← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

15. Hixhr · Ajeti 39 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 15:16–15:44

Në këto disa ajete flitet për urtësinë dhe fuqinë e pakufishme të Zotit që manifestohet në krijimin e gjithësisë, në krijimin e trupave qiellorë dhe në tokë. Përmendet brezi rrethor i dymbëdhjetë yjësisë që është i mbrojtur, dhe çdo përpjekje e xhinëve për të depërtuar më thellë, goditet me yll të zjarrtë.

Tokën ua kemi bërë të përshtatshme për jetë, duke mundësuar që në të të mbijnë lloje të ndryshme të bimëve prej nga ushqeheni. Furnizimi i çdo gjallese është prej Zotit, pse çdo send është i nxitur prej Tij, e në masë të nevojshme. Erërat janë bartëse të reve, të shiut dhe të bimëve, ngase ato i nxisin retë, i tubojnë, i shpërndajnë dhe prej tyre lëshohet shiu, e te bimët bartin pluhurin e luleve prej njërës në tjetrën dhe ashtu ato formojnë frutat. Madje ligjet e caktuara të Zotit kanë bërë të mundur që një pjesë e ujit të ruhet në tokë e të përdoret sipas nevojës.

Njeriu është krijuar prej dheut të lagur që është baltë, e pasiqë balta është terur ka marrë ngjyrë të errët dhe erë. Exhinët janë të krijuar prej zjarrit dhe janë para njeriut. Melaiket ishin urdhëruar t'i bëjnë sexhde Ademit mënjëherë pasiqë Zoti atë t'a përsosë në fizionomi dhe t'i i japë shpirt. Lidhja gjenitive - idafeti, i shpirtit në Zotin, është për nderim e fisnikëri, vlerësim të shpirtit, e jo si pjesë e Zotit, por krijesë e posaçme e Zotit. Melaiket i bënë sexhde menjëherë, e shejtani që ishte në mesin e rreshtave të melaikeve, por jo edhe melek, bëri mendjemadhësi dhe nuk iu përul urdhërit të Zotit, andaj u përzu, u quajt iblis - i hedhur në mjerim. Iblisi iu lut Zotit t'i japë jetë deri kur të ringjallen njerëzit, e ashtu të shpëtojë, ngase pas ringjalljes nuk ka më vdekje, por Zoti i dha të jetojë deri në prag të kijametit - katastrofës së përgjithshme, e jo deri pas saj.

Shejtani hoqi dorë prej atyre njerëzve, besimtarëve, të cilët i ka ndihmuar Zoti dhe kanë përvetësuar ndjenjën e sinqeritetit, atyre nuk mund t'u afrohet.

Ata që e pasojnë shejtanin do të jenë së bashku me te në xhehenem, e secili do të jetë në atë nivel të dënimit të cilin e ka merituar me vepra të këqija.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 15:39–15:44

