… dhe madhështinë e Tij, i krijoi qiejt pa shtylla të dukshme nga ne. Më tej, pasi përfundoi krijimin e qiejve dhe të tokës, u lartësua dhe
qëndroi mbi …
▾ Teksti i plotë▴ Mbyll
- Allahu është Ai që i ngriti qiejt pa shtylla që mund të shihen nga ju, dhe më pas Ai qëndroi mbi Fron (Arsh). - Allahu i Lartësuar na tregon se Ai është i Vetëm, i Pashoq dhe Absolut në pushtetin e Tij për të krijuar dhe administruar çështjet e krijesave. Ai është i vetmi Sundues i gjithësisë dhe Ai është madhështor në mbretërimin e Tij. Të gjitha këto tregojnë se Allahu është i vetmi i Adhuruar me meritë. Çdo adhurim duhet t’i dedikohet vetëm Atij me sinqeritet dhe saktësi, ashtu si dëshiron Ai. I Lartësuari thotë: "Allahu është Ai që i ngriti qiejt pa shtylla që mund të shihen nga ju." Është Allahu i Madhëruar, që me fuqinë dhe madhështinë e Tij, i krijoi qiejt pa shtylla të dukshme nga ne. Më tej, pasi përfundoi krijimin e qiejve dhe të tokës, u lartësua dhe
qëndroi mbi Fronin e Tij madhështor, i cili është krijesa më madhështore, që qëndron sipër të gjitha krijesave të tjera të Zotit. Lartësimi dhe qëndrimi i Tij mbi Fron është ashtu si i takon madhështisë së Tij, që është absolut në të gjitha emrat, cilësitë dhe veprat e Tij. - Ai e nënshtroi Diellin e Hënën, që lëvizin sipas një afati të caktuar. - Allahu i Madhëruar nënshtroi Diellin dhe Hënën, këta trupa madhështorë, që t'u shërbejnë robve dhe përmbushjes së çdo nevoje për ta, për kafshët e tyre dhe për bimësinë. Allahu i Lartësuar thotë për Diellin dhe Hënën se ata lëvizin sipas përcaktimit, ligjit dhe rregullit të vendosur nga Ai, që është Ngadhënjimtar, i Plotpushtetshëm dhe i Gjithëditur. Ata lëvizin në rrugë dhe kohë të përcaktuar, sipas një rregulli preciz, dhe kurrë nuk dalin nga ky rregull, derisa të vijë momenti i përcaktuar kur Allahu i Lartësuar do ta zhbëjë këtë botë, për të filluar bota e ahiretit, që do të jetë e përjetshme. Atë ditë, Allahu i Lartësuar do t’i palosë qiejt dhe do t’i shndërrojë ata në të tjerë qiej dhe do ta ndryshojë tokën në një tjetër tokë. Dielli dhe Hëna do të mbështillen dhe do të bashkohen me njëri -tjetrin dhe pastaj do të hidhen në Zjarr. Kështu, çdokush që ka adhuruar Diellin dhe Hënën do ta kuptojë qartë se ata nuk meritonin të adhuroheshin, dhe zemrat e tyre do të mbushen plot dëshpërim. Atë ditë, mohuesit do të binden se ishin gënjeshtarë dhe trillues kotësirash. - Ai rregullon të gjitha çështjet dhe i sqaron argumentet me hollësi, që ju të jeni të bindur për takimin me Zotin tuaj. - Allahu i Lartësuar në këtë ajet përmend dy vepra të Tij: Ai administron dhe rregullon çështjet; Ai qartëson argumentet e ligjit të Tij dhe Shpalljen hynore. Këtu përmenden bashkë dy vepra madhështore të Allahut të Lartësuar, që janë krijimi dhe ligjvënia. Allahu i Lartësuar u ngrit dhe qëndroi mbi Fronin e mbretërimit të Tij, duke u marrë vetë me administrimin dhe rregullimin e çështjeve e botës së sipërme dhe asaj të poshtme. Ai nuk i ka lënë askujt pushtet në këtë aspekt. Është veç Allahu që krijon dhe furnizon, që pasuron dhe varfëron, që krenon popuj dhe njerëz dhe që poshtëron dhe nënshtron të tjerë. Ai dhuron fitoren dhe krenarinë dhe Ai poshtëron dhe turpëron. Me urtësinë dhe diturinë e Tij, disa i ul dhe disa i ngre. Me mëshirën dhe bujarinë e Tij, Allahu i Madhëruar largon fatkeqësitë duke sjellë çlirimin dhe shpëtimin e të përvuajturve. Është Ai që ekzekuton çdo përcaktim të Tij në kohën dhe masën e përcaktuar prej Tij, përcaktime të cilat i ka bazuar me hollësi në