← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

11. Hud · Ajeti 32 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 11:25–11:39

Tregimet ndaj pejgamberëve të përparshëm kanë qenë qëllim, t'i japin lehtësime Muhammedit I në detyrën e tij, duke kuptuar se si edhe ata para tij patën vështirësi dhe se si ata ishin të durueshëm, mandej se si u vinte ndihma nga Zoti. Edhe besimtarët myslimanë nga rrëfimet e tilla do të fitojnë I përvojë të duhur në jetën e tyre. Të gjithë të dërguarit e Zotit në përpjekjet e tyre patën si detyrë dhe qëllim kryesor ta udhëzojnë popullin në besim vetëm të një Zoti, kurse mohuesve u tërhoqën vërejtjen për rrezikun që i pret. Është karakteristike çështja e tyre se gjithnjë ishin të mashtruar pas jetës së kësaj bote, ata që ishin kryelartë ndaj thirrjes së pejgamberëve. Zakonisht ata të cilët ishin të privilegjuar me pozitë si pari, ose pasanikë, talleshin me besimtarët.

Asnjë i dërguar, ashtu sikurse edhe Nuhu, për hir të kryeneçëve, nuk pranoi t'i largojë prej vete besimtarët. Ai nuk kërkoi shpërblim, nuk pretendoi se ka diçka në dorë, pos shpalljes së Zotit, nuk u tha se dënimi kundër jush është në dorën time, por në dorën e Zotit, e meqë ai ishte një popull shumë i padëgjueshëm, dënimi nga ana e Zotit ishte i pashmangshëm, prandaj ai u urdhërua ta ndërtojë anijen, dhe të mos kërkojë falje për kundërshtarët. Paria kryelartë tallej me Nuhun duke i thënë kinse ishe pejgamber e tani u bëre zdrukthëtar, e Nuhu i njoftoi ata për fatkeqësinë që i priste.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 11:32–11:34

Allahu i Lartësuar na tregon se si populli i kërkoi Nuhut (a.s), duke e sfiduar atë, që t’ua përshpejtonte rënien e zemërimit dhe ndëshkimit të Allahut, ardhjen e kërcënimeve, me të cilat ai i kishte paralajmëruar: - Ata thanë: “O Nuh, ti polemizove me ne dhe e zgjate shumë me polemikën tënde. - Domethënë, shumë ke polemizuar, shumë na ke ftuar dhe na ke paralajmëruar, madje e ke tepruar në këtë drejtim, por dije se ne nuk kemi për të të pasuar! - Na e sill, pra, atë për të cilën na ke paralajmëruar, nëse thua të vërtetën - Kuptimi: Mallkona si të duash dhe le të na zbresë ndëshkimi që na kërcënon, nëse je prej atyre që thonë të vërtetën. Atëherë, Nuhu iu drejtohet dhe u thotë: - Ai tha: “Atë jua sjell vetëm Allahu, po qe se dëshiron, dhe ju nuk do të mund ta pengoni. - Përshpejtimin e ndëshkimit tuaj e ka në dorë vetëm Allahu, i Cili është një i vetëm në pushtetin e Tij dhe Atij nuk mund

t’i shpëtojë asgjë; ndëshkimit të Tij nuk mund t’i fshihet askush. - Këshilla ime nuk ka për t'ju bërë dobi, edhe pse dua shumë t’ju këshilloj, nëse Allahu dëshiron t’ju lërë në humbje. Ai është Zoti juaj dhe vetëm tek Ai ju do të ktheheni.” - Nuk ka për t’ju sjellë dobi më këshilla ime, edhe sikur unë të dëshiroj përmirësimin dhe rregullimin tuaj, nëse Allahu vetë dëshiron që t’ju lërë në humbje dhe t’jua zbresë ndëshkimin, që ju po e kërkoni t’ju përshpejtohet. Ai është Zoti juaj. Ai vepron dhe i ka në dorë të gjitha çështjet. Ai është Gjykuesi më i drejtë, i Cili nuk bën kurrë padrejtësi, as sa një thërrmijë e vogël. Në dorë të Allahut është krijimi dhe në dorën e Tij është urdhri për gjithçka. Ai e fillon krijimin dhe Ai e rikthen atë, Ai është Pronari dhe Sunduesi i dynjasë dhe ahiretit.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 11:29–11:34

