← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

15. Hixhr · Ajeti 45 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 15:45–15:76

Pas përshkrimit të gjendjes së mëkatarëve e zullumqarëve në xhehenem, në këto ajete përshkruhet gjendja e fatbardhëve në xhennete plot burime e kënaqësi të tjera, e të pastruar prej veseve si: së mirës, zilisë, ironisë etj., ata jetojnë pa brenga si vëllezër të dashur mes vete. Përveç asaj se ata nuk kanë përse të mundohen e lodhen, nuk kanë as frikë se do të dalin prej aty ose do të vdesin, aty janë përjetë.

Populli i Lutit ishte një ndër popujt më të shëmtuar në sjellje. Kishin sjellje të vrazhdë e shtazarake.

Thuhet se Luti u largua vetëm me dy bijat e veta, ndërsa të gjithë të tjerët u shkatërruan. Luti u urdhërua të ecë pas bijave që ato të mos frikësohen pre ndonjë sulmi U urdhëruan të shkojnë drejt Shamit e në vendin ku ishte Ibrahimi.

Fjala "Mutevestimin", në ajetin: Në këtë ka argumente për ata që mendojnë, ka të bëjë me atë mprehtësi të mendjes me të cilën disa njerëz janë në gjendje ta kuptojnë sendin e fshehtë në bazë të shenjave fizionomike, siç thuhet në hadithin e pejgamberit: "Ruajuni mprehtësisë së besimtarit, sepse ai shikon me dritën që i dhuron Allahut"

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 15:45–15:50

Pasi na tregoi gjendjen e banorëve të Zjarrit, Allahu i Madhëruar vijon të na tregojë për banorët e Xhenetit. Ai thotë: - Ndërsa të devotshmit do të jenë në kopshte, mes burimeve. - Fatlumët do të jenë në kopshte t e mrekullueshme të xhenetit dhe mes burimeve të shumta që rrjedhin mes tyre. Atyre do t’u thuhet: - (Përshëndetja për ta do të jetë:) “Hyni në to, të shpëtuar e të siguruar!” - Hyni në Xhenet “bi selam”, pra, të shpëtuar nga çdo mangësi e dënim dhe duke dëgjuar përshëndetjen me selam. Gjithashtu: “të siguruar”, pra, të sigurt nga çdo lloj frike (Ditën e Gjykimit) dhe të sigurt nga ankthi i nxjerrjes prej Xhenetit, ndërprerjes së mirësive apo zhukjes së tyre. - Dhe Ne do të heqim prej zemrave të tyre çdo ndjenjë urrejtjeje e ata do të jenë si vëllezër në shtretër dhe përballë njëri-tjetrit. - Sunejdi thotë në Tefsirin e tij: “Na ka treguar Ebu Fadalete nga Lukmani, e ky nga Ebu Umame, i cili ka thënë: “Besimtari nuk ka për të hyrë në Xhenet, derisa Allahu t’ia nxjerrë çdo urrejtje që fshihet në gjoksin e tij. Ajo do t’i shkulet prej gjoksit, ashtu si e shkul mishin egërsira e uritur.” Kjo është në përputhje me atë që gjendet në Sahih, transmetimi i Katades nga Ebu Seid el Hudriju, se Profeti i Allahut ka thënë: 1597. “Pasi shpëtojnë nga zjarri i Xhehenemit, besimtarët mblidhen në në një urë me hark (kantara) mes Xhenetit dhe Zjarrit, ku do të gjykohet për mosmarrëveshjet mes tyre në jetën e dynjasë. Vetëm pasi të pastrohen e të largohet prej tyre çdo mangësi e ligësi, atyre do t’u jepet leje të hyjnë në Xhenet.” Ibn Xheriri përcjell nga Ebu Hubejbi, shërbëtori i Talha Ibn Zubejrit, se Imrani, biri i Talhait, shkoi tek Aliu (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) pasi kishte përfunduar lufta e Devesë (ku Aliu luftoi kundër

