← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

12. Jusuf · Ajeti 23 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 12:23–12:34

Sprova e tretë për Jusufin ishte tentimi i gruas së ministrit për ta çnderuar. S'ka dyshim, si pejgamber ai ishte i kursyer prej çdo gabimi, e edhe prej tentimit të saj.Se në çfarë mase ishte maturia e Jusufit, nuk ka nevojë për ndonjë interpretim të gojëdhënave, mjafton që Zoti thotë për të se ishte prej të zgjedhurve.

Sigurisht gruan e ministrit e kishin përgojuar gratë e rrethit të shtresës më të lartë të qytetit, andaj edhe përgatitja për tubimin e tyre në ndejë ishte e rangut të lartë, kur thuhet se u përgatiti fotele mbështetëse etj. Gruaja e ministrit u përpoq t'i ikën realitetit derisa edhe gratë e qytetit ranë nën një ndikim sikurse edhe ajo, e atëherë ajo u zbulua haptazi dhe iu kërcënua Jusufit.

Jusufi, si pejgamber shprehi dëshirën për vuajtje në këtë botë dhe nuk lejoi t'u nënshtrohet dëshirave fizike, e si njeri kërkoi ndihmën e Zotit, pse prirjet e epshit janë shumë agresive, Allahu e ndihmoi, e shpëtoi prej mëkatit të turpshëm dhe e bëri shembull të përjetshëm për të gjithë rininë që përpiqet të jetë e ndershme. Për fatbardhësinë e rinisë së tillë kemi hadithin e Pejgamberit kur thotë: "Shtatë kategori i merr Zoti në mbrojtjen e vet, në atë ditë kur nuk ka mbrojtje tjetër pos mbrojtjes së Tij...", e një prej atyre kategorive e numëron: "Personin (të riun), të cilin e thërret një grua e bukur dhe autoritative, e ai thotë: i frikësohem Allahut!" - ashtu sikurse tha Jusufi dhe si thonë përherë ata që janë të ndershëm.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 12:23

- Zonja e shtëpisë ku ndodhej Jusufi nisi ta tundonte, kundër dëshirës së tij. Ajo i mbylli të gjitha dyert dhe i tha: “Eja, jam e gatshme për ty!”. - Allahu i Lartësuar na njofton rreth gruas së ministrit, në shtëpinë e të cilit u rrit dhe edukua Jusufi. Ai e pati porositur të shoqen që të kujdesej mirë për Jusufin dhe të sillej me respekt e nderim për

të. Por ajo e dëshiroi fort Jusufin, prandaj filloi që ta joshte për poshtërsi. Në zemër i kishte hyrë një dashuri e fortë dhe e papërmbajtshme për Jusufin, për shkak të bukurisë e hijeshisë së tij, por edhe për sjelljen e moralin e tij të rrallë. Kështu, ajo u zbukurua e u stolis, i mbylli pas vetes të gjitha portat dhe filloi ta joshte duke i thënë: “Eja, jam e gatshme për ty!” - Por ai tha: “Allahu më ruajtë!” - Domethën, Jusufi e refuzoi këtë paturpësi dhe nxitoi të largohej me forcë prej saj. Ai tha: - Zotëria im (bashkëshorti yt) , me plot bujari, më nderoi e më strehoi. - Fjala “Rabbi” përdoret këtu me kuptimin “Zotëria im”. Kështu, kuptimi është: Burri yt dhe zotëria im është kujdesur në mënyrën më të mirë për mua. Ai më dha strehim e kujdes të veçantë, si për asnjë tjetër, dhe kjo është një bamirësi e madhe e tij. Atëherë, si mundet që unë t’ia shpërblej atij në këtë formë të shëmtuar, kundrejt familjes dhe gjërave të shtrenjta të tij?! - S’ka dyshim se keqbërësit nuk shpëtojnë kurrë.” - Disa ekspertë të leximit të Kur ’anit, e kanë lexuar fjalën që gruaja i drejtoi Jusufit” “Hejte lek”, që do të thotë: “ tehej-je’tu leke ”, pra: “jam e gatshme, jam zbukuruar e përgatitur për ty!” Ky kuptim është përcjellë nga Ibn Abasi, Ebu Abdurahman el Sulemi, Ebu Uaili, Ikrima, Katadja etj. Ndërsa disa të tjerë kanë thënë se kuptimi i fjalës “ Hejte lek ” është “teâlâ uekterib”, pra: “Eja, afrohu tek unë!” Të dyja kuptimet janë të përafërta e japin të njëjtin mesazh, por, gjithsesi, Allahu e di më mirë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 12:23–12:29

