← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

12. Jusuf · Ajeti 58 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 12:58–12:68

Thuhet se vendin e Jakubit e kishte kapur një thatësi e madhe e skamje, andaj ata shkojnë në Egjipt për të blerë ushqim. Jusufi i njeh ata por nuk u prezentohet e ata nuk e njihnin, sepse sipas një varianti kishin kaluar njëzet e dy vjet prej atij çasti kur e kishin hedhur në bunar e deri atë ditë. Jusufi i pyeti se prej nga ishin, kush ishin, mos ishin vëzhgues etj. Ata i thanë se ishin prej vendit Ken'an-Palestinë, ishin bijt e Pejgamberit Jakub, kishin qenë dymbëdhjetë vëllezër, por një u kishte humbur në fushë, të cilin e kishin dashun më së shumti, e një vëlla i tij edhe prej nëne kishte mbetur te babai që t'ia lehtësojë dhembjet babait për djalin e humbur. Ne dhjetë kemi ardhur për ushqim. Jusufi i priti mirë, iu dha drith për krye të çdonjërit, por i porositi t'ia sjellin edhe atë vëllain e vogël që t'u japë drith edhe për krye të tij. Pa ditur ata, ua ktheu mallin që kishin sjellë për kompensim me drith, e me qëllim që të kthehen përsëri, sepse Jakubi nuk do të hante drithin që nuk ishte paguar, e do t'ia sillnin edhe vëllain. Sikur të mos ishte urdhëri i Zotit që Jusufi të veprojë ashtu, mendja nuk do ta pranonte një sjellje të tillë të tij, pse Jusufi nuk e lajmëroi ende babain e pikëlluar për veten?!

I Pasi u betuan në Allahun se nuk do t'i bëjnë ndonjë dredhi, Jakubi ua dha djalin më të vogël, por ju tha mos hyni të gjithë për një derë, sepse mund t'ju shohë ndonjë qëllimkeq. Megjithatë, Jakubi e dinte se nuk mund t'u ndodhte asnjë send pa caktimin e Zotit, por i këshilloi djemt e vet dhe ashtu ata shkuan sërish në Egjipt për të marrë drith.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 12:58–12:62

