← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

13. Rad · Ajeti 8 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 13:1–13:11

E tërë pjesa tjetër e Kur'anit që i kishte zbritur Pejgamberit e edhe pjesët e kësaj kaptine janë e vërtetë nga Zoti i madhërishëm.

Njerëzit do të duhej besuar se ai Zot që i krijoi qiejt, që ne i shohim pa shtylla, që përcaktoi lëvizjen e diellit e të hënës, që rregulloi çdo çështje në gjithësi në mënyrë precize, është i plotfuqishëm të ringjallë njerëzit dhe t'i marrë në përgjegjësi. Mjeshtria e përsosur e Zotit duket në çdo krijesë siç është: toka e rrafshët, kodrat dhe luginat në të, llojet e frutave në shije dhe në pamje, edhe pse të gjitha i ushqejnë rrënjët prej një dheu dhe ujiten me të njëjtin ujë. Edhe pas të gjitha këtyre fakteve, disa njerëz nuk e kuptojnë fuqinë e Tij.

Ka njerëz të tillë që ringjallja u duket e pabesueshme, duke u mbështetur në atë se njeriu bëhet dhë e pluhur, e nuk mendojnë se herën e parë u krijuan prej një pikë uji. Këtë pyetje lidhur me ringjalljen e hasim se përsëritet nga ana e jobesimtarëve në njëmbëdhjetë vende e në nëntë kaptina: në këtë, dy herë, në Isra, në Mu'minun, në Neml, në Ankebutë, në Sexhde, në Safat dy herë, në Vakia dhe në Naziatë.

Idhujtarët kërkonin prej Muhammedit ndonjë mrekulli praktike siç ishte shkopi i Musait, shpezët e Isait etj. Ata nuk e dinin se mrekullitë i krijon Zoti, e jo Pejgamberi, madje mrekullia më e madhe dhe e përjetshme për Muhammedin është Kur'ani.

Vetëm Allahu e di se çka mban mitra e gruas, a është e plotë ose jo e plotë, do të lindë para kohe ose me kohë. Është e kotë çdo përpjekje që të fshihet diçka prej Tij. Para Tij janë të njëjta si e fshehta si e hapta. Ai ia do të mirën njeriut, andaj i ka caktuar përcjellës që ta ruajnë atë nga të këqiat. Ata janë engjëj në ndërrime një ose dy herë gjatë ditës. Zoti nuk ia merr të mirat që ia ka dhënë një populli, para se ai popull të bëhet përbuzës i të mirave, pra faji është i vetë popullit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 13:8–13:9

- Allahu e di çfarë bart çdo femër - I Madhëruari na tregon për diturinë e Tij absolute, së cilës nuk i fshihet asgjë. Ai është i Gjithëditur për ato që mbajnë (në barkun e tyre) femrat, ashtu siç thotë në një ajet tjetër: “Ai e di se ç’ka në mitra (të nënave). ...” [Lukman 34]. Pra Ai e di a është mashkull apo femër, i bukur apo i shëmtuar, fatbardhë apo fatzi, jetëgjatë apo jetëshkurtër. Allahu i lartësuar thotë: “... Ai di gjithçka rreth jush, qysh kur e filloi krijimin tuaj nga dheu dhe qysh kur ishit fetus në bark të nënës suaj. Atëherë, mos e mburrni veten, sepse Ai e di më mirë se cili është, vërtet i devotshëm.” [El nexhm 32.] dhe thotë: “... Ai ju krijon ju në barqet e nënave tuaja, etapë pas etape në tri errësira. ...” [El zumer 6]. Dhe thotë gjithashtu: “Ne e krijuam njeriun prej një balte të përzgjedhur (nga e gjithë toka) . Pastaj atë (njeriun) e bëmë (të shumohet) nga një pikë (fare), që vendoset në një vend të sigurt (në mitër). Më pas, atë pikë (fare) e bëmë një droçkë gjaku dhe atë droçkë gjaku e bëmë copë mishi (fetus). Pastaj atë copë mishi e shndërruam në eshtra dhe më pas, eshtrat i veshëm me mish. Pastaj atë e bëmë një krijesë tjetër (me shpirt) . I lartësuar qoftë Allahu, më i miri Krijues!” [Mu'minun 12 - 14]. Në dy Sahih-ët vjen hadithi nga Ibn Mesudi se Profeti i Allahut ka thënë: 1539. “Një qenie njerëzore (lënda e krijimit të saj) mblidhet bashkë në mitrën e nënës për dyzet ditë, pastaj ajo shndërrohet në një droçkë gjaku po për kaq ditë, pastaj bëhet si një copë mishi (e shtypur me dhëmbë) po për kaq ditë. Pastaj Allahu dërgon një melek, i cili urdhërohet t'i shkruajë atij katër gjëra.

