10. Junus · Ajeti 34 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:31–10:39
Të gjitha mjetet për jetesë janë dhuratë prej Zotit, si nga toka siç janë bimët, shtazët, shpezët, si nga brendia e saj siç janë mineralet, burimet etj. Të tilla janë edhe ato që vijnë nga qielli si shiu, rrezet e diellit, ndriçimi i hënës etj. Të gjitha këto ndikojnë në jetën e njeriut. Këtë do të duhej ta kuptojë çdo mendje e shëndoshë, mirëpo, duke e ditur Zoti, për shpirtin e sëmurë të disave, vendosi që ata të mbesin në errësirë, andaj ata nuk do të besojnë.
Vetëm Allahu ka fuqi të japë jetë në fillim e pa kurrfarë shembulli të mëparshëm, pra ka fuqi ta përsërisë atë edhe pas zhdukjes së saj. Prej një pike ujë, njeriu i gjallë, prej jobesimtarit, besimtar dhe anasjelltas, është fuqi e mjeshtëri vetëm e Zotit.
Për shkak se mësimet e Kur'anit nuk shkonin sipas dëshirave të idhujtarëve, ata përpiqeshin t'ia humbnin shenjtërinë e tij, duke thënë se vetë Muhammedi i shpiku ato dhe nuk janë prej Zotit, edhepse e dinin mirë të vërtetën. Edhe sot ka asish që dëshirojnë revidimin e dispozitave të Kur'anit, vetëm pse nuk përputhen me epshet e dëshirat e tyre. Gabim i madh është edhe kur disa mësues fetarë mundohen t'i përshtatin kuptimet e Kur'anit me kuptimet e ndonjë dijetari. Të gjitha mendimet e njerëzve duhet të mbështeten në Kur'an, e jo Kur'ani të mbështetet në to.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:34–10:36
Në këto ajete, Allahu i Lartësuar hedh poshtë çdo pretendim të tyre në lidhje me ortakët, që ata i mvishnin Atij në adhurim: - Thuaj: “A ka prej idhujve tuaj ndonjë që ta fillojë krijimin e pastaj ta rikthejë atë?” - A ka mes atyre që ju i adhuroni ndonjë që të krijojë ashtu siç ka krijuar Allahu i Lartësuar qiejt dhe Tokën, dhe pastaj të ketë fuqi t’i zhdukë ato dhe më pas t’i kthejë përsëri nga e para?
- Thuaj: “Allahu e nis krijimin dhe sërish e rikthen atë. - Ai është i vetmi, që mund ta bëj diçka të tillë. - Atëherë, si i largoheni së vërtetës?” - Si është e mundur, që ju të braktisni rrugën e drejtë, të arsyeshme dhe të vërtetë, për të shkuar në rrugën e kotë, të paarsyeshme, të gënjeshtërt, ndërkohë që ju e dini që kjo është e gabuar?! - Thuaj: “A ka ndonjë prej idhujve tuaj që ta drejtojë ndonjë të humbur tek e Vërteta? Thuaj: “Vetëm Allahu udhëzon për tek e Vërteta. - Askush prej jush nuk ka pushtet dhe forcë për të udhëzuar dikë, dhe ju e dini mirë diçka të tillë. Askush nuk ka pushtetin që të udhëzojë të çoroditurit dhe të hutuarit, që janë jashtë rruge dhe askush nuk i rrotullon zemrat, për t’i kthyer nga devijimi në rrugën e drejtë, përveçse Allahu, që është i vetëm, pa ortak. - Atëherë, a është më e drejtë të shkohet pas atij që udhëzon për tek e Vërteta, apo pas atij që nuk mund të udhëzojë, vetëm nëse udhëzohet prej dikujt tjetër? - A është më e arsyeshme dhe e drejtë që t’i bindesh atij që të udhëzon tek e vërteta dhe ka fuqi të të hapë sytë dhe të të largojë verbërinë, apo meriton që të pasohet ai i cili nuk ka mundësi të udhëzojë në diçka, madje edhe vetë është i varfër, që ka nevojë për ta udhëzuar dikush tjetër?! Po kështu, Allahu i Lartësuar