Interpretimi i ëndrrës së mbretit nga Jusufi, u bë realitet ashtu siç shpjegoi ai. Kështu, pas atyre shtatë viteve të begatshme, erdhën vitet e thatësirës e skamjes. Gjatë kësaj kohe, Jusufi ishte në krye të administrimit të depove në Egjipt. Ai kujdesej për magazinimin dhe ruajtjen e prodhimeve në kallinj. Ai e kryente këtë detyrë në mënyrën më korrekte. Kështu, ata do të ishin në gjendje që të përballonin krizën e viteve në vijim. Për këtë arsye, njerëzit vërshuan nga të gjitha viset e largëta drejt Egjiptit, që të kërkonin furnizim për familjet e tyre. Mes atyre që erdhën në Egjipt për furnizim ishin edhe vëllezërit e Jusufit, me urdhër të atit të tyre, kur morën vesh se ministri jepte furnizim me çmimin përkatës. - Vëllezërit e Jusufit erdhën dhe u futën tek ai. Ai i njohu, ndërsa ata nuk e njohën. - Jusufi ishte në krye të kësaj detyre, por vëllezërve as që u shkonte ndërmend se ai drejtues i rëndësishëm, me famë dhe i nderuar, me të cilin po përballeshin, ishte pikërisht vëllai i tyre. Ndërsa ai i njohu mirë ata. Megjithatë, ai u foli si një i panjohur, që nuk dinte asgjë rreth tyre. Ai i pyeti: “Për çfarë keni ardhur në këto vise?” Ata iu përgjigjën se kishin ardhur për të marrë drithë e ushqim. Pastaj u tha: “Mos, vallë, keni ardhur si spiunë e me qëllime të këqija?” - “Zoti na ruajtë, - thanë ata, - nga të tilla qëllime të këqija!” Jusufi i pyeti sërish: “Nga jeni ju?” - “Ne jemi nga Kenani, ndërsa ati ynë është profeti Jakub.” - “A ka ai fëmijë të tjerë veç jush?” - “Ne ishim 12 fëmijë, - thanë ata, - por më i vogli ndër ne u largua një ditë dhe vdiq në pyll. Ai ishte fëmija më i dashur për babain tonë. Ai, madje, kishte edhe një vëlla nga nëna, të cilin ati ynë e mbajti e nuk e dërgoi me ne, për të patur si ngushëllim e për të zbutur dhimbjen e vazhdueshme për humbjen e djalit të vogël.” Pas kësaj, Jusufi urdhëroi që miqtë e largët të priteshin me nderime. - Pasi i furnizoi me të gjithë mallrat e nevojshëm, u tha: “Më sillni këtu edhe vëllanë tuaj nga babai. - Pasi ua mbushi kafshët me mallra e ushqime, ai u tha: “Më sillni këtu edhe vëllanë tuaj nga babai, që ta di se më keni thënë të vërtetën.” Pastaj u tha: - A nuk e shikoni se unë jua jap ngarkesën të plotë dhe ju pres mirë?” - Me këto fjalë, ai donte që ata të ndiheshin mirë dhe pastaj të ktheheshin përsëri. Përveç kësaj, ai edhe i kërcënoi, duke u thënë: - Nëse nuk ma sillni atë, nuk keni për të marrë drithë tek unë e as mos u afroni këtej!” - Nuk keni për të marrë prej meje aspak drithë e ushqime. - Ata thanë: “Ne do të përpiqemi