15. Hixhr · Ajeti 94 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 15:77–15:99
Këtu përmendet shkurtimisht rrëfimi për Shuajbin e popullin e tij. "Ejke" quhet vendi ku banoi ai popull, e ishte vend plot pemë të shpeshta, gjithashtu edhe Medjeni ishte vend i tyre.
Si vendbanim i popullit Lut, ashtu edhe i atij të Shuajbit ishin pranë rrugës ku kalonte karvani i tregtisë prej Hixhazit për në Siri. Gërmadhat e atyre vendeve të shkatërruara ishin të dukshme, andaj idhujtarëve u jepej shenjë që të fitojnë përvojë.
"Hixhri" ishte një luginë mes Medinës e Shamit në të cilën kishte banuar populli Themud, te i cili ishte i dërguar Pejgamberi Salih. Ata, për t'i ikur dënimit eventual për të cilin u kërcënohej Salihu, shponin kodrat dhe në to rregullonin shtëpitë e tyre, e mendonin se në to janë të sigurt,por nuk u doli ashtu u shkatërruan me një tërmet me ushtimë të madhe shkatërruese.
E tërë gjithësia dhe të gjitha ngjarjet dhe ndodhitë në të, nuk janë të rastit. Ato janë të krijuara dhe të paralajmëruara sipas një urtësie të madhe të Zotit Krijues. Që të mos përhapej e keqja në tërë botë, Zoti i dënoi disa popuj, por dënimi kryesor dhe i përjetshëm kundër fesatxhinjve do të jetë pas ringjalljes, që pa dyshim do të pasojë pas kijametit.
Muhammedit i thuhet së të është dhënë begatia më e madhe, të është shpallur kaptina Fatiha - Elhami, që sipas një hadithi është kaptina më e madhe në tërë Kur'anin e që nuk ka qenë e shpallur as në Tevratë e as në Inxhil, andaj i thuhet, ti mos u hidhëro, sillu mirë e butë, mos u merr lakmi disave nga idhujtarët që kanë pasuri e fëmijë, hapi krahët përkdhelës për besimtarët si shpendi ndaj zogjve të vet.
E "Muktesiminë" d.m.th.: ndarës. Ndoshta është fjala për jehuditë e të krishterët, të cilët një pjesë të librit e besonin e tjetrën jo. Ndoshta ishte për qëllim ndarja e terrenit të Mekës nga ana e idhujtarëve për t'u folur atyre që vinin aty nga jashtë, se Muhammedi është i çmendur ose magjistar etj. E, qëllimi mund të jetë edhe ndarja e Kur'anit nga ana e idhujtarëve në: poezi, magji, fall dhe kategori të tjera me qëllim rezistence kundër tij.
Pejgamberi ua mësonte Kur'anin njerëzve, duke i thirrur në fenë islame fshehtas derisa iu shpall ajeti 94, i kësaj kaptine, pastaj filloi t'u bëjë njerëzve thirrje haptas që të përqafojnë fenë islame me të gjitha rregullat e saj.
Më të dalluarit idhujtarë, të cilët e përqeshnin Kur'anin dhe Muhammedin ishin nja pesë: Velid bin Mugire, Ass bin Vail, Esved bin Abdi Jeguth, Harith bin Talatil dhe Ebu Zum'a. Allahu ia hoqi qafe të gjithë këta.
Ajeti i fundit urdhëron adhurimin ndaj Zotit sa të jetë njeriu gjallë, pra nuk ka njeri që mund të lirohet prej obligimit me ibadet derisa nuk është liruar as Pejgamberi. Thashethemet se kur arrinë njeriu ta kuptojë mirë të vërtetën, lirohet prej obligimeve fetare, janë shpifje dhe mashtrim, andaj nuk duhet vërë veshin atyre.
