… i tyre dhe Zoti im. - “Unë isha dëshmitar i tyre, sa isha ndër ta.” - Kuptimi: Për sa kohë që isha mes tyre, unë dëshmoj për ata që e zbatuan porosinë …
▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
- “Allahu do të thotë: “O Isa, biri i Merjemes! Ti, vallë, u the njerëzve: “Më besoni mua dhe nënën time si dy zota veç Allahut!?” Ai do të thotë: “Qofsh i lartësuar (o Zoti im)! - Ky është një qortim i rëndë për krishterët që thonë se Allahu është trini. Kështu, kur Allahu i Madhëruar ta pyesë Isain për atë qëndrim të të krishterëve, Isai do të distancohet prej tyre, duke thënë: “ Subhaneke!” - i Pastër, i Lartësuar dhe larg çdo mangësie që trillojnë rreth Teje je Ti, o Zoti im! - “Kurrë nuk mund ta thosha unë atë për të cilën nuk kam asnjë të drejtë. - Kuptimi: Nuk më takon mua dhe as është prej cilësive të mia që të them gjëra të tilla. Asnjë lloj krijese, as melekët e afërt të Zotit, as profetët e askush tjetër nuk ka të drejtë dhe nuk meriton të adhurohet. Të gjithë, pa përjashtim, janë rob të nënshtruar të Allahut, janë krijesa të varfra e të pafuqishme. - “Po ta kisha thënë atë, Ti do ta kishe ditur. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, ndërsa unë nuk e di atë që është tek Ty. Ti i di të gjitha të fshehtat. - Kuptimi: Ti, o Zoti im, je më i dituri për ato që unë thashë. Ti di çdo të fshehtë. E tillë ishte edukata dhe mënyra e të folurit të Mesihut me Zotin e tij. Kur u pyet, ai nuk tha thjesht: “Jo, unë nuk e kam thënë një gjë të tillë”, por zgjodhi tjetër mënyrë, duke treguar se grada në të cilën e ngriti Zoti nuk
e lejonte ndryshe. Allahu është i Pastër dhe i Lartësuar që Profeti i zgjedhur dhe i ndihmuar prej Tij të thoshte fjalë të tilla të pahijshme. Dituria e plotë, për të dukshmet dhe për të fshehtat, i takon të Gjithëditurit, Allahut të Madhëruar. Pastaj Isai tregon se për çfarë i urdhëroi bijtë e Israilit: - “Unë nuk u kam thënë atyre asgjë tjetër, veç asaj që Ti më urdhërove: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” - Kuptimi: Unë jam një rob i nënshtruar, që ndjek urdhrat e Tua. Unë kurrë nuk do të guxoja të dilja jashtë tyre, për shkak se unë i frikësohem madhështisë Tënde! Unë i urdhërova ata që të adhuronin një Zot të vetëm, duke ia përkushtuar fenë dhe adhurimin veçse Atij. Ky urdhër e përjashton adhurimin e gjithçkaje tjetër, veç Teje. As nëna ime e as unë nuk mund të jemi të adhuruar, se ne jemi thjesht njerëz dhe krijesa të dobëta. Unë ua sqarova atyre se Ti je Zoti i tyre dhe Zoti im. - “Unë isha dëshmitar i tyre, sa isha ndër ta.” - Kuptimi: Për sa kohë që isha mes tyre, unë dëshmoj për ata që e zbatuan porosinë time dhe për ata që nuk pranuan ta zbatojnë atë. - “Por pasi Ti më more mua, ishe Ti mbikëqyrësi i tyre. Ti je Dëshmitar për gjithçka.” - Kuptimi: Pasi Ti më ngrite lart, ishe Ti mbikëqyrësi dhe vështruesi i asaj se çfarë fshihej në gjoksin e tyre. Ti je dëshmues për gjithçka. Dija, dëgjimi e shikimi Yt përfshijnë gjithçka. Dija Jote përfshin çdo njohje, dëgjimi Yt përfshin gjithçka që mund të dëgjohet e shikimi Yt përfshin gjithçka që mund të shikohet. Ti je Ai që do t’i shpërblesh të gjithë, sipas diturisë Tënde, për veprat që kanë bërë, të mira apo të këqija qofshin. Ti je më i mëshirshëm për ta, se ata për veten e vet. Nëse nuk do të ishin rob të pabindur dhe arrogantë, Ti nuk do t’i ndëshkoje. - “Nëse Ti i ndëshkon ata, ata janë robt e Tu. E nëse i fal ata, Ti je i Plotfuqishmi e i Urti.” - Kuptimi: Nëse Ti i fal ata, këtë e bën prej fuqisë Tënde absolute, pra, jo si ata që falin nga dobësia dhe pafuqia. Ti je i Urtë dhe i fal ata që i plotësojnë kushtet për të arritur faljen Tënde. Më pas, Allahu i Lartësuar tregon se si do të jetë gjendja e robve në Ditën e Gjykimit: si do të jetë gjendja e të fituarve dhe atyre të humburve; si do të jetë gjendja e të lumturve dhe e të trishtuarve. - “Allahu thotë: “Kjo është dita kur të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. - Të sinqertët ose të vërtetët ( el sadikun) janë ata, qëllimi, fjalët dhe veprat e të cilëve janë në përputhje me porositë e Zotit dhe për të kënaqur Atë. Ata janë udhëzuar në rrugën e drejtë dhe me qëndrueshmëri vazhdojnë në këtë rrugë. Ditën e Gjykimit, këta do të gjejnë frytet e këtij qëndrimi të mirë. Atë ditë, Allahu do t’i nderojë ata me grada të larta pranë Tij, në kopshtet e mirësisë, siç thotë më pas: - “Atyre u takojnë kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ky është shpëtimi i madh.” - Ndërsa gënjeshtarët do të jenë në një gjendje krejt të kundërt me të sinqertët. Ata do të ballafaqohen me pasojat e trillimeve të tyre po atë ditë. - “Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i tokës dhe gjithçka që është ndërmjet tyre. Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.” - Allahut i takon mbretërimi dhe sundimi i qiejve dhe tokës, sepse Ai është Krijuesi i tyre. Ai kujdeset për mbarëvajtjen e tyre, nëpërmjet ligjeve të Tij të krijimit dhe funksionimit të gjërave. Është Ai që vendos rregullat dhe ligjet që dëshiron për ne. Është Ai, gjithashtu, i vetmi të Cilit i takon të llogarisë dhe shpërblejë krijesat me drejtësi. Ai është i Plotpushtetshëm për gjithçka. Asgjë nuk del jashtë pushtetit dhe vullnetit të Allahut. Gjithçka i nënshtrohet dëshirës dhe ligjeve të Tij. Këtu përfundon dhe tefsiri i sures El Maide. I lavdëruar qoftë Allahu për çdo mirësi të dhuruar prej Tij.
Fq ❖ Parathënia e përkthyesit .......................................................................................... 3. ❖ Parathënia e autorit ................................................................................................. 3. ❖ El fatiha ..................................................................................................................... 5. ❖ El bekare .................................................................................................................... 9. ❖ Al Imran ................................................................................................................. 241. ❖ El nisâ ...................................................................................................................... 363. ❖ El mâideh ................................................................................................................ 489.
1 I urdhëroi që ata që adhuruan viçin të egzekutoheshin nga ata që nuk e adhuruan atë.
2 Ajo ka edhe kuptimin “lexoj, këndoj Kur’ânin” (Sh.p.).
3 Arsyeja është se në Vendin e Shenjtë, në Mekë, nuk lejohet vrasja e kafshëve dhe prerja e bimësisë.
4 Adil është ai që cilësohet si i rregullt në fenë e tij, dhe i pa cënuar nga cilësi të dukshme që tregojnë mangësinë e fesë dhe moralit të tij.
