← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

11. Hud · Ajeti 114 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 11:112–11:123

Urdhëri që i drejtohet drejtpërsëdrejti Muhammedit e edhe besimtarëve që të jenë të vendosur e të qëndrueshëm saktësisht dhe në mënyrë precize sikurse janë urdhëruar prej Zotit, mban përgjegjësi të madhe, andaj Pejgamberi duke e përkujtuar rëndësinë e këtij urdhëri paska thënë: "Më plaku kaptina Hud dhe motrat e saj..", duke iu përgjigjur pyetjes së një shoku që i ka thënë se, ke filluar të plakesh i dërguar i Zotit.

Sipas këtij urdhëri kuptohet se nuk guxon të tejkalohet asnjë dispozitë e Allahut, qoftë obligim adhurimi, qoftë lejim ose ndalim (hallall- haram) ndaj çështjeve e sendeve. Madje sipas këtij urdhëri, kuptohet se nuk guxon as të anohet kah zullumqarët dhe veprat e tyre, e lëre më të veprohet siç veprojnë ata.

Përmendet falja e namazit që është një nga shtyllat më të forta në fe, pas besimit dhe koha e faljes së tij gjatë ditës e natës, e përfundon ajeti duke na përkujtuar se punët e mira, siç është së pari namazi, e edhe të tjera, ndikojnë dhe ndihmojnë në shlyerjen, faljen e gabimeve, Pejgamberi ka thënë: "Namazi deri në namaz, xhumaja deri në xhuma, ramazani deri në ramazan shlyejnë mëkatet e atyre që janë ruajtur prej gjynaheve të mëdha".

Dënimi i Zotit nuk e godet kurrë një vend nëse banorët e tij janë në rrugë të drejtë.

Sikur dëshira e Zotit të ishte që njerëzit të jenë të një ideje e një feje, ata do të ishin ashtu. Njerëzit do të jenë të shpërndarë në lloj-lloj besimesh e idesh të gabuara, me përjashtim të atyre që i ka arritur mëshira e Zotit dhe kanë gjetur të vërtetën. E derisa Zoti është betuar se do ta mbushë xhehenemin me exhinë e njerëz, fjala e Tij është e pathyeshme, andaj njerëzit bredhin pas të këqiave derisa të meritojnë xhehenemin.

Të fshehtën, kudo që të jetë dhe kurdo që do të ngjajë, e di vetëm Zoti, e di edhe fundin e gëzuar ose të mjeruar për çdo njeri, por ajo është punë e Tij, e punë jona është: ta adhurojmë vetëm Atë, t'i dorëzohemi vetëm Atij, e Ai është mëshirues i mëshiruesve.

Me ndihmën e Zotit xh.sh. përfundoi përkthimi i kësaj kaptine. Lavdëruar qoftë Allahu!

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 11:114–11:115

- Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, edhe në orët e afërta të natës! - Në lidhje me këtë ajet, Ali Ibn Ebu Talha sjell shpjegimin e Ibn Abasit se këtu bëhet fjalë për namazet e sabahut dhe të ikindisë. Po kështu kanë thënë Hasani (sipas një transmetimi nga Katadja), Dahaku dhe të tjerë. Ka mundësi që ky ajet të ketë zbritur përpara ligjërimit dhe të caktimit me detyrim të 5 namazeve, natën e Israsë. Fillimisht, muslimanët e kishin detyrë që të falin vetëm dy namaze: një përpara lindjes së diellit dhe një tjetër përpara perëndimit të tij. Megjithatë, për Profetin dhe të gjithë umetin ishte detyrë që të falnin namaz nate. Më pas, detyrimi i namazit të natës u hoq për umetin, por mbeti për Profetin, sipas një mendimi në lidhje me këtë çështje. - Sigurisht që veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Ky është kujtim për ata që kujtojnë (Zotin e tyre) . - Veprimi i punëve të mira i fshin gjynahet e shkuara, siç thuhet edhe në hadithin që sj ellin Buhariu dhe Muslimi, se: 1500. “Njëherë, udhëheqësi i besimtarëve Uthman Ibn Afani mori abdes përpara besimtarëve, si abdesi i Profetit ﷺ , pastaj tha: “Kështu e kam parë Profetin e Allahut që të marrë abdes.” Pastaj tha: “Kush merr abdes si unë tani, pastaj fal dy rekatë namaz, në të cilin nuk shpërqendrohet, Allahu ka për t’ia falur atij të gjitha gjynahet e shkuara.” Muslimi sjell në Sahih-un e tij hadithin nga Ebu Hurejra se Profeti ﷺ thoshte gjithmonë: 1501. “Pesë namaze, nga xhumaja deri në xhumanë tjetër, nga ramazani në ramazan, të gjitha këto janë falje gjynahesh që kryhen mes

