← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

10. Junus · Ajeti 41 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:40–10:61

Zoti xh. sh. i tregon Muhammedit për llojet e kundërshtarëve të Kur'anit. Disa edhepse dëgjojnë thëniet e Kur'anit, ato nuk kanë ndikim te ta, andaj shqisa e tyre është e topitur si te i shurdhëti, sepse ata edhe duke i parë faktet e misionit pejgamber të Muhammedit, nuk i kundrojnë si duhet ato ngase edhe zemrat i kanë të verbëra. Muhammedit i thuhet se mund të ndodhë që ndonjë dënim t'i kapë sa je gjallë, e ndoshta jo, por si do që të jetë, ata do të tubohen para Zotit ditën e gjykimit dhe do ta përjetojnë dënimin që e kërkojnë. Kur e shohin dënimin besojnë, por pa dobi, sepse atëherë nuk vlen ai besim. Të gëzohesh për të mirat që na i dhuroi Zoti, është e udhës. Një nga mirësitë më të mëdha, është dërgimi i Muhammedit pejgamber dhe rahmet për çdo send, prandaj gëzimi për ardhjen e Muhammedit, është gjë e porositur sipas ajetit 58. Allahut nuk mund t'i fshihet sendi më i imët, nuk mund t'i fshihet as ai send që tash për tash nuk është në gjendje ta shohë asnjë lloj mikroskopi. As sendi më i madh nuk mund t'i fshihet. kjo nuk është thënë shkel e shko, por ka një domethënie të madhe, sepse syri i njeriut ose vegla optike më e përsosur, nuk mund ta përfshijë e ta shohë një send të madh në tërësi. Ia sheh një pjesë ose disa, e jo krejt atë. Vetëm Zoti është Ai të cilit nuk mund t'i fshihet asnjë pjesë e ndonjë sendi, sado i madh të jetë ai.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:41–10:44

Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur, Muhamedit ﷺ ,dhe i thotë: - Nëse ata të mohojnë ty, thuaju: “Unë kam veprat e mia dhe ju keni veprat tuaja. Ju nuk përgjigjeni për atë që bëj