Nuk ka dyshim se kjo sprovë ishte shumë herë më e rëndë për Jusufin, sesa ajo që pësoi nga vëllezërit e tij. Durimi i nevojshëm për të dalë faqebardhë nga kjo sprovë duhej të ishte shumë më i madh, sepse aty ishin të gjitha mundësitë që të bëhej gjynahu. Kjo sprovë kërkonte që t’i jepej përparësi dashurisë për Allahun e Lartësuar mbi dëshirën e fortë të epshit. Ndërsa në sprovën që i shkaktuan vëllezërit e tij durimi ishte i paevitueshëm, sepse nuk kishte ç’të bënte tjetër. Ai i ngjante rastit të sëmundjeve apo fatkeqësive, në të cilat njeriu nuk ka rrugëzgjidhje tjetër, veçse të bëjë durim. Të paktë janë ata që bëjnë durim me bindje dhe përkushtim ndaj Allahut dhe duke llogaritur shpërblimin e Tij. Profeti Jusuf (a.s) kaloi një kohë të gjatë në shtëpinë e këtij Ministri. Ai ishte i nderuar në familjen e tij. Por Jusufi dallohej për një bukuri të rrallë dhe përsosmëri fizike, gjë që shkaktoi të gjithë atë ngjarje. Thotë Allahu i Lartësuar: - “Zonja e shtëpisë ku ndodhej Jusufi nisi ta tundonte, kundër dëshirës së tij.” - Jusufi ishte shërbëtori i saj dhe nën urdhrat e saj. Ata jetonin në të njëjtën banesë, prandaj ishte e mundur që turpi të bëhej mjaft thjeshtë, pa u dalluar dhe pa u hetuar nga askush. Përveç kësaj, sprova u bë edhe më e rëndë kur gruaja mbylli dyert e dhomës. Kështu ata ishin të sigurt se askush nuk do t’i shqetësonte: - “Ajo i mbylli të gjitha dyert dhe i tha: “Eja, jam e gatshme për ty!”. - Me fjalë joshëse, ajo i tha: “Eja tek unë dhe të bëjmë atë gjë që është e ndaluar nga Allahu i Lartësuar.” Jusufi u gjend përballë kësaj situate, ndërkohë që ishin të shumta shkaqet që mund ta bënin të dorëzohej. Mendohu pak! Ai ishte një i huaj në atë shtëpi, domethënë, nuk ishte mes familjes së tij, që të ishte më i kujdesshëm. Ai ishte larg atdheut dhe larg njerëzve që e njihnin. Ai ishte thjesht një shërbëtor nën urdhrat e asaj zonje, që ishte e pushtetshme, por edhe e bukur. Akoma më të vështirë këtë sprovë e bën fakti se Jusufi ishte atëherë ende i pamartuar. Aq më tepër që gruaja e Ministrit e kërcënoi që, nëse nuk do t’i bindej, atëherë do ta fuste në burg ose do ta ndëshkonte ashpër. Pavarësisht nga të gjitha këto, Jusufi (a.s) duroi përballë kësaj ftese për poshtërsi dhe mosbindje ndaj Allahut të