Talhait, babait të Imranit). Aliu e mirëpriti djalin e Talhait dhe tha: “Unë shpresoj tek Allahu që të më bëjë mua dhe babanë tënd prej atyre, për të cilët ka thënë: “Ne do të heqim prej zemrave të tyre çdo ndjenjë urrejtjeje e ata do të jenë si vëllezër, në shtretër dhe përballë njëri -tjetrit.” Ndërsa Sufjan el Theuriju sjell rrëfimin e Ibrahimit, se: “Ibn Xhermuzi, vrasësi i Zubejrit, kërkoi leje të hynte tek Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ai nuk e lejoi të hynte për një kohë të gjatë, pastaj më vonë e lejoi. Ibn Xhermuzi i tha: “Me ata që shkaktuan këtë bela (luftën e Devesë) duhet të tregohesh i ashpër!”176 Aliu ia ktheu: “Mbushe atë gojë me dhé! Unë shpresoj tek Allahu që të më bëjë mua, Talhain dhe Zubejrin prej atyre, për të cilët ka thënë: “Ne do të heqim prej zemrave të tyre çdo ndjenjë urrejtjeje e ata do të jenë si vëllezër në shtretër dhe përballë njëri-tjetrit.” - Asnjë lodhje nuk do t'i kapë ata - Asnjë vështirësi, vuajtje e lodhje nuk kanë për të përjetuar në Xhenet, ndryshe nga jeta e kësaj bote. - dhe nuk do t'u thuhet kurrë të largohen prej andej. - Në një hadith thuhet: 1598. “Atyre do t’u thuhet: “O banorë të Xhenetit! Ju do të jeni të shëndetshëm dhe kurrë nuk keni për t’u sëmurur! Ju do të jetoni përjetësisht dhe kurrë nuk do të vdisni! Ju do të keni rini të përjetshme e kurrë nuk do të plakeni! Ju do të jeni përjetësisht në të (Xhenet) e kurrë nuk keni për t’u larguar prej tij.” I Lavdëruari thotë: “Nuk ka dyshim se për ata që besojnë dhe bëjnë punë të mira, vendpritës janë kopshtet e Firdeusit . Aty do të jenë përgjithmonë dhe kurrë nuk do të kërkojnë të largohen nga ai .” [Kehf 107, 108]. - Thuaju robërve të Mi se vërtet, Unë jam Falësi i Madh e Mëshirëplotë. Por edhe dënimi Im është dënim i dhembshëm. - Njoftoji robërit e Mi, o Muhamed, se Unë kam mëshirë të madhe, por edhe ndëshkimin e kam të ashpër. Kjo është një nxitje për shpresën dhe frikën ndaj Allahut të Madhëruar. Ibn Xheriri sjell një hadith nga një sahab: 1599. “Njëherë, Profeti doli ndër ne nga porta e bijve të Ebi Shejbes dhe tha: “A nuk po qeshni?” Pastaj vazhdoi të ecte derisa mbërriti tek Guri (i zi i Qabes). Pastaj eci mbrapsht drejt nesh dhe na tha: “Kur dola ndër ju më erdhi Xhibrili dhe më tha: “O Muhamed! Allahu thotë: Përse ua pret shpresat bijve të Ademit? Thuaju robërve të Mi se, Unë jam vërtet Falësi i Madh e Mëshirëplotë.”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 15:45–15:48

Pasi përshkroi se çfarë ndëshkimi të ashpër ka përgatitur për pasuesit e Iblisit, Allahu i Lartësuar përshkruan se çfarë mirësish ka përgatitur për adhuruesit e Tij të dashur: - Ndërsa të devotshmit do të jenë në kopshte, mes burimeve. - Ata nuk do të lodhen dhe nuk do të nxirren kurrë prej tij. Ata janë të devotshmit, të cilët ruhen dhe nuk i binden shejtanit të mallkuar për të bërë gjynahe. Ata do të jenë në kopshte dhe mes burimeve. Këto kopshte janë zbukuruar me të gjitha llojet e pemëve dhe të bimësisë, me fruta të këndshme, të cilat i gjen në çdo kohë dhe pandërprerë. Në çastet e bukura kur të hynë në Xhenet, atyre do t'u thuhet: - “(Atyre do t'u thuhet :) “Hyni në to, të shpëtuar e të siguruar!”” - Aty jeni të shpëtuar nga vdekja, nga gjumi, nga lodhja, nga frika dhe nga shqetësimet. Aty nuk keni për t'u frikësuar se mos ju pakësohen mirësitë. Nuk keni për t'u provuar me sëmundje, dëshpërime dhe me asnjë lloj pakënaqësie dhe shqetësimi. - Dhe Ne do të heqim prej zemrave të tyre çdo ndjenjë urrejtjeje e ata do të jenë si vëllezër në shtretër dhe përballë njëri-tjetrit. - Zemrat tuaja do të jenë të pastra dhe të qeta nga zilia, urrejtja dhe armiqësia. Ato do të jenë të kulluara e brenda tyre do të ketë vetëm dashuri. Allahu i Lartësuar thotë: "... e ata do të jenë si vëllezër në shtretër dhe përballë njëri - tjetrit." Kjo tregon se banorët e Xhenetit mblidhen dhe vizitojnë njëri tjetrin. Ata do të kenë edukatë dhe etikë e lartë në sjelljen

dhe raportet mes tyre. Ata do të qëndrojnë përballë njëri tjetrit, dhe jo me kurriz dhe të pavëmendshëm. Ata do të rrinë të mbështetur dhe të kënaqur, në shtretër të zbukuruar me shtroje të mëndafshta, të stolisur me diamantë dhe gurë të tjerë të çmuar. - Asnjë lodhje nuk do t'i kapë ata dhe nuk do t'u thuhet kurrë të largohen prej andej. - Tek ata nuk do të vërehet asnjë shenjë lodhjeje dhe shqetësimi, as trupor dhe as shpirtëror. Allahu i Lartësuar i ka krijuar tashmë me një jetë të plotë, pa asnjë lloj mangësie, madje: "... nuk do t'u thuhet kurrë të largohen prej andej. Ata do të jenë gjithmonë mes këtyre mirësive.

← Hixhr 15:45