tregon për Ibrahimin (a.s): “Kur ai i tha të atit: “O babai im! Përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh dhe nga i cili nuk ke asnjë dobi?” [Merjem 42]. - Atëherë ç’është me ju, si gjykoni kështu?!” - Si është e mundur, që ju të krahasoni Allahun me krijesat e Tij, madje t’i barazoni dhe të adhuroni, përveç Allahut, edhe ata që ia shoqëroni si ortakë? Përse nuk përkushtoheni, që ta njësoni Zotin Krenar dhe të Lartësuar edhe në aspektin e adhurimit, pra, duke e adhuruar si një të vetëm, duke iu përkushtuar me sinqeritet vetëm Atij në zbatimin e fesë, që Ai ka urdhëruar; duke ju lutur vetëm Atij dhe duke u penduar dhe kthyer të përulur vetëm tek Ai? Në vijim, Allahu i Lartësuar qartëson se ata, në fenë e tyre dhe në këtë besim të pabazë, ndjekin vetëm hamendësime, supozime dhe gjëra të paqëna, dhe të gjitha këto nuk vlejnë aspak dhe nuk të udhëzojnë drejt të vërtetës. - Shumica e tyre pasojnë veçse hamendësime; por hamendësimi nuk është asgjë ndaj së vërtetës. Allahu di gjithçka që ata bëjnë. - Ky është një kërcënim i qartë dhe paralajmërim i frikshëm. Allahu i Lartësuar tregon ata se ka për t’i shpaguar ata me formën më të plotë dhe ndëshkimin më të ashpër për çdo padrejtësi që kanë bërë.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:34–10:36
Allahu i Madhëruar në këto ajete, na tregon se sa të pafuqishëm dhe të dobët janë idhujt e idhujtarët. Ata nuk zotërojnë asnjë cilësi e përshkrim hyjnor, që të meritojnë adhurimin e krijesave. Allahu është i vetmi që meriton adhurimin e tyre. Le të mendojë njeriu në kotësinë e adhurimeve kushtuar atyre idhujve të dobët dhe të varfër. Thotë i Madhëruari: - Thuaj: “A ka prej idhujve tuaj ndonjë që ta fillojë krijimin e pastaj ta rikthejë atë?”.” - Allahu i Lartësuar është i vetmi që e nis krijimin nga hiçi dhe ka fuqi e pushtet për ta rikthyer atë krijim sikurse e nisi. Askush nuk e ka këtë pushtet. Pikërisht këtë të vërtetë synon të përhapë kjo fjali pyetëse, së cilës i dihet përgjigjja. E si mundet që krijesat të bëjnë diçka të tillë? Ato janë shumë të dobëta dhe të pafuqishme. Prandaj natyrshëm vjen përgjigjja nga çdokush me natyrë të pastër dhe mendje të shëndoshë. Allahu i Madhëruar thotë: - Thuaj: “Allahu e nis krijimin dhe sërish e rikthen atë. Atëherë, si i largoheni së vërtetës?” - Allahu i Madhëruar e bën këtë pa pasur nevojë për ndihmëtarë apo partnerë. Atëherë, si devijoni rrugë dhe i largoheni adhurimit të të vetmit që e meriton atë, të vetmit që e fillon krijimin dhe ka fuqinë ta rikthejë atë?! Si mundet që ta lini adhurimin e të Plotpushtetshmit dhe të adhuroni ata që nuk mund të krijojnë gjë dhe që vetë janë të krijuar. - Thuaj: “A ka ndonjë prej idhujve tuaj që ta drejtojë ndonjë të humbur tek e Vërteta?” - Kush mund ta qartësojë të vërtetën ashtu si Zoti?! Kush mund të sjellë udhëzimin e plotë, të inspirojë dashurinë për të dhe të japë forcë për të jetuar sipas tij, ashtu si Zoti?! Askush nga idhujt tuaj nuk ka në dorë qoftë edhe një grimcë mundësi udhëzimi. Ajo është e gjitha në dorën e Zotit, që thotë: - "Thuaj: “Vetëm Allahu udhëzon për tek e Vërteta.” - Allahu i Vetëm dhe i Pashoq udhëzon drejt së vërtetës nëpërmjet argumenteve e fakteve që ka sjellë. Vetëm Ai mund të inspirojë për të ndjekur