unë e as unë për atë që bëni ju”. - Në të njëjtën mënyrë, Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Thuaj: “O ju jobesimtarë! Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni. As ju nuk adhuroni Atë që unë e adhuroj. Dhe unë kurrë nuk do të adhuroj atë që ju e adhuroni. Por as ju nuk do të adhuroni Atë që unë e adhuroj. Ju keni fenë tuaj dhe unë kam fenë time. [Kafirun 1 - 6].127 Po kështu i tha Ibrahimi dhe pasuesit e tij popullit të tyre idhujtar: “Një shembull i mirë për ju janë Ibrahimi dhe ata që ishin me të, kur i thanë popullit të vet: “Ne distancohemi prej jush dhe prej çfarë adhuroni ju veç Allahut. Ne ju mohojmë dhe armiqësia ndërmjet nesh është e hapur, derisa ju ta besoni Allahun si Një e të Vetëm!”....” [Mumtehine 4]. - Ka prej tyre që duken se të dëgjojnë me vëmendje ty. Por, vallë, ti do t’i bësh të shurdhrit të dëgjojnë, edhe kur ata nuk kuptojnë?! Ka prej tyre që hedhin shikimin drejt teje (kur i fton në të vërtetën). Por, a mund t’i udhëzosh ti të verbrit, kur ata nuk shohin? - Ata dëgjojnë fjalën e Allahut dhe fjalën tënde, të cilat kanë një ndikim shumë të madh në zemrat e njerëzve. Megjithatë, nuk është në fuqinë dhe mundësitë e tua, që t’i bësh ata t’i kuptojnë këto fjalë dhe të futësh udhëzimin në zemrat e tyre. Ashtu sikurse ti nuk mund të bësh të dëgjojë atë që është i shurdhët dhe as nuk mund të udhëzosh dhe t’i japësh dritë atij që është i verbër, po kështu nuk ke mundësi që të futësh udhëzimin në zemrat e tyre. Kjo ndodh vetëm nëse Allahu i Lartësuar dëshiron dhe e bën të mundur diçka të tillë. Më pas, Allahu i Lartësuar bën të ditur se Ai nuk i bën padrejtësi askujt, asgjë dhe aspak. Përmes Kur 'anit, Allahu i Lartësuar ka udhëzuar dhe u ka çelur sytë të verbërve, ka bërë të shurdhërit të dëgjojnë, ka hapur zemrat e mbyllura ndaj imanit. Ndërsa të tjerë i ka lënë në humbje, pa gjetur rrugën e besimit. Është Allahu Ai që vendos dhe rregullon çdo çështje në mbretërinë e Tij, në pronën e Tij, ashtu sikurse Ai dëshiron. Allahu i Lartësuar nuk pyetet për atë që bën, por janë krijesat që do të japin llogari, sepse Allahu është Absolut në diturinë, urtësinë dhe drejtësinë e Tij.128 - Allahu nuk u bën asnjë padrejtësi njerëzve, por janë ata që i bëjnë padrejtësi vetes së tyre. - Ebu Dherri rrëfen se Profeti ﷺ ka përcjellë nga Zoti i Lartësuar dhe Krenar këto fjalë: 1459. “Allahu i Lartësuar thotë: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë mes jush të ndaluar, prandaj mos bëni padrejtësi! O robërit e Mi! Jam Unë Ai që i ruan dhe i llogarit veprat tuaja! Çdokush që gjen mirësi, le të lavdërojë Allahun dhe çdokush që gjen diçka tjetër, të qortojë veçse vetveten.” [Muslimi].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:40–10:41

- Ka prej tyre që e besojnë atë, ashtu siç ka prej tyre që nuk e besojnë. Zoti yt i di më mirë ata që përhapin shkatërrimin. - Prej tyre ka nga ata që e besojnë Kur'anin dhe gjithçka që përmban ai, por ka edhe të tjerë që nuk e besojnë atë. Allahu di gjithçka për shkatërrimtarët, të cilët janë të gjithë ata që nuk besojnë në këtë libër nga inati, padrejtësisht dhe të prirur drejt shfrenimit dhe shkatërrimit. Sigurisht, ky është një kërcënim i frikshëm për ata të mjerë, se Allahu do t’i ndëshkojë për padrejtësitë dhe shkatërrimin e shkaktuar me mosbesimin e tyre. Ata do të vuajnë në dënimin më të rëndë, sepse edhe krimi i tyre është nga më të rëndët dhe më shkatërrimtarët. - Nëse ata të mohojnë ty, thuaju: “Unë kam veprat e mia dhe ju keni veprat tuaja. Ju nuk përgjigjeni për atë që bëj unë e as unë për atë që bëni ju”. - Edhe nëse ata të mohojnë, nuk të besojnë dhe nuk e pranojnë ftesën tënde, ti vazhdo me durim e urtësi në davet. Dije mirë dhe vazhdimisht kujtoje se ti nuk je përgjegjës për veprat dhe

llogarinë e tyre. Çdokush do të shpërblehet dhe mbajë përgjegjësi për punën e vet. Kujtoju edhe atyre këtë fakt të pamohueshëm: "Ju nuk përgjigjeni për atë që bëj unë, e as unë për atë që bëni ju”. Ngjashëm me këtë ajet është edhe fjala e Allahut, kur thotë: "Kush bën mirë, bën mirë për veten e vet, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes së vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robve!" [Fussilet 46]. Gjithashtu: "Kush bën vepra të mira, bën për vete, e kush bën keq, bën kundër vetes. Në fund, te Zoti juaj do të ktheheni!" [Xhathijeh 15].

← Junus 10:41