10. Junus · Ajeti 57 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 10:40–10:61
Zoti xh. sh. i tregon Muhammedit për llojet e kundërshtarëve të Kur'anit. Disa edhepse dëgjojnë thëniet e Kur'anit, ato nuk kanë ndikim te ta, andaj shqisa e tyre është e topitur si te i shurdhëti, sepse ata edhe duke i parë faktet e misionit pejgamber të Muhammedit, nuk i kundrojnë si duhet ato ngase edhe zemrat i kanë të verbëra. Muhammedit i thuhet se mund të ndodhë që ndonjë dënim t'i kapë sa je gjallë, e ndoshta jo, por si do që të jetë, ata do të tubohen para Zotit ditën e gjykimit dhe do ta përjetojnë dënimin që e kërkojnë. Kur e shohin dënimin besojnë, por pa dobi, sepse atëherë nuk vlen ai besim. Të gëzohesh për të mirat që na i dhuroi Zoti, është e udhës. Një nga mirësitë më të mëdha, është dërgimi i Muhammedit pejgamber dhe rahmet për çdo send, prandaj gëzimi për ardhjen e Muhammedit, është gjë e porositur sipas ajetit 58. Allahut nuk mund t'i fshihet sendi më i imët, nuk mund t'i fshihet as ai send që tash për tash nuk është në gjendje ta shohë asnjë lloj mikroskopi. As sendi më i madh nuk mund t'i fshihet. kjo nuk është thënë shkel e shko, por ka një domethënie të madhe, sepse syri i njeriut ose vegla optike më e përsosur, nuk mund ta përfshijë e ta shohë një send të madh në tërësi. Ia sheh një pjesë ose disa, e jo krejt atë. Vetëm Zoti është Ai të cilit nuk mund t'i fshihet asnjë pjesë e ndonjë sendi, sado i madh të jetë ai.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 10:55–10:58
- Nuk ka dyshim se Allahut i takon gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë. Kini kujdes! Premtimi i Allahut është mëse i vërtetë, por shumica e tyre nuk e dinë. Është Ai që jep jetë dhe vdekje, dhe vetëm tek Ai do të ktheheni. - Allahu i Lartësuar thotë se Ai është Pronari i qiejve dhe i Tokës dhe se premtimi i Tij është i vërtetë. Ai ka për t’i ringjallur krijesat. Ai jep jetën dhe vdekjen dhe tek Ai do të kthehen të gjithë. Allahu është i plotpushtetshëm për të ringjallur krijesat dhe për t’i kthyer dhe llogaritur ata. Ai është i gjithëditur për dallimet mes të gjithë trupave dhe krijesave dhe Ai di mirë për çdo pjesë të trupit të krijesave, që mund të jetë shpërndarë nëpër tokë, det apo humnera. Më pas, Allahu i Lartësuar u tregon njerëzve mirësinë dhe bujarinë e Tij të madhe, kur i shpalli Profetit të Tij të nderuar Kur 'anin madhështor dhe u dhuroi atyre udhëzimin e qartë. - “O njerëz! Ja ku ju erdhi Këshilla nga Zoti juaj dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorin tuaj. Ai është udhëzim dhe mëshirë për besimtarët. - Ja ku ju erdhi Libri, që ju paralajmëron dhe qorton, për t’ju larguar nga poshtërsitë dhe mosbindja ndaj Allahut. Ai është shërim për dyshimet dhe pasiguritë, që mbajnë zemrat tuaja. Kur'ani largon çdo papastërti të idhujtarisë dhe ligësi të kufrit nga zemrat e robërve. Nëpërmjet Kur'anit arrihet udhëzimi i plotë dhe mundësohet fitimi i mëshirës së Allahut të Lartësuar. Por, sigurisht, kjo vlen vetëm për ata që e besojnë këtë Kur 'an dhe janë të sigurt për vërtetësinë e gjithçkaje që përmban ai, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Ne të shpallëm Kur 'anin, që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve u shton veçse dëshpërim.” [Isra 82]. Ose: “...Thuaju: “Ai, për besimtarët, është udhëzim e shërim. Ndërsa ata që nuk besojnë, i kanë veshët të shurdhuar, dhe për ta ai është verbëri. Këta
