← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

10. Junus · Ajeti 108 · Tefsir

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:108–10:109

- Thuaj: “O njerëz! Tashmë ju erdhi e vërteta nga Zoti juaj. Kush merr rrugën e drejtë, e ka vetëm për veten e vet; ndërsa kush ndjek devijimin, e ka humbur vetveten. - Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij të dashur, Muhamedin ﷺ , që t’i njoftojë njerëzit se feja që ai solli është e vërteta e sigurt, që nuk ka asnjë dyshim se është prej Allahut dhe është përçuar me korrektësi te njerëzit. Ai që është udhëzuar dhe e ka pranuar këtë udhëzim, duke u nënshtruar sipas tij, ai i ka bërë dobi vetes së vet. Ndërsa ai që ka devijuar dhe e ka braktisur këtë udhëzim, dëmi i tij kthehet po tek vetvetja. - Unë nuk jam roja juaj. - Unë nuk jam mbikëqyrësi dhe as i ngarkuar për t’ju udhëzuar ju në rrugën e drejtë dhe për t’ju bërë që të pranoni udhëzimin. Unë jam thjesht një paralajmërues për ju dhe këshillues i qartë. Ndërsa udhëzimi dhe futja e tij në zemrën tuaj është në dorë të Allahut të Lartësuar. - Pasoje atë që të shpallet dhe bëhu durimtar, derisa Allahu të gjykojë. Ai është Gjykuesi më i mirë. - Kapu fort dhe përmbaju me sinqeritet Shpalljes, të cilën ta dhuroi Zoti yt. Bëj durim ndaj kundërshtarëve në rrugën tënde, derisa Allahu të gjykojë mes jush. Allahu është më i miri gjykues, me drejtësinë dhe urtësinë e Tij. I pastër dhe i lavdëruar qoftë Allahu! Nuk ka Zot, kujdestar dhe udhëzues në rrugën e drejtë, përveç Tij. Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Junus dhe më pas vjen tefsiri i sures Hud. Allahu jep sukses në fillim dhe në fund të çdo pune.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:108–10:109

Pas qartësimit të argumenteve, drejtohu njerëzve dhe thuaju: - Thuaj: “O njerëz! Tashmë ju erdhi e vërteta nga Zoti juaj.” - Juve ju erdhën prej Zotit tuaj lajme të vërteta, të mbështetura në fakte të pamohueshme, që nuk të lënë asnjë dyshim. Ato ju kanë ardhur nga Zoti juaj, që përkujdeset për ju. Pjesë shumë e rëndësishme e përkujdesit të Tij ndaj jush është dhe shpallja e këtij Kur'ani, që është qartësues për çdo gjë. Në të janë ligjet e Zotit dhe porositë për çdo punë të mirë. Nëpërmjet Kur'anit, Ai ju edukon e përkujdeset për ju. Mirësia dhe mëshira e Zotit do t'ju dhurohet përmes këtij libri madhështor, nëse do të jetoni sipas Tij. Ai dallon udhën e drejtë nga rruga e humbjes dhe askujt nuk i lë paqartësi e dyshime. - Kush merr rrugën e drejtë, e ka vetëm për veten e vet; ... - Çdokush që e mëson të vërtetën dhe përpiqet ta kuptojë atë dhe t'i japë përparësi mbi çdo gjë tjetër, le ta dijë se i ka bërë mirësi vetes së vet. Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për asgjë dhe asnjë. Veprat e mira që njerëzit kryejnë i kanë veçse për veten e vet. - ... ndërsa kush ndjek devijimin, e ka humbur vetveten.” - Çdokush që i kthen shpinën diturisë së vërtetë ose të jetuarit sipas saj, le ta dijë se ka dëmtuar dhe humbur vetveten. Ai nuk mund ta dëmtojë aspak Allahun e Madhëruar. - Unë nuk jam roja juaj.” - Nuk është detyra ime që të ruaj veprat tuaja dhe t'ju marr në llogari për to. Unë jam thjesht paralajmërues, që sjell këshilla dhe porosi të qarta nga Zoti im. Allahu është mbikëqyrësi

juaj. Ndaj shikoni dhe kujdesuni për veten, përsa jeni brenda afatit dhe keni ende mundësi pendimi e kthimi. - Pasoje atë që të shpallet dhe bëhu durimtar, derisa Allahu të gjykojë (me drejtësinë e Tij) . - Allahu i Lartësuar i drejtohet me këtë porosi të vyer, që i drejtohet gjithashtu edhe umetit të tij: Ndiqe atë që po të shpallet! Kjo ndjekje realizohet duke kaluar në katër etapa të domodsoshme: 1. Duke e marrë udhëzimin nga burimet e Shpalljes (Kur'an e Sunet). 2. Duke punuar e jetuar sipas kësaj diturie, vetëm me qëllimin për të kënaqur Allahun e Madhëruar. 3. Gjendja, pamja dhe dukja e njeriut duhet të ngrihen mbi këtë dituri dhe të jenë treguese të saj. 4. Ftesa e njerëzve në këtë fe me durim, dituri, urtësi dhe maturi. Pastaj Allahu i Madhëruar jep një porosi për gradën më të lartë të durimit: - "... dhe bëhu durimtar, derisa Allahu të gjykojë (me drejtësinë e Tij) ." Ky është durimi duke jetuar sipas diturisë së Zotit dhe duke ftuar të tjerët në të. Përfundimi i këtij durimi është i lavdishëm. Pastaj mos u dobëso e as ngadalëso! Mos u ligështo për sprovat që të godasin dhe kurrë mos e ul kokën apo të ngadalësosh hapat. Vazhdo në këtë rrugë të lavdisë, derisa Allahu të gjykojë me drejtësinë e tij mes teje dhe çdokujt që të mohon e të kundërshton! - Ai është Gjykuesi më i mirë. Allahu i Madhëruar është më i miri gjykues. Nuk ka dyshim që Profeti (a.s) e plotësoi urdhrin e Zotit të Tij dhe qëndroi i patundur në rrugën e drejtë. Ashtu vazhdoi i patundur, derisa Zoti e lartësoi fenë e Tij mbi të gjitha fetë e besimet në botë. Allahu i Lartësuar i dhuroi atij fitoren mbi armiqtë e Tij në të gjitha planet: qoftë në atë ushtarak, ashtu edhe me diturinë dhe argumentimin përmes fjalës. Allahut dhe vetëm Atij i takon lavdia, dashuria dhe çdo lavdërim e përlëvdim, ashtu si e meriton madhështia e Tij! Lavdëruar qoftë, ashtu si i takon të lavdërohet Bamirësi e Bujari i madh, Dhuruesi i të gjitha mirësive! Këtu përfundon tefsiri i sures Junus. El hamdu lil-lah!

← Junus 10:108