5 Në Islam, ‘jetim’ konsiderohet fëmija të cilit (ose së cilës) i ka vdekur babai, ose të dy prindërit, dhe ende nuk ka arritur moshën e pjekurisë.
6Ndërsa hanefijtë janë të mendimit që, edhe në këtë rast, duhet të mbahet drejtësia dhe barazia, domethënë që krimi duhet dënuar edhe nëse një besimtar vret një jobesimtar padrejtësisht.
7 Ky ajet tregon në mënyrë të drejtpërdrejtë se nuk lejohet rruajtja para therjes së kurbanit, por sipas shpjegimit të Profetit, ne themi se është më mirë që rruajtja të bëhet pas kurbanit (Sh.p.).
8 Në këtë rast ky haxh quhet haxh temettu i llojit "Kiran". Imam ibnul kajimi thotë në Zad el miad: "Fjala temettu, sikurse e kemi përmendur, mund të japë dy kuptime: 1. Dalja nga gjendja e ihramit pas kryejres së umres dhe rinisja e ihramit për haxh në ditën e tetë, ose: 2. shoqërim i umres me haxhin e llojit kiran, pa ndërprerje të gjendjes së ihramit . Pra fjala temettu i përmban të dyja mundësitë." Mbr. Shkak për mos'heqjen e ihramit është sjellja e bagëtive të kurbanit me vete siç ka thënë Profeti a.s. kur atë e pyeti Ummu Seleme. Sh.p.
9 Edhe pse saktësia e këtij hadithi është përfolur (Sh.p.).
10 Gjykimi i Pejgamberit lidhur me divorcin me kompensim (el hul) 10 Në Sahih-un e Buhariut përmendet hadithi i Ibn Abasit, i cili rrëfen se gruaja e Thabit Ibn Kajs Ibn Shammasit, shkoi te Pejgamberi (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë, Thabit Ibn Kajsin nuk e shaj as për sjelljen dhe as për devotshmërinë fetare, por e urrej kufrin, pasi jam bërë muslimane.” 10 Ai i tha: “A ia kthen kopshtin * e tij?” “Po.” - i tha ajo. Atëherë i Dërguari i Allahut (a.s.) i tha burrit të saj: “Pranoje kopshtin dhe ndaje!” (Pra ajo kishte frikë se mos urrejtja e madhe që kishte ndaj tij, e shtynte që të bënte diçka që do të ishte vepër kufri, ose që të çonte në kufër. El Tibi e shpjegon: “Ajo kishte frikë se pasi ishte bërë muslimane, mos bënte diçka që binte ndesh me rregullat e Islamit, siç janë kundërshtimi dhe antipatia ndaj burrit. Këto mund të ndodhin te një vajzë e re dhe e bukur, e cila e urren burrin, kur ky është në të kundërtën e saj. Pra, gjërat që bien ndesh me rregullat e Islamit, ajo i quajti kufër.) Në Sunen-in e Nesaiut përmendet hadithi i përcjellë nga Rrubeji Bintu Muauidhi, e cila rrëfen se Thabit Ibn Kajs Ibn Shemmasi e goditi gruan e vet, Xhemile Bintu Abdullah Ibn Ubejjin dhe i theu dorën. Për këtë arsye, vëllai i saj shkoi dhe u ankua te Pejgamberi (a.s.). Pejgamberi (a.s.) dërgoi dikë të thërriste Thabitin. Pasi erdhi, Pejgamberi (a.s.) i tha atij: “Merrja atë që ia ke dhënë për mehr dhe lëshoje!” “Dakord.” – tha ai. Atëherë, i Dërguari i Allahut e urdhëroi gruan të qëndronte si kohëpritje vetëm një cikël menstrual dhe të shkonte në shtëpinë e saj.10 Ebu Daudi shënon në Sunen-in e tij hadithin e Ibn Abasit (r.a.), i cili rrëfen se gruaja e Thabit Ibn Kajs Ibn Shemmasit bëri divorc (ħul'un) me të shoqin, duke i dhënë atij kompensim. Pas kësaj, Pejgamberi (a.s.) e ka urdhëruar atë grua të
qëndronte në pritje ( idet) vetëm një cikël menstrual.10 Në Sunen-in e Dare Kutnit, lidhur me këtë ngjarje, përmendet se Pejgamberi (a.s.) i është drejtuar gruas së Thabitit: “A ia kthen kopshtin e tij, të cilin ta ka dhënë si mehr?” “Po, - i ka thënë ajo, – madje dhe më tepër.” “Më tepër jo, – ia ka kthyer Pejgamberi (a.s.), – por vetëm kopshtin e tij.” “Në rregull.” – ka thënë ajo. Atëherë, Pejgamberi (a.s.) ka marrë pasurinë e Thabitit dhe i ka dhënë asaj divorcin. Pasi është informuar Thabit Ibn Kajsi, ka thënë: “E pranoj gjykimin e të Dërguarit të Allahut (a.s.).” Dare Kutniu ka shtuar se sened-i i këtij hadithi është i vërtetë. Nga ky gjykim i Pejgamberit (a.s.) dalin disa rregulla. Ndër to, është lejimi i divorcit me kompensim apo siç quhet ħul'un, siç dëshmon edhe Kur'ani. Allahu thotë: “Burrave nuk u lejohet të marrin gjë nga ajo që u kanë dhënë grave si mehr, vetëm nëse që të dy (burri dhe gruaja) frikësohen se nuk do të mund t’i zbatojnë dispozitat e Allahut (në bashkëshortësi). Në një rast të tillë, ata ua parashtrojnë çështjen e tyre kujdestarëve dhe nëse këta druhen se dy bashkëshortët nuk do t’u përmbahen kufijve të përcaktuar nga Allahu, atëherë nuk është gjynah për asnjërin, nëse gruaja i jep diçka burrit, si kompensim për t’u ndarë prej tij.” [Bekare: 229] Por një grup njerëzish, në kundërshtim me Kur'anin, Sunetin dhe ixhma-në, e kanë quajtur të paligjshëm divorcin me kompensim. Ajeti i lartpërmendur dëshmon se el-hul'u lejohet qoftë me leje të udhëheqësit, qoftë pa leje të tij, e megjithatë, disa e kanë konsideruar të paligjshëm këtë lloj divorci, nëse bëhet pa lejen e udhëheqësit. Pavarësisht nga kjo, katër prijësit e medhheb -eve, si dhe shumica e dijetarëve, nuk pajtohen me këtë qëndrim. Po kështu, ky ajet dëshmon se divorci me anë të kompensimit e përfundon lidhjen e martesës, sepse Allahu i Lartësuar e ka quajtur “çlirim”. Sikur të ishte ndarje e kthyeshme "talak raxh'ij", me mundësi të