Lartësuar, megjithëse të gjitha forcat dhe rrethanat e nxisnin për të kundërtën. Ai u distancua prej saj për hir të Allahut të Lartësuar, sepse i dha përparësi asaj çfarë kërkonte Allahu i Lartësuar kundrejt çfarë kërkonte nefsi i tij, i cili sigurisht që urdhëron për të këqija. Përmes diturisë dhe besimit, Jusufi arriti të shihte argumentet e Allahut të Lartësuar, me dritën që i kishte dhënë përsëri Allahu i Lartësuar. Kjo e bëri atë që të largohej nga harami, të vetëpërmbahej dhe të ishte i kujdesshëm. - “Por ai tha: “Allahu më ruajtë! Zotëria im (bashkëshorti yt) , me plot bujari, më nderoi e më strehoi. S’ka dyshim se keqbërësit nuk shpëtojnë kurrë.”.” - I kërkoj Allahut të Lartësuar që të më ruajë dhe të mos e bëj këtë vepër të shëmtuar! Kjo vepër shkakton zemërimin e Allahut të Lartësuar dhe largimin tim prej Tij. Gjithashtu, kjo konsiderohet tradhti dhe pabesi edhe ndaj zotërisë tim, i cili më ka respektuar gjatë gjithë këtyre viteve. Si mund t’ia “shpërblej” atij me këtë poshtërsi?! Kjo është padrejtësi e madhe, që sjell fatkeqësi. Kush bën të tilla padrejtësi, kurrë nuk ka për të fituar dhe kurrë nuk ka për të shpëtuar. - “Ajo e dëshiroi fort atë, aq sa edhe ai do ta kishte lakmuar atë, sikur të mos shihte provën e Zotit të vet. Kështu, Ne vendosëm që të largonim prej tij të keqen dhe poshtërsinë. Vërtet, ai ishte nga robërit Tanë të sinqertë.” - Ajo që e ndaloi Jusufin të binte në këtë poshtërsi ishte devotshmëria ndaj Allahut të Lartësuar. Ai e respektonte madhështinë e Allahut të Lartësuar dhe i frikësohej Atij. Së dyti, Jusufi dinte të respektonte njerëzit, dhe sidomos ata që e kishin trajtuar mirë. Ai u kujdes që të mos shkelte nderin e zotërisë së tij, i cili e kishte mbajtur mirë për një kohë aq të gjatë. Devotshmëria kërkonte që Jusufi të ruhej nga padrejtësia, sepse i padrejti kurrë nuk shpëton. Diçka tjetër që e shpëtoi Jusufin nga gjynahu ishte drita e imanit, që Allahu i Lartësuar kishte vendosur në zemrën e tij. Kjo dritë e detyron njeriun të zbatojë urdhëresat e Allahut të Lartësuar dhe t’u largohet ndalesave të Tij. Megjithatë, ajo që i përmbledh të gjitha ato më sipër ishte mëshira dhe butësia e Allahut të Lartësuar me robin e Tij, duke ia larguar të këqijat dhe çdo shkak që të shtyn në poshtërsi. Kështu vepron Allahu i Lartësuar me ata që janë të sinqertë në adhurimin ndaj Tij. E si të veprojë ndryshe, kur Allahu i Lartësuar i zgjedh ata mbi të tjerët për të qenë të devotshëm?! Ai i përzgjedh, i kompleton me cilësi të larta dhe largon prej tyre çdo gjë që i njollos. Kjo është mëshira dhe bujaria e Allahut të Lartësuar me robërit të cilët i nënshtrohen dhe tregohen të sinqertë ndaj Tij. Pa dyshim që ata janë më të zgjedhurit dhe më të dalluarit mes krijesave. - “Që të dy vrapuan drejt derës dhe, në këtë kohë, ajo i grisi këmishën nga mbrapa.”” - Jusufi (a.s) e refuzoi fort kërkesën e zonjës për të bërë atë turp të madh dhe bëri të ikte, për të shpëtuar prej saj. Ai nxitoi drejt derës, por edhe ajo vrapoi dhe arriti që ta kapte për rrobash. Aq fort e kapi, saqë i grisi edhe këmishën. Pikërisht në këtë moment, kur të dy arritën tek dera, aty u shfaq bashkëshorti i saj. Një skenë e tillë sigurisht që ishte shumë e rëndë për sytë e Ministrit, prandaj dhe gruaja nxitoi të jepte justifikimet. Kështu, ajo menjëherë akuzoi Jusufin për agresion: - “Tek dera, ata hasën zotërinë (burrin) e saj. Ajo tha: “Çfarë ndëshkimi meriton ai që tentoi të bënte keq në familjen tënde, përveçse burgosjes ose diçkaje tjetër më të dhembshme?”” - Siç shihet, ajo nuk tha: “Çfarë ndëshkimi meriton ai që i bën keq familjes tënde”, por tha: “Çfarë ndëshkimi meriton ai që tentoi të bënte keq në familjen tënde”. Në këtë mënyrë, ajo deshte së pari të justifikonte veten e saj, por, në njëfarë mënyre, të tregonte se ai nuk kishte arritur t’i bënte gjë, por gjithçka mbeti thjesht në tentativë. Dhe menjëherë më pas, ajo foli për ndëshkim: “...përveçse burgosjes ose diçkaje tjetër më të dhembshme?” Por Jusufi (a.s) mbrojti

