يَخَافُونَ رَبَّهُم مِّن فَوۡقِهِمۡ وَيَفۡعَلُونَ مَا يُؤۡمَرُونَ۩
I frikësohen Zotit të tyre që është mbi ta dhe i përmbahen në përpikëri asaj me çka urdhërohen.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Ai grup i vogël i muslimanëve në Meke u torturua dhe u mundua, saqë dy herë u detyruan të ikin e të shkojnë disa prej tyre në Habeshe (Abisini-Etiopi), por madhëria e Zotit u mundësoi më vonë vendosje të mirë e të sigurt në Medinë. Prandaj mundimet e tyre i shpërbleu edhe në dynja, vetëm se shpërblimet në jetën tjetër do të jenë shumë më të mira dhe të përjetshme. Sabri dhe mbështetja në Zotin gjithnjë përfundon me suskes. Për çështjet që nuk i njeh njeriu duhet të pyesi ata që i dinë ato, duhen pyetur dijetarët se çka ka thënë Zoti ose Pejgamberi a.s. përkitazi me ndonjë çështje. Burimi i çështjeve fetare është prej Zotit dhe prej Pejgamberit a.s., e nuk duhet të bazohemi e as të mbështetemi në atë, se çka thotë nga vetvetja dijetari. Mbështetja në thëniet ose në qëndrimet e kujtdo qoftë, përveç Zotit e Pejgamberit a.s. është taklid-imitim, e imitimi nuk është i lejuar. Imitimi i verbër i thënieve e sjelljeve të ndonjë personi kushdo qoftë, e pa u bazuar në argumente është shkak i besimeve të kota, është devijim i principeve fetare dhe është degjenerim i një mase të mashtruar. Kur thotë Zoti, se edhe para teje, para Muhamedit a.s. kemi dërguar njerëz, u thotë jobesimtarëve, urdhëroni dhe pyetni për këtë ata që e dinë Tevratin ose Inxhilin, pra urdhëroni e shikoni, se çka ka thënë Zoti në to. Zoti është Mëshirues, nuk i kap me dënim menjëherë kundërshtarët, iu jep afat të përmirësohen, e nëse nuk duan Ai i ka në Dorë, i dënon kur të dojë.