ta bindim babanë e tij për ta marrë. Sido që të jetë, ne do ta bëjmë këtë.” - Ne do të përpiqemi maksimalisht për ta sjellë atë këtu, e kështu të bindesh se të kemi thënë të vërtetën. - Ai u tha shërbëtorëve të tij: “Vendoseni mallin (që e sollën si pagesë) së bashku me ngarkesën e tyre, që, kur të kthehen te familja e tyre, ta gjejnë aty. - Domethënë, edhe ato mallra që ata i sollën për të paguar drithin e ushqimet, kthejuani

në ngarkesën e tyre. Por bëjeni këtë pa e kuptuar ata. - Ndoshta kështu do të kthehen sërish te ne”. - Jusufi druhej se ata nuk do të kishin mallra të tjerë për të blerë përsëri drithë, prandaj ua ktheu, që të mund të ktheheshin sërish.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 12:58–12:68

Jusufi (a.s) i administroi në mënyrën më të mirë depot dhe prodhimet bujqësore. Gjatë kohës së begatisë dhe shirave të bollshëm, i mbolli gjerësisht tokat e Egjiptit. Për magazinimin e prodhimit ai ndërtoi depo të mëdha, të papara ndonjëherë. Kështu, Jusufi krijoi mundësinë e ruajtjes të një mase sa më të madhe pasurie dhe ushqimesh. Pasi mbaruan vitet e begatisë, erdhën vitet e thatësirës dhe të krizës së madhe. Varfëria u përhap në të gjitha vendet rreth e rrotull, deri edhe në Palestinë, ku jetonin prindërit dhe vëllezërit e Jusufit. Në të tilla kushte, babai i tij, Jakubi (a.s), dërgoi bijtë e tij që të merrnin furnizime drithi nga Egjipti. Më tej, Allahu i Lartësuar tregon: - “Vëllezërit e Jusufit erdhën dhe u futën tek ai. Ai i njohu, ndërsa ata nuk e njohën. Pasi i furnizoi me të gjithë mallrat e nevojshëm, u tha: “Më sillni këtu edhe vëllanë tuaj nga babai!” - Jusufi u peshoi dhe u bëri gati sasinë e drithit, ashtu sikurse vepronte me të tjerët. Si administrator i mençur që ishte, Jusufi nuk jepte më shumë sesa një masë deveje. Natyrisht, ai i pyeti vëllezërit e tij (pa rënë në sy) për gjendjen e tyre, dhe ata i treguan se kishin edhe një vëlla tjetër nga ana e babait, pra, i treguan për Beniaminin. Allahu i Lartësuar na tregon se Jusufi u kërkoi atyre që t’ia sillnin Beniaminin, duke u thënë: “Sillni këtu edhe vëllain tuaj nga babai!” Pastaj i nxiti më tej: - “A nuk e shikoni se unë jua jap ngarkesën të plotë dhe ju pres mirë?” - Kuptimi: Unë nuk kursehem në mikpritje dhe bujari për ata që vijnë dhe kërkojnë furnizime. Pastaj i kërcënoi se nuk do t’u jepte furnizim nëse nuk do t’ia sillnin vëllain e tyre: - “Nëse nuk ma sillni atë, nuk keni për të marrë drith tek unë e as mos u afroni këtej!” - Duke e ditur se ata kishin shumë nevojë për furnizime, pa dyshim që do të