diturinë e Tij dhe të cilat i ka shkruar me korrektësi lapsi i Tij. Allahu urdhëron melekët e Tij që të zbatojnë çdo urdhër të Tij në rregullimin e çështjeve të robve. Ky është pushteti i Tij i krijimit dhe rregullimit të çështjeve të robve, që përmenden në ajet me fjalët: “Ai rregullon çështjet”. Ndërsa thënia e Tij "jufassilul ajat " (“sqaron argumentet”) tregon se Allahu i Lartësuar është i vetmi që ka të drejtën t'u vendosë robve ligje sipas të cilëve duhet të jetojnë. Ai u shpalli libra hyjnorë profetëve të Tij. Përmes këtyre shpalljeve, Ai u ka sqaruar robve çdo ligj të domosdoshëm, çdo urdhëresë, ndalesë dhe çdo porosi të nevojshme për të ndërtuar jetën e tyre sipas kënaqësisë së Tij. Allahu i Madhëruar i ka qartësuar dhe shtjelluar në detaje shpalljet dhe ligjet e Tij. Për të mbështetur ligjet dhe shpalljet, Ai ka sjellë shenja dhe mrekulli të shumta, të cilat shfaqen dukshëm qoftë në madhështinë e krijimit të Tij, qoftë në mrekullitë e shumta, me të cilat pajisi profetët. Edhe Kur'ani është një mrekulli e pakrahasueshme, që ka një qëllim të lartë: "...që ju të jeni të bindur për takimin me Zotin tuaj." Vërtet, argumentet e shumta, të qarta dhe të shtjelluara mirë, janë ndër shkaqet kryesore që sjellin sigurinë e plotë rreth të gjitha çështjeve hyjnore, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet madhore të besimit, si: besimi në ringjalljen apo besimi për llogarinë para Krijuesit. Allahu i Lartësuar është Hakim - i Urtë, dhe si i tillë kurrë nuk do t’i krijonte krijesat pa qëllim dhe t’i braktiste ata, duke
i lënë të çoroditur dhe të paudhëzuar. Ai ka një qëllim të madh dhe shumë të rëndësishëm me robërit e Tij. Duke qenë se Allahu i Madhëruar dërgoi ndër ta profetë dhe u zbriti shpallje hyjnore, përmes të cilave i urdhëron se si ta adhurojnë dhe të jetojnë sipas ligjit të Tij, atëherë pa dyshim Ai ka për t’i çuar ata nga varret dhe ka për t’i ringjallur në një botë tjetër, në të cilën ka për t’i gjykuar dhe shpërblyer me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij. Punëmirët kanë për të marrë shpërblimin më të mirë, ndërsa të pabindurit dhe të padrejtët do t’i ndëshkojë me drejtësinë e Tij, sipas ligësisë së tyre. - Është Ai, që e shtroi Tokën, dhe vendosi në të male e lumenj dhe të gjitha llojet e frutave i bëri çift, dy e nga dy. - Allahu i Lartësuar e krijoi tokën për robërit e Tij, e bëri atë të gjerë dhe të begatshme për ta. Me mëshirën e Tij, Ai e shtroi dhe e sheshoi tokën, duke vendosur mirësi të shumta, pa të cilat njeriu nuk mund të jetojë. I Lartësuari thotë: "vendosi male të mëdha, që toka të jetë e qëndrueshme për krijesat”. Nëse Allahu i Lartësuar nuk do të vendoste malet si shtylla, toka me shtresat e saj do të ishte e paqëndrueshme. Me gjithë atë ujë oqeanesh dhe me konstruktin e saj të luhatshëm, ajo mund të qëndrojë e palëkundur veçse nëpërmjet maleve të mëdha, që Allahu i Lartësuar i ka bërë si shtylla mbajtëse. Përveç kësaj, Allahu i Lartësuar ka krijuar në tokë lumenj për njerëzit, për kafshët dhe bimësinë e tyre. Nëpërmjet tyre ujiten dhe rriten pemët, drithërat, frutat dhe mirësi të shumta. I Madhëruari thotë: “prej secilit fryt bëri dy lloje" Pra, bëri nga dy lloje (çift), siç u nevojiten njerëzve. Në vijim, i Lartësuari thotë: - Ai bën që nata ta mbulojë ditën. - Allahu i Madhëruar e mbështjell ditën me natë dhe errësira mbulon horizontin. Çdo krijesë pushon në vendin e vet dhe çlodhen nga aktiviteti dhe mundimet e ditës. Pasi krijesat plotësojnë nevojën e tyre për gjumë, Allahu i Lartësuar e mbështjell natën me ditë, kur përhapet drita e agimit dhe krijesat dalin për punët e tyre dhe për të grumbulluar të mirat që iu nevojiten. Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: "Prej mëshirës së Tij, jua bëri natën dhe ditën për të pushuar dhe për të përfituar nga begatitë e Tij, prandaj jini mirënjohës!" [Kasas 73]. - Vërtet, në të gjitha këto ka argumente për njerëzit që mendojnë. - Në të gjitha këto ka shenja të qarta, që na udhëzojnë për të kuptuar qëllimet hyjnore. Por këto shenja u vlejnë dhe u bëjnë dobi atyre që meditojnë dhe i vështrojnë me kujdes ato, me qëllimin për të nxjerrë mësime. Vetëm duke i trajtuar në këtë formë shenjat dhe argumentet e Zotit, ata kuptojnë shumë qartë se Ai që ka krijuar, përkujdeset dhe rregullon çështjet e gjithë botës është Allahu i Lartësuar, prandaj vetëm Atij i takon adhurimi dhe nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Allahu është i Gjithëdituri rreth të fshehtave dhe atyre që shfaqen. Ai është gjithashtu i Gjithëmëshirshmi e Mëshirëploti në çdo gjë që buron prej Tij, qoftë në ligjin e krijimit, qoftë në ligjin e fesë dhe besimit, sipas të cilit ka urdhëruar të jetohet, qoftë në ligjin e shpërblimit. Allahu është i lavdëruari plot begati dhe mirësi në gjithçka që ka krijuar dhe urdhëruar. Ndër shenjat madhështore që tregojnë për pushtetin e plotë dhe veprat e mrekullueshme të Allahut është edhe fakti që: - Në Tokë ka hapësira që qëndrojnë pranë njëra-tjetrës, ka vreshta dhe fusha të mbjella, ka palma që janë me shumë degë, por edhe pa të tilla. - I Lartësuari ka mundësuar që në tokë të mbijnë lloje të ndryshme frutash dhe bimësie. Sa të bukura janë vreshtat dhe pemishtet, sa të domosdoshme janë drithërat dhe sa të begatshme dhe të mira janë palmat dhe frutorët e ndryshëm! Ka palma që janë të degëzuara, por ka edhe të tilla që zhvillohen të drejta e pa degëzime. Që të gjitha këto pemë e bimë ujiten nga i njëjti ujë dhe ushqehen nga e njëjta tokë, ashtu sikurse ndriçohen, ngrohen dhe rriten nga i njëjti diell dhe në të njëjtat kushte. Megjithatë,
ato prodhojnë fruta të ndryshme, që dallojnë në shijet e tyre. - Të gjitha ujiten me të njëjtin ujë, por Ne i kemi bërë me shije të veçanta e të dallueshme nga njëra -tjetra. - Ato ndyshojnë në ngjyrën, shijet, vlerat dhe dobitë e tyre, si edhe në kënaqësinë që të japin. I Madhërishmi edhe tokat i ka bërë të ndryshme. Ka toka të mira, të cilat rrisin larmi bimësh, pemësh dhe drithërash ushqyese. Ka edhe toka të tjera, që nuk mbijnë dhe nuk mbajnë as ujin, por ai humbet në thellësinë e tyre, pa bërë asnjë dobi për njerëzit dhe kafshët. Por ka të tjera që vërtet nuk mbijnë, por shërbejnë për të grumbulluar ujin. Ka toka ku mbin një lloj bimësie dhe jo të tjera. Sigurisht, që të gjitha këto ndryshime janë përcaktim i Ngadhënjimtarit, Mëshirëplotit. Pas kësaj, Allahu i Lartësuar thotë: - Vërtet, në të gjitha këto ka argumente për njerëzit që kuptojnë. - Ka fakte për ata të cilët kanë logjikë dhe arsye, që i udhëzon në gjërat e dobishme. Një logjikë e pastër dhe arsyetim i drejtë e udhëzon robin tek e mira dhe e ndihmon atë që të kuptojë qartë porositë e Zotit. Ndërsa ata që gjithmonë u kthejnë shpinën urdhëresave të Zotit dhe mendjelehtët, që, pa u menduar fare, u përkushtohen veçse dëshirave të unit, këta enden të çoroditur në errësirat ku janë zhytur. Ashtu, të pasigurt dhe të përhumbur në vetëmashtrimin e tyre, nuk e gjejnë dot udhën drejt Zotit të tyre dhe nuk arrijnë të kuptojnë asnjë mesazh të dhënë prej Tij.