16. Nahl · Ajeti 22 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:22–16:29
Të gjitha lutjet, të gjitha adhurimet dhe të gjitha flijimet, të cilat i shprehen dikujt në emër të ndonjë madhërie e shenjtërie, pos Allahut, ato shkojnë huq, por ata që nuk besojnë botën tjetër, e mbajnë vetën lart, nuk duan të pranojnë Zotin para të cilit do të përgjigjen. Mendjelartit nuk duan ta pranojnë Kur'anin shpallje që i erdhi Muhammedit, por e quajnë mit, tregime të kahershme dhe me këtë, ata e ngarkojnë veten përveç me mëkatet e veta, edhe me mëkatet e atyre që i mashtruan, pse mashtruesit ishin pari. Rrënimi i ndërtimeve në themel, është për qëllim rrënimi i intrigave të jobesimtarëve, të cilët u përpoqën ta shuajnë dritën e shpalljes së Zotit, Ata pësuan disfatë në këtë botë, por disfata më e madhe do të jetë në ditën e gjykimit, kur të nënçmuar i fut Zoti në xhehenem dhe i thërret t'i sjellin ata zota që i adhuronin e le t'ju ndihmojnë. Ata qysh në çastin e vdekjes e shohin gabimin e tyre dhe dorëzohen, por është vonë, e vendi i mendjelartëve është xhehenemi.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:22–16:23
- Zoti juaj është një Zot i vetëm (që meriton adhurimet). - Allahu i Lartësuar na njofton se nuk ka të adhuruar tjetër me meritë, veç Tij. Ai është i Vetmi, Një, El Samed, Ai të Cilit i drejtohen, i luten e përgjërohen të gjithë për nevojat e tyre. - Ata që nuk besojnë në Ahiret, i kanë zemrat të mbushura me mohim dhe janë kryeneçë. - I Lartësuari na njofton se zemrat e atyre që nuk besojnë në ringjallje refuzojnë të besojnë në njëshmërinë e Allahut. Ai i përshkruan ata dhe thotë se: “i kanë zemrat të mbushura me mohim ...”. Pra, ata nuk e besojnë Allahun si një të vetëm dhe nuk ia përkushtojnë Atij të gjitha adhurimet. Në ajete të tjera Ai na tregon se ata çuditen me ftesën për të besuar një Zot të vetëm në meritën e adhurimeve dhe e rrefuzojnë me forcë këtë ftesë. Ai thotë: “ A po i zëvendëson zotat me një Zot të vetëm?! Kjo është vërtet, shumë e çuditshme. Paria e tyre i thanë njëri-tjetrit: "Vazhdoni të jeni të qëndrueshëm në adhurimin e zotave tuaj! Sepse kjo (largimi nga feja e të parëve tuaj) është një gjë e kurdisur (kundër jush)." Ne kurrë nuk kemi dëgjuar për diçka të tillë (monoteizëm) nga njerëzit këto kohët e fundit. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse një trillim.” [Sad 5]. Dhe thotë gjithashtu: “Kur përmendet vetëm Allahu, zemrat e atyre që nuk besojnë në jetën tjetër ndiejnë neveri. Dhe kur përmenden të tjerët, përveç Tij, ata gëzohen.” [Zumer 45]. Gjithashtu, i Gjithëdituri thotë që ata “janë kryeneçë.” Përveçse refuzojnë me zemrat e tyre që të besojnë Allahun si një të vetëm, ata tregohen kryeneçë dhe nuk nënshtrohen me gjymtyrët e tyre në adhurimin e Tij si një i Vetëm, sikurse i përshkruan i Lartësuari në një ajet tjetër: “Zoti juaj ka thënë: “M’u lutni Mua, që Unë t’ju përgjigjem! Por ata që, nga mendjemadhësia, i shmangen adhurimit Tim, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”.” [Gafir 60]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Lartësuar thotë: - Nuk ka dyshim se Allahu di gjithçka që ata e fshehin dhe gjithçka që e shfaqin haptazi. Ai nuk i do kryeneçët. - Le të jenë të bindur dhe të mos kenë asnjë dyshim se: “Allahu di gjithçka që ata e fshehin dhe gjithçka që e shfaqin haptazi.” Ky është një mesazh i qartë e paralajmërim i sigurt se Allahu ka për t’i ndëshkuar ata për refuzimin dhe mendjemadhësinë që tregojnë ndaj të vërtetës. Ai ndëshkim do të jetë i plotë dhe i drejtë, sepse sikurse thotë: “Ai nuk i do kryeneçët.”.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:19–16:22
