12. Jusuf · Ajeti 15 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 12:11–12:22
Edhe pse Jakubi u tha bijve të vet se nuk mund të rrijë pa Jusufin dhe se frikësohej nga ujku, ata iu betuan se e duan dhe do të kenë kujdes ashtu që e lejoi të shkojë me ta.
Vëllezërit e hodhën Jusufin në bunar, por prezenca e Zotit ishte aty, ia dërgoi Xhibrilin t'ia qetësojë shpirtin, t'ia largojë frikën e vetmisë dhe ta lajmërojë se do të jetë i shpëtuar prej kësaj fatkeqësie. Ata, për ta fshehur sado kudo turpësinë e tyre, pasi ra muzgu erdhën kinse duke qarë) dhe me këmishë të përgjakur, por Jakubi e kuptoi çështjen dhe iu mbështet Zotit për ndihmë. Një grup tregtarësh kaloi atypari dhe e gjeti Jusufin, por nuk treguan se është i gjetur, po sikurse ishte rob i tyre dhe me të shpejt e shitën, duke u frikësuar se po lajmërohet i zoti i tij. Jusufin e bleu ministri i ekonomisë së egjiptit, e gruas së vet i tha të ketë kujdes për vendosjen, ushqimin dhe veshmbathjen e tij, sepse do të kenë dobi prej tij, ose, meqë nuk kishin fëmijë, ta përvetësojnë për djalë të vetin.
Deri këtu Jusufi përjetoi dy sprovime të mëdha: hedhjen në bunar dhe shitjen si rob, por ndihma e Zotit nuk i mungoi në asnjërin rast.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 12:15
- E kështu, ata e morën atë (Jusufin) dhe e hodhën në një pus. - Allahu i Lartësuar na tregon se vëllezërit e Jusufit, pasi e morën me vete dhe e larguan nga i ati, pas polemikave të shumta që patën me të dhe punës së madhe për ta bindur “...e morën atë (Jusufin) dhe e hodhën në një pus.” Ata kishin rënë dakord të gjithë unanimisht, që ta hidhnin në një pus. Në momentet kur e morën nga i ati, ata po e përkëdhelnin dhe po tregonin kujdes të madh për të, që babait t’i qetësohej zemra dhe të ndihej i sigurt. Madje, duke parë “kujdesin” e tyre, ai u gëzua që djali i dashur po shkonte me vëllezërit e vet. Para se ta dërgonte me ta, Jakubi e pushtoi fort të birin, e puthi dhe u lut për të. Në fakt, me t’u larguar dhe humbur nga sytë e të atit, ata filluan që ta shanin e godisnin. Më pas, e lidhën me litar dhe e lëshuan poshtë në pus. Kur Jusufi i kthehej ndonjërit prej vëllezërve, për t’i folur me butësi, ata e godisnin me pëllëmbë dhe e shanin. Kur ai u përpoq të mbahej në anët e pusit, që të mos binte brenda, ata e goditën në duart e tij. Pastaj ia prenë litarin. Kështu, Jusufi i vogël u rrëzua në ujë, i cili në fillim e mbuloi atë, por ai mundi që të ngrihej mbi ujë, duke qëndruar mbi një gur, i cili ndodhej në pus, dhe ashtu qëndroi mbi të. Allahu i Lartësuar vijon dhe thotë: - Dhe Ne i futëm në zemër (këto fjalë) : “(Një ditë) Ti do t’ua thuash atyre të vërtetën e kësaj që ata po bëjnë tani dhe ata nuk do të të njohin.” - Allahu i Lartësuar na tregon butësinë, përkujdesin e jashtëzakonshëm dhe mëshirën e Tij të madhe për Jusufin. Ai na rrëfen se si e zbriti lehtësimin për Jusufin në ato momente vështirësie dhe frike. Duke ia qetësuar dhe forcuar zemrën, duke dhënë kurajo, Allahu i Madhëruar i shpalli: “(Një ditë) Ti do t’ua thuash atyre të vërtetën e kësaj që ata po bëjnë tani dhe ata nuk do të të njohin.” Pra, mos u dëshpëro për gjendjen në të cilën ndodhesh, sepse pas kësaj ti do të përjetosh gëzim, çlirim dhe mirësi të shumta. Allahu do të të ndihmojë ty dhe do të ngrejë pozitën tënde. Madje, ti do t’u tregosh më pas për gjithçka që kanë bërë me ty. Pastaj i Lartësuari thotë: “...dhe ata nuk do të të njohin.” Domethënë, kur të ndodhë e gjitha kjo që po të premtohet, ata as që kanë për të të njohur ty dhe nuk kanë për ta kuptuar fare se je ti që po përballesh me ta.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 12:15–12:18
- “E kështu, ata e morën atë (Jusufin) dhe e hodhën në një pus. Dhe Ne i futëm në