hapur ribashkimi të çiftit gjatë periudhës së idet-it, pa bërë një akt të ri martesor – siç kanë thënë disa njerëz – gruaja nuk do të arrinte të çlirohej nga burri nëpërmjet pasurisë që i jep. Fjala e Allahu të Lartësuar: “...atëherë nuk është gjynah për asnjërin, nëse gruaja i jep diçka burrit si kompensim për t’u ndarë prej tij.”, tregon se kompensimi mund të bëhet me pak ose me shumë pasuri dhe se burrit i lejohet të marrë prej gruas më tepër sesa i ka pas dhënë për mehr. Abdurrezaku përcjell nga Muameri dhe ky nga Abdullah Ibn Muhammed Ibn Akili, i cili rrëfen se Errubeji’ Bintu Muavidh Ibn Afra’, i ka treguar që ajo ishte ndarë nga bashkëshorti në këmbim të çdo gjëje që ajo zotëronte. Kështu, kjo çështje iu kallëzua Uthman Ibn Afanit për gjykim. Ai e miratoi, duke i dhënë të drejtë burrit t’i merrte asaj çdo gjë, deri edhe kordonin e gërshetave të kokës. Gjithashtu, Abdurrezaku ka shënuar nga Ibn Xhurejxhi, ky nga Musa Ibn Ukbahi dhe ky nga Nafi’, i cili rrëfen se një grua, të cilin bashkëshortja e Ibn Umerit e kishte liruar nga skllavëria, shkoi tek Ibn Umeri, pasi ajo ishte divorcuar me burrin e saj, në këmbim të dhënies të çdo gjëje që ajo kishte, të të gjitha rrobave, deri edhe fustanin. Njëherë, Umerit (r.a.) i çuan një grua që ishte rebeluar ndaj burrit. Umeri i tha burrit të saj: “Bëj divorc me të, për t’i marrë deri edhe vathin.” Këtë e ka përmendur Hamad Ibn Seleme nga Ejjubi, ky nga Kethir Ibn Ebu Kethiri dhe ky nga Umeri (r.a.). Abdurrezaku sjell nga Muameri, ky nga Hakem Ibn Utejbe dhe ky nga Ali Ibn Ebu Talibi, i cili ka thënë: “Burri nuk duhet të marrë prej gruas më tepër sesa i ka dhënë (si mehr).” Edhe Tavusi ka thënë se nuk lejohet që burri të marrë prej gruas më shumë sesa i ka dhënë për mehr. Ndërsa Ataja ka thënë se nëse burri merr më tepër sesa mehri që i ka dhënë, teprica i kthehet gruas. Gjithashtu, Zuhriu nga ana e tij, ka thënë se nuk i lejohet burrit të marrë prej gruas më shumë sesa i ka dhënë. Mejmun
Ibn Mehrani ka thënë që nëse i merr gruas më shumë sesa i ka dhënë, atëherë kështu burri nuk e ka ndarë me mirësjellje. * Euzaiu dëshmon: “Gjykatësit nuk e lejonin burrin të merrte nga gruaja (në rast hul-i), përveç asaj që i kishte dhënë.” Ata që e lejojnë, bazohen në domethënien e drejtpërdrejtë të Kur'anit dhe të dëshmive që vijnë nga sahabët. Ndërsa ata që e ndalojnë kompensimin nga ana e gruas me më tepër pasuri sesa i ka dhënë burri, bazohen në hadithin e Ebu Zubejrit, i cili rrëfen se kur Thabit Ibi Kajs Ibn Shemmasi u nda me kompensim nga gruaja e tij, Pejgamberi (a.s.) i tha asaj: “A ia kthen kopshtin atij?” “Po, – tha ajo – madje edhe më tepër.” “Më tepër jo, – i tha Pejgamberi (a.s.), – por kopshtin e tij.” Dare Kutni ka thënë se Ebu Zubejri e ka dëgjuar këtë hadith nga disa persona dhe se sened-i i tij është i mirë. Më tej kanë thënë: Dëshmitë që vijnë nga sahabët për këtë çështje, janë të ndryshme. Kështu, nga disa prej tyre është përcjellë se teprica ndalohet, nga disa të tjerë është përcjellë se ajo lejohet dhe nga disa është përcjellë se ajo nuk pëlqehet, siç është dëshmia e Uekiut, që përcjell nga Ebu Hanifja, ky nga Ammar Ibn Imrara el Hemedhani dhe ky nga i ati, i cili rrëfen se Aliu (r.a.) e quante të urryer që burri, në rast divorci el hul , të merrte nga gruaja më shumë sesa i kishte dhënë. Imam Ahmedi është bazuar pikërisht në këtë dëshmi të fundit, duke u shprehur se teprica është e urryer. Kurse Ebu Bekri, një dijetar ky i medhheb-it të Ahmedit, e ka ndaluar tepricën, duke thënë se ajo duhet t’i kthehet gruas. Abdurrezzaku shënon nga Ibn Xhurejxhi, i cili tregon se Ataja i ka rrëfyer se te i Dërguari i Allahut (a.s.) erdhi një grua dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë e urrej burrin tim dhe dua të ndahem prej tij.” Pejgamberi (a.s.) i tha: “A ia kthen kopshtin që ta ka dhënë si mehr?” “Po, – iu përgjigj ajo, – madje dhe më tepër.” “Më tepër jo, por vetëm kopshtin.” – i tha
Pejgamberi (a.s.). “Dakord.” – ia ktheu gruaja. Atëherë, Pejgamberi (a.s.) vendosi që bashkëshorti i saj të merrte kopshtin dhe të ndahej prej saj. Këtë dëshmi, edhe pse është mursel, e përforcon hadithi i Ebu Zubejrit. Ndërkohë, nga të dy, si nga Ebu Zubejri, edhe nga Ataja, këtë hadith e ka përcjellë Ibn Xhurejxhi. *** Fakti që Allahu i Lartësuar e ka quajtur këtë divorc fidje (çlirim, shpengim), dëshmon se kjo është një kontratë me natyrë shkëmbimi. Për këtë arsye, në të merret parasysh pëlqimi i të dy bashkëshortëve. Atëherë lind pyetja: po nëse bashkëshortët bien dakord për anulimin e hul-it dhe burri i kthen gruas atë që i ka marrë, e më pas ribashkohen gjatë periudhës së idet-it, a kanë të drejtë ta bëjnë këtë? Katër prijësit e medhheb-eve dhe dijetarë të tjerë, e kanë ndaluar këtë lloj rikthimi. Arsyeja, sipas tyre, është se me hul-in, gruaja ndahet përfundimisht prej burrit, me mundësi ribashkimi veç me një akt të ri martesor. Por Abdurrezzaku ka përcjellë nga Muameri, ky nga Katade, dhe ky nga Said Ibn Musejjebi, i cili ka thënë lidhur me gruan e ndarë me kompensim: “Nëse burri dëshiron të ribashkohet me gruan gjatë periudhës së idet-it, duhet t’i kthejë fillimisht atë që i ka marrë dhe pastaj të thërrasë dëshmitarë për të dëshmuar ribashkimin me të.” Muameri ka thënë se edhe Zuhriu kështu mendonte. Ndërsa Haseni, sipas asaj që e përcjell Katade, thoshte për këtë rast se burri mund të ribashkohet me gruan veç me një fejesë të re. Në fakt, thënia e Said Ibn Mussejjebit dhe e Zuhriut është një perceptim mjaft i imët. Ajo bazohet në një arsyetim të hollë dhe është në pajtim me parimet e fikh-ut. Nuk ka diçka të panjohur që e bën të papranueshme, përveç faktit që në përgjithësi, dijetarët punojnë në kundërshtim me të. Arsyeja ku mbështet kjo thënie, është se gjatë periudhës së idetit, gruaja konsiderohet si peng te burri. Sipas
disa dijetarëve, nëse burri i jep gruas ndarje të qartë dhe të pakushtëzuar gjatë kësaj kohe, ai quhet i vlefshëm. Përderisa është kështu, atëherë, nëse çifti e anulon aktin e hul-it dhe ribashkohen me pëlqimin reciprok, parimet e Sheriatit nuk e pengojnë një gjë të tilllë. (I pakushtëzuar quhet divorci kur është i prerë dhe me efekt të menjëhershëm, si p.sh. kur burri i thotë gruas: “të kam lëshuar” ose “je e lëshuar”. Në arabisht quhet munxhez.) Ndryshe ndodh nëse flitet për periudhën pasi ka përfunduar idet-i, sepse në këtë rast, gruaja bëhet krejt e huaj përkundrejt burrit. Pas përfundimit të idet-it, burri konsiderohet si çdokush tjetër që mund të kërkojë dorën e saj. Për qëndrimin e Saidit dhe të Zuhriut dëshmon edhe fakti që ky burrë mund të rimartohet me këtë grua gjatë periudhë së idet-it, kurse të tjerët jo. *** Nga fakti që Pejgamberi (a.s.) e ka urdhëruar