kundërta: shejtani zmadhohet e fuqizohet dhe arrin ta mposhtë njeriun. Seid Ibn Xhubejri sjell shpjegimin e Ibn Abasit për fjalën e Allahut: “Prej së keqes së nxitësit të ligë-sisë, që rri në pritë”. Ai ka thënë: “Shejtani ulet këmbëkryq (përvishet për të hedhur ngasje) në zemrën e birit të Ademit. Nëse robi kotet, shkujdeset (nga përkujtimi i Allahut), ai hedh ngasje e tundime (për ligësi). Por nëse robi përmend Zotitn dhe del nga shkujdesja, shejtani struket e fshi - het.” Kështu e kanë shpjeguar edhe Muxha - hidi dhe Katade. - “I cili i trazon zemrat e njerëzve ...” - Pyetja që shtrohet është: A është kjo e veçantë për bijtë e Ademit, sikurse nxirret nga kuptimi i drejtpërdrejtë i ajetit, apo edhe ato të xhindëve? Sipas një mendimi, edhe pse në ajet janë përmendur njerëzit, edhe për xhindët ndodh njëlloj, sepse edhe ata janë të përgjegjshëm ligjërisht. Kësisoj, edhe xhindët sprovohen, pra, shejtani i tra - zon zemrat e tyre me ngasje drejt së keqes. Ibn Xheriri e pranon këtë shpjegim. - “Qoftë ai nga xhindët apo nga njerëzit.” - A është ky ajet shpjegim për ata të cilëve u trazohen zemrat nga shejtani i mallkuar, apo ka lidhje me ata që e shkaktojnë trazimin e ngasjen në zemrat e tyre? Sipas kuptimit të parë, pasi Allahu i Lartësuar na tregoi se shejtani i trazon zemrat e njerëzve, e shtje - llon më tej se për zemrat e cilëve bëhet fjalë dhe thotë: “... qoftë ai nga xhindet apo nga njerëzit.” Pra, qoftë i sprovuari prej xhind ëve apo prej njerëzve. Ky shpjegim e forcon shpjegimin se njerëzit dhe xhindët sprovo - hen njëlloj në këtë aspekt. Ndërsa sipas shpjegimit tjetër, ky ajet shpjegon se cilët janë ata që shkaktojnë ngasjen në zemrat e robërve. Me këtë kuptim, cytësi që rri në pritë dhe i cili trazon zemrat e robërve mund të jetë prej xhindëve, por mund të jetë edhe prej njerëzve, sikurse pohohet një fakt i tillë edhe në ajete të tjera, si për shembull: “Çdo profeti, Ne i bëmë armiq prej shejta - nëve njerëz dhe xhindë, që frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë të bukura e mashtrime. …” [En’am 112]. Imam Ahmedi sjell nj ë hadith nga Ebu Dheri, i cili tregon: 2968. “Shkova njëherë tek Profeti i Allahut, kur ai ishte në xhami. Ai më tha: “A u fale?” Un ë i thashë: “jo.” - “çohu e falu!” – më tha ai. Atëherë unë u ngrita dhe u fala, pastaj u ula. Ai më tha: “O Ebu Dher, këkoi Allahut të të mbrojë e ruaj ë prej sherrit t ë shejtanëve njerëz dhe xhinde!” Un ë i thash ë: “O i dërguari i Allahut, a ka shejtan ë edhe prej njerëzve?” Ai tha: “po ...” hadithi vazhdon. Njëherë, sahabët shkuan tek Profeti ﷺ dhe i thanë: 2969. “O i Dërguari i Allahut, ne hasim në veten tonë mendime, që do të ishte më mirë për ne të rrëzoheshim nga qielli në tokë, vetëm që të mos na vinin ndër mend.” Në një transmetim tjetër thuhet: “Do të dëshironim që të bëheshim shkrumb, qymyr i zi dhe i përvëluar, vetëm e vetëm që të mos na vinin të tilla mendime.”. Atëherë, Profeti ﷺ u tha: “Vërtet i gjeni këto mendime t’ju vërtiten në shpirt? - “Po.” - “Atëherë, ky është imani i qartë” - tha Profeti ﷺ .Sipas një transmetimi tjetër, tha: “Falënderimi i takon Allahut, që veprimin e tij e reduktoi në një vesves të thjeshtë.” Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të seres En-nas. Vetëm Allahut i takojnë lavdërimet dhe mirënjohja e plotë për mirësitë e Tij të pkufishme.

Mus'haf Hape →
Bekare 2:183–2:185 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… gjithashtu, se njeriu i pakëson shumë gjynahet gjatë agjërimit. Agjërimi të çon drejt devotshmërisë, sepse, në të shumtën e rasteve, njeriu që agjëron i shton …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “O ju që keni besuar! Agjërimi është bërë detyrë për ju, sikurse ka qenë edhe për ata që ishin para jush” - Në këto ajete, Allahu i Lartësuar u tregon besimtarëve një mirësi të madhe për ta, që është agjërimi. Agjërimi ka qenë i detyrueshëm edhe për popujt e mëparshëm, pasi ai është i dobishëm për të gjitha kohërat. Ky ajet shërben si nxitje e këtij umeti, për të garuar me popujt e mëparshëm në kryerjen e veprave të mira që i kushtohen Allahut. Kështu, ata nxiten për të arritur cilësitë më të mira, që do të thotë se agjërimi nuk është thjesht një vepër e vështirë për t’u kryer. Pastaj, Allahu i Lartësuar na tregon qëllimin e lartë të këtij adhurimi, duke thënë: - “…me qëllim që të bëheni të devotshëm.” - Agjërimi është një nga mënyrat më efikase për t’u pajisur me devotshmëri. Ai është zbatim i urdhrit të Allahut dhe largim nga ndalesat e Tij, ashtu si vetë devotshmëria, që është ruajtja nga ndëshkimi dhe zemërimi i Zotit duke kryer urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Agjërimi e ndalon agjëruesin nga disa gjëra, si nga: të ngrënit, të pirit, marrëdhëniet seksulale etj. Besimtari iu largohet këtyre veprimeve, ndonëse nefsi ia kërkon me forcë, me qëllim që të afrohet tek Allahu i Lartësuar, duke shpresuar shpërblimin e Tij. Siç shihet, pra, ky adhurim ka lidhje të drejtpërdrejtë me devotshmërinë. Nëpërmjet agjërimit, robi ushtrohet që të ndiejë mbikëqyrjen e Zotit të tij. Edhe sikur t’i ketë të gjitha mundësitë për të shijuar kënaqësitë e nefsit, ai u largohet atyre, sepse nuk do që të shkelë ligjet dhe rregullat e të Dashurit të Tij, Allahut të Ditur dhe të Urtë. Agjëruesi e ndien gjatë gjithë kohës vështrimin e Allahut dhe është shumë i sigurt për të. Nga ngjashmëritë e agjërimit me devotshmërinë ( takua) është edhe fakti se, agjërimi ia ngushton shejtanit rrugët e tij në trupin e njeriut. Dihet se shejtani lëviz nëpër trupin e njeriut ashtu sikurse qarkullon edhe gjaku i tij, por gjatë agjërimit, damarët ngushtohen e, rrjedhimisht, ngushtohen edhe rrugët e shejtanit për të mashtruar dhe nxitur njeriun në gjynahe. E dihet, gjithashtu, se njeriu i pakëson shumë gjynahet gjatë agjërimit. Agjërimi të çon drejt devotshmërisë, sepse, në të shumtën e rasteve, njeriu që agjëron i shton veprat e mira në bindje ndaj Zotit, dhe nuk ka dyshim se veprat e mira të bëjnë të devotshëm. Një njeri i pasur, kur agjëron, e ndien vështirësinë dhe vuajtjen e të varfërit, që nuk ka mundësi të ushqejë veten dhe familjen e tij. Kështu, ai bëhet më i dhembshur ndaj të tjerëve, prandaj përpiqet t’i ndihmojë ata me pasuri, dhe dihet se shpenzimi në rrugën e Zotit është cilësi e devotshmërisë. - “Agjërimi është për një numër të caktuar ditësh. ” – Vërtet, Allahu i Lartësuar e bëri agjërimin detyrim për ne, por gjithashtu na njoftoi se ai zgjat vetëm për disa ditë të numëruara, të cilat nuk e dëmtojnë dhe nuk e stërmundojnë njeriun. Përkundrazi, kjo detyrë është shumë e lehtë për t'u përmbushur dhe me shpërblim shumë të madh. Lehtësimi i Allahut të Lartësuar nuk ndalon këtu. Ai thotë: - “Të sëmurët ose udhëtarët (që nuk agjërojnë dot), le të agjërojnë më vonë po aq ditë (sa kanë lënë pa agjëruar) . – Pra, për shkak të vështirësisë që zakonisht hasin këto dy kategori njerëzish, Allahu i Lartësuar u ka dhënë lehtësimin që, agjërimin e detyrueshëm të Ramazanit ta kryejnë në ditët e tjera pas këtij muaji, kur të jenë shëruar apo kur të jenë kthyer nga udhëtimi. Kështu, ata do ta marrin shpërblimin të plotë tek Zoti. Nga ajeti kuptojmë se ditët e paagjëruara të Ramazanit duhet të plotësohen detyrimisht, qofshin ato ditë të lëna plotësisht apo përgjysëm. Ajeti dëshmon se lejohet të zëvendësohen ditët e paagjëruara me ditë të tjera, edhe nëse nuk janë të njëjta në gjatësinë e tyre. Pra, nëse Ramazani, për shembull, ka qenë në stinën e verës, kur ditët janë të gjata, ato mund të zëvendësohen edhe me ditë të shkurtra dimri, sepse Allahu nuk ka përcaktuar gjë të tillë në ajet. Mjafton që të plotësohet vetëm numri i tyre. - “Për ata që nuk e përballojnë dot agjërimin, është i detyruar si kompensim ushqimi (ditor) i një të varfri. Nëse dikush jep vullnetarisht më shumë, do të jetë më mirë për të. ” - Këtu flitet për mëshirën e madhe të Allahut, i Cili, para se ta bënte detyrim të plotë agjërimin për njerëzit, u dha atyre disa dispozita lehtësuese. Kështu, në fillim, edhe ai që kishte mundësi të agjëronte, mund të mos agjëronte, por ishte i detyruar të kompensonte, duke ushqyer një të varfër. Kjo u bë me qëllim që detyrimi t'u vinte sa më i lehtë. Megjithatë, edhe pse i lejoi që, në vend të një dite agjërimi, të ushqenin një të varfër, Allahu i lartësuar tha: - “Por, sikur ta dini, është më mirë për ju të agjëroni.” - Por pas disa kohësh, Allahu i Lartësuar e bëri agjërimin të detyrueshëm për cilindo që mund të agjërojë. Ndërsa kush nuk mundet, duhet që ditët e lëna pa agjëruar, t'i agjërojë më vonë. Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se ky ajet flet për atë kategori njerëzish, të cilët e kanë të vështirë agjërimin, sepse mund të sjellë probleme të mëdha për ta, sikurse mund të jenë, për shembull, pleqtë e shtyrë në moshë. Për këtë kategori njerëzish lejohet që të mos agjërojnë, por ata e kanë të detyrueshme që të japin kompensim, duke ushqyer nga një të varfër për çdo ditë të paagjëruar. Ky mendim i dytë është më i saktë për t'u pranuar. - “Ramazani është muaji në të cilin ka zbritur Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe kriter dallues (i së vërtetës nga e kota) ."– Kuptimi: Muaji që duhet të agjëroni është muaji i Ramazanit, në të cilin zbriti Kur’âni, mirësia e madhe e Zotit tuaj. Këtu përmenden disa cilësi të Kur’ânit. Kështu, ai quhet “udhërrëfyes për njerëzit”, për t'u treguar atyre mirësitë e dynjasë dhe të ahiretit. Së dyti, ai cilësohet “sqarues i rrugës së drejtë”, për ta bërë këtë me mënyrën më të thjeshtë dhe më të kuptueshme. Dhe më pas Kur’âni quhet “kriter dallues”, sepse ai të mundëson të shohësh dhe të dallosh rrugën e drejtë nga rruga e gabuar. Ai bën dallimin mes të lumturve, që do të jenë përherë në kënaqësinë e Allahut, dhe të dëshpëruarve, që do të vuajnë përjetësisht ndëshkimin dhe zemërimin e Zotit. Siç shihet, ky është muaj madhështor, prandaj duhet mbushur me adhurime kushtuar Zotit të gjithësisë, pikësëpari me agjërim. Kjo është urtësia e Allahut dhe mëshira e Tij. Vetëm pasi tregon dobitë e këtij muaji të madh dhe urtësinë e agjërimit gjatë tij, Ai thotë: - “Kushdo që e arrin këtë muaj, le të agjërojë!” - Me këtë ajet, pra, u bë i detyrueshëm agjërimi i Ramazanit për çdonjë që ka mundësi të agjërojë dhe nuk është në udhëtim. Dikush mund të mendonte se ky ajet, përveçse anulon kompensimin për ata që mund të agjërojnë, anulon edhe lehtësimin për të sëmurët e udhëtarët, prandaj Allahu i Lartësuar e përmend sërish lehtësimin për të sëmurët dhe udhëtarët, që të largohet ky keqkuptim. Ai thotë: - “Por kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë më vonë po aq ditë (sa ka lënë pa agjëruar) .” – Kjo bëhet sepse Allahu i Lartësuar kërkon që të na i lehtësojë në maksimum rrugët që të çojnë drejt kënaqësisë së Tij. - “Allahu dëshiron për ju lehtësimin. Ai nuk dëshiron vështirësinë për ju. ” - Ai dëshiron të na thjeshtësojë çdo rrugë të mirë dhe të drejtë. Për këtë arsye, të gjithë urdhrat e Tij janë shumë të thjeshtë në origjinën e tyre. Në rastet kur, për shkaqe të justifikueshme nga Sheriati, zbatimi i këtyre urdhrave vështirësohet, Ai ka sjellë dispozita lehtësuese, të cilat ose mund ta anulojnë krejt urdhrin e parë, ose mund të bëjnë disa lehtësime të tij. Çështja e lehtësimeve të Zotit për adhuruesit e Tij është mjaft e gjerë, saqë përfshin çdo aspekt të Sheriatit, prandaj këtu nuk mund të përmenden të gjitha ato. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë. - “Plotësojeni numrin e ditëve të agjërimit ...” - Allahu i Lartësuar e di më mirë, por, me sa duket, ky sqarim është i nevojshëm për ndonjë që mendon se qëllimet e larta të Ramazanit mund të plotësohen edhe duke agjëruar një pjesë të tij. Pra, Allahu i Lartësuar thekson se duhen plotësuar të gjitha ditët e këtij muaji. Dhe, si përfundim, Allahu i Lartësuar duhet adhuruar dhe falënderuar për suksesin që u jep besimtarëve në kryerjen e agjërimit dhe për qartësimin e të vërtetës: - “...dhe madhërojeni Allahun për udhëzimin (që ju dhuroi) , që të bëheni mirënjohës!” - Këtu bëjnë pjesë edhe tekbir-et, të cilat fillojnë që në momentin kur shfaqet hëna e re e muajit sheval, që tregon mbarimin e Ramazanit, dhe vazhdojnë deri në kohën e hytbes së namazit të Bajramit, ditën e festës.

Mus'haf Hape →
Insan 76:4–76:22 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… të Allahut dhe nuk kërkojmë prej jush ndonjë shpërblim e as falënderim. - Nuk synojmë ndonjë shpërblim material e as ndonjë lëvdatë nga ju. - “Ne i frikësohemi …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zinxhirë, pranga dhe zjarr.” - Për ata që kanë mohuar Allahun dhe profetët dhe që paturpësisht kanë guxuar të kryejnë gjynahe ndaj Allahut të Madhëruar, Ai ka përgatitur për ta në zjarrin e Xhehenemit zinxhirë dhe pranga, me të cilat do t’u lidhen duart dhe do t’u shtrëngohen fort pas qafe, sikurse thuhet në një ajet tjetër: “Kapeni atë dhe vendosjani prangat! Pastaj hidheni në Xhehenem dhe lidheni me një zinxhir të gjatë shtatëdhjetë kutë, sepse ai nuk besonte Allahun e Madhëruar.” [Hakka 30 – 33]. Allahu i Madhëruar ka përgatitur edhe zjarr të ndezur fort, i cili i përfshin trupat me furi dhe i shkrumbon, sikurse ka thënë i Madhëruari: “Nuk ka dyshim se ata që kanë mohuar Argumentet Tona, do t’i flakim në Zjarr. Sa herë që do t’u digjet një lëkurë, Ne do t’ua zëvendësojmë me lëkurë tjetër, që ta shijojnë mirë dënimin. Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë.” [Nisa 56]. Ky ndëshkim do të jetë i vazhdueshëm për ta, në përjetësi. Ndërsa bamirësit janë ata të cilët i kanë rregulluar zemrat e tyre me dashurinë për Allahun, me njohjen e Tij dhe me moral të mirë. Kështu janë përmirësuar edhe gjymtyrët e tyre, të cilat binden për të bërë veprat e mira, që kënaqin Zotin. Për këta, Zoti na tregon dhe thotë se: - “S’ka dyshim se të devotshmit do të pinë në kupa, që kanë pije të përzier me kafur 43,...” – Do të shijojnë pije të këndshme, të përzier me kafur, i cili shërben për ta freskuar ose zbutur shijen e saj. Kafuri i Xhenetit është shumë i shijshëm, i këndshëm dhe i pastër nga çdo element turbullues, që zakonisht gjendet në kafurin e dynjasë. Megjithatë, asgjë nga mangësitë e sendeve të dynjasë nuk ekziston në sendet që Zoti ka treguar se do të jenë në Xhenet, edhe pse mund të kenë të njëjtin emër. Kështu, për shembull, kur përshkruan vendpushimet e banorët e Xhenetit, i Madhëruari thotë: “Ata qëndrojnë mes lotusve pa gjemba, bananeve me fruta palë -palë, nën hije të gjera, pranë një uji që rrjedh, mes frutave të shumëllojshme, që as nuk mbarohen, as nuk janë të ndaluara.” [Uakia 28 - 33]. Ndërsa kur përshkruan mirësitë dhe gratë e tyre në Xhenet, i Madhëruari thotë: “Përgëzoji ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, se do të kenë Xhenete, në të cilat rrjedhin lumenj. Sa herë që u jepet ndonjë ushqim nga frutat e tij, ata thonë: “Të tilla mirësi na janë dhuruar edhe më parë”. Atyre u dhurohen mirësi të ngjashme dhe atje do të kenë bashkëshorte të pastra. Ata do të jenë atje (në Xhenet) përjetësisht.”. [Bekare 25]. Ose: “Për ta është përgatitur Vendi i Paqes pranë Zotit të tyre. Ai është Miku i tyre, për ato vepra që ata bënë.”. [En’am 127]. Vetëm Allahu i Lartësuar e di realitetin e kënaqësive dhe të lumturisë së shpirtrave në Xhenet. Ai thotë: “ (Allahu do tu thotë) : “O adhuruesit e Mi, sot nuk ka pse të frikësoheni e as pse të brengoseni! Atyre që besuan shpalljet Tona dhe ishin muslimanë (të nënshtruar ndaj Zotit) do t'u thuhet: "Hyni në Xhenet, ju dhe bashkëshortet tuaja, për tu gëzuar!" Aty do t’u shërbejnë me enë e kupa të arta. Aty ka çdo gjë që shpirti e dëshiron dhe syri e pëlqen. Aty do të jeni të përjetshëm. Ky është Xheneti që ju dhurua për veprat që keni bërë. Aty keni plot fruta, nga të cilat do të hani! ” [Zuhruf 68 – 73]. - “Ai (kafuri) është një burim, prej të cilit do pinë adhuruesit e Allahut dhe të cilin do ta gjejnë atje ku do të dëshirojnë e me mbushulli.” - Ata nuk do kenë frikë se mos u mbarohen gotat e mrekullueshme me atë pije të shijshme. Gotat nuk u mbarojnë, sepse ato mbushen nga një burim i pashtershëm, që gjithmonë rrjedh e gurgullon. Adhuruesit e Allahut do ta bëjnë këtë burim të rrjedhë ku të dëshirojnë ata, kur të dëshirojnë dhe si të dëshirojnë. Kështu, nëse dëshirojnë, ata mund ta drejtojnë atë te kopshtet e pasura me lloj - lloj bimësie, te pallatet e tyre fantastike ose në çdo drejtim që ata duan. Më pas, i Madhëruari tregon disa nga veprat e këtyre fatlumëve, që i bënë të meritonin këto mirësi: - “(Të devotshmit) Janë ata që zbatojnë premtimet e tyre...” - Ata çojnë në vend çdo detyrë me të cilën e kanë ngarkuar veten për hir të Allahut dhe çdo premtim ose besë të dhënë. Duke qenë se ata plotësojnë edhe këto detyra, që Zoti nuk ua ka detyruar, por që ata vetë ia kanë detyruar vetvetes, atëherë kjo do të thotë që, plotësimi i detyrave të vendosura nga Zoti është më i sigurt se do të kryhet nga ata. - “...dhe i frikësohen një Dite, tmerri i së cilës është gjithëpërfshirës.” - Ata frikësohen se mos i godet tmerri i asaj dite, prandaj ruhen nga çdo gjë që e shkakton këtë. - “Janë ata që, për hir të Tij, u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe robërve.” – Edhe pse mund ta dëshirojnë për vete pasurinë dhe ushqimin, ata i japin përparësi dashurisë së Allahut dhe urdhrave të Tij kundrejt dëshirave të vetes. Ata kujdesen që të ushqejnë njerëzit më të nevojshëm dhe më parësorë për këtë ndihmë, të cilët – siç i përmend Allahu i Madhëruar, – janë të varfërit, jetimët dhe robërit. Me shpenzimet dhe ushqimin e dhënë nevojtarëve, ata synojnë vetëm kënaqësinë e Allahut të Madhëruar, siç thonë më pas: - “Ne (thonë të devotshmit) po ju ushqejmë veçse për hir të Allahut dhe nuk kërkojmë prej jush ndonjë shpërblim e as falënderim. - Nuk synojmë ndonjë shpërblim material e as ndonjë lëvdatë nga ju. - “Ne i frikësohemi Zotit tonë për atë Ditë, që fytyrat i bën të zymta dhe është e llahtarshme”.” - Allahu i Madhëruar e ka quajtur atë ditë shumë të frikshme, të ashpër, të ankthshme dhe torturuese. - “Allahu i ka ruajtur ata prej sherrit të asaj dite dhe u ka dhuruar shkëlqim e lumturi në fytyra.” - Ata nuk do t’i trazojë ai tmerr i madh e gjithëpërfshirës, ndërsa melekët do t’u thonë: “Kjo është dita që ju premtohej”. Allahu i Madhëruar do t’i nderojë ata, duke u dhuruar dritë gëzimi në fytyrë dhe lumturi në zemër, mirësi të dukshme dhe të brendshme. - “Për shkak se ata bëjnë durim, Ai i shpërblen me Xhenet dhe me veshje mëndafshi.” - Ata tregohen të duruar në bindjen ndaj Zotit, duke kryer urdhrat e Tij aq sa kanë mundësi; tregohen të duruar kundrejt gjynaheve, duke i lënë ato dhe duke u larguar prej tyre, si edhe të duruar me kaderin e Zotit, duke mos u zemëruar dhe mos shprehur mospajtim me caktimin e Tij, por duke e pranuar atë me nënshtrim dhe dorëzim të plotë. Për këtë durim, Allahu i Madhëruar i shpërblen ata me Xhenet të mbushur plot mirësi dhe të ruajtur nga çdo gjë e keqe dhe dëmtuese. Ai i shpërblen ata edhe me veshje mëndafshi, sikurse thotë në një ajet tjetër: “Allahu i vendos në Xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ata që besuan dhe bënë vepra të mira. Aty do të stolisen me byzylykë të artë e me margaritarë dhe veshjet e tyre do të jenë të mëndafshta. ” [Haxh 23]. Allahu i Madhëruar e përmend në mënyrë të veçantë mëndafshin, sepse ai është diçka e dukshme, që tregon për gjendjen e mirë të njeriut që e ka veshur. - “Ata do jenë atje, të mbështetur në kolltukë dhe nuk të do ndiejnë as të nxehtë e as të ftohtë.” – Ata do jenë të mbështetur mirë, ashtu sikurse ulesh kur dëshiron të rehatohesh dhe kënaqesh. Ata do të qëndrojnë në “ el erâik ”, domethënë, në disa shtretër me mbulesa të zbukuruara. Atje nuk kanë për të ndier kurrë më vapë apo ftohtë, sepse klima në Xhenet nuk do të jetë as e nxehtë dhe as e ftohtë, por e butë dhe mesatare. Trupi kënaqet dhe rehatohet në këtë lloj klime të mrekullueshme. - “Hijet do t’u bien sipër dhe degët e pemëve (plot fruta) do t’u afrohen pranë.” - Frutat i afrohen atij që i dëshiron, në çdo gjendje qoftë: i shtrirë, ulur e në këmbë, që ai t’i marrë kur të dëshirojë. - “Atyre do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe me gota të kristalta, Me gota të tejdukshme prej argjendi, që ata vetë do t’i përcaktojnë si të duan.” - Mes banorëve të Xhenetit vërtiten djemtë e rinj, të cilët do t’u shërbejnë kupa të mbushura me pije të këndshme. Kupat janë prej argjendi, por janë të tejdukshme si diamanti. Është shumë e çuditshme: argjendi aq i dendur, të jetë i tejdukshëm si diamant! Allahu i Madhëruar përmend edhe një hollësi tjetër rreth atyre gotave: “...që ata do t’i përcaktojnë si të duan”. Pra, ato do të jenë aq sa të kënaqen dhe të ngopen besimtarët: as më shumë e as më pak. Nëse do ishin më të mëdha, ata do të veleshin, e nëse do ishin më të vogla, nuk të kënaqeshin ose ngopeshin plotësisht. Ka mundësi që kuptimi të jetë se: do të jenë vetë banorët e Xhenetit ata që do t’i përzgjedhin e i përcaktojnë ato, sipas dëshirës dhe shijes së tyre. Dhe ato do t’u shërbehen ashtu sikurse ata i dëshirojnë në mendjen e tyre. - “Do t’u jepen gota me pije të përziera me xhenxhefil. Ai vjen prej një burimi aty, që quhet Selsebil” - Në Xhenet, ata do të shijojnë gota të mbushura me pije dhe nektar, të përzier me xhenxhefil, me shije dhe aromë të mrekullueshme. Në Xhenet ndodhet në burim, që quhet Selsebil. Ai quhet kështu për shkak të bukurisë, pastërtisë dhe rrjedhshmërisë së tij çlodhëse dhe të këndshme. - “Mes tyre lëvizin duke shërbyer djelmosha, që do jenë përherë të tillë...” - Mes banorëve të Xhenetit, gjatë ushqimit e gostive të tyre, do të vërtiten si shërbëtorë djelmosha të vegjël shumë të bukur, që nuk rriten dhe as ndryshojnë. Kur i sheh të shpërndahen në shërbim, ata ngjajnë si margaritarë. Kjo është një kënaqësi tjetër e banorëve të Xhenetit. Shërbëtorët e tyre do të jenë djelmosha të bukur, që të gëzojnë kur i sheh, sepse ata të shërbejnë plot gaz. Kur hyjnë nëpër banesat e xhenetlinjve, nuk ka pasiguri dhe ndrojtje prej tyre. Ata përmbushin kërkesat e xhenetlinjve në çdo moment. - “...e që, kur i kundron, duken si margaritarë të shpërndarë. Kur hedh shikimin atje (në xhenet) , sheh begati e pasuri të mëdha,...” - Nëse i kundron, do të shihje pasuri dhe mirësi të mëdha. Nëse do të shihje pasuritë e ndonjërit prej tyre, do të mahniteshe nga kështjellat, banesat, dhomat e gdhendura e të zbukuruara, të cilat nuk mundesh t’i përshkruash. Ata zotërojnë kopshte të lulëzuara dhe plot fruta, që janë të lehta për t’u arritur dhe të shijshme. Mes këtyre kopshteve të çuditshme, rrjedhin lumenj dhe këndojnë zogj të ndryshëm këngëtarë. Të gjitha këto kënaqin zemrën dhe lumturojnë shpirtin. Atje, gjithashtu, presin gra jashtëzakonisht të bukura dhe të hijshme; të bukura nga jashtë e nga brenda, nga trupi dhe nga shpirti. Ato ua mbushin zemrat dhe shpirtin me gëzim burrave të tyre. Rreth tyre vërtiten e shërbejnë djelmosha të përjetshëm, që e shtojnë dhe plotësojnë rehatinë dhe kënaqësinë. Pastaj, mbi të gjitha këto kënaqësi dhe bukuri, qëndron lumturia më e madhe: vështrimi te Zoti i gjithësisë, tek i Gjithëmëshirshmi e Mëshirëploti, dëgjimi i fjalës së Tij, prania e afërt e Tij, kënaqësia e Zotit me ta dhe, në fund, përjetësia në këto mirësi, të cilat vetëm shtohen dhe bëhen më të larmishme. I Lartësuar dhe Lavdëruar qoftë Allahu, Mbreti, Sunduesi i gjithçkaje, i Vërteti, depot e mirësive të të Cilit nuk shterin dhe nuk pakësohen kurrë. Ashtu si cilësitë e Tij, që janë të pafundme, ashtu janë edhe mirësitë e dhuruara nga bujaria e Tij. - “Ata (besimtarët) janë të veshur me mëndafsh të hollë e të gjelbër dhe me mëndafsh të trashë,” - Ata janë të veshur me petka të bukura prej mëndafshi jeshil të hollë ( sundus) dhe me mëndafsh të trashë (istebrek), që janë nga llojet më të mira të mëndafshit. - “... të stolisur me bylyzykë të argjendtë.” - Duart e tyre, të meshkujve dhe të femrave, janë të stolisura me byzylykë e bizhuteri argjendi. Ky është një premtim i dhënë nga Zoti, dhe premtimi i Tij patjetër që do të mbahet, sepse Ai është më Fjalëdrejti dhe i Vërteti. - “Dhe Zoti i tyre u jep të pinë pije të kulluar.” – Do t’u jepet një lloj pijeje, që është e pastër nga çdo turbullirë dhe ndyrësi, nga njëra anë, dhe pastruese e barkut të tyre nga çdo gjë e keqe dhe e dëmshme, nga ana tjetër. - “Ky është shpërblimi për ju, sepse e keni merituar me përpjekjet tuaja.” - Ky shpërblim i madh ju jepet si shpërblim për veprat që keni kryer. Madje, edhe për veprat më të vogla, Allahu Bujar dhe i Gjithëmëshirshëm ka përgatitur për ju mirësi të përjetshme të papërshkrueshme. Pasi foli për mirësitë e Xhenetit, Allahu i Madhëruar thotë:

Mus'haf Hape →
Nur 24:36–24:38 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… prej xhamive të Allahut.” [Buhariu dhe Muslimi]. Ndërsa Ahmedi dhe Ebu Daudi shtojnë: 1973. “... por shtëpitë e tyre janë më mirë për to.” Muslimi sjell …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “(Ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë), që Allahu i lejoi të ngrihen, ... ” - Allahu i madhëruar pasi na solli shembullin e zemrës së besimtarit dhe dritës së udhëzimit dhe diturisë që gjendet në të, si shembulli i atij kandilit brenda një xhami të pastër e të kristaltë, i cili ndizet e jep dritë nga një vaj i kulluar i mirë dhe i bekuar, vijoi të përmendë edhe vendin e adhurimit ku meret ajo dritë dhe udhëzim. Ato janë xhamitë e Allahut, vendet më të dashura të Tij në tokë. Ato janë shtëpitë e Tij, ku Ai adhurohet prej besimtarëve si një i vetëm e i pashoq. I lartësuari tha: “(Ajo dritë) Është në shtëpitë (xhamitë), që Allahu i lejoi të ngrihen, ...” pra Allahu i madhëruar urdhëroi e porositi që të kujdesemi për xhamitë e Tij duke i pastruar dhe ruajtur nga çdo papastërti dhe veprim i ulët në to, që bie ndesh me rëndësinë e vlerën e tyre të lartë. Sikurse tregon Alij ibnu Ebi Talhate nga Ibnu Abasi i cili ka thënë: “Ka n daluar Allahu i lavdëruar nga fjalët e kota në xhami.” Po kështu kanë thënë edhe një grup dijetarësh të tefsirit. Në dy sahihët transmetohet se Uthman ibn Afani (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë: 334. “... e kam dëgjuar Profetin ﷺ të thotë: “Atij që ndërton një xhami, - Bukejri (njëri nga transmetuesit) thotë: Më duket se ka thënë: me të cilën e kërkon kënaqësinë e Allahut -, Allahu i ndërton një të tillë në Xhenet.” [Buhariu dhe Muslimi] Nga Aishja transmetohet të ketë thënë: 335. “Profeti i Allahut na urdhëroi të ndërtojmë faltore nëpër shtëpi dhe ti pastrojmë e parfumosim ato.” 105 El buhari sjell një transmetim tea’likan se: “Umeri ka urdhëruar të ndërtohej xhamia dhe ka thënë: Mbuloji njerëzit nga shiu dhe mos përdor ngjyrime të kuqe ose të verdha, se mund të shpërqendrohen.” Enesi ka thënë: “Krenohen me to, e, në anën tjetër, nuk i frekuentojnë, dhe nuk i gjallërojnë (me adhurim), përveçse pak.” Ibn Abasi ka thënë: Do t’i zbukuroni ato (xhamitë) sikurse çifutët dhe të krishterët (faltoret e tyre).” Nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij! - , përcillet se Profeti i Allahut ka thënë: 336. “Nuk ka për të ndodhur kjameti derisa njerëzit të krenohen me xhamitë.” E transmeton Ahmedi dhe autorët e suneneve, përveç Termidhiut. Imam Muslimi transmeton: “Burejde (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se, një ditë, pasi Profeti ﷺ e kreu namazin, një burrë u ngrit dhe tha: Mos e ka gjetur ndokush një deve të kuqe?! Profeti ﷺ i tha: “Mos e gjetsh! Xhamitë janë ndërtuar për tjetër qëllim.” Nga Eb Hurejra, - Allahu qoftë i kënaqur prej tij! , përcillet se Profeti i Allahut ka thënë: 337. “Nëse shihni dikë që shet ose tregëton në xhami, i thoni: “Mos të dhëntë fitim Zoti në tregëtinë tënde!” dhe nëse shihni dikë që njofton për një send që i ka humbur në xhami, i thoni: “Allahu mos ta ktheftë (sendin e humbur)!” Termidhiu dhe tha: Ky është hasenun garib . Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: 338. “Namazi i atij që falet në xhemat është më i vlefshëm se i atij që falet në shtëpi apo në treg, për njëzet e ca shkallë. Kjo, ngase, kur dikush merr abdes mirë dhe shkon në xhami, duke synuar vetëm namazin, për çdo hap që bën ngrihet një gradë dhe i fshihet një gjynah derisa të hyjë në xhami. Kur të hyjë në xhami, llogaritet se është në namaz, përderisa e pret namazin. Melekët bëjnë dua për personin që rri në vendin ku është falur dhe thonë: “O Allah, mëshiroje! O Allah, fale! O Allah, pranoja pendimin!” përderisa nuk e shqetëson askënd dhe nuk e prish abdesin.” 106 Në sunen vjen hadithi: 339. “Përgëzoi ata që ecin nëpër erësira (për të shkuar në xhami) se do të kenë dritë të plotë në ditën e kjametit.” Muslimi përcjell nga Ebu Humejdi apo Ebu Usejdi (Allahu qoftë i kënaqur me të) që ka thënë: I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: 340. “Kur ndonjëri prej jush hyn në xhami, le të thotë: Allahum-me iftah li ebuâbe rahmetik (O Allah, mi hap mua dyert e Mëshirës Sate). E kur të del le të thotë: Allahum-me ini es’eluke min fadlike (O Allah, unë kërkoj nga Ti, begatitë Tua).” - “... e të përmendet emri i Tij. ” - pra, thotë ibnu Abasi - të këndohe n ajetet (dhe pasohen udhëzimet) e Librit të tij. - “Në to lavdërohet emri i Tij mëngjes e mbrëmje.” - nga ibnu Abasi transmetohet të ketë thënë se Me fjalën “tesbih” (që është përkthyer “Lavdërohet e mri i Tij) në Kuran ka për qëllim faljen e namazit. Nëse ajeti lexohet në këtë mënyrë pra ku folja “Lavdërohet” sillet në formën joveprore, atëherë kënduesi i ajetit qëndron në fjalën e “Mbrëmje”. Dhe pastaj fillon fjali e re: “Ata janë burra që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend, për ta përmendur Allahun, ...” pra kjo fjali vjen si shpjegim e sqarim për të treguar se cilët janë ata që lavdërojnë emrin e Allahut. Pra sikur dikush pyet se cilët janë ata që e lavdërojnë emrin e Tij mëngjes e mbrëmje dhe më pas sillet përgjigja: ““Ata janë burra që ... “ Por nëse këtë ajet e lexojmë: “Në to e lavdërojnë emrin e Tij mëngjes e mbrëmje, ...” ku folja e lavdërojnë vjen në formën veprore, nuk mund të qëndrojmë tek fjala “e mbrëmje”, por duhet të përmendim edhe kryefjalën, e çfarë vjen më pas, në mënyrë që fjalia të jetë e plotë. Pra f jalia do të vazhdonte kështu: “ Në to e lavdërojnë emrin e Tij mëngjes e mbrëmje burra që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend, për ta përmendur Allahun, ...”. Vërej dhe mendo me kujdes në fjalën e tij për ata të zgjedhur kur thotë: “Ata janë burra...” kjo tregon për ambicjet dhe vullnetin e tyre të fortë, për qëllimet e motivet e tyre të larta. Me këto cilësi të larta e merituan që të jenë burra me plot kuptimin e fjalës dhe të jenë shtyllat dhe jetëdhënësit e xhamive të cilat janë shtëpitë e Allahut në tokë dhe vendet e pastra e të zgjedhura të përcaktuara për adhurimin e Tij si një i vetëm, për ti shprehur Atij mirënjohjen e lavdërimin e për ta madhëruar lavdëruar e dëlirësuar nga çdo mangësi dhe trillim i mohuesve. Sikurse ka thënë i lartësuari: “Prej besimtarëve pati burra të tillë që e mbajtën besën e dhënë Allahut. Disa prej tyre e përmbushën premtimin duke dhënë jetën dhe ka të tjerë që janë duke pritur (për ta përmbushur) dhe ata kurrë nuk sprapsen aspak (nga rruga e Allahut).” [Ahzab 23]. Ndërsa për gratë, namazi i tyre në shtëpitë e tyre është më i vlefshëm se sa namazi në xhami. Sikurse transmeton Imam Ahmedi nga Ummu Humejd, gruaja e Ebu Humejd El saidij, e cila shkoi tek Profeti a.s. dhe tha: 1971. “Unë e dëshiroj shumë që të falem (në xhami) me ty. - Ai i tha: E di që ke dëshirë të falesh (në xhami) me mua. Por namazi yt në dhomën tënde është më i mirë se namazi yt në koridorin e shtëpisë tënde, namazi yt në koridorin e shtëpisë tënde është më i mirë se namazi yt në hapësirën e shtëpisë tënde, namazi yt në hapësirën e shtëpisë tënde është më i mirë se namazi yt në xhaminë e fisit tënd, namazi yt në xhaminë e fisit tënd është më i mirë se namazi yt në xhaminë time.” Ajo urdhëroi (njerëzit e saj) dhe i ndërtuan një faltore në pjesën më të futur të shtëpisë së saj dhe, betohem në Allahun! - atje vazhdoi të falet, derisa ndërroi jetë.] 107 Asaj i lejohet që të marrë pjesë në namazet me xhemat në xhami, por me kusht që të mos përbëjë shqetësim për burrat, duke shfaqur zbukurime të saj, ose parfum e gjëra të tjera të ngjashme. Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se i Dërguari i Allahut ka thënë: 1972. “Mos i ndalni robëreshat e Allahut prej xhamive të Allahut.” [Buhariu dhe Muslimi]. Ndërsa Ahmedi dhe Ebu Daudi shtojnë: 1973. “... por shtëpitë e tyre janë më mirë për to.” Muslimi sjell hadithin nga Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili transmeton se Profeti i Allahut ka t hënë: “Nëse gruaja i kërkon burrit të saj leje për të shkuar në xhami, mos ta ndalë .” Abdullah ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Mos i ndaloni gratë prej xhamive kur ju kërkojnë leje për të shkuar në to.” Bilal ibn Abdullahu tha: Vallahi do t'i ndalim! Abdullah ibn Omeri iu kthye dhe e qortoi rëndë, si kurrë më parë, dhe i tha: Unë po të tregoj se çfarë ka thënë i Dërguari i Allahut, e ti po më thua: Vallahi do t'i ndalim!? Muslimi sjell hadithin nga Zejnebja, gruaja e Abdullah it, e cila ka thënë: “I Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur ndonjëra prej jush të shkojë në xhami, le të mos parfumoset.” Buhariu tregon se: “Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon: “Gratë besimtare shkonin për ta falur namazin e sabahut me të Dërguarin e Allahut duke qenë të mbështjella me rroba. Pas namazit, kthe-heshin në shtëpitë e tyre e askush nuk mund t'i shquante (cilat ishin) për shkak të errësirës.” Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të), gruaja e Profetit ﷺ ka thënë: 1974. “Po ta shihte i Dërguari i Allahut ﷺ se çfarë bëjnë gratë e sotit, do t'i ndalonte prej xhamive, siç janë ndaluar gratë e benu israilëve. Jahja ibn Seidi ka thënë: E pyeta Amrën: Vallë, gratë e benu israilëve janë ndaluar prej xhamive? - Po, - më tha.”] - “Ata janë burra që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend, për ta përmendur Allahun, për ta falur rregullisht namazin dhe për ta dhënë zekatin.” - Allahu i madhëruar ka thënë: “O ju që keni besuar! As pasuria e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin prej kujtimit të Allahut! Ata që veprojnë kështu janë të humbur.” [Munafikun 9], Ose: “ O ju që keni besuar, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhuma, nxitoni (e drejtohuni) për atje, ku përmendet Allahu dhe lëreni shitblerjen! Kjo është shumë më e dobishme për ju, nëse e dini. Pasi të falet namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni nga begatitë e Allahut, por përmendeni shpesh Allahun, që të gjeni shpëtim!” [Xhumua 9]. Këta të zgjedhur nuk i preokupon dynjaja me stolitë dhe bukuritë e saj, me joshjen e fitimeve dhe mashtrimeve të saj, nga përmendja e Zotit të tyre, i cili është Krijuesi dhe Ai që kujdeset dhe u jep furnizimin e çdo të mirë të dynjasë dhe të ahiretit. Ata e dinë mirë se ajo për të cilën porosit e urdhëron Allahu i madhëruar dhe në të cilën fton ai, është shumë më e mirë dhe e dobishme për ta se e gjithë kjo dynja. Ja kështu e shohin sepse kjo dynja është e përkohshme dhe shumë shpejt do të përfundojë, ndërsa ajo që është tek Allahu do të mbetet përgjithmonë. Prandaj dhe tha se: “... nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend, për ta përmendur Allahun, për ta falur rregullisht namazin dhe për ta dhënë zekatin.” Pra ata i japin përparësi bindjes ndaj Tij, asaj që Ai e dëshiron prej tyre. Ata synojnë të arrijnë dashurinë e Tij edhe nëse kjo kërkon që të heqin dorë nga dëshirat e tyre për stolitë e kësaj dynjaje. Hushejm ibnu Shejban ka thënë: “Më kanë treguar se njëherë Ibnu Mesudi pa disa prej tregëtarëve në treg të cilët kur u thir ezani për namaz, brofën për të shkuar në namaz dhe i lanë tregëtizat e tyre. Abdullahi tha: “Këta janë prej atyre për të cilët Allahu i lartësuar ka thënë në Librin e Tij: “Ata janë burra që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend, për ta përmendur Allahun, për ta falur rregullisht namazin dhe për ta dhënë ze katin.” Ibnu Abasi shpjegon ajetin e thotë: “... pra për të falur namazin e detyrueshëm.” Ndërsa Mukatil ibnu Hajan shpjegon e thotë: “... pra për të falur namazin në kohën e vet.” - “Ata i frikësohen një Dite kur do të tronditen zemrat dhe sytë. ” - Pra i frikësohen ditës së kjametit kur “... do të tronditen zemrat dhe sytë.” Nga tmerri i madh dhe ato ngjarje të lemerishme. Sikurse thotë i madhëruari: “Paralajmëroji ata për Ditën që afrohet gjithnjë e më shumë, kur zemrat do të vijnë në fyt për t'u zënë frymën. Për keqbërësit nuk ka mik të afërt e as ndërmjetësues që i shkon fjala.” [Gafir 18], ose: “Kurrsesi mos mendo se Allahu është i pakujdesshëm ndaj veprimeve të keqbërësve! Ai vetëm është duke u dhënë afat deri në Ditën, kur sytë të shtangen nga tmerri. Ata janë duke vrapuar me kokat lart, me sytë e tyre të hapur e të papulitur me zemrat e tyre të zbrazëta.” [Ibrahim 42, 43], ose: “Janë ata që, për hir të Tij, prej pasurisë që e duan shumë, u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe robërve. “Ne (thonë të devotshmit) po ju ushqejmë veçse për hir të Allahut dhe nuk kërkojmë prej jush ndonjë shpërblim e as falënderim. Ne i frikësohemi Zotit tonë për atë Ditë, që fytyrat i bën të zymta dhe është e llahtarshme”. Allahu i ka ruajtur ata prej sherrit të asaj dite dhe u ka dhuruar shkëlqim e lumturi në fytyra. Për shkak se ata bëjnë durim, Ai i shpërblen me Xhenet dhe me veshje mëndafshi. Ata do jenë atje, të mbështetur në kolltukë dhe nuk të do ndiejnë as të nxehtë e as të ftohtë. Hijet do t’u bien sipër dhe degët e pemëve (plot fruta) do t’u afrohen pranë. Atyre do t’u shërbehet me enë të argjendta dhe me gota të kristalta, Me gota të tejdukshme prej argjendi, që ata vetë do t’i përcaktojnë si të duan. Do t’u jepen gota me pije të përziera me xhenxhefil, Ai vjen prej një burimi aty, që quhet Selsebil. Mes tyre lëvizin duke shërbyer djelmosha, që do jenë përherë të tillë e që, kur i kundron, duken si margaritarë të shpërndarë. Kur hedh shikimin atje (në xhennet) , sheh begati e pasuri të mëdha, Ata (besimtarët) janë të veshur me mëndafsh të hollë e të gjelbër dhe me mëndafsh të trashë, të stolisur me bylyzykë të argjendtë. Dhe Zoti i tyre u jep të pinë pije të kulluar. (Atyre do t'u thuhet) Ky është shpërblimi për ju, sepse e keni merituar me përpjekjet tuaja.” [Insan 8 - 22]. Ndërsa në këtë ajet Ai tha: - “(Ata luten) që Allahu t’i shpërblejë më së miri për veprat e tyre ...” - Këta janë njerëzit, të cilëve Allahu i madhëruar do t’ua pranojmë veprat në mënyrën më të mirë e do t’ua mbulojë të këqijat. - “... dhe për t’ua shtuar të mirat prej (bujarisë së) Tij.” - pra Ai ua pranon punët e mira të kryera prej tyre dhe ua jep shpërblimin shumëfish, sikurse thotë i lartësuari: “S’ka dyshim se Allahu nuk bën padrejtësi as sa një grimcë. Nëse është vepër e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe dhuron shpërblim të madh nga ana e Tij.” [Nisa 40], ose: “Kush bën një të mirë, ai do të shpërblehet dhjetëfish, e kush bën një të keqe, ai do të ndëshkohet vetëm për të. Askujt nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.” [Enam 160], ose: “Pasuria e atyre që e shpenzojnë atë në rrugë të Allahut përngjan me një farë, prej së cilës mbijnë shtatë kallinj, ku në secilin kalli ka njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon atij që Ai dëshiron. Allahu është Bujar i madh e i Gjithëditur.” [Bekare 261]. Ndërsa në këtë ajet Ai tha: - Allahu i dhuron pa masë atij që do.

Mus'haf Hape →
Maide 5:6 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… i saktë dhe i pranueshëm pa pastërtinë rituale. Madje, sipas shumë dijetarëve, edhe kryerja e sexhdes së falënderimit apo e sexhdes së tilaue-s (gjatë …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Ky është një ajet madhështor dhe përmbledh shumë dispozita. Le të përmendim disa prej tyre, me ndihmën dhe lehtësimin e Allahut të Lartësuar. 1. Zbatimi i porosive të këtij ajeti konsiderohet si punë që rrjedhon dhe nxitet nga imani. Pa zbatimin e tyre, imani nuk është i plotë. Kjo kuptohet nga fakti se Allahu i Lartësuar e nis këtë ajet duke na u drejtuar me cilësinë tonë të besimit, duke thënë: “O ju që keni besuar!”. Pra, sikur i Lartësuari na thotë: “O ju që keni besuar, kryeni ato vepra që i dikton imani juaj dhe të cilat Ne i caktuam për ju”. 2. Ajeti përmban një urdhër për t’u ngritur dhe për t’u përpjekur për një falje sa më të mirë të namazit. Kjo kuptohet nga thënia e Allahut: “Kur të ngriheni për të falur namaz...”. 3. Ajeti përmban urdhër për të patur nijet të qartë para namazit. Fragmenti: “Kur të ngriheni për të falur namaz...” sikur thotë: “Kur të ngriheni me qëllimin për të falur namaz”. 4. Pastërtia rituale është kusht i domosdoshëm për saktësinë e namazit. Një namaz i falur pa qenë i pastër ritualisht është i pasaktë dhe i papranueshëm, prandaj duhet patjetër të përsëritet. Allahu i Lartësuar na urdhëron që të pastrohemi ritualisht kur të vendosim dhe të bëhemi gati për të falur namaz, dhe dihet se urdhri tregon detyrim. 5. Pastrimi ritual nuk bëhet i detyrueshëm në momentin kur hyn koha e namazit, por në kohën kur ne vendosim dhe bëhemi gati për të falur namaz. 6. Pastërtia rituale është detyrë dhe kusht për saktësinë e çdo adhurimi që quhet “namaz”, qoftë ai namaz farz, qoftë nafile apo namaz xhenazeje. Në të gjitha rastet, namazi nuk konsiderohet i saktë dhe i pranueshëm pa pastërtinë rituale. Madje, sipas shumë dijetarëve, edhe kryerja e sexhdes së falënderimit apo e sexhdes së tilaue-s (gjatë leximit të Kur’ânit) është e pasaktë dhe e palejueshme pa patur pastërtinë rituale, sepse edhe sexhdja mund të quhet namaz. 7. Larja e fytyrës është nga farzet e abdesit, sepse Allahu i Lartësuar na urdhëron për larjen e saj. Fytyra është pjesa e kokës që fillon, për së gjati, nga kufiri i flokëve të ballit e deri te nofulla e poshtme dhe mjekra, dhe nga veshi në veshin tjetër, për së gjeri. 8. Në urdhrin e Allahut të Lartësuar për larjen e fytyrës bën pjesë edhe larja e gojës dhe e hundës. Kjo kuptohet dhe përforcohet nga hadithet e Profetit (a.s.). 32 9. Duhet kujdes që, nëse mjekra është e rrallë, uji të depërtojë dhe të lagë lëkurën poshtë saj. Por nëse mjekra është e dendur, mjafton vetëm larja me ujë e saj dhe, në këtë mënyrë, konsiderohet se e kemi kryer urdhrin për larjen e fytyrës, pasi “fytyrë” është pjesa e përparme e kokës me të cilën përballesh me të tjerët, dhe këtu hyjnë edhe qimet e fytyrës. 10. Larja e dy duarve deri te bërrylat është prej farzeve të abdesit, sepse Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar për larjen e tyre. Duhet pasur kujdes që, së bashku me pjesën e bërrylit, të lahet edhe një pjesë e krahut, në mënyrë që të mos mbetet asnjë pjesë e bërrylit pa u larë, sepse thënia e Allahut të Lartësuar: “...deri te bërrylat...”, sipas shumicës së mufesirin-ëve (komentuesve të Kur’ânit) do të thotë: “së bashku me bërrylat”. Edhe praktikisht, larja e plotë e parakrahut mund të arrihet veçse me larjen e plotë të bërrylit. 11. Fshirja e kokës me duar të lagura është nga farzet e abdesit, sepse Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar për këtë. Po ashtu, është detyrë që me duart të lagura të fshihet e gjithë koka dhe jo vetëm një pjesë e saj. Kjo dispozitë përftohet nga analiza gjuhësore e fragmentit: “...fërkoni kokën...”, që do të thotë: “fërkoni të gjithë kokën”. 12. Fshirja e kokës mund të bëhet me një dorë të vetme, me të dyja duart, me një copë të lagur, me një send të lagur apo me çfarëdo mënyre dhe mjeti qoftë, sepse Allahu i Lartësuar nuk e ka përcaktuar se me çfarë mjeti e mënyre duhet të fshihet koka. Pra, mjafton që ajo “të fshihet” me ujë. 13. E detyrueshme është fshirja e kokës me ujë dhe jo larja e saj. Me fjalë të tjera, nëse dikush e lan kokën dhe nuk e fshin atë me dorë të lagur, abdesi i tij është i pasaktë, sepse ai nuk e ka kryer urdhrin e Allahut për fshirjen e kokës. 14. Larja e këmbëve deri te kaviljet është prej farzeve të abdesit, sepse Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar për këtë gjë. Edhe këtu thuhet e njëjta si për larjen e duarve deri te bërrylat. Pra, duhet të kujdesemi që nyjet e këmbës të lahen tërësisht e, bashkë me to, edhe një pjesë e vogël e kërcirit. Vetëm kështu mund të jemi të sigurt se ato janë larë tërësisht. 15. Vëreni me kujdes ajetin! Në të thuhet: “...lani fytyrën dhe duart (e krahët) deri te bërrylat, fërkoni kokën dhe (lajini) këmbët deri te nyjet! ”. Pyetja që shtrohet është: Fragmenti: “ dhe këmbët deri te nyjet! ”, a është i lidhur me pjesën: “fërkoni kokën”, apo me pjesën: “lani fytyrën dhe duart tuaja deri te bërrylat”? Ky ajet është lexuar në dy mënyra: a) Shumica e lexuesve të Kur’ânit e lexojnë këtë ajet në mënyrë të tillë që fragmenti: “…dhe këmbët deri te nyjet! ”, të lidhet me pjesën: “lani fytyrën dhe duart tuaja deri te bërrylat”. Pra, ky është një urdhër për t’i larë edhe këmbët deri te nyjet. Me fjalë të tjera, kuptimi është: “... dhe (lajini) këmbët deri te nyjet!”. b) Disa e lexojnë këtë ajet në mënyrë të tillë që fragmenti: “…dhe këmbët deri te nyjet! ” të kuptohet si i lidhur me pjesën: “fërkoni kokën”. Pra, në njëfarë mënyre, këtu kuptohet se edhe këmbët mund të fshihen me duar të lagura. Megjithatë, po të shohim traditën e Profetit në dhënien mes’h të këmbëve, ai e ka bërë këtë kur i ka pasur këmbët të veshura dhe asnjëherë nuk i ka fshirë kur ka qenë zbathur. Nëse këmbët janë zbathur, është e detyrueshme larja e tyre, sikurse tregon ajeti kur’ânor dhe Tradita e Profetit. 16. Urdhri për larjen e këmbëve hedh poshtë mendimin e gabuar të rafidi-ve (ose shiit-ëve) të cilët nuk i lajnë këmbët gjatë abdesit, por thjesht i fshijnë ato me duar të lagura. Kjo, sigurisht, është e gabuar dhe në kundështim me porositë e Zotit dhe të Profetit. Është e vërtetë që këmbëve mund t’u jepet mes’h me duar të lagura, por kjo bëhet vetëm kur këmbët janë të veshura, me kushtet e përcaktuara qartë nga Profeti. Dihet mirë se Profeti ka qenë dhe mbetet kuptuesi, sqaruesi dhe zbatuesi më i mirë i porosive të Kur’ânit. 17. Duke qenë se Allahu i Lartësuar i ka përmendur elementët e abdesit me një radhë të caktuar, kjo tregon se edhe radha e kryerjes së këtyre veprimeve konsiderohet si kusht i saktësisë së abdesit. Nëse shohim me kujdes ajetin, Allahu i Lartësuar, mes gjymtyrëve që duhet të lahen, ka ndërfutur një gjymtyrë e cila fshihet me duar të lagura, duke thënë: “...lani fytyrën dhe duart tuaja deri te bërrylat, fërkoni kokën edhe këmbët deri te kaviljet.”. Qëllimi i kësaj ndërfutjeje është pikërisht ruajtja e renditjes. 18. Radhitja e cila është kusht për saktësinë e abdesit është ajo e veprimeve me katër gjymtyrët e përmendura në ajet, dhe jo e veprimeve të tjera të abdesit. Kështu, për shembull, radha mes larjes së gojës, hundës dhe fytyrës, mes larjes së të djathtës dhe të majtës të duarve dhe të këmbëve etj., nuk janë të detyrueshme, por të pëlqyeshme. Kësisoj, është e pëlqyeshme që të lahet goja dhe hunda para larjes së fytyrës, të lahet e djathta prej duarve dhe këmbëve para të majtës, të fshihet me duar të lagura koka para fshirjes së veshëve. 19. Ajeti na urdhëron që të rinovojmë abdesin për çdo namaz. 20. Ajeti na urdhëron që për xhunubimin duhet të lahet i gjithë trupi ( gusl). Gjatë këtij gusl-i, flokët duhet të njomen tërësisht, derisa uji të depërtojë në lëkurë, dhe kjo është e detyrueshme. 21. Mungesa e abdesit ndërfutet në papastërtinë e madhe, pra, te xhunubimi. Me fjalë të tjera, nëse pastrohemi për të larguar papastërtinë e madhe, xhunubimin, ne konsiderohemi se jemi pastruar edhe prej papastërtisë së vogël, pra, prej mungesës së abdesit, nëse kemi bërë nijet edhe këtë të fundit së bashku me nijetin për gusl, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë thjesht “...lani të gjithë trupin...”, dhe nuk ka thënë që pas guslit duhet të marrim abdes. 22. ‘Xhunub’ quhet çdokush që ka ejakuluar në gjumë apo me vetëdije, si dhe çdokush që ka kryer marrëdhënie intime, edhe nëse nuk ka ejakuluar. Ai që shikon ndonjë ëndërr sikur kryen marrëdhënie, por nuk sheh lagështi dhe shenjë në rrobat e tij, ai nuk e ka detyrë guslin, sepse nuk është bërë xhunub. 23. Në ligjin lehtësues për tejemumin shfaqet bamirësia dhe përkujdesja e madhe e Allahut të Lartësuar për adhuruesit e Tij. 24. Ndër shkaqet që e bëjnë të lejueshëm tejemumin janë sëmundjet e tilla që, nëse lahesh me ujë, ato rëndohen më tepër. 25. Faktor që e bën të lejueshëm tejemumin është edhe të qenurit në udhëtim dhe mosgjetja e ujit kur kryen nevojat fiziologjike. Megjithatë, kur je i sëmurë, tejemumi lejohet edhe nëse gjendet ujë, për shkak të dëmit që shkakton përdorimi i ujit. Ndërsa për rastet e tjera, tejemumi lejohet vetëm kur nuk gjendet ujë, pavarësisht në je udhëtar apo jo. 26. Çdo gjë që del nga dy rrugët e jashtëqitjes, urinë apo nevojë, e prish abdesin. 27. Në këtë ajet mbështeten ata që janë të mendimit se abdesi prishet veçse prej daljeve që bëhen nga dy rrugët e jashtëqitjes. Pra, sipas këtyre, abdesin nuk e prish as prekja e organit me dorë e as ndonjë shkak tjetër. 28. Nga ajeti kuptojmë se është e pëlqyeshme që t’i përzgjedhim fjalët që nxjerrim nga goja dhe të ruhemi nga fjalët e pista. Në vend të tyre, kur është e nevojshme, le të përmendim sinonime ose forma të tjera më të buta, sikurse thuhet në ajet: “…nëse ndonjëri prej jush vjen prej ‘ el gait’”. ‘ El gait ’, ose ‘ultësira’, është vendi ku kryhen nevojat personale. 29. Prekja e femrës me epsh e prish abdesin. 30. Për lejueshmërinë e abdesit është kusht mosgjetja e ujit (ose pamundësia e përdorimit të tij). Për këtë arsye, nëse gjendet uji, atëherë tejemumi i prishet edhe atij që është ndërkohë në namaz, pasi Allahu i Lartësuar e ka lejuar tejemumin vetëm kur mungon uji. 31. Pasi hyn koha e namazit, është detyrë për njeriun që të kërkojë ujë rreth e rrotull tij, sepse nëse nuk kërkon, atëherë nuk mund të thuhet për të që “nuk ka mundur të gjejë ujë”. 32. Para kryerjes së tejemumit, është e detyrueshme të jetë nijeti, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “ fe tejem -memu”, që do të thotë ta kesh qëllim kryerjen e tij. 33. Allahu i Lartësuar thotë: “…merrni tejemum me dhè të pastër e, me të, fërkoni fytyrën dhe duart tuaja”. Nga ajeti kuptohet që fytyrat dhe duart duhet të fshihen me një pjesë nga dheu, dhe kjo ndodh atëherë kur dheu ka pluhur. Mund të themi se ka dy arsye që ajeti vjen në këtë formë: ose që të tregohet se dheu është zakonisht me pluhur, ose që të kuptohet se është më e mirë dhe më e saktë nëse përdoret dhè i pluhurosur. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që tejemumi mund të kryhet veçse me këtë lloj dheu, pasi tejemumi është i saktë dhe i plotë me çfarëdo lloj dheu që gjendet në sipërfaqen e tokës. 34. Tejemumi me dhè të pisët është i papranueshëm dhe i pasaktë, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “ saiden taiben ” – “dhè i pastër” . 35. Gjatë tejemumit fshihen vetëm fytyra dhe dy duart, jo gjymtyrët e tjera të abdesit. 36. Togu: “fërkoni fytyrën” na tregon se është detyrë që, gjatë tejemumit, të fshihet gjithë fytyra. Megjithatë, dheu nuk futet në gojë e në hundë ose në thellësi të mjekrës, edhe nëse kjo e fundit është e rrallë, ashtu sikurse veprohet me abdesin. 37. Dy duart fërkohen deri tek kyçet, jo më shumë, sepse fjala ‘dorë’ nënkupton pëllëmbët deri te kyçet. Nëse do të futeshin edhe llërët, Allahu i Lartësuar do ta përcaktonte atë, sikurse ka thënë për abdesin: “...lajini duart tuaja deri tek llërët...”. 38. Ajeti është gjithëpërfshirës dhe tregon se tejemumi është zëvendësues i plotë si pastrues nga të gjitha llojet e papastërtive rituale ( ahdâth). Pra, tejemumi vlen si pastrues si në rastin e gjendjes xhunub, ashtu edhe në rastin e mungesës së abdesit. Madje, mund të themi se ajeti tregon se tejemumi vlen si pastrues edhe për rastin e largimit të papastërtive fizike ( nexhaset), 33 sepse Allahu i Lartësuar e ka bërë tejemumin si zëvendësues të plotë të ujit dhe funksioneve të tij, pa e kufizuar atë në një funksion të caktuar. Dikush mund të thotë se konteksti i ajetit tregon se tejemumi nuk përdoret për largimin e papastërtive fizike, sepse ai flet për papastërtitë rituale dhe largimin e tyre dhe jo për papastërtitë fizike dhe pastrimin prej tyre. Ky, madje, është mendimi i shumicës së dijetarëve. Qoftë për rastin e mungesës së guslit, qoftë për mungesën e abdesit, tejemumi merret njëlloj: duke fërkuar vetëm fytyrën dhe dy duart me dhè të pastër. 39. Nëse dikush, të cilit i mungon edhe gusli, edhe abdesi, bën nijet që të marrë tejemum për largimin e të dyja llojeve të papastërtive, kjo është e mjaftueshme dhe e plotë; pra, nuk ka nevojë që të marrë tejemum për secilin lloj papastërtie më vete. Ky gjykim përftohet nga fakti se Allahu i Lartësuar, sikurse e thamë më lart, e ka bërë tejemumin si zëvendësues të plotë të ujit, qoftë për mungesën e guslit, qoftë për mungesën e abdesit. Përveç kësaj, Allahu i Lartësuar nuk ka urdhëruar shprehimisht që të merret tejemum më vete për secilin lloj pastrimi. Në ajet thuhet: “Në qoftë se jeni të sëmurë ose në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose keni kontaktuar me gratë, dhe nuk gjeni ujë, atëherë merrni tejemum me dhè të pastër e, me të, fërkoni fytyrën dhe duart tuaja.” 40. Mjafton që fytyra dhe duart të fshihen me dhè të pastër, me çfarëdo mjeti të kryhet kjo fshirje, me dorë, leckë etj., sepse Allahu i Lartësuar ka urdhëruar që ta fshijmë fytyrën e duart me dhè, por nuk e ka përcaktuar se me çfarë të bëhet kjo fshirje. Kësisoj, kjo tregon se ajo mund të bëhet me gjithçka. 41. Kryerja me radhë e veprimeve të tejemumit është kusht i saktësisë së tij. Pra, në fillim kryhet fshirja e fytyrës, pastaj fshirja e duarve. Kjo është radha e treguar në ajet. 42. Në ajet del qartë mirësia dhe mëshira e madhe e Allahut të Lartësuar mbi këtë umet të begatshëm, sepse në fenë Islame nuk ka kurrfarë vështirësie dhe ngushtimi. Allahu i Lartësuar ka ligjëruar lehtësime dhe rrugëzgjidhje të shumta për çdo situatë të vështirë. Me këto ligje të mrekullueshme, Ai dëshiron që të na pastrojë dhe të plotësojë mirësinë e Tij mbi ne. 43. Pastrimi i jashtëm i trupit me ujë ose me tejemum është vazhdimësi dhe plotësim i pastërtisë së brendshme të shpirtit me teuhid dhe pendim të sinqertë nga çdo gjynah dhe mosbindje ndaj Allahut të Madhëruar. 44. Edhe pse nuk kryen pastrim të dukshëm, që të mund të vërehet nga ana e jashtme, tejemumi është një pastrim simbolik dhe figurativ, që buron nga bindja e plotë ndaj urdhrit të Allahut të Lartësuar. 45. Robi duhet të meditojë thellë dhe gjatë mbi ligjet e vendosura nga Zoti dhe urtësitë e tyre, qoftë në çështjet e pastrimit, qoftë në çështjet e tjera, sepse në këtë mënyrë shton diturinë e tij, por do të shtojë gjithashtu mirënjohjen dhe lavdërimin për Allahun e Madhëruar. Kështu, ai do ta dojë më shumë Allahun e Madhëruar, që, nëpërmjet këtyre ligjeve, i ngre robërit në grada të larta.

Mus'haf Hape →
Bekare 2:267–2:269 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… që keni." Kështu e ka përcjellë Ibn Ebu Hatimi nga Ibn Abasi. Gjithashtu, Ibn Xheriri përcjell nga Ibn Abasi shtesën në shpjegimin e këtij ajeti: "...kjo i ngjan …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- O ju që keni besuar! Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar dhe nga ajo që Ne e nxjerrim prej tokës për ju! - Allahu i Lartësuar i urdhëron adhuruesit e Tij besimtarë që të japin nga mirësitë që Ai u ka dhënë. Ky është një urdhër për të shpenzuar për hir të Allahut. Ibn Abasi, duke shpjeguar ajetin, ka thënë: "...Jepni nga më e mira e asaj që keni fituar!”, pra, nga më e mira e asaj që ju ka furnizuar Zoti, jepni nga pasuria që e fitoni me punë të ndershme. Ai ka thënë gjithashtu: "Ka urdhëruar për të shpenzuar nga pasuria më e mirë, më e zgjedhur dhe më e dashur për ne. Ai e ka ndaluar që për të dhënë sadaka të zgjidhet pasuria më e keqe dhe më e pavlefshme, që është e keqe dhe jo cilësore, sepse Allahu i Lartësuar është i mirë dhe pranon veçse të mirën." - Mos nxitoni të jepni më të pavlefshmen nga ajo, të cilën nuk do ta pranonit asnjëherë për veten tuaj, veçse po të ishit symbyllur! - Mos nxitoni të jepni më të pavlefshmen, mos synoni të jepni atë që nuk ka vlerë për ju, thjesht për ta hequr qafe. Allahu thotë: " ... të cilën nuk do ta pranonit asnjëherë për veten tuaj, veçse po të ishit symbyllur!" Pra, do ta pranonit veçse nëse do t’jua jepte dikush kur ju t’i kishit sytë mbyllur. Allahu i Lartësuar është më i pasur sesa ju, kur e refuzoni me përçmim këtë pasuri të pavlefshme që ju jepet. Mos ia jepni Allahut atë që edhe për veten tuaj e urreni. Ky ajet thuhet se ka zbritur dhe flet për një grup ensarësh, të cilët kur jepnin sadaka, jepnin prej hurmave jo cilësore që kishin. Kështu, kur ju kërkoni prej dikujt hakun tuaj, dhe ai jua sjell hakun tuaj me një cilësi më të ulët se ajo që ju e pretendoni, ju nuk e pranoni ta merrni atë që ai ju ofron. Atëherë, si kënaqeni që t’i jepni Zotit tuaj atë që edhe për veten tuaj nuk dëshironi ta pranoni?! Allahu i Lartësuar sikur na thotë: “E drejta Ime mbi ju është që të jepni nga pasuria më e mirë, më e zgjedhur dhe më e dashur që keni." Kështu e ka përcjellë Ibn Ebu Hatimi nga Ibn Abasi. Gjithashtu, Ibn Xheriri përcjell nga Ibn Abasi shtesën në shpjegimin e këtij ajeti: "...kjo i ngjan fjalës së Allahut: "Kurrë nuk do ta arrini sinqeritetin e plotë në besim, në qoftë se nuk jepni prej pasurisë më të shtrenjtë. Çfarëdo që të jepni, Allahu, pa dyshim e di." [Al Imran 92]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Dijeni se Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Lavdëruar. - Edhe nëse ju urdhëron që të jepni sadaka më të mirën e pasurisë që zotëroni, Ai është i Vetëmjaftueshëm, i Pasur dhe Jonevojtar kundrejt sadakasë që ju jepni. Allahu i Lartësuar i jep këto urdhra që i pasuri të ndihmojë dhe solidarizohet me të varfërin. Kjo ngjan me ajetin: "Tek Allahu nuk mbërrin as mishi e as gjaku i tyre (i kurbaneve); është devotshmëria juaj që mbërrin tek Ai. Ai jua nënshtroi ato (bagëtitë për kurban), që ta madhëroni Allahun, i Cili ju udhëzoi në Rrugën e Drejtë. Dhe përgëzoji besimtarët!" [Haxh 37]. Allahu i Lartësuar është El Ganij , domethënë, më i pasuri nga të gjitha krijesat e Tij, ndaj nuk ka nevojë për ta. Ndërsa të gjitha krijesat e Tij janë nevojtare për mirësinë dhe bujarinë e Allahut të Lartësuar. Allahu është i gjerë në mirësitë dhe bujarinë e Tij. Atij nuk i mbarohet kurrë pasuria dhe mirësitë. Për këtë arsye, çdokush që jep sadaka, çfarëdo lloj sadakaje, nga pasuria e fituar hallall dhe me pastërti, le ta dijë se Allahu i Lartësuar është i Pasur e Jonevojtar dhe, nga ana tjetër, është i gjerë në dhuratat dhe mirësitë që i jep me bujarinë e Tij. Ai është Bujar, Bamirës, prandaj do t’i shpërblejë ata dhe do t’ua shumëfishojë mirësitë dhe pasurinë, që ata e japin për hir të Tij. Kështu, kush jep një hua të mirë për hir të Allahut të Lartësuar, atij kurrë nuk ka për t’iu pakësuar pasuria, nuk do t’i bëhet padrejtësi dhe kurrë nuk do t’i humbasë pasuria. Allahu i Madhëruar është i Lavdëruari. Ai është i lavdëruar në të gjitha veprat dhe fjalët, në të gjitha ligjet dhe Sheriatin që ka përcaktuar për ne. Ai është i lavdëruar në kaderin e Tij, pra, në përcaktimin e gjithçkaje që ndodh në gjithësi. Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij, dhe nuk ka Zot, krijues dhe kujdestar që kujdeset më mirë për krijesat sesa Allahu i Lartësuar. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Shejtani ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për të këqija, - Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Mesudi, se Profeti i Allahut ka thënë: 415. “Me të vërtetë, shejtani ka ndikim tek biri i Ademit. Po kështu, edhe meleku ka ndikim tek ai. Për sa i përket ndikimit të shejtanit, kjo bëhet në formën e kërcënimit me të keqen dhe duke nxitur për të kundërshtuar të vërtetën. Ndërsa nxitja e melekut është premtimi për të mirë dhe nxitja për të besuar dhe pohuar bindshëm të vërtetën dhe të drejtën. Çdokush që gjen diçka të kësaj natyre, le ta dijë se është prej Allahut, ndaj të falënderojë Allahun. Ai që gjen tjetrën, le të kërkoj mbrojtje tek Allahu i Lartësuar nga sherri i shejtanit të mallkuar!” Dhe pastaj ai lexoi fjalën e Allahut, që thotë: “Shejtani ju frikëson me varfëri dhe ju urdhëron për të këqija, ndërsa Allahu ju garanton falje e begati." Kështu e ka sjelle Tirmidhiu dhe Nesai. Edhe Ibn Hibani e ka sjellë këtë hadith në Sahih-un e tij. Kuptimi i fjalës së Allahut: "Shejtani ju frikëson me varfëri” është që: ai ju frikëson me varfëri dhe ju nxit që të mos i shpenzoni mirësitë e Allahut që keni në duart tuaja. Shejtani nxit që të mos e shpenzoni pasurinë për të kënaqur Allahun e Lartësuar. Pastaj Allahu i Lartësuar thotë: "...dhe ju urdhëron për të këqija...". Ai ju urdhëron për mosbindje ndaj Allahut, për vepra të cilat ju ngarkojnë me gjynahe dhe për gjëra të ndaluara nga Allahu i Lartësuar. Ai ju urdhëron që të kundërshtoni Krijuesin e gjithësisë. - ndërsa Allahu ju garanton falje e begati. - Allahu ju garanton falje nga ana e Tij. Po ta vëresh me kujdes, “falja” është përmendur si antitezë e asaj çfarë urdhëron shejtani i mallkuar. Pra, shejtani urdhëron për poshtërsi, shfrenim e harame, kurse Allahu i Lartësuar ju premton falje gjynahesh. Ndërsa përkundër varfërisë, me të cilën të kërcënon shejtani i mallkuar, Allahu i Lartësuar premton begati. Kështu, frikësimin që ju sjell shejtani i mallkuar nga varfëria, vendoseni përballë mirësisë, bujarisë dhe begative që premton Allahu i Lartësuar. Gjithashtu, kujtoni gjithmonë që: - Allahu është Bujar i madh e i Gjithëditur. - Më pas, Allahu i Lartësuar thotë: - Ai ia dhuron urtësinë atij që do. Dhe, pa dyshim, kujt i është dhënë urtësia, i është dhuruar mirësi e madhe. - El hikme është njohuria e thellë dhe dituria rreth Kur 'anit dhe çështjeve të rëndësishme të tij, siç janë njohja e ajeteve abroguese dhe të abroguara, njohja e ajeteve që janë të qarta ( muĥkeme), por edhe atyre që janë jo plotësisht të tilla dhe që duhen të shihen nën dritën e ajeteve të qarta. Gjithashtu, është njohuria rreth çështjeve specifike, që kanë lidhje me njohurinë e tefsirit, siç mund të jenë vendosja në fjali e një fjale më përpara, ndërkohë që vendi i saj është më pas; njohuritë rreth hallallit dhe haramit; njohuria rreth shëmbujve të sjellë në këtë Kur'an, ku Allahu i Lartësuar shpjegon çështje të rëndësishme në mënyrën më të bukur dhe të kuptueshme , etj. Pra, të gjitha këto janë njohuri që i përfshin urtësia. Kështu ka thënë Ibn Abasi. Ndërsa Ibn Merdeuejhi sjell nga Ibn Mesudi një hadith merfu, që i atribuohet Profetit ﷺ , që thotë: 416. “Kulmi i urtësisë është frikërespekti dhe madhërimi i Allahut.” Muxhahidi ka thënë se, hikmeh është saktësia në fjalë, pra, të thuash gjithmonë fjalë të qëlluara, të drejta dhe të vërteta. Lejth Ibn Sulejmi shpegon se, hikmeh është të kuptuarit e thellë i diturisë dhe njohurive të Kur 'anit. Ndërsa Ebul Alije ka thënë që: hikmeh është frika dhe respekti për Allahun e Madhëruar. Po ashtu, kanë thënë se hikmeh është të kuptuarit i thellë i njohurive dhe diturive që na ka dhënë Zoti i Lartësuar. Disa kanë thënë që me fjalën hikme është për qëllim Suneti, pra, njohja e traditës së Profetit ﷺ . Kanë thënë gjithashtu se, hikmeh është aftësia e lartë dhe mprehtësia e të menduarit. Imam Maliku ka thënë se: hikmeh është thellimi dhe kuptimi i qartë i fesë dhe është një dhunti që Allahu i Lartësuar e fut brenda zemrave, nga mëshira e bujaria e Tij. Ndërsa Sediju ka thënë që hikmeh është profetësia. Megjithatë, mendimi më i saktë për kuptimin e fjalës hikmeh në këtë ajet është ai i shumicës së dijetarëve, pra, që nuk është vetëm profetësia, por edhe më i gjerë sesa aq. Sigurisht, një gradë shumë e lartë e urtësisë është profetësia. Nebij është gradë shumë e lartë e urtësisë, por më e lartë se ajo është risale, pra, grada e atyre profetëve që Allahu i Madhëruar u ka dhënë shpallje. Sigurisht që mes nebij dhe risale ka ndryshim.125 Gjithashtu, edhe pasuesit e denjë të profetëve kanë një pjesë të madhe të mirësisë që Allahu i Lartësuar u ka falur profetëve dhe të dërguarve të Tij, sikurse thuhet në disa hadithe. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ibn Mesudi, i cili tregon që e dëgjuar Profetin e Allahut ﷺ të thotë: 417. “Zilia është e palejueshme, përveçse në dy raste: për një burrë, të cilit Allahu i Lartësuar i ka dhënë pasuri dhe ai e shfrytëzon atë në rrugën e të drejtës dhe të vërtetës; dhe për një burrë, të cilit Allahu i Lartësuar i ka dhënë urtësi, me të cilën ai gjykon mes njerëzve dhe ua mëson atë të tjerëve.” Kështu e kanë sjellë hadithin Buhariu dhe Muslimi, por edhe Nesaiu me Ibn Maxhen, me rrugë të shumta, të gjitha nga Ismail Ibn Ebu Halidi. - Por këtë mirësi e kuptojnë veçse të mençurit. - Pra, nga këto këshilla e përkujtime përfitojnë veç ata që kanë mençuri dhe logjikë të shëndetshme. Ata e kuptojnë mesazhin dhe kumtin e fjalëve të Allahut të Lartësuar dhe të këshillave të Tij. Ata arrijnë të kuptojnë mesazhin, të kuptojnë urtësinë e këtyre porosive dhe të përfitojnë realisht nga ato.