Me ndihmën e Allahut, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës "El Hixhru"'. Lavdëruar qoftë Allahu i Madhëruar'
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 15:94–15:99
- Prandaj thuaje haptas mesazhin që të është urdhëruar dhe rri larg idhujtarëve! - Allahu i Lartësuar e urdhëron Profetin e Tij që të kumtojë qartë e me besnikëri mesazhin e Tij dhe që ta zbatojë dhe përhapë atë ndër njerëz. Ai e urdhëron që të përballet me durim me idhujtarët. Ibn Abasi shpjegon: “Domethënë, zbatoje e përhape atë që urdhërohesh!”. Ibn Mesudi ka thënë: “Profeti i ftonte njerëzit në fshehtësi, derisa zbriti fjala e Allahut: “Prandaj thuaje haptas mesazhin që të është urdhëruar ...!” Atëherë, ai doli haptas, së bashku me sahabët e tij. Allahu i Lartësuar thotë: “... rri larg idhujtarëve!” Domethënë, kumtoje e perhape atë që të urdhëron Zoti yt dhe as mos ua hidh sytë idhujtarëve, të cilët duan të të pengojnë nga rruga e Zotit dhe kumtimi i Shpalljes.” Allahu i Lavdëruar thotë në një ajet tjetër: “Prandaj, ti mos u pajto me gënjeshtarët! Ata do të dëshironin që ti të bësh lajka, që edhe ata të bëjnë lajka.” [Kalem 8, 9]. - Nuk ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen... - Mos u frikëso aspak prej tyre! Allahu të mjafton dhe ka për të të mbrojtur nga sherri i tyre. Sikurse thotë i madhëruari: “ O i Dërguar! Përcille me qartësi shpalljen që t’u zbrit prej Zotit tënd! Nëse nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke kryer detyrën! Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve....” [Maide 67]. - Kundër atyre që adhurojnë përveç Allahut zot tjetër. - Hafidh Ebu Bekër el Bezzari sjell nga Enesi shpjegimin e këtij ajeti: 1605. “Njëherë, Profetin e ngacmuan (fizikisht) disa persona. Atëherë, erdhi Xhibrili dhe (mendoj se tha) i shpoi ata që ngacmuan Profetin. Atyre iu krijuan shenja plagësh në trup dhe vdiqën.” Ibn Is’hak përcjell nga Ibn Abasi se ka thënë që: në krye të tyre ishte Uelid Ibn Mugira dhe ishte ai që i mblodhi. Ata ishin 5 vetë, sipas mendimit më të saktë. Ata kishin pozitë të lartë në popullin e tyre. Ata ishin prej fiseve Benu Esed, Zuhra, Mahzum, Sehm dhe Huzâah. - Dhe së shpejti ata do të arrijnë ta kuptojnë. - Ky është një kërcënim i ashpër dhe një paralajmërim i frikshëm drejtuar të gjithë atyre që adhurojnë zot tjetër, përveç Allahut.
- Ne e dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht prej gjërave që thonë ata. - Ne e dimë mirë, o Muhamed, ngushtimin dhe vuajtjet që ti përjeton në shpirtin tënd, për shkak të tyre. Por kjo nuk duhet aspak të të ngadalësojë a pengojë, që të kumtosh të vërtetën e Shpalljen e Zotit tënd! Vetëm Atij mbështetju dhe kërkoji ndihmë, sepse Ai është mëse i mjaftueshëm si Ndihmëtari e Mbështetësi yt kundër tyre dhe Ai do të të bëjë të triumfosh mbi ta. Prandaj angazhohu vazhdimisht e pandërprerë me përmendjen e Zotit. - Por ti madhëroje me lavdërime Zotin tënd e bëhu prej atyre që bien në sexhde! - Ji i vazhdueshëm në përmendjen e Zotit, duke i bërë tesbih, tahmid dhe duke i përkushtuar adhurime të shumta. Allahu i Madhëruar e urdhëroi për të falur namaz, kur i tha: “...bëhu prej atyre që bien në sexhde!”. Në hadithin që sjell Imam Ahmedi nga Nuajm Ibn Hemmari, cit ohet Profeti i Allahut se 1606 “Allahu i Lartësuar ka thënë: “O biri i Ademit! Mos e privo veten nga katër rekate në fillim të ditës, që të të siguroj (nga çdo e keqe) në fundin e saj.”180 [Ebu Daudi dhe Nesaiu]. - Dhe, adhuroje Zotin tënd, derisa të vijë Ora e sigurt (vdekja)! - Buhariu thotë se Salimi ka shpjeguar që: Ora e sigurt është vdekja. Po kështu ka thënë Muxhahidi, Haseni, Katadja etj. Argument për këtë është fjala e Allahut, kur tregon për banorët e Zjarrit.: “ Ata do përgjigjen: “Nuk ishim prej atyre që falnin namaz, nuk ushqenim të varfërit, por përziheshim me të tjerët në vepra të kota. Ne, nuk e besonim as Ditën e Gjykimit, derisa na erdhi (Jakin) e Vërteta e sigurt.””, pra, vdekja. Në një hadith sahih, Ummi el Ala, një grua prej ensarëve, rrëfen: 1607. “Kur Profeti shkoi tek Uthman Ibn Medhuni, që sapo kishte vdekur, ajo tha: “Mëshira e Allahu qoftë mbi ty, o Ebu Sâib! Unë dëshmoj se Allahu të ka nderuar!” Profeti i Allahut tha: “E ku e di ti a e ka nderuar