vetveten dhe e hodhi poshtë këtë akuzë të padrejtë kundër tij, duke thënë: - “Ai (Jusufi) tha: “Qe ajo që kërkoi të më tundonte mua, kundër dëshirës sime .”” - Atëherë, në këtë gjendje njëri nga ata ose thoshte të vërtetën, ose mashtronte. Por askush nuk e dinte se cili ishte i vërteti dhe cili mashtruesi, prandaj Allahu i Lartësuar bëri që e vërteta të ketë shenja dalluese të saj. Shpesh, njerëzit mund të arrijnë që t’i shohin e kuptojnë këto shenja, por ka raste që ata nuk mund t’i zbulojnë ato. Megjithatë, në këtë rast, Allahu i Lartësuar bëri të mundur që e vërteta të dilte në shesh përmes fakteve e provave, sepse Ai e donte të pastër figurën e profetit dhe të zgjedhurit të Tij, Jusufit (a.s). Kështu, Allahu i Lartësuar bëri të mundshme që të vinte dikush nga familja e gruas, që të gjykonte përmes fakteve, se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë. Ai tha: - “Një dëshmitar nga familja e saj gjykoi: “Nëse këmisha e tij është grisur përpara, ajo ka thënë të vërtetën, kurse ai gënjen.”” - Nëse këmisha është grisur nga përpara, ai është mashtrues, sepse kjo tregon se është ai që e ka sulmuar, ndërsa ajo ia ka grisur këmishën, duke u përpjekur që të çlirohej prej tij. Por, në rastin tjetër. - “E nëse këmisha e tij është grisur prapa, atëherë gënjen ajo, kurse ai thotë të vërtetën”.”. - Nëse këmisha është grisur nga prapa, atëherë ka qenë ajo që ka kërkuar ta kapë nga pas dhe e ka tërhequr me forcë këmishën e tij. Kjo dëshmi u dha pa u parë ende se nga çfarë ane ishte grisur këmisha, nga para apo nga pas. - “Por, kur ai (burri i saj) e pa këmishën që ishte grisur nga prapa, tha: “Kjo është një nga dredhitë tuaja (të femrave) .”” - Tani e kuptuan që Jusufi ishte i sinqertë dhe i pastër nga akuza. Atëherë bashkëshorti i drejtohet gruas së vet dhe i thotë: - “Me të vërtetë, dredhitë tuaja janë të mëdha.” - E ku ka intrigë më të madhe sesa ajo e kësaj gruaje, e cila dëshironte vetë atë që dëshironte, dhe pastaj akuzoi një njeri të pastër të dëlirë për një krim që kurrë nuk e kishte synuar? Pastaj bashkëshorti i saj iu drejtua Jusufit dhe i tha: - “Jusuf, qëndro larg kësaj!” - Domethënë, harroje këtë çështje dhe mos ia trego askujt. Në këtë mënyrë, ai dëshironte që ta fshihte këtë ngjarje që ndodhi brenda shtëpisë së tij. Pastaj iu drejtua të shoqes: - Kurse ti tjetra kërko falje për gjynahun tënd, se, vërtet ti je fajtorja!” - Kështu, ai urdhëroi Jusufin që ta harronte këtë çështje dhe të mos fliste me njeri, dhe pasataj urdhëroi të shoqen të kërkonte falje dhe të pendohej për këtë gabim. Ky ishte vendimi i çasteve të para pas ngjarjes.

← Jusuf 12:23