← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

12. Jusuf · Ajeti 93 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 12:87–12:95

Jakubi u tha djemve të shkojnë sërish në Egjipt dhe të hulumtojnë edhe për Jusufin. Puna e Jusufit për të tjerët ishte si ndonjë ëndërr, sepse çdo gjurmë për të ishte zhdukur, mirëpo, Jakubi e përmendte dhe e lidhte shpresën në Zotin.

Vajtën dhe hynë te Jusufi, e lutën t'u japë drith për një mallë të dobët që e kishin sjellë, i cili ishte për t'u hedhur posht. E lutën t'ua lirojë edhe vëllain.

Pasi dëgjoi Jusufi për vështirësitë e familjes së tyre dhe për pikëllimin e verbërimin e babait, ndjeu dhembje në shpirt dhe u prezentua. Vëllezërit u habitën, pse ishin dy vjet që silleshin kah ai dhe nuk e kishin njohur, andaj i thanë: vërtet, ti je Jusufit Megjithatë që ua përmendi gjestin e shëmtuar të tyre, nuk i qortoi, përkundrazi u lut që t'i falë Zoti. Ju tha të shkojnë dhe ta marrin tërë familjen e të kthehen në Egjipt. Ua dha me vete këmishën e vet dhe u tha t'ia vëjnë në fytyrë babait se do t'i kthehet të të pamët.

Vëllerëzit u nisën dhe pasi kishin lëshuar territorin e Egjiptit, Jakubi u kishte thënë atyre që ishin prezent, e di se do të më thoni se jam çmendur, por unë po e ndiej erën e Jusufit. Ata i thanë qëmoti je bërë matuf, andaj nuk na habisin fjalët që thua.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 12:93–12:96

- Shkoni me këmishën time dhe hidhjani babait tim në fytyrë dhe atij do t’i kthehet shikimi. - Shkaku i verbimit të Jakubit ishin lotët e shumtë që kishte derdhur, nga dëshpërimi për humbjen e bijve të vet. - Pastaj ejani (këtu) me të gjithë familjen”. - Ai i porositi që të vinin të gjithë bijtë e Jakubit, me familjet e tyre. - Kur karvani u largua (nga Egjipti), babai i tyre tha: “Unë po ndiej erën e Jusufit, ndonëse ju mund të më quani të lënë!”. - Që në momentin kur karvani doli nga Egjipti, Jakubi iu drejtua atyre të afërmve që kishin mbetur me të dhe u tha: “Unë po ndiej erën e Jusufit, ndonëse ju mund të më quani të lënë! Ju mund të më quani të lënë nga pleqëria e dobësia, por unë ndiej erën e Jusufit!” Ai ndjeu erën e këmishës së Jusufit, edhe pse karvani ishte larg 8 ditë udhëtimi. Ata i thanë: - Ata (njerëzit përreth tij) thanë: “Për Allah! Ti po vazhdon me përhumbjen tënde të hershme!”. - Ibn Abasi shpjegon: “Domethënë, ti vazhdon me atë mendimin tënd të hershëm e të gabuar! Këto ishin fjalë jo të mira që ata i drejtuan Jakubit (a.s.).

Ata nuk duhej t’i flisnin prindit të tyre në atë mënyrë, aq më tepër që Jakubi ishte Profet i Allahut të Madhëruar. Kështu ka thënë Suddiju e të tjerë.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 12:93–12:98