tyre, nëse robi iu largohet gjynaheve të mëdha.” Ndërsa Ebu Xhafer Ibn Xherir transmeton nga Ebu Malik el Eshariu, se Profeti i Allahut ka tënë: 1502. “Namazet janë bërë fshirëse të gjynaheve që bëhen mes tyre. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Sigurisht që veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Ky është kujtim për ata që kujtojnë (Zotin e tyre) .” Imam Muslimi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Xheriri sjellin rrëfimin e Ibn Mesudit, se: 1503. Njëherë, erdhi një burrë tek Profeti i Allahut dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë gjeta një grua në një kopsht dhe bëra me të gjithçka, përveç marrdhënieve (seksuale). E putha dhe e pushtova, por jo më shumë. Bëj me mua çfarë të duash dhe jep çfarëdolloj gjykimi që e shikon të drejtë!” Por Profeti ﷺ nuk tha asgjë, kështu që burri u largua. Umeri tha: “Allahu do t’ia mbulonte gjynahun, nëse ai do t’ia mbulonte vetes.” Profeti e ndoqi atë me shikim, pastaj tha: “Kthejeni atë tek unë!” Dhe kështu e kthyen sërish. Atëherë, Profeti i lexoi atij fjalën e Allahut: “Sigurisht që veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat. Ky është kujtim për ata që kujtojnë (Zotin e tyre) .” Muadhi (në një transmetim thuhet se ishte Umeri) tha: “O i Dërguari i Allahut! Ky përgëzim është vetëm për atë, apo për të gjithë njerëzit?” Profeti tha: “Është përgëzim për të gjithë njerëzit.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdullah Ibn Mesudi, se Profeti i Allahut ka thënë: 1504. “Allahu i Madhëruar ju a ka ndarë cilësitë e karakterit, ashtu siç ka ndarë rrizkun tuaj. Allahu ia jep të mirat e kësaj bote atij që Ai e do dhe atij që Ai nuk e do, por fenë dhe besimin e pastër ia jep veçse atij që Ai e do. Atij që Allahu i ka dhënë fenë dhe besimin (e pastër), në fakt, atë e do shumë. Betohem për Atë, që ka në dorë shpirtin tim! Nuk ka për të shpëtuar kush, derisa të ruajë dhe të jetë i kujdesshëm me zemrën dhe me gjuhën e tij dhe nuk ka për të qenë i sinqertë kush, derisa komshiu i tij të jetë i sigurt prej pabesive dhe ligësive të tij.” Ne e pyetëm: “Cilat janë këto pabesi, o i Dërguari i Allahut?” Ai tha: “Janë hilet dhe padrejtësitë e tij.” Pastaj shtoi: “Asnjë robi që fiton pasuri haram nuk i jepet bekim në atë pasuri dhe as nuk i pranohet, edhe nëse jep sadaka nga kjo pasuri, sepse ligësitë dhe gjynahet nuk mund të fshihen e pastrohen me ligësi dhe gjynahe. E keqja dhe gjynahet fshihen veçse nëpërmjet punëve të mira. Ligësia dhe e pista kurrsesi nuk mund të fshihen nëpërmjet të keqes.” Imam Ahmedi transmeton nga Muadhi se Profeti ﷺ i tha atij 1505. “... O Muadh, kur bën një të keqe, pasoje me një të mirë, sepse e mira e fshin të keqen, dhe sillu me njerëzit me moralin më të mirë.” - Bëj durim, se, me të vërtetë, Allahu nuk ua humb shpërblimin vepërmirëve!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 11:112–11:115