gruan muhteliah (e divorcuar nga burri me kompensim) që të qëndrojë në idet vetëm një cikël menstrual, dalin dy rregulla: Së pari, gruaja nuk e ka detyrë të qëndrojë në pritje tri cikle menstruale. Përkundrazi, asaj i mjafton të presë vetëm një cikël. Ky rregull, siç është përmendur qartë në Sunet, përkon edhe me mendimin e prijësit të besimtarëve, Uthman Ibn Afanit, të Abdullah Ibn Umer Ibn Hatabit, të Rrubeji Bintu Muavidhit dhe xhaxhait të saj, i cili ishte një ndër sahabët e mëdhenj. Nuk njihet ndonjë sahab që t’i ketë kundërshtuar këta. Mendimi i këtyre përmendet në transmetimin që e përcjell Lejth Ibn Sa’di nga Nafi’ – ish-skllavi i Ibn Umerit (r.a.) – i cili rrëfen se ka dëgjuar Rrubeji Bintu Muavidhin teksa po i tregonte Abdullah Ibn Umerit që ishte ndarë nga burri i saj me kompensim (hul’), në kohën e Uthman Ibn Afanit. Kështu, xhaxhai i saj kishte shkuar tek Uthman Ibn Afani dhe i kishte thënë: “Bija e Muavidhit është ndarë sot me kompensim nga burri i saj. A mund të shpërngulet nga shtëpia ku gjendet?”
Uthmani i ishte përgjigjur: “Po, le të ndërrojë vend. Meqenëse ndarja është e tillë, ata nuk e trashëgojnë njëri -tjetrin dhe ajo nuk ka detyrë të qëndrojë në idet, veçse nuk i lejohet të martohet me dikë tjetër, derisa të kalojë një cikël mestrual, në mënyrë që të faktohet se nuk ka mbetur shtatzënë.” Pasi e dëgjoi, Abdullah Ibn Umeri tha: “Uthmani është më i miri dhe më i dituri ndër ne.” I këtij mendimi ka qenë edhe Is’hak Ibn Rahavejhi dhe Imam Ahmedi – sipas një varianti që dëshmohet prej tij – të cilin e ka zgjedhur dhe shejhu i Islamit, Ibn Tejmije. Ata që kanë përkrahur këtë qëndrim, kanë thënë se ai rrjedhon nga parimet e Sheriatit, pasi idet-i (nga talak-u) është caktuar tri cikle menstruale, në mënyrë që të zgjasë periudha kur ribashkimi i çiftit (pa ribërje akti) është i mundshëm dhe që bashkëshorti të mendohet thellë e kësisoj, të ketë mundësi ta rimarrë gruan brenda kësaj periudhe. Atëherë, përderisa ndarja me hul është e pakthyeshme (pra është talak bain), qëllimi i idet-it, në këtë rast, është thjesht për t’u vërtetuar që gruaja nuk është shtatzënë dhe për këtë mjafton një cikël menstrual, ashtu si rastet e tjera, kur gruaja duhet të qëndrojë në pritje veç një cikël, me qëllim që të vërtetohet se nuk është shtatzënë. Mandej, kanë thënë: Këtë arsyetim nuk e hedh poshtë fakti që idet-i i së ndarës tri herë, është tri cikle menstruale, sepse për talak-un, periudha e idet-it është caktuar njëlloj, qoftë përfundimtar apo i kthyeshëm. Më andej kanë thënë se kjo që u tha argumenton se hul-i është feskh (zgjidhje, anulim i aktit të martesës) dhe jo talak (akt divorci). Pikërisht, ky është edhe mendimi i Ibn Abasit, Uthmanit, Ibn Umerit, Rubejit dhe xhaxhait të saj. Nga ana tjetër, në mënyrë kategorike, nuk ka ndonjë dëshmi të saktë nga asnjë sahab, që të tregojë se hul-i është talak (ndarje). Imam Ahmedi transmeton nga Jahja Ibn Saidi, ky nga Sufjani, ky nga Amri, ky nga Tavusi dhe ky nga Ibn Abasi (r.a.) që: “ Hul-i është divorc
(zgjidhje e aktit të martesës), jo ndarje (talak).10 Abdurrezzaku përmend nga Sufjani, ky nga Amri e ky nga Tavusi, i cili rrëfen se Ibrahim Ibn Sa’d Ibn Ebi Uekkasi, pyeti Ibn Abasin për rastin kur dikush e ndan gruan e vet dy herë dhe më pas ajo divorcohet prej tij me hul: “A i lejohet të martohet me të?” “Po, – i tha Ibn Abasi, – sepse Allahu e ka përmendur talak-un në fillim të ajetit dhe në fund të tij, dhe hul-in ndërmjet tyre.” Dikush mund të reagojë: Përse thoni se ata të cilët ju përmendni nuk i ka kundërshtuar askush nga sahabët, ndërkohë që Hamad Ibn Seleme transmeton nga Hishami Ibn Urve, ky nga i ati dhe ky nga Xhumhani, se Ummu Bekre el Eslemije, që ishte e martuar me Abdullah Ibn Usejdin, u nda prej tij me hul? Më pas, që të dy, burrë e grua u penduan, ndaj shkuan për t’u gjykuar tek Uthmani. Uthmani e lejoi ribashkimin e tyre, duke thënë: “Kjo konsiderohet një ndarje. Megjithatë, nëse janë deklaruar më tepër fjalë ndarjeje, atëherë konsiderohen aq sa janë deklaruar.” Ibn Ebu Shejbe thotë se ka thënë Ali Ibn Hashimi, ky nga Ibn Ebu Lejla, ky nga Talha Ibn Musarrifi, ky nga Ibrahim Nakhaiu, ky nga Alkame dhe ky nga Ibn Mes’udi, që: “Talak-u (domethënë, ndarja e parë dhe e dytë) është i pakthyeshëm (bain) vetëm kur bëhet me kompensim ose kur bëhet për shkak të ila-ut.”10 Ky qëndrim është përcjellë edhe nga Ali Ibn Ebu Talibi. Këta pra, janë tre sahabë të mëdhenj – Allahu qoftë i kënaqur me ta! – të cilët mendonin kështu. Për këtë ne do të përgjigjeshim duke thënë se faktet e mësipërme nuk janë përcjellë në mënyrë autentike nga askush prej tyre. Sa për dëshminë që vjen nga Uthmani (r.a.), Imam Ahmedi, Bejhakiu e dijetarë të tjerë, e kanë quajtur të papranueshme. Mësuesi ynë (IbnTejmija) ka thënë: “Si mund të jetë e vërtetë se Uthmani mbante atë qëndrim, ndërkohë që ai mendonte se ndarja me hul nuk ka idet, por gruaja pret derisa të kalojë
një cikël menstrual, për t’u vërtetuar që nuk është shtatzënë? Nëse Uthmani do të ishte i mendimit që hul-i quhet si një ndarje, atëherë do të thoshte që idet-i është i detyrueshëm. Për Xhuhmanin, transmetuesi i kësaj ngjarjeje nga Uthmani, nuk njohim më shumë se faktin që ai ka qenë një ish - skllav i fisit Eslem.” 