← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

11. Hud · Ajeti 77 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 11:69–11:83

Melaiket që i erdhën Ibrahimit ishin të drejtuar për ndëshkimin e popullit ku ishte i dërguar Luti, por njëkohësisht i morën myzhde Ibrahimit se do të ketë djalë, Is-hakun. Ibrahimi, i njohur si bujar i pashoq, me të shpejtë u solli mysafirëve një viç të pjekur në hell, duke menduar se ata ishin njerëz, pse kishin formën e djemve të rinj dhe të bukur. Kur vërejti se nuk po zgjasin duart te mishi i pjekur, nuk i erdhi mirë, sepse ai që nuk ta ha bukën nuk ta do të mirën. Mirëpo, engjëjt me të shpejtë e njoftuan se kush ishin edhe për çka kishin ardhur. Gruaja e Ibrahimit, Sareja qeshi kur kuptoi se ata nuk kanë ndonjë qëllim kundër Ibrahimit dhe kur kuptoi se do të ndëshkojnë popullin e Lutit që ishte i njohur si më i shfrenuari. E kur kuptoi se ajo do të lindë djalë, u habit ngase ishin të shtyrë në moshë që të dy, por engjëjt i thanë se ky është caktim i Zotit mëshirues i cili ka bekuar familjen tuaj.

Pasi që Ibrahimit i kaloi frika për vete, filloi t'i dhimbset populli i Lutit, por engjëjt e njoftuan me vendimin e Zotit që është i pathyeshëm dhe shkuan te Luti. Kur i pa djelmosha të bukur, u prek shumë dhe shpirtërisht u ngushtua, ngase e dinte vesin e popullit të tij.Si duket, gruaja e Lutit që ishte jobesitmare e informoi popullin për ardhjen e djelmoshave dhe ata me të shpejt i shkuan dhe kërkuan prej Lutit t'ua dorëzojë. Luti u tha se gratë i krijoi Zoti për bashkëshorte, pra hiquni dhe mos më turpëroni me këta mysafirë. Sipas një mendimi, Luti u ofroi martesën e bijave të veta, ashtu që t'i largojë prej mysafirëve, por derisa ishte pejgamber i atij populli, konsiderohej si babë i atij populli, pra edhe gratë e tjera ishin bija të tij. Luti u prek shumë kur kuptoi këmbënguljen e popullit për çnderimin e djelmoshave dhe në shenjë pikëllimi tha: Të kisha pasur fuqi do t'i shpartalloja. Si duket i vetmi pejgamber i dërguar në një popull të huaj ishte Luti, andaj edhe thotë të kisha pasur kabile të fortë.

Në momentin më kritik të dëshprimit të Lutit, ata djelmosha e njoftuan se ishin melekë, nuk ishin njerëz, ishin Xhibrili, Mikaili dhe Israfili, kishin ardhur ta shkatërrojnë atë popull të prishur, i e Lutit i thanë që me familjen e vet, pos gruas së tij, e cila ishte e dënuar ta vuajë dënimin, pas i gjysmës së natës të largohet prej atij vendi. Luti me familje u largua, e Xhibrili u vuri krahun I përfundi atyre fshatrave, i ngriti lart e pastaj i përmbysi. Thuhet se ai vend tash quhet Deti i Vdekur ose Deti i Lutit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 11:77–11:79

Allahu i Lartësuar tregon për vajtjen e të dërguarve-melekë tek Luti, me misionin për të shkatërruar popullin e tij. Ata shkuan në darkë. Allahu i Lartësuar thotë: - Kur të dërguarit Tanë vajtën te Luti, ai u brengos shumë për ta, e ndjeu veten të pafuqishëm për mbrojtjen e tyre dhe tha: “Kjo është një ditë e vështirë.” - Luti pati frikë se, nëse nuk do t’i merrte dhe bujtte ata si miq, atëherë të tjerë nga populli i tij do t’i ftonin, dhe kështu mund t’u ndodhte diçka e keqe. I brengosur, ai tha: “Kjo është