Jusufi iu tha vëllezërve të tij: - “Shkoni me këmishën time dhe hidhjani babait tim në fytyrë dhe atij do t’i kthehet shikimi.” - Çdo sëmundje mjekohet me të kundërtën e saj. Ajo këmishë kishte aromën e Jusufit, aromë e cila i kishte munguar aq shumë zemrës së babait të përmalluar. Ky qe shkaku që do të sillte atë ndikim të mrekullueshëm në zemrën e Jakubit. Ishte vullneti i Allahut të Lartësuar që ia mundësoi Jakubit të nuhaste atë aromë të dashur për shpirtin e tij, dhe kështu t’i kthehej buzëqeshja, jeta, frymëmarrja e thellë dhe shikimi. Sigurisht që Allahu i Lartësuar kishte fshehur në këtë çështje mësime dhe urtësi të shumta, të cilat robërit shpesh nuk mund t’i shikojnë dhe zbulojnë. Por, kur dëshiron, Ai ua mëson atyre këto fshehtësi, sikurse bëri me Jusufin. - “Pastaj ejani (këtu) me të gjithë familjen!” - Ejani tek unë të gjithë dhe të bashkohemi si familje. Në këtë mënyrë, ju nuk do të vuani më nga skamja. - “Kur karvani u largua (nga Egjipti) , babai i tyre tha: “Unë po ndiej erën e Jusufit, ndonëse ju mund të më quani të lënë.”.” - Kur karvani u largua nga Egjipti dhe po i afrohej Palestinës, që prej së largu, Jakubi (a.s) ndjeu erën e tij të dashur, e cila

aq shumë i kishte munguar. Ai tha: “Unë po ndiej erën e Jusufit, ndonëse ju mund të më quani të lënë. Sikur të mos talleshit me mua, unë do të thoja se tashmë po e ndiej erën e Jusufit.” Me sa duket, Jakubi (a.s) e pa se ata po çuditeshin me fjalët që ai po thoshte. Ata thanë: - “Ata (njerëzit përreth tij) thanë: “Për Allah! Ti po vazhdon me përhumbjen tënde të hershme.” - Ti vazhdon të jesh i përhumbur nga dhimbja dhe dashuria e fortë për Jusufin dhe nuk di se çfarë flet. - “Kur erdhi lajmëtari i sihariqit, ia hodhi atë (këmishën e Jusufit) mbi fytyrë, dhe atij iu kthye shikimi.” - Nuk zgjati shumë dhe erdhi përgëzuesi, i cili i tregoi se së shpejti do të takohej me Jusufin dhe vëllezërit e tij. Ai e hodhi këmishën në fytyrën e Jakubit (a.s), të cilit në atë çast iu kthye shikimi. Pasi shikimi i ishte shuar nga dhimbja dhe malli për Jusufin (a.s), tashmë babai po shihte qartë, pas takimit me të birin e dashur. Në këto momente Jakubi (a.s), i kënaqur me mirësitë e shumta të Allahut të Lartësuar mbi të, u drejtohet pjesëtarëve të tjerë të familjes, të cilët më parë e qortonin dhe çuditeshin me fjalët e tij: - “Ai tha: “A nuk ju thashë se unë di prej Allahut atë që ju nuk e dini?” - Kuptimi: Unë di për Allahun e Lartësuar gjëra që ju nuk i dini. Ai më ka begatuar me dituri të madhe, prandaj unë shpresoja gjithmonë për ritakimin me Jusufin dhe se dhimbja e ndarjes do të largohej një ditë. - “Ata thanë: “O babai ynë! Lutu për ne, që të na falen gjynahet tona, se ne kemi qenë, vërtet fajtorë!”.” - Ata e pranuan gabimin e tyre kundrejt babait dhe i kërkuan atij që dhe ai të kërkonte falje për ta tek Allahu i Lartësuar. Duke nxituar t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së tyre dhe t’i kënaqte zemrat e tyre, Jakubi tha: - “Ai tha “Së shpejti do t’i kërkoj falje Zotit tim për ju.”. Ai është, vërtet Falës i madh dhe Mëshirëplotë.” - Unë shpresoj shumë tek Allahu i Lartësuar që Ai t’ju falë, t’jua mbulojë gabimet tuaja dhe t’ju përfshijë të gjithëve me mëshirën e Tij të paanë. Thuhet që ai e shtyu kërkimin e faljes për ta pikërisht në pjesën e tretë të natës, e cila është një kohë vërtet e mirë për pranimin e lutjes. Kështu lutja do të ishte më e plotë dhe sa më pranë përgjigjes nga Allahu i Lartësuar.

← Jusuf 12:93