11. Hud · Ajeti 12 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 11:12–11:24
Idhujtarët i thonin Muhammedit t'u sjellë ndonjë pasuri të madhe ose ndonjë engjëll, i cili do të dëshmojë për të, e u tallnin me shpalljen - Kur'anin që i vinte prej Zotit. Për të mos u demoralizuar Muhammedi, Zoti i thotë që të mos u vërë veshin thënieve të tyre, të vazhdojë me komunikimin e Kur'anit, edhe pse ata do t'i thonë se ai e ka trilluar vetë dhe se ai nuk është fjalë e Zotit. Nëse është trillim i Muhammedit, le të trillojnë edhe ata diçka të ngjashme, e nëse nuk mundin, le të dorëzohen.
Kush ka për qëllim vetëm përjetimet e kësaj bote, mund t'i plotësohet dëshira, nëse kjo është edhe dëshirë e Allahut, por jo domosdo. Pak më qartë rreth kësaj çështjeje flet ajeti 118 i kaptinës Israë, e edhe ajeti 20 i kaptinës Shura. Njeriut të tillë nuk i mbetet asgjë, pos zjarrit në botën tjetër.
Rrugën e ndritshme, të mbështetur në argumente të Allahut, e vërteton edhe Kur'ani, edhe Xhibrili, edhe librat e mëparshëm siç është Tevrati i Musait, pra të mos brengosin as ty, as besimtarët, shpifjet e atyre që nuk janë besimtarë. Ata janë zullumqarë të vërtetë, për zullumin e tyre, ditën e gjykimit para Zotit do të dëshmojnë pejgamberët, njerëzit dhe melaiket. Ata menduan se do t'i shpëtojnë dënimit, por u doli e kundërta, ngase dënimi i tyre do të jetë i shumëfishtë, sepse ata as nuk dëgjuan me vemendje Kur'anin, as nuk vërejtën seriozisht faktet konkrete. Eshtë edhe më keq për ata, sepse veprat e tyre janë pa kurrfarë vlere.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 11:12–11:14
Allahu i Lartësuar e ngushëllon Profetin e Tij në lidhje me kokëfortësinë që idhujtarët tregonin në sjelljen armiqësore dhe në kundërvënien ndaj tij, si edhe për fjalët që ata thoshin kundër Profetit ﷺ ,sikurse është shpjeguar në ajete të tjera, si për shembull: “Ata thonë, gjithashtu: “Ç’është ky i dërguar, i cili ha ushqim dhe ecën nëpër
tregje?! Përse nuk i është dërguar atij një melek dhe të bëhet me të paralajmërues?! Ose, përse nuk i është zbritur një thesar, ose përse nuk ka një kopësht për t'u kënaqur me të?! Të ligjtë thonë: “Ju, vërtet po pasoni një njeri të magjepsur. Shiko çfarë shembujsh sjellin për ty! Por (me këtë) ata humbën (shumë larg) dhe ata kurrë nuk mund ta gjejnë rrugën e drejtë.” [Furkan 5 - 9]. Kështu, Allahu i Lartësuar e urdhëron dhe e udhëzon Profetin e Tij, që të mos shqetësohej dhe të mos i ngushtohej gjoksi nga fjalët dhe pretendimet e idhujtarëve në lidhje me të. Ato fjalë të mos bëheshin kurrsesi pengesë dhe frenim nga ftesa e njerëzve në rrugën e Allahut. Sikurse ka thënë i lartësuari: “Ne e dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht prej gjërave që thonë ata. Por ti madhëroje me lavdërime Zotin tënd e bëhu prej atyre që bien në sexhde! Dhe, adhuroje Zotin tënd, derisa të vijë Ora e sigurt (vdekja)!” [Hixhr 97 - 99]. Ndërsa këtu tha: - Ndoshta ti mund (të priresh) ta lësh një pjesë nga ajo që po të shpallet dhe po të ngushtohet gjoksi se mos ata thonë: “Pse të mos i jepej atij ndonjë thesar ose pse të mos vinte bashkë me të ndonjë melek?!”