← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

14. Ibrahim · Ajeti 44 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 14:42–14:52

Zoti xh. sh. i thotë Muhammedit: mos mendo se Zoti është i kënaqur me punën që e bëjnë mëkatarët, e as që i ka harruar ata, por është duke i lënë deri në atë ditë kur të dalin para Zotit e nga frika do të ju shtangen sytë, do t'u mbetet kryet lart, duke shikuar se çka po i gjen sa që nuk lëvizin qerpikët e syve për të shikuar diç tjetër, e zemrat e tyre do të jenë të pikëlluara.

Mëkatarët do të kërkojnë t'u jepet afat e të besojnë, por ata që betoheshin sa ishin në dynja, se nuk kanë për t'u ringjallur edhepse ishin mu në ato vende banorët e të cilëve ishin zhdukur nga ndëshkimet si mëkatarë. Megithatë, ata bënin lloj-lloj dredhishë, u përpoqën ta mbytnin Muhammedin, por plani i Zotit asgjësonte dredhitë e tyre.

Toka në të cilën jemi tash dhe qiejt do të shndërrohen në tokë e qiej të tjerë. Çfarë do të jetë ajo e di vetëm Zoti. Sipas një hadithi që e shënuan Sahihajnit: do të jetë tokë e bardhë e shkëlqyer si argjendi, tokë në të cilën nuk është bërë mëkat as nuk është derdhur gjak..., Kur'ani është shpallur për të mirën e njerëzve, për të kuptuar se nuk ka Zot tjetër pos Allahut një dhe për t'u udhëzuar e gjetur rrugën e drejtë që është shpëtim për ta, por vetëm për ata që e angazhojnë sinqerisht mendjen e tyre.

Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës Ibrahim.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 14:44–14:46

- Prandaj paralajmëroji njerëzit për ditën kur do t’u vijë dënimi dhe kur keqbërësit do të thonë: “Zoti ynë! Na lër edhe për pak kohë që t’i përgjigjemi thirrjes Sate dhe t’i pasojmë të dërguarit!” - Allahu i Madhëruar na tregon fjalët e atyre që kanë ngarkuar veten me padrejtësi, fjalë të cilat ata do t’i thonë në momentin kur të shohin ndëshkimin: “Zoti ynë! Na lër edhe për pak kohë, që t’i përgjigjemi thirrjes Sate dhe t’i pasojmë të dërguarit!” Kjo i ngjan ajetit: “E kur ndonjërit prej tyre i vjen vdekja, ai thotë: “O Zoti im! Më kthe (në jetë), që të bëj vepra të mira e ta kompensoj atë që shpërfilla! Jo, kurrsesi (nuk ka kthim pas) . Këto janë vetëm fjalë që ai (jobesimtari) i thotë (me dëshpërim). Ata i pret jeta e varrit

