← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

14. Ibrahim · Ajeti 19 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 14:9–14:22

Sipas shpjegimeve të Kur'anit kuptohet se të dërguarit e Zotit gjithnjë hasën në vështirësi. Për disa pejgamberë dhe për disa ndodhi të tyre na mësoi Kur'ani, por ka pasur edhe shumë të tjera për të cilat nuk di askush tjetër pos Allahut.

Vënia e duarve të tyre në gojë ishte shenjë e talljes së tepërt, të përcjellë me qeshje të çuditshme. Të dërguarit e Zotit nuk prekeshin për veten e tyre pse kundërshtarët i nënçmonin dhe nuk u besonin, por habiteshin prej tyre se si nuk donin ta besonin Zotin, Krijues të çdo sendi, mëshiures i cili i thërriste në shpëtimi Pejgamberët asnjë herë nuk pretenduan ndonjë privilegj më të madh se atë që u kishte dhënë Zoti, shpalljen, andaj vërtetonin për vete se ishin njerëz, por të dërguar nga Zoti, e mrekullitë që kundërshtarët i kërkonin prej tyre, ata ia mbështetnin Zotit e jo vetes.

Përmes shpjegimit të qëndrimit të kundërshtarëve kundër të dërguarve, i jepet shenjë Muhammedit se Zoti do t'i shkatërrojë mizorët dhe në vend të tyre do të sjellë popull që beson Zotin dhe ditën e gjykimit. Ashtu edhe ndodhi me idhujtarët mekas.

Vuajtjet në xhehenem janë aq të tmerrshme sa që është vështirë të përshkruhen. Një lloj përshkrimi e bën Kur'ani me qëllim që njerëzit të largohen prej punëve të këqia, pasojë e të cilave është zjarri. Të kota janë të gjitha veprat që nuk burojnë prej besimit të drejtë, ato nuk kanë peshë as sa ka pluhuri të cilin e zhduk era. Pra duhet kuptuar se Zoti nuk krijoi qiej e tokë edhe njerëzit në të, Njerëzit nuk duhet të jenë mendjelehtë e të mashtrohen pas çdo kënaqësie të kësaj jete dhe të imitojnë ata që nuk janë në rrugë të drejtë Nuk duhet imituar parinë për hir të pozitës kur nuk janë vepërmirë e besnikë, pse para Zotit do të përgjigjet çdokush për punën e vet, dhe faji nuk mund t'i hidhet askujt tjetër.

Shejtani do ta mbajë një fjalim në mesin e xhehenemlinjve dhe do të arsyetohet, se nuk ka pasur kurrfarë fuqie fizike, e as argument bindës për intrigat që i ka bërë në dynja, pra nuk i ka detyruar njerëzit ta ndjekin rrugën e gabuar. A sheh edhe dreqi do të ikë prej punëkeqit. Të gjitha këto duhet kuptuar sa jemi në këtë jetë dhe duhet përmirësuar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 14:19–14:20

- A nuk e shikon ti se Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën me urtësi? - Allahu i Lartësuar na tregon pushtetin e Tij absolut për të ringjallur krijesat në Ditën e Kijametit. Ai përmend si argument faktin se Ai është Krijuesi i qiejve dhe Tokës, të cilat janë shumë më të mëdha se krijimi i njerëzve. Ai që i krijoi qiejt dhe Tokën me të gjitha ato krijesa të shumta e madhështore që ndodhen nëpër to e mes tyre; Ai krijoi për to çdo kusht të domosdoshëm për jetën e tyre. Atëherë, a nuk është i plotpushtetshëm Ai që të sjellë një krijim të ri?! Allahu i lartësuar ka thënë: “A nuk e dinë ata se Allahu, i Cili krijoi qiejt dhe Tokën dhe nuk u lodh me krijimin e tyre, është i Plotfuqishëm që t’i ngjallë të vdekurit?! Po, Ai është i Plotfuqishëm për gjithçka.”

[Ahkaf 33], “A nuk e sheh njeriu se Ne e krijuam atë prej një pike (fare)? Por, ja! Ai bëhet një kundërshtar i hapur. Dhe Ai (njeriu) bën krahasime për Ne dhe e harron se si është krijuar. Ai thotë: “Kush i ngjall eshtrat pasi të jenë kalbur?” Thuaj: “Do t'i ngjallë Ai që i krijoi për herë të parë. Ai, për çdo krijim, është i Gjithëditur. Ai nxjerr për ju zjarrin prej drurit të gjelëbr dhe ja, ju prej tij (drurit) ndizni (zjarre)”. A nuk mundet Ai, që krijoi qiejt e tokën t'i rikrijojë ata (njerëzit)? Po, Ai është Krijuesi, i Gjithëdituri. Kur Ai dëshiron diçka, mjafton vetëm të thotë: “Bëhu!” Dhe ajo menjëherë bëhet. I madhëruar qoftë Ai në dorën e të Cilit është pushteti mbi gjithçka! Dhe vetëm tek Ai do të ktheheni ju (për tu gjykuar dhe shpërblyer me drejtësi). ” [Ja Sin 77 - 83]. Pa dyshim që Allahu është i plotpushtetshëm për gjithçka. - Nëse dëshiron, Ai ju zhduk ju dhe sjell një krijim të ri. Dhe kjo nuk është aspak e vështirë për Allahun. - Asgjë nuk është e vështirë apo e pamundur për Allahun. Ajo është e thjeshtë për Allahun e Lartësuar. Prandaj dijeni se, nëse ju i kundërshtoni urdhëresat e Tij, Ai është i plotpushtetshëm që t’ju zhdukë e të sjellë të tjerë, që të mos jenë kështu si ju. I Lavdëruari thotë: “O njerëz! Ju keni nevojë për Allahun, kurse Allahu është i Pasur dhe i Lavdëruar. Nëse do të dëshironte Ai mund t'ju zhdukte e të sillte krijesa të tjera. Dhe kjo nuk është aspak e vështirë për Allahun.” Fatir 15 - 17], “Nëse ju i ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, që nuk do të jetë si ju.” [Muhamed 38], “O ju që keni besuar! Kush prej jush largohet nga feja e vet, (le ta dijë se) Allahu do të sjellë një popull tjetër të cilin Ai i do ta dojë dhe ata do ta duan Atë; modest e i butë ndaj besimtarëve, por i ashpër dhe i fortë ndaj mohuesve; që lufton në rrugën e Allahut dhe që nuk i frikësohet kërcënimit të asnjë kërcënuesi. Kjo është dhurata e Allahut, që ia jep atij që Ai do. Allahu është Dhurues i madh e i Gjithëditur.” [El maide 54], “Nëse Ai dëshiron, ju zhduk ju, o njerëz, e sjell të tjerë. Ai është fuqiplotë ta bëjë këtë.” [Nisa 133].