. Por ti je vetëm një qortues, ndërsa është Allahu Ai që përkujdeset për çdo gjë. - Mos e braktis kurrë Shpalljen për shkak të fjalëve të tyre! Kujto faktin që ti je veç një paralajmërues dhe merr shembull vëllezërit e tu profetë, që u dërguan para teje. Edhe ata u mohuan nga popujt e tyre. Ata u torturuan, por ata bënë durim, derisa u erdhi ndihma dhe triumfi nga Allahu Krenar dhe i Lartësuar. Në vijim, Allahu i Lartësuar na tregon faktin se Kur'ani është një mrekulli e pashembullt dhe e pakonkurrueshme. - Mos, vallë, po thonë: “Ai e ka trilluar atë”? Thuaju: “Sillni dhjetë sure të ngjashme me të, të trilluara (ashtu siç thoni), dhe thirrni për ndihmë kë të mundeni, veç Allahut, nëse thoni të vërtetën!” - Askush nuk mund të sjellë diçka të ngjashme me Kur ’anin, as 10 sure të ngjashme me suret e Tij, madje as edhe një sure të vetme të ngjashme me suret e Tij, sepse Kur 'ani është fjala e Zotit të Lartësuar dhe asaj nuk i ngjan asnjë lloj fjale krijesash. Ashtu sikurse cilësive të Tij nuk mund t’i përngjajë asnjë cilësi krijesash, edhe Qenies së Tij nuk i ngjan asnjë prej krijesave. I Lartësuar, i Dëlirë dhe i Pastër nga çdo e metë është Allahu i madhëruar! Nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Allahut dhe nuk ka Zot, Kujdestar dhe Sundues përveç Tij! - E nëse (zotat tuaj të rremë) nuk ju përgjigjen, atëherë dijeni se kjo shpallje është zbritur me dijen e Allahut dhe se nuk ka asnjë të adhuruar me meritë veç Tij. - Nëse ata nuk ju përgjigjen në sfidën për të sjellë një sure të ngjashme me Kuranin, ose në sfidat që i ftoni ju, dijeni se ata janë të pafuqishëm që ta bëjnë diçka të tillë. Kur’ani është i zbritur prej Allahut të Lartësuar dhe brenda tij ka dituri madhështore, urdhëresa të vyera dhe ndalesa e ligje të rëndësishme. - A nuk po nënshtroheni si muslimanë?” - Atje janë urdhëresat, ndalesat dhe ligji i Allahut të Lartësuar.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 11:12–11:14
Duke dashur të qetësojë zemrën e Profetit të Tij të dashur, i cili ishte aq i dëshpëruar për kundërshtimin dhe mosbesimin e qafirëve, Allahu i Madhëruar thotë: - “Ndoshta ti mund (të priresh) ta lësh një pjesë nga ajo që po të shpallet dhe po të ngushtohet gjoksi se mos ata thonë: “Pse të mos i jepej atij ndonjë thesar ose pse të mos vinte bashkë me të ndonjë melek?”.” - Nuk është e drejtë për të zgjedhurin e Zotit, Muhamedin ﷺ , që të ndikohet nga fjalët e mohuesve dhe të ndalet nga rruga e drejtë. Ata nuk duhet të ndikojnë tek ti, o i Dërguar, në mënyrë të tillë që të lëshosh ose braktisësh diçka prej Shpalljes. Zemra jote nuk duhet të ngushtohet dhe trishtohet nga fjalët e tyre, kur ata thonë: “Pse të mos i jepej atij ndonjë thesar ose pse të mos vinte bashkë me të ndonjë melek?”. Këto janë
thjesht fjalë që burojnë nga kokëfortësia, padrejtësia, arroganca dhe inati që ata kanë. Kjo tregon për injorancën e tyre të thellë rreth formave të argumentimit dhe vërtetësisë së fakteve. Ji i qëndrueshëm në diturinë e sigurt dhe të vërtetë që Zoti të dhuroi dhe vazhdo me këmbëngulje të zbatosh çështjen tënde. Mos u ndiko nga ato fjalë boshe, të cilat burojnë veçse nga mendjelehtët. Si të tilla, ato nuk ka përse të shkaktojnë ngushtim për zemrën dhe shpirtin tënd. A kanë sjellë ata ndonjë argument, që ti nuk mund ta kundërshtosh e zgjidhësh?! A kanë sjellë ndonjë fakt, që mund të hedhë poshtë përsosmërinë dhe madhështinë e fesë tënde, dhe kështu të ngushtohet zemra jote?! Jo, sigurisht, nuk është as njëra e as tjetra. O i Dërguar, ti nuk je përgjegjës për fjalët dhe veprat e tyre dhe as je i detyruar për t’i udhëzuar ata me pahir, kundër vullnetit të tyre. - “Por ti je vetëm një qortues. Është Allahu Ai që përkujdeset për çdo gjë.” - Allahu është Mbikëqyrësi i veprimeve të tyre. Ai i ruan e ua regjistron punët nëpërmjet melekëve të Tij besnikë dhe në Ditën e Gjykimit do t'u japë shpërblimin që meritojnë. - “Mos, vallë, po thonë: “Ai e ka trilluar atë.”