udhëzimin e drejtë dhe mund të japë forcë për të punuar e jetuar sipas tij, duke e zbukuruar dhe bërë të dashur të mirën në zemrat e të zgjedhurve dhe duke e bërë të shëmtuar dhe të urryer mosbesimin, shfrenimin dhe mosbindjen në zemrat e tyre. Vetëm Ai mund të forcojë dhe aftësojë robin që të ndjekë rrugën më të mirë e të drejtë. - "Atëherë, a është më e drejtë të shkohet pas atij që udhëzon për tek e Vërteta, apo pas atij që nuk mund të udhëzojë, vetëm nëse udhëzohet prej dikujt tjetër? " - E si mund të preferohet dhe të adhurohet një krijesë, e cila është e dobët dhe nuk mund të udhëzojë as veten e vet, për shkak se është e humbur dhe e paditur? Të tillë janë idhujt që ata adhurojnë: të pafuqishëm e të paditur, që nuk mund të udhëzojnë as veten e aq më pak të udhëzojnë adhuruesit e tyre. - "Atëherë ç’është me ju, si gjykoni kështu?!" - Përse keni këtë gjykim të kotë dhe të pabesueshëm?! Si mund të gjykoni se mund të adhurohet dikush tejtër veç Allahut. Pas gjithë atyre fakteve e argumenteve që tregojnë se Allahu është i vetmi i Adhuruar, është i papranueshëm një gjykim i tillë. - " Shumica e tyre pasojnë veçse hamendësime; por hamendësimi nuk është asgjë ndaj së vërtetës. " - Nga të gjitha këto del qartë se idhujt e tyre nuk zotërojnë ndonjë cilësi hyjnore as në veten dhe as në veprat e tyre, që të meritojnë të adhurohen bashkë me Allahun e Lartësuar. Madje ato janë plot mangësi, që e bëjnë të kotë çdo adhurim përkushtuar atyre. Atëherë për çfarë arsye i konsideroni ata si zota veç Allahut?! Përgjigjja më e saktë do të ishte se ky është një mashtrim dhe zbukurim që shejtani e bën në zemrën e njeriut. Kjo është shpifja më e shëmtuar dhe humbja më e frikshme. I mallkuari ua zbukuron kotësinë dhe, me kalimin e kohës, ajo bëhet besim i fortë dhe i palëkundur në zemrat e tyre. Ata mësohen me të dhe nënshtrohen për ta pranuar si të vërtetë, ndërkohë që ishte veçse një kotësi dhe mashtrim. Prandaj, i Madhëruari thotë: "Ata të cilët adhurojnë idhuj në vend të Allahut, shkojnë pas hamendësimeve, dhe nuk bëjnë gjë tjetër, por veçse gënjejnë.” [Junus 66]. Ndërsa në këtë ajet thotë: "Shumica e tyre pasojnë veçse hamendësime, por hamendësimi nuk është asgjë ndaj të vërtetës." Kështu, në të vërtetë, ata që lusin dhe adhurojnë idhujt veç Allahut, nuk pasojnë asgjë. Në realitet, Allahu i Lartësuar nuk ka partner dhe të barabatë me Të. Këtë e hedh poshtë qoftë logjika, qoftë agumentet e shkruara nga shpalljet e Zotit. Ata thjesht pasojnë supozime dhe hamendësime. Ndërkohë që Allahu i Madhëruar thotë: "...por hamendësimi nuk është asgjë ndaj të vërtetës." Ata i emërtuan si "zota" dhe i adhuruan ata ashtu si Allahun. Thotë i Madhëruari: "Ata (idhujt) nuk janë gjë tjetër, vetëm se emra, që ju dhe prindërit tuaj i caktuat. Allahu nuk zbriti për ta ndonjë fakt. Por ata ndjekin vetëm hamendësimet dhe dëshirat e veta, megjithëse prej Zotit të tyre u ka ardhur udhëzimi i qartë." [Nexhm 23]. - "Allahu di gjithçka që ata bëjnë." - Prandaj Ai do t’u japë atyre ndëshkimin më të rëndë e të meritueshëm.