16. Nahl · Ajeti 56 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:51–16:64
Zoti është një, edhe adhurimi duhet drejtuar vetëm Atij, pse s'ka fe tjetër vetëm atë që Ai e shpalli, pse s'ka sundues të qiejve e të tokës përpos Tij, pra atë duhet respektuar, e jo tjetër.
Të gjitha të mirat që i posedoni, i keni prej Zotit, këtë e dëshmoni edhe ju, pse kur keni ndonjë telashe, i drejtoheni Atij dhe me britmë të madhe kërkoni ndihmën e Tij. Mirëpo, posa çliroheni disa prej jush bëhen përbuzës ndaj të mirave të Zotit ngase i përshkruajnë shok. Madje atyre, idhujve që nuk dinë asgjë, sepse janë trupa të ngurtë, u ofrojnë flijime, e për këtë pa tjetër do të përgjigjen.
Në kohën e xhahilijjetit arabët i urrenin vajzat që u lindnin, e ndienin veten fatzi kur i lindte vajzë dhe hamendeshin: ta linin të gjallë ose ta varrosnin për së gjalli, e megjithatë për melaiket thoshin se janë vajzat e Zotit. Allahu është i pa të meta, Ai nuk ndien nevojë për fëmijë, të metat janë të atyre që shpifin gënjeshtra.
Lavdëruar qoftë Zoti që nuk ndërmerr menjëherë masa ndëshkuese kundër zullumqarëve, përndryshe nuk do të mbetej kush i gjallë mbi tokë, por derisa Ai është fuqiplotë i pavarur, atë masë ndëshkuese e merr kur të dojë, andaj ka caktuar afatin prej të cilit nuk mund të iket.
Punët e këqija ua ka paraqitur si të mira shejtani edhe popujve të tjerë, e Zoti e dërgoi Muhammedin që t'u sqarojë njerëzve çështjet për të cilat ziheshin mes vete dhe t'i kënaq e t'i mëshirojë ata që ndjekin rrugën e drejtë.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:56–16:60
- Nga ajo, me të cilën Ne i furnizuam, ata ndajnë një pjesë për ata (idhujt) që nuk kuptojnë asgjë. - Ajeti na tregon për veprat e shëmtuara të idhujtarëve, të cilët adhurojnë puta e idhuj të shpikur nga vetë ata, pa asnjë argument prej Zotit. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Nga të lashtat e nga kafshët shtëpiake që Ai ka krijuar, ata e ndanin një pjesë për Allahun dhe thoshin: “Kjo është për Allahun, ndërsa kjo është për idhujt tanë”. Por, ajo që ishte për idhujt, nuk duhet të shkonte për Allahun, ndërsa ajo që veçohej për Allahun, mund të shkonte për idhujt e tyre! Sa i shëmtuar (dhe i padrejtë) ishte gjykimi i tyre!” [En’am 136]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu i Lavdëruar betohet në Veten e Vet,
në madhështinë e Tij, se Ai ka për t’i marrë në përgjegjësi për të tilla shpifje. Ai thotë: - Për Allah, ju do të merreni në pëgjegjësi për atë që trillonit! - Ai ka për t’i ndëshkuar ata me dënimin më të plotë në zjarrin e Xhehenemit, për mashtrimet dhe ligjet që vendosin, pa pasur shpallje e argument prej Tij. - Ata shpifin se Allahu ka (si fëmijë) vajzat - I pastër qoftë Ai nga përshkrimet e tyre! - ndërsa për veten e tyre zgjedhin çfarë ua ka ënda (djemtë).”