janë njëlloj si të thirren prej një vendi të largët”.” [Fussilet 44]. - Thuaj: “Vetëm për Mirësinë e Allahut (imanin) dhe Mëshirën e Tij (Kur'anin) gëzohuni!” Kjo është shumë herë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë”. - Është me parësore që të gëzohen dhe të lumturohen me këtë mirësi, që u ka dhënë Allahu. Ajo është shumë më e mirë sesa “ajo që ata grumbullojnë”, domethënë, stolitë dhe kënaqësitë e pakta të kësaj dynjaje, e cila do të përfundojë një ditë.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 10:57–10:58
- “O njerëz! Ja ku ju erdhi Këshilla nga Zoti juaj dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorin tuaj. Ai është Udhëzim dhe Mëshirë për besimtarët. - Allahu i Madhëruar, duke nxitur krijesat që t’i përkushtohen Kur'anit madhështor, bën disa prej përshkrimeve më të bukura të tij, që njëkohësisht janë edhe domosdoshmëri për krijesat. Kur'ani përmban gjëra, pa të cilat njerëzit nuk mund të bëjnë dot. I Madhëruari thotë: "O njerëz! Ja ku ju erdhi Këshilla nga Zoti juaj dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorin tuaj." Kur'ani përmban “ meuidha”, domethënë këshillë ose qortim. Ai ju këshillon që të ruheni nga ato vepra që sjellin zemërimin e Allahut dhe bëjnë të meritueshëm ndëshkimin e Tij. Por “meuidha”, në fakt, është më shumë sesa thjesht këshillë. Ajo është këshillë që na kujton rreth veprave të këqija, që Zoti nuk i do, por që tregon edhe pasojat e hidhura që ato vepra sjellin. Kështu meuidha i bën zemrat të frikësohen dhe të motivohen më shumë për ta pranuar këshillën dhe për t'u larguar nga ligësitë. Kur'ani është, gjithashtu, shërim i asaj që ndodhet në kraharor. Zemra është e sulmuar gjithmonë nga këto gjëra: 1. Sëmundja e epsheve dhe shfrenimi për të përmbushur dëshirat e devijuara, të cilat bëhen pengesë që robi të nënshtrohet e të jetojë sipas ligjit të Zotit dhe fesë së Tij. 2. Nga sëmundjet e dyshimeve e paditurisë, që cenojnë sigurinë dhe diturinë e njeriut për besimin e saktë. Këshillat e Kur'anit janë të shoqëruara me inkurajime e kërcënime, me premtime për shpërblim dhe kërcënime për ndëshkim. Ato veprojnë dhe ndikojnë thellë në zemrën dhe shpirin e
njeriut, duke bërë që tek ajo të lindë respekti për Zotin dhe droja nga ndëshkimi i Tij, por edhe shpresa për shpërblimin e mirësitë e Tij. Nëse në zemër lindin këto ndjenja dhe forcohen me leximin e vazhdueshëm të Kur'anit, kjo zemër bëhet e nënshtruar, duke i dhënë përparësi asaj që do Zoti, kundrejt dëshirave të njeriut. Me fjalë të tjera, kuptimet e fuqishme dhe ndikuese të Kur'anit e bëjnë zemrën të nënshtruar për të adhuruar Zotin, me mënyrën që Ai e dëshiron dhe madje të ndiejë kënaqësi me këtë adhurim. Gjithashtu, Kur'ani e bën zemrën ta shohë të urryer e të shëmtuar çdo shfrenim të nxitur nga shejtani i mallkuar. Gjithashtu, argumentet e prera të Kur'anit, të shtjelluara bukur dhe qartë, largojnë nga zemrat çdo sëmundje dyshimi e pasigurie rreth të vërtetës. Përmes këtyre argumenteve, zemra arrin në gradën më të lartë të sigurisë e diturisë. Kështu, kur zemra shërohet nga këto dy lloj sëmundjesh dhe gëzon shëndet të plotë, të gjitha gjymtyrët e pasojnë e i nënshtrohen asaj. Me përmirësimin dhe rregullimin e zemrës përmirësohen dhe rregullohen gjymtyrët e veprat e tyre. Ndërsa me sëmundjen dhe prishjen e saj sëmuren e prishen edhe gjymtyrët e veprat e tyre. Kur'ani është gjithashtu hudâ (udhëzim) dhe rahme (mëshirë). Hudâ është dituria rreth të vërtetës dhe puna sipas saj. Ndërsa rahme është çdo lloj mirësie e begatie, çdo lloj shpërblimi në këtë jetë dhe në ahiret, nëse ndjek udhëzimin e këtij Kur'ani. Në këtë mënyrë, hudâ është mjeti më i rëndësishëm dhe më i domosdoshëm. Ndërsa