zemër (këto fjalë) : “(Një ditë) Ti do t’ua thuash atyre të vërtetën e kësaj që ata po bëjnë tani dhe ata nuk do të të njohin.”” - Kështu, pas lejes së dhënë nga babai i tyre, vëllezërit nisën të zbatonin planin për të cilin kishin rënë dakord. Ata e lanë Jusufin në një pus, siç propozoi njëri prej tyre. Megjithatë, Allahu i Lartësuar, që deshi ta mëshironte dhe lartësonte Jusufin mbi vëllezërit e tij, pikërisht në këto momente aq të vështira për të, i shpall Jusufit dhe i thotë: “Ti do t’ua thuash atyre të vërtetën e kësaj që ata po bëjnë tani dhe ata nuk do të të njohin.” Pra, do të vijë dita që ti do t’i qortosh ata për këtë që po të bëjnë tani. Kur të vijë ajo ditë, ata nuk do ta kuptojnë se je ti. Ky qe një përgëzim për Jusufin (a.s) se ai do të shpëtonte dhe asnjë e keqe nuk do t’i ndodhë. Ky ishte një premtim se Allahu i Lartësuar do ta bashkonte Jusufin përsëri me familjen dhe vëllezërit e tij, që po silleshin aq keq me të në në ato çaste. Madje, kur të ribashkoheshin, Jusufi do të ishte ballëlartë e krenar, ndërsa vëllezërit e tij do të ishin të përulur dhe atëherë do ta kuptonin gabimin. Pasi bënë këtë padrejtësi, vëllezërit u kthyen në mbrëmje te babai i tyre. - “Në mbrëmje ata u kthyen te babai i tyre duke qarë.” - Ata u vonuan atë natë më shumë se zakonisht. Madje, u kthyen duke qarë, si provë për pafajësinë në lidhje me Jusufin. Menjëherë filluan të justifikoheshin duke thënë: - “Dhe thanë: “O baba! Ne shkuam të bënim gara, kurse Jusufin e lamë te rrobat tona, e në këtë kohë atë e hëngri ujku.” - Ne po bënim gara me njëri tjetrin, duke vrapuar dhe duke u stërvitur me shigjeta e heshta, dhe e harruam Jusufin tek rrobat ose çadra jonë. Ne e lamë atje që ai të ishte rehat, të luante vetë dhe të kënaqej. Por gjatë kësaj kohe, atë e sulmoi dhe e vrau ujku. - “E dimë që ti nuk do të na besosh, edhe pse po të themi të vërtetën.” - Kuptimi: Ne thjesht po të tregojmë arsyet, edhe pse duket që ti nuk ke për të na besuar. Për shkak të dashurisë dhe dhembshurisë së madhe që ke për Jusufin, nuk do të na besosh. Megjithatë, kjo nuk na pengon ne që të tregojmë arsyet tona. Me këto fjalë, vëllezërit donin që të bindnin babanë e tyre. Madje, për këtë ata sollën një provë të falsifikuar: - “Ata i sollën këmishën e tij (Jusufit) të lyer me gjak të rrejshëm.” - Ata sollën këmishën e Jusufit me një gjak të gënjeshtërt, për ta bërë babain e tyre të mendonte se Jusufin e kishte ngrënë vërtet ujku. Sidoqoftë, babai i tyre nuk pranoi asgjë nga këto: - “Ai (Jakubi) tha: “Jo. Nuk është kështu, por ju keni sajuar diçka mes jush.” – Kuptimi: Ky është thjesht një plan dinak, që nefsi jua ka zbukuruar, me qëllim që të më ndani mua nga djali im. Jakubi (a.s) e kuptoi se ajo që thanë ata nuk ishte e vërtetë, duke u nisur nga argumentet që kishte njohur më parë, mes të cilave edhe ëndrra e Jusufit, që ai do të ishte një ditë njeri i ngritur dhe të gjithë do t’i përuleshin atij. Nuk mund të ishte e vërtetë që djali i tij
kishte vdekur, me gjithë ato shenja dhe atë ëndërr të mrekullueshme, shpjegimi i të cilës ishte i qartë dhe i sigurt. Prandaj Jakubi tha: - “Durimi është gjëja më e mirë për mua.” - Kuptimi: Mësojeni, o bijtë e mi, se detyra ime, - të cilën unë do ta zbatoj me përkushtim, - është që thjesht të jem i duruar. Durimi im do të jetë shembullor në këtë sprovë që po kaloj. Unë nuk kam për t’u zemëruar dhe bërtitur dhe as nuk kam për t’iu ankuar njeriu. Unë thjesht do t’i mbështetem Allahut të Lartësuar dhe aspak në forcat e mia. Dhe, vërtet, Jakubi (a.s) e përmbushi këtë detyrë që ia vendosi vetes: - “Allahut i kërkoj të më ndihmojë në këtë që ju po trilloni.”. - Kur ankesa bëhet tek Allahu i Lartësuar, që është Krijuesi i gjithçkaje, kjo nuk bie ndesh me durimin e mirë dhe të shpërblyeshëm. Sigurisht, kur një profet premton diçka, e mban fjalën.