13. Rad · Ajeti 10 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 13:1–13:11
E tërë pjesa tjetër e Kur'anit që i kishte zbritur Pejgamberit e edhe pjesët e kësaj kaptine janë e vërtetë nga Zoti i madhërishëm.
Njerëzit do të duhej besuar se ai Zot që i krijoi qiejt, që ne i shohim pa shtylla, që përcaktoi lëvizjen e diellit e të hënës, që rregulloi çdo çështje në gjithësi në mënyrë precize, është i plotfuqishëm të ringjallë njerëzit dhe t'i marrë në përgjegjësi. Mjeshtria e përsosur e Zotit duket në çdo krijesë siç është: toka e rrafshët, kodrat dhe luginat në të, llojet e frutave në shije dhe në pamje, edhe pse të gjitha i ushqejnë rrënjët prej një dheu dhe ujiten me të njëjtin ujë. Edhe pas të gjitha këtyre fakteve, disa njerëz nuk e kuptojnë fuqinë e Tij.
Ka njerëz të tillë që ringjallja u duket e pabesueshme, duke u mbështetur në atë se njeriu bëhet dhë e pluhur, e nuk mendojnë se herën e parë u krijuan prej një pikë uji. Këtë pyetje lidhur me ringjalljen e hasim se përsëritet nga ana e jobesimtarëve në njëmbëdhjetë vende e në nëntë kaptina: në këtë, dy herë, në Isra, në Mu'minun, në Neml, në Ankebutë, në Sexhde, në Safat dy herë, në Vakia dhe në Naziatë.
Idhujtarët kërkonin prej Muhammedit ndonjë mrekulli praktike siç ishte shkopi i Musait, shpezët e Isait etj. Ata nuk e dinin se mrekullitë i krijon Zoti, e jo Pejgamberi, madje mrekullia më e madhe dhe e përjetshme për Muhammedin është Kur'ani.
Vetëm Allahu e di se çka mban mitra e gruas, a është e plotë ose jo e plotë, do të lindë para kohe ose me kohë. Është e kotë çdo përpjekje që të fshihet diçka prej Tij. Para Tij janë të njëjta si e fshehta si e hapta. Ai ia do të mirën njeriut, andaj i ka caktuar përcjellës që ta ruajnë atë nga të këqiat. Ata janë engjëj në ndërrime një ose dy herë gjatë ditës. Zoti nuk ia merr të mirat që ia ka dhënë një populli, para se ai popull të bëhet përbuzës i të mirave, pra faji është i vetë popullit.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 13:10–13:11
- Për Atë është njëlloj nëse dikush e fsheh fjalën, apo e shpreh atë haptazi ... - Allahu i Madhëruar na tregon për diturinë gjithëpërfshirëse të Tij mbi të gjitha krijesat. Për diturinë e Tij është njëlloj, si ai që fsheh mendimin, ashtu dhe ai që e shpreh atë haptazi. Ai dëgjon gjithçka dhe asgjë nuk mund t’i fshihet Atij: “...i Cili zbulon çdo të fshehtë në qiej e në Tokë dhe që e di atë që fshihni dhe atë që e shfaqni haptazi.” [Neml 25]. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: 1540 “I lartësuar është Ai, dëgjimi i të Cilit përfshin të gjitha zërat. Betohem në Allah, se kur erdhi gruaja që u ankua për burrin e saj tek Profeti i Allahut, unë isha anash shtëpisë e, megjithatë, nuk arrija t’i dëgjoja disa fjalë të saj. Allahu zbriti (fjalën e Tij): “Vërtet, Allahu i dëgjoi fjalët e asaj që bisedoi me ty lidhur me bashkëshortin e saj dhe u ankua tek Allahu. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj. Allahu është Gjithëdëgjues e Gjithëvështrues.” [Muxhadile 1]. - nëse vepron fshehtas natën - Nëse vepron i fshehur në brendësinë e shtëpisë së tij, në errësirën e natës. - apo vepron haptazi ditën. - Nëse vepron haptazi, në dritën e diellit. Të dyja rastet janë njësoj për Allahun, i Cili thotë në një ajet tjetër: “Shih si përpiqen ta mbulojnë çfarë mbajnë në kraharor, si për t’u fshehur nga Ai! Le ta dinë se edhe kur mbulohen me rroba, Ai e di se çfarë fshehin dhe çfarë shfaqin. Sepse Ai e di mirë çfarë fshihet në gjoks.” [Hud 5], dhe thotë: “Sa herë që ju angazhoheni me ndonjë çështje dhe sa herë që lexoni ndonjë pjesë nga Kur’ani dhe sa herë kryeni ndonjë vepër, Ne jemi dëshmitarë të veprimeve tuaja. Zotit tënd nuk mund t’i fshihet asnjë grimcë në Tokë dhe as në qiell, madje as më e vogël se ajo e as më e madhe. Çdo gjë është shkruar në Librin e Qartë.” [Junus 61]. - Për çdo njeri ka mbikëqyrës para dhe prapa tij, të cilët, me urdhrin e Allahut, e ruajnë atë. - Çdo njeri ka melekë të