- “Prandaj qëndroni të patundur (në rrugën e drejtë), ashtu siç jeni urdhëruar - ti dhe ata që janë penduar (e kanë besuar) së bashku me ty dhe mos i kaloni kufijtë!” - Allahu i Lartësuar urdhëron për “el istikâme ”, domethënë për qëndrueshmëri në rrugën e drejtë. Por kjo nuk mund të bëhet sipas orekseve dhe dëshirave të secilit, prandaj shoqërohet me një tjetër porosi të rëndësishme: “... ashtu siç je urdhëruar”. Kështu, besimtarët urdhërohen që të përqëndrohen në rrugën e Allahut të Madhëruar dhe në zbatimin e ligjit të Tij, me mënyrën që Ai e ka caktuar. Ata duhet të besojnë gjithçka që vjen e sigurt nga Allahu i Lartësuar. Ata urdhërohen që kurrsesi të mos devijojnë nga feja dhe ligji që u ka zbritur Allahu i Lartësuar. Besimtarët urdhërohen që të jenë të vazhdueshëm në këtë rrugë të drejtë dhe të mos devijojnë as majtas, as djathtas. Gjithçka është e përcaktuar, prandaj ata nuk duhet të kalojnë caqet në asnjë drejtim, qoftë në besim, qoftë në zbatimin e ligjeve. Pastaj Allahu i Madhëruar i kujton besimtarët për një fakt shumë të rëndësishëm, duke thënë: - “Ai sheh gjithçka që bëni ju.” - Allahut nuk i fshihet asnjë vepër e tyre dhe Ai ka për t’i shpërblyer për to. Sigurisht, ky është një inkurajim i fortë për të qenë i vendosur në fenë e drejtë të Allahut të Lartësuar. Gjithashtu, ai shërben edhe si një kërcënim

dhe qortim i ashpër për këdo që humbet këtë qëndrueshmëri. Allahu i Lartësuar e përforcon këtë kërcënim, duke thënë: - “Dhe mos anoni kurrë nga ata që bëjnë padrejtësi e kështu t’ju përcëllojë Zjarri!” - Mos anoni nga ata të cilët bëjnë padrejtësi, sepse nëse anoni nga ata, sigurisht që keni për t’i miratuar dhe pasuar në padrejtësitë e tyre, ose të paktën do të jeni të kënaqur me ta, dhe në këtë mënyrë dhe do të bini në zjarrin e Xhehenemit. Ky lloj animi është, sigurisht, pasojë e humbjes së qëndrueshmërisë në rrugën e Allahut të Lartësuar ashtu sikurse Ai ka urdhëruar. - “Atëherë, ju nuk do të keni asnjë mbrojtës përveç Allahut dhe askush nuk do t’ju ndihmojë.” - Ju nuk keni për të gjetur mbështetës, që t'ju mbrojnë nga ndëshkimi i Allahut apo që t’ju ndihmojnë për të fituar sadopak prej shpërblimit të Tij. Kështu, ata nuk do të mund të largojnë prej jush ndëshkimin që do t’ju japë Allahu i Lartësuar, kur ai të godasë mbi ju. Në këtë ajet gjejmë një kërcënim të ashpër për këdo që anon tek çdo lloj padrejtësie me të cilën përballet. Por çfarë nënkupton fjala “anim”, që përmendet në ajet? Kuptimi i saj është pohimi, miratimi, solidariteti ose mbështetja me kënaqësi që tregon dikush për padrejtësinë dhe të padrejtët. Atëherë, nëse vetëm animi te padrejtësia ka këtë lloj ndëshkimi nga Allahu i Lartësuar, si është halli i atyre që e kryejnë vetë padrejtësinë?! E lusim Allahun e Madhëruar të na ruajë nga çdo lloj padrejtësie dhe të mos anojmë tek ato në asnjë formë e çast! - “Dhe fale namazin në dy skajet e ditës, edhe në orët e afërta të natës!” - Allahu i Lartësuar urdhëron për faljen e namazit në dy skajet e ditës, domethënë, në fillim dhe në fund të saj. Këtu përfshihen tre namazet: i sabahut, i drekës dhe ai i ikindisë. Më pas, i Lartësuari thotë: “edhe në orët e afërta të natës”. Këtu bëhet fjalë për namazin e akshamit dhe të jacisë, sepse akshami është menjëherë pas perëndimit të diellit, ndërsa jacia është pranë me sabahun. Sigurisht, përfshihet edhe namazi i natës, sepse edhe ai është afër sabahut. Janë quajtur ‘ zulefen’ – ‘të afërta ose afruese’ edhe për një qëllim tjetër: sepse e afrojnë robin tek Allahu i Lartësuar. - “Sigurisht që veprat e mira i shlyejnë ato të këqijat.” - Pesë namazet e detyrueshme si dhe ato vullnetare, që u bashkëngjiten, konsiderohen si veprat më të mira dhe më të shpërblyeshme. Ato kanë një shpërblim shumë të madh prej Allahut të Lartësuar dhe Bujar. Përveçse sjellin mirësi të shumta në dynja dhe ahiret, namazet, - sikurse thotë Allahu i Lartësuar, - i fshijnë dhe i largojnë të këqijat. Sigurisht, këtu bëhet fjalë për gjynahet e vogla, sikurse përcaktohet edhe në hadithe të sakta nga Profeti (a.s.). Nga këto hadithe mund të përmendim: “Pesë namazet, nga xhumaja deri në xhuma, nga Ramazani deri në Ramazan, janë falëse dhe shuajtëse të atyre gjynaheve që veprohen mes tyre, nëse robi u largohet gjynaheve të mëdha”. Kështu që bëhet fjalë për gjynahet e vogla. Një argument tjetër që tregon për këtë është edhe ajeti në suren Nisa, ku thotë Allahu i Lartësuar: “Nëse largoheni prej gjynaheve të mëdha, që ju janë ndaluar, Ne do t’jua falim gjynahet e vogla dhe do t’ju shpiem në një vend të nderuar.” [Nisa 31]. Pastaj Allahu i Madhëruar thotë: - “Ky është kujtim për ata që kujtojnë (Zotin e tyre) .” - Ky është një kujtim i mrekullueshëm për ata që kujtojnë mësimet e Zotit. Përemri "ky" ndoshta ka për qëllim gjithçka që u përmend pak më sipër, si: - qëndrueshmëria në rrugën e drejtë dhe përkushtimi për të mos dalë nga kufijtë që ka vendosur Allahu i Lartësuar; - mosanimi nga ata që bëjnë padrejtësi dhe mosmiratimi i tyre; - urdhri për faljen e namazit dhe qartësimi se të gjitha veprat e mira i fshijnë të këqijat. Të gjitha këto vlejnë për ata që duan të dinë se çfarë u ka urdhëruar dhe çfarë u ka ndaluar Allahu i Lartësuar. Për këtë arsye, ata përkushtohen me sinqeritet për t’i zbatuar ato, se kështu fitojnë mirësi dhe begati dhe u largohen fatkeqësitë e sprovat