10 Sa për dëshminë e Ali Ibn Ebu Talibit, Ebu Muhamed Ibn Hazmi ka thënë: “E kemi sjellë nëpërmjet një rruge që nuk është e vërtetë.” Ndonëse më optimalja e këtyre dëshmive është ajo e Ibn Mesudit, prapëseprapë themi se kujtesa e Ibn Ebu Lejlas (njërit nga transmetuesit e tij) ishte e dobët. Gjithsesi, edhe sikur të jetë e pranueshme, maksimumi që ajo mund të provojë, është se talak-u është i pakthyeshëm, kur ndodh përkrah divorcit me kompensim ose gjatë idet-it të divorcit me kompensim , por jo që vetë hul-i është talak përfundimtar (i pakthyeshëm). Siç vihet re qartë, ndërmjet këtyre dy përkufizimeve ka ndryshim të dukshëm. Ndër argumentet që dëshmojnë se ndarja hul nuk quhet talak, është se Allahu i Lartësuar ka përmendur që ndarja për herë të parë dhe për herë të dytë, pas kontaktit seksual me gruan, sjell tri rregulla, të cilat nuk gjenden te ndarja hul. Së pari, burri ka të drejtë të rimarrë gruan gjatë periudhës së idet-it. Së dyti, ndarja e parë dhe e dytë llogariten prej tri ndarjeve që burri mund t’i japë së shoqes. Për rrjedhim, nëse burri e ndan gruan tri herë, ai nuk mund të rimartohet me të, vetëm nëse ajo martohet me një burrë tjetër dhe ky ta ndajë, pasi të ketë bërë kontakt seksual. Së treti, ideti (kohëpritja) i talak-ut është tri cikle menstruale. Nga ana tjetër, argumentet e Kuranit dhe të Sunetit vërtetojnë që ndarja hul është e pakthyeshme. Po kështu, argumentet e Sunetit dhe thëniet e sahabëve provojnë që idet-i i ndarjes hul është vetëm një cikël menstrual. Gjithashtu, ajeti i Kuranit dëshmon se hul-i mund të bëhet edhe pas dy ndarjesh dhe se pas hul-it burri mund të bëjë edhe një ndarje të tretë të
gruas. Nga kjo kuptohet qartë që divorci hul nuk është talak. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndarja me të drejtë ribashkimi është dy herë. Gjykimi i Allahut pas një ndarjeje të tillë është: ose të rikthehet gruaja dhe të mbahet me mirësjellje dhe bashkjetesë të mirë, ose të lirohet nga lidhja e bashkëshortisë me mirësjellje, duke shlyer detyrimet ndaj saj dhe duke mos e përmendur për keq. 10 Burrave nuk u lejohet të marrin gjë nga ajo që u kanë dhënë grave si mehr, vetëm nëse ata të dy (burri dhe gruaja) frikësohen se nuk do t’i zbatojnë dispozitat e Allahut (në bashkëshortësi). Në një rast të tillë, ata ua parashtrojnë çështjen e tyre kujdestarëve dhe nëse këta frikësohen se dy bashkshortët nuk do t’u përmbahen kufijve të përcaktuar nga Allahu, atëherë nuk është gjynah për asnjërin, ajo që gruaja ia paguan burrit, si kompensim për t’u ndarë prej tij.” 10 Fakti që përmendet rasti i gruas së ndarë dy herë, nuk do të thotë që hul-i vlen vetëm për këtë rast, por nga ana tjetër, pa diskutim ky rast përfshihet ndër rastet e tjera, sepse është përmendur. Pra, nga ky ajet kuptohet se hul-i vlen për gruan që është ndarë dy herë, për atë që është ndarë vetëm një herë, si edhe për atë që nuk është ndarë asnjëherë. Në këndvështrimin gjuhësor, është e palejueshme që fjala “të dy”, e cila përmendet në frazën ku flitet për hul-in, të zëvendësojë një emër të papërmendur dhe jo atë që parapërmendet në tekst. Përkundrazi, ajo ose zëvendëson vetëm emrin e parapërmendur, ose zëvendëson atë dhe të tjerë. Pasi ka folur për ndarjen hul, Allahu thotë: “Më pas, nëse burri e ndan sërish gruan për të tretën herë, nuk mund të martohet më me të, pa u martuar ajo me një burrë tjetër. Por, nëse ky tjetri e ndan, atëherë nuk kanë gjynah as ajo e as burri i parë që të martohen sërish me njëri tjetrin.” Këtu, pa diskutim përfshihet edhe rasti i gruas që ndahet për herë të tretë, pas dy ndarjeve të tjera dhe pas një hul-i, ngaqë ky është rasti i parapërmendur. Pra, medoemos
ajeti i fundit e përfshin këtë rast. Pikërisht, kështu e ka kuptuar Komentuesi i Kuranit (Ibn Abasi), për të cilin Pejgamberi (a.s.) u lut që Allahu t’i mësonte interpretimin e Kuranit e kjo lutje, pa dyshim që ishte e pranuar. Përderisa rregullat e divorcit hul ndryshojnë nga rregullat e talak-ut, kjo dëshmon se nuk janë njëlloj. Pikërisht, për këtë dëshmojnë tekstet e Kuranit dhe të Sunetit, kijas-i dhe thëniet e sahabëve. Mandej, ai që vëren thelbin e kontratave dhe synimin e tyre, e jo thjesht shprehjet e përdorura, e konsideron hul-in si zgjidhje (feskh) të aktit të martesës me çfarëdolloj fjale, qoftë edhe me fjalën talak. Ky është një variant i Ahmedit dhe pikërisht këtë ka zgjedhur mësuesi ynë (Ibn Tejmija), i cili thoshte: “Kjo kuptohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga fjalët e Ahmedit, Ibn Abasit dhe nxënësve të tij. Ibn Xhurejxhi ka thënë se Amër Ibn Dinari i kishte treguar se kishte dëgjuar Ikriman – ish-skllavin e liruar nga Ibn Abasi – duke thënë se divorci në këmbim të pasurisë, nuk është talak.” Abdullah Ibn Ahmedi thotë: “Kam vërejtur se babai im përkrahte mendimin e Ibn Abasit, i cili ka thënë se hul-i është zgjidhje e aktit të martesës dhe jo talak. Amri transmeton nga Tavusi dhe ky nga Ibn Abasi (r.a.), se hul-i është zgjidhje e aktit të martesës dhe jo talak. Ibn Xhurejxhi përcjell se djali i Tavusit ka thënë: “Babai im nuk mendonte se divorci me kompensim është talak.” Ndërsa ai që i vëren shprehjet dhe u qëndron strikt në rregullat e kontratave, rastin kur dikush e divorcon gruan me kompensim duke përdorur fjalën talak, e konsideron talak. Por principet dhe parimet e fikh-ut dëshmojnë se merret parasysh thelbi dhe domethëniet e kontratave e jo format dhe shprehjet e tyre. Suksesi është në dorë të Allahut. Ndër argumentet që dëshmojnë për këtë, është fakti që Pejgamberi (a.s.) e urdhëroi Thabit Ibn Kajsin që për t’i bërë hul gruas, t’i jepte një talak (ta lëshonte) dhe megjithëkëtë, ai e
urdhëroi gruan të qëndronte për idet vetëm një cikël menstrual. Ky fakt tregon qartë që hul-i është zgjidhje akti, qoftë edhe duke përdorur për realizimin e tij fjalën talak. Gjithashtu, prej argumenteve që mbështesin këtë mendim, është edhe se Allahu i ka dhënë divorcit hul disa rregulla të veçanta, sepse në thelb, hul-i është lirim me kompensim. Siç dihet, për realizimin e lirimit nuk është kusht të përdoret ndonjë shprehje specifike, e as nuk ka caktuar Allahu i Lartësuar për të ndonjë fjalë të veçantë. Atëherë, talak-u me kompensim është talak i kushtëzuar, kështu që nuk përfshihet në rregullat e talak-ut të pakushtëzuar, domethënë që nuk është i kthyeshëm dhe nuk e ka idet-in tri cikle menstruale, siç dëshmon hadithi i vërtetë. Shih Zad el mead vëll 5 fq 241 ...