- (Iblisi) Tha: “O Zoti im! Për shkak se më çove në humbje, unë do t’ua zbukuroj

ligësinë atyre sa të jenë në tokë dhe do t’i largoj të gjithë nga rruga e drejtë. - Allahu i Lavdëruar na tregon për rebelimin e Iblisit dhe fjalët e tij. Ai tha: “O Zoti im! Për shkak se më çove në humbje...”, - pra, për shkak se Ti më çove në humbje e më largove nga rruga, - atëherë: “... unë do t’ua zbukuroj ligësinë atyre sa të jenë në tokë...” - pra, kam për t’ua zbukuruar e hijeshuar poshtërsitë, duke ua treguar ato si diçka të mirë. Unë do t’i shtyj në mosbindje ndaj Teje dhe kam për t’i joshur fort drejt kësaj rruge, duke i larguar të gjithë nga rruga e drejtë. Domethënë, ashtu siç e përcaktove të më humbasësh e largosh nga rruga e drejtë, edhe unë do t’i devijoj e largoj që të gjithë ata. - Përveç robërve të Tu të sinqertë. - I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Pastaj tha: “A e sheh këtë, që Ti e vlerësove mbi mua? Nëse më jep afat deri në Ditën e Kijametit, unë do t’i devijoj pasardhësit e tij, përveç një pakice.”.” [Isra 62]. Atëherë, Allahu i Lartësuar e kërcënon duke thënë një fjalë të pakthyeshme: - Ai (Allahu) tha: “Kjo (rruga e të sinqertëve) është rruga Ime e drejtë. - Ju do të ktheheni të gjithë tek Unë dhe Unë do të shpërblej gjithësecilin për atë që ka vepruar. Nëse ka bërë të mira, me të mira do të shpërblehet, e nëse ka bërë ligësi, e liga do ta gjejë: “Pa dyshim, Zoti yt u rri në pritë.” [Fexhr 14]. - Mbi robërit e Mi ti nuk ke aspak fuqi... - Tek ata për të cilët e kam lehtësuar e përcaktuar të udhëzohen në rrugën e drejtë, ti nuk aspak fuqi e pushtet, nuk ke asnjë mundësi që t’i devijosh. - përveç mbi të humburit, që vijnë pas teje. - Kjo është një “istithna munkati”, fjali përjashtuese, që nuk ka të bëjë me fjalinë para saj, por është thënë për të sjellë një kuptim të ri. Domethënë, pushteti i tij është i kufizuar veçse mbi ata që i shkojnë pas, në rrugën e humbjes. Ibn Xheriri ka sjellë një hadith nga Abdullah Ibn Mubareku, i cili ka thënë (shkurtimisht): “Një profet, kur donte të merrte lajme e të pyeste Zotin për diçka, dilte jashtë vendbanimit të vet, shkonte në faltore dhe falte namaz, aq sa Allahu dëshironte e ia mundësonte, pastaj e pyeste për atë që donte ta pyeste. Njëherë, kur ai ishte ende në faltoren e vet, i afrohet armiku i Allahut, - Iblisi i mallkuar, - i cili u ul përballë tij në drejtim të Kibles. Profeti tha: “ Eûdhu bil - lâhi minesh -shejtanir-raxhim! (I kërkoj mbrojtje Allahut të më ruajë nga (sherri i) shejtani i mallkuar!)” Armiku i Allahut tha: “Më thuaj, si ia arrin të shpëtosh prej meje?” Profeti ia ktheu: “Jo, më thuaj ti njëherë se me çfarë mënyre ia del që të mposhtësh birin e Ademit.” Këtë e tha dy herë. Atëherë, secili dha fjalën se do të tregonte të vërtetën... (vazhdon hadithi). Atëherë, Profeti tha fjalën e Allahut: “E nëse të ngacmon Shejtani me ndonjë tundim, kërko mbrojtje tek Allahu, sepse Ai dëgjon dhe di gjithçka.” Domethënë, unë çdo herë që ndiej praninë e cytjeve të tua, menjëherë kërkoj (istiâdhe) mbrojtje e strehim tek Allahu, të më ruajë prej teje!” Ndërsa armiku i Allahut tha: “Të vërtetën e ke thënë! Kështu ia del të shpëtosh prej meje!” Atëherë, Profeti i Allahut tha: “Më trego tani, me çfarë mënyre ia del që të mposhtësh birin e Ademit?” Ai tha: “Unë arrij ta mposht atë gjatë zemërimit dhe përmes epshit (përmbushjes së dëshirave të ndaluara).” - Dhe nuk ka dyshim se Xhehenemi është vendi i premtuar për të gjithë ata. - Ky është premtimi për të gjithë ata që ndjekin rrugën e Iblisit, sikurse thotë i Lavdëruari në një ajet tjetër: “E kush mund të krahasohet me atë që mbështetet në argumentin e qartë nga Zoti i tij, i ndjekur nga dëshmues prej tij, me atë që i parapriu Libri i Musait si udhërrëfyes e mëshirë?! Këta e besojnë vërtet atë. Ndërsa për grupimet që e mohojnë atë, Zjarri është vendi i premtuar.” [Hud 17]. Pastaj Allahu i Madhëruar na tregon se Xhehenemi ka shtatë dyer: - Ai ka shtatë dyer dhe çdonjëra prej tyre ka shtegun e caktuar (për gjynahqarët). -