- Idhujtarët shpifën për melekët e Zotit - të cilët janë robër të mirë e adhurues të përkushtuar të Allahut, - duke mëtuar pa asnjë argument se ata janë femra dhe se janë bijat e Zotit. Ata i adhurojnë ata, përveç Allahut. Kështu, ata ranë në një gabim shumë të madh në të trija këto raste.191 I Lartësuari thotë: “A mendoni se meshkujt janë tuajt e të Atij femrat? Atëherë kjo është një ndarje vërtetë e padrejtë.” [Nexhm 21, 22], dhe thotë: “Tani pyeti ata (o Muhamed): “Vallë Zotit tënd i takojnë vajzat, kurse atyre u takojnë djemtë?” Mos vallë Ne i krijuam melekët femra dhe ata ishin dëshmitarë? Vini re se si trillojnë e thonë: “Allahu ka lindur fëmijë.” Nuk ka dyshim se ata janë gënjeshtarë. Mos vallë Ai i ka bërë vajzat më të zgjedhura se djemtë? Ç'është me ju? Si gjykoni kështu? A nuk po mendoni? Apo mos vallë keni ndonjë provë të sigurt për atë që thoni?! Atëherë silleni librin tuaj, nëse thoni të vërtetën! Ata (idhujtarët) kanë trilluar edhe lidhje farefisnore mes Tij dhe xhindeve. Por, xhindet e dinë mirë se ata (idhujtarët) do të jenë në zjarr. I madhëruar qoftë Allahu nga ajo që ata i përshkruajnë.” [Safat 149 - 159] Ndërsa në këtë ajet, Ai thotë: “Ata shpifin se Allahu ka (si fëmijë) vajzat - i pastër qoftë Ai nga përshkrimet e tyre!” I Lartësuar, i Dëlirë e i Pastër nga çdo mangësi dhe e metë është është Allahu. Pastaj i Lartësuari thotë: “...ndërsa për veten e tyre zgjedhin çfarë ua ka ënda (djemtë).” Kështu janë këta të mjerë. Ata refuzojnë për veten femrat si fëmijë, dhe ky është lloji më pak i preferuar ndër ta. Atëherë, si ia atribuojnë Allahut llojin më pak të preferuar të tyre? I Lartësuar qoftë Allahu nga shpifjet e trillimet e tyre! - Kur ndonjëri prej tyre përgëzohet se i ka lindur vajzë, fytyra i nxihet dhe ai mbushet plot dëshpërim. - Kur dikush prej tyre njoftohet me një lajm të tillë, ai nxihet e mbushet me dëshpërim. Ai është i heshtur nga k y dëshpërim, që e kaplon dhe fshihet nga sytë e njerëzve, për shkak të këtij “turpi”, siç e quanin. - Fshihet prej njerëzve për shkak të së keqes që ja njoftuan. A ta mbajë atë, ashtu i turpëruar, apo ta mbulojë atë (të gjallë) në dh é? - Kështu mendon ai. Edhe nëse vendos ta lërë të gjallë, kjo femër kurrë nuk ka për t’u trajtuar me nderim e vlerësim. Ajo do të jetë e përçmuar, pavlerësuar dhe nuk do t’i jepet pjesë në trashëgimi. Ata preferonin meshkujt, të cilët ishin më të vlerësuar e të preferuar ndër fëmijë. Ky ishte reagimi i këtyre njerëzve, kur dikush prej tyre njoftohej për lindjen e një vajze: ose do ta mbanin në jetë, e kështu të mbuloheshin me turp e nënçmim, ose do ta varrosnin atë të gjallë. Allahu i Lartësuar i udhëzon ata që të mendojnë rreth këtij fakti. Atë që ata e urrenin kaq shumë për veten e vet, si ka mundësi të mendonin se i përket Allahut?! Ai thotë: - Sa i keq është gjykimi i tyre! - sa i keq është ky gjykim dhe sa e padrejtë është kjo ndarje dhe kjo pjesë që ata ia përshkruajnë si pjesa e Tij. - Allahu i Lavdëruar ka thënë: “Ata (jobesimtarët) i konsiderojnë disa krijesa (melaiket) si pjesë (vajza)të Tij. Me të vërtetë, njeriu është mohues i hapur. Mos