përpiqeshin ta sillnin edhe vëllain e tyre, Beniaminin. - “Ata thanë: “Ne do të përpiqemi ta bindim babanë e tij për ta marrë.” - Kjo tregon se Jakubi (a.s) e kishte shumë merak edhe Beniaminin. Aq shumë e donte, saqë nuk duronte asnjë çast që ta kishte larg syve së tij. Në të vërtetë, Jakubi (a.s) ngushëllohej me praninë e Beniaminit pas humbjes së Jusufit. Prandaj dhe bijtë e tjerë të tij thanë se do të përpiqeshin shumë për ta marrë Beniaminin me vete. Pastaj thanë: - “Sido që të jetë, ne do ta bëjmë këtë.” - Ne do ta bëjmë atë që ti na kërkon. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Ai u tha shërbëtorëve të tij: “Vendoseni mallin (që e sollën si pagesë ) së bashku me ngarkesën e tyre, që, kur të kthehen te familja e tyre, ta gjejnë aty!” . - Jusufi u drejtohet djemve që ishin në shërbimin e tij dhe i urdhëron që, përveç ngarkesës me ushqime që do t’u jepej vëllezërve të tij, të vendosnin edhe mallin që ata e kishin sjellë për këmbim dhe si pagesë. - “Ndoshta kështu do të kthehen sërish te ne.”. - Kur ata ta shohin, do të zihen ngushtë dhe do të kthehen përsëri për të kthyer mallin, që e kishin lënë si çmim. Në fakt, nga kjo kuptohet se Jusufi dëshironte t’i bindte ata më shumë për bujarinë dhe zemërgjerësinë e tij, duke i bërë të kuptonin se jo vetëm që u jepte furnizim të bollshëm, por ua kthente mbrapsht edhe mallin që kishin sjellë si çmim. E gjitha kjo, thjesht për t’u bërë bamirësi. Kështu, pasi të merrnin këtë mesazh bamirësie, sigurisht që do të ishin më të angazhuar që ta plotësonin kërkesën e Jusufit. - “Kur shkuan tek i ati, i thanë “O baba! Nuk na japin më drith...” - Nuk do të na japin furnizime nëse ti nuk e dërgon së bashku me ne vëllain tonë. - “...Prandaj, na e jep me vete vëllanë tonë, që të mund të marrim drith! ” - Dërgoje së bashku me ne vëllain tonë, në mënyrë që të marrim përsëri prodhime dhe bereqet. Pastaj, duke dashur që ta qetësonin babain për sigurinë e vëllait të tyre, thanë: - “Të sigurojmë se do ta ruajmë atë.” - Ne do ta ruajmë atë që mos t’i ndodhë asnjë e keqe. Jakubi (a.s) u thotë: - “Ai tha: “A t’jua besoj juve, sikurse bëra më parë me vëllanë e tij?!” - Kështu u betuat edhe për Jusufin, kur thatë se do ta ruanit mirë, por nuk e mbajtët premtimin. Për këtë arsye, unë nuk kam besim në fjalën tuaj se do ta ruani djalin e vogël. Besimi im është vetëm tek Allahu i Lartësuar dhe vetëm tek Ai mbështetem dhe kërkoj ndihmë: - “Allahu është mbrojtësi më i mirë dhe Ai është më Mëshiruesi i mëshiruesve.” - Allahu e di shumë mirë gjendjen time dhe shpresoj që Ai të më mëshirojë, të më ruajë dhe të m’i kthejë të dashurit e mi. Me këto fjalë, duket se Jakubit në këto momente iu zbut zemra dhe filloi të mendonte për ta dërguar djalin me ta. - “Kur (vëllezërit e Jusufit) hapën ngarkesën, gjetën aty mallin e tyre (për pagesë), që u ishte kthyer,...” - Pas kësaj bisede, ata hapën barrët e ngarkuara në kafshët e tyre dhe atje panë se edhe malli që ata kishin dhënë në këmbim të këtij bereqeti ishte aty, së bashku me prodhimet e blera. Atëherë thanë: “O baba! Ç’duam më tepër? Çfarë të presim më dhe çfarë kërkojmë më shumë pas kësaj bujarie të madhe?! Jo vetëm që na e dha masën e ngarkesave të plotë, por na ka kthyer edhe mallin tonë të këmbimit: - “...dhe thanë: “O baba! Ç’duam më tepër?! Ky është malli ynë (për pagesë) . Na qenka kthyer! " - Ai na e ka kthyer çmimin në formën më bujare. Kjo do të thotë se ai është njeri me moral të lartë. Ky episod tregon se ata ishin të vetëdijshëm për faktin se Jusufi - të cilin ata nuk e njohën, - ua kishte kthyer me qëllim çmimin e bereqetit. Ata e kuptuan se ai kishte dashur t’u bënte mirë dhe t’i ndihmonte. Prandaj iu drejtuan edhe një herë babait të tyre, duke e nxitur që ta dërgonte së bashku me ta vëllain e vogël, Beniaminin.