Mus'haf Hape →
Bekare 2:285–2:286 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… që janë shtesë dhe dhuratë për mua.”134 - I Dërguari e besoi atë që iu shpall prej Zotit të tij e ashtu bënë edhe besimtarët. - Profeti e besoi atë që iu …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Përmendja e haditheve rreth dobisë së këtyre dy ajeteve të mrekullueshme. Allahu na bëftë dobi me to! Buhariu sjell hadithin nga Ibn Mesudi, se Profeti i Allahut ka thënë: 454. “Kush i lexon gjatë natës këto dy ajete në fund të sures Bekare, ato i mjaftojnë atij.” Ky hadith është në dy Sahih-ët. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Dherri, se Profeti i Allahut ka thënë: 455. “Mua më janë dhënë dy ajete mbyllëse të sures Bekare (që janë nxjerrë), nga një thesar poshtë Arshit të Allahut.” Ebu Isa el Tirmidhi sjell hadithin nga Nu'man Ibn Beshiri, se Profeti ka thënë: 456. “Allahu i Lartësuar shkroi një libër 2000 vjet para se të krijonte qiellin dhe Tokën, dhe prej tij zbriti dy ajetet e fundit, me të cilat është mbyllur surja Bekare. Çdokush që i lexon ato në një shtëpi për tri ditë, asaj shtëpie nuk i afrohet shejtani i mallkuar .” Ebu Isa thotë se ky është një hadith garib . Edhe Hakimi e ka sjellë në Mustedrak-un e tij, duke thënë se ky është hadith sahih , sipas kushteve të Muslimit, por atë nuk e kanë nxjerrë Buhariu dhe Muslimi. Ibn Merdeuejhi sjell hadithin nga Mea'kil Ibn Jesari, se Profeti i Allahut ka thënë: 457. “Më është dhënë hapësja e Librit (Fatihaja) dhe mbyllëset e sures Bekare, që kanë zbritur nga poshtë Arshit; gjithashtu, suret el mufasal , që janë shtesë dhe dhuratë për mua.”134 - I Dërguari e besoi atë që iu shpall prej Zotit të tij e ashtu bënë edhe besimtarët. - Profeti e besoi atë që iu zbrit nga Zoti i tij. Allahu i Lartësuar na njofton se Profeti i Tij ka thënë se kur zbriti ky ajet “I Dërguari e besoi atë që iu shpall prej Zotit të tij...”, tha: 458. “Dhe ai e meriton që të besojë.” Hadithin e sjell Hakimi, që ka thënë se është me sened të saktë, por nuk e ka nxjerrë Buhariu dhe Muslimi. Allahu i Lartësuar thotë: “...ashtu bënë edhe besimtarët.” Pra, ashtu si Profeti, edhe besimtarët i gëzojnë këto cilësi, që do të përmenden më pas. I Madhëruari na njofton se Profeti dhe besimtarët besojnë, siç Ai thotë: - Secili i besoi Allahut, melekëve të Tij, shpalljeve të Tij dhe të dërguarve të Tij (duke thënë) : “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.” Besimtarët besojnë se Allahu është Një, i Vetëm, i Pashoq. Ai është Es-Samed, Ai të Cilit i drejtohen të gjithë për nevojat dhe lutjet e tyre. Nuk ka të adhuruar me meritë veç Tij dhe nuk ka Zot, krijues, kujdestar përveç Allahut të Lartësuar. Ata besojnë në vërtetësinë e të gjithë profetëve e të dërguarve të Zotit. Ata besojnë në vërtetësinë e të gjithë librave të zbritur nga Ai tek të dërguarit dhe profetët e Tij. Ata nuk bëjnë asnjë dallim mes tyre, pra, të besojnë në disa dhe të mohojnë në disa të tjerë. Për besimtarët e vërtetë, të gjithë profetët janë të njëjtë, janë të sinqertë, janë të vërtetë, besnikë të Shpalljes e bamirës. Të gjithë profetët janë të udhëzuar në rrugë të drejtë, të mençur dhe të urtë. Ata janë udhëzues në rrugën e mirësisë dhe të drejtësisë, edhe pse disa prej tyre mund të kenë anuluar sheriatin e profetëve të dërguar para tyre, me lejen e Allahut. Kështu vazhdoi, derisa erdhi Muhamedi ﷺ ,i cili ishte vula e të gjithë profetëve dhe të dërguarve dhe i cili anuloi sheriatet e të gjithëve. Të gjitha sheriatet dhe ligjet e shpallura më parë u anuluan me ligjin e tij. Ky ligj do të mbetet në fuqi deri në Ditën e Gjykimit. Një grup nga populli i tij do të mbeten të kapur fort pas të vërtetës, duke e shfaqur atë haptazi. Allahu i Lartësuar thotë: - Ata thanë: “Dëgjuam dhe u bindëm! - Ata thanë: “Dëgjuam dhe u bindëm! E dëgjuam fjalën tënde, o Zoti ynë, e kuptuam atë dhe u përkushtuam me sinqeritet për ta zbatuar atë!”. - Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë! - Kjo është një lutje për falje, mëshirë dhe butësi nga Allahu i Lartësuar. Hadithin e sjell Ibn Ebu Hatimi nga Ibn Abasi, i cili, flet rreth fjalës së Allahut: “I Dërguari e besoi atë që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu bënë edhe besimtarët...”, deri tek fjala e Tij: “...Kërkojmë faljen Tënde, o Zoti ynë!”. Ibn Abasi shpjegon se, këtu Allahu i Madhëruar thotë: “Ju kam falur!” - Vetëm tek Ti është e ardhmja jonë.” - Vetëm tek Ti është kthimi ynë! Tek Ti do të jetë kthimi Ditën e Llogarisë së madhe. Ibn Xheriri sjell hadithin nga Xhabiri, i cili ka thënë: 459. “Kur Profetit të Allahut iu shpall: “I Dërguari e besoi atë që iu shpall prej Zotit të tij e ashtu bënë edhe besimtarët...” deri tek fjala e Tij: “...Vetëm tek Ti është e ardhmja jonë!”, Xhibrili tha: “Allahu të ka lavdëruar ty edhe popullin tënd, prandaj lutu e kërko, sepse do të të jepet!’ Dhe ai u lut: “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko me barrë të rëndë, siç ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko më tepër sesa kemi fuqi! Na i shlyej gjynahet, na i mbulo të këqijat e na mëshiro! Ti je Mbrojtësi ynë! Na ndihmo kundër atyre që nuk besojnë!” Pra, u lut me fjalët që thuhen në fund të kësaj sureje. - Allahu nuk e ngarkon asnjë përtej mundësive të tij: ai (robi) do të marrë atë çfarë ka fituar dhe do të ketë kundër atë çfarë ka merituar. - Allahu i Lartësuar nuk ngarkon asnjë më shumë sesa ka mundësi. Ai nuk e ngarkon asnjë përtej mundësive dhe forcës që ka. Kjo vjen nga butësia, mirësia dhe mëshira e Allahut të Lartësuar. Ky ajet është anulues i ajetit të mësipërm, për të cilin sahabët treguan dobësi dhe pamundësi për ta zbatuar, dhe pikërisht fjalën e Allahut të Lartësuar: “Vetëm të Allahut janë ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë. E shfaqni apo e mbani të fshehtë atë që e keni në veten tuaj, Allahu do t’ju marrë në përgjegjësi.” Domethënë, edhe pse Ai do t'ju marrë në llogari dhe do t'ju pyesë për këto çështje, Ai nuk ju ndëshkon për atë që është jashtë mundësive tuaja. Paralajmërimi për ndëshkim është dhënë veçse për ato ligësi që robi ka mundësi t'i largojë prej vetes dhe për urdhrat që ai ka mundësi që t’i zbatojë; ose për ato mendime dhe dëshira të këqija që vërtiten brenda shpirtit të njeriut dhe ai ka mundësi që t’i largojë nga vetvetja. Madje urrejtja e vesveseve të këqija, konsiderohet si tregues i imanit, sikurse u përmend në hadithin më sipër. Në vijim, i Lartësuari thotë: “...ai (robi) do të marrë atë çfarë ka fituar dhe do të ketë kundër atë çfarë ka merituar.” Pra, çdokush do të marrë atë të mirë që ka fituar dhe do të ndëshkohet për atë të keqe që ka bërë. Të gjitha këto janë pjesë e ligjeve, që Allahu i Lartësuar na ka ngarkuar në këtë jetë për t’i zbatuar. Pastaj Allahu i Lartësuar i udhëzon robërit e Tij se si t’i luten Atij: - “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë!” - O Zot, mos na merr në përgjegjësi, nëse harrojmë ose gabojmë, pra nëse lëmë ndonjë farz nga harresa ose bëjmë ndonjë haram, dhe po kështu nëse nuk ia qëllojmë të vërtetës në punën që bëjmë, nga padituria jonë ose nga mosnjohja e saktë e mënyrës së rregullt, sipas ligjit Tënd! Ibn Maxhe sjell hadithin nga Ibn Abasi, se Profeti i Allahut ka thënë: 460. “Allahu i Lartësuar ia ka falur umetit tim ato gjëra që i bën gabimisht, ato gjëra që i bën nga harresa dhe ato që bën nën kërcënim.” Këtë hadith e sjellin edhe Ibn Hibani, Euzaiu dhe Taberaniu. Ibn Ebu Hatimi e sjell hadithin nga Ummu Darda, ndërsa kjo nga Profeti i Allahut, që ka thënë: 461. “Allahu i ka falur umetit tim tri gjëra: ato që bëhen gabimisht, ato që bëhen nga harresa dhe ato që bëhen nën peshën e kërcënimit.” Ebu Bekri tregon se ia ka përmendur këtë hadith Hasenit, i cili tha: “Po, është e vërtetë! A nuk e ke lexuar në Kur'an: “Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë!” Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Zoti ynë, mos na ngarko me barrë të rëndë, siç ngarkove ata që ishin para nesh! - Mos na ngarko me punë të vështira, edhe nëse kemi forcë për t’i bërë ato, ashtu siç caktove për popujt e shkuar para nesh ligje që i rëndonin ata! O Zoti ynë! Ti e dërgove Profetin tënd, Muhamedin, Profetin e mëshirës, për t’i larguar ato vështirësi. Në Sahih-un e Muslimit vjen hadithi nga Ebu Hurejra, se Profeti ka thënë (në lidhje me këtë ajet): 462. “Allahu thotë: “Po!”. Ndërsa Ibn Abasi sjell hadithin nga Profeti, që ka thënë (se Allahu thotë): 463. “E pranova lutjen tuaj!” Është sjellë përmes shumë rrugësh, një hadith nga Profeti (a.s): 464.”Unë jam dërguar me fenë e drejtë hanifie (besimdrejtë) dhe semha (tolerante, të thjeshtë dhe të lehtë)”. - Zoti ynë, mos na ngarko më tepër sesa kemi fuqi! - Mos na ngarko me ligje dhe detyrime, nga njëra anë, por edhe mos na ngarko edhe me fatkeqësi dhe bela, të cilat nuk kemi mundësi t’i bëjmë ballë, nga ana tjetër. - Na i shlyej gjynahet, na i mbulo të këqijat e na mëshiro! - Na fal, o Zot, për ato gjynahe që bëjmë mes nesh dhe Teje! Na fal, o Zot, për punët e këqija që bëjmë, për mangësitë, për rrëshqitjet dhe gabimet, që bëjmë vazhdimisht në lidhje me të drejtën Tënde! Na fal, gjithashtu, edhe për gabimet që bëjmë mes nesh dhe të tjerëve! Mos na i shfaq gjynahet, gabimet dhe punët tona të shëmtuara në sytë e botës! Na mëshiro në të ardhmen dhe mos na lejo q ë të biem në gjynahe të tjera! Shumë dijetarë kanë thënë: “Gjynahqari ka nevojë për tri gjëra: E para, që t’i falen gjynahet që ai bën mes tij dhe Zotit. E dyta, t’i mbulohen këto gjynahe dhe të mos turpërohet në sytë e robërve të Zotit. E treta, ta ruajë Zoti dhe të mos bjerë përsëri në gjynahe të ngjashme. U përmend më përpara se Allahu i Lartësuar, në përgjigje të këtyre lutjeve, thotë: “Po.” Në hadithin tjetër u përmend se Allahu i Lartësuar thotë: “E pranova lutjen tuaj.” - Ti je Mbrojtësi ynë! - Ti i dashuri, miku, kujdestari e ndihmë tari ynë! Ti je Ai që na jep ndihmë dhe fitore kundër çdo armiku! Vetëm Ty të mbështetemi, o Zot! Ti je i vetmi që ne i kërkojmë ndihmë, mbështetje, forcë dhe sukses në çdo punë! Vetëm tek Ti mbështetemi dhe e kemi shpresën për çdo të mirë dhe për të larguar çdo të keqe! Nuk ka forcë dhe nuk ka ndryshim të gjendjes veçse me ndihmën Tënde! - Na ndihmo kundër atyre që nuk besojnë! - Na ndihmo kundër popullit mohues! Na mbro nga ata të cilët e refuzojnë me forcë dhe pa të drejtë fenë Tënde! Ata nuk e pranojnë njëshmërinë Tënde në adhurim. Ata nuk e besojnë vërtetësinë e profetit tënd, Muhamedit ﷺ , dhe adhurojnë diçka tjetër veç Teje. Na ndihmo kundër tyre, o Zot! Bëj që fitorja të jetë në dorën tonë dhe përfundimi i mirë të jetë për ne në dynja dhe ahiret! Në përgjigje të këtyre lutjeve, Allahu i Madhëruar thotë: “Po.” Ndërsa në hadithin tjetër, që Muslimi sjell nga Ibn Abasi, u përmend se Allahu i Lartësuar thotë: “E bëra, e pranova lutjen tuaj!” Ibn Xheriri tregon se Muadh Ibn Xhebeli, në përfundim të kësaj sureje, thoshte: “Amin!”. Kështu ka thënë edhe Uekiu. Këtu përfundon shkurtimi i tefsirit të sures El bekare. Vetëm Allahut të Lartësuar i takon falënderimi!

Mus'haf Hape →
Maide 5:3 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… për shkak të gjakut të bllokuar brenda saj. Shpeshherë, kafshët ngordhin për shkak të ndonjë sëmundjeje, gjë e cila ia shton rrezikun. Megjithatë, nga ky …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Ky është ajeti që sqaron kategoritë e ndaluara të kafshëve, për të cilat Allahu i Lartësuar aludoi në një ajet më sipër, kur tha: “Bagëtitë janë të lejuara (si ushqim) për ju, me përjashtim të atyre që do t’ju lexohen.”. Mësoje se Allahu i Lartësuar dhe i Madhërishëm nëse e bën haram diçka, e bën këtë për të ruajtur adhuruesit e Tij dhe për t’i mbrojtur ata nga e liga që gjendet në to. Por njerëzit jo gjithmonë arrijnë të kuptojnë dhe të dallojnë këtë të ligë ose urtësinë e Zotit në ndalimet dhe dispozitat e Tij. Në këtë ajet, Allahu i Urtë dhe i Gjithëmëshirshëm na ndalon nga: - “Haram janë për ju: të ngordhurat,...” - E ngordhur (el mejtetu) quhet ajo kafshë që ka humbur jetën e saj jo me mënyrën e caktuar nga Sheriati për të qenë hallall për t’u konsumuar. Mënyra e përcaktuar nga Sheriati është ajo kur kafshës i priten damarët e qafës, me qëllim që prej saj të dalë gjaku. Kafsha që ngordh pa i dalë gjaku është e pisët dhe shumë e dëmshme, për shkak të gjakut të bllokuar brenda saj. Shpeshherë, kafshët ngordhin për shkak të ndonjë sëmundjeje, gjë e cila ia shton rrezikun. Megjithatë, nga ky gjykim përjashtohen karkalecat e tokës dhe peshqit, të cilët nuk kanë nevojë për mënyrën e lartpërmendur të therjes, që të jenë hallall. - “...gjaku...” - Këtu bëhet fjalë për gjakun venoz ( el demu ), i cili del me forcë gjatë therjes së kafshës, sikurse është shpjeguar kjo në ajetin tjetër ku thuhet: “ Thuaj: “Në Shpalljen që më është dhënë nuk gjej ushqime të ndaluara, veç mishit të ngordhur, gjakut që derdhet vrullshëm ...” deri në fund. El en’am 145. - “mishi i derrit”. - Ndalesa këtu përfshin të gjitha pjesët e derrit. Allahu i Lartësuar e ka veçuar këtë kafshë, ndonëse të gjitha llojet e kafshëve mishngrënëse janë si ai, sepse shumë prej ithtarëve të Librit pretendonin se Allahu i Madhëruar ua bëri atyre të lejuar konsumimin e mishit të derrit. Pra, kuptimi është: Kujdes dhe mos u mashtroni nga pretendimet e tyre, pasi kjo kafshë është e ndaluar për ju që ta konsumoni. Ajo është prej atyre gjërave të pista dhe të dëmshme, që Allahu i ndaloi për ju. - “...ajo kafshë që theret jo në emrin e Allahut...” - Pra, të gjitha kafshët që janë therur duke iu përkushtuar dikujt a diçkaje tjetër veç Allahut të Madhërishëm, qoftë idhull, evlija, yll, xhind etj. Kështu, gjatë therjes së kafshës duhet përmendur emri i Allahut, pasi ky veprim e bën atë të mirë , të shëndetshme dhe hallall. Ndërsa mospërmendja e emrit të Allahut, por përmendja e emrit të dikujt a diçkaje tjetër veç Tij e bën atë kafshë të ndaluar dhe të papastërt. Në këtë rast kemi të bëjmë me një vepër idhujtarie, dhe idhujtaria është diçka e ndyrë dhe e ndaluar nga Zoti. - “...ajo që është mbytur me lak në fyt, ajo që është vrarë me goditje, ajo që është rrëzuar nga lartësitë , ajo që është shpuar, ajo që është ngrënë nga egërsirat…” - Le t’i marrim me radhë: 1. Ajo që është mbytur me lak në fyt ( el munħaniķatu) - Pra, kafsha që ka ngordhur për shkak të mbytjes dhe shtrëngimit me litar apo për shkak të ngecjes së kokës së saj në ndonjë vrimë të ngushtë, nga ku nuk ka arritur të dalë derisa ka ngordhur etj. 2. Ajo që është vrarë me goditje ( el meuķudhetu) – Pra, e ngordhura për shkak të goditjes së saj me ndonjë send të fortë si gur, dru apo mbi të cilën është shembur një ndërtesë, me qëllim apo pa qëllim qoftë kjo. 3. Ajo që është rrëzuar nga lartësitë (el muterad-dijetu) – Domethënë, kafsha që është rrëzuar prej së larti: nga mali, nga tarraca etj., dhe ka ngordhur nga ky rrëzim. 4. Ajo që është shpuar ( en-natiĥatu), - Domethënë, kafsha të cilën e ka shpuar një kafshë tjetër dhe ka ngordhur nga ky shkak. 5. Ajo që është ngrënë nga egërsirat, (ue ma ekeles-seb’u) – Pra, kafsha që është ngrënë nga egërsirat, si ujku, luani, tigri ose nga shpendët grabitqarë. Pra, nëse kafsha ka ngordhur për këto shkaqe të mësipërme, ajo është e ndaluar të konsumohet. - “ …përveç asaj që arrini ta therni,... - Ky përjashtim vlen për të gjitha rastet e lartpërmendura. Pra, nëse kafsha arrihet që të theret me mënyrën e lejuar të Sheriatit, për sa kohë është ende gjallë dhe kur është therja ajo që sjell ngordhjen e tyre, atëherë ajo është e lejuar. Disa dijetarë kanë thënë që: nëse egërsira ia ka nxjerrë zorrët jashtë kafshës apo i ka këputur arteriet e qafës, atëherë therja sipas Sheriatit është e pavlefshme. Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se, nëse kafsha gjendet e gjallë, në çfarëdo gjendje qoftë ajo, mjafton që të jetë e gjallë, një therje e rregullt sipas Sheriatit është e vlefshme dhe e bën atë të lejuar për t’u konsumuar. Këtë mendim të dytë e përforcon edhe kuptimi i drejtpërdrejtë i ajetit, që thotë: nëse arrini ta therrni para se të ketë ngordhur, kjo e bën atë të lejuar. Ajeti nuk shtjellon që duhet të jetë në këtë apo atë gjendje. - “...ajo që është therur për idhuj ” – Domethënë, kafsha që është therur në formë adhurimi për idhujt. “…dhe që ta kërkoni fatin me short. ” - Allahu i Lartësuar e ka bërë të ndaluar që të kërkosh fatin me short. Në kohën e injorancës përdoreshin tri shigjeta për short. Në njërën shkruhej “Bëje!”, në të dytën shënohej “Mos e bëj!” dhe në tjetrën nuk shënohej gjë. Nëse dikush vendoste të nisej për ndonjë udhëtim apo për martesë apo për ndonjë çështje të rëndësishme, fillimisht duhej të zgjidhte një prej këtyre tri shigjetave, të servirura prej dikujt dhe të cilat ishin të ngjashme në përmasa dhe pamje. Nëse personi tërhiqte shigjetën mbi të cilën shkruhej “Bëje!” ai e ndërmerrte veprimin, nëse tërhiqte atë mbi të cilën shkruhej “Mos e bëj!” ai nuk e bënte, dhe nëse tërhiqte shigjetën mbi të cilën nuk shkruhej gjë, atëherë e përsëriste shortin, derisa të dilte njëra nga dy të parat. Por Allahu i Madhëruar e bëri të ndaluar këtë vepër dhe çdo mënyrë të ngjashme me të, duke e zëvendësuar atë me istiħaren 31, pra, me kërkimin e ndihmës dhe rrugëzgjidhjes vetëm nga Allahu, nëpërmjet adhurimit përkushtuar Atij. - “Të gjitha këto janë gjynah (e të ndaluara nga Zoti) .” - Këto, - domethënë, të gjitha haramet e përmendura në ajet, të cilat Allahu i Madhëruar i bëri të ndaluara për t’i ruajtur adhuruesit e Tij nga çdo gjë e dëmshme, e pisët dhe e ulët, - të gjitha janë fisķ ose dalje nga kufijtë e Allahut. Konsumimi i tyre është shenjë e mosbindjes ndaj Allahut dhe bindjes ndaj Shejtanit. Më pas, Allahu i Madhëruar përmend mirësinë e Tij të madhe ndaj besimtarëve, duke thënë: - “Sot u dëshpëruan ata që mohuan dhe humbën çdo shpresë që t'ju largojnë prej fesë suaj.” - Dita për të cilën aludohet është Dita e Arafatit, gjatë Haxhit të Lamtumirës të Profetit ﷺ , ditë në të cilën Allahu i Madhëruar e plotësoi fenë e Tij, e ndihmoi dhe e bëri ngadhënjimtar Profetin dhe adhuruesin e Tij të zgjedhur dhe i poshtëroi e nënshtroi totalisht idhujtarinë dhe idhujtarët. Këta të fundit, më herët, i luftonin me të gjitha mjetet për t’i kthyer besimtarët nga feja e tyre, por kur panë triumfin madhështor të Islamit dhe pasuesve të Tij, ata humbën çdo shpresë se mund t’i kthenin muslimanët nga besimi dhe feja e tyre e kompletuar dhe e mrekullueshme. Madje, zemrat e tyre u mbushën me frikë dhe ankth. Për këtë arsye, atë vit kur Profeti kreu haxhin e Tij, në Qabe nuk bëri tavaf asnjë idhujtar, e jo më të bënin tavaf të zhveshur, sikundër e kishin zakon në kohën e injorancës. E tillë ishte gjendja e idhujtarëve. Ndërsa besimtarëve u takonte siguria, qetësia dhe gëzimi. Ata nuk duhet të frikësohen nga asgjë, veç Zotit të tyre. Prandaj i Madhëruari thotë më tej: - “Mos i kini frikë ata, por më kini frikë vetëm Mua! ” - Kuptimi: Kurrë mos iu frikësoni idhujtarëve, por vetëm Allahut frikësojuni. Është Allahu Ai që ju dhuroi fitoren dhe i mundi e poshtëroi idhujtarinë dhe idhujtarët. Është Allahu Ai, i Cili, kurthet dhe intrigat e armiqve tuaj, ua ktheu mbi qafat e tyre. - “Sot e përsosa fenë tuaj për ju, ...” - Kuptimi: E përsosa fenë tuaj me triumfin që ju dhurova dhe me plotësimin e të gjitha ligjeve që kanë lidhje me çështjet e jashtme dhe me çështjet shpirtërore, të cilat kanë lidhje me themelet e kësaj feje madhështore dhe imtësitë e saj. Nëpërmjet Librit dhe Sunetit, i Madhëruari sqaroi gjithçka që ne duhet të dimë dhe të punojmë për të fituar kënaqësinë e Tij, na mësoi gjithçka nga e cila duhet të ruhemi për të mos na goditur zemërimi dhe ndëshkimi i Tij. Libri dhe Suneti janë të mjaftueshëm për të gjetur dhe arritur çdo të mirë dhe për të shpëtuar dhe ruajtur nga çdo e keqe. Madje, çdokush që pretendon se, për të njohur çështjet e besimit dhe të ligjit, duhet të njohësh dhe të kesh dituri të tjera veç diturisë së Kur’ânit dhe Sunetit, si për shembull filozofinë apo njohuri të tjera, ai është injorant dhe i dështuar, sepse kështu ai pretendon se feja plotësohet veçse nëse merret për bazë dija që ai pretendon. Por ky pretendim është nga padrejtësitë më të mëdha kundrejt Allahut dhe të Dërguarit të Tij. - “...e plotësova dhuratën Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.”. - Dhuratat e Zotit janë të shumta, të dukshme dhe të fshehta, ndërsa me plotësimin e kësaj feje, Ai i plotësoi begatitë e Tij mbi ne. Ai e përzgjodhi Islamin dhe u kënaq që kjo të jetë feja jonë, ashtu sikurse na përzgjodhi ne që të jemi pasues të kësaj feje. Për këtë arsye, ne duhet t’i përkushtohemi totalisht Zotit tonë Bujar dhe të Gjithëmëshirshëm, për t’i shprehur mirënjohjen për dhurimin e këtyre mirësive. Ne duhet ta lavdërojmë dhe falënderojmë Atë për fenë më të mrekullueshme që na dhuroi dhe që na zgjodhi për të qenë pasues të saj. - “Kush detyrohet nga uria, duke mos e tepruar dhe duke mos pasur qëllim gjynahun,...”. - Çdokush që zihet i detyruar për të ngrënë diçka prej këtyre harameve të përmendura, është i justifikuar. Megjithatë, janë disa kushte, të cilat i Madhëruari i ka renditur: Së pari, nëse ka uri të madhe. Së dyti, të mos e teprojë dhe të mos anojë drejt gjynahut, por të hajë vetëm atëherë kur nevoja është jetësore dhe vetëm aq sa të thyejë nevojën e domosdoshme. Me të tilla kushte, Allahu i Madhërishëm është Falës i Madh e Mëshirëplotë: - “Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.”. - Arsyeja: Sepse Ai e lejoi ngrënien e këtyre harameve në të tilla gjendje, duke i mundësuar robit të mbajë gjallë veten, pa dëmtuar dhe cenuar aspak besimin dhe fenë e tij.

Mus'haf Hape →
Nahl 16:3–16:9 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… duhet që ta falënderojë Allahun e Lartësuar për këtë mundësi të mrekullueshme që Ai ia ka dhuruar. Njeriut i është mundësuar që ta mbrojë …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Ai i krijoi qiejt e Tokën me një urtësi të madhe.” - Kjo sure quhet ndryshe "Surja e Mirësive", domethënë, surja që përmend mirësitë e Allahut të Lartësuar. Quhet kështu sepse Allahu i Lartësuar përmend në fillim të saj mirësitë themelore, mes të cilave jetojnë krijesat në këtë botë. Ndërsa në fund të saj, Allahu i Madhëruar përmend veprat, fjalët e mira dhe adhurimet, të cilat shërbejnë si plotësim i këtyre mirësive. Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na njofton se Ai ka krijuar qiejt dhe tokën me një urtësi të madhe. Por, cila është kjo urtësi madhështore? Allahu i Lartësuar i krijoi qiejt dhe tokën që njerëzit, përmes madhështisë së këtij krijimi, të argumentojnë për madhështinë e Krijuesit, ta madhërojnë Atë që i krijoi ato në mënyrë të përkryer. Allahu i Madhëruar e përkreu krijimin e Tij, për ta kuptuar mirë se Ai që i krijoi ka cilësitë më të plota dhe absolute. Le ta kuptojnë robërit se Allahu i Lartësuar i krijoi qiejt dhe tokën që të jenë vendqëndrimi i tyre i përkohshëm, ku ta adhurojnë Atë si Një të vetëm. Në jetën e kësaj dynjaje, ata duhet ta adhurojnë Allahun e Lartësuar përmes zbatimit të ligjit të Tij dhe të urdhërimeve, të cilat Ai i ka caktuar me ligjin e Tij dhe përmes gjuhës së profetëve të Tij. Të mençurit kurrë nuk kërkojnë t’i afrohen Allahut me adhurime që Ai nuk i ka ligjëruar, ashtu sikurse bëjnë idhujtarët, të cilët pretendojnë se e adhurojnë Atë, por në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse trillojnë mashtrime kundër Tij. Prandaj dhe Allahu i Lartësuar në vijim e dëlirëson Veten e Tij nga shokvënia e adhurimet e shpikura të idhujtarëve, kur thotë: - “I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ata (idhujtarët) i shoqërojnë!” - U lartësoftë e u dëlirësoftë Allahu i Madhëruar! I pastër qoftë Ai nga idhujtaria, që trillojnë idhujtarët! Allahu i Lartësuar është i vetmi i Adhuruar i vërtetë dhe me meritë. Askush nuk meriton të adhurohet veç Tij. Askush, përveç Allahut të Lartësuar, nuk e meriton që t'ia përkushtosh adhurimin dhe fenë, bindjen, nënshtrimin dhe përulësinë e plotë. Pasi foli për krijimin e qiejve dhe të Tokës, i Madhëruari përmend krijimin e gjithçkaje që ekziston mes tyre. Vëreni me kujdes! Ai e nis me gjënë më të shtrenjtë mes qiellit dhe tokës, që është pikërisht njeriu: - Ai e krijoi njeriun prej një pike (fare) dhe ja, ai (njeriu) kthehet në një kundërshtar të hapët. - Allahu i Lartësuar përkujdeset në mënyrë të vazhdueshme për këtë krijesë të vogël, që e fillon jetën aq e dobët dhe aq e brishtë. Ai përkujdeset, e trajton atë dhe e ushqen, e zhvillon dhe e rrit derisa ai krijohet një njeri i plotë, në të gjitha organet, të dukshme dhe të fshehura. Allahu i Lartësuar e krijon njeriun dhe e pajis me mirësi të mëdha e të panumërta. Por, fatkeqësisht, njeriu, pasi plotësohet, fillon dhe e shikon veten të pavarur nga Zoti. Ai e shpërfill faktin se është Allahu i Lartësuar Ai që ia ka dhuruar, me bujarinë dhe përkujdesin e Tij, gjithçka që ka. Njeriu mburret e tregohet arrogant. Pastaj ai e kundërshton të vërtetën dhe bëhet armiku i saj. Allahu i Lartësuar thotë: "...ai kthehet në kundërshtar të hapur." Kjo kuptohet me dy mënyra: Sipas kuptimit të parë, njeriu bëhet kundërshtar i Zotit të Tij, duke e mohuar Allahun e Lartësuar, duke mos e besuar Atë, duke polemizuar kundër profetëve të Tij dhe duke i mohuar dhe i konsideruar gënjeshtra ajetet dhe shpalljet e Allahut të Lartësuar. Ky njeri bëhet kundërshtar i Zotit dhe e harron krijimin e Tij të parë, harron mirësitë e shumta që i ka falur Allahu i Lartësuar dhe harron i mjeri që janë pikërisht këto mirësi të cilat ai po i përdor për të mos iu bindur Allahut të Lartësuar dhe për t’u treguar i panënshtruar dhe mospërfillës ndaj urdhëresave të Tij. Ky është njëri kuptim. Sipas kuptimit të dytë, Allahu i Lartësuar na tregon për aftësitë që i ka dhënë njeriut për të polemizuar dhe kundërshtuar. Ai e fillon krijimin e njeriut nga një pikë e vetme fare, pastaj e vazhdon duke e zhvendosur atë nga një nivel në tjetër in, nga një fazë në tjetr ën. Kështu vazhdon, derisa ai rritet dhe zhvillohet dhe bëhet njeri që arsyeton dhe filozofon. Është Zoti i Lartësuar Ai që i dhuron mendje dhe arsye të fortë, me të cilën njeriu fillon të polemizojë dhe të kundërshtojë. Domethënë, të arsyetuarit është një aftësi që vetë Allahu i Lartësuar ia ka mundësuar njeriut, prandaj dhe njeriu duhet që ta falënderojë Allahun e Lartësuar për këtë mundësi të mrekullueshme që Ai ia ka dhuruar. Njeriut i është mundësuar që ta mbrojë mendimin e tij, të arsyetojë dhe të argumentojë, dhe të gjitha këto janë veçse mirësi nga Allahu i Lartësuar. Asnjë njeri nuk do të arrinte me forcën e vet dhe me aftësitë e tij të tilla nivele. Është Allahu i Lartësuar që e mëson dhe përkujdeset për njeriun, duke e zhvilluar dhe edukuar atë, me mëshirën dhe bujarinë e Tij. Për këto arsye, njeriu duhet të jetë mirënjohës për këto mirësi që ia ka dhënë Zoti, duke i vënë ato në shërbim të besimit dhe të adhurimit të Tij. Në vijim, Allahu i Lartësuar përmend krijesa të tjera, që Ai i ka krijuar mes qiejve dhe Tokës: - Edhe kafshët Ai i krijoi për ju. - Allahu i Lartësuar i krijoi thjesht për ju, si bamirësi dhe lehtësime për ju. Njerëzit përfitojnë shumë nga këto kafshë, si: - Nëpërmjet tyre ju siguroni mjete për ngrohje dhe dobi të tjera dhe prej tyre ushqeheni. - Me leshin, gëzofin, pendët apo lëkurat e tyre, ju siguroni rroba, shtroje dhe strehim. Ju keni mundësi që të ngroheni, duke u veshur me to. Kjo mirësi që Zoti i Lartësuar na i kujton në këtë ajet është prej krijimeve të Tij të mrekullueshme. Allahu i Lartësuar përmend mirësi tjetër të bagëtive dhe të kafshëve, duke thënë: "... dhe dobi të tjera, gjithashtu edhe ushqeheni." Pra, kafshët kanë edhe mirësi të tjera. - Ju shihni pamje të bukura kur i ktheni ato në mbrëmje (nga kullota) dhe kur i lëshoni në mëngjes (për në kullotë). - Kur i nxirrni në kullotë dhe i shikoni, ndieni kënaqësi. Në momentet kur ato qetësohen dhe çlodhen, ju përsëri i shikoni dhe ndieni kënaqësi. Edhe kur i shikoni të lëvizin dhe të kullotin në mirësitë e Allahut të Lartësuar, ju ndieni kënaqësi. Të gjitha këto pamje i sjellin robit kënaqësi, e kjo është pikërisht prej mirësisë së Allahut të Madhëruar. Në gjithë këto mirësi nuk janë kafshët ato që përfitojnë, por jeni ju që përfitoni dhe zbukuroni jetën tuaj me to. Po kështu zbukuroni rrobat tuaja, vishni e ushqeni fëmijët tuaj dhe shtoni pasurinë tuaj. Madje, ju lëvdoheni për këto pasuri që ju ka dhënë Allahu i Lartësuar. - Ato bartin ngarkesat tuaja (të rënda) në vende të largëta, ku ju do të arrinit me shumë vështirësi. - Ato mbajnë pesha të rënda, madje ju mbajnë edhe juve së bashku me peshat e rënda. Ato bartin ngarkesat tuaja në vende të largëta, ku ju do të arrinit me shumë vështirësi. Allahu i Lartësuar i ka nënshtruar ato në mënyrë të tillë që, me gjithë këto vështirësi dhe pesha të rënda, t'ju transportojnë në vende të largëta, që ju të mos lodheni dhe të mos ndieni vështirësi në arritjen e mirësive të kësaj bote. Disa ju i përdorni si kafshë shpine për të hipur vetë dhe disa Allahu i Lartësuar jua krijoi në mënyrë të atillë që të ngarkoni pesha të rënda e për të shkuar në vende të largëta dhe të vështira për t’u arritur. - Vërtet, Zoti juaj është shumë Bamirës dhe Mëshirëplotë. - Allahu i Lartësuar është i Mëshirshëm dhe i butë, që ju lehtëson ato gjëra për të cilat keni nevojë të domosdoshme. Prandaj, vetëm Atij i takon lavdia dhe të gjitha lavdërimet, ashtu sikurse i shkon madhështisë së Tij, madhështisë së pushtetit të tij dhe gjerësisë së bujarisë së Tij. - Edhe kuajt, mushkat dhe gomarët i krijoi që ti përdorni si kafshë bare dhe si zbukurim. - Ne ua bëmë të lehtë që kafshët t’i përdorni për këto qëllime. Ndonjëherë ju i përdorni si kafshë shpine dhe ndonjëherë si kafshë që i mbani për bukuri dhe për kënaqësinë tuaj. Nuk është thënë: “kafshë si ushqim”, sepse mishi i mushkave dhe gomerëve është i ndaluar të hahet, e po kështu edhe i kuajve në të shumtën e rasteve. Këto janë kafshë që, përgjithësisht, nuk përdoren si ushqim për të ngrënë. Madje është e ndaluar që ato të theren, me qëllim që të mos shfarosen. Në dy Sahih-ët shënohet se Profeti (a.s) ka lejuar që të theren ndonjëherë kuajt, por sikurse u përmend më sipër, nuk duhet që kjo të përhapet në masë, por të ndodhë vetëm në rastet kur është e nevojshme, sepse ato shërbejnë kryesisht si kafshë shpine dhe transporti. Allahu i Lartësuar thotë më pas: - Ai krijon edhe gjëra që ju nuk i dini. - Zoti do të krijojë mjete, që ju do të mund t’i përdorni pas zbritjes së Kur'anit. Ky është paralajmërim për të gjitha ato mjete të së ardhmes, që do të jenë në shërbim të njeriut. Ai përfshin të gjitha mjetet e udhëtimit në tokë, në det apo në ajër, që njerëzit i përdorin për nevojat e tyre. Allahu i Lartësuar nuk i ka përmendur në mënyrë konkrete, por i ka përgjithësuar, duke përfshirë të gjitha llojet e mjeteve të transportit. Pra, të gjitha ato janë nga bujaria e Zotit të Lartësuar ndaj njerëzimit. Allahu i Lartësuar përmend konkretisht dhe me emër pikërisht ato mjete që njihnin njerëzit e periudhës kur zbriti Kur'ani, që ata të mendonin për të ngjashmet e tyre. Nëse Allahu i Lartësuar do të përmendte konkretisht mjetet e së ardhmes, do të shkaktonte keqkuptime dhe nuk do të kishin dobi. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar përmendi bazën e këtyre mirësive, që përfshin gjithçka që njerëzit e njohin ose jo. Po kështu, Allahu i Lartësuar kur flet për Xhenetin, përmend disa mirësi të tij, të cilat kanë shembull në jetën e kësaj bote, në mënyrë që njeriu të arrijë të konceptojë bukuritë e tij duke i krahasuar me ato të jetës së këtushme. Për shembull, në Kur'an përmenden hurmat, rrushi, shega dhe gjërat më të bukura, të cilat ne i njohim në këtë jetë: "Për atë që i është druajtur daljes para Zotit të vet, janë përgatitur dy Xhenete. Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?! Plot pemë, që bëjnë hije. Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?! Tek ata të dy ndodhen dy burime, që rrjedhin. Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?! Tek ata të dy, prej të gjitha frutave ka nga dy lloje. Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?! Ata (banorët e Xhenetit) do të jenë të mbështetur në shtroje, mbulesat e brendshme të të cilave janë prej mëndafshi të stolisur, dhe frutat e pemëve të të dy Xheneteve janë shumë pranë. Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?! Aty janë ato (Hyri) që i përqendrojnë shikimet e tyre e të cilat nuk i ka prekur kush më parë, as njerëz, as xhinde. Atëherë, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?! Ato janë si rubinët e koralet...." [Rahman 46 – 58]. Po kështu janë përmendur mjetet e transportit që përdoreshin atëherë, sikurse janë kuajt, mushkat, gomarët, devetë dhe anijet. Ndërsa, për sa u përket mjeteve të tjera, që do të vinin më vonë, Allahu i Lartësuar thotë: "Ai do të krijojë gjëra që ju nuk i njihni tani”. Në vijim, Allahu i Lartësuar përmend rrugët kuptimore dhe konceptuale, pra, rrugët e besimit. Ai na tregon se si mund të arrihet në rrugën e drejtë: - Udhëzimi për në Rrugën e Drejtë është në dorë të Allahut. Por ka edhe rrugë devijuese (nga e Vërteta). - Rruga e drejtë është në dorën e Allahut të Lartësuar. Ajo është rruga më e shkurtër dhe më e afërt për të arritur tek Allahu i Lartësuar. Kjo rrugë është ajo të cilën Allahu i Lartësuar e ka sjellë përmes Shpalljes dhe profetëve të tij. Prandaj njerëzit, ashtu sikurse zgjedhin në këtë botë rrugët më të drejta, më të shkurtra e më të lehta, pikërisht kështu duhet të zgjedhin dhe rrugën drejt Allahut të Lartësuar, që është rruga më e shkurtër , më e drejtë dhe më e thjeshtë. Ndërsa rrugët e shtrembra, për sa i përket besimit në Zot, punëve që duhet të kryejmë dhe mënyrës së si duhet ta adhurojmë Zotin e Lartësuar, janë të gjitha ato që bien ndesh me rrugën e drejtë. Ato rrugë nuk të çojnë tek Allahu i Lartësuar, por të largojnë prej Tij dhe të çojnë në vendin e vuajtjes dhe dëshpërimit. Të udhëzuarit nga Allahu i Lartësuar janë ata që e pranojnë dritën dhe udhëzimin e sjellë prej Tij përmes profetëve dhe shpalljeve. Ata ndjekin rrugën e drejtë, me lejen dhe vullnetin e Zotit të tyre, me ndihmën dhe bujarinë e Tij. Ndërsa ata të cilët e shpërfillin dritën dhe udhëzimin e Zotit të Lartësuar, ata nuk zgjedhin rrugën e shkurtër dhe të drejtë, që të ofron lumturi në të dyja jetët, por ndjekin rrugën e devijuar dhe shkojnë drejt dëshpërimit dhe shkatërrimit. Është Allahu i Lartësuar që udhëzon në rrugën e drejtë atë që Ai do dhe e lë në humbje atë që Ai do, me urtësinë dhe drejtësinë e Tij. Allahu i Lartësuar i di më mirë ata që meritojnë udhëzimin, prandaj thotë: - Sikur të kishte dashur Ai, do t’ju kishte udhëzuar që të gjithëve. - Porse Allahu i Lartësuar udhëzon me bujarinë, bamirësinë e Tij disa dhe lë në humbje disa të tjerë, me urtësinë dhe drejtësinë e Tij.