- “O populli im! Unë nuk ju kërkoj ndonjë pasuri për këtë. Shpërblimi im është vetëm nga Allahu.” - Unë nuk ju kërkoj ndonjë pasuri në këmbim të pranimit të ftesës sime në rrugën e drejtë, që ju të pretendoni se po rëndoheni. - “Unë nuk kam për t'i dëbuar kurrë besimtarët.” - Me sa duket, ata i kërkuan Profetit që t'i dëbonte besimtarët e varfër, të dobëtit dhe jo të fismit. Por ai u përgjigj: Unë nuk i përzë kurrë besimtarët. Kjo është padrejtësi, prandaj unë nuk mund ta bëj atë. Përkundrazi, unë jam urdhëruar që t’i pres e t'i trajtoj ata me dashuri, dhembshuri, bujari e mirësjellje. - “Ata do të takohen me Zotin e tyre;...” - Është Allahu i Madhëruar Ai që ka të drejtën e llogarisë dhe të shpërblimit të robve. Ai do t’i shpërblejë robërit e Tij besimtarë për imanin dhe devotshmërinë e tyre, duke i futur në Xhenetin e mirësisë. - “...kurse ju, po shoh se jeni njerëz që nuk dini.” - Kërkesa juaj për të përzënë eulijatë e Allahut është injorancë e thellë. Është injorancë, gjithashtu, që ju refuzoni të vërtetën për shkak se atë e kanë pranuar këta njerëz. Padituri është edhe justifikimi juaj se unë qenkam thjesht një njeri si ju dhe nuk ka pse të kem ndonjë përparësi ndaj jush. - “O populli im! Kush mund të më mbronte mua nga Allahu, nëse do t'i dëboja ata?” - Kush mund të më mbrojë mua nga dënimi i Allahut, nëse bëj atë vepër që ju më kërkoni? Sigurisht, dëbimi i besimtarëve të mirë e të sinqertë e bën të meritueshëm ndëshkimin prej Allahut të Madhërishëm, të cilin askush nuk mund ta ndalë. - “A nuk do t'a pranoni këshillën?” - A nuk është më mirë ta mendoni se cila është gjetja më e dobishme për ju? A nuk po e mendoni më thellë çështjen? - “Nuk po ju them se tek unë gjenden depot e Allahut, as se unë di të fshehtën,”” - Unë nuk pretendoj asgjë nga këto. E shumta që ju them është se unë jam i Dërguari i Allahut, si përgëzues e si qortues për ju. Unë nuk kam nën kontroll asgjë. Depot e mirësive të Allahut nuk janë në administrimin tim. Nuk është në dorën time që t'i jap kujt të dua dhe të privoj kë të dua. Unë as nuk pretendoj se e di të fshehtën, që të mund t'ju njoftoj rreth të fshehtave e sekreteve tuaja. - “as nuk po ju them se unë jam melek.” - Kuptimi: Unë nuk pretendoj ndonjë gradë mbi atë që jam në të vërtetë. Unë jam thjesht ai që Zoti më ka përcaktuar: jam një rob adhurues dhe profet i dërguar prej Tij.