në dynja dhe ahiret. Sigurisht, urdhrat e Allahut të Lartësuar kanë nevojë për përpjekje dhe durim të madh, që të vihen në jetë, prandaj i Lartësuari thotë më pas: - “Bëj durim,...” - Bëj durim, detyroje, përqëndroje veten tënde në bindje ndaj Allahut të Lartësuar. Bëhu i duruar dhe këmbëngulës për t’u larguar nga poshtërsitë dhe mosbindja ndaj Tij, për t’u larguar nga gjithçka që Allahu e ka ndaluar. Ji i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm në këtë rrugë dhe kurrë mos devijo prej saj! Kurrë mos u qaj dhe mos u trego i dobët dhe i pafuqishëm! Përkundrazi, ji i gjallë dhe sistematik në rrugën e Allahut! Asnjëherë mos harro një fakt, i cili do të të ndihmojë në këtë rrugë: - “...se, me të vërtetë, Allahu nuk ua humb shpërblimin vepërmirëve!” - Allahu i Lartësuar nuk e humbet kurrë punën dhe shpërblimin e bamirësve. Përkundrazi, Ai ka për t’ua pranuar veprat dhe do t’i shpërblejë sipas tyre. Allahu i Lartësuar, me bujarinë e Tij, do të marrë si shembull punën më të mirë dhe më të plotë që ata kanë bërë. Sigurisht, këto ajete janë nxitje e fortë për besimtarin për të kultivuar dhe forcuar durimin e tij. Duke përmendur shpërblimin, Allahu i Madhëruar i bën shpirtrat më të gjallë dhe ambiciozë dhe u jep një vullnet të fortë për të vazhduar në rrugën e bindjes ndaj Tij. Sa herë që shpirtrat lodhen dhe dobësohen, kujtimi i shpërblimit të Allahut të Lartësuar u jep fuqi për të vazhduar më tej, derisa ta takojnë Atë e ta marrin shpërblimin të plotë nga bujaria e Tij.

← Hud 11:114