11Kamata nesie (kamatëvonesa) është shtesa e vendosur si kusht, që kërkon borxhdhënësi nga borxhmarrësi, mbi pagesën e një detyrimi, nëse ky nuk shlyhet në afatin e caktuar. Me fjalë të tjera është kamata që rrjedh si pasojë e dhënies borxh me interes. Sa më shumë të vonohet shlyerja e borxhit aq më shumë shtohet interesi (kamata). Ky është lloji i kamatës që është ndaluar me argument nga Kur’âni, syneti dhe konsensusi i gjithë umetit.
12 Kamata fadl (kamata e differences) është blerja e monedhave me monedha (të të njëjtit lloj) apo e ushqimit me ushqim (të të njëjtit lloj), me diferencë në peshë apo në masë. Me fjalë të tjera të blesh 1000 euro me 1200 euro, apo të blesh 1 kv grurë vendi me 1.5 kv grurë importi. Në hadithin e transmetuar nga Ubadetu ibnu Samit, Profeti a.s. ka thënë: "Floriri me flori, argjendi me argjend, gruri me grurë, elbi me elb, hurma me hurmë, kripa me kripë; të gjitha këto duhet të jenë të të njëjtit lloj, të të njëjtës masë, dorë më dorë (në moment jo me vonesë). Nëse ndryshojnë llojet, shisni e blini si të doni, por, dorë më dorë (jo me
vonesë)." Transmeton Muslimi. Pra nëse blejme flori me flori, hurma me hurma, e kështu me rradhë, duhet të kemi dy gjëra parasysh: 1. pavarësisht nga cilësia e produktit, masë apo pesha, si e mallit ashtu edhe e çmimit, duhet të jenë të njëjta pa diferencë. 100 gram flori blihen me 100 gr flori sido që të jetë cilësia; 100 kg oriz vendi blihen me 100 kg oriz importi, sido që të jetë cilësia, e kështu me rradhë. 2. blerja të bëhet në moment dorë më dorë, jo me afat. Pra nuk lejohet të shesësh 100 kg oriz me 100 kg oriz por që pagesa të mos bëhet menjëherë e të bëhet më vonë. Ndërsa nëse blejmë flori me argjend, apo hurma me kripë, e kështu me rradhë, nuk ka problem të ndryshojë masa apo pesha, por mbetet në fuqi kushti i dytë, pra mos vonesa e pagesës. 100 gr flori mund të blihet me 300 gr argjend, por me kusht që pagesa të bëhet dorë më dorë pa toleruar asnjë lloj vonese (pra pagesa të bëhet pa u larguar nga mexhlisi). A vlen ky gjykim edhe për lloje të tjera mallrash apo jo, kjo është temë më vete dhe dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për të. Kjo është sqaruar në librat e fikhut gjerësisht.
13 Shitblerje me porosi, sipas legjislacionit Islam është çdo lloj akti shitblerje në të cilin malli porositet me cilësi të caktuara, me pagesë në vendin e aktit, por që malli të dorëzohet në një afat kohor të pranuar nga të dyja palët. Profeti a.s. ka thënë: "Kush parapaguan për një mall të vonuar le të përcaktojë masën, peshën dhe kohën."
14 Në një kopje tjetër të këtij libri, shejh Sadi shkruan në futnotë për këtë çështje: “Në librin e tij “ Minhaxh Sunetin - Nebeuijeh”, shejhu i Islamit Ibn Tejmije thotë: “Për sa i përket fjalës së Allahut të Lartësuar: “...veç nëse është për qëllim ruajtja prej të keqes së tyre.”, Muxhahidi ka thënë: “Kjo nuk do të thotë që, duke u shtirur, të pajtohesh dhe të përzihesh
plotëisht me ta. Kjo nuk do të thotë që të thuash me fjalë atë që nuk e ke në zemrën tënde, sepse një gjë e tillë quhet shtirje ose hipokrizi. Përkundrazi, ti duhet të bësh maksimumin për ndryshimin e së keqes dhe për të luftuar kufrin, sikurse ka thënë Profeti (a.s.) në një hadith të saktë: “Kushdo prej jush që shikon ndonjë të keqe, le ta ndryshojë atë me dorën e tij; nëse nuk mundet, le ta ndryshojë atë me fjalë, dhe nëse as për këtë nuk mundet, le ta ndryshojë atë të keqe me zemrën e tij”. Kështu, nëse një musliman jeton dhe gjendet mes qafirëve, nuk e ka për detyrë dhe nuk i takon që t’i luftojë ata me dorën e tij, pra, me forcë. Por, nëse mundet, le ta ndryshojë këtë të keqe me fjalë, duke i sqaruar të vërtetën me argumente bindëse. Por nëse as për këtë nuk ka mundësi, atëherë le ta ndryshojë të keqen me zemrën e tij, domethënë, duke e urryer dhe duke u distancuar prej saj. Në këtë proces, ai nuk duhet të mashtrojë e të shtiret duke thënë me gojë gjëra që nuk ia beson zemra e tij. Ai ka vetëm dy zgjidhje: ose ta shfaqë hapur fenë e tij, ose ta fshehë atë, por kurrsesi të mos i miratojë ata për fenë e tyre. E shumta që mund t’i lejohet këtij njeriu është ajo që bënin besimtari dhe gruaja e Faraonit në shtëpinë e këtij të fundit. Ata të dy nuk i miratonin veprat e tyre (jobesimtarëve), kur ishte fjala për çështjet e besimit të tyre. Ata, gjithashtu, nuk shprehnin me vepra dhe as me fjalë atë gjë që nuk e kishin në zemër. Ata thjesht e fshihnin besimin e tyre. Fshehja e besimit është diçka, dhe shfaqja e kufrit ose miratimi i fesë së të humburve është diçka tjetër. Shfaqja ose miratimi i ndonjë feje të kotë nuk është i lejuar, përveç ndonjë rasti të jashtëzakonshëm, kur të detyrojnë ose të kërcënojnë seriozisht.”
15Ngjarjet dhe ndodhitë e jashtëzakonshme që u ndodhin dhe u dhurohen profetëve quhen mrekulli, ndërsa të tilla ndodhi që u
dhurohen besimtarëve dhe besimtareve të sinqerta quhen keramete.
