فَجَعَلَهُمۡ كَعَصۡفٖ مَّأۡكُولِۭ
Dhe ata i bëri si gjeth i grimcuar (i përtypur)!*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Pejgamberi a.s. nuk e ka parë ngjarjen e ushtrisë së Ebrehesë, që kishte edhe elefantë. Ai ka lindur po në atë vit, por më vonë. Zoti nuk i thotë a e ke dëgjuar, por i thotë a e ke parë, sepse tregimi nga ana e Zotit është aq i sigurt dhe i bindshëm, sa sikur ta kishte parë me sy vetë Muhamedi a.s., prandaj i thotë a e ke parë, që do të thotë: të jesh i bindur më tepër se sa të kishe parë. Ebreha bin Eshremi, sundues i Jemenit e mësyn Qaben për ta rrënuar. Përveç ushtrisë me njerëz kishte edhe elefantë dhe me të madhin e tyre. Për shkakun e atij sulmi, për rrethanat se si zhvillohet ngjarja flasin faktet historike. Është për t'ia vënë veshin me vëmendje thënies së Zotit: Si bëri me ta?- nuk thotë: çka bëri me ta? Puna e Zotit rreth zhdukjes së tyre nuk do të ishte aq e çuditshme sikur Ai t’iu jepte fuqi kurejshitëve e të luftonin dhe t'i zhduknin, por është e çuditshme mënyra se si i zhduku. I shkatërroi me anën e shpendëve, që vinin grupe-grupe dhe në sqep e në kthetra mbanin nga një gur me të cilët e gjuanin ushtrinë dhe ai gur i shponte si plumbi. I asgjësoi deri në atë masë, saqë i përngjanin gjethit të grisur e të copëtuar nga era, ose të përtypur e të shkelur prej shtazëve. Janë përpjekje të kota të disa njerëzve, që duke mos qenë në gjendje ta kuptojnë si duhet fuqinë e Zotit, por të mbështetur në aftësitë e veta u përpoqën t’i shpjegojnë shpendët e përmendur si mikrobe, që shkaktojnë sëmundje dhe vdekje. Nuk menduan se mikrobi vepron ngadalë, e këtu është fjala se ata u zhdukën menjëherë. Fjala e Zotit “Fe xhealnahum”. Shkronja “f ’ është: ta’kibije, që jep kuptimin: menjëherë e jo dalëngadalë. Mandej ata nuk menduan, se mikrobi nuk ka vetëdije, atëherë si ditën ata të sulmojnë vetëm armikun e jo edhe të tjerët?! Në anën tjetër, kur iu shpall kjo sure Pejgamerit a.s., ende kishte njerëz të gjallë, të cilët e kishin përjetuar atë ngjarje, e sikur të mos ishte ashtu si thotë Kurani, ata do të reagonin, do të mohonin, por nuk ndodhi ashtu, përkundrazi ata mburreshin me atë mrekulli, që iu dhuroi Zoti dhe e mbrojti Qaben. Falënderoj Zotin e Madhëruar!