10. Junus · Ajeti 42 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:40–10:61
Zoti xh. sh. i tregon Muhammedit për llojet e kundërshtarëve të Kur'anit. Disa edhepse dëgjojnë thëniet e Kur'anit, ato nuk kanë ndikim te ta, andaj shqisa e tyre është e topitur si te i shurdhëti, sepse ata edhe duke i parë faktet e misionit pejgamber të Muhammedit, nuk i kundrojnë si duhet ato ngase edhe zemrat i kanë të verbëra. Muhammedit i thuhet se mund të ndodhë që ndonjë dënim t'i kapë sa je gjallë, e ndoshta jo, por si do që të jetë, ata do të tubohen para Zotit ditën e gjykimit dhe do ta përjetojnë dënimin që e kërkojnë. Kur e shohin dënimin besojnë, por pa dobi, sepse atëherë nuk vlen ai besim. Të gëzohesh për të mirat që na i dhuroi Zoti, është e udhës. Një nga mirësitë më të mëdha, është dërgimi i Muhammedit pejgamber dhe rahmet për çdo send, prandaj gëzimi për ardhjen e Muhammedit, është gjë e porositur sipas ajetit 58. Allahut nuk mund t'i fshihet sendi më i imët, nuk mund t'i fshihet as ai send që tash për tash nuk është në gjendje ta shohë asnjë lloj mikroskopi. As sendi më i madh nuk mund t'i fshihet. kjo nuk është thënë shkel e shko, por ka një domethënie të madhe, sepse syri i njeriut ose vegla optike më e përsosur, nuk mund ta përfshijë e ta shohë një send të madh në tërësi. Ia sheh një pjesë ose disa, e jo krejt atë. Vetëm Zoti është Ai të cilit nuk mund t'i fshihet asnjë pjesë e ndonjë sendi, sado i madh të jetë ai.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:41–10:44
Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur, Muhamedit ﷺ ,dhe i thotë: - Nëse ata të mohojnë ty, thuaju: “Unë kam veprat e mia dhe ju keni veprat tuaja. Ju nuk përgjigjeni për atë që bëj
unë e as unë për atë që bëni ju”. - Në të njëjtën mënyrë, Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Thuaj: “O ju jobesimtarë! Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni. As ju nuk adhuroni Atë që unë e adhuroj. Dhe unë kurrë nuk do të adhuroj atë që ju e adhuroni. Por as ju nuk do të adhuroni Atë që unë e adhuroj. Ju keni fenë tuaj dhe unë kam fenë time. [Kafirun 1 - 6].127 Po kështu i tha Ibrahimi dhe pasuesit e tij popullit të tyre idhujtar: “Një shembull i mirë për ju janë Ibrahimi dhe ata që ishin me të, kur i thanë popullit të vet: “Ne distancohemi prej jush dhe prej çfarë adhuroni ju veç Allahut. Ne ju mohojmë dhe armiqësia ndërmjet nesh është e hapur, derisa ju ta besoni Allahun si Një e të Vetëm!”....” [Mumtehine 4]. - Ka prej tyre që duken se të dëgjojnë me vëmendje ty. Por, vallë, ti do t’i bësh të shurdhrit të dëgjojnë, edhe kur ata nuk kuptojnë?! Ka prej tyre që hedhin shikimin drejt teje (kur i fton në të vërtetën). Por, a mund t’i udhëzosh ti të verbrit, kur ata nuk shohin? - Ata dëgjojnë fjalën e Allahut dhe fjalën tënde, të cilat kanë një ndikim shumë të madh në zemrat e njerëzve. Megjithatë, nuk është në fuqinë dhe mundësitë e tua, që t’i bësh ata t’i kuptojnë këto fjalë dhe të futësh udhëzimin në zemrat e tyre. Ashtu sikurse ti nuk mund të bësh të dëgjojë atë që është i shurdhët dhe as nuk mund të udhëzosh dhe t’i japësh dritë atij që është i verbër, po kështu nuk ke mundësi që të futësh udhëzimin në zemrat e tyre. Kjo ndodh vetëm nëse Allahu i Lartësuar dëshiron dhe e bën të mundur diçka të tillë. Më pas, Allahu i Lartësuar bën të ditur se Ai nuk i bën padrejtësi askujt, asgjë dhe aspak. Përmes Kur 'anit, Allahu i Lartësuar ka udhëzuar dhe u ka çelur sytë të verbërve, ka bërë të shurdhërit të dëgjojnë, ka hapur zemrat e mbyllura ndaj imanit. Ndërsa të tjerë i ka lënë në humbje, pa gjetur rrugën e besimit. Është Allahu Ai që vendos dhe rregullon çdo çështje në mbretërinë e Tij, në pronën e Tij, ashtu sikurse Ai dëshiron. Allahu i Lartësuar nuk pyetet për atë që bën, por janë krijesat që do të japin llogari, sepse Allahu është Absolut në diturinë, urtësinë dhe drejtësinë e Tij.128 - Allahu nuk u bën asnjë padrejtësi njerëzve, por janë ata që i bëjnë padrejtësi vetes së tyre. - Ebu Dherri rrëfen se Profeti ﷺ ka përcjellë nga Zoti i Lartësuar dhe Krenar këto fjalë: 1459. “Allahu i Lartësuar thotë: “O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë mes jush të ndaluar, prandaj mos bëni padrejtësi! O robërit e Mi! Jam Unë Ai që i ruan dhe i llogarit veprat tuaja! Çdokush që gjen mirësi, le të lavdërojë Allahun dhe çdokush që gjen diçka tjetër, të qortojë veçse vetveten.” [Muslimi].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:42–10:44