Ai urdhërohet t'i shkruajë (krijesës së re) veprat, riskun, ditën e vdekjes dhe se a do të jetë i mjeruar a i bekuar (në jetën e pasosur). Pas kësaj, krijesës do t'i fryhet shpirti. ...” 161 - dhe çfarë pakëson - El-Ĝajd është fetusi i rënë i dështuar (që del i pa papërfunduar, pa shpirt). Pra, Allahu e di atë që mitrat e hedhin pa u plotësuar, dhe: - e çfarë shton barku i tyre. - Domethënë, atë që qëndron më shumë në mitër sesa ai që del i paplotë, dhe kështu plotësohet krijimi e koha e tij, derisa lind i plotë. Në këtë mënyrë, disa shtatzëni zgjasin 10 muaj dhe disa 9 muaj, disa më gjatë e disa më shkurt, disa plotësohen e disa dalin të paplota. Ky është el-gajd pakësimi dhe shtimi, që ka përmendur Allahu i Madhëruar në lidhje me shtatzëninë. Sigurisht, e gjitha kjo ndodh me diturinë e Tij. - Tek Ai çdo gjë është me masë të caktuar. - Domethënë, me afat e përcaktim të përpiktë. Ai kujdeset për furnizimin e krijesave të Tij dhe ka përcaktuar jetëgjatësinë e tyre ( exhelin). Për të gjitha këto, Ai ka vendosur afate të përcaktuara. - Ai e di të padukshmen dhe të dukshmen. - Allahu di çdo gjë që shikojnë robërit e Tij dhe ato çka fshihen prej shikimit të tyre. Por Atij nuk mund t’i fshihet asgjë nga ato (krijesat). - Ai është i Madhi - Ai është më i Madh se gjithçka. - dhe i Lartësuari. - I Lartësuari, sipër çdo gjëje.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 13:8–13:10

- Allahu e di çfarë bart çdo femër dhe çfarë pakësojnë e çfarë shtojnë barqet e tyre. - Dituria e Allahut të Lartësuar është gjithëpërfshirëse, mbikëqyrja e Tij mbi krijesat është e plotë dhe Ai e ka nënshtruar gjithçka me pushtetin e Tij. Ai thotë: “Allahu e di çfarë bart çdo femër…", domethënë, çdo femër e njerëzve apo e krijesave të tjera. Gjithashtu, Ai është i gjithëditur për “...çfarë pakësojnë e çfarë shtojnë barqet e tyre." Pra, Ai e di se cili fryt prishet dhe nuk do të dalë në dritë dhe Ai e di mirë çfarë zhvillohet brenda barkut të krijesave, çfarë shtohet e çfarë pakësohet brenda tyre. - Tek Ai çdo gjë është me masë të caktuar. - Askush dhe asgjë nuk mund ta kalojë masën apo kohën që Zoti ia ka përcaktuar. Allahu i Madhëruar ka përcaktuar çdo gjë me urtësinë dhe diturinë e Tij absolute. - Ai e di të padukshmen dhe të dukshmen. Ai është i Madhi dhe i Lartësuari. - Allahu është i Madhi në Qenien e Tij, por edhe në emrat dhe cilësitë e Tij. Gjithashtu, Ai është i Lartësuari mbi të gjitha krijesat e Tij. Allahu është i Lartësuar në Qenien e Tij, në atributet e Tij dhe në pushtetin e Tij absolut për të nënshtruar gjithçka. I Madhëruari e përshkruan Veten e Tij duke thënë: - Për Atë është njëlloj nëse dikush e fsheh fjalën, apo e shpreh atë haptazi, nëse vepron fshehtas natën, apo vepron haptazi ditën. - Përballë diturisë, dëgjimit dhe shikimit të Zotit janë njëlloj të gjithë: si ata që e shfaqin fjalën dhe ata që e fshehin atë, si ata që veprojnë gjatë natës, edhe ata që fshihen gjatë ditës në shtëpi, shpellë e kudo qofshin.

← Rad 13:8