← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

14. Ibrahim · Ajeti 18 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 14:9–14:22

Sipas shpjegimeve të Kur'anit kuptohet se të dërguarit e Zotit gjithnjë hasën në vështirësi. Për disa pejgamberë dhe për disa ndodhi të tyre na mësoi Kur'ani, por ka pasur edhe shumë të tjera për të cilat nuk di askush tjetër pos Allahut.

Vënia e duarve të tyre në gojë ishte shenjë e talljes së tepërt, të përcjellë me qeshje të çuditshme. Të dërguarit e Zotit nuk prekeshin për veten e tyre pse kundërshtarët i nënçmonin dhe nuk u besonin, por habiteshin prej tyre se si nuk donin ta besonin Zotin, Krijues të çdo sendi, mëshiures i cili i thërriste në shpëtimi Pejgamberët asnjë herë nuk pretenduan ndonjë privilegj më të madh se atë që u kishte dhënë Zoti, shpalljen, andaj vërtetonin për vete se ishin njerëz, por të dërguar nga Zoti, e mrekullitë që kundërshtarët i kërkonin prej tyre, ata ia mbështetnin Zotit e jo vetes.

Përmes shpjegimit të qëndrimit të kundërshtarëve kundër të dërguarve, i jepet shenjë Muhammedit se Zoti do t'i shkatërrojë mizorët dhe në vend të tyre do të sjellë popull që beson Zotin dhe ditën e gjykimit. Ashtu edhe ndodhi me idhujtarët mekas.

Vuajtjet në xhehenem janë aq të tmerrshme sa që është vështirë të përshkruhen. Një lloj përshkrimi e bën Kur'ani me qëllim që njerëzit të largohen prej punëve të këqia, pasojë e të cilave është zjarri. Të kota janë të gjitha veprat që nuk burojnë prej besimit të drejtë, ato nuk kanë peshë as sa ka pluhuri të cilin e zhduk era. Pra duhet kuptuar se Zoti nuk krijoi qiej e tokë edhe njerëzit në të, Njerëzit nuk duhet të jenë mendjelehtë e të mashtrohen pas çdo kënaqësie të kësaj jete dhe të imitojnë ata që nuk janë në rrugë të drejtë Nuk duhet imituar parinë për hir të pozitës kur nuk janë vepërmirë e besnikë, pse para Zotit do të përgjigjet çdokush për punën e vet, dhe faji nuk mund t'i hidhet askujt tjetër.

Shejtani do ta mbajë një fjalim në mesin e xhehenemlinjve dhe do të arsyetohet, se nuk ka pasur kurrfarë fuqie fizike, e as argument bindës për intrigat që i ka bërë në dynja, pra nuk i ka detyruar njerëzit ta ndjekin rrugën e gabuar. A sheh edhe dreqi do të ikë prej punëkeqit. Të gjitha këto duhet kuptuar sa jemi në këtë jetë dhe duhet përmirësuar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 14:18

Ky është një shembull, nëpërmjet të cilit Allahu i Lartësuar na tregon veprat e mohuesve të besimit dhe idhujtarëve, të cilët adhurojnë zota të tjerë. Ata i quajnë gënjeshtarë profetët e Zotit. Ata të humbur i ndërtojnë punët e tyre jo mbi themele të sakta, prandaj ato shkatërrohen dhe asgjësohen. Ato nuk do t’u vlejnë aspak dhe do të zhduken pikërisht në një kohë kur ata më së shumti të kenë nevojë për to. - Ja si është shembulli i atyre që mohojnë Zotin e tyre. Veprat e tyre janë si pluhuri, të cilin era e shpërndan në një ditë të stuhishme. - Punët e këtyre lloj njerëzve në Ditën e Kijametit, atë ditë kur ata do të kërkojnë shpërblimin nga Allahu i Lartësuar për veprat e tyre, janë të tilla siç i përshkruan Allahu i Lavdëruar: “Veprat e tyre janë si pluhuri, të cilin era e shpërndan në një ditë të stuhishme.” Kështu do të ndodhë. Edhe pse do të shpresojnë shumë