Unë nuk mund të gjykoj mbi njerëzit thjesht sipas mendjes sime. - “Unë nuk kam për t’u thënë atyre, të cilët sytë tuaj i nënçmojnë se Allahu nuk ka për t’u dhuruar asnjë të mirë.” - Besimtarëve të dobët e të varfër, të cilët paria e pasur mohuese i nënçmon, unë kurrë nuk mund t’u them: "Allahu nuk ka për t’u dhuruar asnjë të mirë." - “Allahu e di më mirë se ç’kanë ata në shpirt.” - Mesazhi është i njëjtë edhe për ta: Nëse jeni të sinqertë në besimin tuaj, do të keni mirësi e begati të shumta. Por nëse nuk jeni të tillë, dijeni se llogaria juaj është tek Allahu i Madhëruar. - “Po ta bëja këtë unë do të isha i padrejtë.” - Nëse unë do t'u thoja atyre diçka nënçmuese, do të bëhesha njeri i padrejtë. Këto fjalë shërbenin si sqarim përfundimtar për parinë mohuese të popullit të Profetit, që as të mos e mendonin se ai do t’i largonte nga tubimet e tij të varfërit dhe njerëzit e thjeshtë. Ai kurrsesi nuk do t’i urrente e dëbonte besimtarët dhe kjo do të ngulitej thellë në mendjet e parisë mosbesimtare. Këto fjalë ishin tepër bindëse dhe të mjaftueshme për ata që mendonin drejt dhe me urtësi. Kur paria e popullit e kuptuan se ai kurrë nuk do t’i përgjigjej propozimit të tyre dhe kështu nuk do ta arrinin qëllimin, i thanë: - “Ata thanë: “O Nuh, ti polemizove me ne dhe e zgjate shumë me polemikën tënde. Na e sill, pra, atë për të cilën na ke paralajmëruar, nëse thua të vërtetën!”” - Sille atë dënim - thoshin ata - me të cilin na kërcënon, nëse je i sinqertë dhe i të vërtetë me atë që pretendon. Sa injorantë dhe të humbur ishin ata që ia thanë këto fjalë të shëmtuara atij Profeti të dashur e këshillues?! Nëse vërtet do të synonin gjetjen e rrugës së drejtë, ata do të thoshin: ‘O Nuh! Shumë ke folur, me dashuri e dhembshuri, për të na sqaruar e udhëzuar, por ne ende nuk e kemi të qartë se për çfarë na fton. Prandaj të kërkojmë që të na sqarosh edhe më tepër, që ne të përqafojmë udhëzimin tënd. Gjithsesi, të jemi mirënjohës për sqarimet dhe përkushtimin tënd.’ Nëse do të flisnin me këtë gjuhë, vërtet ato do të konsideroheshin si fjalë të drejta dhe të logjikshme të disa njerëzve që janë ftuar të besojnë një çështje, por ende nuk janë bindur për të. Porse fjalët e tyre tregojnë se ata ishin gënjeshtarë dhe qëllimkëqij. Ata nuk paraqitën asnjë arsye, sado të vogël, për mospranimin e ftesës, e aq më pak të paraqesnin ndonjë argument të pranueshëm. Prandaj, edhe për shkak të injorancës dhe padrejtësisë që i karakterizonte, nxituan të kërkonin përshpejtimin e ndëshkimit. Me këtë kërkesë, a thua po sfidonin Zotin e Lartësuar. Por kësaj sjelljeje kaq të ulët Nuhu (a.s.) iu përgjigj: - Ai tha: “Atë jua sjell vetëm Allahu, po qe se dëshiron, dhe ju nuk do të mund ta pengoni.- Nëse urtësia dhe dëshira e Tij e kërkojnë që ta zbresë ndëshkimin mbi ju, kjo do të ndodhë dhe askush nuk mund ta ndalë atë. Në këtë rast, askush nuk mund t'ju shpëtojë prej Allahut. Ndëshkimi juaj nuk është një çështje që ndodhet në dorën time. Madje asgjë nuk është në dorën time. - “Këshilla ime nuk ka për t'ju bërë dobi, edhe pse dua shumë t’ju këshilloj, nëse Allahu dëshiron t’ju lërë në humbje.” - Kuptojeni mirë se udhëzimi është tërësisht në dorën e Allahut. Nëse Ai, për shkak të refuzimit tuaj të padrejtë të së vërtetës, dëshiron t'ju lërë në humbje, përpjekjet e mia për t'ju këshilluar e qortuar nuk kanë për të sjellë ndonjë dobi. Edhe sikur të përdorja format më të fuqishme të këshillës, - që në fakt ai e bëri, - kjo nuk do t'ju sillte asnjë dobi. Dijeni, o të mjerë, se: - “Ai është Zoti juaj dhe vetëm tek Ai ju do të ktheheni.” - Ai është Krijuesi juaj dhe vepron me ju ashtu si dëshiron, me urtësinë dhe drejtësinë e Tij. Asnjëherë mos e harroni se ju do të ktheheni tek Ai, i Cili do t'ju shpërblejë sipas veprave tuaja. Prandaj nxitoni të pranoni ftesën e Zotit dhe të jetoni sipas saj, para se të jetë shumë vonë!

← Hud 11:32