بَلۡ كَذَّبُواْ بِمَا لَمۡ يُحِيطُواْ بِعِلۡمِهِۦ وَلَمَّا يَأۡتِهِمۡ تَأۡوِيلُهُۥۚ كَذَٰلِكَ كَذَّبَ ٱلَّذِينَ مِن قَبۡلِهِمۡۖ فَٱنظُرۡ كَيۡفَ كَانَ عَٰقِبَةُ ٱلظَّٰلِمِينَ
Por ja, ata përgënjeshtruan atë (Kur'anin) pa e kuptuar dhe pa ju ardhur shpjegimi i tij. Po kështu, gënjenin edhe ata që ishin më përpara. Shiko si ishte përfundimi i zullumqarëve.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Të gjitha mjetet për jetesë janë dhuratë prej Zotit, si nga toka, siç janë bimët, shtazët, shpezët, si nga brendia e saj, siç janë mineralet, burimet etj. Të tilla janë edhe ato që vijnë nga qielli, si shiu, rrezet e diellit, ndriçimi i hënës etj. Të gjitha këto ndikojnë në jetën e njeriut. Këtë do të duhej ta kuptojë çdo mendje e shëndoshë, mirëpo duke e ditur Zoti për shpirtin e sëmurë të disave vendosi, që ata të mbesin në errësirë, prandaj ata nuk do të besojnë. Vetëm Allahu ka fuqi të japë jetë në fillim e pa kurrfarë shembulli të mëparshëm, pra ka fuqi ta përsërisë atë, edhe pas zhdukjes së saj. Prej një pike ujë, njeriu i gjallë, prej jobesimtarit, besimtar dhe anasjelltas, është fuqi e mjeshtëri vetëm e Zotit. Për shkak se mësimet e Kuranit nuk shkonin sipas dëshirave të idhujtarëve ata përpiqeshin t’ia humbnin shenjtërinë e tij, duke thënë se vetë Muhamedi a.s. i shpiku ato dhe nuk janë prej Zotit, edhe pse e dinin mirë të vërtetën. Edhe sot ka asish, që dëshirojnë rishikimin e dispozitave të Kuranit, vetëm pse nuk përputhen me epshet e dëshirat e tyre. Gabim i madh është edhe kur disa mësues fetarë mundohen t’i përshtatin kuptimet e Kuranit me kuptimet e ndonjë dijetari. Të gjitha mendimet e njerëzve duhet të mbështeten në Kuran, e jo Kurani të mbështetet në to.