(Berzahu) deri në ditën kur do të ringjallen.” [Mu’minun 99, 100]. Ose: “O ju që keni besuar! As pasuria e as fëmijët tuaj të mos ju shmangin prej kujtimit të Allahut! Ata që veprojnë kështu janë të humbur. Shpenzoni nga ajo që Ne ju kemi dhënë, para se ndonjërit prej jush t’i vijë vdekja e të thotë: “O Zoti im, përse nuk ma shtyve edhe pak afatin, që të jepja sadaka e të bëhesha prej të mirëve?”! Por Allahu asnjërit nuk ia shtyn afatin, kur ai i vjen. Allahu di gjithçka që punoni ju. ” [Munafikun 9 - 11]. Ndërsa kur tregon për gjendjen e tyre ditën e ringjalljes Ai thotë: “Veç sikur të mund t’i shohësh mëkatarët (atë Ditë të dëshpëruar) kur kokëulur para Zotit të tyre, thonë: “O Zoti ynë! Tani pamë dhe dëgjuam. Na kthe edhe një herë (në dynja) që të bëjmë vepra të mira. Tani ne jemi tërësisht të bindur”.” [Sexhde12], dhe thotë: “Eh, sikur t’i shihje ata, kur të ndalen përpara Zjarrit! Ata do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim (në dynja)! Atëherë nuk do t'i mohonim argumentet e Zotit tonë, por do të bëheshim besimtarë.” Por atyre u del në shesh ajo që më parë e mbanin fshehur. Edhe sikur të ktheheshin, ata do ta kryenin sërish atë që u ishte ndaluar. Me të vërtetë, ata janë gënjeshtarë.” [En’am 27 , 28 ]. Gjithashtu: “ Dhe atje (në Zjarr) ata do të klithin (për ndihmë): “O Zoti ynë! Na nxirr (prej këtu). Ne do të bëjmë vepra të mira, jo si ato që bënim më parë.” Por, a nuk ju dhamë Ne jetë aq sa të mund të merrte mësim cilido që dëshironte të merrete mësim dhe ju pati ardhur edhe paralajmëruesi i qartë? Shijojini frytet e veprave tuaja! Për keqbërësit nuk ka asnjë ndihmëtar.” [Fatir 37]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Madhëruar, duke ua kthyer e hedhur poshtë këtë pretendim atyre, thotë: - Po, a nuk e kishit zakon të betoheshit më parë se nuk kishit për t’u larguar kurrë (nga mirësitë e kësaj dynjaje) ? - A nuk betoheshit dhe përbetoheshit në të shkuarën, përpara kësaj gjendjeje që po përjetoni tani, se ringjallja, llogaria e drejtë dhe shpërblimi sipas punëve është diçka e pavërtetë! Shijojeni tani ndëshkimin për mohimin tuaj! Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Ata u betuan në Allah, me betimin e tyre më të fortë, se Allahu nuk ka për ta ringjallur atë që vdes.” [Nahl 38]. - Ju banuat në vendbanimet e atyre që shkatërruan vetveten dhe e mësuat qartë se si vepruam me ta. Ne ju sollëm shembuj të qartë. - Ju i patë me sytë tuaj, kishit njohuri dhe ju erdhën informacionet për ndëshkimin mbi popujt që mohuan të vërtetën, besimin dhe profetët që u dërguan ndër ta. A nuk kishte në to mësime dhe këshilla për ju?! A nuk nxorët mësim nga ndëshkimet që hodhëm mbi ata popuj, në mënyrë që të ktheni rrugë dhe të besoni Allahun?! Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Atyre u kanë ardhur shpallje, në të cilat ka mjaft qortime! Kjo është urtësi e përsosur. Por atyre nuk u bëjnë dobi qortimet.” [Kamer 4, 5]. - Të fuqishme qenë, vërtet kurthet që përgatitën ata; por kurthet e tyre ishin në dorë të Allahut, edhe pse ishin të tilla që të shkulin malet. - El Aufi sjell nga Ibn Abasi tefsirin e këtij ajeti: “Fjalia: “ in kâne mekruhum li tezûle minhu el xhibâlu ” do të thotë: “Të fuqishme qenë kurthet që përgatitën ata; por kurthet e tyre ishin në dorë të Allahut dhe prej kurtheve të tyre nuk lëvizën malet.” Po kështu ka thënë dhe Hasan el Basriu dhe Ibn Xheriri. Duke shpjeguar më tej, ata kanë thënë se kuptimi i ajetit është: “Idhujtaria ku ata u zhytën dhe mohimi i besimit të vërtetë nuk dëmtoi as malet dhe as gjëra të tjera, por dëmtoi veçse ata. Ky kuptim është i përafërt me kuptimin e fjalës së Allahut të Lartësuar, kur thotë: “Mos ec nëpër tokë me mburrje, sepse ti as nuk mund ta çash tokën, as nuk mund të arrish lartësinë e maleve!” [Isra 37]. Ndërsa mendimi i dytë për tefsirin e këtij ajeti vjen nga Ali Ibn Ebu Talha, që e përcjell nga Ibn Abasi, i cili thotë: “Kurthi (shirku) i tyre ishte i tillë që, edhe malet do të lëviznin nga vendi.” Domethënë, kuptimi i ajetit është: “... por kurthet e tyre ishin në dorë të Allahut, edhe pse ishin të ishin të tilla që të

shkulin malet.” Për shkak të shirkut të tyre, do të lëviznin malet nga vendi. Kjo i ngjan ajetit tjetër: “Ata thanë: “I Gjithëmëshirshmi ka bir!”. Vërtet, ju keni thënë një fjalë shumë të shëmtuar. Qiejt janë gati të copëtohen, toka është gati të çahet dhe malet janë gati të shemben e të thërmohen nga ajo (shpifje), që trilluan se i Gjithëmëshirshmi ka bir.” Kështu e ka shpjeguar Dahaku dhe Katadja.174