?” - Vallë, ata po thonë se ishte Muhamedi ai që e trilloi Kur'anin, se ky libër nuk është fjala e Allahut, por thjesht një trillim njeriu?! I Madhëruari i përgjigjet: - “Thuaju: “Sillni dhjetë sure të ngjashme me të, të trilluara (ashtu siç thoni), dhe thirrni për ndihmë kë të mundeni, veç Allahut, nëse thoni të vërtetën!”” - Nëse është e vërtetë se ishte Muhamedi ai që e trilloi këtë libër madhështor, atëherë sillni edhe ju dhjetë sure të ngjashme me të Kur’anit. Ju jeni të ngjashëm me Muhamedin në aspektin e oratorisë dhe elokuencës dhe, përveç kësaj, zemrat i keni të mbushura plot me armiqësi e urrejtje dhe jeni çmendurisht të përkushtuar për të hedhur poshtë këtë Kur’an. Të gjitha këto duhet ta bëjnë të thjeshtë për ju dhe duhet të nxisin një dëshirë të pa rrezistueshme për t'iu përgjigjur sfidës. Por përsëri ata nuk iu përgjigjën kësaj sfide, prandaj i Madhëruari tha: - “E nëse atëherë (zotat tuaj të remë) nuk ju përgjigjen, atëherë dijeni se kjo shpallje është zbritur me dijen e Allahut...” - Nëse ata nuk i përgjigjen kësaj sfide, - dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, - atëherë mësojeni dhe krijoni bindjen e plotë se ky libër është zbritur me diturinë e Zotit. Ky është një fakt i padiskutueshëm, që sfidon këdo. Mësoni, gjithashtu, dhe krijoni bindje të plotë se: - “...dhe se nuk ka asnjë të adhuruar me meritë veç Tij.” - Vetëm Allahu është i meritueshëm për t'u adhuruar. Vetëm Atij duhet t'i përkushtohen adhurimet e krijesave. - “A nuk po nënshtroheni si muslimanë?”” - A nuk po dorëzoheni e të nënshtroheni për adhurimin e Tij? Nga këto ajete nxjerrim mësim që thirrësi në rrugën e drejtë nuk duhet të ndikohet dhe shqetësohet nga kundërshtimet, fyerjet dhe
shpifjet e batakçinjve. Argumentet e tyre janë të pabaza dhe nuk mund të cenojnë aspak vërtetësinë dhe madhështinë e kësaj feje, në të cilën ai i fton njerëzit. Zemra e thirrësit kurrë të mos ngushtohet, por përkundrazi, të gjejë prehje dhe qetësi të plotë në faktin se është në rrugën e drejtë dhe të pacenueshme. Ai duhet të vazhdojë i sigurt dhe shpresëplotë për të realizuar e përkryer urdhrat e Zotit të tij. Çështja më e rëndësishme që duhet ta angazhojë të jetë përkushtimi i plotë në zbatimin e çdo porosie të Zotit. Thirrësi nuk duhet të harrojë asnjëherë se nuk e ka për detyrë që t’i përgjigjet çdo pyetjeje e të plotësojë çdo propozim të natyrëprishurve, ashtu si nuk e ka detyrë që t'u sjellë atyre çdo lloj argumenti e fakti që ata i kërkojnë për ta pasuar. Mjafton ky Kur’an madhështor, të cilin nuk mund ta kundërshtojë askush, për të argumentuar vërtetësinë e saktësinë e të gjitha urdhëresave e qëllimeve të Zotit me krijesat. Kur’ani mjafton si përgjigje për çdo kërkesë e propozim që ata sjellin. Në këto ajete kuptohet se vetë Kur’ani është mrekullia më e madhe me të cilën Zoti e pajisi një profet. Ai është sfidë e hapur, që asnjë krijesë nuk mund ta përballojë. Asnjë krijesë nuk mund të sjellë diçka të ngjashme apo të përafërt me të, madje as dhjetë sure të ngjashme me suret e tij, madje as edhe një sure të vetme që të mund t’i afrohet atij. Kjo vërtetohet nga fakti i njohur dhe i pakundërshtueshëm se arabët, bashkë me poetët e tyre më të mëdhenj, kurrë nuk mundën të sjellin diçka të ngjashme me madhështinë e këtij libri, edhe pse Zoti i sfidoi për këtë. Përkundrazi, ata gjithmonë bindeshin se ishin të pafuqishëm për diçka të tillë. Në këto ajete kuptohet se, në disa çështje të rëndësishme është e domosdoshme dituria e plotë, domethënë, nuk mjaftojnë thjesht supozimet me përafërsi apo hipotezat. Të tilla janë dituria rreth Kur’anit, rreth teuhidit e të ngjashme. Në të tilla raste kërkohet dituri e sigurt, sipas kritereve rigoroze të përcaktuara nga feja jonë madhështore. Kjo kuptohet nga urdhri i Allahut: " fea'lemu", pra, ta dini me siguri se Kur'ani u zbrit me diturinë e lejen e Zotit dhe se askush tjetër nuk e meriton të adhurohet veç Tij.