16. Nahl · Ajeti 34 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:30–16:40
Pas përshkrimit të gjendjes së atyre që i mohonin argumentet e Zotit, në këto ajete përshkruhet gjendja e atyre që pranuan shpalljen, se si melaiket u marrin shpirtin, duke u garantuar shpëtim, hyrjen në xhennet, ngase sa ishin në kete jetë bene vepra të mira.
Ndëshkimet që i goditën ata që nuk respektuan udhëzimet e Zotit, ishin meritë e tyre, e jo dhunë prej Zotit. E thënia e tyre se sikur të dëshironte Zoti, ata nuk do të adhuronin idhujt, e as do të ndalonin ngrënien e disa kafshëve sikurse patën ndaluar, është thënie e pavend, pse për të mos adhuruar tjetër dhe për të mos marrë nëpër këmbë dispozitat e Zotit, Ai i dërgoi pejgamberët, të cilët u kumtuan njerëzve se çka pranon dhe çka pelqën Zoti e çka jo, e njëkohësisht njerëzve u mundësoi që ata vetë të zgjedhin. Atëherë, pas dërgimit të pejgamberëve dhe pas udhëzi të shpall përgjegjësia u mbetet vetë njerëzve. Pejgamberit i thuhet se, edhe pas përpjekjeve tua për t'i vënë njerëzit në rrugë të drejtë, disa prej tyre do të mbesin jashtë saj, këtë e ka ditur dhe e di Zoti, andaj të mos brengoset aq shumë Ringjallja nuk është punë e rëndë për Zotin, pse atë që e dëshiron Ai, ajo bëhet menjëherë, edhe pa i thënë: bëhu! Në Kur'an thuhet se i thotë bëhu!, me qëllim që ne ta kuptojmë më lehtë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:33–16:34
- Mos vallë po presin ata (idhujtarët) diçka tjetër përveç se t’u vijnë melekët (për t’ua marrë shpirtin)ose t’u vijë urdhri (dënimi) i Zotit tënd? - Allahu Lartësuar i kërcënon frikshëm idhujtarët për atë që i pret, nëse ata nuk kthehen dhe nuk besojnë. Mos vallë, presin mohuesit që t’u vijnë melekët e Zotit, për t’u rrëmbyer shpirtrat në agoninë e frikshme të vdekjes? Apo presin që të vijë Kijameti dhe të vijë urdhri i Allahut dhe të përjetojnë ato tmerre të papara e të padëgjuara, që nuk mund të përshkruhen? Allahu i Madhëruar thotë: - Kështu bënë ata që ishin para tyre. - Kështu i bënë shok Zotit në adhurim dhe u zhytën në idhujtari edhe popujt para tyre. Ata vazhduan në atë gjendje, derisa u erdhi ndëshkimi i ashpër i Allahut dhe përjetuan me dhimbje zemërimin e Tij. - “Allahu nuk u bëri padrejtësi atyre...” - Allahu i Lartësuar nuk i bëri asnjë padrejtësi atyre, sepse Ai ua kumtoi qartë të vërtetën dhe u solli argumente të mjaftueshme, për të mos u lënë asnjë justifikim. Këtë ai e bëri duke u shpallur libra të ndritur dhe duke dërguar profetë besnikë e të përkushtuar. - por ishin ata që i bënë padrejtësi vetvetes. - Ata i bënë padrejtësi vetes së tyre, duke i mohuar profetët e konsideruar ata si gënjeshtarë, prandaj i përfshiu ndëshkimi i Allahut. - Ata i goditi ndëshkimi për të këqijat që bënë dhe i përfshiu ai (dënimi i Zotit), me të cilin talleshin. - Ata i rrethoi nga çdo anë dënimi i dhembshëm i Allahut. Këtë e merituan plotësisht, për shkak të talljes, përçmimin shpalljeve të Allahut, mospasimin e tyre dhe mosnënshtrimin ndaj urdhëresave të Zotit. Ata talleshin kur profetët i kërcënonin me ndëshkimin dhe zemërimin e Allahut të Lartësuar. Për ta thelluar edhe më shumë dhimbjen e dëshpërimin e tyre në Ditën e Gjykimit do t’u thuhet: “Ajo ditë është mjerim i madh për mohuesit, të cilët, të zhytur në gënjeshtra, argëtohen. Ditë, kur me rrëmbim, do tërhiqen për në zjarrin e Xhehenemit. Ky është zjarri, që ju e mohonit.” [Tur 14].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:34–16:36