- “Ne do të kemi më shumë drithë për familjen tonë;...” - Nëse shkojmë së bashku me vëllain tonë, atëherë do të marrim edhe një ngarkesë tjetër. Kështu do të furnizojmë familjen tonë me bereqet, për të cilin kemi nevojë aq shumë në këtë kohë krize. - “...ne do të kujdesemi për vëllanë tonë dhe do të kemi edhe një ngarkesë deveje më shumë.” - Duke ardhur edhe vëllai, ne do të shtojmë dhe një barrë deveje me ushqime, ashtu siç ka caktuar Ministri. Ne premtojmë se do ta ruajmë vëllain nga çdo e keqe. - “Kjo është veçse një sasi e vogël” - Kjo barrë shtesë është e thjeshtë për sundimtarin. Gjithashtu, udhëtimi ynë nuk do të jetë shumë i gjatë, ndërkohë që dobia është kaq e madhe. Atëherë, Jakubi u tha: - “Ai (Jakubi) tha: “Nuk kam për ta dërguar atë me ju, derisa të më betoheni në Allahun, se do të ma ktheni pas, përveç nëse ju diktojnë rrethanat e vërtet nuk mundeni.” - Kuptimi: Betohuni në Allahun e Lartësuar se do të ma ktheni pas, përveç nëse ju diktojnë rrethanat e nuk mundeni, pra, vetëm nëse përballeni me diçka që nuk keni se çfarë t’i bëni. - “Kur ata u betuan me betime të forta, ai tha: “Allahu është Dëshmitar (dhe Ruajtës) për gjithçka që thamë.” - Pasi ata i dhanë fjalën për atë që ai u kërkoi, Jakubi tha: “Allahu është garantues për këtë që thamë”. Së bashku me Jakubin, edhe ata u betuan duke dëshmuar me bindje se Allahu i Lartësuar është mbikëqyrësi i asaj që thanë. Mjaftonte Ai si dëshmitari i tyre dhe mjaftonte që Ai t’i mbronte dhe t’i mbështeste gjatë udhëtimit. - “Ai tha: “O bijtë e mi! Mos hyni atje nga e njëjta portë, por nga porta të ndryshme!” - Pasi e lejoi djalin të shkonte me ta, Jakubi i porositi që, kur të mbërrinin në Egjipt, të mos hynin nga një portë të gjithë së bashku, por nga porta të ndryshme. Me sa dukej, ai i druhej syrit të keq dhe smirës dhe ziliqarëve, kur të shikonin ata djem të fuqishëm, vëllezër të një babai të vetëm, me një pamje të hijshme. Prandaj, për të qenë më i qetë, u tha që të ruheshin. Por, sigurisht, kjo ishte thjesht një këshillë, që Jakubi e tha për të qetësuar zemrën e tij, sepse siç tha edhe vetë më pas: - “Por (me këshillën time) , unë nuk mund të shmang prej jush asgjë prej caktimit të Allahut.” - Pa dyshim, që caktimi i Zotit do të realizohet patjetër. Prandaj dhe Allahu i Lartësuar thotë më pas: - “I gjithë pushteti i përket vetëm Allahut.” - Vetëm Allahu është Ai që përcakton dhe vendos. Vendimet e Zotit realizohen në mënyrë të padiskutueshme. - “Unë vetëm Atij i mbështetem dhe vetëm Atij le t’i mbështeten besimtarët.” - Unë i mbështetem vetëm Allahut të Lartësuar dhe vetëm ndihmën e Tij kërkoj. Edhe kjo porosi që po ju jap është thjesht një masë njerëzore, por unë përsëri i mbështetem veçse Allahut të Madhëruar. Me mbështetje të plotë tek Allahu i Lartësuar dhe duke shpresuar bindshëm se Ai do ta plotësojë lutjen, arrihet çdo synim. - “Ata hynë atje ashtu siç i pati porositur i ati. Por, kjo nuk ishte diçka që do të mund t’i ndihmonte nga caktimi i Allahut. Ajo ishte veçse një dëshirë e Jakubit në veten e tij, të cilën e tha.” - Vëllezërit e zbatuan porosinë e të atit, por, pa dyshim, ky veprim nuk do t’u sillte ndonjë gjë jashtë kaderit të Zotit të Lartësuar. Ajo ishte një dëshirë e Jakubit (a.s), i cili vërtet ishte i dhembshur me fëmijët e tij. Kështu atij do t’i qetësohej disi zemra prej ndonjë rreziku të mundshëm. Sigurisht, kjo porosi nuk vinte nga ndonjë mangësi në diturinë e Jakubit (a.s), sepse ai ishte profet i nderuar, shumë i ditur dhe i mençur, siç thotë Allahu i Lartësuar: - “Ai i dinte mirë ato që Ne i kishim mësuar,...” - Jakubi zotëronte dituri të madhe, që Ne - thotë Allahu i Lartësuar - ia kishim mësuar, pa forcën apo aftësitë e tij për ta arritur. Ajo i erdhi vetëm si dhuratë, mirësi dhe bujari nga Allahu i Lartësuar. - “...ndërsa shumica e njerëzve nuk i dinë.” - Shumica e njerëzve nuk e dinë

përfundimin e çështjeve dhe hollësitë e tyre. Po kështu ndodh edhe me shumë dijetarë. Ndonjëherë atyre u mungon dija e plotë rreth ligjeve dhe dispozitave të Zotit të Lartësuar. Shpesh, padituria e njerëzve është shumë e madhe. Madje, ajo çfarë njerëzit nuk e dinë është shumë herë më e madhe sesa ajo që ata e dinë dhe që Allahu i Lartësuar ua ka mundësuar ta mësojnë.

← Jusuf 12:58