16 Shih në suren Bekare, ajeti 136.
17 Ky fakt dëshmohet qartë në hadithin që e ka përnxjerrë imam Muslimi në “ Sahih”-un e tij, në kapitullin “Pendimi”, me numër 22, ku thuhet se Profeti (a.s.), pas një beteje, pa mes njerëzve një grua që nuk po gjente fëmijën e saj. Ajo kërkonte mes njerëzve dhe, kur e gjeti, e pushtoi fort dhe filloi t’i jepte gji. Atëherë, Profeti (a.s.) tha: “A mendoni se kjo grua mund ta flakë foshnjën e saj në Zjarr?!” - “Jo, o i Dërguari i Allahut!” – thanë të pranishmit. Ndërsa Profeti (a.s.) vazhdoi: “E pra, betohem në Allahun, se Allahu është më i Mëshirshëm me robërit e Tij, sesa kjo nënë me foshnjën e saj!”
18 Pjesët e përcaktuara nga Sheriati në ndarjen e trashëgimisë janë gjashtë: 1/2, 1/4, 1/8, 1/3, 1/6 dhe 2/3. Për secilën masë janë përcaktuar përfituesit e saj.
19 Dihet që, nëse është i pranishëm babai apo gjyshi i të vdekurit, ata që janë në shkallë më poshtë privohen nga trashëgimia.
20 Si, për shembull, kur i ndjeri ka thyer ndonjë betim, që duhet të kompensonte, apo kur nuk ka dhënë zekatin brenda kohës së përcaktuar etj.
21 Këtu hyjnë edhe shpenzimet për varrimin apo për shërbime të tjera të ngjashme, të cilat merren nga pasuria e të ndjerit, para se të fillojë ndarja e trashëgimisë.
22 Për shembull, një vëlla e një motër, dy vëllezër, dy motra, dy vëllezër e një motër, dy motra e një vëlla, etj, të gjithë nga nëna.
23 Hadithi është në dy ‘Sahih’-ët.
24 Ebu Abbas Abdullah Ibn Abbas Ibn Abdul-Mutalibi (r.a.) përcjell nga i Pejgamberi (a.s.): “Vërtet Allahu i ka shkruar (e përcaktuar) cilat janë veprat e mira e cilat të këqijat”. Pastaj e sqaroi këtë: “Kush dëshiron me zemër të bëjë një vepër të mirë, por nuk mund ta kryejë, Allahu do t’ia shkruajë atë si vepër të mirë e të plotë. Atij që dëshiron të bëjë një vepër të mirë dhe e kryen atë, Allahu do t’i shkruajë dhjetë të mira, shtatëqind të mira, e më tepër. Atij që dëshi ron të bëjë ndonjë vepër të keqe, por nuk e kryen atë, Allahu do t’ia shkruajë si një vepër të mirë të plotë. Atij që dëshiron dhe e kryen një vepër të keqe, Allahu i shënon si vetëm një vepër të keqe.” (Muttefekun alejhi).
25 Pyetje: A lejohet qëndrimi në xhami për njeriun xhunub? Po prekja dhe leximi i Kur’ânit? Përgjigje: Jo, këto gjëra nuk lejohen për të. Megjithatë, nëse ai merr abdes, ato i lejohen, sipas Ahmedit dhe disa dijetarëve të tjerë. Hisham Ibn Sadi dëshmon se shokët e Profetit (a.s.), kur ishin xhunub, merrnin abdes dhe uleshin në xhami. Po ashtu, nëse dijetarët nuk janë të një mendimi për lejueshmërinë e futjes së një jomuslimani në xhami, atëherë futja e një besimtari xhunub në xhami është më e pranueshme. Akoma më mirë, futja e tij me abdes është edhe më e pranueshme. [Shih “Mexhmuatul Fetaua”, 11/191].
26 Në gjuhën arabe, fjala “ saîd” do të thotë ‘tokë’. Disa thonë se kuptimi i saj është “tokë e mirë, e pastër”. Disa të tjerë thonë se ashtu quhet “dhéu i mirë e i pastër”. Në ajet thuhet: “fe tejem-mumû saîden tajjibâ”, pra: “Merrni tejemum me dh é të mirë”. Ebu Is'haku thotë: “ Saîd quhet sipërfaqja e tokës. Kështu, njeriu duhet të godasë me pëllëmbët e tij tokën, e nuk ka rëndësi a ka dhé në të apo jo, sepse saîd nuk është dhéu, por është sipërfaqa e tokës, sido që të jetë ajo. Nëse në një vend ka vetëm tokë
shkëmbore dhe gurë, atij që merr tejemum i mjafton që të vendosë duart e tij mbi shkëmb dhe të fërkojë me të fytyrën e tij. Ky do të ishte një tejemum i rregullt”.
27 Në një hadith thuhet: “Nëse ju kërkohet të dilni në luftë, përgjigjuni!”, me kuptimin: Nëse udhëheqësi ju kërkon të dilni në luftë në rrugën e Zotit, atëherë e keni detyrë që të përgjigjeni, sepse në një rast të tillë xhihadi është farz ajn për secilin që i plotëson kushtet. Në një rast të tillë, askujt nuk i lejohet që të qëndrojë në shtëpi, përveç nëse ka justifikim të pranuar nga Sheriati i Zotit. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Ç’është kështu me ju, që, kur ju thuhet të dilni në rrugën e Allahut juve ju rëndon vendi? A mos jeni, vallë, më të kënaqur me jetën e kësaj bote, sesa me Ahiretin? Jeta e kësaj bote, përkundër ahiretit, është diçka shumë e vogël. Nëse nuk dilni, Ai do t'ju ndëshkojë me një dënim të rëndë dhe do t'ju zëvendësojë me një popull tjetër dhe Atij nuk i bëhet aspak dëm. Allahu është i Plotpushtetshëm për gjithçka.” [Teube 38, 39]. Ky, pra, është njëri nga rastet kur xhihadi është farz ajn . Rasti i dytë është xhihadi mbrojtës, kur armiku ka rrethuar vendin tënd islam. Rasti i tretë është kur dy ushtritë, ajo muslimane dhe ajo qafire, janë vendosur përballë njëratjetrës. Edhe në këtë rast, lufta është detyrë për pjesëmarrësit dhe nuk lejohet largimi prej saj, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuar! Kur të jeni përballë ushtrisë së jobesimtarëve, kurrë mos ua ktheni shpinën! Askush të mos ua kthejë atyre shpinën në atë moment, veç atij që kthehet për të luftuar ose për t’iu bashkëngjitur një grupi tjetër. Kush tërhiqet, ai ka tërhequr kundër vetes zemërimin e Allahut dhe vendi i tij është Xhehenemi, një strehim shumë i keq.” [Enfal 15, 16]. Profeti (a.s.) na ka njoftuar, gjithashtu, se largimi nga fushëbeteja është një nga shtatë gjynahet e mëdha dhe shkatërruese. Rasti i katërt kur xhihadi është farz ajn është
atëherë kur një person njeh përdorimin e një arme që askush tjetër nuk e njeh dhe është i domosdoshëm përdorimi i saj. Atëherë, për këtë njeri, xhihadi është farz ajn, edhe nëse udhëheqësi nuk e ka thirrur për mobilizim. Këto janë katër rastet kur xhihadi është farz ajn. Ndërsa çdo rast tjetër është farz kifaje. [Shih “Rijad es-Salihin” shpjegimin e Shejh Ibn Uthejmin].
28 Transmeton El buhari.
29Këto ishin emërtime të idhujtarëve për disa bagëti që i konsideronin si të shenjta, pa pasur argument nga Zoti.