një ditë e vështirë!” Në fakt, ai nuk e dinte se ata ishin melekë. Ai druhej për ta, prandaj u nis përpara tyre. Gjatë rrugës, Luti filloi t’u hidhte fjalën rrotull e rrotull, për t’i bërë ata që të mendonin largimin nga ai vend. Ai u tha: “Për Zotin, o mysafirë, nuk njoh në faqen e dheut njerëz më të poshtër dhe më të paskrupullt se këta!” Ecte dhe u përsëriste këto fjalë. Gjatë rrugës ua tha deri në katër herë këtë gjë. Katadja shpjegon: “Melekët ishin urdhëruar që të mos e shkatërronin popullin e Lutit, derisa të dëshmonte kundër tyre edhe vetë Profeti. Melekët u paraqitën në formën e dy djemve të rinj shumë të bukur. Askush nuk kishte parë fytyra më të bukura. Kështu, Luti i mori ata në shtëpi, kur askush prej familjes së tij nuk dinte për ata. Ndërkohë, gruaja e tij doli dhe njoftoi popullin për dy vizitorët e bukur dhe të hijshëm. Allahu i Lartësuar tregon: - Pastaj aty vrapuan njerëzit e popullit të tij. - Domethënë, ata vrapuan nga gëzimi i madh për këta dy vizitorë të hijshëm. - Ata kishin kohë që bënin vepra të turpshme. - Ata që më herët bënin vepra të turpshme. Për ta ishte bërë sjellje e zakonshme. Madje, edhe kur u ndëshkuan, ata u ndëshkuan në atë gjendje të turpshme, duke kryer atë poshtërsi të pashembullt. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Atëherë, ai tha: “O populli im! Ja ku janë bijat e mia (gratë tuaja). Ato janë më të pastra për ju (për martesë) . - Kështu, Luti (a.s.) i udhëzoi ata që të kënaqnin dëshirat e tyre me gratë e popullit, duke thënë “Ja ku janë bijat e mia (gratë tuaja)! Ato janë më të pastra për ju (për martesë).” Ai i quajti ato “bijat e mia”, ngase Profeti konsiderohet si prind për burrat dhe gratë e popullit të tij. Në këtë mënyrë, ai i udhëzoi për diçka që ishte më e dobishme për ta në dynja dhe ahiret. Edhe Muxhahidi ka thënë që Luti (a.s.) nuk ofroi vajzat e tij biologjike për martesë, por bëhet fjalë për gratë e atij vendi, sepse profeti është në vend të prindit për umetin e tij. Pra i udhëzoi ata në diçka që është më e mirë dhe e dobishme për ata në dynja dhe në ahiret. Sikurse thotë në një ajet tjetër: “ (Të mjerët ju!) Nga të gjitha krijesat e kësaj bote, ju po shkoni pas meshkujve dhe i lini mënjanë ato, të cilat Zoti juaj i krijoi si bashkëshorte për ju?! Ju jeni, vërtet një popull që kalon çdo kufi (të së keqes) .”” [Shuara 165, 166]. Po kështu është transmetuar se ka thënë nga Katadja dhe të tjerë. Ibn Xheriri shpjegon: “Luti (a.s.) thjesht i udhëzoi që ata të martoheshin me gratë e atij vendi. Ai nuk i ftoi ata në poshtërsi e në gjynah me vajzat e tij.” - Kijeni frikë Allahun e mos më turpëroni me mysafirët e mi! - Pranojeni porosinë time që të kufizoheni dhe mjaftoheni me gratë e këtij populli. - A nuk ka ndër ju një njeri me mend?” - A nuk ka mes jush ndonjë njeri me mend, që të pranojë udhëzimin tim dhe të largohet nga ajo që them unë?! - Ata thanë: “Ti e di mirë se ne nuk kemi asnjë nevojë për bijat e tua (gratë tona). - Ti e di shumë mirë se ne nuk kemi asnjë prirje dhe dëshirë për gratë. Ne nuk ndiejmë kënaqësi me to. - Ti, me siguri, e di shumë mirë se çfarë duam ne!” - Ne synojmë dhe kënaqemi veçse me meshkujt, dhe ti e di shumë mirë diçka të tillë. Atëherë, çfarë ke që na e përsërit shumë herë të njëjtën gjë?!