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 14:44–14:46

Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të Tij të dashur, Muhamedit ﷺ ,dhe i thotë: - Prandaj paralajmëroji njerëzit për Ditën kur do t’u vijë Dënimi... - Përshkruajua qartë ndëshkimin që i pret dhe paralajmëroji, që të largohen nga veprat e dënueshme. Le ta dinë se, kur të vijë tmerri i atij ndëshkimi, ata që kanë qenë të zhytur në padrejtësi, duke mohuar Zotin, Shpalljen, Profetin dhe duke bërë gjynahe, do të bërtasin të penduar për çfarë kanë vepruar dhe do të kërkojnë që të kthehen. Por këto lutje dhe përgjërime nuk kanë efekt, sepse tashmë ka kaluar koha e tyre. - ... dhe kur keqbërësit do të thonë: “ O Zoti ynë! Na lër edhe për pak kohë që t’i përgjigjemi thirrjes Sate dhe t’i pasojmë të dërguarit!” - Ata do të luten: “ O Zoti ynë, na kthe në jetën e parë, se ne tashmë po shohim qartë. Na kthe në atë botë, që ne t’i përgjigjemi ftesës Tënde!” Dhe dihet se Allahu gjithmonë ka ftuar për në vendin e përjetshëm të paqes, për në Xhenetin e Tij. Ata do të luten gjithashtu: “Na kthe në dynja, që të pasojmë të dërguarit e Tu!” Por të gjitha këto ata i thonë thjesht për të shpëtuar nga ndëshkimi i dhembshëm, sepse, në fakt, ata janë mashtrues dhe kurrë nuk do ta mbanin këtë premtim, sikurse thotë Allahu i Lartësuar. Edhe nëse do të ktheheshin në dynja, ata do të zhyteshin përsëri në harame, prandaj Allahu i Lartësuar, duke i qortuar, u thotë atyre: - Po, a nuk e kishit zakon të betoheshit më parë se nuk kishit për t’u larguar kurrë (nga kjo botë )? - Kuptimi: A nuk betoheshit ju se nuk do të largoheshit asnjëherë nga dynjaja për t'u ringjallur në ahiret? Tani doli në pah kotësia e betimeve dhe pretendimet tuaja të gënjeshtërta. Mosbesimi i ringjalljes dhe mosnënshtrimi ndaj Zotit nuk ishin për shkak të ndonjë mangësie dhe pamjaftueshmërie në argumentet e Zotit, pasi ato ishin shumë të qarta. Kësaj qartësie i shtohet edhe një fakt tjetër. - Ju banuat në vendbanimet e atyre që shkatërruan vetveten dhe e mësuat qartë se si vepruam me ta. Ne ju sollëm shembuj të qartë. - Ju e kishit të qartë dhe e dinit mirë se çfarë bëri Zoti me ta dhe se si i ndëshkoi. Kur ata mohonin shpalljet dhe profetët, Zoti i ndëshkonte me shumë forma. Kjo duhet t’ju mjaftonte juve, që të pranonit dhe të pasonit të vërtetën. Përveç kësaj, Zoti solli shembuj të shumtë e të qartë, që ta kuptonit mirë e lehtësisht të vërtetën. Shembujt largonin çdo dyshim nga zemra e atij që kërkon të vërtetën. Megjithatë, juve asgjë nga këto nuk ju bëri dobi. Ju, thjesht kthyet shpinën, për të vazhduar në të kotën ku ishit zhytur. Kështu vazhduat, derisa ndodhi ajo që ndodhi dhe ju arritët këtë ditë ndëshkimi. Sot nuk vlen justifikimi juaj i kotë dhe i pabazë. - Të fuqishme qenë, vërtet kurthet që përgatitën ata; por kurthet e tyre ishin në dorë të Allahut,... - Kundërshtuesit e profetëve thurnin kurthe dhe intriga kundër profetëve dhe pasuesve të tyre. Ata përpiqeshin me të gjitha mundësitë dhe aq sa Zoti i lejonte të bënin. Por çdo plan i thurur prej tyre nuk mund t’i fshihej Zotit të botëve, sepse Ai është i Gjithëditur dhe i Plotpushtetshëm për gjithçka. Asgjë nuk mund t’i shpëtojë e fshihet diturisë dhe pushtetit të Zotit, prandaj çdo kurth i këtyre të mjerëve u kthehet mbrapsht mbi kokat e tyre: "Por, dredhia për të keqen nuk godet askënd tjetër veç atyre që e kurdisën." [Fatir 43]. - ... edhe sikur të ishin të tilla që të shkulin malet. - Intrigat e mohuesve të Zotit, profetëve e të shpalljeve të Tij ishin shumë mëdha. Ato ishin, ashtu siç i përshkruan Zoti, të tilla që edhe malet mund t’i lëviznin nga vendi. Allahu thotë në një

sure tjetër. "...kurdisnin kurthe shumë të mëdha." [Nuh 22]. Askush, veç Zotit, nuk mund ta përkufizojë madhësinë e intrigave të tyre. Por Ai është Zoti i gjithçkaje, që e kthen atë intrigë kundër tyre. Në këtë kategori bëjnë pjesë të gjithë ata kundërshtues së rrugës së profetëve, të cilët përkrahin rrugën e të kotës dhe luftojnë me çdo mjet për të penguar dhe mbuluar të vërtetën e Zotit. Por le ta dinë se, lufta dhe planet e tyre nuk kanë për t’u sjellë asnjë dobi. Ata nuk mund ta dëmtojnë aspak Allahun, por dëmtojnë veç veten e tyre.

← Ibrahim 14:44