16. Nahl · Ajeti 30 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:30–16:40
Pas përshkrimit të gjendjes së atyre që i mohonin argumentet e Zotit, në këto ajete përshkruhet gjendja e atyre që pranuan shpalljen, se si melaiket u marrin shpirtin, duke u garantuar shpëtim, hyrjen në xhennet, ngase sa ishin në kete jetë bene vepra të mira.
Ndëshkimet që i goditën ata që nuk respektuan udhëzimet e Zotit, ishin meritë e tyre, e jo dhunë prej Zotit. E thënia e tyre se sikur të dëshironte Zoti, ata nuk do të adhuronin idhujt, e as do të ndalonin ngrënien e disa kafshëve sikurse patën ndaluar, është thënie e pavend, pse për të mos adhuruar tjetër dhe për të mos marrë nëpër këmbë dispozitat e Zotit, Ai i dërgoi pejgamberët, të cilët u kumtuan njerëzve se çka pranon dhe çka pelqën Zoti e çka jo, e njëkohësisht njerëzve u mundësoi që ata vetë të zgjedhin. Atëherë, pas dërgimit të pejgamberëve dhe pas udhëzi të shpall përgjegjësia u mbetet vetë njerëzve. Pejgamberit i thuhet se, edhe pas përpjekjeve tua për t'i vënë njerëzit në rrugë të drejtë, disa prej tyre do të mbesin jashtë saj, këtë e ka ditur dhe e di Zoti, andaj të mos brengoset aq shumë Ringjallja nuk është punë e rëndë për Zotin, pse atë që e dëshiron Ai, ajo bëhet menjëherë, edhe pa i thënë: bëhu! Në Kur'an thuhet se i thotë bëhu!, me qëllim që ne ta kuptojmë më lehtë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:30–16:32
- Kur atyre që ishin të devotshëm u thuhej “Çfarë shpalli Zoti juaj?”, ata thoshin: “Shpalli çdo të mirë.” - Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na njofton rreth fatbardhëve të lumtur, gjendja e të cilëve është krejtësisht e ndryshme nga gjendja e të dëshpëruarve të humbur, që refuzojnë shpalljet dhe shpifin duke thënë se Allahu nuk i ka shpallur askujt ndonjë shpallje. Kështu, ata gënjejnë dhe i mohojnë shpalljet e Allahut, duke thënë se janë legjenda e trillime të popujve të shkuar. Ndërsa besimtarët janë fatbardhët, që i pret lumturia. Kur pyeten në lidhje me shpalljet e Zotit, thonë gjithmonë fjalë të mira e me respekt. Kur atyre u thuhet: “Çfarë shpalli Zoti juaj?”, ata thonë se Allahu ka zbritur, nëpërmjet këtyre shpalljeve, mirësi, mëshirë e begati për këdo që beson në ato shpallje me një besim të vërtetë e të sinqertë dhe i pason e jeton sipas tyre. Në vijim, Allahu i Lavdëruar tregon për mirësitë që ka përgatitur për të mirët e besimtarët e sinqertë: - Ata që bënë vepra të mira, edhe në këtë jetë kanë shpërblim të mirë. Por shpërblimi i tyre në jetën tjetër është shumë më i mirë. - Ky ajet i ngjan fjalës së Allahut të Lartësuar: “Kujtdo që bën një vepër të mirë, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, Ne do t’i japim një jetë të mirë (në këtë botë), e (në botën tjetër) do t’i japim shpërblimin më të mirë për veprat e mira.” [Nahl 97]. Pra çdo kush që bën punë të mira në jetën e dynjasë, Allahu i madhëruar ka për ti dhuruar mirësi në dynja dhe në ahiret. Më pas , Allahu i Lavdëruar na njofton në këto ajete se jeta e ahiretit është më e mirë se jeta e dynjase dhe se shpërblimi në ahiret do të jetë shumë më i plotë dhe më i madh se shpërblimet e mirësitë e premtuara në dynja. Sikurse thotë: “ Por, ata të cilëve u ishte dhuruar dituri e vërtetë thanë: “Të mjerët ju! Shpërblimi i Allahut është shumë më i mirë për ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira; por këtë nuk mund ta arrijë askush përveç durimtarëve.”.” [Kasas 80], ose: “Ndërsa për ata që e kanë frikë Zotin e tyre, do të ketë Xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe në të cilët do të jenë përgjithmonë. Kjo është një dhuratë e mrekullueshme nga Allahu. Ajo çka gjendet tek Allahu është më e mirë për punëmirët.” [Al Imran 198]. Ose: “Por ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote, kur dihet se jeta e botës tjetër është më e mirë dhe e përjetshme.” [Ea’la 17, 18]. Allahu i ka thënë Profetit të Tij të dashur: “Bota e ardhshme është për ty shumë më e mirë se kjo e para. Zoti yt do të të japë, e ti do të kënaqesh. ” [Duha 4, 5]. Pastaj duke treguar se sa i pashembullt dhe i mirë është shpërblimi dhe vendi i premtuar për ta, thotë:
- Eh, sa vend i mirë është ai i të devotshmëve! - Në vijim, i Lartësuari e shtjellon më hollësisht ku është ai vend i mutekin-ëve dhe cilat janë disa nga mirësitë e tij. Ai thotë: - Ai (vend i mrekullueshëm) është në kopshtet e Adnit, ku ata do të hyjnë (të lumtur) - Ato janë kopshtet e përjetësisë (Adn-it), ku ata do të hyjnë e qëndrojnë pafundësisht. - e nëpër të cilët rrjedhin lumenj. - Lumenjtë rrjedhin hijshëm mes pemëve, kështjellave dhe vendbanimeve të tyre. - Aty do të kenë gjithçka që dëshirojnë. - Siç thotë i Lavdëruari në një ajet tjetër: “Hyni në Xhenet, ju dhe bashkëshortet tuaja, për tu gëzuar!”Aty do t’u shërbejnë me enë e kupa të arta. Aty ka çdo gjë që shpirti e dëshiron dhe syri e pëlqen. Aty do të jeni të përjetshëm. Ky është Xheneti që ju dhurua për veprat që keni bërë. Aty keni plot fruta, nga të cilat do të hani!” [ Zuhruf 70 - 73]. - Kështu i shpërblen Allahu të devotshmit. - Kështu i shpërblen Allahu ata që besojnë në Të me një besim korrekt, të sinqertë e të vërtetë dhe ruhen nga zemërimi e ndëshkimi i Tij, duke u pajisur me takua dhe duke përmirësuar e rregulluar veprat e tyre. Në vijim, Allahu i Lartësuar na njofton rreth gjendjes së besimtarëve në momentin e agonisë së vdekjes. - Janë ata, të cilëve melekët ua marrin shpirtrat e mirë (e të pastër) duke u thënë: “Selamun alejkum! Hyni në Xhennet, për ato (punë të mira) që keni bërë! - Ai i përshkruan ata duke thënë se janë të mirë ( tajibun) e të pastër nga ndyrësia e shirkut dhe padrejtësive. Melekët i përshëndesin ata me selam dhe u japin lajmin e mirë për hyrjen në Xhenet, siç na tregon i Lartësuari në një ajet tjetër: “S’ka dyshim se atyre që thonë “Allahu është Zoti ynë” dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë, do t’u zbresin melekët(e do t’u thonë): “Mos u frikësoni e mos u pikëlloni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar! Ne jemi miqtë tuaj, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në botën tjetër. Atje ju do të keni atë që dëshirojnë shpirtrat tuaja dhe gjithçka që kërkoni. Kjo është dhuratë nga Ai që është Falës e Mëshirëplotë.” [Fussilet 30 -32]. Më parë kemi përmendur hadithe të shumta që flasin rreth marrjes së shpirtit të besimtarit dhe marrjen e shpirtit të mohuesit, kur folëm në tefsirin e fjalës së Allahut: “Allahu i forcon besimtarët me fjalën e fortë, në jetën e kësaj bote dhe në botën tjetër; ndërsa të padrejtët Allahu i lë në humbje. Allahu bën gjithçka që dëshiron.” [Ibrahim 27].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:30
- Kur atyre që ishin të devotshëm u thuhej: “Çfarë shpalli Zoti juaj?”, ata thoshin: “Shpalli çdo të mirë.” - Pasi përmendi fjalët e jobesimtarëve që mohonin shpalljet, Zoti përmend fjalët e të devotshmëve. Këta të zgjedhur pohojnë dhe e pranojnë me mirënjohje se ajo që Zoti e shpalli është një mirësi e madhe dhe dhunti e jashtëzakonshme, që sjell veç begati. Shpallja është mirësia dhe dhurata më e mrekullueshme, me të cilën Zoti i begatoi robërit e Tij. Të devotshmit e pranojnë këtë mirësi dhe i përgjigjen me mirënjohje dhe nënshtrim. Ata dinë të shprehin mirënjohjen për këtë mirësi dhe nënshtrimin ndaj Atij që ua dhuroi. Fillimisht e njohën me dije të plotë, e pastaj duke punuar, për të kënaqur Zotin, prandaj për ta vjen ky përgëzim: - Ata që bëjnë vepra të mira, edhe në këtë jetë kanë shpërblim të mirë. – Ata kanë arritur ihsan-in, në drejtim të adhurimeve që i përkushtohen Zotit dhe në drejtim të bamirësisë ndaj krijesave. Për këta bamirës, Allahu i Madhëruar thotë: “në këtë jetë kanë shpërblim të mirë”. Mirësitë e premtuara në këtë botë janë: furnizim i gjerë, jetë e këndshme dhe e kënaqshme, qetësi shpirtërore e zemër të mbushur me
prehje, paqe, stabilitet, lumturi e gëzim. Ndërsa premtimi për ahiretin: - Por shpërblimi i tyre në jetën tjetër është shumë më i mirë. Eh, sa vend i mirë është ai i të devotshmëve! - Ajo jetë është shumë më e mirë se kjo botë me të gjitha stolitë dhe kënaqësitë e saj. Kënaqësitë dhe stolitë e kësaj dynjaje janë shumë të pakta dhe shpeshherë të përziera me mangësi e vështirësi. Dhe çka është më e trishtueshme, mirësitë e dynjasë e kanë një fund, sepse vjen dita që zbehen, derisa zhduken me vdekjen. Ndërsa mirësitë e ahiretit janë ndryshe. Ato vazhdojnë përjetësisht dhe çdo ditë që kalon ua shton mirësinë e kënaqësinë. Prandaj i Lartësuari, për të nxitur mallin e besimtarëve për atë jetë të kënaqësisë pa fund, thotë: “Eh, sa vend i mirë është ai i të devotshmëve!"