Për çdo portë është përcaktuar një numër ndjekësish të Iblisit. Askush nuk do të ketë mundësi që t’i shmanget asaj. Secili do të hyjë sipas punëve që ka bërë. Allahu na ruajtë nga Xhehenemi! Nga Ibn Abasi përcillet të ketë thënë se Zjarri ka shtatë dyer: “E para është Xhehenemi, pastaj Ledhâ, El Hutameh , El Seir , Sekar, El Xhahim dhe El Hâuijeh .” Edhe nga Ibn Xhurejxhi dhe Ameshi vjen thënie e ngjashme. Nivelet e banorëve të Xhehenemit do të jenë sipas veprave të tyre.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 15:26–15:44

Allahu i Madhëruar na kujton mirësitë e mëdha që i bëri atit tonë, Ademit (a.s), dhe ndodhinë me Iblisin. Përmes kësaj historie, Ai na këshillon dhe na paralajmëron që të jemi të kujdesshëm e të ruhemi nga sherri dhe sprova që vjen prej Iblisit të mallkuar. Kështu, Allahu i Madhëruar thotë: - Ne e krijuam njeriun nga një baltë e ndenjur për një kohë të gjatë, … - Ai e krijoi Ademin (a.s) prej asaj balte që është lënë për një kohë të gjatë të thahet, aq sa ka marrë erë. Kjo krijesë prej balte u tha, aq sa nxirrte zë si një qeramikë e tharë. Ky është kuptimi i “el hameul mesnun”. - ndërsa xhindët i krijuam më parë nga flaka e një zjarri shumë të fortë (e pa tym). - Zoti i krijoi xhindët, domethënë edhe Iblisin, përpara se të krijonte njeriun. Ata u krijuan nga zjarri me nxehtësi shumë të lartë. Kur Allahu i Madhëruar do të krijonte Ademin (a.s), u tha melekëve:

- Zoti yt u tha melekëve: “Unë po krijoj njeriun nga një baltë e ndenjur për një kohë të gjatë.” Kur t’i kem dhënë formë dhe t’i fryj shpirt prej Meje, atëherë ju do t’i përkuleni atij në sexhde.”.. - Pasi të kem krijuar trupin e tij dhe t’i kem fryrë shpirtin, do t’i përkuleni atij në sexhde. Mekekët e zbatuan menjëherë urdhrin e Zotit të tyre: - Kështu, të gjithë melekët së bashku u përkulën në sexhde,… - Allahu i Madhëruar e përforcon këtë informacion me dy elementë gjuhësorë: " të gjithë " dhe " së bashku", për të treguar se asnjë melek nuk kundërshtoi. Me këtë veprim, ata treguan respekt për urdhrin e Zotit të tyre dhe nderim për Ademin (a.s), i cili kishte një dituri, që ata nuk e kishin. - ... Përveç Iblisit, që refuzoi të ishte me ata që u përkulën. - Kjo ishte hera e parë që Iblisi shfaqi urrejtje dhe armiqësi ndaj Ademit dhe pasardhësve të tij. Allahu i Madhëruar i tha Iblisit të mallkuar: - “Ai (Allahu) i tha: “O Iblis! Cila është arsyeja që ti nuk je me ata që bënë sexhde?” Ai (iblisi) u përgjigj: “Nuk më takon mua t’i bëj sexhde një njeriu, që e krijove nga balta e ndenjur për një kohë të gjatë.”. - Iblisi tregoi mendjemadhësi e rebelim ndaj urdhrit të Zotit dhe armiqësi kundër Ademit dhe pasardhësve të tij. Ai tregoi vetëpëlqim për llojin e tij, duke pretenduar se ishte më i mirë se Ademi. Por Allahu i Madhëruar, duke e ndëshkuar për refuzimin e tij, tha: - Ai (Allahu) i tha: “Atëherë dil prej aty, sepse ti je i mallkuar! - Qofsh i dëbuar dhe i larguar nga çdo e mirë! - Dhe mallkimi kundër teje do të jetë deri në Ditën e Gjykimit.”. - Qortimi e poshtërimi do të rëndojnë gjithmonë mbi ty. Do të jesh gjithmonë i larguar dhe i dëbuar nga mëshira e Zotit. Ky ajet dhe të tjerë të ngjashëm dëshmojnë se Iblisi i mallkuar do të vazhdojë të refuzojë besimin në Zot dhe do të jetë i dëbuar nga e mira. - Ai (iblisi) tha: “Zoti im, më jep afat deri ditën kur ata të ringjallen!” - Shejtani i kërkoi Zotit që t’i jepte afat deri në Ditën e Ringjalljes dhe Zoti i tha: - Ai (Allahu) tha: “Po, ke afat, deri kur të vijë dita e caktuar.”. - Plotësimi i kësaj kërkese nuk u bë për të nderuar Iblisin, por si sprovë për atë dhe për njerëzit, në mënyrë që të dalin në pah të sinqertët, që i binden Zotit e jo armikut të tij, nga ata që nuk janë të tillë. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar na këshillon dhe paralajmëron që të jemi të kujdesshëm dhe na i sqaron porositë e Tij për ne. - Ai (iblisi) tha: “O Zoti im! Për shkak se më çove në humbje, unë do t’ua zbukuroj ligësinë atyre sa të jenë në tokë dhe do t’i largoj të gjithë nga rruga e drejtë. - Unë do t’ua zbukuroj në sytë dhe zemrat e tyre këtë botë, duke i bërë që t’i japin përparësi asaj mbi ahiretin. Kështu, ata do të nënshtrohen dhe do të pëlqejnë poshtërsitë. Në këtë mënyrë, do të jetë shumë e thjeshtë që: t’i largoj të gjithë nga rruga e drejtë. Do t’i pengoj dhe devijoj ata nga rruga e drejtë. - Përveç robve të Tu të sinqertë. - Unë nuk do të kem asnjë lloj fuqie ndaj kësaj