Allahu apo jo?” - “U flijofshin nëna e babai im, o i Dërguari i Allahut! Po kush mund ta dijë?” Profeti i Allahut tha: “Tashmë atij i erdhi jakini (e sigurta) dhe unë shpresoj mirësinë për të.” Me këtë ajet argumentohet se është detyrë që të kryesh namazin e adhurimet e ngjashme me të, për sa kohë e ka mendjen në rregull dhe sipas mundësisë. Ajeti, gjithashtu, është argument kundër mohuesve të besimit, të cilët pretendojnë se, në këtë kontekst, me fjalën jakin është për qëllim siguria që sjell dituria. Sipas këtyre, nëse njeriu arrin gradën e sigurisë së plotë në diturinë e fesë, atëherë për të nuk është më detyrë përmbushja e detyrimeve e adhurimeve fetare. Por, sigurisht, ky është një mendim i kotë dhe i pavërtetë, madje është shprehje e mohimit të besimit të saktë, është devijim i plotë nga rruga e Zotit dhe shprehje e injorancës së thellë në fenë e Tij. Profetët e Zotit dhe shokët e tyre ishin njerëzit më të ditur rreth Zotit dhe për thellësitë e besimit e adhurimit të Tij, më të ditur rreth cilësive të Zotit, përshkrimit të Tij dhe madhërimit e adhurimeve që Ai meriton. E, megjithatë, ata ishin njerëzit që më së shumti i përkushtonin adhurime Atij. Ata ishin të pandërprerë në kryerjen e detyrimeve fetare dhe punëve të mira, të urdhëruara nga Sheriati, deri në fundin e jetës së tyre në këtë dynja. Kështu, këtu është për qëllim vdekja, sikurse sollëm argumentet më sipër. Vetëm Allahut i takon lavdërimi për udhëzimin që na ka dhuruar dhe vetëm tek Ai besojmë dhe i mbështetemi. E lusim të Lartësuarin që të na marrë nga kjo dynja në gjendjen tonë më të mirë dhe me punët tona më të përkryera në kënaqësinë e Tij. Ai është Bamirës e Bujar i Madh. Ky është fundi i shkurtesës së tefsirit të sures Hixhr. Vetëm Allahut, Zotit të botëve, i takojnë të gjitha lavdërimet! 19 / 03 1389 h 04 / 06 / 1969 d
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 15:94–15:99
- Prandaj thuaje haptas mesazhin që të është urdhëruar dhe rri larg idhujtarëve! - Mos iu kushto asnjë rëndësi atyre, madje as mos i shaj e ofendo ata, por përkushtohu tërësisht në çështjen tënde! - Nuk ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen, - Ne të mjaftojmë kundër atyre që tallen me ty dhe me Shpalljen! Ky ishte një premtim nga Zoti për Profetin e Tij, se kurrë nuk do ta dëmtonin ata që talleshin me të. Mjaftonte Allahu si mbrojtës i tij, sepse Allahu do t’i ndëshkonte tallësit me forma të ndryshme. Dhe kështu ndodhi në realitet. Sa herë që dikush tallej me Profetin ﷺ e me Shpalljen e tij, Allahu e godiste me ndëshkimin më të dhembshëm e më poshtërues. Pastaj Allahu i Madhëruar i përshkruan ata mjeranë duke thënë: - Kundër atyre që i shoqërojnë Allahut zot tjetër. - Ata mjeranë, ashtu sikurse shpifin kundër teje, o i Dërguar i Zotit, po ashtu kanë paturpësinë të shpifin për Zotin, duke trilluar se ka zota të tjerë bashkë me Të. Ata e shpërfillin Zotin e vërtetë, ndërkohë që Ai është Krijuesi i tyre dhe Ai që përkujdeset për çështjet e tyre. - Dhe së shpejti ata do të arrijnë ta kuptojnë. - Por më vonë, kur të vijë Kijameti, do ta shohin përfundimin e veprave të tyre.
- Ne e dimë mirë se ti ngushtohesh shpirtërisht prej gjërave që thonë ata. - Mohimi e tallja e tyre me të vërtetën e ngushton zemrën tënde, o i Dërguar, dhe Zoti e di mirë këtë. Dije se Zoti është i Plotfuqishëm që t’i shfarosë dhe t’ua përshpejtojë dënimin që e meritojnë. Allahu i Lartësuar vërtet i afatizon, por kurrë nuk ka për t’i lënë në harresë. Por ti, o Muhamed: - Por ti madhëroje me lavdërime Zotin tënd e bëhu prej atyre që bien në sexhde! - Shpeshtoje kujtimin e Zotit me tesbih e tahmid, me falje namazi e adhurime të tjera. sepse kjo të çliron gjoksin, ta qetëson shpirtin dhe të ndihmon në plotësimin e të gjitha çështjeve të tua! - Dhe, adhuroje Zotin tënd, derisa të vijë vdekja! - Adhuroje Zotin me përkushtim, derisa të vijë vdekja! Në çdo kohë e gjendje, përkushtohu me adhurime që të afrojnë te Zoti. Dhe Muhamedi ﷺ e plotësoi vërtet urdhrin e Zotit. Ai iu kushtua adhurimit, derisa i erdhi ajo që quhet “jakin”, domethënë, e vërteta e sigurt, që është vdekja, dhe shkoi te Zoti i tij. Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi profetin Muhamed e mbi pasuesit e Tij!