Mus'haf Hape →
Xhathije 45:27–45:37 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… fjalë për t’i dëshpëruar dhe për t’ua shtuar vuajtjen, për mohimin e tyre të së vërtetës, u thuhet: - “A nuk ju janë lexuar shpalljet e Mia? Por ju …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Vetëm Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Atë Ditë, kur të vijë Ora (e llogarisë), rrefuzuesit (e së vërtetës) do të dëshpërohen shumë .” - Allahu i Madhëruar na tregon për pushtetin dhe mbretërimin e Tij të gjerë, si dhe për faktin se Ai është i vetëm në administrimin, rregullimin e çështjeve dhe përkujdesjen për botën, në çdo moment. Gjithashtu, Ai na tregon se edhe në Ditën e Kijametit, Ai është i Plotfuqishmi. Ai do t’i mbledhë krijesat dhe të gjithë do të qëndrojnë para Krijuesit të tyre. Atë ditë, mubtilun-ët do të dëshpërohen kur të shohin ndëshkimin që i pret. Këta janë ata që polemizojnë për të hedhur poshtë të vërtetën, pa patur asnjë argument të drejtë. Veprat e mira të këtyre janë të pavlefshme dhe jo të shpërblyeshme, prandaj Ditën e Gjykimit ato do të asgjësohen, sepse janë të ndërtuara mbi të kotën. Atë ditë do të dalë në pah e vërteta. Ndërsa e kota, të cilën ata e mbrojnë, do të tretet para syve të tyre, duke i lënë në dëshpërimin e humbjes së mirësive të Zotit dhe në ndëshkimin e rëndë për refuzimin e të vërtetës. Pastaj Allahu i Madhëruar përshkruan tmerrin dhe vështirësitë e Ditës së madhe të Kijametit, për t’i bërë robtë që t’i druhen asaj dhe të përgatiten me adhurime e përkushtime në punë të mbara. Kështu, i Madhëruari thotë: - “(Atë Ditë) Çdo popull do ta shohësh të gjunjëzuar (në pritje të llogarisë) .” - Çdo njeri të sjellë në këtë botë do ta shohësh në gjunjë, të tmerruar e duke pritur në ankth gjykimin dhe vendimin e Mbretëruesit të Gjithëmëshirshëm. - “Çdo popull do të thirret (për tu tubuar) te Libri i vet (i veprave) . Sot do të shpërbleheni për ato që keni punuar. ” - Çdo popull do të pyetet për Shpalljen hyjnore që profeti i tyre u ka përcjellë nga Zoti. Ata do të merren në llogari: a e kanë pranuar dhe zbatuar atë, për të përfituar shpërblimin dhe shpëtimin nga ndëshkimi? Apo e kanë shpërfillur atë, duke merituar ndëshkimin dhe humbjen e mirësive të premtuara nga Zoti? Për shembull, ymeti i Musait (a.s) do të thirret të japë llogari në lidhje me Shpalljen e Musait. Ymeti i Isait do të japë llogari për Shpalljen e Isait (a.s), ashtu si edhe ymeti i Muhamedit (a.s.) do të llogaritet për Shpalljen e Muhamedit (a.s). Pra, çdo popull do të pyetet në lidhje me Librin hyjnor me të cilin është ngarkuar që ta besojë dhe ta zbatojë. Ky është njëri nga shpjegimet e ajetit, i cili është, pa dyshim, një kuptim i saktë. Por ka, gjithashtu, mundësi që fjala “ libri” në ajet të ketë kuptimin ‘libri i veprave”. Në këtë mënyrë, çdo njeri do të gjykohet sipas shënimeve në librin e veprave, ku janë regjistruar të gjitha veprat e tij të mira apo të këqija. Çdokush do të shpërblehet sipas veprave që ka bërë vetë, sikurse thotë i Madhëruari në suren Fusilet, ajeti 46: “Kush bën mirë, e bën mirë për veten e vet, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes së vet. Zoti yt nuk bën padrejtësi ndaj robve.” Por ka mundësi që ajeti t’i përmbajë të dyja këto kuptime, të cilat nuk e përjashtojnë njëra -tjetrën. Këtë e mbështet edhe ajeti në vijim: - “Ky është Libri Ynë, që dëshmon të vërtetën rreth jush.” - Ky është libri Ynë, të cilin Ne e shpallëm për t’ju qartësuar të vërtetën dhe për t’ju përshkruar drejtësinë që Zoti do të vendosë mes krijesave. Pastaj thotë: - “Ne kemi urdhëruar të shkruhet gjithçka që ju vepronit.” - Ja ku flitet edhe për librin e veprave. Më pas, i Madhëruari sjell gjykimin e Tij të drejtë në lidhje me dy grupet e njerëzve, sipas trajtimit që ata i kanë bërë librit hyjnor, të shpallur nga Ai, dhe sipas veprave të regjistruara në librin e gjithësecilit. Kështu, i Allahu i Madhëruar thotë: - “Për sa u përket atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Zoti i tyre do t’i përfshijë ata në mëshirën e Vet.” - Ata që besojnë me besim të saktë të ndërtuar mbi dituri të saktë dhe të vërtetë nga Zoti dhe veç kësaj e vërtetuan sinqeritetin e besimit të tyre me punë të mira për të cilat nxit ky besim, punë të detyrueshme apo vullnetare e të pëlqyeshme, këta Zoti do t’i fusë në mëshirën e Tij, vendi i të cilës është Xheneti. Mëshira e Zotit është në Xhenet dhe atje të lumturit dhe të përjetojnë çdo mirësi të dhuruar nga mëshira e Allahut të lavdëruar mirësi e lumturi që do të vazhdojë e pafundme në përjetësi. Aty do të jetojnë një jetë të lumtur dhe të sigurt nga çdo e keqe e shqetësim. - “Ky është shpëtimi më i madh.” - Kjo është fitorja, shpëtimi dhe arritja e çdo mirësije. Ai është suksesi i qartë, i dukshëm dhe i vërtetë, sukses i cili nëse arrihet nga robi ose më sakt nëse i dhurohet robit, atëherë ai ka arritur çdo të mirë dhe ka shpëtuar nga çdo e keqe. - “Ndërsa atyre që nuk besojnë (do t'u thuhet):...” - Këtyre u drejtohen fjalë për t’i dëshpëruar dhe për t’ua shtuar vuajtjen, për mohimin e tyre të së vërtetës, u thuhet: - “A nuk ju janë lexuar shpalljet e Mia? Por ju tregonit arrogancë dhe ishit një popull keqbërës.” - Shpalljet e Mia jua qartësuan të vërtetën dhe jua treguan atë duke ju udhëzuar kështu në rrugën e mirësisë dhe lumturisë tuaj. Shpalljet e Allahut ju urdhëruan për çdo mirësi dhe ju ndaluan nga çdo e keqe që është në dëmin tuaj. Shpalljet e Zotit janë mirësia më e madhe që Zoti solli ndër njerëz nëse do të dinin t’i respektonin, t’i besonin e të nënshtroheshin sipas saj. Por ju u treguat kryeneçë ndaj mesazhit dhe porosive të Tij dhe i kthyet shpinën Shpalljes së Tij. Duke i mohuar Shpalljet e Zotit dhe duke refuzuar të nënshtroheni për të jetuar e punuar sipas tyre ju kryet krimin më të madh. Sot do të shpërbleheni për atë që punuat. Gjithashtu për t’i dëshpëruar u thuhet: - “Edhe kur ju thuhej: “Premtimi i Allahut është i vërtetë, Ora (e Kjametit) do të vijë dhe për të s’ka dyshim.”, ju përgjigjeshit: “Ne nuk e dimë se ç’është Ora (e Kjametit)!”” - Pra kur ju përmendej se dita e ringjalljes dhe e gjykimit është e vërtetë dhe premtimi i Zotit por shpërblimi dhe ndëshkim sipas punëve është i pakthyeshën ju duke i mohuar dhe shpërfillur këto paralajmërime thoshit: “Ne nuk e dimë se ç’është Ora (e Kjametit) ” - "Ne nuk e dimë se ç’është Ora (e Kjametit). Ne mendojmë se është vetëm një hamendje dhe nuk jemi të bindur.” - Kjo ishte gjendja e tyre në dynja. Ata e mohonin dhe nuk e besonin ringjalljen dhe llogarinë me drejtësi para Zotit. Ata mohuan dhe i quanin gënjeshtarë ata që i paralajmëronin për ditën e hakut, dhe nuk e pranonin vërtetësinë dhe besnikërinë e tyre. I Madhëruari thotë: - “Atyre (që nuk besojnë) do t’u dalin në shesh të këqijat që kanë bërë dhe do t’i përfshijë ai (dënimi i Zotit) me të cilin talleshin.” - Ditën e Gjykimit, atyre do t’u tregohen veprat e këqija që kanë bërë dhe mbi ta do të godasë ndëshkimi me të cilin talleshin, sepse nuk e besonin se do të ndodhte. Ata tallen në dynja me Ditën e Llogarisë dhe me ata që e paralajmërojnë këtë ditë, por për këtë do të vuajnë të plotë ndëshkimin e të Drejtit. Atë ditë, atyre do t’u thuhet: - “Atyre (që nuk besojnë) do t’u thuhet: “Sot po ju lëmë të harruar, ashtu sikurse ju e harruat takimin e kësaj Dite.” – Kuptimi: Sot do t’ju lëmë të harruar në ndëshkim, ashtu sikurse ju e latë të harruar takimin e kësaj dite. Shpërblimi jepet sipas punës që ke bërë. - “Vendi juaj është Zjarri dhe nuk ka se kush t’ju shpëtojë.” - Vendqëndrimi dhe përfundimi juaj është zjarri i Xhehenemit. Askush nuk mund t’ju ndihmojë të shpëtoni nga ndëshkimi i Allahut. - “Kjo, për shkak se ju u tallët me shpalljet e Allahut dhe u mashtruat me jetën e kësaj bote.” - Kuptimi: Ky ndëshkim është shpagimi i drejtë, për shkak se ju i keni marrë me tallje argumentet dhe shpalljet e Allahut të Madhëruar, ndërkohë që ato duhej të trajtoheshin ashtu si e meritojnë: me seriozitet dhe përkushtim të plotë. Ju duhej t’i pranonit ato me kënaqësi dhe të jetonit sipas tyre, e jo të të talleshit me to. Por kjo ndodhi sepse ju u mashtruat nga bukuritë e dynjasë dhe gjetët prehje në të, duke u përkushtuar tërësisht pas saj. Kështu, ju braktisët punën për ahiretin, që është i përjetshëm dhe do të mbetet gjithmonë. - “Atë ditë nuk do të nxirren prej tij e as nuk do t’u jepet mundësi që të kthehen (në dynja).” - Atyre nuk u jepet më afat që të reflektojnë dhe as mundësi për t’u kthyer në dynja, që të bëjnë vepra të mira. - “E gjithë Lavdia i qoftë vetëm Allahut, Zotit të qiejve, Zotit të Tokës, Zotit të gjithësisë!” - Allahut i takon lavdia, lavdërimet dhe mirënjohja, ashtu si i shkon madhërisë së Tij dhe madhështisë së pushtetit të Tij. Atij i takon lavdërimi i krijesave e mirënohja e tyre, për shkak se Ai është Krijuesi dhe Kujdestari i tyre, që u dhuron mirësi të panumërta, të dukshme e të fshehta dhe që u rregullon çdo çështje. Gjithçka është nën pushtetin dhe mbretërimin e Tij. - “Vetëm Atij i takon gjithë Krenia në qiej e në Tokë.” - Allahut i takon madhështia, lartësia e krenaria më e plotë. Falënderimi ndaj Allahut kryhet duke thurur lavde për Të, duke e përmendur me cilësitë e Tij të plota dhe absolute, duke i shprehur dashurinë e plotë, duke treguar frikërespekt ndaj Tij dhe nderim për atributet e mrekullueshme të Tij. Nëpërmjet lavdërimit, shprehet dashuria, lavdia, respekti e admirimi për të Madhërishmin. Më pas vihet në dukje madhështia, pushteti e mbretërimi absolut i Allahut, që duhet të kultivojë tek ne frikërespektin, madhërimin e përunjësinë ndaj Tij, sepse adhurimi, - për hir të të cilit Allahu na krijoi, - ndërtohet mbi këto dy shtylla kryesore: dashuria për Të dhe nënshtrimi ndaj Tij. Por këto të dyja nuk mund t’i kesh pa patur diturinë e nevojshme për Allahun, për madhështinë, krenarinë dhe lavdinë e Tij. - “Ai është Ngadhënjimtari e i Urti.” - Allahu është Ngadhënjimtari, që mposht gjithçka. Ai është i Urti, që vendos çdo gjë në vendin e vet. Nëse Allahu vendos për diçka, këtë e bën për dobi të mëdha. Nëse Ai krijon diçka, edhe këtë e bën në funksion të mirësisë dhe dobisë. Përfundoi edhe tefsiri i sures Xhathije.

Mus'haf Hape →
Buruxh 85:1–85:22 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… i Lavdishmi, të Cilit i takon falënderimi dhe mirënjohja e plotë për gjithçka. Allahut i takon pushteti i qiejve dhe i tokës. Ai i krijoi ato, …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

- “Betohem për qiellin plot me yje. ” – I Madhëruari betohet në qiellin plot yje dhe rrugë. Në të janë vendosur rruga e diellit dhe e hënës, rrugët e yjeve aq të rregullta dhe të sistemuara, të cilat tregojnë për pushtetin absolut të Allahut, për mëshirën e Tij të gjerë, për dijen e Tij gjithëpërfshirëse dhe urtësinë e Tij të madhe. - “Për Ditën e Premtuar (të gjykimit) .” - Allahu betohet për Ditën e Kijametit, kur Ai ka premtuar se do të ringjallë dhe tubojë krijesat nga i pari, deri tek i fundit, nga më i largëti, deri tek më të afërmit në kohë. Ky premtim nuk ka për të ndryshuar kurrë, sepse Allahu i Madhëruar nuk e thyen premtimin e Vet. - “Për atë që dëshmon dhe për atë që dëshmohet.” - Këtu përfshihet gjithçka që ka këtë cilësi. Allahu i Madhëruar betohet në çdo gjë që shikon dhe në çdo gjë që shikohet, betohet në çdo gjë që dëshmon dhe në çdo gjë të dëshmuar. Betimet në këto shenja të madhështisë dhe pushtetit të Allahut të Lartësuar, që tregojnë për urtësinë e Tij mahnitëse dhe mëshirën e Tij gjithëpërfshirëse, shërbejnë për të përforcuar një mesazh shumë të rëndësishëm, që vijon më pas: - “Mallkuar qofshin ata që hapën hendeqet, me zjarr, të mbushur me lëndë djegëse!” - Ky është mallkim për shkatërrimin e tyre. Ata ishin një popull mohues, që sunduan një popull besimtar dhe filluan t’i detyronin që të ktheheshin në besimin e tyre. Por besimtarët nuk pranuan ta tradhtonin fenë e vet. Atëherë, qafirët hapën hendeqe në tokë dhe, pasi ndezën zjarre brenda tyre, u ulën rreth e rrotull, për të dëshmuar vuajtjet e besimtarëve që do të hidheshin aty brenda. Kështu i sprovuan ata besimtarët. I kërcënuan se do t’i flaknin në zjarrin e ndezur fort, nëse nuk kthenin fenë. Dhe vërtet, kushdo që i kundërshtonte dhe nuk e ndryshonte besimin e tij, hidhej në zjarr. Kjo qe grada më e lartë e armiqësisë dhe urrejtjes kundër Allahut dhe adhuruesve të Tij besimtarë të sinqertë. Për këtë arsye, ata merituan mallkimin dhe ndëshkimin më të rëndë. Në fillim, Zoti i mallkoi ata e, më pas, Ai tregon veprën e tyre të pamëshirshme kur thotë: - “Ata rrinin ulur rreth tij, dhe dëshmonin atë që bënin me besimtarët.” - Kjo tregon se sa të pashpirt dhe çnjerëzorë ishin ata mohues të Zotit dhe torturues të besimtarëve. A ka krim më të rëndë se ky? E përse i urrenin ata besimtarët e përkushtuar? - “Ata i keqtrajtonin (besimtarët) sepse ata e besuan Allahun, Ngadhënjimtarin, të Lavdëruarin, të Cilit i takon sundimi i qiejve e i Tokës. Allahu është dëshmitar mbi çdo gjë!” – Ata i urryen thjesht për një cilësi të tyren, për të cilën ata do të shpërblehen nga Zoti i tyre: besimi i patundur në Allahun, Ngadhënjimtarin, të Lavdëruarin, të Cilit i takon sundimi i qiejve e i tokës. Ai është El Aziz – Krenari, Ngadhnjimtari mbi gjithçka që ekziston. Çdo gjë është e nënshtruar dhe e përulur para madhështisë dhe krenarisë së Tij. Ai është El Hamid - i Lavdëruari, i Lavdishmi, të Cilit i takon falënderimi dhe mirënjohja e plotë për gjithçka. Allahut i takon pushteti i qiejve dhe i tokës. Ai i krijoi ato, prandaj gjithçka duhet t’i nënshtrohet Atij. Vetëm Ai meriton adhurimin dhe dashurinë e plotë të krijesave. Ai ka të drejtën të veprojë mbi ta, ashtu sikurse ia lejon mbretërimi dhe sundimi i Tij. Ai urdhëron dhe ndalon, Ai vendos kufijtë dhe merr në përgjegjësi për respektimin ose jo të tyre. Ai është Mbikëqyrës dhe Dëshmues mbi gjithçka, me dijen, shikimin dhe dëgjimin e Tij. A nuk patën frikë ata të mjerë, që u armiqësuan me Allahun e Madhëruar? A nuk patën frikë ata nga ndëshkimi i Krenarit të Plotfuqishëm. A nuk e dinin ata se ishin thjesht pronë e Allahut? Askush nuk ka pushtet mbi dikë tjetër, veçse me lejen e të Madhëruarit. A e harruan ata se Allahu i ka shënuar veprat e tyre dhe do t’i shpaguajë për to?! Qafirët janë të zhytur thellë në mashtrim. Ata janë të zhytur në injorancën dhe verbërinë që sjellin veprat e tyre, prandaj vështirë se mund të shohin rrugën në të cilën Zoti i fton e vështirë se pendohen: - “Është e sigurt se ata që sprovojnë besimtarët dhe besimtaret dhe nuk pendohen, kanë dënimin e Xhehenemit. Për ta është përgatitur dënimi përvëlues.” - Nëse nuk e pranojnë ftesën e të Gjithëmëshirshmit, ata i pret ndëshkimi përvëlues i Xhehenemit. Hasen el Basriu ka thënë: “Shikoni bujarinë dhe mëshirën e madhe të Zotit të botëve. Ata torturuan dhe vranë të dashurit dhe të zgjedhurit e tij, të bindurit dhe adhuruesit e nënshtruar dhe besnikë, ndërsa Ai i fton në pendim.”Pasi bëri kërcënimin për qafirët, Allahu i Lartësuar vijon me shpërblimin e premtuar për besimtarët. - “Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, kanë Xhenete, nëpër të cilët burojnë lumenj. Kjo është fitorja më e madhe.” - Ata që besojnë me zemër, por edhe bëjnë vepra të mira me sinqeritet, sipas besimit të tyre, do të kenë Xhenete, nëpër të cilët burojnë lumenj. Ky është suksesi më i madh. Nuk ka mirësi më të madhe se kënaqësia e Allahut dhe përjetësia në mirësitë e premtuara nga Ai. - “Është e vërtetë se ndëshkimi i Zotit tënd është i fortë.” - Të mos harrojnë kriminelët dhe jobesimtarët se ndëshkimi i Zotit për ta do të jetë shumë i rëndë dhe i vështirë. Ai është gati për t’u dhënë atë që meritojnë, sikurse thotë i Madhëruari: “I tillë është ndëshkimi i Zotit tënd, kur bie mbi popujt që bëjnë padrejtësi. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.”. [Hud 102]. - “Në të vërtetë, është Ai që krijon nga e para dhe rikrijon.” - Allahu është i vetmi që krijon dhe i vetmi që e rikthen krijimin e Tij. Askush nuk mund t’i ketë këto cilësi, përveç Tij. Ai është El Gafuru – Falësi, i Cili i fal të gjitha gjynahet e atyre që pendohen dhe kthehen tek Ai të bindur dhe të nënshtruar. Ai i mbulon të metat atyre që i kërkojnë falje dhe shprehin pendesë tek Ai. Allahu është El Uedud - i Dashuri, i Cili i do të zgjedhurit e Tij me një dashuri që nuk i përngjan asnjë dashurie tjetër. Ashtu sikurse është i pashembullt në cilësitë e Tij të madhështisë, bukurisë dhe të veprave të Tij, ashtu edhe dashuria që Ai ka ka vendosur në zemrat e të zgjedhurve të Tij për Të nuk i përngjan asnjë lloj dashurie tjetër. Dashuria për Allahun është esenca e adhurimit. Dashuria për Të qëndron mbi çdo dashuri tjetër dhe i mposht ato. Çdo dashuri tjetër që nuk buron nga dashuria për Të dhe nuk ka lidhje me Të, ajo është vuajtje dhe trishtim për zemrën të cilën ka pushtuar. Allahu i do të zgjedhurit e Tij dhe ata e duan Atë, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Ai i do ata dhe ata e duan Atë”. El Meueddetu është dashuri e kulluar dhe e kthjellët. Allahu i Lartësuar ka përmendur së bashku dy cilësi të Tij: Falës dhe i Dashur. Kjo ka një nënkuptim shumë të bukur: Ai jo vetëm që i fal ata që pendohen dhe kthehen tek Ai të nënshtruar, por edhe i do ata me dashurinë e Tij. Disa mendojnë se Allahu vetëm u fal gjynahet atyre që pendohen, por nuk i do ata. Por ky ajet i hedh poshtë këto pretendime. Madje, Allahu i Madhëruar gëzohet shumë për pendimin e robit të Tij gabimtar. Profeti (a.s.) na jep një shembull për të treguar gëzimin e madh të Allahut të Lartësuar. Ai thotë: “Allahu gëzohet më shumë për pendimin e robit të Vet kur ai pendohet, sesa ndonjëri prej jush i cili, duke udhëtuar me deve nëpër shkretëtirë, e humbet devenë së bashku me ujin dhe ushqimin. Ai kërkon dhe e kërkon, derisa e humb shpresën për ta gjetur. Kështu, i lodhur e shpresë humbur, ulet nën hijen e një peme. Por kur hap sytë dhe e sheh deve në e vet duke qëndruar përpara tij, ai ngrihet, e kap për litari dhe nga gëzimi i madh bërtet: “O Zoti im! Ti je robi im dhe unë jam zoti Yt”, duke gabuar nga gëzimi i madh.” Kësisoj, gëzimi i Allahut për pendimin e robit është më i madh sesa gëzimi i atij robi. Allahu qoftë i lavdëruar dhe i madhëruar! Sa e madhe është mirësia e Tij! Sa e gjerë është bujaria e Tij e sa të shumta janë dhuratat e Tij! - “Ai është Falësi, i Dashuri. Ai është Sunduesi i Fronit të Madhëruar. ” - Ai është Pronari dhe Sunduesi i Fronit të madh, i cili ka përfshirë qiejt, Tokën dhe Kursijin. Të gjitha këto të fundit, në krahasim me Fronin, janë si një unazë e hedhur në një shkretëtirë të madhe. Allahu i Lartësuar është Sunduesi dhe Pronari i gjithësisë, por e veçoi Fronin, duke e përshkruar me madhështinë e tij, për shkak se ai është krijimi më pranë Zotit të Lartësuar. - “Ai vepron gjithçka që dëshiron.” - Nuk ka gjë që Allahu ta dëshirojë dhe të mos e arrijë dot. Nëse dëshiron diçka, Ai vetëm i thotë “Bëhu!”, dhe ajo bëhet. Askush nuk është veprues i gjithçkaje që dëshiron, përveç Allahut të Madhëruar. Krijesat, nëse dëshirojnë diçka, gjithmonë kanë nevojë për ndihmë dhe për të larguar pengesat. Ndërsa Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për ndihmë dhe askush nuk mund ta pengojë Atë nga ajo që Ai dëshiron. Në vijim, Allahu i Madhëruar përmend disa nga veprat e Tij, që tregojnë për besnikërinë e profetëve të Tij dhe vërtetësinë e Shpalljes që ata sollën prej Tij. - “A të ka ardhur ty lajmi i ushtrive të Faraonit dhe të Themudit?” - Ata u bënë mohues dhe refuzues të Profetit, prandaj Allahu i shkatërroi, si mësim për brezat e mëvonshëm. - “Mohuesit (e Zotit) vazhdojnë të përgënjeshtrojnë (Shpalljen e Zotit), por Allahu i ka përfshirë ata (nën pushtetin e Tij).” - Me gjithë faktet e lëna nga Zoti ndër breza dhe me gjithë argumentet e shumta të sjella prej Tij, ata vazhdojnë në mohimin dhe mosbesimin e tyre me kokëfortësi dhe armiqësi. Atyre nuk u bëjnë dobi shenjat dhe argumentet e Zotit dhe as paralajmërimet e sjella nga profetët e Tij. Por Allahu i ka përfshirë me dijen dhe pushtetin e Tij mbi ta. Askush nuk mund t’i fshihet dijes dhe pushtetit të Tij gjithëpërfshirës. Ai është gati, prandaj le të kenë frikë nga ndëshkimi i Tij në çdo moment. Ky është një kërcënim shumë i frikshëm për qafirët. Ai, në dorën e të Cilit janë shpirtrat dhe çdo çështje e tyre, i kërcënon që të kthehen sa nuk është vonë. Ai i fton që të nënshtrohen, duke e besuar Kur'anin dhe punuar sipas tij. - “Ai është Kur'an i Madhëruar, (I shkruar) në një Pllakë të Ruajtur. ” - Mesazhet dhe urtësitë e Kur'anit janë madhështore dhe të thella. Mirësitë dhe dituritë që përmban ai janë të mrekullueshme dhe të shumta. Kur'ani është i paprekshëm dhe i pandryshueshëm. Ai ruhet në Leuhi Mahfudh , ose në Pllakën e Ruajtur, dhe askush nuk mund të shtojë, pakësojë apo të tjetërsojë diçka nga ai. Kur'ani është i ruajtur nga ndikimi dhe ndërhyrjet e shejtanëve. Ai është i ruajtur në Leuhi Mahfudh , ku është shkruar gjithçka. Kjo tregon rëndësinë e madhe të Kur'anit tek Allahu i Lartësuar dhe për dobitë e tij të pakrahasueshme. Allahu është më i ditur për gjithçka.