vallë, nga ato që krijoi, Ai zgjodhi për vete vajza, kurse juve ju fali djem?! Kur ndonjëri prej tyre lajmërohet për lindjen e asaj (vajzës) që ia përshkruanin të Gjithëmëshirshmit (si pjesën e Tij) , fytyra i nxihet dhe fryma i zihet. E si mund të jetë vallë (pjesa e Zotit) ajo që rritet me stoli e që kur polemizon ka argumentim të dobët? Edhe melekët, të cilët janë adhuruesit e të Gjithëmëshirshmit, ata (jobesimtarët) pretenduan se janë femra. A
ishin të pranishëm ata në krijimin e tyre?! Dëshmia e tyre do të regjistrohet dhe ata do të merren në pyetje.” [Zuhruf 17]. - Përshkrimi më i keq është për ata që nuk besojnë nëJetën e përjetshme (Ahiret). - Ata e meritojnë të përshkruhen me shembujt me të këqij dhe me mangësi. - Ndërsa Allahut i takon përshkrimi më i lartë. - Ai është i Ploti, Absoluti në çdo aspekt. Atij i takojnë përshkrimet më të plota e të bukura. - Ai është Ngadhënjimtari, i Urti.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:56–16:59
- Nga ajo që Ne u japim, ndajnë një pjesë për ata (idhujt) që nuk kuptojnë asgjë. Betohem në Allahun se ju do të merreni në pëgjegjësi për atë që trillonit! - Allahu i Lartësuar na njofton rreth injorancës dhe padrejtësive të idhujtarëve, të cilët trillojnë e shpifin për Allahun. Ata përcaktojnë blatime e përkushtime edhe për putat dhe idhujt, që as nuk dinë gjë për adhurimin e tyre e as nuk kanë në dorë dëm a dobi, ndërkohë që ato mirësi janë të dhuruara prej Allahut. Ata përdorin rriskun e Allahut për t’i bërë shirk Allahut. Mirësitë e dhuruara nga Zoti ata i japin si dedikim për idhujt e gdhendur dhe të cilët janë veçse pjellë e padrejtësisë së tyre. - Ata shpifin se Allahu ka (si fëmijë) vajzat - I pastër qoftë Ai nga përshkrimet e tyre! - ndërsa për veten e tyre zgjedhin çfarë ua ka ënda (djemtë). - Këta të marrë shpifin dhe thonë se melekët janë bijat e Zotit. Ata gënjejnë kur mëtojnë se këta robër e adhurues të Allahut të Lartësuar janë femra. Kjo është një nga shpifjet e tyre. Nga ana tjetër, për veten e tyre ata zgjedhin si më të mirë fëmijët meshkuj, ndërsa për Zotin shpifin se ka fëmijë të tillë që ata nuk do të donin t’i kishin për veten e vet, domethënë femra. Madje, duke u treguar se sa shumë i urrejnë vajzat për veten, Allahu i Madhëruar thotë: - Kur ndonjëri prej tyre përgëzohet se i ka lindur vajzë, fytyra i nxihet dhe ai mbushet plot dëshpërim. - I nxihet fytyra nga dëshpërimi, për shkak se i ka lindur vajzë. Atij i vjen turp e fshihet nga njerëzit e vet, prej kësaj “gjëme”. Pastaj fillon të mendojë, me atë mendjen e tij të prishur e të poshtër, se çfarë të bëjë me vajzën, që “i zuri derën”. - Fshihet prej njerëzve për shkak të së keqes që ja njoftuan. A ta mbajë atë, ashtu i turpëruar, apo ta mbulojë atë (të gjallë) në dh é? Sa i keq është gjykimi i tyre! - A ta pranojë këtë fakt dhe të jetojë me atë turp, apo ta groposë në dhé të gjallë? Ky ishte krimi i injorantëve para Islamit, për të cilën ka folur Allahu në Kur'an.