për të marrë shpërblim për veprat e tyre, ata do të befasohen dhe dëshpërohen me atë që do të shohin. Punët e tyre janë si pluhuri që shpërndahet me forcë nga një erë e furishme. Ashtu sikurse njeriu nuk mund ta mbledhë atë pluhur të shpërndarë nga era e furishme, ashtu edhe këta nuk kanë për të përfituar gjë prej veprave të tyre të kota. I Lartësuari thotë: “Ditën kur të shohin melekët (kur t'u meret shpirti, ose në varr, ose në ringjallje) , nuk do të ketë gëzim për keqbërësit. Ata (melekët) do t'u thonë: “Ju është ndaluar gjithçka e mirë. ” E Ne do t'i kthehemi ndonjë vepre që ata e bënë (në këtë botë) dhe do ta bëjmë atë hi e pluhur.” [Furkan 22, 23], dhe thotë: “Gjithçka që ata (jobesimtarët) shpenzojnë në këtë jetë (kundër të vërtetës) , është si një furtunë e acartë, e cila godet e shkatërron të mbjellat e një populli që e ka dëmtuar vetveten me padrejtësitë e tij. Allahu nuk u bën padrejtësi atyre, por janë ata që i bëjnë padrejtësi vetes së vet.” [Al Imran 117]. dhe thotë: “O ju që keni besuar! Mos i prishni lëmoshat tuaja me të përmendur dhe me fyerje, siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa për sy e faqe dhe nuk beson në Allahun dhe as në Ditën e Fundit! Ky ngjan me atë gurin e madh e të lëmuar, mbi të cilin ka pak dhé, por që kur e zë rrebeshi, e lë sërish të zhveshur. Ata nuk arrijnë asgjë nga ato gjëra që kanë bërë. Allahu nuk e udhëzon në rrugën e drejtë një popull që rrefuzon besimin.” [El bekare 264]. Ndërsa këtu Allahu i Lavdëruar thotë: - Ata nuk do të përfitojnë asgjë nga veprat që kanë bërë. Kjo është një humbje e madhe. - Kështu, përpjekjet e tyre janë të pavlefshme, sepse janë ndërtuar jo mbi një bazë të saktë ose besim të vërtetë. Ata nuk janë të përqendruar në rrugën e Allahut, me të cilën Ai dërgoi profetët. Ata nuk mund të presin asnjë shpërblim për të tilla punë. Ata do të privohen nga mirësitë dhe sevapet, pikërisht atëherë kur do të kenë më së shumti nevojë për to. 170

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 14:18

- Ja si është shembulli i atyre që mohojnë Zotin e tyre. Veprat e tyre janë si pluhuri, të cilin era e shpërndan në një ditë të stuhishme. - Allahu i Lartësuar përshkruan se si janë veprat e mohuesve. Por për çfarë veprash bëhet fjalë? Janë dhënë dy shpjegime për këtë. Sipas shpjegimit të parë, është fjala për ndonjë vepër që ata e kryenin në formë adhurimi për Zotin. Këto vepra, Allahu i Lartësuar i krahason me pluhurin e imët, që mjafton vetëm një puhizë e lehtë për ta shpërndarë, pa lënë më asnjë gjurmë. Mendo se çfarë ndodh me të në një ditë të stuhishme! Sigurisht që nuk mbetet asgjë prej tij. Kështu, këta mohues nuk kanë për të përfituar aspak prej veprave të tyre “të mira”, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: - Ata nuk do të përfitojnë asgjë nga veprat që kanë bërë. - Ata nuk mund të përfitojnë asgjë nga veprat e tyre, sepse ato janë të ndërtuara mbi mohimin e Zotit, të profetëve dhe të shpalljeve të Tij. Atyre u mungon kushti bazë dhe i domosdoshëm për pranimin e tyre: imani i pastër dhe i drejtë.

- Kjo është një humbje e madhe. - Të gjitha veprat e tyre u fshinë dhe u shkatërruan. Sipas shpjegimit të dytë të ajetit kuranor, këtu flitet për veprat që mohuesit bëjnë kundër të vërtetës dhe pasuesve të saj. Ata thurin kurthe dhe intriga kundër të vërtetës, për ta penguar atë, por këto kuthe dëmtojnë veçse thurësit e tyre. Ato kurrë nuk mund të dëmtojnë Zotin, profetin e Tij, pasuesit e të vërtetës dhe as të vërtetën që ata përhapin dhe në të cilën ftojnë njerëzit.

← Ibrahim 14:18