Mus'haf Hape →
Hashr 59:1–59:7 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… Ai është Ngadhënjimtari, i Urti.” - Allahu i Lartësuar e hap këtë sure duke na bërë të qartë se gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë i bën tesbih Atij, duke e falënderuar …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Kjo sure quhet ndryshe surja e Benu Nadirit. Këta ishin një fis i madh jehudësh, që jetonin në njërin krah të Medinës, në kohën e Profetit (a.s.). Kur Muhamedit (a.s.) i erdhi Shpallja dhe emigroi për në Medinë, ata e mohuan dhe e refuzuan atë si profet, ashtu sikurse vepruan edhe shumë fise të tjera jehudësh. Pasi mbërriti në Medinë, Profeti (a.s.) lidhi pakt me të gjitha fiseve e jehudëve që jetonin pranë tij në Medinë. Pas ngjarjes së Bedrit, rreth gjashtë muaj ose më shumë pas saj, Profeti (a.s.) shkoi te fisi i Beni Nadirit dhe bisedoi me ta që ta ndihmonin në lidhje me kompensimin e vrasjes së dy idhujtarëve të fisit Kelabije nga Amër Ibn Umeje Ed -Damrij.29 Ata iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Profetit (a.s.), duke thënë: “Po, do ta bëjmë ne, o Ebu Kasim! Mund të ulesh këtu, derisa të bëjmë gati atë që kërkon.” Atëherë, ata u veçuan me njëri tjetrin dhe shejtani i mallkuar filloi t’i nxiste dhe t’u zbukuronte një veprim, i cili do të ishte dëshpërimi i tyre. Atë e meritonin dhe kështu ishte e shkruar për ta. Duke planifikuar vrasjen e Profetit (a.s.), thanë: “Cili nga ju do ta marrë këtë rrasë guri, të ngjitet mbi mur dhe t’ia shtypë kokën me të?” Më fatziu i tyre, Amër Ibn Xhehashi, u hodh e tha: “E marr unë përsipër ta kryej!” Këtu ndërhyn Selam Ibn Mishkemi, që thotë: “Mos e bëni! Betohem në Allah, se atij do t’i përcillet shumë shpejt ky plan i juaj! Nuk ka dyshim se kjo do të thotë thyerje e paktit, që ne kemi bërë me të.” Ndërkohë, Profetit (a.s.) i zbriti menjëherë Shpallja prej Zotit të tij, duke e njoftuar për komplotin e jehudëve. Ai u ngrit me të shpejtë prej atij vendi dhe u nis për në Medinë. 30 Pas tij shkuan edhe sahabët, të cilët i thanë: “Ti brofe me të shpejtë që andej, kurse ne as nuk e ndiem se si u largove!”. Dhe Profeti (a.s.) u kallëzoi për kurthin e jehudëve. Më pas, Profeti (a.s.) u dërgoi një ultimatum Benu Nadirëve, ku thuhej: “Largohuni nga Medina dhe nuk keni për të jetuar më kurrë aty, pranë meje! Ju jap afat dhjetë ditë. Çdokush që gjendet në të pas këtij afati, do të ekzekutohet!” Dhe, vërtet, për disa ditë me radhë, ata nisën të përgatiteshin për largimin, por, papritur, munafiku Abdullah Ibn Ubej Ibn Seluli u dërgoi atyre një mesazh, ku u thoshte: “ Mos u largoni nga vendi juaj, sepse me mua janë 2000 luftëtarë, që do të hyjnë në ndërtesat tuaja dhe janë gati të luftojnë deri në vdekje, së bashku me ju. Në ndihmë do t’ju vijnë edhe Benu Kurejdhat me aleatët e tyre nga Gatafani.” Ky mesazh i dha shpresë udhëheqësit të Benu Nadirëve, Hujej Ibn Ahtabit, i cili i dërgoi fjalë Profetit ( a.s) dhe i tha: “Ne nuk kemi për të dalë nga vendet tona! Vepro çfarë të duash!” Pasi mori këtë mesazh, Profeti (a.s.) dhe shokët e tij thanë: “ Allahu Ekber”, dhe u nisën drejt tyre. Ishte Ali Ibn Ebu Talibi ai që mbante flamurin. Benu Nadirët, në pritje të ndihmës së aleatëve të tyre, rezistuan në fillim, duke mbrojtur muret me shigjeta e gurë. Por ndihma e premtuar nuk erdhi. Benu Kurejdhat u distancuan, ashtu si Ibn Ubeji me aleatët e tij prej Gatafani nuk e mbajtën fjalën. Benu Nadirët qëndruan të rrethuar, derisa u dorëzuan, duke kërkuar që të largoheshin nga Medina. Profeti (a.s.) gjykoi që ata të lejoheshin të dilnin së bashku me familjet e tyre, duke marrë me vete aq plaçka, përveç armëve, sa mund të mbanin devetë e tyre. Kështu, Profeti (a.s.) mbajti pasurinë që ata lanë dhe armët e tyre. Plaçka e luftës e marrë nga Benu Nadirët ishte e veçantë vetëm për Profetin (a.s.) dhe ishte ai që e përcaktoi ndarjen e saj në dobi të muslimanëve. Kjo pasuri nuk iu nënshtrua rregullit të zakonshëm të ndarjes së plaçkës së luftës, sepse Allahu i Lartësuar ia dhuroi atë Profetit të Tij, pa qenë e nevojshme që muslimanët të luftonin me kalorësinë dhe këmbësorinë e tyre. Jehudët u larguan në drejtim të Hajberit me në krye Hujej Ibn Ahtabin, ndërsa Profeti (a.s.) mori në sundim tokën e tyre. Gjithashtu, ata lanë edhe shumë armatim, si 50 mburoja, 50 përkrenare dhe 340 shpata. Kjo qe shkurtimisht ngjarja me Benu Nadirët, sikurse e kanë përshkruar historianë të ndryshëm. - “Allahun e madhëron me (tesbih) përlëvdim gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ai është Ngadhënjimtari, i Urti.” - Allahu i Lartësuar e hap këtë sure duke na bërë të qartë se gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë i bën tesbih Atij, duke e falënderuar e lavdëruar, duke e lartësuar Atë nga çdo mangësi që nuk i shkon madhështisë së Tij, duke e adhuruar Atë me nënshtrim dhe drojë. Allahu është El Aziz – Krenari e Ngadhënjimtari, i Cili ka nënshtruar gjithçka dhe asgjë nuk është e pamundur për fuqinë e Tij. Askush nuk mund t’i shpëtojë pushtetit dhe sundimit të Tij. Allahu është El Hakim - i Urti, si në krijimin e Tij, edhe në ligjet e vendosura prej Tij. Ai nuk ka krijuar asgjë më kot dhe nuk ka bërë asnjë ligj që të mos jetë me dobi. Të gjitha veprat e Allahut janë bërë me urtësinë e Tij. E tillë ishte edhe ndihma që Allahu i Lartësuar i dhuroi Profetit (a.s.) kundër qafirëve të fisit Benu Nadir. Kur ata tradhtuan, duke e shkelur paktin me Profetin (a.s.), Allahu i nxori nga vendi i tyre, të cilin e donin dhe ishin të lidhur aq shumë: - “Është Ai që i nxori prej shtëpive të tyre ata ithtarë të Librit që nuk besuan, në kohën e dëbimit të parë.” - Ky ishte i pari dëbim, që Allahu e kishte shkruar të kryhej nga duart e Profetit të Tij, Muhamedit (a.s.). Ajeti tregon se për ta do të kishte edhe dëbime të tjera më pas. Dhe, vërtet, ashtu ndodhi, kur Profeti (a.s.) i dëboi ata edhe nga Hajberi, dëbim të cilin e përmbylli Umer Ibn Hatabi – Allahu qoftë i kënaqur me të! - i cili përzuri edhe pjesën e mbetur më vonë. - “Ju nuk menduat se ata do të dilnin, ...” – Ju, muslimanë, nuk mendonit se ata do të dilnin nga fortesat e tyre, ku mbroheshin dhe ndiheshin krenarë. - “...ndërsa ata menduan se fortifikatat e tyre do t’i mbronin prej ndëshkimit të Allahut.” - Të mashtruar dhe të vetëkënaqur nga fortifikatat e tyre, ata menduan se nuk do të mposhteshin kurrë dhe askush nuk do të kishte fuqi që t’i përballonte. Por kaderi i Allahut të Lartësuar qëndron mbi të gjitha këto. Para Tij nuk mund të qëndrojë asnjë kështjellë në këmbë. Përpara Tij nuk sjell dobi fuqia dhe aftësia mbrojtëse. I Lartësuari thotë: - “Por dënimi i Allahut u erdhi andej nga nuk e prisnin. Ai hodhi frikë në zemrat e tyre.” - Atyre u erdhi ndëshkimi nga një portë që nuk e mendonin. Kjo portë ishte “el rru’bu ” - frika e madhe, paniku që pushton zemrën, i cili është ushtari më i madh i Zotit, para të cilit nuk bën dobi asnjë përgatitje, asnjë fuqi dhe ashpërsi. Ata menduan se i vetmi drejtim nga i cili mund të sulmoheshin dhe të mposhteshin ishin portat e fortesave të tyre, të cilat ata i mendonin se ishin të pathyeshme. Qetësia e shpirtit të tyre ishte e lidhur ngushtë me muret e fortesave. Por dihet se kush i mbështetet çdo gjëje tjetër veç Allahut, ka për t’u befasuar dhe dëshpëruar me dështimin e tij. Edhe ata u befasuan nga kjo ndjenjë, që zbriti nga qielli dhe pushtoi tërësisht zemrat e tyre. Zemra është kalaja e durimit dhe e qëndrueshmërisë, por nëse pushtohet nga frika dhe nuk lidhet me Krijuesin e saj, ajo dobësohet dhe bie. Kështu, Allahu i Lartësuar e largoi durimin dhe kurajën e zemrave të tyre, duke ua zëvendësuar me dobësi dhe tmerr. Ky ishte armiku kryesor, që ata nuk e kishin llogaritur, prandaj u bënë vetë ata shkatërruesit e shtëpive të tyre, siç thotë Allahu i Lartësuar: - “Ai i bëri që t’i prishnin shtëpitë e veta me duart e tyre, si edhe me duart e besimtarëve.” - Profeti (a.s.) u lejoi që të merrnin me vete aq pasuri sa mbanin devetë e tyre, por ata filluan që të shkulnin pragjet, dyert dhe shumë zbukurime që ju pëlqenin, për t’i marrë me vete. Kështu, me duart e tyre, ata shkatërruan shtëpitë dhe vendbanimet e veta. Me tradhtinë ndaj Profetit (a.s.), ata hodhën hapin e parë të shkatërrimit të vetes, duke vazhduar të shkatërronin edhe vendbanimet me duart e tyre. - “Prandaj mësoni nga kjo, o ju që mendoni!” - O ju që i kuptoni drejt mesazhet dhe urtësitë e Zotit! O ju që keni logjikë të shëndoshë! Në këtë ngjarje ka mësime të shumta, nëpërmjet të cilave kuptohet urtësia e Allahut dhe veprimet e Tij madhështore në ndëshkimin e armiqve të të vërtetës dhe pasuesve të epsheve. Atyre nuk u bëri dobi krenaria apo fuqia ushtarake e mbrojtëse që kishin. Ata nuk mundën t’i shpëtonin fortifikatat e tyre prej urdhrit të Zotit. Atyre u erdhi ndëshkimi vetëm si pasojë e gjynaheve të bëra. Dihet se, gjatë leximit të Kur'anit, në konsideratë merret kuptimi gjithëpërfshirës i tekstit dhe jo shkaku specifik pse ai është sjellë. Në këtë mënyrë, këto ajete na nxisin që të nxjerrim mësime dhe të gjykojmë me drejtësi për raste të ngjashme. Ne duhet të meditojmë rreth urtësive dhe ligjeve që përmbajnë këto ajete. Duke medituar rreth tyre, mendja jonë ndriçohet e urtësohet, kurse imani ynë shtohet. Kështu, ne arrijmë të shohim qartë dhe të kuptojmë mirë çdo urtësi të sjellë nga Allahu i Lartësuar dhe të gjykojmë drejt në çdo rast të ngjashëm. Më pas, Allahu i Lartësuar tregon se këta jehudë nuk e morën të gjithë ndëshkimin që meritonin, sepse Ai u bëri një lehtësim: - “Sikur Allahu të mos kishte caktuar për ta shpërnguljen, do t’i ndëshkonte që në këtë jetë, ndërsa në Jetën Tjetër ata i pret dënimi i Zjarrit.” - Sikur Allahu i Lartësuar të mos kishte përcaktuar dëbimin e tyre, ata do të kishin tjetër përfundim: ata do të ndëshkoheshin ashpër që në këtë dynja. Megjithatë, edhe pse nuk u goditën nga ndëshkimi që në dynja, në ahiret i pret vuajtja në zjarrin e madh të Xhehenemit, të cilën mund ta përshkruajë veç Allahu i Lartësuar. - “Këtë, për shkak se ata iu kundërvunë Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kushdo që i kundërvihet Allahut, le të jetë i sigurt se Allahu e ka ndëshkimin të ashpër.” - Të mos u shkojë kurrë ndër mend mjeranëve se ndëshkimi i tyre për refuzimin e Profetit, madje për tentativën e vrasjes së tij, përfundoi me dëbimin nga shtëpitë. Le ta dinë se dënimi që ka përgatitur Allahu për refuzuesit e Profetit dhe të Shpalljes së Tij, të cilët nuk janë penduar, është shumë më i madh dhe më i dhembshëm. E si mund të shpëtojnë nga dënimi në dynja dhe ahiret ata që kundërshtojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij, shprehin armiqësi kundër tyre dhe luftojnë për të penguar besimin e drejtë?! Ky është ligji i pandryshueshëm i Zotit në lidhje me ata që kundërshtojnë palën e Tij. - “Çdo palmë (të armikut) që e keni prerë apo e keni lënë në këmbë, e keni bërë veçse me lejen e Allahut,...” - Gjatë kohës së rrethimit, si pjesë e strategjisë për t’i bindur që të dorëzoheshin, Profeti (a.s.) dogji disa nga hurmat dhe pemët e tyre. Nisur nga ky veprim, ata i akuzuan muslimanët për shkatërrim në tokë. Por Allahu i Lartësuar na tregon se qoftë shkatërrimi i hurmave dhe i të mbjellave, qoftë mosprekja e tyre, të gjitha kryheshin me lejen dhe urdhrin e Allahut të Lartësuar, për urtësi të shumta. Ndër këto urtësi është ajo që thotë Allahu i Lartësuar më pas: - “...për t’i poshtëruar e mposhtur të pabindurit.” – Domethënë, duke ju dhënë mundësinë që të shkatërroni hurmat dhe të mbjellat e tyre, Allahu i Lartësuar bëri që ata të ndienin dhimbjen, poshtërimin dhe përçmimin që në këtë dynja. Kjo strategji bëri që ata të kuptonin paaftësinë e plotë të tyre për të mbrojtur atë çka zotëronin, që ishte baza e fuqisë së tyre. Kjo ishte gjendja e fisit Benu Nadir dhe ndëshkimi që Allahu i Lartësuar u dha që në dynja. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Për atë që Allahu i dhuroi të Dërguarit të Tij si plaçkë (të fituar) prej tyre, ju nuk u hipët as kuajve e as deveve (për ta fituar)...” – Për pasurinë e Benu Nadirëve, që Allahu i Madhëruar ia mundësoi Profetit të Tij, ju, o muslimanë, nuk luftuat dhe nuk u munduat për ta fituar. Ju nuk u hipët kuajve dhe as luftuat me shpatat tuaja për ta arritur atë, pasi ishte Allahu i Lartësuar Ai i Cili futi frikën në zemrat e tyre, duke e lëshuar kështu ndër këmbët e Profetit të Tij të gjithë pasurinë që ata lanë, lehtësisht dhe pa luftë. - “Është Allahu Ai që i bën të dërguarit e Vet triumfues kundër kujt të dojë. Allahu është i Plotfuqishëm për gjithçka.” - Allahu i Lartësuar është i Plotfuqishëm dhe asgjë nuk është e pamundur për Të. Të gjithë të tjerët, që mbahen për të fortë, janë fare të dobët dhe të përulur para Tij. “ El fej’u ”, në terminologjinë juridike, quhet çdo lloj pasurie e qafirëve e marrë me të drejtë dhe pa luftë. Nga ana gjuhësore, “ el fej’u” do të thotë “plaçkë e kthyer”. E tillë ishte edhe pasuria që braktisën jehudët nga frika e muslimanëve. Ajo u hoq nga duart e qafirëve, të cilët nuk e meritonin, dhe iu kthye muslimanëve, të cilët ishin më të denjë për të. Ky gjykim është gjithëpërfshirës dhe i vlefshëm për të gjitha kohërat. - “Çfarëdo pasurie që Allahu ia dhuroi pa luftë të Dërguarit të Tij si plaçkë nga jobesimtarët, i takon Allahut, të Dërguarit, farefisit të tij, jetimëve, të varfërve e udhëtarëve të mbetur në rrugë,...” - Ky gjykim është i njëjtë si për kohën kur ishte Profeti (a.s.), po ashtu edhe për kohërat pas tij, për ata që udhëheqin umetin. Në suren Enfal është një ajet i ngjashëm me këtë, që thotë: “Ta dini se nga e tërë plaçka e luftës që mund të fitoni, një e pesta u takon Allahut, të Dërguarit e farefisit të afërm të tij, jetimëve, të varfërve dhe udhëtarëve, nëse besoni në Allahun dhe në atë që Ne ia kemi shpallur robit Tonë Ditën e Ndasisë (mes besimit dhe mosbesimit), ditën kur u ndeshën dy ushtritë. Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka.” [El enfal 41] Kështu, el fej’u ndahet në pesë pjesë: - 1/5 i takon Allahut dhe të Dërguarit të Tij, pasuri kjo e cila shpenzohet për dobi të përgjithshme dhe për shërbimet e muslimanëve. - 1/5 shkon për farefisin e Profetit (a.s.), të cilët janë Benu Hashimët dhe Benu Mutalibët. Kjo pasuri shpërndahet në mënyrë të barabartë mes meshkujve dhe femrave të këtyre fiseve. Benu Mutalibët duhen trajtuar ashtu si Benu Hashimët, për sa i përket meritës së përfitimit nga “ el fej’u” dhe plaçka e luftës, ndryshe nga Benu Abdu-Menafët, të cilët nuk përfshihen në një të pestën. Ky ndryshim u bë për shkak se në kohën kur Kurejshët bojkotuan tërësisht Benu Hashimët për tri vite rresht, fisi Benu Mutalib u bashkua me Benu Hashimët, ndryshe nga të tjerët. Vetë Profeti (a.s.) ka thënë në lidhje me Benu Mutalibët: “Ata nuk më braktisën mua as në kohën e injorancës paraislamike, as në Islam!” - 1/5 u shpërndahet të varfërve dhe jetimëve. Jetim konsiderohet ai që ka humbur babain dhe që nuk ka arritur moshën e pjekurisë. - 1/5 u jepet nevojtarëve, të cilët punojnë, por nuk nxjerrin aq sa u mjafton. - 1/5 u takon udhëtarëve të cilët kanë mbetur në mes të rrugës, larg vendit të tyre, pa pasuri dhe pa mundësi për t’u kthyer. Allahu i Lartësuar e përcaktoi një ndarje të tillë, me qëllim që: - “...që ajo të mos mbetet vetëm ndërmjet pasanikëve tuaj.” - Që pasuritë të mos bëhen pronë vetëm e pasanikëve. Nëse Allahu, me urtësinë dhe mëshirën e Tij, nuk do të vendoste këtë rregull, atëherë pasuritë do të vërtiteshin vetëm në duart e pasanikëve të fuqishëm, ndërsa të dobëtit nuk do të merrnin kurrë ndonjë gjë. Një padrejtësi e tillë në shpërndarjen e pasurive do të ishte një shkatërrim, që veç Allahu e di. Zbatimi i urdhrave hyjnorë sjell mirësi dhe begati të panumërta, prandaj Allahu thotë më pas: - “Çfarë t’ju japë Profeti, merreni, e çfarë t’ju ndalojë, largojuni prej saj dhe kijeni frikë Allahun!” – Ky urdhër përfshin themelet e fesë dhe degëzimet e saj, anën e dukshme dhe anën e fshehur të dispozitave të Allahut të Lartësuar. Me fjalë të tjera, çdo gjë që ka urdhëruar e bërë ligj Profeti (a.s.) është e detyrueshme për robtë që ta pranojnë dhe zbatojnë atë me pëpikmëri. Kundërshtimi i tij është kategorikisht i ndaluar. Fjala e Profetit (a.s.) dhe ligjvënia e tij konsiderohen njëlloj si fjala dhe ligjvënia e Allahut, sepse Profeti (a.s.) nuk ka folur dhe vendosur kurrë nga vetja e tij. Gjithçka që ai ka folur dhe vendosur ka ardhur si Shpallje nga Allahu i Madhëruar. Askujt nuk i lejohet dhe nuk i justifikohet shpërfillja ose braktisja e udhëzimeve të Profetit (a.s.). Nuk lejohet, gjithashtu, t’i jepet përparësi fjalës së asnjë njeriu, kushdo qoftë ai, ndaj fjalës së Profetit (a.s.). Pastaj Allahu i Lartësuar urdhëron për takua ndaj Tij, nëpërmjet të cilës rregullohen dhe persosen zemrat e njerëzve, arrihet lumturia në dynja dhe ahiret. Kush ka arritur devotshmërinë ndaj Zotit, ka bërë të vetën lumturinë e përjetshme dhe fitoren më të madhe. Ndërsa ai që cenon ose shpërfill devotshmërinë ndaj Allahut, është duke ecur drejt dëshpërimit të përjetshëm dhe ndëshkimit të pafundëm. I Lartësuari thotë: - “Me të vërtetë, Allahu është Ndëshkues i ashpër.” - Allahu është ndëshkues i ashpër për ata që nuk kujdesen për takua-n, por rendin pas dëshirave të shfrenuara.

Mus'haf Hape →
Fatiha 1:1–1:7 Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir)