- Ka prej tyre që duken se të dëgjojnë me vëmendje ty. - Allahu i Madhëruar na tregon rreth disa mohuesve të Profetit dhe të Shpalljes që ai solli prej Zotit. Ai na tregon se ka prej tyre që duken sikur dëgjojnë. Ata shprehin njëfarë interesi për atë që Profeti (a.s) thoshte prej Shpalljes. Por, në fakt, ata nuk dëgjojnë me dëshirën dhe qëllimin për të mësuar dhe për të gjetur udhëzimin, por dëgjojnë të vendosur për të mohuar Shpalljen dhe me qëllimin e keq që të gjejnë ndonjë defekt dhe të çarë, për ta përdorur në qëllimet e tyre të këqija. Ky lloj dëgjimi, sigurisht që është shumë i padobishëm dhe nuk u sjell vepruesve asnjë të mirë. Nuk ka çudi që atyre t’u mbyllet para syve porta e udhëzimit të vërtetë dhe të plotë. Qëllimi i tyre i keq i privon ata nga dobia e dëgjimit të Shpalljes dhe atyre nuk u jepet sukses nga Zoti që të marrin udhëzimin e plotë, për të jetuar sipas asaj që dëgjojnë e mësojnë. Prandaj i Madhëruari i Urtë thotë: - Por, vallë, ti do t’i bësh të shurdhrit të dëgjojnë, edhe kur ata nuk kuptojnë?! - Kjo pikëpyetje përmban brenda vetes një mesazh të sigurt dhe të padiskutueshëm. Ti nuk ke pushtet dhe mundësi që të bësh të dëgjojnë ata që janë të shurdhër dhe nuk mund të të dëgjojnë, edhe nëse u flet me zë të lartë, e sidomos kur i shton kësaj edhe faktin që ata nuk kanë logjikë dhe arsye, me të cilën të kuptojnë e arsyetojnë drejt. Sikurse është e pamundur që të bësh të dëgjojë një të shurdhër që nuk ka logjikë e arsye, po ashtu është e pamundur për ty që t'i bësh të dëgjojnë mohuesit e kjo t’u bëjë dobi. Po, është e vërtetë që ata dëgjojnë argumentet, dhe kështu nuk kanë asnjë justifikim e argument para Zotit, por qëllimet e tyre të këqija dhe refuzimi i së mirës i bën ata që të mos e arrijnë udhëzimin e plotë, që mund të përfitohet nga dëgjimi i Shpalljes së Zotit. Kjo portë e madhe diturie dhe mirësie u është mbyllur atyre të mjerëve. Të gjitha këto mesazhe që të afrojnë të mirën u janë privuar dhe penguar atyre të padrejtëve qëllimkëqij. Pastaj Allahu i Madhëruar përmend edhe mbylljen e rrugës së dytë të marrjes së informacionit dhe udhëzimit, që është rruga e shikimit. Thotë i Madhëruari: - Ka prej tyre që duken se të shikojnë ty. - Ky shikim nuk ndikon tek ata. Sado që ta analizojnë gjendjen tënde, veprat e fjalët e tua të mrekullueshme, moralin tënd të lartë dhe jetën tënde model, ata nuk arrijnë të përfitojnë nga ky shikim. - Por, a mund t’i udhëzosh ti të verbrit, kur ata nuk shohin? - Ashtu sikurse ti nuk mund të udhëzosh një të verbër, që nuk arrin të shohë asgjë, po në të njëjtën gjendje janë edhe këta të mjerë. Ti nuk mund t’i udhëzosh ata, edhe pse ata mund të shohin fizikisht, pasi ai shikim i tyre nuk ua mundëson udhëzimin. Ata janë të verbër dhe arrogantë. Shikimi dhe dëgjimi i tyre janë bllokuar dhe prishur. Atëherë, kush mund t’ua tregojë atyre rrugën e drejtë të së vërtetës? Shikimi dhe dëgjimi janë rrugët përmes së cilave përftohet dituria dhe njihet
realiteti i gjërave. Shkatërrimi i tyre i mbyll rrugët e njohurisë dhe udhëzimit. Sigurisht që nuk mbulohen sytë e ballit, por verbohet zemra, që kanë në kraharor. Në ajet, i Lartësuari thotë: " ... ata të vështrojnë ty". Kjo tregon se për çdonjë që vështron gjendjen e Profetit (a.s), udhëzimin dhe traditën e tij, moralin e tij të pakrahasueshëm, veprat e tij aq të mira, besimin dhe fenë e pastër në të cilën ai të fton, të gjitha këto janë nga argumentet më të mëdha që tregojnë vërtetësinë e tij si profet i Zotit të botëve dhe për vërtetësinë e Shpalljes që ai solli nga Zoti. Për ata që dinë të vështrojnë dhe analizojnë, këto fakte janë mëse të mjaftueshme për të gjykuar mbi vërtetësinë e Muhamedit ﷺ dhe të Shpalljes që ai solli nga Zoti. - Allahu nuk u bën asnjë padrejtësi njerëzve, por janë ata që i bëjnë padrejtësi vetes së tyre. - Ai nuk ua shton të këqijat dhe as nuk ua pakëson mirësitë atyre, por janë njerëzit që i bëjnë padrejtësi vetvetes. Kur u vjen e vërteta, ata nuk e pranojnë, por e shpërfillin atë. Atëherë, si ndëshkim, Allahu i Madhëruar ua vulos zemrat dhe ua mbulon shikimin dhe dëgjimin.