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 14:19–14:21

Allahu i Madhëruar u thotë robve të Tij: - A nuk e shikon ti se Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën me urtësi? - Allahu i krijoi ato, me qëllim që njerëzit ta adhurojnë dhe ta njohin si një të vetëm, me emrat, cilësitë e veprat e Tij; i krijoi që t’i urdhërojë dhe ndalojë, t’u vendosë ligjin, sipas të cilit të jetojnë dhe ta adhurojnë; i krijoi që robërit të argumentojnë për cilësitë dhe emrat e bukur dhe të plotë të Tij përmes këtyre krijesave madhështore dhe gjithçkaje që ka mes tyre; i krijoi që ta dinë se Ai që i krijoi qiejt dhe Tokën e gjithçka mes tyre, me atë madhështi e bukuri, është i plotpushtetshëm që t’i ringjallë krijesat e t’i rikthejë në një krijim të ri, për t’i shpërblyer për veprat e mira dhe ato të këqija. Le ta kuptojnë se pushteti i Allahut është më i gjerë dhe i plotë se kaq. Ai thotë: - Nëse dëshiron, Ai ju zhduk ju dhe sjell një Krijim të ri. - Një kuptim i këtij ajeti është: Allahu ju zhduk ju dhe sjell njerëz të tjerë, që të jenë më të bindur sesa ju. Kuptimi tjetër është: Ai ju zhduk në këtë jetë, dhe pastaj ju sjell përsëri në jetë me një krijim të ri Ditën e Gjykimit, për t’ju marrë në llogari dhe për t’ju shpërblyer ose ndëshkuar, me bamirësinë ose drejtësinë e Tij. Ky kuptim i dytë është më i mundshëm, sepse mbështetet edhe nga konteksti në vazhdim, që flet për Ditën e Gjykimit dhe skenat e saj. - Kjo nuk është aspak e vështirë për Allahun. - Kjo është shumë e thjeshtë për Allahun. Ky fakt përforcohet në ajetin tjetër kuranor, që thotë: “ Krijimi dhe ringjallja juaj (e ju të gjithëve), është njëlloj si krijimi dhe ringjallja e një një njeriu të vetëm. Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka. " [Lukman 28]. Ose: “Dhe është Ai që e fillon krijimin dhe pastaj e përsërit atë, dhe ajo (përsëritja) është edhe më e lehtë për Të.”. [Rum 27]. - Ata të gjithë do të dalin sheshas para Allahut. - Një ditë, kur t’i fryhet surit, do të dalin të gjithë para Zotit, pa përjashtim, që thotë në një varg tjetër: "Të pyesin ty për malet. Thuaj: “Zoti im do t’i shkulë ato dhe do t'i shpërndajë si pluhur.”. Dhe vendin e tyre ta bëjë rrafsh e pa kurfarë bimësie. As ultësira e as lartësira nuk do të shohësh në vendin e tyre.” [Ta Ha 107]. Asnjë e fshehtë e tyre nuk mund t’i fshihet Zotit të gjithësisë. Kur të dalin e të tubohen të gjithë para Tij, njerëzit do të fillojnë të polemizojnë kundër njëri tjetrit. Secili do të mbrojë veten e vet me gjithçka që mundet, por kjo nuk ka për t’u bërë asnjë dobi. - Atëherë, të nënshtruarit do t’i thonë parisë së tyre: “Ne ishim pasuesit tuaj... - Pasuesit u drejtohen udhëheqësve të tyre, që Zoti i quan kryeneçë e arrogantë, sepse i udhëhoqën njerëzit në humbje e devijim. Ndjekësit u thonë udhëheqësve: “Ne ishim pasuesit tuaj. Ne ju pasuam në jetën e dynjasë. Ju na urdhëronit dhe na ndalonit, ju

na i zbukuruat të kotën dhe na devijuat nga e drejta, prandaj sot: - "A mund të na e lehtësoni pak Dënimin e Allahut?” - Pra, na e lehtësoni dënimin, sado pak qoftë! Por prijësit do t’u thonë: - "Ata do të përgjigjen: “Sikur ta kishim marrë udhëzimin e Allahut, ne do t’ju kishim udhëzuar edhe ju. " - Siç shihet, askush nuk mund të bëjë diçka për tjetrin. Atë ditë bëjnë dobi vetëm besimi dhe veprat e mira. - "Por tashmë është njëlloj: Shprehim dëshpërim apo durojmë, për ne nuk ka më rrugë për shpëtim!”.” - Asgjë nuk i ndihmon: bëjnë durim apo jo, njëlloj është për ta. Nuk ka vend ku të fshihen e të mbrohen nga ndëshkimi i Zotit.

← Ibrahim 14:19