… dhe vetëm Allahut, Zotit të botëve), Allahu thotë: “Më lavdëroi dhe falënderoi adhuruesi Im. ...”. - Gjithashtu, ajo quhet edhe “ El Shifau” - “Shëruese”, sikurse ka …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Emrat e kësaj sureje - “El Fâtiĥa ” - Domethënë, Hapësja ose Çelësi, sepse lexuesi i Kur'anit e hap leximin apo shkrimin e Kur'anit me suren Fatiha. Po me suren Fatiha hapet edhe leximi i Kur'anit në namaz. - “Ummul Kur'an ”- “Themeli i Kur'anit” dhe “ Ummul Kitab” - “Themeli i Librit”. Umm quhet çdo gjë që është themel dhe që çdo gjë tjetër ndërtohet mbi të. Kështu, Fatihaja është themeli i Kur'anit dhe çdo gjë ndërtohet mbi të. Të gjitha kuptimet e mesazhet e Kur'anit kthehen në përmbajtjen e kësaj sureje. - “El Seb’ul Methânij ” (Shtatëshja që përsëritet) dhe “ Kur'ani i madhërishëm”. Eshtë një hadith i saktë në Xhamiun e Tirmidhiut, që e ka gjykuar si të saktë, se Ebu Hurejra tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 5 “El hamdu lil -lahi rab -bil âlemin është Ummul Kur'an, Ummul Kit âb, Es-Seb’ul Methâni dhe Kur'ani i madhërishëm.” - Ajo quhet “El Hamdu” - “Lavdërimi” dhe “Es-Salâtu” - “Namazi. Në hadithin kudsij, që Profeti e transmeton nga Allahu i Madhëruar, thuhet: 6 “Unë e kam ndarë namazin në dy gjysma. Kur adhuruesi thotë: El ĥamdu lil -lâhi Rab -bil âlemîn (Lavdërimet i qofshin plotësisht dhe vetëm Allahut, Zotit të botëve), Allahu thotë: “Më lavdëroi dhe falënderoi adhuruesi Im. ...”. - Gjithashtu, ajo quhet edhe “ El Shifau” - “Shëruese”, sikurse ka ardhur ky përshkrim në hadithin e përcjellë nga Darimiu , nga Ebu Seidi, që përcjell nga Profeti, që ka thënë: 7 “Hapësja e Librit është “ Shifâun”, pra, shëruese për çdo helmim.”4 - Fatihaja quhet edhe “ Rukje” - domethënë, shërim përmes lutjeve, sipas hadithit të Ebu Seid Hudrij, kur ai i bëri rukje një burri të helmuar nga pickimi i akrepit. Kur e njoftuan Profeti n për këtë ngjarje, ai i tha Ebu Seidit: 8 “...ku e dije ti se ajo është rukje?!” - Ajo quhet edhe “Esâsul Kur'an” - “Baza e Kur'anit”, sikurse tregon El Sha’biju se e ka quajtur Ibn Abasi, që më pas ka shtuar: “Baza e saj është Bismil-lahir-RahmanirRahim.” - Sufjan Ibn Ujejne e ka quajtur këtë sure “Uakijeh”, Mbrojtësja, ndërsa Jahja Ibn Ebu Kethir e ka quajtur “ Kafijeh”, e Mjaftueshmja, sipas disa haditheve mursele, ku thuhet: 9 “Umul Kur 'an mund të zëvendësojë çdo sure tjetër, por asnjë tjetër nuk mund ta zëvendësojë atë.” Gjithashtu, ajo quhet Surja e Namazit ose edhe “ El Kenz” “Thesari”, siç ka thënë Zemahsheriu në librin e tij El Keshaf. Zbritja e sures Fatiha Surja Fatiha ka zbritur në Mekë. Kështu ka thënë Ibn Abasi, Katade dhe Ebu Alije. Kështu, ajo konsiderohet si sure mekase. Kanë thënë, gjithashtu, se është sure medinase, ashtu siç kanë thënë gjithashtu se ka zbritur dy herë, fillimisht në Mekë, dhe pastaj në Medinë.5 Dobitë dhe rëndësia e Fatihasë Nuk ka shpallur Allahu i Lartësuar as në Teurat, as në Ungjill, as në Zebur dhe as në Furkan si surja Fatiha. Imam Ahmed Ibn Hanbeli, - Allahu e mëshiroftë! - sjell thënien nga Ebu Hurejra: 10 “Një ditë, Profeti doli për vizitë tek Ubej Ibn Keabi dhe e gjeti atë duke falur namaz. Ai i thirri: “O Ubej!” Ubeji ktheu kokën, por nuk iu përgjigj Profetit. Profeti përsëri i foli dhe i tha: “O Ubej!” Atëherë, Ubeji e fali shpejt namazin dhe shkoi tek Profeti dhe i tha: “Es -selamu alejke, o Profet i Allahut!” Profeti tha: “Ue alejkes -selam! Çfarë të pengoi të më përgjigjeshe kur të thirra, o Ubej?” Ai tha: “O Profeti i Allahut, unë isha duke falur namaz.” Profeti tha: “A nuk e di ti atë që më është shpallur mua: “...përgjigjuni Allahut dhe Profetit kur ju ftojnë në atë që ju jep jetë!”? Ubeji tha: “Po, o Profeti i Allahut, dhe nuk kam për ta përsëritur këtë gabim!” Profeti pastaj i tha: “A dëshiron të të tregoj për një sure, që nuk ka të ngjashme as në Teurat, as në Ungjill, as në Zebur dhe as në Furkan?” “Po, o Profeti i Allahut.” Profeti i tha: “Unë shpresoj që, pa dalë nga kjo derë, ta mësosh cila është ajo sure.”. Ubeji thotë: “Profeti më kapi për dore dhe po më fliste, kurse unë ngadalësoja hapin nga frika se do të mbërrinim tek porta pa përfunduar fjalën Profeti. Kur u afruam afër portës, i thashë: “O Profet i Allahut, cila është surja që më premtove të më tregoje?” Ai tha: “Çfarë lexon në namaz?” Unë i lexova Ummul Kur'an (Fatihanë).” Atëherë, Profeti ﷺ tha: “Betohem në Atë në Dorë të së Cilit është shpirti im, se Allahu i Lartësuar nuk ka shpallur as në Teurat, as në Ungjill, as në Zebur dhe as në Furkan si surja Fatiha. Ajo është Shtatëshja që përsëritet.” Këtë hadith e ka sjellë edhe Tirmidhiu, që shton: 11 “...Ajo është Shtatëshja që përsëritet, është Kur'ani madhështor, që m’u dha.” Tirmidhiu shton se ky është hadith hasen sahih. Imam Ahmed Ibn Hambel, - Allahu e mëshiroftë! - shënon në Musnedin e tij hadithin e Ebu Seid el Mual -lâ (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): 12 “Unë isha duke falur namaz, kur Profeti më foli. Unë nuk iu përgjigja, derisa e mbarova namazin. Kur i shkova, ai më tha: “Çfarë të pengoi të vish tek unë?” - “O i Dërguari i Allahut, unë isha duke falur namaz.” Ai tha: “Po a nuk ka thënë Allahu i Madhëruar: “O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kur ju ftojnë në atë që ju jep jetë!”? Pastaj tha: “Kam për të ta mësuar më madhështoren sure që gjendet në Kur'an para se të dalësh nga xhamia.” Atëherë, ai më kapi për dore dhe kur po bëhej të dilte nga xhamia, i thashë: “O i Dërguari i Allahut, po ti më the që do të të mësoj më madhështoren sure që gjendet në Kur'an?” Ai më tha: “Po, ajo është: El ĥamdu lil-lahi Rab-bil alemin ”. Ajo është ‘Shtatëshja që përsëritet’ dhe Kur'ani madhështor.’ Kështu e ka sjellë këtë hadith edhe Imam Buhariu, Ebu Daudi, Nesaiu dhe Ibn Maxhe me rrugë të ndryshme transmetimi. Fatihaja dhe fundi i sures Bekare janë dy drita, të cilat nuk i janë dhënë kurrë asnjë profeti tjetër para Profetit tonë Në Sahihun e Muslimit dhe në Sunenin e Nesaiut shënohet hadithi prej Ibn Abasit r.a., që ka thënë: 13 “Një ditë, Profeti ﷺ ishte ulur me Xhibrilin , kur dëgjuan një zhurmë që vinte nga sipër. Xhibrili ngriti shikimin drejt qiellit dhe tha: “Sot u hap një portë e qiellit, që nuk është hapur kurrë më parë.” Prej saj - rrëfen Ibn Abasi - zbriti një melek tek Profeti dhe i tha: “Gëzohu! Vërtet ty të janë dhuruar dy drita, të cilat nuk i janë dhënë kurrë asnjë profeti tjetër para teje: Fatihaja dhe fundi i sures Bekare. Çdo gërmë që ke për të lexuar prej atyre të dyjave ka për të t’u dhënë.” Ky është teksti i sjellë nga Nesaiu. Edhe Muslimi e ka sjellë të ngjashëm me të. 6 Muslimi sjell hadithin e Ebu Hurejrës, - Allahu qoftë i kënaqur prej tij – që tregon: “E kam dëgjuar Profetin të thotë: 14 “Kush fal namaz pa lexuar në të Ummul Kur'an (Themelin e Kur'anit), e ka namazin hadaxh (jo të plotë) - tri herë.” Dikush i tha Ebu Hurejrës: “Po kur ne falemi pas imamit?” Ebu Hurejra tha: “Lexoje në veten tënde, sepse unë e kam dëgjuar Profetin të thotë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: “Unë e kam ndarë namazin në dy gjysma, dhe adhuruesit Tim do t’i jepet ajo që kërkon: “Kur adhuruesi thotë: El ĥamdu lil -lâhi Rab -bil âlemîn (Lavdërimet i qofshin plotësisht dhe vetëm Allahut, Zotit të botëve!), Allahu thotë: “Më lavdëroi dhe falënderoi adhuruesi im!”. Kur adhuruesi thotë: Er-Raĥmânir-Raĥîm të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit , Allahu thotë: “Më përlëvdoi shumë adhuruesi Im”. Kur adhuruesi thotë: Mâliki jeumid -dîn (Sunduesit të Ditës së Gjykimit) , Allahu thotë: “Më lartësoi e madhëroi Mua adhuruesi Im”. Ose tha: “M’i besoi Mua adhuruesi Im të gjitha punët e tij.” Kur adhuruesi thotë: Ijjâke nea’budu ue ijjâke nesteaîn (Vetëm ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë), Allahu thotë: Kjo është mes meje dhe adhuruesit Tim dhe adhuruesit Tim do t’i jepet ajo që kërkon. “Kur adhuruesi thotë: Ihdinaŝ-ŝirâţal musteķîm. Sirâţal -ledhîne enamte alejhim ĝajril maĝđûbi alejhim ue leđ -đãl-lîn. (Na udhëzo në rrugën e drejtë. Në rrugën e atyre të cilët i begatove, jo në rrugën e atyre që merituan zemërimin dhe as në rrugën e të humburve!)”, Allahu thotë: “Këto janë për adhuruesin Tim, dhe adhuruesit Tim do t’i jepet ajo që kërkon”.” Kështu e ka sjellë Nesaiu. Leximi i Fatihasë gjatë namazit Për këtë çështje janë dhënë tri mendime: 1. Leximi i Fatihasë është detyrë për imamin, për xhematliun dhe për atë që falet vetëm. Kjo është ajo që tregojnë përgjithësisht hadithet e sjella në këtë temë. 15. “Nuk ka namaz për atë që nuk lexon Fatihanë”. 16 “Ai që fal një namaz dhe nuk lexon në të Ummul Kur'anin, ai namaz është ħadâxh (jo i plotë).” 17 “Nuk vlen një namaz në të cilin nuk lexohet Ummul Kur'an-i.” Ky është mendimi ekzistues i Shafiut (Allahu e mëshiroftë!). 2. Anëtari i xhematit nuk e ka detyrë që të lexojë as Fatihanë dhe as ndonjë sure tjetër, as në namazet me zë e as në ato pa zë. Për këtë tregon hadithi i sjellë nga imam Ahmed Ibn Hambel, nga Xhabir Ebu Abdilah, nga Profeti që ka thënë: 18 “Ai që falet me imam, leximi i imamit është edhe lexim për të.” Por në senedin e këtij hadithi ka dobësi. Maliku transmeton nga Uehb Ibn Kejsan, nga Xhabiri se kjo është prej fjalës së Xhabirit e jo nga Profeti ﷺ . Ky hadith është sjellë përmes rrugësh të ndryshme, por asnjëra nga ato nuk është e saktë. Allahu është më i ditur për gjithçka. 3. Leximi i Fatihasë është detyrë për anëtarin e xhematit në namazet pa zë, e nuk është detyrë në namazet me zë. Për këtë tregon hadithi i sjellë në Sahihun e Muslimit, nga Ebu Musa el Eshariu, i cili tregon tregon Profeti i Allahut ka thënë: 19 “Imami është vendosur që të udhëhiqeni pas tij. Kur ai bën tekbir, bëni dhe ju tekbir dhe kur ai të lexojë, atëherë heshtni!” Hadithi vazhdon. Edhe autorët e Suneneve, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh, sjellin hadithin e Ebu Hurejrës, se Profeti ﷺ ka thënë: 20 “... kur të lexojë imami, heshtni!”. Këtë hadith e ka gjykuar si sahih imam Muslimi. Këto dy hadithe tregojnë për saktësinë e këtij mendimi. Në fakt, ky është edhe njëri nga mendimet e hershme të imam Shafiut (Allahu e mëshiroftë!). Shtjellimi i istiadhe-s dhe dispozitave të saj 7 - Eûdhu bil-lâhi minesh-shejŧânir-raxhîm Kërkoj mbrojtje tek Allahu prej (sherrit të) shejtanit të mallkuar 8 Allahu i Lartësuar thotë: “E nëse të ngacmon Shejtani me ndonjë tundim, kërko mbrojtje tek Allahu, sepse Ai dëgjon dhe di gjithçka.” [ El ea ’raf 200]. “Kur të lexosh Kur'anin, kërko mbrojtjen e Allahut kundër (sherrit të) shejtanit të mallkuar.Vërtet, ai (shejtani) nuk ka asnjë fuqi kundër atyre që besojnë dhe që vetëm Zotit të tyre i janë mbështetur. Ai mund të kontrollojë vetëm ata që e përkrahin atë dhe ata që, për shkak të tij, bëhen idhujtarë.” [Nahl 98 - 100]. Disa lexues të specializuar të Kur'anit e të tjerë janë të mendimit se istiadhja bëhet pasi ka përfunduar leximin e Kur'anit apo i një pjese të tij, duke u mbështetur në kuptimin e drejtpërdrejtë të kontekstit të ajetit kur'anor në të cilin thuhet: “Kur të lexosh Kur'anin, kërko mbrojtjen e Allahut...”, pra, pasi të kesh lexuar Kur'an. Sipas këtij mendimi, kjo bëhet edhe për të larguar vetëkënaqësinë dhe vetëpëlqimin pas përfundimit të leximit të Kur'anit. Megjithatë, Ebu Bekër Ibn Arabiu thotë ky është një mendim shumë i çuditshëm. Sipas një mendimi tjetër, istiadhja bëhet edhe në fillim, edhe në përfundim të leximit të Kur'anit. Sidoqoftë, mendimi më i përhapur dhe i njohur nga shumica e dijetarëve është se istiadhja bëhet para leximit, për të larguar vesveset e shejtanit. Kuptimi i ajetit sipas këtyre është “Kur të lexosh Kur'anin, kërko mbrojtjen e Allahut...”, domethënë “Kur të përgatitesh të lexosh Kur'anin...”. Kjo ngjan me fjalët e Allahut në suren Maide 3: “O ju që keni besuar! Kur të përgatiteni për të falur namaz, lani fytyrën dhe duart (e krahët) deri te bërrylat...”. Pra, kur të vendosni e të përgatiteni për të falur namaz. Argument për këtë janë edhe hadithet e sjella nga Profeti i Allahut. Imam Ahmed Ibn Hambeli, - Allahu e mëshiroftë, - sjell hadithin nga Ebu Seid el Hudriu: 21 “Kur Profeti ﷺ ngrihej natën për namaz, bënte tekbirin pastaj thoshte: Sub’ĥânekellllâhum-me ue bi ĥamdike, ue tebâreke - smuke, ue teâlâ xhed-duke, ue lâ ilâh - e ĝajruke. (I lavdëruar dhe larg çdo të mete je, o i Adhuruari im në lavdinë Tënde. I lartësuar, i madhëruar dhe begatisjellës është emri Yt! U lartësoftë madhëria Jote! Nuk ka të adhuruar tjetër të meritueshëm veç Teje!” Pastaj vijonte të thoshte: “ Lâ ilâhe il -l’Allâhu” tri herë, pastaj thoshte: “Eûdhu bil -lâhis-semî-il alîm, minesh - shejŧânir-raxhîm, min hemzihi, ue nefħihi, ue nefthihi. ” (Kërkoj mbrojtje tek Allahu, Gjithëdëgjues dhe i Gjithëditur, (të më ruajë) prej shejtanit të mallkuar, prej hemzihi, nefħihi dhe nefthihi).9 Të katër autorët e Suneneve e kanë sjellë hadithin nga transmetimi i Xhafer Ebu Sulejmanit, që e sjell nga Ali Ibn Alij el Rifai el Jeshkurij. Imam Tirmidhiu ka thënë për këtë hadith, se ai është hadithi më i njohur dhe i përhapur për këtë çështje. Imam Ebu Hanife (Allahu e mëshiroftë!) dhe nxënësi i tij, Muhamedi kanë qenë të mendimit se istiadhja thuhet për shkak të leximit të Kur'anit gjatë namazit. Ndërsa Ebu Jusufi ishte i mendimit se istiadhja thuhet për shkak të vetë faljes së namazit. 10 Nga fjalët e këndshme të thëna rreth istiadhes është edhe mendimi se istiadhja është pastrim për gojën, nga kotësitë e gjynahet që ke nxjerrë prej saj. Ajo është si një parfumosje e gojës, përpara fillimit të leximit të Fjalës së Allahut. Ajo tregon kërkimin e mbrojtjes, strehimit e mbështetjes tek Allahu, duke dëshmuar kështu për pushtetin e Tij absolut nga njëra anë, dhe duke shprehur nga ana tjetër dobësinë e pamundësinë e robit për t’u përballur me këtë armik të përbetuar të brendshëm, të cilin askush nuk ka forcën dhe pushtetin për ta ndaluar dhe larguar, veç Allahut, që e krijoi. Ky armik nuk pranon mirësjellje dhe përshtatje dhe as nuk ndikohet po t’i bësh mirësi, ndryshe nga armiku i llojit njerëzor. Duke qenë se shejtani na sheh dhe ne nuk e shohim, atëherë ne i kërkojmë ndihmë Atij që e sheh shejtanin për të na mbrojtur prej tij, kur edhe shejtani nuk e sheh dot Atë. 11 Kuptimi i fjalës Eudhu: El-Istiâdhetu është El-Istixhâratu, pra, kërkimi i strehimit dhe i mbrojtjes (diku ose tek dikush). Ndërsa thënia: Eûdhu bil -lâhi minesh-shejŧânir-raxhîm”, me fjalë të tjera mund të shpjegohet: "Kërkoj mbrojtje, strehim, ndihmë tek madhështia e Allahut, duke u lidhur dhe mbështetur vetem tek Ai, që të më ruajë prej të keqes së shejtanit të mallkuar dhe të dëbuar nga mëshira e Tij. Kërkoj ndihmë, mbrojtje tek Allahu, që shejtani të mos më mashtrojë dhe të mos më devijojë nga rruga e drejtë; që të mos më dëmtojë mua as në fenë time dhe as në jetën time të dynjasë. Kërkoj ndihmë tek Allahu i Lartësuar që shejtani i mallkuar të mos ia dalë mbanë që të më pengojë nga zbatimi i urdhrave të Zotit tim, dhe të mos ia dalë mbanë që të më nxisë dhe të më bëjë që të veproj ato gjëra, nga të cilat Zoti im më ka ndaluar, sepse është e pamundur që ai të sprapset nga unë. Shejtani mund të sprapset vetëm nga Zoti i botëve. Shumica e dijetarëve janë të mendimit se istiadhja është vepër e pëlqyeshme dhe nuk është (vaxhib) një urdhër i prerë, që, nëse nuk e bën, merr gjynah. Ibn Sirini ka thënë që: Nëse robi e thotë vetëm një herë në jetën e tij “ Eûdhu bil -lâhi minesh -shejŧânirraxhîm”, e ka kryer detyrimin për thënien e istiadhes. Por duhet të përmendim se Profeti ﷺ ka qenë i vazhdueshëm në thënien e istiadhes dhe është shumë i rëndësishëm fakti se istiadhja e largon shejtanin. Duke qenë se largimi i shejtanit është një detyre shumë e rëndësishme për njeriun, atëherë edhe istiadhja duhet të jetë po kaq e rëndësishme. Dihet rregulli i rëndësishëm, që thotë: “Një vepër pa të cilën nuk mund të plotësohet e detyrueshmja, është e detyrueshme.” 12 Si thënia me zë e istiâdhes, ashtu edhe thënia në vetvete, është njëlloj. Kështu ka thënë Shafiu me kuptim, jo fjalë për fjalë.13 Fjala shejtan e ka preardhjen nga fjala “ sheŧane jeshŧunu ”, domethënë: u largua me natyrën e tij të keqe e u dëbua nga çdo e mirë, për shkak të shkeljes së çdo kufiri të Zotit. Pra, shejtani u largua dhe shkoi shumë larg së vërtetës dhe së mirës. Fjala Raxhîm merr kuptimin merxhûm, pra, i mallkuar, i dëbuar nga mëshira dhe nga çdo mirësi. - Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim - Ebu Daudi sjell me sened të saktë deri tek Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur nga ata të dy, at e bir!), se Profeti ﷺ nuk e mësonte mbarimin dhe ndarjen mes sureve derisa të zbriste Bismilahir-Rahmanir-Rahim.”. Dijetarët janë unanimë se BismilahirRahmanir-Rahim është pjesë nga ajeti 30 i sures Neml. Pastaj kanë dhënë mendime të ndryshme rreth faktit se a është ajet i shkëputur i zbritur në fillim të çdo sureje, apo ajo është ajet vetëm i sures Fatiha e jo i sureve të tjera, apo është zbritur për të treguar ndarjen mes sureve. Mendimi më i saktë është se ajo është zbritur për ndarjen mes sureve, ashtu siç u përmend pak më sipër nga fjala e Ibn Abasit e përcjellë nga Ebu Daudi. 14 Ata që janë të mendimit se është ajet i sures Fatiha, janë të mendimit gjithashtu se duhet lexuar me zë në namaz, ndërsa ata që nuk janë të këtij mendimi e lexojnë atë pa zë në namaz. Për secilën nga palët ka mbështetës prej sahabëve, që ndajnë të njëjtin mendim. Ajo që është sjellë saktësisht dhe në mënyrë të sigurt nga katër kalifët e drejtë është se ata e lexonin bismilah-in pa zë në namaz. Po kështu kanë vepruar edhe shumë selefë mes tabiinëve dhe të tjerë që erdhën pas tyre. Ky është edhe mendimi i Ebu Hanifes, i imam Theuriut dhe imam Ahmedit. Ndërsa ndjekësit e imam Malikut nuk e lexojnë as me zë e as pa zë. Shkurtimisht, mund të themi se nga transmetimet e sjella nga Profeti ﷺ dhe unanimiteti i dijetarëve tregon se edhe ata që e lexojnë me zë, edhe ata që e lexojnë pa zë e kanë namazin të saktë.15 Dobitë dhe rëndësia e bismilahit Imam Ebu Muhamed Abdurahman Ibn Ebu Hatim (Allahu e mëshiroftë!) sjell në Tefsirin e tij, me senedin e tij nga Uthman Ibn Afan: 22. “Profeti i Allahut (Salavatet dhe selami i Zotit qofshin mbi të!) u pyet rreth “Bismilahir -Rahmanir-Rahim” dhe tha: “Ai (Bismilahi) është një nga emrat e Allahut të Madhëruar. Mes saj dhe emrit më të madh të Allahut ka afërsi, aq sa është e bardha e syrit me të zezën e tij.” 16 Uekiu sjell me senedin e tij hadithin nga Ibn Abasi, që ka thënë: “Kush dëshiron që Allahu të ruajë e ta shpëtojë nga 19 zebanitë e Xhehenemit, le të lexojë “ BismilahirRahmanir-Rahim”, se Allahu do t’ia bëjë çdo gërmë të saj mbrojtje nga çdo zebani.” Këtë thënie e ka përmendur Ibn Atije dhe imam El Kurtubiu. 17 Ibn Atije e ka përkrahur këtë mendim të Ibn Kethirit dhe e ka qartësuar duke argumentuar gjithashtu me fjalën e Profetit ﷺ : 23 “Pashë mbi 30 melekë që garonin për të marrë e për të shkruar fjalën e adhuruesit, që tha: “ Rabena lekel hamdu hamden kethiran, tajjiben mubâraken fihi ” (Zoti ynë, ty të qofshin lavdërimet, lavdërime të shumta, të mira dhe plot bekime), për shkak se edhe kjo fjalë përmban mbi 30 germa. Në hadithin e Bishër Ibn Amara nga Dahhaku përmendet se Ibn Abasi ka thënë: E para fjalë që i ka thënë Xhibrili Muhamedit ﷺ ishte: 24 “O Muhamed thuaj: “ Esteidhu bis-semi’il alim minesh-shejtânir-raxhim” “Kërkoj mbrojtje tek Ai që dëgjon dhe di gjithçka (të më ruajë) nga shejtani i mallkuar!”. Pastaj tha: “Tani thuaj: “ Bismil-lâhir-RahmânirRahim”. Nesaiu shënon në librin e tij: “Puna gjatë ditës dhe natës”, ndërsa Ibn Merdeuejhi në Tefsirin e tij, një hadith nga Halid Ibn Hadhae, ky nga El Huxhejmiu, ky nga Ebu Malik Ibn Usame Ibn Umejri e ky nga i ati, që ka thënë: 25 “Unë isha prapa Profetit ﷺ kur kafsha e Profetit u pengua. Unë thashë: “ Teisesh-shejtan! (U shkatërroftë shejtani!)” Profeti ﷺ më tha: “Mos thuaj ashtu, sepse shejtani zmadhohet sa një shtëpi, por thuaj “ Bismil-lâh”, sepse kështu ai zvogëlohet sa një mushkonjë.” 18 E gjithë kjo ndodh nga bekimi dhe mirësia e fjalës Bismilah. Bismilahi 19 është i pëlqyeshëm të thuhet para hyrjes në banjë, në fillim të marrjes së abdesit, para fillimit të ngrënies së ushqimit, para therjes së kafshës, madje disa mendojnë se kjo e fundit është e detyrueshme. Është e pëlqyeshme të përdoret edhe përpara marrëdhënieve intime. Për këtë tregon hadithi i sjellë në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit nga Ibn Abasi, që tregon se Profeti ﷺ ka thënë: 26 “Nëse kur shkoni me gruan thoni: Bismil-lâh! Allâhum -me xhen - nibnash-shejŧâne ue xhen -nibish-shejŧâne mâ razeķtena! (Me emrin e Allahut! O i Adhuruari im! Largoje prej nesh shejtanin; largoje shejtanin nga ajo me të cilën na furnizon!), atëherë, nëse ju dhurohet një fëmijë, atij fëmije nuk do t’i bëhej kurrë dëm nga shejtani.” Allah 20 është emër i përveçëm i Zotit të Lartësuar. Thuhet se ky është emri i madh i Allahut dhe të gjithë emrat e tjerë janë cilësi e përshkrime të Tij, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ai është Allahu, veç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me meritë. Ai është Njohësi i të fshehtës dhe të dukshmes. Ai është i Gjithëmëshirshmi Mëshirëploti. Ai është Allahu, veç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me meritë. Ai është Sunduesi i përgjithshëm, i Pastër nga çdo e metë, Shpëtimtari, Siguruesi, Mbikëqyrësi, Ngadhënjimtari, Mbizotëruesi, Krenari. I Lartësuar është Allahu nga çka i shoqërojnë. Ai është Allahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi! Atij i takojnë emrat më të bukur. Atë e madhëron çfarë ka në qiej e në Tokë. Ai është Ngadhënjimtari, i Urti!” [Hashër 22 - 24]. Në dy Sahihët 21 është hadithi nga Ebu Hurejra se Profeti ﷺ ka thënë: 27 “Allahu ka 99 emra, 100 pa një, të cilat ai që aĥŝâhâ 22 (i mëson e punon me to) ka për të hyrë në Xhenet!” 23 El hamdu lil-lahi Rabil Alemin - Elhamdu lil -lahi - Ibn Xheriri shpjegon: Mirënjohja e sinqertë i qoftë vetëm Allahut dhe askujt tjetër prej atyre që njerëzit adhurojnë apo krijesave të Allahut. Mirënjohja e falënderimi i plotë i qoftë Zotit për të gjitha ato mirësi që u dhuroi robërve të Tij, të cilat askush nuk mund t’i numërojë e përkufizojë. Askush nuk e di numrin e tyre veç Zotit. Ai ua ka dhuruar ato mirësi robërve të Vet, edhe pse ata nuk kanë bërë asgjë për t’i merituar. Allahut i qoftë hamdi, lavdërimi e mirënjohja për të gjitha këto, në fillim e në fund. 24 Elifi (E) dhe Lami (L), pra, nyja ‘ El’ tek fjala “El Hamdu lil -lah” përdoret në arabisht për të treguar gjithëpërfshirje. Sipas këtij kuptimi, të gjitha llojet e format e hamdi-t dhe shprehjes së tij i takojnë veçse Allahut të Lartësuar. Në një hadith thuhet: 28. “O Allah, Ty të takon i gjithi hamdi, Ty të takon i gjithë mbretërimi e pushteti! Në dorën Tënde është e gjithë e mira dhe tek Ty kthehen të gjitha çështjet!” 25 - Rabil alemin - El Rab është Pronari, rregulluesi e administruesi i gjithësisë. Emërtimi “El Rab” me pjesëzën “El” përpara lejohet veçse për Allahun, ndërsa pa nyjen “El” mund të përdoret nëse vjen në formën pronë-pronar, p.sh. “rabul bejt” - “ i zoti i shtëpisë”.26 - El alemin është shumësi i fjalës El Alem. Këtu bën pjesë gjithçka që ekziston, përveç Allahut të Lartësuar. El au âlim (botërat) janë botët e ndryshme të krijesave në qiej dhe në tokë, në dhé dhe në det. Kështu p.sh., bota e njerëzve është botë më vete, xhindët janë botë më vete, melekët gjithashtu përbëjnë një botë. Kështu ka thënë Bishër Ibn Amarati, që përcjell nga Ibn Abasi. “El hamdu lil-lâhi rabil âlemin” - Të gjitha lavdërimet i qofshin Allahut, në dorë të të Cilit është i gjithë krijimi dhe krijesat, në qiej e në tokë e çka mes tyre e brenda tyre, nga ata që i dimë dhe nga ata që nuk i dimë. - Er-Rahmanir-Rahim - Këta janë dy emra që e kanë prejardhjen nga fjala “ Errahmetu”- “Mëshirë”, me një kuptim të përforcuar dhe epror të saj . 27 Er-Rahman (i Gjithëmëshirshmi) ka një kuptim më të përforcuar dhe më epror sesa emri “ ErRahim” (Mëshirëplotë). Emri “Er-Rahman” është i prejardhur, ndryshe nga pretendimet se ai nuk është i tillë. Për këtë tregon hadithi që e ka sjellë Tirmidhiu, duke e gjykuar si të saktë (sahih), nga Abdur-rahman Ibn Aufi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij), i cili e ka dëgjuar Profetin e Allahut të thotë: 29 . “Allahu i Lartësuar ka thënë: “Unë jam ErRahmanu dhe Unë e krijova farefisninë dhe zgjodha për të një emër ( er-rahm) të prejardhur nga Emri Im ( Er-Rahman). Për atë që i mban lidhjet farefisnore, edhe Unë do t’i mbaj lidhjet me të, e kush i shkëput lidhjet farefisnore, Unë do t’i shkëpus lidhjet me të.”. Ky është një tekst i drejtpërdrejtë dhe i qartë se emri “Er - Rahman” është i prejardhur dhe nuk ka më kuptim asnjë lloj kundërshtie në këtë çështje. Ibn Xheriri përcjell përmes senedit të tij nga El Azramiu, i cili ka thënë: “Er - Rahman është i Gjithëmëshirshmi për të gjitha krijesat, 28 ndërsa Er -Rahim është Mëshirëploti vetëm për besimtarët.” Edhe në ajetin kur'anor Allahu i Madhëruar thotë: “Er-Rahmanu që qëndroi mbi Fron.” [Ta Ha 5], për të treguar se Ai i ka përfshirë të gjitha krijesat me mëshirën e Tij. Ndërsa kur flet për mëshirën e Tij për besimtarët, Ai thotë: “Ai është Er-Rahim me besimtarët.” [Ahzab 43]. Pra, i dalloi me mëshirën e Tij të veçantë dhe të plotë vetëm për ta. Kjo tregon gjithashtu se emri ErRahman ka një kuptim më të përforcuar të mëshirës sesa emri Er-Rahim, sepse ka përfshirë të gjitha krijesat dhe është në të dyja jetët. 29 Imam Kurtubiu ka thënë: Allahu i Madhëruar e ka përshkruar Veten e Tij me emrat Er-Raĥmâni dhe Er-Rraĥîm, pasi përmendi se Ai është Rabbul Alemin (Zoti i botëve), në mënyrë që pas nxitjes së frikës, në zemrën e robit të vijojë me nxitjen e shpresës. Përmendja e emrave ErRaĥmâni, Er -Rraĥîm nxit shpresën në zemrën e robit. Ata vijnë pas përshkrimit të Tij si Rabbul Alemin , përshkrim i cili nxit frikën. Kjo është plotësisht në përputhje me atë që thotë vetë Allahu në një ajet tjetër: “Thuaju robërve të Mi se vërtet, Unë jam Falësi i Madh e Mëshirëplotë. Por edhe dënimi Im është dënim i dhembshëm.” [El Hixhr 49, 50]. Në Sahihun e Muslimit shënohet se Ebu Hurejra përcjell se Profeti ﷺ ka thënë: 31 “Sikur ta dinte besimtari se çfarë ndëshkimesh ka Allahu, askush nuk do të shpresonte në Xhenetin e Tij. Sikur ta dinte mosbesimtari se çfarë mëshire ka Allahu, askush nuk do të humbiste shpresën në mëshirën e Tij.” 30 Emri “ Er-Raĥmân” është i ndaluar për krijesat. Kështu, krijesat nuk mund të emërtohen me këtë emër, sepse ai është i veçantë për Allahun. Mendoni pak në Musejleme Gënjeshtarin, 31 i cili paturpësisht mori guximin që të quante veten e tij me këtë emër! Allahu ia mveshi atij një veshje poshtërimi dhe sot ai njihet nga të gjithë si Musejleme Gënjeshtari. Madje, ai merret si shembull i gënjeshtrës dhe gënjeshtarëve, ndaj thuhet: “Gënjeshtar si Musejlemi.” - “Maliki jeumid -din” - Kuptimi: Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Allahu i Lartësuar vërtet e veçon përmendjen e sundimit të Tij në Ditën e Gjykimit, por kjo nuk do të thotë se Ai nuk është edhe Sunduesi i kësaj dynjaje. Nuk ka dyshim se Ai është Sunduesi i dynjasë dhe i ahiretit, por pak më përpara kësaj Ai e përshkroi Veten si “ Rabbul Alemin”, duke na treguar kështu se Ai është sunduesi i të gjithë botëve, dhe kjo fjalë përfshin dynjanë dhe ahiretin. Pastaj Ai e veçon pushtetin e Tij në Ditën e gjykimit, sepse atë ditë do të zhduket tërësisht edhe ai lloj pushteti që e pretendonin në jetën e kësaj dynjaje ata të cilët nuk besonin në Zotin dhe ishin mendjemëdhenj. Atë ditë, askush nuk do të ketë në dorë asnjë gjë. Madje, askush nuk do të flasë pa e lejuar i Gjithëmëshirshmi: “Atë ditë, Xhibrili dhe melekët do të qëndrojnë të rreshtuar. Askush nuk mund të flasë, veç atij që e lejon i Gjithëmëshirshmi dhe që thotë të vërtetën.” [Nebe 38]. Dahaku na tregon se Ibn Abasi shpjegon “Maliki jeumiddin ” (Sunduesi i Ditës së Gjykimit) kështu: Atë ditë, askush nuk zotëron ndonjë pasuri, siç kishte në dynja, kur thoshte “Kjo është pasuria ime!”, ose “Ky është pushteti im!”. Atë ditë askush nuk zotëron më asnjë lloj pasurie apo pushteti.”32 Jeumud-din do të thotë: Dita e gjykimit, llogarisë dhe shpërblimit. Ajo është Dita e Kijametit, kur Allahu do të gjykojë e shpërblejë krijesat. Nëse kanë bërë mirë, do t’i shpërblejë me të mira, e nëse kanë bërë keq, do të marrin dënimin që meritojnë, veç nëse Allahu i fal. O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen, prandaj na fal ne! 33 - Vetëm ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë. - Këtu kemi të bëjmë me një ndryshim të rendit të zakonshëm të fjalisë në arabisht. Kështu, në fjalinë “Ty të adhurojmë dhe tek Ti ndihmë kërkojmë”, përemrat ‘Ty’ dhe ‘Ti’ janë vendosur përpara foljes (kallëzuesit), mënyrë kjo e cila e vë theksin tek përemri, duke i dhënë fjalisë këtë kuptim: “Vetëm Ty të adhurojmë” dhe “Vetëm tek Ti e kërkojmë ndihmën dhe mbështetjen”. Vetëm Ty (o Allah) të adhurojmë, dhe asnjë tjetër veç Teje, dhe mbështetjen e ndihmën e kërkojmë veç tek Ti, e tek askush tjetër. Pikërisht kjo është bindja e plotë ndaj Zotit. El ibadetu nga ana gjuhësore do të thotë përunjësi e nënshtrim. Ndërsa në terminologjinë e Sheriatit është një fjalë që përmbledh në vetvete gradën më të lartë të dashurisë, nënshtrimit e përunjësisë dhe të frikës.34 Disa selefë kanë thënë: Fatihaja është e fshehta e Kur'anit dhe e fshehta e Fatihasë është tek kjo frazë: "Ijjake nabudu ue ijjake nestein! ”. Ijjake nabudu (Vetëm Ty të adhurojmë) është dëshmi e sinqertë e njeriut për distancimin nga çdo lloj shirku. Ndërsa: “ ue ij jake nestein” (vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë), është një dëshmi e çiltër se ai po ia dorëzon të gjitha çështjet Allahut të Lartësuar dhe po distancohet tërësisht nga forcat dhe aftësitë e veta. E gjithë feja e Zotit bazohet në këto dy çështje. Ky mesazh jepet në shumë ajete kur'anore: “Vetëm Allahut i takon dija për fshehtësitë e qiejve dhe të Tokës dhe vetëm tek Ai kthehet çdo çështje. Atëherë vetëm Atë adhuroje dhe vetëm tek Ai kërko mbështetje! Zoti yt nuk është i shkujdesur ndaj veprave tuaja.” [Hud 123]. “Thuaj: “Ai është i Gjithëmëshirshmi. Atij i kemi besuar dhe vetëm tek Ai jemi mbështetur. Kurse ju do ta kuptoni se kush është humbësi i vërtetë.” [Mulk 29]. - "Ij-jâke nea’budu ue ij-jâke nestein!” - Në këtë ajet vërehet një zhvendosje nga veta e tretë në vetën e dytë, pra, duke ju drejtuar drejtëpërdrejt Allahut të Lartësuar. Që nga fillimi i sures, " El hamdu lil -lahi Rabil Alemin", e deri tek " Maliki jeumid -din" të gjitha janë treguar në vetën e tretë. Pastaj teksti zhvendoset në vetën e dytë, duke thënë: “Vetëm ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë”. Adhuruesi, përmes hamd-it (lavdërimit), thena-it (përlëvdimit të përsëritur e të shumtë) dhe temxhid-it (madhërimit), realizon hamd-in dhe esencën e tij, në masën dhe cilësinë e duhur, siç kërkohet nga Allahu i Lartësuar, dhe pastaj distancohet plotësisht nga adhurimi i gjithçkaje tjetër dhe nga mbështetja tek dikush tjetër veç Allahut Mëshiorëplotë. Vetëm pas kësaj përpjekjeje, ai nderohet, afrohet dhe ngrihet në nivelin dhe gradën për t’i folur drejtëpërdrejt Allahut të Lartësuar duke thënë: “Vetëm ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë”. 35 Në këtë ajet, Allahu i Madhëruar ka përmendur adhurimin përpara istiane-s, kërkimit të ndihmës, sepse përkushtimi i adhurimeve Allahut është qëllimi i njeriut, ndërsa kërkimi i ndihmës është mjet ose ndihmë për të realizuar sa më mirë adhurimin; dhe dihet mirë se qëllimi është më i rëndësishëm se mjeti, ndaj më të rëndësishmes i jepet përparësi. Një pyetje që shtrohet është: “Përse është përdorur numri shumës në ajet, duke thënë: “të adhurojmë” dhe “ndihmë kërkojmë”? Për këtë janë dhënë përgjigje të shumta, ndër të cilat edhe fakti se kur i drejtohemi Allahut të Madhëruar në numrin shumës, pra, duke thënë: “vetëm Ty të adhurojmë” kjo është një shprehje më e qartë e modestisë dhe e përunjësisë para Allahut, sesa kur i drejtohesh Atij duke thënë “vetëm Ty të adhuroj”. Kjo e fundit tregon një lloj madhërimi e vlerësimi për veten. E kush je ti që e konsideron veten të denjë që t’i drejtohesh i vetëm Allahut të Madhëruar, të cilin askush nuk mund ta adhurojë dhe përlëvdojë ashtu siç Ai e meriton?! Kështu, robi, me modesti e përunjësi i drejtohet Allahut të Madhëruar së bashku me vëllezërit e tij besimtarë, që t’i shprehë Atij adhurimin dhe t’i kërkojë ndihmë. Adhurimi i Allahut dhe statusi i të qenurit adhurues e rob i Allahut është një gradë shumë e lartë, me të cilën robi nderohet dhe vlerësohet. Me këtë titull e ka emërtuar Allahu i Madhëruar Profetin e tij të dashur, në kontekstet më të rëndësishme: I lartësuari thotë: “Të gjitha lavdërimet i qofshin vetëm Allahut, i Cili i ka shpallur Robit të Vet (Muhamedit) Librin (Kur'anin) dhe nuk ka lejuar në të asnjë shtrembërim!” [Kehf 1]. Ose: “Dhe, vërtet, kur robi i Allahut u ngrit që t’i lutej Atij, ata gati sa hipën njëri mbi tjetrin, për ta dëgjuar.” [Xhin 19]. “I Dëlirë (e i Lavdëruar) qoftë Ai, që e mbarti adhuruesin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja) drejt xhamisë Aksa (në Palestinë), rrethinat e së cilës Ne i kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga shenjat Tona! Vërtet, Ai dëgjon e di gjithçka.” [Isra 1]. Kështu, Allahu i Madhëruar e ka quajtur “robi dhe adhuruesi Ynë” kur i ka sjellë Shpalljen, kur ka treguar adhurimin e Profetit ﷺ dedikuar Atij dhe kur ka folur për udhëtimin e mrekullueshëm të Israsë. Ibn Abasi ka thënë: "Ijake nea’budu”, domethënë: Vetëm Ty të njësojmë, të frikësohemi dhe të shpresojmë, o Zoti ynë, dhe asgjë e askënd tjetër veç Teje! Ndërsa " ue ijake nestein ”, domethënë: Vetëm Ty të kërkojmë të na ndihmosh për të t’u bindur e nënshtruar dhe për t’i përmbushur të gjitha çështjet e punët tona. Është përmendur fillimisht adhurimi përpara kërkimit të ndihmës, sepse adhurimi është qëllimi kryesor e final, ndërsa kërkimi i ndihmës është mjeti për arritjen e këtij qëllimi, dhe qëllimet janë më të rëndësishme sesa mjetet. - “Ihdinas-siratal mustekim ” Na udhëzo në Rrugën e Drejtë - Pasi paraqiten në fillim përlëvdimet e shumta e të përsëritura për Allahun e Lartësuar, tashmë është pikërisht momenti kur duhet t’i drejtosh lutjet, sikurse na udhëzon Allahu i Madhëruar në hadithin kudsij: 32 “....Unë e kam ndarë namazin (Fatihanë) në dy gjysma. Gjysma e tij është për Mua dhe gjysma tjetër (e Fatihasë) është për robin Tim dhe robit Tim do t’i jepet ajo që kërkon. ...” Kjo është mënyra më e mirë që mund të bësh një lutje. Fillimisht e lavdëron Allahun dhe pastaj parashtron lutjen tënde dhe të vëllezërve të tu besimtarë, duke thënë: “Na udhëzo në Rrugën e Drejtë!”. - “El Sirat el Mustekim” është rruga e qartë, e dukshme, e drejtë dhe pa shtrembërime. Në fakt, janë dhënë mendime të ndryshme për të. E përbashkëta është se “ El Sirat el Mustekim” është ndjekja e pasimi korrekt i rrugës së Profetit me sinqeritet vetëm për Allahun, rruga e vetme që të çon tek Allahu dhe Xhenetet e Tij. Gjithashtu, është thënë se ajo është “Libri i Allahut”, ose “Islami”. Ibn Abasi ka thënë se ajo është feja e Allahut, e cila nuk ka shtrembërime. Ndërsa Ibn el Hanifij ka thënë se ajo është feja e Allahut, e vetmja fe e pranuar tek Ai. Në një hadith që e përcjell Ne ualis Ibn Semani thuhet se rruga e drejtë ( El Siratu el Mustekim) është vetë Islami. Sipas tij, Profeti ﷺ ka thënë: “Allahu sjell si shembull një rrugë të drejtë. Në dy anët e rrugës ka nga një mur, me disa dyer të hapura. Mbi dyer ka perde të lëshuara. Në portën hyrëse të kësaj rruge ndodhet një ftues, që thotë: “O njerëz! Hyni në këtë rrugë dhe mos devijoni!” Ndërsa sipër (e përgjatë) kësaj rruge ndodhet një ftues, i cili sa herë që njeriu tenton të hapë ndonjë nga ato dyer thotë: “I mjeri ti! Mos e hap, se nëse e hap, ke për të hyrë brenda!”. Rruga e drejtë ( El Siratu el Mustekim ) është Islami. Dy muret anësore të saj janë kufijtë e Allahut (që nuk duhen tejkaluar). Dyert e hapura në këto mure janë haramet (ndalesat e Allahut). Ftuesi në fillim të rrugës është Libri i Allahut. Ftuesi sipër (e përgjatë) kësaj rruge është qortuesi i Allahut në zemrën e çdo muslimani.”. El Muxhahidi ka thënë se “ El Sirat el Mustekim” është “e Vërteta”, dhe ky është term gjithëpërfshirës. Kështu, nuk ka kundërshti mes saj dhe përkufizimeve të mësipërme. Dikush mund të pyesë: Nëse muslimani është i udhëzuar në rrugën e drejtë, atëherë përse i kërkon Allahut në çdo namaz që ta udhëzojë në këtë rrugë? Përgjigjja për këtë pyetje është: “Njeriu e ka të domosdoshme në çdo çast dhe gjendje që Allahu i Madhëruar ta forcojë e ta bëjë të palëkundur e të vazhdueshëm në udhën e drejtë. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar na udhëzon që t’i lutemi Atij në çdo kohë që Ai të na japë forcë, qëndrueshmëri dhe sukses për të ecur dhe jetuar sipas rrugës së drejtë. Po kështu, Allahu i Madhëruar ka urdhëruar besimtarët që të besojnë kur thotë: "O ju që keni besuar! Besoni plotësisht në Allahun, në të dërguarin e Tij, në Librin që ia ka shpallur të Dërguarit të Tij dhe në Librin që ua ka zbritur atyre para tij. Kush nuk beson në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe Ditën e gjykimit, ai ka humbur shumë larg (rrugës së drejtë) . [En-nisa, 136 ]. Qëllimi është qëndrueshmëria dhe vazhdimësia në ato punë që ndihmojnë dhe ushqejnë besimin. Sidoqoftë, Allahu është më i ditur. 36 Këto ajete janë argument dhe nxitje e qartë që ne të përdorim atë që quhet teuesul (ndërmjetësim) i lejuar tek Allahu, që përmbushja e lutjes të jetë më pranë dhe e realizueshme. Ky ndërmjetësim bëhet duke e lavdëruar Allahun përmes emrave e cilësive të Tij të larta e duke bërë vepra të mira përpara parashtrimit të lutjes. Kështu, në leximin e sures Fatiha, besimtari fillimisht kërkon teuesul e afrim tek Allahu përmes lavdërimeve të shumta që ia kushton Atij, duke thënë: “ Lavdërimet i qofshin plotësisht dhe vetëm Allahut, Zotit të botëve! Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Sunduesit të Ditës së Gjykimit”. Pastaj, përsëri kërkon ndërmjetësim dhe afrim tek Zoti duke bërë punë të mira, dhe në këtë rast, duke dëshmuar me bindje e sinqeritet njëshmërinë e Zotit në adhurim dhe mbështetjen e plotë vetëm tek Ai. Kështu, vetëm pas këtij ndërmjetësimi e afrimi tek Allahu përmes këtyre mënyrave të ligjëruara nga Ai, besimtari parashtron lutjen e tij që Allahu ta udhëzojë atë dhe vëllezërit e tij besimtarë në rrugën e Tij të drejtë. Kjo rrugë e drejtë është Islami i saktë dhe korrekt, i pastër dhe i ruajtur nga çdo shtesë e pakësim dhe i ruajtur nga çdo bidat dhe kotësira të pabaza. Kjo është rruga më e shkurtër për të përmbushur dhe realizuar gjithçka që e do Zoti dhe është i kënaqur me të, ekzaktësisht siç ka urdhëruar Ai dhe siç e ka sjellë qartësisht Profeti. Nëse besimtari do t’i lexonte me vëmendje ajetet ku përmenden lutje, do të vërente se përpara tyre gjithmonë janë përmendur ajete që e nxisin dhe udhëzojnë që të kërkojë ndërmjetësim dhe afrim tek Allahu me mënyrat e lejuara, si p.sh. duke përmendur vetë Zotin e Madhëruar, ose duke e lavdëruar dhe përmendur emrat dhe cilësitë e Tij, ose duke bërë punë të mira, nëpërmjet të cilave mund të afrohet tek Allahu, ose duke u lutur për vëllezërit e tij muslimanë. Edhe kjo e fundit është një mënyrë shumë e mirë ndërmjetësimi, që e sjell më afër përgjigjen e lutjes. 37 Allahu i Lartësuar na tregon se si u lut Dhen -nuni (Junusi), kur atë e gëlltiti peshku i madh: “ La ilâhe il-lâ Ente! Sub ĥâneke, inni kuntu minedh - dhâlimin. (Nuk ka asnjë të adhuruar tjetër me meritë veç Teje! Ti je i dëlirë dhe unë isha i padrejtë.).” Kështu, Junusi nuk gjeti mënyrë më të mirë ndërmjetësimi e afrimi tek Allahu, që Ai t’i përgjigjej lutjes së tij, sesa përmes teuhidit të Tij, si dhe lartësimit dhe dëlirësimit të Tij nga çdo e metë dhe mangësi. Kjo ishte nga njëra anë. Ndërsa ana tjetër ishte duke dëshmuar dhe pranuar gabimin dhe padrejtësitë, me të cilat e dëmtoi vetveten. Pranimi i gabimit i shoqëruar me keqardhje është shprehje e pendimit dhe kthimit tek Zoti i Lartësuar. Dhe nuk ka dyshim se pendimi është prej veprave më të mira, që Zoti e ka pranuar si mënyrë ndërmjetësimi e afrimi, për t’i dhuruar robit f aljen dhe mbulimin e gjynaheve. Dëshmitë e Kur 'anit për këtë rregull janë të shumta. Prej këtyre dëshmive të sjella në Kur 'an është edhe lutja e babait tonë Ademit dhe nënës tonë Hava, kur ata gabuan. Ata thanë: “Rabbenâ dhalemnâ enfusenâ ue in lem tagfir lenâ ue terĥamnâ le nekûnen-ne minel ħâsirin! (Zoti ynë, ne i bëmë dëm vetes sonë. Nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, ne me siguri do të jemi të humbur!)” [ El ea’raf 23]. Dhe janë pikërisht këto fjalët që vetë Zoti ia mësoi Ademit, për të cilat aludohet në ajetin kur'anor: “Pastaj Ademi, prej Zotit të vet, mësoi disa fjalë (lutjeje), dhe Ai ia pranoi pendimin. Ai është Pranuesi i pendimit, Mëshirëploti.” [Bekare 37]. Po kështu, na mëson të kërkojmë ndërmjetësim e afrim tek Zoti përpara parashtrimit të lutjes edhe ajeti tjetër: “Zoti ynë, ne dëgjuam një thirrës që ftonte për besim (e që thoshte) : “Besoni Zotin!”, e ne besuam. Zoti ynë, na i fal gjynahet tona, na i mbulo të metat, ndërsa pas vdekjes na bashko me të mirët! ” [Al Imran 193]. Nuk ka dyshim se besimi i saktë dhe korrekt është nga punët më të mira. Kështu, pasi i paraqitën Allahut këtë punë të mirë, pra, besimin e saktë e korrekt, ata përmendin diçka tjetër, që konsiderohet si një vepër e mirë, e cila shërben si teuesul, që Ai ta pranojë dhe t’i përgjigjet lutjes: përmendja e nevojës së madhe të tyre për faljen e gjynaheve. Prandaj thanë: “... Zoti ynë, na i fal gjynahet tona, na i mbulo të metat, ndërsa pas vdekjes na bashko me të mirët!” Kështu na mëson Allahu se si ta kërkojmë ndërmjetësimin dhe afrimin tek Ai përmes mënyrave të lejuara.38 - Siratal-ledhine en’amte alejhim Në rrugën e atyre të cilët Ti i begatove - Ky është një shtjellim më i hollësishëm i ajetit paraardhës: “Na udhëzo në rrugën e drejtë!”. Kështu, “ siratal mustekim ” është rruga e atyre të cilëve Zoti u bëri mirësi. Po kush janë këta të zgjedhur e fatlumë? Këta i ka përmendur Allahu i Madhëruar në suren Nisa, ajeti 69: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata, të cilëve Allahu u ka dhuruar mirësi të shumta - me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me vepërmirët. Sa shokë të mirë janë ata!” El Dahhaku tregon se Ibn Abasi shpjegon: “Në rrugën e atyre të cilët Ti i begatove”, domethënë, ata që i begatove me mirësi dhe ua bëre mbarë të të binden dhe të të adhurojnë, qofshin melekë, profetë, të sinqertë dhe vepërmirë. Kjo ngjan me ajetin: “Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata, të cilëve Allahu u ka dhuruar mirësi të shumta - me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me vepërmirët. Sa shokë të mirë janë ata!” [Nisa 69]. Gjithashtu, ngjan me fjalën e Allahut: “Jo në rrugën e atyre, që merituan zemërimin (Tënd) dhe as në rrugën e të humburve!”. Pra, rruga e atyre që Zoti i begatoi me të mira është e ndryshme nga rruga e atyre që merituan zemërimin e Tij. Këta të mjerë janë ata të cilët i prishën synimet e tyre. Ata e njohën të vërtetën, por e shpërfillën dhe devijuan nga aj o, duke preferuar tjetër rrugë. Gjithashtu, rruga e atyre që Zoti i begatoi me të mira është e ndryshme edhe nga rruga e “të humburve”. Këta janë ata që nuk kishin dituri rreth të vërtetës dhe përqafuan rrugën e humbjes. Ata nuk morën rrugën e duhur për tek e vërteta, por vazhduan në padrejtësinë dhe humbjen e tyre. Vërej me kujdes fjalinë “jo në rrugën e atyre, që merituan zemërimin (Tënd) dhe as në rrugën e të humburve!” Allahu ka theksuar fjalët “dhe as” për të treguar se janë dy rrugë të devijimit nga e vërteta dhe jo një; pra, është rruga e jehudëve dhe rruga e të krishterëve. Ndërsa rruga e besimdrejtëve është ndërtuar mbi dy shtylla kryesore: dituria e saktë e burimore rreth të vërtetës, dhe puna sipas asaj diturie. Jehudët refuzuan të punonin me diturinë e saktë, ndërsa të krishterët refuzuan diturinë e saktë. Prandaj zemërimi goditi mbi jehudët dhe humbja përpiu të krishterët. Kështu, ai që e mëson të vërtetën dhe nuk punon sipas saj, meriton zemërimin e Zotit, ndryshe nga ai që nuk ka dituri. Ndërsa të krishterët, edhe pse mund të adhurojnë Zotin dhe t’i shprehin atij përunjësi, ata nuk e bëjnë këtë përmes rrugës së duhur që vetë Zoti e ka përcaktuar. Ata refuzojnë të pranojnë diturinë e vërtetë dhe rrugën e drejtë, duke e lënë veten në humbje dhe në errësirë. Në fakt, qoftë jehudët, qoftë krishterët janë të humbur dhe meritojnë zemërimin e Zotit, por cilësia e veçantë dalluese e jehudëve është se mbi ta ka rënë zemërimi i Zotit, ndërsa cilësia e spikatur e të krishterëve është fakti se ata nuk kanë dituri rreth të vërtetës dhe ndjekin kotësira. Kështu i përshkruan vetë Zoti, kur thotë për jehudët: “Thuaju: “A t’ju lajmëroj për një të keqe më të madhe se kjo, (që erdhi) si dënim nga Allahu? Ata mbi të cilët ra mallkimi i Allahut dhe zemërimi i Tij, ata që i shndërroi në majmunë e në derra dhe u bënë adhurues të Shejtanit - ata janë në gjendjen më të keqe dhe më të humburit prej rrugës së drejtë.” [Maide 60]. Ndërsa për të krishterët thotë: “Thuaju: “O ithtarë të Librit! Mos e teproni me fenë tuaj, duke dalë jashtë të vërtetës, dhe mos shkoni pas dëshirave të njerëzve para jush, që kanë humbur rrugën, kanë shkaktuar humbjen e shumë të tjerëve dhe që janë larguar shumë prej rrugës së drejtë”. [Maide 77]. Hamad Ibn Seleme sjell rrëfimin nga Adij Ibn Hatimi, i cili thotë: 33. “E pyeta të Dërguarin e Allahut rreth fjalës së Allahut: “Gajril magdubi alejhim” dhe më tha se ata janë jehudët. E pyeta, gjithashtu, për fjalën e Allahut: “Ue led-dal-lin (dhe as në rrugën e të humburve)” dhe më tha: “Të krishterët, ata janë të humburit.” Kështu e ka sjellë këtë hadith Sufjan Ibn Ujejne me senedin e tij deri tek Adij Ibn Hatimi. Ndërsa Ibn Merdauejhi sjell rrëfimin prej Ebu Dheri, që ka thënë: 34 “E kam dëgjuar Profetin e Allahut për “Gajril magdubi alejhim”, që tha: “Ata janë jehudët.” - “Po eddâl-lin, - e pyetën, - kush janë?” Ai tha: “Të krishterët.” Përmbledhje Kjo sure e mrekullueshme, me 7 ajete, ka përmbledhur në vete shumë dobi e mirësi. 1. Në të janë përmendur: lavdërimi i Allahut, madhërimi i Tij dhe përlëvdimi i përsëritur e i shumtë i Allahut, përmes emrave të bukur, që presupozojnë e tregojnë cilësitë e Tij të larta. 2. Është përmendur Dita e Premtuar, që është Dita e gjykimit dhe shpërblimit me drejtësi. 3. Ajo udhëzon besimtarët që t’i luten e përgjërohen vetëm Allahut, duke u distancuar nga çdo shirk dhe duke u distancuar gjithashtu nga çdo fuqi dhe forcë e tyre dhe për t’iu mbështetur tërësisht vetëm Allahut të Madhëruar. 4. Kjo sure na fton në sinqeritet dhe në përkushtim të adhurimeve veçse për Allahun, duke e njësuar në teuhidin uluhije, pra, në meritën e Tij për t’u adhuruar si një i vetëm dhe i pashoq, duke dëshmuar dhe deklaruar dëlirësinë e Tij nga çdo mangësi e kotësi dhe nga pasja e ndonjë partneri të ngjashëm apo si shembulli i Tij në çdo aspekt. 5. Kjo sure na mëson se si t’i lutemi Allahut dhe për çfarë t’i lutemi. 39 Ajo na mëson t’i lutemi të na udhëzojë në rrugën e drejtë. Ajo na mëson se kjo rrugë e drejtë është feja që Zoti e shpalli me vërtetësi e drejtësi, dhe ne duhet ta lusim që Ai të na udhëzojë në këtë rrugë, por edhe përgjatë kësaj rruge, si dhe të na forcojë dhe të na bëjë të palëkundur në të. Na mëson ta lusim Allahun të na forcojë që të ecim kësaj rruge, derisa të arrijmë ta kalojmë në Ditën e Gjykimit edhe Urën e Siratit, atë rrugë reale dhe fizike të prekshme, që është e vetmja rrugë që të shpie në Xhenetet e lumturisë dhe mirësive, pranë profetëve, të sinqertëve, dëshmorëve e punëmirëve. 6. Ajo na nxit për të bërë sa më shumë punë të mira, që të jemi pranë punëmirëve në Ditën e Gjykimit. 7. Ajo këshillon dhe paralajmëron që të kemi shumë kujdes dhe të mos ndjekim rrugët e humbjes dhe devijimit, në mënyrë që të mos ringjallemi me ata që i ndjekin ato rrugë. Ajo na mëson se rrugët e humbjes janë dy: “rruga e atyre që merituan zemërimin e Zotit” dhe “rruga e të humburve”. Mendo pak me kujdes bukurinë e formulimit të këtyre dy fjalive: “Në rrugën e atyre që u dhurove begati” dhe “jo në rrugën e atyre që merituan zemërimin”. Kur flitet për begatitë, thuhet se ishte Allahu Ai që ua dhuroi ato. Ndërsa kur foli për zemërimin, thuhet se ishin ata që e merituan zemërimin e nuk përmendet se ishte Allahu që u zemërua ndaj tyre, edhe pse dihet mirë se Allahu u zemërua me ta. Në të njëjtën mënyrë, i Madhëruari thotë në një ajet tjetër: “Atë që e udhëzon Allahu, ai është i udhëzuar dhe atë që Ai e lë në humbje, ti nuk do të gjesh për të asnjë Mbështetës që do ta çonte në Rrugën e Drejtë.” [Kehf 17]. “Për ata që Allahu i lë në humbje, nuk ka udhëzues. Ai do t’i lërë ata të enden në mosbesimin e tyre.” [A’raf 186], e të tjera ajete që tregojnë se udhëzimi dhe humbja të gjitha janë në dorën e Allahut e të askujt tjetër. Ky është besimi korrekt dhe i bazuar në argumente, ndryshe nga besimi i kaderive dhe atyre që ecin gjurmëve të tyre, të cilët pretendojnë se njeriu është tërësisht i pavarur nga Allahu dhe është vetë njeriu që e sjell udhëzimin ose humbjen. Këta argumentojnë me ajete që quhen muteshabihe, pra, jo shumë të qarta, dhe shpërfillin ajetet e qarta dhe qartësuese, të cilat e hedhin poshtë besimin e tyre të gabuar. E tillë është gjendja e të humburve dhe të devijuarve. Në një hadith të saktë, Profeti a.s ka thënë: 35 “Kur të shihni ata të cilët ndjekin ajetet e paqarta, dijeni se janë ata që i përmend Allahu, prandaj ruhuni prej tyre.” Këtu aludohet për fjalët e Allahut në suren Al Imran, ajeti 7: “Është Ai (Allahu) që ta zbriti ty (o Muhammed) Librin (Kur'anin). Në të ka ajete të qarta (muhkematun), të cilat janë baza e Librit. Në të ka ajete të tjera, që janë jo krejtësisht të qarta ( muteshabihat). Por ata zemrat e të cilëve anojnë nga e shtrembra, gjurmojnë ato që janë jo shumë të qarta, për të shkaktuar hutim, gjoja sikur kërkojnë komentin e tyre. Por, përveç Allahut, askush nuk e di domethënien e tyre. Dijetarët e pajisur me dituri të thellë thonë: “Ne i besojmë atij (Kur'anit). Të gjitha (ajetet) janë nga Zoti ynë.” Por këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të mençur.” Falë Zotit, bidatçiu dhe i devijuari nuk mund të gjejnë argument në Kur'an , sepse Kur'ani u zbrit që të jetë sqarues për gjithçka, për të ndarë të vërtetën nga e kota, udhëzimin e drejtë nga devijimi, dhe në të nuk mund të gjesh kundërthënie e padrejtësi. Ai është shpallja e Allahut të Urtë dhe të Lavdëruar.40 Ai që lexon suren Fatiha e ka të pëlqyeshme që të thotë pas saj ‘Amin!’. Kuptimi i kësaj fjale është: O Allah! Përgjigju dhe pranoje këtë lutje!” Mendimi më i saktë është se thënia “amin” është e pëlqyeshme për atë që është jashtë namazit. Ndërsa për atë që është në namaz, ky bëhet edhe më i fortë si urdhër, qoftë kur falet vetëm, qoftë kur falet me imam, qoftë për imamin, ashtu edhe për xhematliun, në të gjitha rastet. Argument për këtë është ajo që transmetohet në dy Sahihët nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti ﷺ ka thënë: 36: “Kur imami të thotë ‘ amin’, edhe ju thoni ‘amin’, sepse atij njeriu, amini i të cilit përkon me aminin e melekëve, kanë për t’iu falur gjynahet e shkuara.” Nga Ebu Hurejra transmetohet se “Pasi Profeti ﷺ lexonte “gajril magdubi alejhim ue led -dallin”, thoshte ‘Amin’ aq sa mund ta dëgjonin ata që ishin pas tij, në safin e parë.” Ndërsa Muslimi përcjell se Profeti ﷺ ka thënë: 37: “Nëse robi thotë në namazin e tij ‘ Amin’, edhe melekët thonë në qiell ‘ Amin’. Nëse përkojnë të dyja aminet bashkë, robit do ti falen gjynahet që shkuan.” Gjithashtu, Enesi tregon se Profeti ka thënë: 38 “Mua më është dhënë “amini” në namaz dhe gjatë lutjeve, gjë që nuk i është dhënë askujt tjetër para meje, përveç Musait. Prandaj mbarojeni lutjen me “ amin”, sepse kështu Allahu do t’ju përgjigjet juve”. Ajeti për të cilin aludohet këtu është fjala e Allahut në suren Junus 88: “Musai tha: “Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote dhe kështu, o Zoti ynë, ata po i largojnë njerëzit prej rrugës Sate. Zoti ynë! Zhduke pasurinë e tyre dhe vulosi zemrat e tyre që të mos besojnë derisa ta ndiejnë dënimin e dhembshëm!” Në këtë tekst thuhet qartë se është Musa ai që e bëri atë lutje. Por duke qenë se Allahu në ajetin tjetër thotë: “Ai tha: “Është pranuar lutja juaj (O Musa dhe Harun!). Prandaj përqendrohuni në rrugën tuaj e mos ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë!”, kjo tregon se Haruni bënte ‘Amin’, dhe kështu u konsiderua sikur bëri të njëjtën lutje si Musai. Kjo tregon se kush bën ‘Amin’ për një lutje, është njësoj sikur ta ketë thënë vetë atë lutje. Me këtë argumentojnë edhe ata që thanë se xhematliu nuk ka nevojë që të lexojë Fatihanë në namazet me zë, sepse mjafton që bën amin për leximin e imamit, dhe kështu ai konsiderohet njëlloj sikur e ka lexuar vetë.41

