12. Jusuf · Ajeti 57

سورة يوسف
Përkthimi Sherif Ahmeti
57

وَلَأَجۡرُ ٱلۡأٓخِرَةِ خَيۡرٞ لِّلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَكَانُواْ يَتَّقُونَ

Po shpërblimi i botës tjetër, gjithsesi është shumë më i mirë për ata që besuan dhe ata që u frikësuan dhe u ruajtën.*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Mbreti që si duket quhej: Rejan bin Velid, e sheh ëndrrën dhe kërkon prej dijetarëve t’ia intepretojnë domethënien e saj, e derisa nuk qenë në gjendje t’ia shpjegojnë, ia zhvlerësuan edhe ëndrrën. Në atë kohë, e pas sa vitesh shërbëtori i mbretit, që kishte qenë me Jusufin në burg dhe ishte liruar, i përkujtohet Jusufi dhe porosia që i pat thënë: Më përkujto...,- i tha mbretit dhe parisë, nëse më lejoni të shkoj te një njeri, ai do të dijë ta shpjegojë. Burgu paska qenë jashtë qytetit, prandaj shërbëtori thotë: Më dërgoni... Shkon te Jusufi dhe ai ia shpjegon sinjalizimin e ëndërrës. Mirëpo, Jusufi i thotë atij të deleguarit të mbretit, që të kthehet dhe të shkojë te mbreti e ta pyesë: “A e di ai punën e atyre grave, a e di përse Jusufi qëndroi në burg pa gabim, a e di se gratë ishin shkaktare për burgosjen e tij? Jusufi nuk pranon të dalë nga burgu para se të pastrohej. Mbreti i tubon gratë, të cilat kishin qenë në ndejë te gruaja e ministrit Kitfir-azizit, te Zylejhaja dhe ndriçoi çështjen e Jusufit, derisa ato u deklaruan se Jusufi ishte i pafaj, e në fund edhe Zylejhaja e pranoi, se Jusufi ishte i ndershëm. “Nuk e çfajsoj epshin...”, nëse këtë e ka thënë Jusufi, ka pasur si qëllim të mos krenohet me veten, edhe pse ishte i pastër, e nëse e ka thënë Zylejhaja, atëherë ka thënë realitetin. Pasi vërteton drejtësinë dhe maturinë e Jusufit mbreti e afron pranë vetes dhe i jep pozitë të madhe, duke e caktuar përgjegjës të depove të mbretërisë. Kjo ishte mëshirë e të madhit Allah, që ia dhuron atij që do, e dhurata më e madhe e Tij është ndihma ndaj njeriut që ai ta besojë, t’i respektojë urdhrat e Tij, e më në fund ta përjetojë shpërblimin e madh në jetën tjetër.