- Ata i goditi ndëshkimi për të këqijat që bënë... - Ata u goditën nga ndëshkimet e shumta, të shkaktuara nga veprat e tyre, që sigurisht sollën pasoja të tmerrshme e të dhimbshme për ata të mjerë. Pa dyshim, veprat e këqija sjellin ndëshkime e lënë pasoja të këqija. - ...dhe i përfshiu ai (dënimi), me të cilin talleshin. - Mbi ta zbriti ndëshkimi, me të cilin talleshin. Sa herë që profetët u tërhiqnin vëmendjen dhe i paralajmëronin për ndëshkimin e Zotit, ata talleshin. Kështu, mbi ta do të godasë pikërisht ai ndëshkim, me të cilin talleshin. - Ata që i bënin shok Zotit thanë: “Sikur të kishte dashur Allahu, as ne e as prindërit tanë nuk do të adhuronim asgjë përveç Tij dhe nuk do të bënim haram asgjë, përveç ndalesave të Tij.” Kështu bënin edhe ata që ishin para tyre. - Idhujtarët shpesh arsyetohen për idhujtarinë e tyre, duke thënë se kjo është dëshira dhe vullneti i Zotit. Ata thonë: “Sikur të donte Zoti, ne nuk do të binim idhujtari dhe as do të bënim haram ndonjë lloj bagëtie që Zoti e ka bërë hallall.” Sigurisht që ky është një justifikim bosh dhe aspak i argumentuar. Nëse ky arsyetim do të ishte me vend, atëherë Allahu nuk do të ndëshkonte asnjë nga popujt e shkuar që bënin idhujtari. Përkundrazi, Ai i ndëshkoi ata me ndëshkimin më të ashpër. Nëse Ai do ta donte idhujtarinë prej tyre, kurrë nuk kishte për t’i ndëshkuar. E si mund t’i ndëshkonte për diçka që Vetë Ai e do?! Por qëllimi i tyre me këto justifikime është thjesht refuzimi i të vërtetës, që e sollën profetët. Në fakt, ata kanë dituri dhe siguri të plotë se nuk kanë asnjë argument bindës për të paraqitur para Zotit. Allahu i Lartësuar i urdhëroi dhe i ndaloi të përgjegjëshmit ligjërisht përmes ligjit e Shpalljes, që solli me profetët. Nga ana tjetër, i pajisi ata me forcë dhe vullnet të mjaftueshëm për të vepruar me dëshirën e tyre të lirë. Kështu, çdokush që argumentohet për mosbindjen e vet përmes caktimit dhe vullnetit të Zotit, në fakt, ka bërë arsyetimin më të kotë dhe të pabazë që ekziston. Çdokush e di dhe dëshmon për faktin se njeriu është tërësisht i fuqishëm dhe i aftë që të bëjë çdo gjë që zgjedh të bëjë, pa e penguar askush. Prandaj ata që sjellin të tilla arsyetime e justifikime tregojnë se janë jo vetëm mohues të Shpalljes së Zotit dhe mesazhit të profetëve, por edhe shkelës të logjikës dhe arsyetimit të shëndoshë. - Por, a mos kanë të dërguarit detyrë tjetër, përveç kumtimit të qartë të shpalljes? - Ai është një sqarim i qartë, i kuptueshëm, që depërton thellë në zemër dhe rreth të cilit askush nuk ka justifikim për të paraqitur para Zotit. Nëse njerëzve u vjen Shpallja e Zotit përmes profetëve, nëse u vijnë ligjet urdhëresat dhe ndalesat e Tij, dhe ata nuk binden e nënshtrohen, duke u arsyetuar me faktin se ky është caktimi e vullneti i Zotit, atëherë le ta dinë se kanë për të dhënë llogari te Zoti. Profetët nuk kanë asnjë çështje në dorën e tyre. - Ne çuam në çdo popull të dërguar, që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun e largojuni shejtanëve!” - Allahu i Lartësuar na tregon se ka sjellë argumente të qarta në çdo popull, nga i pari, deri tek i fundit. Tek të gjithë Allahu ka dërguar profetë, të cilët ishin unanimë në mesazhin e tyre. Ftesa e tyre ishte e njëjtë edhe besimi që predikuan ishte i njëjtë: adhurimi i një Zoti të vetëm si Një dhe i Pashoq. Në varësi të përgjigjes së kësaj ftese, popujt u ndanë në dy grupe. Thotë i Madhëruari: - Por pati nga ata që Allahu i udhëzoi...” - Këta i pasuan profetët qoftë në drejtim të diturisë, qoftë në drejtim të punës dhe të jetuarit sipas kësaj diturie e besimi.
- “dhe pati nga ata që merituan të mbeten në humbje. ” - Këta pasuan rrugën e humbjes dhe të ndëshkimit. - Atëherë, udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve!” - Udhëtoni jo vetëm me trupin tuaj, por edhe me zemrën e mendjen tuaj! Nëse e bëni këtë, do të shihni çudira. Do të shihni e do të bindeni se çdokush që mohoi besimin u ndëshkua dhe pati përfundimin më të hidhur.