Mus'haf Hape →
Mumtehine 60:1–60:9 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… do të shtohet mohimi i tyre dhe do të shfrenohen edhe më tej në kalimin e kufijve. - “Ti je Ngadhënjimtari, i Urti!” – Ata thanë: “Ti je El Aziz - …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Shumë komentues të Kur'anit (Allahu i mëshiroftë!) kanë thënë se shkak për zbritjen e këtyre ajeteve të mrekullueshme u bë historia e Hatib Ibn Ebu Beltas. 31 Kur Profeti (a.s.) po përgatitej për të çliruar Mekën, Hatibi u shkroi kurejshëve, duke i njoftuar për qëllimin e Profetit (a.s.). Ai e bëri këtë veprim jo për shkak të hipokrizisë apo të ndonjë dyshimi në fe, por për shkak se familja e tij në Mekë ishte e pambrojtur, prandaj, me këtë shërbim ndaj kurejshëve, ai shpresonte të mbronte familjen e tij. Kështu, Hatibi e nisi mesazhin nëpërmjet një gruaje. Por Profeti (a.s.), që u njoftua menjëherë nga Allahu i Lartësuar për këtë veprim, dërgoi një grup burrash, të cilët e ndaluan gruan para se të mbërrinte në Mekë dhe ia morën mesazhin asaj. Profeti (a.s.) e qortoi rëndë Hatibin, i cili kërkoi ndjesë dhe paraqiti justifikimin e tij, të cilin Profeti (a.s.) e pranoi. 32 Në këto ajete ndalohet kategorikisht afrimi, miqësimi dhe aleanca me mohuesit, idhujtarët dhe armiqtë e Islamit. Nuk lejohet shfaqja e dashurisë dhe afrimitetit me ta, sepse kjo bie ndesh me imanin e vërtetë dhe është tërësisht në kundërshtim të plotë me fenë e Ibrahimit (a.s.), të dashurit të Allahut. Ky veprim është në kundërshtim edhe me logjikën e pastër e të drejtë, sipas të cilës besimtarët duhet të tregojnë kujdes shumë të madh në marrëdhëniet me armiqtë e tyre. Ata duhet të jenë shumë vigjilentë, sepse dihet mirë se pala kundërshtare nuk lë mënyrë pa provuar, për të realizuar qëllimet e tyre armiqësore. Ata shfrytëzojnë çdo rast që u jepet për të dëmtuar ose shkatërruar besimtarët. Thotë Allahu i Lartësuar: - “O ju që keni besuar...” – Kështu, Allahu iu drejtohet besimtarëve pikërisht me cilësinë e tyre të besimit, duke i orientuar në këtë mënyrë që të kryejnë çdo detyrim që u dikton imani i tyre. Ndër veprat më të rëndësishme që kërkon imani është shprehja e dashurisë, afërsisë, solidaritetit dhe aleancës me ata që përpiqen të përsosen si besimtarë, nga njëra anë, dhe distancimi, mosafrimi dhe armiqësia me ata që janë armiq të besimtarëve, nga ana tjetër. Ky është kusht themelor i besimit të vërtetë. Atëherë, duke u nisur nga kjo shenjë dalluese e tyre, i Lartësuari thotë besimtarëve: - “...Mos i bëni miq armiqtë e Mi dhe armiqtë tuaj, duke treguar dashuri ndaj tyre, sepse ata e mohojnë të vërtetën që ju ka ardhur!” - Kurrë mos nxitoni dhe të bini në atë gradë të ulët, duke u shprehur dashuri, afrimitet dhe mbështetje qafirëve dhe idhujtarëve! Kjo do të thotë që ne duhet të largohemi nga çdo shkak dhe rrugë që sjell një afrimitet të tillë. Nëse në zemrën e dikujt zë vend dashuria për ta, atëherë ajo, pa dyshim, do të pasohet nga solidariteti me ta. Ky veprim e nxjerr robin nga imani, duke e bërë atë njësh me mohuesit dhe duke e larguar nga besimtarët. Gjithashtu, miqësia dhe afrimiteti me qafirët është tregues i mungesës së personalitetit dhe logjkës së shëndoshë. Si është e mundur që një besimtar të miqësohet ose të ndihmojë armikun e përbetuar të tij, i cili synon veçse të keqen e tij, i cili kundërshton Zotin e tij dhe është armiku i miqve të tij, të cilët i duan të mirën, duke e këshilluar dhe ndihmuar për ta arritur atë të mirë?! Shkak tjetër i armiqësimit me qafirët është edhe fakti që ata e mohojnë të vërtetën, të cilën besimtarët e besojnë, jetojnë sipas saj dhe e propagandojnë. Pa dyshim, nuk ka arsye më të fortë për të urryer sesa kjo. Qafirët mohojnë themelet e fesë së besimtarëve dhe pretendojnë se ata janë të humbur, jo në rrugë të drejtë dhe jo të mbështetur në fakte. Ata mohojnë të vërtetën, e cila nuk të lë asnjë dyshim në saktësinë e saj, dhe dihet mirë se çdokush që refuzon të vërtetën, nuk ka asnjë argument e fakt që të vërtetojë saktësinë e mendimit të tij. Mjafton të njohësh të vërtetën dhe e kupton qartë kotësinë e çdo mendimi që e kundërshton atë. Përveç këtyre, muslimanët nuk duhet të harronin krimet dhe armiqësinë e mohuesve kundër Profetit (a.s.) dhe besimtarëve të tjerë. Për t’ua kujtuar këtë fakt, Allahu i Lartësuar thotë: - “Ata kanë dëbuar të Dërguarin dhe ju, vetëm se besoni Allahun, Zotin tuaj.” - Ata ju kanë përndjekur dhe dëbuar nga vendi juaj pa asnjë të drejtë. I vetmi “krim” është se ju besoni Allahun, Zotin tuaj, ndërkohë që është detyrë për të gjitha krijesat, pa përjashtim, që synim kryesor të tyre të kenë përsosjen e adhurimit ndaj Tij. Të gjithë duhen të përkushtohen në adhurimin ndaj Allahut të Madhëruar, sepse Ai i krijoi, Ai i rregullon çështjet e tyre dhe përkujdeset për ta. Ai që u dhuron atyre çdo mirësi të dukshme apo të fshehur është Allahu i Lartësuar. Por mohuesit i kthejnë shpinën këtij qëllimi, i cili është detyrimi më madhor i të gjithë detyrimeve. Ndërsa besimtarët përpiqen ta plotësojnë këtë detyrim, qafirët tregojnë armiqësi duke i dëbuar nga vendet e tyre. Atëherë çfarë feje, personaliteti, logjike dhe arsyetimi i mbeten robit, nëse ai afrohet dhe miqësohet me jobesimtarët, që i kanë këto cilësi në çdo kohë dhe çdo vend?! Ata të mallkuar nuk i ndalon asgjë nga shfaqja e urrejtjes dhe armiqësisë së tyre kundrejt muslimanëve, veçse ndonjë pengesë e fortë ose frika e madhe. - “Mos u miqësoni me ta, nëse vërtet keni dalë për hir të luftës në rrugën Time, duke kërkuar kënaqësinë Time ndaj jush!” - Nëse ju vërtet keni dalë të luftoni për të ngritur lart fjalën e Allahut dhe duke synuar kënaqësinë e Allahut, atëherë plotësoni kushtet që nevojiten për këtë qëllim. Sigurisht, një nga kushtet kryesore që duhet realizuar është dashuria, miqësia dhe ndihma e të dashurve të Allahut, si edhe urrejtja e armiqësia kundër armiqve të tyre. Ky është xhihadi në rrugën e Zotit, një nga veprat më të mëdha që afron besimtarët me Zotin e tyre. - “Ju u shprehni fshehurazi atyre miqësi, por Unë e di shumë mirë se çfarë mbani të fshehur dhe çfarë shfaqni haptazi.” - Si është e mundur që ju u shprehni dashurinë, miqësinë dhe mbështetjen tuaj mohuesve të Zotit dhe të fesë së Tij, armiqve të besimtarëve, dhe pastaj mundoheni ta fshihni një gjë të tillë, ndërkohë që e dini se Allahu i Madhëruar është i Gjithëditur për ato që ju fshihni dhe shfaqni hapur?! Nëse ju arrini t’ua fshini ligësitë tuaja besimtarëve, dijeni mirë se Allahut të Lartësuar nuk mund t’i fshihet asgjë. Allahu i Lartësuar, me dijen e Tij absolute, ka për t’i shpërblyer robtë për të mirat dhe të këqijat e tyre, të bëra haptazi apo fshehtazi. - “Kush vepron kështu, ka devijuar nga rruga e drejtë.” - Ata që zënë miq mohuesit dhe i mbështesin ata, pas këtij qortimi nga Allahu i Lartësuar, le ta dinë se i kanë hyrë një rruge, e cila bie ndesh me fenë e Zotit, me logjikën e drejtë dhe me dinjitetin njerëzor. Për të ngjallur urrejtjen dhe armiqësinë ndaj mohuesve, Allahu i Lartësuar u kujton besimtarëve egërsinë e mohuesve ndaj tyre: - “Nëse ata ju mundin, do të jenë armiqtë tuaj e do t’ju godasin me duart dhe gjuhën e tyre. Ata do të dëshironin shumë që edhe ju të bëheshit jobesimtarë.” - Nëse qafirëve u jepet mundësia për t’ju munduar, torturuar dhe poshtëruar, ata asnjëherë nuk kursehen të godasin ashpër. Në çdo rast, ata ju godasin me duart e tyre për t’ju vrarë e poshtëruar. Edhe gjuha e tyre e hidhur nuk resht së luftuari me shpifje e fyerje kundër jush. Gjithçka që mohuesit dëshirojnë prej jush është thjesht t’ju nxjerrin nga feja juaj. Nëse ju përsëri arsyetoni dhe thoni se “ne afrohemi dhe miqësohemi me mohuesit, për shkak të lidhjeve farefisnore” ose “për shkak të tregtisë dhe pasurisë”, atëherë dijeni se: - “Nuk do t’ju bëjnë dobi farefisi e as fëmijët tuaj. Ditën e Kijametit Allahu do të bëjë ndarjen mes jush. Allahu sheh gjithçka që punoni ju. ” - Allahu ju tërheq vërejtjen, që ju të mos miqësoheni me mohuesit, sepse kjo është në dëmin tuaj. - “Një shembull i mirë për ju janë Ibrahimi dhe ata që ishin me të,...” - Për ju, o besimtarë, shembulli më i mirë, nga i cili mund të mësoni shumë, është Ibrahimi (a.s.) dhe besimtarët që e shoqëronin atë. Ju jeni urdhëruar që të pasoni fenë e Ibrahimit, i cili ishte “ hanifa” - besimdrejtë, që besonte një Zot të vetëm dhe i distancuar nga adhurimi dhe adhuruesit e gjithçkaje tjetër veç Allahut. Ibrahimi (a.s.) dhe besimtarët që ishin me të u distancuan nga populli i tyre idhujtar dhe nga çdo adhurim tjetër, veç adhurimit të Allahut. Madje, ata e deklaruan hapur distancimin e tyre kundër mohuesve, duke thënë: - “...kur i thanë popullit të vet: “Ne distancohemi prej jush dhe prej çfarë adhuroni ju veç Allahut. Ne ju mohojmë dhe armiqësia ndërmjet nesh është e hapur,...” - Ne distancohemi tërësisht prej jush dhe prej atyre që ju adhuroni krahas Allahut. Tashmë armiqësia mes nesh është e shpallur. Zemra e besimtarit nuk duhet të ketë asnjë lloj dashurie apo animi ndaj mohuesve, ndërsa armiqësia duhet të shfaqet me veprime konkrete. Kjo urrejtje dhe armiqësi nuk ka kufizim kohe dhe vendi, porse vazhdon për sa kohë ata vazhdojnë me mohimin e tyre, siç thuhet më pas: - “...derisa ju ta besoni Allahun si Një e të Vetëm!” - Nëse e besoni Allahun si Një të vetëm, duke kryer adhurimin e kërkuar, atëherë vendin e urrejtjes dhe armiqësisë ndaj jush do ta zerë dashuria, miqësia dhe mbështetja. Ky është shembulli për ju, o besimtarë! Shikoni dhe mësoni nga Ibrahimi (a.s.) dhe besimtarët që ishin me të, që të përsosni imanin dhe teuhidin. Prej shembullit të Ibrahimit (a.s.) do të mësoni të plotësoni të gjitha veprat dhe adhurimet tuaja. - “Por mos e merni si shembull fjalën e Ibrahimit drejtuar babait të vet (mosbesimtar)...” - Përjashtim bën vetëm një gjë. Ju nuk duhet ta merrni si shembull atë për fjalët që i tha Azerit, babait të tij idhujtar, i cili ishte mohues dhe armik i së vërtetës. Ibrahimi (a.s.) e ftoi atë në besim dhe në teuhid, por ai refuzoi me forcë. Atëherë, Ibrahimi tha: - ““Unë do të kërkoj falje për ty, por nuk kam asnjë mundësi për ty para Allahut!”.” - Unë do të kërkoj falje për ty, edhe pse e di mirë se nuk kam asnjë mundësi që të të mbroj prej Allahut dhe ndëshkimit të Tij. Gjithsesi, po e lus Zotin Tim, duke shpresuar që të mos gjej kurrë dëshpërim. Pra, nuk duhet të merret si shembull Ibrahimi (a.s.) për të kërkuar falje për një mushrik. Askush të mos lutet për idhujtarët dhe të pretendojë që po ndjek traditën e Ibrahimit. Allahu i Lartësuar e përmend arsyen e Ibrahimit (a.s.) për këtë veprim në një ajet tjetër: “Edhe lutja e Ibrahimit për babain e vet u bë veçse për shkak të një premtimi, që ai kishte bërë më parë. Por kur iu bë e qartë se ai ishte armik i Allahut, ai u largua prej tij. Me të vërtetë, Ibrahimi ishte shumë i ndjeshëm dhe i butë.”[Teube 114]. Ibrahimi (a.s.) dhe besimtarët që ishin me të, le të jenë shembull për ju edhe për lutjen e mrekullueshme që ata i drejtuan Allahut, për mbështetjen e tyre të plotë tek Ai, për kthimin e tyre të penduar e të nënshtruar tek Allahu i Lartësuar, si edhe për shprehjen e dobësisë dhe nevojës së tyre tek Allahu i Lartësuar, kur thanë: - (Thoni) “Zoti ynë, vetëm Ty të mbështetemi, vetëm para Teje pendohemi dhe vetëm tek Ti është kthimi ynë. - Ata u lutën: “O Zoti ynë, vetëm Ty të mbështetemi për arritjen e çdo gjëje që na sjell të mira dhe për largimin e çdo gjëje që na dëmton dhe është e keqe. Vetëm tek Ti kemi besim, o Zoti ynë, dhe të gjitha çështjet tona i kemi lënë në dorën Tënde. Vetëm tek Ti kthehemi të penduar e të nënshtruar, për t’iu bindur porosive të Tua, për të kryer çdo gjë që të kënaq Ty dhe që na afron drejt Teje. Ky është qëllimi ynë, për të cilin ne nxitojmë, garojmë dhe bëjmë punë të mira. Ne jemi të bindur se tek Ti do të kthehemi një ditë, prandaj përgatitemi duke kryer çdo vepër që na afron pranë Teje.” Lutja e tyre vazhdon: - Zoti ynë, mos na bëj sprovë të atyre që nuk besojnë dhe falna, o Zoti ynë! - Mos u jep jobesimtarëve pushtet mbi ne, për shkak të gjynaheve tona, që ata të na nënshtrojnë dhe poshtërojnë, të na sprovojnë në besimin tonë dhe të na ndalojnë me ç’të munden nga feja jonë. Mos na bëj sprovë për ta, sepse nëse ata e shohin veten fitimtarë mbi ne, do të mashtrohen e do të mendojnë se janë me të vërtetën, kurse ne me të kotën dhe, në këtë mënyrë, do të shtohet mohimi i tyre dhe do të shfrenohen edhe më tej në kalimin e kufijve. - “Ti je Ngadhënjimtari, i Urti!” – Ata thanë: “Ti je El Aziz - Krenari, Ngadhënjimtari, Mposhtësi i gjithçkaje. Ti je El Hakim - i Urti, i Cili e vendos çdo gjë në vendin e vet. Me krenarinë dhe urtësinë Tënde, na ndihmo dhe na jep fitore kundër armiqve tanë! Na i mbulo dhe i fal gjynahet tona! Na i rregullo të metat dhe mangësitë tona!” Pastaj Allahu i Lartësuar e përsërit inkurajimin e marrjes si shembull të Ibrahimit dhe besimtarëve që ishin me të, duke thënë: - “Vërtet, këta njerëz janë një shembull i mirë...” - Por pasimi i këtij shembulli do të jetë i lehtë jo për të gjithë. Ai do të jetë i lehtë vetëm për ata që kanë një cilësi shumë të rëndësishme: - “...për ata që shpresojnë tek Allahu dhe Dita e Fundit.” - Besimi në jetën tjetër, te dhënia e llogarisë, te shpërblimi dhe ndëshkimi në varësi të veprave, ia lehtëson robit çdo gjë të vështirë. Besimi në takimin me Allahun dhe shpërblimi për veprat e mira është një inkurajim i fortë për të marrë si shembull profetët e Allahut dhe adhuruesit e sinqertë të Tij. Madje, siguria e plotë në takimin me Allahun dhe shpresa e madhe për shpërblimin e Tij bën që robi ta ndiejë si detyrë pasimin e rrugës së këtyre të zgjedhurve. - “Kushdo që kthen shpinën, le ta dijë se Allahu është Jonevojtari e i Lavdëruari!” - Ai që i kthen shpinën bindjes ndaj Allahut dhe rrugës së profetëve të Tij ka për të dëmtuar veçse veten e vet. Ai nuk mund të dëmtojë aspak Allahun e Lartësuar, sepse Ai është El Ganij - i Pasuri, që nuk ka asnjë nevojë për krijesat e Tij. Atij i takon pasuria absolute e pavarësia në çdo aspekt. Allahu nuk ka nevojë për asgjë të krijesave të Tij. Ai është El Hamid - i Lavdishmi dhe i Lavdëruari në Qenien, emrat, cilësitë dhe veprat e Tij. Allahut i takon falënderimi, mirënjohja, lavdërimi dhe lavdia e plotë! Është e vërtetë që Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar që t’i urrejmë dhe t’i konsiderojmë armiq qafirët dhe idhujtarët, për sa kohë ata vazhdojnë në kufrin dhe idhujtarinë e tyre. Por nëse ata kthehen në besimin e drejtë dhe të saktë, atëherë gjykimi për ta ndryshon: vendin e urrejtjes dhe armiqësisë e zë dashuria dhe vëllazëria e besimit. Allahu i Lartësuar na tregon se edhe kjo mund të ndodhë, kur thotë: - “Ndoshta Allahu do të vendosë miqësi ndërmjet jush dhe atyre me të cilët kishit armiqësi. Allahu është i Plotfuqishëm. Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Mos e humbisni shpresën, o besimtarë, se ata edhe mund të kthehen në besim, dhe nëse ata kthehen në besim, Allahu i Lartësuar do të bëjë që mes jush të vendoset dashuria për hir të fesë. Allahu është Kadir - i Plotfuqishëm për çdo gjë. Pjesë e pushtetit të Tij është udhëzimi i zemrave dhe ndryshimi i tyre nga një gjendje në një gjendje tjetër. Gjithashtu, Allahu është Gafuru Rahim - Falës i Madh e Mëshirëplotë. Me pendimin e sinqertë dhe të vërtetë, asnjë gjynah nuk mund të jetë shumë i madh për Të që Ai ta falë dhe asnjë mangësi dhe turp nuk është e pamundur për Të që ta mbulojë dhe ta fshijë. I Lartësuari thotë në një ajet: “Thuaj: “Thuaj: “O robtë e Mi, të cilët e keni ngarkuar shpirtin tuaj me shumë gjynahe! Mos e humbni shpresën në Mëshirën e Allahut! Allahu i fal të gjitha gjynahet. Ai është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.” Kthehuni te Zoti juaj (me pendim) dhe dorëzojuni Atij para se t’ju vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë! Dhe ndiqni më të mirën e asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj, para se t’ju vijë dënimi – krejt papritur e pa e marrë vesh. Dhe askush të mos thotë: “Ah i mjeri unë që e shpërfilla adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut dhe qeshë nga ata që talleshin (me besimin dhe besimtarët)!” Ose të mos thotë: “Sikur të më kishte udhëzuar Allahu (në rrugë të drejtë) , unë me siguri do të kisha qenë prej të devotshmëve.” Apo, kur ta shohë dënimin të thotë: “Sikur të isha kthyer edhe një herë (në dynja) unë me siguri do të isha prej vepërmirëve.” Jo. Ty të patën ardhur argumentet e Mia dhe ti i përgënjeshtrove ato, u tregove kryeneç dhe u bëre prej atyre që e mohojnë Besimin (e vërtetë).” [Zumer 53 – 59]. Ky ajet paralajmëronte se shumë nga ata që ishin fillimisht idhujtarë dhe armiq të besimtarëve, do të pranonin Islamin më vonë. Dhe, vërtet, ashtu ndodhi, dhe të gjitha lavdërimet i qofshin Zotit! Sapo u shpallën këto ajeteve të mrekullueshme, që nxisnin urrejtjen dhe armiqësinë ndaj qafirëve, besimtarët i zbatuan me përpikmëri. Madje, shumë prej tyre u ndien në faj edhe për mbajtjen e lidhjeve farefisnore me të afërmit e tyre idhujtarë, duke menduar gabimisht se e tillë ishte porosia e Allahut të Lartësuar. Por Allahu i Madhëruar i sqaroi më tej besimtarët, duke u thënë: - “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftojnë për shkak të fesë e që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë. ” - Allahu i Lartësuar nuk ju ndalon nga bamirësia, komunikimi dhe mirësjellja ndaj farefisit. Ai nuk ju ndalon nga mbajtja e drejtësisë dhe barazisë me idhujtarët, qofshin ata farefisi juaj apo jo, nëse ata nuk luftojnë kundër jush dhe nuk ju dëbojnë nga shtëpitë tuaja. Ruajtja e marrëdhënieve me ta në të tilla kushte nuk është e ndaluar dhe as e dëmshme. Në lidhje me marrëdhëniet që duhet të ketë muslimani me prindërit idhujtarë, Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Dhe Ne e kemi urdhëruar njeriun që të jetë bamirës ndaj prindërve të tij. Nëna e vet e barti atë mund pas mundi dhe pas dy vjetësh ia ndau gjirin. (E porositëm) "Të jesh mirënjohës ndaj Meje dhe ndaj dy prindërve tu. Vetëm tek Unë është kthimi juaj. E nëse ata të dy të shtyjnë që ti të më bësh Mua shok (në adhurimin për Mua), për çka ti nuk ke kurrfarë dijeje, atëherë mos iu bind atyre, por në çështjet e jetës së kësaj bote të sillesh mirë me ta. Pasoje (me përkushtim) rrugën e atij që është kthyer (i penduar e i nënshtruar) drejt Meje. Në fund, ju tek Unë do të ktheheni të gjithë dhe Unë do t’jua tregoj atë që keni bërë.” [Lukman 14, 15]. - “Allahu ju ndalon t’u afroheni vetëm atyre që ju luftojnë për shkak të fesë, që ju nxjerrin prej shtëpive tuaja dhe që ndihmojnë në dëbimin tuaj. Ai ju ndalon të miqësoheni me ta. ” - Porosia e Allahut për distancim, urrejtje dhe armiqësi iu referohet: - atyre që ju luftojnë për shkak të fesë tuaj, në emër të urrejtjes dhe armiqësisë ndaj Allahut dhe besimtarëve të Tij; - atyre që ju dëbojnë nga shtëpitë dhe pronat tuaja, për shkak të fesë. - atyre që ndihmojnë të tjerët që t’ju luftojnë për fenë tuaj dhe që t’ju nxjerrin nga shtëpitë dhe pronat tuaja. Kështu, Allahu i Lartësuar na ndalon që t’u japim dashuri dhe mbështetje të tillë njerëzve, me vepra ose me fjalë. Ndërsa për sa i përket mirësjelljes me të afërmit apo me njerëzit në përgjithësi, ajo kurrsesi nuk është e ndaluar. Madje, atë e përfshin urdhri i përgjithshëm i Allahut të Lartësuar për bamirësi, bujari dhe moral të mirë. - “Kushdo që miqësohet me ta, është zullumqar!” - Madhësia e kësaj padrejtësie është e lidhur me nivelin e përkrahjes dhe bashkëpunimit me ta në padrejtësinë e tyre. Nëse përkrahja ose bashkëpunimi me ta në luftën kundër muslimanëve është i plotë, atëherë kjo vepër konsiderohet kufër që të përjashton nga Islami. Poshtë këtij niveli ka vepra të tjera, që mund të jenë shumë pranë kufrit ose larg tij.

Mus'haf Hape →
Nisa 4:11–4:12 Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman)

… nga Sheriati si “dy të tretat” nuk shtohet me rritjen e numrit të femrave trashëgimtare, por, nga dy e sipër, ato të gjitha janë pjesëmarrëse në dy të …

