مُّسَوَّمَةً عِندَ رَبِّكَۖ وَمَا هِيَ مِنَ ٱلظَّٰلِمِينَ بِبَعِيدٖ
(gurë) Të shënuar te Zoti yt. Ai (vend) nuk është larg zullumqarëve (idhujtarëve kurejshitë).*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Melaiket që i erdhën Ibrahimit ishin të drejtuar për ndëshkimin e popullit, ku ishte i dërguar Luti, por njëkohësisht i morën myzhde Ibrahimit, se do të ketë djalë, Is-hakun. Ibrahimi i njohur si bujar i pashoq iu solli me të shpejtë mysafirëve një viç të pjekur në hell, duke menduar se ata ishin njerëz, pse kishin formën e djemve të rinj dhe të bukur. Kur vërejti se nuk po zgjasin duart te mishi i pjekur, nuk i erdhi mirë, sepse ai që nuk ta ha bukën nuk ta do të mirën. Mirëpo engjëjt me të shpejtë e njoftuan, se kush ishin edhe për çka kishin ardhur. Gruaja e Ibrahimit, Sara qeshi kur e kuptoi se ata nuk kanë ndonjë qëllim kundër Ibrahimit dhe kur e kuptoi, se do të ndëshkojnë popullin e Lutit, që ishte i njohur si më i shfrenuari. E kur e kuptoi, se ajo do të lindë djalë, u habit sepse ishin të shtyrë në moshë që të dy, por engjëjt i thanë se ky është caktim i Zotit Mëshirues, i cili e ka bekuar familjen tuaj. Pasi i kaloi frika Ibrahimit për vete, filloi t’i dhimbset populli i Lutit, por engjëjt e njoftuan me vendimin e Zotit, që është i pathyeshëm dhe shkuan te Luti. Kur ai i pa djelmosha të bukur, u prek shumë dhe shpirtërisht u ngushtua, sepse e dinte vesin e popullit të tij. Si duket gruaja e Lutit, që ishte jobesimtare e informoi popullin për ardhjen e djelmoshave dhe ata me të shpejtë shkuan dhe kërkuan prej Lutit t’ua dorëzojë. Luti iu tha se gratë i krijoi Zoti për bashkëshorte, pra hiquni dhe mos më turpëroni me këta mysafirë. Sipas një mendimi, Luti ju ofroi martesën e bijave të veta, në mënyrë që t’i largojë prej mysafirëve, por derisa ishte pejgamber i atij populli, konsiderohej si baba i atij populli, pra edhe gratë e tjera ishin bija të tij. Luti u prek shumë kur kuptoi këmbënguljen e popullit për çnderimin e djelmoshave dhe në shenjë pikëllimi tha: Të kisha pasur fuqi do t’i shpartalloja.- Si duket i vetmi pejgamber i dërguar në një popull të huaj ishte Luti, prandaj edhe thotë të kisha pasur kabile të fortë. Në momentin më kritik të dëshpërimit të Lutit ata djelmosha e njoftuan, se ishin melekë, nuk ishin njerëz, ishin Xhibrili, Mikaili dhe Israfili, kishin ardhur ta shkatërrojnë atë popull të prishur, e Lutit i thanë, që me familjen e vet, pos gruas së tij, e cila ishte e dënuar ta vuajë dënimin, pas gjysmës së natës të largohet prej atij vendi. Luti me familje u largua, e Xhibrili i vuri krahun përfundi atyre fshatrave, i ngriti lart e pastaj i përmbysi. Thuhet se ai vend tashti quhet Deti i Vdekur ose Deti i Lutit.