përcaktuar, që zëvendësojnë njëri -tjetrin: ruajtësit e natës dhe ruajtësit e ditës. Ata e mbrojnë atë nga të këqijat dhe aksidentet e dëmshme. Po kështu, radhiten (me turne) melekë të tjerë, që ruajnë (shkruajnë, regjistrojnë) veprat e mira ose të këqija, natën dhe ditën, ashtu siç ka ardhur hadithi në Sahih: 1541. “Melekët vijnë (tek ju) pareshtur, ditën dhe natën, dhe të gjithë mblidhen së bashku në kohën e faljes së agimit dhe të pasdites. Pastaj, ata që kanë ndenjur me ju gjithë natën, ngjiten tek Allahu, i Cili i pyet ata - edhe pse Ai e di përgjigjen që më parë, më mirë se ata: “Si i latë robërit e Mi?” Ata përgjigjen: “I gjetëm duke u falur dhe përsëri i lamë duke u falur.” Në një hadith tjetër: 1542. “Me të vërtetë, me ju janë ata që nuk ju ndahen asnjëherë, përveçse kur kryeni nevojat në banjë dhe kur kryeni marrëdhënie intime. Kështu që, kini turp prej tyre dhe respektojeni praninë e tyre.” Imam Ahmedi sjell hadithin nga Abdullahi se Profeti i Allahut ka thënë: 1543. “Nuk ka asnjë prej jush që mos të ketë një shoqërues prej xhindëve dhe një shoqërues prej melekëve.” - “Edhe ti, o Profeti i Allahut?” - “Edhe unë, por Allahu më ndihmoi në lidhje me të (xhindin), dhe tashmë ai më urdhëron veçse për të mira.” Këtë hadith e ka sjellë vetëm Muslimi. Allahu i Lartësuar thotë: “me urdhrin e Allahut, e ruajnë atë”. Domethënë, Allahu i ruan nga urdhri i Tij (ose caktimi i Tij), po me urdhrin e Tij, ashtu siç ka ardhur në hadith, kur e pyetën të Dërguarin: 1544. “O Profeti i Allahut, a i shikon rukjet që bëjmë? A e ndryshojnë ato (kaderin) përcaktimin e Allahut?” I Dërguari tha: “Ato (gjithashtu) janë prej (kaderit) përcaktimit të Allahut.” - Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë në veten e tyre. Por, kur Allahu vendos ta ndëshkojë një popull, atë (ndëshkim) nuk ka kush ta sprapsë dhe ata nuk do të gjejnë mbrojtës tjetër veç Tij. - Ibn Ebu Hatimi sjell hadithin se Ibrahimi ka thënë: “Allahu i shpalli një profeti prej bijve të Israilit: “Thuaji popullit tënd se çdo banor i një vendi dhe çdo shtëpi që i është bindur njëherë urdhrave të Allahut, dhe pastaj është kthyer në mosbindje ndaj Allahut, Allahu do t’ia shndërrojë (mirësitë e) gjërat që ata i duan në (fatkeqësi e) gjëra të urryera.” Më pas tha: “Vërtetësia e kësaj është në Librin e Allahut: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë në veten e tyre.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 13:8–13:10
- Allahu e di çfarë bart çdo femër dhe çfarë pakësojnë e çfarë shtojnë barqet e tyre. - Dituria e Allahut të Lartësuar është gjithëpërfshirëse, mbikëqyrja e Tij mbi krijesat është e plotë dhe Ai e ka nënshtruar gjithçka me pushtetin e Tij. Ai thotë: “Allahu e di çfarë bart çdo femër…", domethënë, çdo femër e njerëzve apo e krijesave të tjera. Gjithashtu, Ai është i gjithëditur për “...çfarë pakësojnë e çfarë shtojnë barqet e tyre." Pra, Ai e di se cili fryt prishet dhe nuk do të dalë në dritë dhe Ai e di mirë çfarë zhvillohet brenda barkut të krijesave, çfarë shtohet e çfarë pakësohet brenda tyre. - Tek Ai çdo gjë është me masë të caktuar. - Askush dhe asgjë nuk mund ta kalojë masën apo kohën që Zoti ia ka përcaktuar. Allahu i Madhëruar ka përcaktuar çdo gjë me urtësinë dhe diturinë e Tij absolute. - Ai e di të padukshmen dhe të dukshmen. Ai është i Madhi dhe i Lartësuari. - Allahu është i Madhi në Qenien e Tij, por edhe në emrat dhe cilësitë e Tij. Gjithashtu, Ai është i Lartësuari mbi të gjitha krijesat e Tij. Allahu është i Lartësuar në Qenien e Tij, në atributet e Tij dhe në pushtetin e Tij absolut për të nënshtruar gjithçka. I Madhëruari e përshkruan Veten e Tij duke thënë: - Për Atë është njëlloj nëse dikush e fsheh fjalën, apo e shpreh atë haptazi, nëse vepron fshehtas natën, apo vepron haptazi ditën. - Përballë diturisë, dëgjimit dhe shikimit të Zotit janë njëlloj të gjithë: si ata që e shfaqin fjalën dhe ata që e fshehin atë, si ata që veprojnë gjatë natës, edhe ata që fshihen gjatë ditës në shtëpi, shpellë e kudo qofshin.