▾ Teksti i plotë▴ Mbyll

Allahu i Lartësuar i ka qartësuar plotësisht dispozitat për trashëgiminë, në Kur’ân dhe në Sunetin e Profetit të Tij. Tekstet themelore ku mbështeten këto dispozita janë: 1. Ajetet 11, 12 të kësaj sureje, që tashmë po shpjegohen. 2. Ajeti i fundit i po kësaj sureje, pra, ajeti 176. 3. Hadithi i Abdullah Ibn Abasit, i sjellë nga Buhariu: “Jepuni trashëgiminë atyre që u takon. Ajo që mbetet, le t’i jepet mashkullit më të afërt (të të ndjerit).” Këto tekste përfshijnë të gjitha argumentet që rregullojnë dispozitat për trashëgiminë, sikurse do të shtjellohet më poshtë. Përjashtim bën vetëm rasti i trashëgimisë që meritojnë gjyshet, për të cilin shërben si mbështetje hadithi që ndodhet në “ Sunen”, i përcjellë prej Mugira Ibn Shu 'bes dhe Muhamed Ibn Meslemes, të cilët tregojnë se Profeti (a.s.) ka përcaktuar që gjysheve t’u jepet një e gjashta e pasurisë së lënë, dhe dijetarët janë në konsensus për këtë çështje. Kështu, Allahu i Lartësuar thotë: - “Allahu ju urdhëron kështu për fëmijët tuaj:” - Allahu i Lartësuar ua drejton këtë porosi të mrekullueshme të gjithë atyre që janë prindër, të cilët Ai i ka begatuar me fëmijë: Allahu i Lartësuar ju ka dhuruar këtë mirësi (fëmijët), por ju ka ngarkuar edhe me përgjegjësi për ta. Ai jua ka lënë fëmijët në kujdesin tuaj, ndërkohë që ju keni detyrime kundrejt tyre. Ju duhet të kujdeseni si për fenë, ashtu edhe për çështjet e dynjasë së tyre. Ju duhet t’i mësoni dhe t’u jepni edukatën më të mirë. Ju duhet t’i ndaloni ata nga çdo gjë që dëmton besimin dhe dynjanë e tyre. Ju duhet t’i brumosni me dashurinë për Allahun dhe me bindjen ndaj urdhrave të Tij. Ju duhet t’i edukoni që gjithmonë dhe në çdo situatë të jenë të devotshëm dhe të përkushtuar ndaj Allahut të Lartësuar, sikurse thotë Ai në një ajet tjetër: “ O ju që keni besuar! Ruajeni veten dhe familjen tuaj prej Zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët! Atë e mbikëqyrin melekë të rreptë e të ashpër, që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron. Ata zbatojnë gjithçka për të cilën urdhërohen. ” [Tahrim 6]. Kështu, Allahu i Lartësuar na ka porositur për t’u kujdesur në mënyrë të veçantë për fëmijët. Ne duhet ta plotësojmë dhe ta çojmë në vend këtë porosi; në të kundërt, nëse e shpërfillim, do të meritojmë ndëshkimin e rëndë. Ajeti tregon, gjithashtu, se Allahu i Lartësuar është më i mëshirshëm sesa prindi me fëmijët e tij, sepse Ai i porosit prindërit për të plotësuar detyrimet ndaj fëmijve, edhe pse prindërit, për nga natyra, janë të kujdesshëm ndaj tyre.17 Më pas, Allahu i Lartësuar tregon mënyrën e shpërndarjes së pasurisë: - “...mashkullit i takojnë sa për dy femra.” - Këtu bëhet fjalë për fëmijët (bijtë dhe bijat) dhe për fëmijët e djemve (domethënë, nipat dhe mbesat), nëse babai i tyre nuk është gjallë, sepse, në të kundërt, është babai i tyre që përfiton nga trashëgimia dhe jo ata. Gjithashtu, këta përfitojnë në pjesën e mbetur nga ndarja mes trashëgimtarëve parësorë (që meritojnë furud-et). Kjo pjesë e mbetur ndahet mes tyre po me të njëjtin raport, pra, për mashkullin sa për dy femra. Ky është mendimi unanim i dijetarëve. Me fjalë të tjera, nëse fëmijët e lindur nga i ndjeri janë gjallë, trashëgimia u takon atyre, ndërsa fëmijët e tyre (d.m.th., nipërit dhe mbesat e të ndjerit) nuk përfitojnë gjë. Kështu veprohet kur fëmijët (e lindur nga i ndjeri) janë meshkuj dhe femra. Por kemi edhe dy raste të tjera që duhen sqaruar: 1. Nëse fëmijët trashëgimtarë janë vetëm meshkuj. Ky rast do të shpjegohet më pas. 2. Nëse fëmijët trashëgimtarë janë vetëm femra. Këtë Allahu i Lartësuar e ka sqaruar në vijim të këtij ajeti, kur thotë: - “Nëse (trashëgimtarët) janë vetëm femra dhe më shumë se dy, atyre u takojnë dy të tretat e pasurisë që ai lë pas...” – Pra, nëse janë vetëm femra, qofshin ato bija apo mbesa (vajza të djemve), tri në numër a më shumë, atyre u takojnë dy të tretat e pasurisë, të cilën e ndajnë në mënyrë të barabartë mes tyre. - “...e nëse është vetëm një femër, asaj i takon gjysma.” - Por nëse është një femër e vetme, qoftë bijë apo mbesë (vajza e djalit), asaj i takon gjysma e pasurisë. Kjo është e pranuar në mënyrë konsensuale nga dijetarët, pa ndonjë kundërshtim mes tyre. Lind pyetja: Gjykimi për rastin kur janë tri femra e më shumë dhe për rastin kur është një e vetme është i përcaktuar qartë me unanimitet. Po kur janë dy pasardhëse, cili është argumenti që edhe në këtë rast ato përfitojnë dy të tretat e pasurisë? Përgjigjja është te thënia e Allahut të Lartësuar: “...e nëse është vetëm një femër, asaj i takon gjysma.” Pra, duke qenë se kur është një, asaj i takon një e dyta, atëherë, nëse janë dy, gjykimi zbret në masën që vijon pas një të dytës. Pas një të dytës, prej pjesëve të përcaktuara nga Sheriati, vjen pjesa dy të tretat.18 Gjithashtu, këtë gjykim e përforcon edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “...mashkullit i takojnë sa për dy femra”. Nëse trashëgimtarët janë një djalë dhe një vajzë, atëherë, sipas këtij ajeti, djalit duhet t’i takojë dyfishi i pjesës së vajzës. Por dihet dhe është i pakundërshtueshëm fakti që djalit në këtë rast i takojnë dy të tretat. Atëherë, sipas ajetit, dy vajzave u takojnë dy të tretat. Po kështu, në rastin në fjalë, kur trashëgimtarët janë një djalë dhe një vajzë, kësaj të fundit i takon një e treta, pra, sa gjysma e pjesës së vëllait të saj. Dihet se kur rival është vëllai i saj, kjo e cenon pjesën e saj më shumë sesa në rastin kur rivale është motra. Atëherë, sipas logjikës, themi: nëse ajo meriton një të tretën kur rival është vëllai, kjo tregon se në rastin kur rivale është motra e saj, ajo e meriton më tepër një të tretën. Po kështu, Allahu i Lartësuar ka përcaktuar që, nëse trashëgimtare janë vetëm dy motrat e të ndjerit, atyre u takojnë dy të tretat. Në ajetin e fundit të kësaj sureje, i Lartësuari thotë: “Në qoftë se janë dy motra (që trashëgojnë), atyre të dyjave u takojnë dy të tretat që lë ai. ” Duke qenë se dy motrat, të cilat për nga afërsia dhe merita për trashëgiminë qëndrojnë më larg sesa bijat, meritojnë dy të tretat, atëherë është më e pranueshme që edhe dy vajzat të meritojnë dy të tretat. Po kështu ka vepruar Profeti (a.s.), i cili dy vajzave të Sadit u dha dy të tretat e pasurisë së tij, sipas një hadithi sahih. Në përfundim, del edhe një pyetje tjetër: Çfarë dobie synohet kur thuhet shprehimisht: “Nëse (trashëgimtarët) janë vetëm femra dhe më shumë se dy...”? A nuk kuptohet kjo thjesht nga fakti që, nëse janë më shumë se një, ato kanë gjykimin e shumësit? Allahu e di më mirë, por, ndoshta, qëllimi këtu është për të treguar se pjesa e përcaktuar nga Sheriati si “dy të tretat” nuk shtohet me rritjen e numrit të femrave trashëgimtare, por, nga dy e sipër, ato të gjitha janë pjesëmarrëse në dy të tretat. Nëse trashëgimtarët janë një vajzë dhe një mbesë (vajzë djali) apo më shumë mbesa, atëherë ato janë pjesëtare në 2/3 -at. Ndarja bëhet kështu: vajzës i takon 1/2 e trashëgimisë së lënë, ndërsa mbesave (vajzave të djalit), prej dy të tretave që është përcaktuar nga Sheriati për to (vajzat dhe vajzat e djemve) që të marrin, u mbetet një e gjashta. Pra, atyre u jepet një e gjashta, e cila është quajtur ndryshe “plotësuesja e dy të tretave”. Po kështu gjykohet edhe në rastin kur trashëgimtare janë vajza e djalit (të të ndjerit) me vajzat e djalit të saj (pra, stërmbesat e të ndjerit). Ajeti tregon se nëse vajzat dhe vajzat e djalit (pra, mbesat) marrin dy të tretat, atëherë vajzat e djemve (stërmbesat) poshtë tyre nuk marrin gjë, sepse ashtu del që pjesa e tyre të jetë më e madhe se dy të tretat. Pra, nëse dy të tretat plotësohen, atëherë nuk lejohet të shtohet mbi të, sepse kjo do të kundërshtonte tekstin kur’ânor. Të gjitha këto rregulla janë të pranuara unanimisht nga dijetarët dhe, për këtë, falënderimi i plotë i takon vetëm Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar duke treguar se nga çfarë pasurie përfitojnë trashëgimtarët, thotë: “Nëse (trashëgimtarët) janë vetëm femra dhe më shumë se dy, atyre u takojnë dy të tretat e pasurisë që ai lë pas.” Te pasuria që i vdekuri lë pas hyjnë pronat e paluajtshme si tokat, shtëpitë etj., por edhe pasuritë e luajtshme me të gjitha llojet e tyre, si: floriri, argjendi, madje edhe rrobat. Madje, edhe “shpagimi për vrasjen” ( ed-dijetu), të cilin i ndjeri e ‘përfiton’ veçse pas vdekjes, hyn në pasurinë që ndahet si trashëgimi. Si pasuri e tij llogariten edhe borxhet që të tjerët ende nuk ia kanë shlyer atij etj. Të gjitha këto, pra, llogariten si pasuri që duhet të ndahet mes trashëgimtarëve. Më pas, Allahu i madhëruar përmend pjesën e prindërve të të ndjerit në trashëgimi: - “Për prindërit, për secilin prej tyre, jepet një e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri), nëse ka fëmijë.” - Pra, nënës dhe babait, domethënë secilit prej tyre, i takon një e gjashta e trashëgimisë, nëse i vdekuri ka lënë pas fëmijë ose fëmijë fëmijësh, meshkuj apo femra qofshin, një apo shumë. Nëna nuk merr më shumë se një e gjashta nëse i vdekuri ka lënë pas një fëmijë. Babai nuk merr më shumë se një e gjashta nëse i vdekuri ka lënë pas fëmijë meshkuj. Por nëse fëmijët janë një vajzë ose shumë vajza, dhe mbetet diçka pas shpërndarjes së pjesëve të secilit, për shembull, kur trashëgimtarë janë babai nëna dhe dy vajza, ajo mbetje i takon babait (tea’ŝib). Nëse nuk mbetet gjë, atëherë atij i takon vetëm pjesa e përcaktuar e tij, pra, një e gjashta. Kjo sepse, pasi i është dhënë secilit prej trashëgimtarëve pjesa e përcaktuar me ligj (farđ), ajo që mbetet i takon mashkullit më të afërt, dhe babai është më i afërt se vëllai, xhaxhai e kështu me radhë. - “Në qoftë se (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta.” - Ndërsa babait i takon ajo që mbetet, sepse vetëm babai dhe nëna janë trashëguesit. Nga kjo kuptohet se, nëse i vdekuri nuk ka lënë pas fëmijë, nëna merr pjesën e saj, ndërsa babai merr gjithë pjesën e mbetur ose atë që lënë trashëgimtarët e tjerë, nëse ka. Por nëse veç prindërve, e vdekura ka lënë pas bashkëshortin, atëherë ky i fundit merr pjesën e tij, pastaj nëna merr një të tretën e asaj që mbetet pas heqjes së pjesës së bashkëshortit, dhe ajo që mbetet është për babain. Për këtë tregon edhe fjala e Allahut të Lartësuar: “..në qoftë se (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta.” Domethënë, një e treta e asaj që mbetet si pjesë për prindërit. Pra, nëse përveç dy prindërve, është edhe bashkëshorti, atëherë ndodhemi përpara dy rasteve: 1. Kur trashëgimtarë janë burri, nëna dhe babai. Në këtë rast, burrit i takon gjysma, sepse e vdekura nuk ka lënë fëmijë. Pjesa e nënës është një e gjashta, dhe ç’mbetet është për babain. 2. Kur trashëgimtarë janë gruaja (kur i vdekuri është burri), nëna dhe babai. Në këtë rast, gruas i takon një e katërta, sepse i vdekuri (d.m.th. burri) nuk ka lënë fëmijë. Pjesa e nënës është një e katërta, dhe ç’mbetet është për babain. Në të dyja këto raste, pjesët e burrit apo të gruas hiqen fillimisht nga e gjithë pasuria, nëna merr një të tretën e pasurisë që mbetet për t’u ndarë mes prindërve, ndërsa babait i takon ajo që mbetet. Pra, nëna nuk merr një të tretën e gjithë pasurisë, por një të tretën e asaj që mbetet pas ndarjes së pjesës së bashkëshortit. Me fjalë të tjera, nëse i vdekuri ka borxhe apo detyrime të tjera për të larë si gjoba, shërbimet e varrimit etj., fillimisht i hiqen nga e gjithë pasuria këto detyrime, e më pas bëhet ndarja e saj sipas pjesëve të përcaktuara. Edhe në rastin e mësipërm, pjesa e bashkëshortit trajtohet si detyrim parësor për t’u shlyer, prandaj fillohet me të. Ndërsa pjesa e prindërve është ajo që mbetet pas dhënies së pjesës së bashkëshortit. Po ashtu, nëse nëna do të merrte një të tretën nga e gjithë pasuria, atëherë, kur së bashku me prindërit, është trashëgimtar edhe burri, nënës i takon të marrë më shumë sesa babait. Ndërsa në rastin kur, së bashku me prindërit, trashëgimtare është edhe gruaja, babait i takon të marrë “gjysmën e një të gjashtës” më shumë se nëna, dhe kjo nuk është një pjesë e përcaktuar konkretisht. Ajo që njihet është se nëna mund të marrë njëlloj si babai, ose babai mund të marrë dyfishin e asaj që merr nëna. Këto janë rastet e njohura dhe të përcaktuara. - “Por në qoftë se ai (i vdekuri) ka vëllezër, nënës së tij i takon vetëm një e gjashta.” - Këtu e ka fjalën për çdo lloj vëllai apo motre: vëlla a motër nga babai dhe nëna, vëlla a motër vetëm nga babai, vëlla a motër vetëm nga nëna, pavarësisht a meritojnë pjesë apo privohen nga ajo për shkak të pranisë së babait ose të gjyshit. 19 Pra, në rast se i vdekuri ka lënë pas një nga këta të përmendur, nënës i takon vetëm një e gjashta. Disa janë të mendimit se fjala “vëllezër” nuk përfshin ata që janë të privuar nga trashëgimia për shkak të pranisë së babait apo gjyshit, por vetëm ata vëllezër a motra që meritojnë trashëgimi dhe nuk janë të privuar. Në fakt, ky mendim është më i pranueshëm, sepse edhe reduktimi i pasurisë së nënës nga “një e treta” në “një të gjashtën” synon pikërisht që t’i mundësojë kësaj kategorie – vëllezërve e motrave trashëgues dhe jo të privuar – që të marrin pjesë nga trashëgimia. Sipas këtij mendimi, pjesa e nënës reduktohet nga një e treta në një të gjashtën vetëm në rastin kur i vdekuri ka lënë pas “vëllezër” që meritojnë pjesë dhe jo “vëllezër” të privuar nga prania e babait apo gjyshit. E gjithë kjo funksionon me kusht që ata të jenë më shumë se dy persona, pra, dy e lart. Dikush mund të pyesë: Përse fjala “vëllezër” është përdorur në shumës dhe jo në dyjës? Përgjigje: Ky është një stil që haset në Kur’ân, domethënë që edhe kur flitet për dy persona, përdoret numri shumës, sikurse thotë i Lartësuari kur flet për dy profetët e Tij Daudin dhe Sulejmanin: “....dhe Ne ishim dëshmues të gjykimit të tyre”. Këtu nuk është për qëllim të tregohet numri specifik i tyre, por thjesht të tregohet se ishin më shumë se një. I njëjti stil përdoret edhe në ajetin, kur i Lartësuari thotë: “ Në qoftë se i vdekuri, qoftë mashkull ose femër, nuk ka lënë as prindër dhe as fëmijë, por ka vëlla ose motër (nga nëna), atëherë çdonjërit prej tyre u takon një e gjashta. E, nëse ka më shumë se dy (vëlla e motër) , ata janë pjesëmarrës të barabartë në një të tretën e pasurisë, pasi të zbatohet porosia (testament) dhe pasi të lahen borxhet, kështu që asnjë të mos dëmtohet. ” Pra, nëse janë më shumë se një, ata janë pjesëmarrës në një të tretën. Atëherë, sipas mendimit të parë - kur me fjalën “vëllezër” janë për qëllim të gjithë llojet e vëllezërve, pavarësisht a meritojnë pjesë apo privohen nga ajo për shkak të prezencës së babait apo të gjyshit, - nëse i vdekuri lë pas nënën, babain dhe vëllezër (më shumë se një), nënës i takon një e gjashta, dhe pjesa tjetër i takon babait, ndërkohë që vëllezërit dhe motrat nuk marrin gjë, sepse janë të privuar nga prezenca e babait. Ndërsa sipas mendimit të dytë – kur me fjalën “vëllezër” janë për qëllim vetëm vëllezërit trashëgues e jo të privuarit – nënës i takon një e treta dhe babait pjesa që mbetet. Pastaj i Lartësuari thotë: - “Ndarja e trashëgimisë bëhet pas zbatimit të porosisë së lënë nga ai (testament) dhe pasi të lahen borxhet. ” – Kështu, këto pjesë trashëgimie të përcaktuara nga Zoti shpërndahen vetëm pasi të jenë plotësuar detyrimet e të vdekurit. Detyrimet e tij financiare mund të jenë ose ndaj njerëzve, ose ndaj Zotit, 20 ose testament që ai ka lënë për t’u zbatuar pas vdekjes.21 Pasi plotësohen këto detyrime, ajo që mbetet duhet të shpërndahet mes trashëgimtarëve, sipas përcaktimit të Allahut të Lartësuar. Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar ka përmendur vasijet-in (porosinë e veçantë) para borxhit, edhe pse ky i fundit duhet të plotësohet i pari. Kjo është bërë për t’i dhënë rëndësi plotësimit të tij, sepse shpesh trashëgimtarët e kanë të vështirë që ta zbatojnë atë. Sidoqoftë, plotësimi i borxhit është më parësor dhe ai duhet të jepet nga kreu i mallit, ndërsa për (vasijetin / testamentin ) porosinë e veçantë mund jepet deri te një e treta e pasurisë ose më pak se aq. Prej porosisë së veçantë mund t’u jepet nga pasuria e të vdekurit vetëm atyre njerëzve që nuk kanë pjesë të përcaktuar nga Sheriati në trashëgiminë e të ndjerit. Ndërsa jashtë këtyre kushteve, pra, që vasijeti të jetë më shumë se një e treta, mund të lejohet veçse me lejen e trashëgimtarëve të përcaktuar me ligj. Më tej, i Lartësuari thotë: - “Ju nuk e dini se cilët janë më dobiprurës për ju: prindërit tuaj apo fëmijët tuaj.” - Nëse përcaktimi i masës së trashëgimisë do të lihej në dorën tonë, do të kishte patur padrejtësi dhe pasoja, që vetëm Zoti i di, sepse mendjet tona janë të mangëta, injorante dhe të prirura drejt padrejtësisë. Pa ndihmën dhe udhëzimin e Zotit, ato nuk mund ta njohin se çfarë është më e mira dhe më e drejta në çështjet e dynjasë dhe të fesë. Ne nuk mund ta dinim se cilët trashëgimtarë, prindërit apo fëmijët, janë më të dobishëm për ne, që të mund të gjykojmë se cilëve u duhet dhënë më shumë e cilëve më pak. Islami është rregulluesi i vetëm i të gjitha çështjeve, në çdo kohë, vend dhe gjendje. - “Këto janë urdhrat e Allahut. Allahu është i Gjithëditur dhe i Urtë.” – Kuptimi: Këto përcaktime janë detyrime për ju. Ky është i vetmi gjykim që ju duhet të zbatoni, sepse është vendosur prej të Gjithëditurit e të Urtit, që e ka përcaktuar çdo gjë me përpikmëri dhe në mënyrën më të mirë. Mendjet njerëzore nuk mund të sjellin kurrë diçka më të mirë dhe më të plotë se ligji i Zotit. - “Nga ajo që lënë bashkëshortet tuaja juve ju takon gjysma, nëse ato nuk kanë fëmijë.” - Me fjalën “fëmijë” këtu kuptohen fëmijët biologjikë (jo të birësuar), djemtë apo vajzat e djalit të saj, një apo shumë qofshin, qofshin fëmijë nga burri apo nga burra të tjerë (nëse ka qenë e martuar më parë). Këtu nuk hyjnë djemtë dhe vajzat e vajzës së saj, dhe ky është një mendim konsensual i dijetarëve. Pra, nëse gruaja e vdekur nuk ka lënë pas fëmijë (sipas kësaj që u përmend), burrit i takon gjysma e pasurisë së saj. Në të kundërt: - “Por nëse ato kanë fëmijë, juve ju takon një e katërta e pasurisë që lënë ato, pasi të zbatohet porosia e tyre (testament) dhe pasi të lahen borxhet e tyre. ” Ndërsa në rastin kur i vdekuri është burri, Allahu i madhëruar thotë: - “Nga ajo që lini ju, atyre (grave) ju takon një e katërta, nëse nuk keni fëmijë. Por, nëse keni fëmijë, atyre ju takon një e teta nga ajo që lini, pasi të zbatohet porosia juaj (testament) dhe pasi të lahen borxhet tuaja. ” Në vijim Allahu i madhëruar na sqaron rastin e njohur El kelâleh. Ai thotë: - “Në qoftë se i vdekuri, qoftë mashkull ose femër, nuk ka lënë as prindër dhe as fëmijë, por ka vëlla ose motër (nga nëna), atëherë çdonjërit prej tyre u takon një e gjashta.” - Fjalët “vëlla” e “motër” tregojnë vëllain e motrën nga nëna, sikurse është përcjellë në disa variante të këndimeve të Kur’ânit. Edhe dijetarët janë të një mendimi se këtu bëhet fjalë për vëllezërit dhe motrat vetëm nga nëna. Rasti el kelaleh Sikurse ka thënë Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), rasti “ el kelaleh ” ndodh kur i vdekuri nuk lë pas as baba, as gjysh, as djalë, as djalë djali, as vajzë, as vajzë djali e ç’ka poshtë tyre. Në këtë rast, nëse ai ka lënë pas veç një vëlla ose një motër vetëm nga nëna, atëherë secilit prej tyre i takon një e gjashta e trashëgimisë. Megjithatë, sikur i vdekuri të ketë lënë pas qoftë edhe një fëmijë e ç’ka poshtë tyre (nipër e stërnipër) apo baba e ç’ka sipër tyre (gjyshër e stërgjyshër), kjo i përjashton nga trashëgimia vëllezërit dhe motrat e tij vetëm prej nëne. Ky është mendimi konsensual i dijetarëve. - “E, nëse ka më shumë se dy (vëlla e motër), ata janë pjesëmarrës të barabartë në një të tretën e pasurisë, pasi të zbatohet porosia (testamenti) dhe pasi të lahen borxhet, kështu që asnjë të mos dëmtohet. Këto janë porositë e Allahut. Allahu është i Gjithëditur e Durimtar. ” – Nëse janë disa (më shumë se një) vëllezër dhe motra nga nëna, 22 atëherë ata janë pjesëmarrës të barabartë në një të tretën e trashëgimisë. Pra, këtu nuk është i vlefshëm rregulli: “mashkulli merr sa për dy femra”, pasi Allahu i Lartësuar ka thënë ata janë “shurekâe”, domethënë, pjesëmarrës të barabartë në një të tretën. Nga ky ajet përfitojmë edhe një gjykim tjetër, atë për çështjen “ el ĥimarijeh ”. Kështu, nëse një grua lë pas vetes: bashkëshortin, nënën, vëllezër e motra nga nëna, vëllezër dhe motra nga nëna e babai, atëherë ndarja e trashëgimisë bëhet në këtë mënyrë: bashkëshorti i saj merr gjysmën, sepse e ndjera nuk ka lënë pas fëmijë. Nëna merr një të gjashtën, sepse e ndjera ka lënë vëllezër dhe motra. Vëllezërit dhe motrat nga nëna janë pjesëtarë të barabartë në një të tretën. Ndërsa vëllezërit dhe motrat nga nëna e babai nuk marrin gjë, sepse Allahu i Lartësuar ua ka lënë një të tretën vëllezërve dhe motrave nga nëna, kështu që përzierja e tyre me vëllezërit nga babai e nëna do të ishte një veprim që Allahu nuk e ka përmendur në ajet. Këtë e përforcon edhe fakti që vëllezërit dhe motrat nga nëna e babai nuk hyjnë në mesin e atyre trashëgimtarëve që meritojnë pjesë ( furuđ) të përcaktuar nga Sheriati, por hyjnë tek ata që përfitojnë si “ aŝabe”, pra, nga ajo që mbetet pasi trashëgimtarët e furuđ-eve marrin pjesën e tyre. Ndërsa vëllezërit vetëm nga nëna janë vetë trashëgimtarë të furuđ-eve, domethënë ata kanë pjesë të përcaktuar nga Sheriati. Në rastin tonë, meqë nuk mbetet gjë, vëllezërit nga nëna e babai nuk marrin gjë. Ky është mendimi më i saktë mbi këtë çështje. Ndërsa për sa i përket pjesës që meritojnë vëllezërit dhe motrat nga babai dhe nëna apo vetëm nga babai, kjo është sqaruar në ajetin 176 të kësaj sureje, ku i Lartësuari thotë: “ Ata kërkojnë përgjigjen tënde. Thuaju: “Allahu ju përgjigjet për çështjen e atij që nuk ka lënë baba e as fëmijë që e trashëgojnë (el kelale). Nëse vdes një njeri që nuk ka fëmijë, por ka motër, atëherë asaj (motrës) i takon gjysma e pasurisë së lënë. Ai (vëllai) trashëgon atë (motrën), nëse ajo nuk ka fëmijë. Në qoftë se janë dy motra (që trashëgojnë), atyre të dyjave u takojnë dy të tretat që lë ai. Në qoftë se janë vëllezër dhe motra, atëherë mashkullit i takon pjesë sa dyfishi i pjesës së femrës. Kështu jua sqaron Allahu dispozitat, që ju të mos humbni rrugën e drejtë. Allahu Di gjithçka. ” Kështu, sipas ajetit, nëse ajo që trashëgon është një motër prej babe e nëne apo vetëm prej babe, asaj i takon gjysma e pasurisë së lënë. Nëse ato që trashëgojnë janë dy motra prej babe e nëne apo vetëm prej babe, atyre u takojnë dy të tretat e pasurisë së lënë. Nëse ato që trashëgojnë janë një motër prej babe e nëne dhe një motër ose disa motra vetëm nga baba i, ndarja bëhet në këtë mënyrë: motra prej babe e nëne merr gjysmën, ndërsa motrat vetëm nga babai marrin një të gjashtën, apo siç quhet ndryshe “plotësuesen e 2/3 (dy të tretave)”. Por nëse motrat prej babe e nëne janë më shumë se një, ato marrin dy të tretat, dhe motrave vetëm prej babe nuk u mbetet gjë prej pasurisë, sikurse e përmendëm një gjë të tillë kur folëm për pjesën e vajzave dhe të vajzave të djalit. Nëse trashëgimtarë janë vëllezër e motra të përzierë, atëherë këtu vlen fjala e Allahut të Lartësuar: mashkullit i takon pjesë sa dyfishi i pjesës së femrës. Dikush mund të pyesë: Po për rastet e tjera të trashëgimisë, a kuptohet gjë nga ajeti? Përgjigjja është po. Në ajet ka disa shenja udhëzuese për çështje të tjera, të cilat vetëm një i pavëmendshëm nuk mund t’i vërejë. Kështu, për shembull, shkaqet privuese të trashëgimisë janë: skllavëria, vrasja e trashëgimlënësit dhe ndryshimi i përkatësisë fetare. Por si kuptohet kjo nga ajeti? Allahu i Lartësuar thotë: “Ju nuk e dini se cilët janë më dobiprurës për ju: prindërit tuaj apo fëmijët tuaj.”. Pa ndihmën dhe udhëzimin e Zotit, ne nuk mund ta njohim se çfarë është më e mira dhe më e drejta në çështjet e dynjasë dhe të fesë. Ne nuk mund ta dinim se cilët trashëgimtarë, prindërit apo fëmijët, janë më të dobishëm për ne, që të mund të gjykojmë se cilëve u duhet dhënë më shumë e cilëve më pak. Ky është një tregues i urtësisë së Allahut të Lartësuar, që dëshiron të plotësojë mirësinë e Tij ndaj nesh në ndarjen e pasurisë mes trashëgimtarëve, në varësi të afërsisë dhe të dobisë që ofron secili në aspektin e dynjasë dhe të fesë tonë. Kështu, po të shohim në këtë drejtim, do të kuptojmë se vrasësi dhe jomuslimani e cenojnë këtë urtësi të Allahut të Lartësuar në shpërndarjen e trashëgimisë. Vrasësi i ka shkaktuar trashëgimlënësit dëmin më të madh, i ka marrë jetën. Për këtë arsye, atij nuk duhet t’i takojë kurrsesi pjesë nga trashëgimia, e cila është përcaktuar në varësi të dobisë që ofron trashëgimtari për trashëgimlënësin. Gjithashtu, është e njohur edhe norma ligjore që thotë: “Ai që synon përshpejtimin e një gjykimi para kohës së përcaktuar nga Sheriati për të, ndëshkohet duke u privuar prej tij”. Kështu, vrasësi i trashëgimlënësit synon të përshpejtojë marrjen e trashëgimisë nga i vrari, prandaj edhe ndëshkohet duke u privuar nga pjesa e tij (përveç ndës hkimit për vrasjen, sigurisht). Ndërsa jomuslimani, edhe pse mund të jetë i afërm i trashëgimlënësit, nuk meriton pjesë prej tij. Ai mund ta meritojë trashëgiminë për shkak të afërsisë farefisnore, por është kufri i tij që e privon prej saj. Nuk ka dyshim se mosbesimi në fe është një ndasi shumë e madhe mes trashëgimlënësit dhe trashëgimtarit. Ata nuk i sjellin asnjë dobi njëri -tjetrit. Shkaku i privimit nga trashëgimia është më i fortë se shkaku i meritimit të saj. Po ashtu, të drejtat e muslimanëve janë më parësore për t’u plotësuar sesa të drejtat e të afërmve jobesimtarë. Është e vërtetë që Allahu i Lartësuar thotë në suren Enfalë: “Megjithatë, farefisi ka më shumë përparësi ndaj njëri-tjetrit, sipas Librit të Zotit. Allahu Di gjithçka.” Në fillim, në Medinë, Profeti (a.s.) bëri një vëllazërim të veçantë mes muhaxhirve (emigrantëve mekas) dhe ensarëve (vendasve medinas), përveç vëllazërisë së përgjithshme që ekziston në Islam mes besimtarëve, aq sa ata u bënë pjesëtarë në trashëgiminë e njëri -tjetrit. Por Allahu i Lartësuar shpalli më pas dispozitat për trashëgiminë, sipas të cilave, vëllazëria në Islam nuk të jep të drejtë në trashëgimi, por është lidhja e gjakut faktor kryesor për përfitimin nga trashëgimia. Megjithatë, jo çdo lloj farefisnie është përfituese, prandaj ajeti duhet kuptuar saktë. Qëllimi këtu është për pjesëtarët muslimanë të farefisit, jo për ata që janë qafirë. Nëse një farefis është jomusliman, atëherë është më parësore vëllazëria në Islam. Ibn Kajjimi, në librin e tij “ Xhelâul Efhâm ”, thotë: “Shih me vëmendje se si Allahu i Lartësuar e ka lidhur ngushtë meritën për trashëgimi mes burrit dhe gruas me të qenurit e tyre bashkëshortë të njëri -tjetrit. Ai ka thënë: “Nga ajo që lënë bashkëshortet tuaja juve ju takon gjysma, nëse ato nuk kanë fëmijë. ”. Pra, nuk ka thënë “gratë tuaja”, por ka përdorur fjalën “bashkëshortet”, për të treguar se shkak i meritës së trashëgimisë është një lidhje më e ngushtë mes atyre të dyve, dhe jo thjesht lidhja mes një burri dhe një gruaje. Pa dyshim, edhe mes qafirit dhe muslimanit nuk ekziston ndonjë lidhje e tillë e ngushtë dhe, si rrjedhojë, ata nuk mund të jenë trashëgimtarë të njëri -tjetrit. Të fshehtat e termave të përdorura në Kur’ân qëndrojnë shumë më lart se mendjet dhe arsyetimet e njerëzve.” Për sa i përket skllavit, ai as trashëgohet dhe as trashëgon gjë. Ai nuk trashëgohet, sepse nuk zotëron pasuri. Ai dhe pasuria e tij janë pronë e padronit të tij. Po ashtu, ai nuk trashëgon, sepse edhe nëse merr pasuri në formë trashëgimie, ajo automatikisht i takon zotërisë së tij. Për sa i përket atij që është gjysëm skllav dhe gjysëm i lirë, gjykimi për të është në varësi të secilës pjesë. Kjo çështje gjendet e sqaruar në librat e fikh-ut. Për sa i përket hermafroditit (deledashit), ekzistojnë dy raste: 1. Kur është më e theksuar njëra gjini e tij. Për shembull, nëse anon më tepër nga mashkulli, atij i takon pjesa si trashëgimtar mashkull. Por nëse anon më tepër nga seksi femër, atëherë i takon pjesa si trashëgimtare femër. 2. Kur nuk ka asnjë gjini të theksuar. Edhe në këtë rast paraqiten dy mundësi: a. Nëse pjesa e tij në trashëgimi është e njëjtë si të ishte mashkull, si femër, çështja është e thjeshtë dhe e qartë. Kjo ndodh, për shembull, kur janë shumë vëllezër e motra, që përfitojnë nga trashëgimia në mënyrë të barabartë. b. Nëse pjesa e tij në trashëgimi ndryshon po të trajtohet si mashkull apo si femër. Kështu, nëse i japim pjesë si mashkull, do t’u bënim padrejtësi trashëgimtarëve të tjerë, por nëse i japim pjesë si femër, do t’i bënim padrejtësi atij, se mund të meritojë pjesë mashkulli. Atëherë, në një rast të tillë, gjejmë rrugën e mesme, duke i dhënë diçka më shumë se një pjesë femre dhe diçka më pak se një pjesë mashkulli. Kështu na urdhëron i Lartësuari, kur thotë: “Mbani drejtësinë, se ajo është më pranë devotshmërisë!”. Më shumë se kaq nuk mund ta mbajmë drejtësinë. Kaq e kemi mundësinë dhe Allahu i Lartësuar nuk ngarkon asnjë tej mundësive, siç thotë në një ajet: “Allahu nuk e ngarkon asnjë më shumë sesa ai ka mundësi.” Apo: “Frikësojuni Allahut aq sa të keni mundësi!” A trashëgojnë apo jo vëllezërit nga babai e nëna apo vetëm nga babai, nëse është edhe gjyshi? A përmendet në Kur’ân dispozita për këtë çështje? Është i pranuar fakti që prania e babait i përjashton vëllezërit nga babai e nëna apo vetëm nga njëra palë. Por a gjykohet njëlloj edhe prania e gjyshit? A ka ai të njëjtën gradë si babai? Përgjigja për këtë pyetje është dhënë në pjesë të tjera të Kur’ânit, ku Allahu i Lartësuar e ka quajtur gjyshin “baba”, si për shembull: “A ishit ju të pranishëm, kur Jakubi, në momentin e vdekjes, u tha bijve të vet: “Çfarë do të adhuroni pas meje?” Ata thanë: “Do të adhurojmë Zotin tënd dhe Zotin e etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut; një Zot të vetëm. Vetëm Atij i nënshtrohemi!” [Bekare 133]. Ose kur Jusufi thotë: “Unë ndjek fenë e etërve të mi: Ibrahimit, Is’hakut, Jakubit.” [Jusuf 38]. Pra, Allahu i Lartësuar i ka quajtur “etër” edhe gjyshërit, edhe stërgjyshërit. Kjo tregon se gjyshi gëzon të njëjtin status si babai dhe ka të njëjtin rol si ai. Pra, ai trashëgon si babai dhe privon nga trashëgimia njëlloj siç privon babai. I tillë ka qenë edhe gjykimi i Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Dijetarët janë të një mendimi që gjyshi gëzon të njëjtin status si babai (kur babai mungon), në lidhje me trashëgimtarët e tjerë, si fëmijët, fëmijët e vëllezërve, xhaxhallarët dhe fëmijët e tyre etj. Por a ka gjyshi të njëjtin ndikim edhe në lidhje me vëllezërit jo nga ana e nënës? Edhe në këtë rast ai duhet të gëzojë të njëjtin status. Duke qenë se ai e gëzon këtë status në rastet e lartpërmendura, nuk ka arsye që në këtë rast të jetë ndryshe. Këtë e përforcon edhe fakti që biri i djalit (nipi) gëzon të njëjtin status si biri. Pra, pse të mos jetë ky vlerësim edhe për rastin e babait të babait. Me fjalë të tjera, duke qenë se nipi konsiderohet njëlloj si djali, pse të mos konsiderohet edhe gjyshi njëlloj si babai? Dijetarët janë unanimë në faktin që gjyshi i babait (të të ndjerit) privon nga trashëgimia djalin e vëllait (të të ndjerit). Atëherë, pse të mos e privojë gjyshi i të ndjerit, vëllanë e të ndjerit?! Ata që u bëjnë pjesë vëllezërve edhe kur gjyshi është i pranishëm, nuk kanë argument apo tekst ku të mbështeten. Po çështjet e quajtura “ el aul ” dhe “ el redd”, a janë përmendur në Kur’ân? Përgjigjja është po. Por le të kuptojmë fillimisht se çfarë janë këto dy çështje, dhe pastaj të vërtetojmë përgjigjen e mësipërme. Allahu i Lartësuari ka përcaktuar trashëgimtarët si dhe pjesët e tyre, qofshin ato meritues me furud, qofshin meritues me teasib. Trashëgimtarët janë të tillë që ose e privojnë njëri-tjetrin, ose që nuk e privojnë njëri-tjetrin nga trashëgimia. Në rastin e parë, të privuarit nuk meritojnë gjë, dhe çështja është e qartë. Ndërsa në rastin e dytë shfaqen tri mundësi: 1. Pasi trashëgimtarët e furud-eve marrin pjesën e tyre, nga trashëgimia mbetet sërish diçka. 2. Pasi trashëgimtarët e furud-eve marrin pjesën e tyre, nga trashëgimia nuk mbetet asgjë. 3. Nga ndarja e trashëgimisë, mbetet ndonjë trashëgimtar i furud-eve pa pjesë. Në dy rastet e para nuk ka ndonjë problem, sepse secili e merr pjesën e vet të plotë. Ndërsa për rastin e tretë ka dy mundësi: a. T’ia pakësojmë ndonjë trashëgimtari pjesën e tij, për t’ia dhënë tjetrit të plotë. Në fakt, kjo do të ishte padrejtësi, sepse askush prej tyre nuk e meriton më shumë se tjetri për ta marrë pjesën e vet të plotë. Po ashtu, një gjykim i tillë është i pabazuar. Atëherë mbetet mundësia e dytë. b. T’i japim secilit nga pjesa e tij aq sa mundemi, dhe pastaj, për të plotësuar pjesët e të gjithëve, veprojmë me përqindje, sikurse bëhet në rastin e shlyerjes së borxhit të të ndjerit, ku secili jep sipas pjesës që meriton prej trashëgimisë. Kështu, nëse dikush meriton 20% të trashëgimisë, ai do të mbulojë 20% të borxhit, e kështu me radhë. Kjo çështje dhe mënyrë zgjidhjeje quhet “ el aul ”. Ndërsa rasti i kundërt i saj quhet el redd . Pra, nëse trashëgimtarët marrin pjesët e tyre të plota dhe prej trashëgimisë tepron ende pjesë, ndërkohë që nuk ka meritues të saj të përcaktuar nga Sheriati, atëherë edhe pjesën e mbetur ua ndajmë trashëgimtarëve, në bazë të përqindjes që meritojnë. Nëse dikush, për shembull, meriton 30% të trashëgimisë, merr 30% të kësaj shtese, e kështu me radhë. Në të kundërt, nëse do t’ia jepnim vetëm njërit prej trashëgimtarëve, kjo do të ishte padrejtësi. Edhe nëse do t’ia jepnim dikujt tjetër jashtë kategorive të përcaktuara, përsëri do të ishte padrejtësi dhe thyerje e fjalës së Allahut të Lartësuar: “Megjithatë, farefisi ka më shumë përparësi ndaj njëri-tjetrit, sipas Librit të Zotit. Allahu Di gjithçka. ”. Prandaj, si rruga më e mirë mbetet ajo që u përshkrua më lart. Duke qenë se bashkëshortet nuk hyjnë në farefisni, ato nuk meritojnë shtesë prej el red-dit. Të këtij mendimi janë shumica e dijetarëve që e pranojnë ushrimin e el reddit. Si fakt mbështetës, ata përdorin ajetin e Allahut të Lartësuar: “ Megjithatë, farefisi ka më shumë përparësi ndaj njëri -tjetrit, sipas Librit të Zotit. Allahu Di gjithçka .” Ndërsa të tjerët janë të mendimit se edhe bashkëshortet përfitojnë prej el redd-it, pasi shkaku i përfitimit është thjesht statusi i tyre si trashëgimtarë të furud-eve, pavarësisht në janë farefis apo bashkëshortë. Këta arsyetojnë e thonë: Duke qenë se, në rastin e el aul-it, edhe bashkëshorti jep prej pjesës së tij për të plotësuar pjesët e merituesve të furud-eve, nuk ka arsye që në rastin e el redd-it të mos trajtohen njëlloj. Këtë e dëshmon Libri ( Kur’âni), Suneti dhe analogjia e saktë dhe e drejtë. Megjithatë, Allahu është më i ditur për gjithçka. Nga ajetet kur’ânore kuptojmë se, nëse i vdekuri nuk ka lënë pas asnjë prej trashëgimtarëve që përfitojnë me ligj, ndërkohë që ata të cilët mund të përfitojnë janë vetëm Rezervat e shtetit ose ndonjë farefis i largët, ai që përfiton nga pasuria është ky pjesëtar i farefisit, sado i largët qoftë, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “ Megjithatë, farefisi ka më shumë përparësi ndaj njëri -tjetrit, sipas Librit të Zotit. Allahu Di gjithçka. ”. Nëse do t’ua jepnim të tjerëve, kjo do të ishte një vepër në kundërshtim me ajetin, që udhëzon qartë për të kundërtën. Edhe pse Allahu i Lartësuar nuk ka përcaktuar konkretisht pjesë në trashëgimi për një farefis të largët, ai përsëri përfiton prej trashëgimisë, duke qenë se ka lidhje me të vdekurin. Allahu i Lartësuar është më i ditur për gjithçka. Për sa i përket trashëgimisë që meritojnë të afërmit el asabe , pra, ata që trashëgojnë nëpërmjet teasib-it, Profeti (a.s.) ka thënë: “Jepuni trashëgiminë atyre që u takon. Ajo që mbetet, le t’i jepet mashkullit më të afërt (të të ndjerit).” Allahu i Lartësuar e përforcon këtë qëndrim kur thotë: “ Ne i kemi caktuar secilit prej jush të afërm që trashëgojnë nga ajo që lënë prindrit dhe farefisi. Jepuni pjesën e vet edhe atyre me të cilët keni marrëveshje. Allahu është Dëshmitar për çdo gjë. ” Nëse shpërndajmë pjesët për trashëgimtarët e furud-eve dhe nuk mbetet gjë, atëherë të afërmit el asabe nuk marrin gjë. Por nëse mbetet diçka, ai që përfiton është mashkulli më i afërt, sipas anës dhe nivelit të tij. Anët e afërsisë, sipas rëndësisë së tyre, janë pesë: 1. Birësia. 2. Atësia 3. Vëllazëria dhe fëmijët e tyre. 4. Xhaxhallarët me fëmijët e tyre. 5. Çliruesi nga skllavëria (el uela). Kështu, fillimisht i jepet përparësi anës më të afërt. Nëse për nga ana e afërsisë palët janë njëlloj, atëherë i jepet përparësi nivelit më të afërt. Për shembull, nëse janë fëmijët e vëllezërve dhe fëmijët e fëmijëve të vëllezërve, atëherë u jepet përparësi fëmijëve të vëllezërve, sepse janë një nivel më lart. Nëse palët janë të një ane dhe të një niveli (si p.sh., janë të dy prej vëllezërve), atëherë i jepet përparësi atij që është vëlla nga babai e nëna, kundrejt atij që është vetëm nga njëra palë. Nëse janë njëlloj në çdo drejtim, atëherë ata janë pjesëmarrës të barabartë në trashëgimi. Allahu është më i ditur. Pyetje: Si veprohet nëse pas ndarjes së pasurisë mes trashëgimtarëve të furudeve mbetet diçka dhe prej el asabe -s ndodhen vetëm motra jo nga nëna dhe vajza ose vajza djali? A ka ndonjë argument që të tregojë se prania e vajzave dhe e vajzave të djalit përjashtojnë motrat jo nga nëna nga trashëgimia? Përgjigja është jo. Nuk ka argument nga Kur’âni që të tregojë për këtë gjë. Nëse çështja është kështu, atëherë pasi vajzat marrin pjesën e tyre të furud-eve dhe mbetet diçka prej pasurisë, atëherë ajo u jepet motrave dhe nuk u jepet atyre që janë më larg se ato, si djali i vëllait apo xhaxhai e më larg se ata. Allahu është më i ditur për gjithçka.

Mus'haf Hape →