kategorie. Këta janë ata që Ti i ke zgjedhur dhe dalluar ndër të tjerë, për t’i pastruar e shpëtuar. Këta i ke pajisur me iman të pastër dhe zemrat e tyre mbështeten vetëm tek Ti. I Madhëruari thotë: - Ai (Allahu) tha: “Kjo (rruga e të sinqertëve) është rruga Ime e drejtë. - Kjo është rruga e drejtë, që të sjell tek Unë dhe në vendin e begatisë Sime. Sinqeriteti ndaj Zotit në adhurim e në mbështetjen e plotë ndaj Tij është çelësi për arritjen e çdo të mire dhe shpëtimin nga çdo e keqe, në këtë botë dhe në tjetrën. - Mbi robërit e Mi ti nuk ke aspak fuqi, përveç mbi të humburit, që vijnë pas teje.” - Ndaj atyre që i binden Zotit, shejtani nuk ka asnjë lloj fuqie për t’i devijuar dhe për t’i humbur. Duke qenë se ata adhurojnë Zotin e tyre dhe zbatojnë ligjin e Tij, i Madhëruari i ndihmon ata kundër shejtanit të mallkuar dhe i ruan prej sherrit të tij. Shejtani ka fuqi vetëm mbi një kategori njerëzish, për të cilët Zoti thotë: "...përveç mbi të humburit, që vijnë pas teje." Këta e zgjedhin me dëshirë shejtanin si mikun e tyre dhe i binden atij, në vend që t’i binden të Gjithëmëshirshmit. Ata janë të humbur (gauin). I humburi ( el gaui) është i kundërti i të udhëzuarit ( el rashid ). Ata të mjerë e njohin të vërtetën dhe e braktisin atë. Kurse ‘ed-dalu’ është ai që e shpërfill të vërtetën, duke mos pasur dijeni dhe as njohuri për të. - Dhe nuk ka dyshim se Xhehenemi është vendi i premtuar për të gjithë ata. - Ky është vendi i premtuar për Iblisin dhe ushtrinë e tij. Në përshkrimin e këtij vendi të tmerrshëm, i Lartësuari thotë: - Ai ka shtatë dyer dhe çdonjëra prej tyre ka shtegun e caktuar (për gjynahqarët). - Portat e Xhehenemit qëndrojnë njëra poshtë tjetrës dhe për çdo portë janë caktuar pasuesit e Iblisit që do të futen aty, në varësi të veprave të tyre. Allahu i Lartësuar thotë: "... çdonjëra prej tyre ka shtegun e caktuar (për gjynahqarët)."

← Hixhr 15:39