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 11:77–11:83

- “Kur të dërguarit Tanë vajtën te Luti, ai u brengos shumë për ta, e ndjeu veten të pafuqishëm për mbrojtjen e tyre dhe tha: “Kjo është një ditë e vështirë.”” - Kur melekët që vizituan Ibrahimin (a.s.) shkuan te Luti (a.s.), ai u ndie keq dhe u ngushtua shumë. Ai mendoi se do të ishte një ditë ankthi tejet e vështirë, sepse vizitorët kishin marrë pamjen e djemve të hijshëm. Si të tillë, ata nuk do t’i shpëtonin shikimit të popullit të tij të shfrenuar dhe të dhënë pas meshkujve. Luti ishte shumë i shqetësuar për sigurinë e miqve të tij dhe, vërtet, ndodhi ajo që ia kishte frikën: - “Pastaj aty u turrën njerëzit e popullit të tij.” - Ata filluan të nxitonin se kush e kush të realizonte më parë qëllimet e tyre të poshtra dhe të shfrenuara. - “Ata kishin kohë që bënin vepra të turpshme.” - Ata ishin njerëzit e parë që kryen një poshtërsi të tillë, sepse askush para tyre nuk e kishte bërë këtë. - “Atëherë, ai tha: “O populli im! Ja ku janë bijat e mia (gratë e popullit) . Ato janë më të pastra për ju (për martesë).” - Kuptimi i këtyre fjalëve ishte që: femrat janë më të mira dhe të pastra për ju, sesa këta miqtë e mi. Nuk ishte qëllimi që ai vërtet t’u jepte vajzat e tij, që ata të kënaqnin epshet e tyre me to, sepse sigurisht që kjo ishte e ndaluar. Ky rast i ngjan gjykimit të profetit Sulejman (a.s.) mbi dy gratë, që pretendonin secila përkatësinë e fëmijës që mbeti gjallë pasi nuk e hëngri ujku. Secila prej tyre pretendonte se fëmija që e hëngri ujku ishte i tjetrës. Profeti Sulejman (a.s.) gjykoi që fëmija të ndahej në dysh dhe secilës t’i jepej gjysma. Në këtë çast, nëna e vërtetë - e shtyrë nga mëshira - tha menjëherë se fëmija ishte i gruas tjetër, duke hequr dorë nga e drejta e saj. Atëherë, Sulejmani (a.s.) e zbuloi se cila ishte nëna e vërtetë. Në fakt, ai nuk do ta ndante vërtet fëmijën, por thjesht donte t'i bënte ato të reflektonin drejt në lidhje me çështjen. Po kështu, edhe profeti Lut (a.s.) iu drejtua popullit të tij duke u thënë: Ja ku janë bijat e mia! Ato janë më të pastra se poshtërsitë që kryeni ju. Femrat janë ato që Zoti i krijoi për meshkujt, dhe e tillë është natyrshmëria e pastër. Domethënë, qëllimi i Profetit ishte që t’i frenonte ata njerëz nga fëlliqësia që donin të kryenin. - “Kijeni frikë Allahun e mos më turpëroni me mysafirët e mi!” - Janë dy faktorë shumë të rëndësishëm që duhet t’ju bëjnë të më nderoni dhe të mos më fyeni me miqtë e mi. Vetëm njëri do të ishte mëse i mjaftueshëm që ju të më respektoni. Së pari, frika ndaj Allahut dhe, së dyti, respekti ndaj meje. - “A nuk ka ndër ju një njeri me mend?” - A ka ndonjë njeri me mend, që t'ju këshillojë dhe ndalë nga kjo vepër e shëmtuar, me të cilën jeni përlyer! Kjo tregon se ata ishin zhveshur tërësisht nga burrëria dhe çdo cilësi njerëzore. - “Ata thanë: “Ti e di mirë se ne nuk kemi asnjë nevojë për bijat e tua. Ti, me siguri, e d i shumë mirë se çfarë duam ne!”.” - Ne dëshirojmë veçse meshkujt dhe nuk na tërheqin aspak femrat. Në këto çaste, shqetësimi i Lutit (a.s.) u shtua shumë, prandaj tha: - “Ai tha: “Ah, sikur të kisha fuqi kundër jush ose të kisha një krah të fortë ku të mbështetesha!”.”. Të kisha krah, për shembull, farefis të fortë, që të më mbronte prej jush. Profeti dëshironte të kishte një mbështetje të dallueshme nga shqisat, sepse në realitet ai e dinte se kishte mbështetjen më të fortë, atë të Allahut të Madhërishëm, para fuqisë dhe pushtetit të së Cilit nuk mund të qëndrojë askush. Kështu, kur çështja u vështirësua shumë dhe ngushtimi arriti kulmin, melekët iu drejtuan me fjalët:

- “Ata (të dërguarit) thanë: “O Lut, ne jemi të dërguarit e Zotit tënd dhe ata në asnjë mënyrë nuk kanë për t’u afruar ty.”” - Ata i treguan se cilët ishin, me qëllim që Lutit t’i qetësohej zemra. Ata e siguruan se populli i tij nuk do të mund ta prekte apo ta dëmtonte. Pastaj Xhibrili (a.s.), me një lëvizje të krahut të tij, bëri që atyre t’u ziheshin sytë e të mos i shihnin. Kështu, ata u larguan duke kërcënuar Lutin se do të ktheheshin sërish në agim. Melekët e urdhëruan Lutin që të nisej për udhëtim natën, shumë kohë para agimit, së bashku me familjen e tij: - “Kur të jetë fundi i natës, largohu bashkë me familjen tënde... ” - Largohuni kohë para se të vijë agimi. Ky urdhër u dha në mënyrë që ata të largoheshin sa më tepër nga vendbanimi. Urdhri tjetër ishte: - “...dhe askush pr ej jush të mos vështrojë mbrapa.” - Nxitoni të dilni nga vendbanimi, duke u frikësuar nga ndëshkimi i Zotit, që do godasë ata. Ky të jetë shqetësimi juaj i vetëm, aq sa edhe sytë të mos i ktheni pas për të parë. Më pas i Lartësuari thotë: - “...Por gruaja jote do të mbetet prapa. Atë do ta godasë e njëjta gjë që do të godasë edhe ata.” - Atë do ta përfshijë i njëjti dënim që do të godasë edhe popullin tënd. Ky gjykim ishte i drejtë, sepse edhe ajo kishte pjesën e vet në gjynahun e popullit të prishur. Ishte ajo që u tregoi atyre për dy mysafirët e bukur, që vizituan shtëpinë e Lutit. - “Afati i tyre është mëngjesi. A nuk është afër mëngjesi?” – Me sa duket, Lutit (as.) iu duk larg koha e ndëshkimit të tyre, prandaj deshi që ai të bëhej sa më shpejt. Për këtë arsye, atij iu tha: “A nuk është afër agimi?! - “Kur erdhi caktimi Ynë, Ne e kthyem çdo gjë përmbys dhe lëshuam mbi ta një rrebesh të pandërprerë gurësh balte të forcuar,...” - Kur erdhi koha e zbatimit të urdhrit për ndëshkim, Ne ua kthyem tokën përmbys, duke e hedhur mbi ta dhe, veç kësaj, u goditën furishëm me një shi gurësh të ndezur. Ky rrebesh ishte i vrullshëm e i pandërprerë. Ai ndiqte pas këdo që përpiqej të largohej nga qyteti, duke mos lënë asnjë të shpëtonte i gjallë. - “...Të shenjuar nga Zoti yt. Një dënim i tillë nuk është larg për të padrejtët.” - Çdo gur ishte i drejtuar nga Allahu. Çdo gur kishte misionin të ekzekutonte ndëshkimin dhe zemërimin e Allahut. Një ndëshkim i tillë është kërcënim i hapur për të gjithë ata që kryejnë të njëjtën poshtërsi si populli i Lutit. Le të frikësohen dhe të ruhen njerëzit nga të tilla gjynahe, ose përndryshe edhe ata do t’i godasë pa mëshirë i njëjti ndëshkim!

← Hud 11:77