10. Junus · Ajeti 89

سورة يونس
Përkthimi Sherif Ahmeti
89

قَالَ قَدۡ أُجِيبَت دَّعۡوَتُكُمَا فَٱسۡتَقِيمَا وَلَا تَتَّبِعَآنِّ سَبِيلَ ٱلَّذِينَ لَا يَعۡلَمُونَ

Ai (All-llahu) tha: "Lutja juaj është pranuar, prandaj ju të dy qëndroni ashtu si jeni e mos ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë!"*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Muhamedi a.s. u tregoi kurejshitëve për Nuhun dhe popullin e tij. U tregoi se pejgamberët nuk kanë pasur si qëllim ndonjë interes material. Ata punuan për të lartësuar moralin njerëzor të mbështetur në udhëzimet e Zotit. U tregoi se kryeneçësia e tyre nuk i solli kurrfarë dëmi Nuhut, e edhe më pak Zotit, por iu solli atyre vetë. U dha të kuptojnë, se edhe kurejshitët do t’i gjejë ashtu ndonjë e zezë. Udhëzimet e Zotit janë mëshirë, por nëse edhe pas të gjitha këshillave të buta e të bukura refuzohet e vërteta, mëshira e Zotit tërhiqet nga zemrat e tilla, dhe atëherë zemrat e tyre mbyllen dhe nuk shohin asgjë të mirë e të mbarë, sepse janë duke u përgatitur për xhehenemin e shëmtuar. Për Nuhun dhe popullin e tij, ditën të na rrëfejnë vetëm shpalljet nga Zoti, sepse jeta e tij i takon një lashtësie të hershme, për çka historia nuk di asgjë. Për Musain që ishte nja dymijë e pesëqind vjet para Pejgamberit tonë dhe për faraonët historia zotëron disa shënime në bazë të studimeve arkeologjike. Faraoni dhe populli i tij kibtët (koptët) ishin popull injorant, popull i pafe, ndërsa populli i Musait ishte popull i udhëzuar me libër, me kushtetutë prej Zotit, prandaj polemika mes tyre ishte e madhe. Koptët kishin kushte të mira për jetesë, dhe ajo gjendje ua kishte rritur mendjen. Zakonisht njerëzit e tillë me shumicë janë mendjelartë, por janë edhe të marrë, sepse nuk dëgjojnë këshilla nga të tjerët nga mendjemadhësia e tyre dhe mbesin të tillë gjatë tërë jetës. Hidhërimi i Musait që duket në mallkimin që i bëri popullit të faraonit ishte hidhërim për hir të Allahut dhe të fesë së Tij, e jo hidhërim për veten e vet.