30 Këto nivele të besimit janë përmendur në hadithin e Xhibrilit (a.s.) ku thuhet: “Një ditë, kur ne ishim me Profetin (a.s.), u shfaq mes nesh një burrë me rroba shumë të bardha dhe me flokë shumë të zinj. Nuk shiheshin mbi të gjurmët e udhëtimit dhe askush prej nesh nuk e njihte atë . Ai u ul pranë Profetit (a.s.), i vendosi dy gjunjët e tij te dy gjunjët e Profetit (a.s.), vendosi dy pëllëmbët e tij mbi kofshët e tij dhe tha: “O Muhamed, më trego se ç’është Islami!” Profeti i Allahut tha: “Islami është: “Të dëshmosh se nuk ka Zot të adhuruar me të vërtetë veç Allahut dhe se Muhamedi është Profeti i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhin në Shtëpinë e Shenjtë (Qabe), nëse ke mundësi të shkosh atje”. Ai tha: “Të vërtetën e ke thënë“. Ne u çuditëm me të (thotë Umeri). E pyeti, pastaj e miratoi! Më pas, ai tha: “Më trego se ç’është imani!” Profeti (a.s.) tha: “Imani është: Të besosh Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, profetët e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në caktimin e Allahut, të mirën e tij dhe të keqen e Tij”. Ai tha: “Të vërtetën ke thënë“. Pastaj, sërish tha: “Më trego se ç’është ihsani!” Profeti (a.s.) tha: “Ta adhurosh Allahun sikur ti e sheh Atë, sepse edhe nëse nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.” [Muslimi].
31 “El istihara” quhet mënyra e kërkimit të ndihmës dhe gjykimit prej Allahut të Madhëruar, duke iu lutur Atij për udhëzim në rrugën më të mirë të veprimit në çështje të rëndësishme, për të cilat je në mëdyshje. Kështu, nëse je përpara një pune të rëndësishme dhe je në mëdyshje rreth zgjedhjes më të mirë, vendos për njërën nga ato dhe, para se t’ia nisësh punës për realizimin e saj, fal dy rekatë namaz, dhe më pas lutesh me duanë e istihares. Shih “Mburroja e muslimanit” fq 80.
32 Imam Maliku, Shafiiu dhe Ebu Hanifja kanë qenë të mendimit se larja e gojës dhe e hundës është sunet. Ndërsa dijetarë të tjerë janë të mendimit se kjo është detyrë, ashtu sikurse larja e fytyrës, për arsyet e mëposhtme: - Së pari, Allahu i Lartësuar ka urdhëruar për larjen e fytyrës, por është transmetuar saktësisht vazhdimësia e Profetit (a.s.) në pastrimin e gojës dhe hundës në të gjitha rastet e marjes së abdesit. Këtë veprim e ka dëshmuar çdo përcjellës i mënyrës së abdesit të Profetit (a.s.). - Së dyti, është transmetuar saktësisht se Profeti (a.s.) ka urdhëruar e ka thënë: “Nëse dikush prej jush merr abdes, le të fusë ujë në hundë, pastaj le ta nxjerrë atë (duke pastruar kështu hundën).” (Shih " Sahihul Xhami'", nr. 443). - Së treti, Profeti (a.s.) ka thënë: “Bëje sa më të thellë futjen e ujit në hundë, vetëm nëse je agjërueshëm”. - Së katërti, Profeti (a.s.) ka thënë gjithashtu: “Kur të marrësh abdes, bëj gargarë.” (Shih ‘ Sahih Ebu Daud’ 129, 131).
33 Papastërtitë janë dy llojesh: “ ahadâth” - papastërti rituale, si mungesa e guslit dhe mungesa e abdesit; dhe “ nexhâset” - papastërti fizike, si urina, nevoja etj. Sipas autorit, ajeti tregon se tejemum-i mund të shfrytëzohet si pastrues dhe zëvendësues i
ujit qoftë për largimin e ahadâth-it, qoftë për largimin e nexhaset-it.
34 Kështu, besimtari nuk vritet për qafirin.
35 Kështu, babai ose nëna nuk ndëshkohen me vdekje, nëse kanë vrarë fëmijën e tyre.
36 Kështu thuhet në një hadith kudsij të njohur. Ku thuhet: “Unë i kam shpallur luftë çdokujt që i jep mundim të dashurit Tim. Nuk afrohet ndonjëherë robi tek Unë me ndonjë vepër më të dashur për Mua sesa me atë vepër që ia kam bërë detyrë. Vazhdon robi që të afrohet tek Unë me vepra nafile të mira, derisa Unë e dua atë. Dhe kur Unë e dua atë, bëhem dëgjimi i tij, me të cilin ai dëgjon, vështrimi i tij, me të cilin ai vështron, dora e tij, me të cilën ai vepron, këmba e tij, me të cilën ai ecën. Nëse më kërkon, Unë i jap, nëse më kërkon mbrojtje dhe strehim, Unë e mbroj dhe strehoj”.
37 Pra i të njëjtit nivel me të vrarin. Kështu besimtari nuk vritet për qafirin.
38 Këto ligje bëhen argument për ne për shkak të pohimit dhe miratimit të tyre nga sherijati ynë.
39 Vepra të detyruara janë ato punë e fjalë të cilat sheriati ka urdhëruar që të kryhen me urdhër kategorik. Ai që i kryen ato me sinqeritet për Allahun meriton shpërblim ndërsa ai që i lë ato pa i zbatuar pa pasur justifikim të pranueshëm dhe të konsiderueshëm nga sheriati, meriton ndëshkim.
40 Vepra të pëlqyeshme janë ato punë e fjalë të cilat sheriati ka urdhëruar që të kryhen por jo me urdhër kategorik. Ai që i kryen ato me sinqeritet për Allahun meriton shpërblim ndërsa ai që i lë ato pa i zbatuar nuk ndëshkohet.
41 Allahu i madhëruar thotë: "Mos të bëhet shkak betimi në Allahun, që t'ju pengojë të bëni vepra të mira, të ruheni nga të këqijat dhe të bëni paqe midis njerëzve. Allahu Dëgjon dhe di gjithçka.”. [Bekare 224].
42 Ndërsa haxhi një herë në jetë është farz ajn, për atë njeri që ka mundësi.
43 Këto ishin emërtime të idhujtarëve për disa bagëti që i konsideronin si të shenjta, pa pasur argument nga Zoti.
44 Shkakun e shpalljes së ajeteve të lartpërmendura e sjell Ebu Daudi dhe Tirmidhiu, nga Ibnu Abasi, i cili rrëfen: Doli një burrë nga fisi Beni Sehm në udhëtim së bashku me Temim Dariun dhe Adijj ibni Bidain. Muslimani nga fisi Beni Sehm vdiq në një vend ku nuk kishte muslimanë. Kur dy bashkudhëtarët e tij, të cilët ishin jomuslimanë, sollën trashgiminë e tij, kishin humbur një kupë argjendi të punuar me vija ari. Për këtë shkak Pejgamberi a.s. i vuri të bënin be. Më pas kupa u gjet në Mekë. Njerëzit, tek të cilët u gjet kupa, thanë: Ua blemë Temimit dhe Adijit. Atëherë, u ngritën dy burra nga trashgimtarët e Sehmiut (të vdekurit nga fisi Sehm) dhe bënë be duke thënë: “Dëshmia jonë është e drejtë dhe jo dëshmia e tyre. Kupa është pronë e trashëgimlënësit tonë”.