rahme është qëllimi dhe motivi më i plotë dhe i mrekullueshëm që mund të synohet dhe që nxit për punë të mira. Por Kur'ani është udhëzim dhe mëshirë veçse për besimtarët. Nëse Kur'ani bëhet udhëzuesi yt dhe mëshira lind prej këtij udhëzimi, nga këto të dyja besimtarit i ofrohen lumturia dhe shpëtimi, fiton të gjitha mirësitë dhe shpëton nga çdo ligësi, i dhurohen gëzimi, kënaqësia dhe lumturia e vazhdueshme. - Thuaj: “Vetëm për Mirësinë e Allahut dhe Mëshirën e Tij gëzohuni!” - Allahu i Madhëruar na urdhëron që të gëzohemi dhe, jo vetëm kaq, por ta shfaqim gëzimin e lumturinë tonë me mirësinë e Kur'anit dhe të imanit që Ai na ka dhuruar. Thotë i Lartësuari: “Vetëm për Mirësinë e Allahut dhe Mëshirën e Tij gëzohuni!” Mirësia e Allahut është Kur'ani madhështor. Ai është mirësia më e madhe që i Madhëruari na ka dhuruar me bujarinë e Tij. Gjëja e dytë me të cilën duhet të gëzohen besimtarët është mëshira e Tij. Mëshira është feja dhe imani, besimi i pastër dhe korrekt, është dashuria për Allahun, njohja e Tij dhe adhurimi i Tij si një i vetëm. Kështu, me të tilla mirësi le të gëzohen ata që patën fatin që t’i njohin dhe t’i kenë. Le të gëzohen me këtë Kur'an madhështor, të mrekullueshëm dhe të ruajtur, që gjithmonë do të jetë me ta. Le të gëzohen me këtë fe të pastër, të ruajtur e të sigurt, që Zoti e zgjodhi për ne dhe u kënaq me të. Islami është feja e vetme e pranuar nga Ai. Gëzohuni me njohurinë për Zotin, me dashurinë për Të dhe me adhurimin e Tij si një i vetëm. Këto të ofrojnë ëmbëlsinë e jetës, kënaqësi të pandërprera dhe lumturi të përjetshme. - Kjo është shumë herë më e dobishme se ajo që ata grumbullojnë”. - Këto janë shumë më të mira se stolitë e kësaj bote, që njerëzit mbledhin për veten e tyre. Kënaqësitë dhe stolitë e dynjasë janë të përkohshme dhe shumë të vogla në krahasim me kënaqësinë e një jete të denjë në adhurimin e Zotit. Veç kësaj, mirësia e fesë dhe besimit sjell lumturinë e të dy jetëve. Mes dy kategorive nuk mund të bëhet asnjë krahasim. Çdo stoli e kësaj bote është e papërfillshme në krahasim me ahiretin e përjetshëm dhe të pafundmë. Dynjaja është e shkurtër; ajo shkon drejt fundit shumë shpejt. Allahu i Lartësuar na urdhëroi që të gëzohemi e ta shprehim haptaz këtë gëzim për mirësinë e Kur'anit dhe të imanit, sepse kjo i sjell shpirtit kënaqësi, ambicje, forcë dhe më shumë gjallëri. Gjithashtu, ajo nxit mirënjohjen për
Allahun dhe lavdërimin e Tij. Ajo forcon lidhjen me Allahun dhe mirënjohjen ndaj Tij dhe i jep robit forcë, gjallëri dhe jetë. Ajo i jep një dashuri të fortë për diturinë e dobishme dhe për njohjen e Allahut, i jep dashuri për imanin e pastër. Gëzimi dhe lëvdimi për mirësinë e Kur'anit dhe të imanit e shtojnë, e theksojnë dhe forcojnë edhe më shumë atë iman. Ky lloj lëvdimi është i pëlqyeshëm, ndryshe nga të lëvduarit me të mirat e kësaj bote ose me gjëra të kota; këto janë të qortueshme, sikurse thotë Allahu i Lartësuar në Kur'an, kur na tregon për historinë e Karunit: “Karuni ishte nga populli i Musait, por ai i kaloi kufijtë (në padrejtësi) kundër tyre. Ne i patëm dhënë aq shumë pasuri, saqë çelësat e tij mezi i bartnin edhe njerëzit më të fuqishëm. Populli i vet i tha atij: “Mos u gëzo tej mase, sepse Allahu nuk i ata që e teprojnë në gëzim!" [Kasas 76]. Po kështu na njofton Allahu rreth atyre që gëzonin dhe lëvdoheshin me atë që zotëronin, kundrejt mesazhit të profetëve: " Kur u erdhën të dërguarit me Shenja të qarta, ata u mburën me diturinë e vet, por atëherë i goditi ai (dënimi i Zotit) me të cilin talleshin. ”. [Gafir 83].