- Allahu di gjithçka që ju e fshihni dhe gjithçka që ju e shfaqni haptazi. - Mirësia e Allahut është e gjerë, Bamirësia e Tij është e pakufishme, dhe Falja e Tij është gjithëpërfshirëse. Po kështu është edhe dituria e Tij. Ai ka përfshirë gjithçka në diturinë e Tij. Ndërsa idhujt që adhurohen veç Tij, nuk janë të tillë. Ata janë të varfër, të dobët e të papushtetshëm. - Idhujt që ata i adhurojnë veç Allahut, nuk mund të krijojnë asgjë sepse edhe vetë ata janë të krijuar. - Ata as nuk mund të krijojnë gjë, as të vogël, as të madhe, sepse edhe vetë janë të krijuar. Si mund të krijojnë diçka, ndërkohë që vetë janë nevojtarë për Zotin dhe ekzistojnë veçse me dëshirën e Tij? Përveç kësaj, ata nuk kanë cilësitë e plota që ka Zoti, si dituria absolute, pushteti etj. Ata janë ashtu, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: - Ata (idhujt) janë të vdekur, jo të gjallë dhe as që e dinë se kur do të ringjallen (krijesat). - Ata nuk dëgjojnë, nuk shohin dhe as logjikojnë. Atëherë, si mund të konsiderohen zota, që t’u përkushtohesh me adhurime si Zotit të botëve?! Mallkuar qofshin ato mendje idhujtarësh, sa të humbur dhe të prishur janë! Si mund të gabojnë në një çështje kaq të dukshme e lehtësisht të kuptueshme?! A nuk e kuptojnë kotësinë e idhujtarisë së tyre?! Si mund të barazojnë atë që është i mangët në çdo aspekt e nuk ka asnjë cilësi përsosmërie e as një vepër madhështore, me Atë që është Absolut në çdo aspekt. Allahu është i përshkruar vetëm me cilësi të plota. Dituria e Tij përfshin gjithçka, pushteti i Tij është i pakufishëm dhe mbi gjithçka, Mëshira e Tij është e gjerë dhe ka mbushur gjithë botët. Po kështu, lavdërimet, madhështia, krenaria e Tij dhe lartësia e Tij janë të pafundme. Asnjë krijesë nuk mund t’i afrohet qoftë edhe një cilësie të Tij, prandaj Allahu është dhe duhet të jetë i vetmi i adhuruar. Ai thotë: - Zoti juaj është një Zot i vetëm (që meriton adhurimet). - Allahu i Madhëruar thotë: "Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm. Allahu është Absoluti (Es -Samed). Ai nuk ka lindur askënd dhe nuk është i lindur (nga dikush). Asgjë (e askush) nuk mund të jetë si Ai.” [Ihlas]. - Ata që nuk besojnë në Ahiret, i kanë zemrat të mbushura me mohim dhe janë kryeneçë. - Ata që i kanë zemrat të mbushura me iman dhe urtësi, e madhërojnë dhe e respektojnë Allahun. Ata e lartësojnë Atë dhe e duan me një dashuri të madhe. Zemrat e tyre i nënshtrohen Allahut duke iu përkushtuar me gjitha mundësitë në kryerjen e adhurimeve trupore e pasurore. Ata e adhurojnë Allahun përmes punëve të zemrës e punëve të gjymtyrëve, të dukshme e të fshehta. Ata e përlëvdojnë shumë Atë, me emrat e Tij të bukur dhe me cilësitë e veprat e Tij të pastra e të pashembullta. Ndërsa zemrat e mosbesimtarëve janë të prishura e nuk mund as t'i kuptojnë këto ndjenja adhurimi për Zotin. Por këtë çështje të rëndësishme e mohojnë veçse krijesat më kryeneçe e të paditura. Njësimin e Zotit në adhurim e refuzojnë veçse zemërprishurit që, siç thotë Zoti: "... janë kryeneçë." Pra, thjesht tregohen kryeneçë e arrogantë e nuk duan të përulen e ta adhurojnë Zotin.