← Kthehu te rezultatet për „deveja ne vrimen e gjilperes“

16. Nahl · Ajeti 84 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:75–16:89

Allahu sjell dy shembuj: shembulli i parë ka të bëjë me Madhërinë e Zotit që gjithçka ka në gjithësi është pronë e Tij, furnizon kë të dojë, si të dojë dhe kur të dojë, ndërsa idhujt janë robër dhe vegël e dikujt tjetër e që nuk kanë asgjë në kompetencë. E si mashtrohen disa dhe i adhurojnë ato statuja që puna e tyre nuk është asgjë dhe lënë manash adhurimin e Zotit)

Shembulli i dytë është idhulli që nuk ka mend, nuk flet, nuk ka gjuhë dhe nuk ka kurrfarë dobie prej tij sa prej shurdhmemecit dhe, ai që flet, urdhëron për drejtësi dhe vetë është në rrugën e ndritshme. A mund të jenë të barabartë besimtari i udhëzuar prej dritës së Zotit, me jobesimtarin, i cili duke adhuruar sende të kota ka mbetur në errësirë"

Allahu është Ai që i di të gjitha të fshehtat. Ai ka caktuar momentin e kijametit që vjen shpejt sa çel e mshel sytë. Ai e pajisi njeriun me shqisa e të menduar, e bëri të aftë që të mund ta pranojë shpalljen prej Tij, të mund t'i sigurojë vetes jetë materiale, morale e shpirtërore.

Madhëria e Zotit manifestohet edhe në përgatitjen e shpezëve që ato të mund të qëndrojnë në ajër, në krijimin e kafshëve prej të cilave, përveç ushqimit, përfitojmë edhe petka për veshje e për shtroje siç është leshi i deleve, fijet e qimeve të deveve dhe leshi më i egër i dhive.

Në ditën e gjykimit do të dëshmojë secili pejgamber për popullin të cilit i ka qenë dërguar, e Muhammedi do të dëshmojë së pari për arabët, të cilët e refuzuan, e mandej për të gjithë popujt, ngase është i vetmi pejgamber i dërguar për mbarë njerëzimin dhe për kohë të pakufizuar deri në kijamet.

Kur'ani është sqarues për çdo send që i nevojitet njeriut në fe, në sjellje, në jetë etj., por shpjegimet e Kur'anit janë shpjegime në mënyrë të përgjithshme, e shpjegimet e çështjeve në detaje janë, obligim i Pejgamberit: "Ve ma atakumur resulu f'ehudhu..", i ixhmait: "Ve jetetebië gajre sebilil muminivë...", i kijasit - analogjisë: ja ulil ebsar..." Këto udhëzime të Kur'anit vërtetojnë për katër institucionet e sheriatit, prandaj nuk mbetet vend për thëniet e disave, të cilët thanë së pasi që Kur'ani është sqarues për çdo send, nuk ka nevojë për synet, për ixhma dhe për kijasë.

Ajeti i nëntëdhjetë në këtë kaptinë është ajeti me përmbledhje më të gjerë në tërë Kur'anin, përsa i përket etikës së nevojshme e të domosdoshme për njeriun, ngase urdhëron për çdo të mirë ndalon nga çdo e keqe. Për arsye të domethënies së tij aq të gjerë, dijetarët islamë e panë të nevojshëm leximin e tij para publikut për çdo ditë të xhumasë në fund të hytbes.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:84–16:88

- Atë ditë, kur prej secilit popull do të sjellim dëshmitarë, atyre që nuk besuan, nuk do t'u jepet leje për shfajsim, e as nuk do të kërkohet prej tyre (të arsyetohen). - Allahu i Lartësuar na njofton rreth gjendjes së idhujtarëve në Ditën e Premtimit e në jetën e ahiretit. Ai na tregon se nga çdo popull do të nxjerrë dëshmitarë, e pikërisht profetët që u dërguan ndër ta, që ata të dëshmojnë për popujt ku u dërguan, se si iu përgjigjën ftesës që ata sollën prej Zotit. Atyre nuk do t’u jepet leje e mundësi që të shfajësohen, sepse ata e dinë mirë kotësinë e atyre arsyetimeve dhe e dinë mirë

se ato të gjitha janë gënjeshtra. Sikurse thotë i lartësuari: “ Ajo Ditë është mjerim i madh për mohuesit. Kjo është Dita kur ata nuk flasin, kur nuk u lejohet as që të shfajsohen!” [Murselat 35, 36]. - Kur keqbërësit të shohin dënimin, atëherë as nuk do t’u lehtësohet dhe as nuk do t’u jepet afat. - Bëhet fjalë për ata që bien në idhujtari, duke bërë kështu padrejtësinë më të madhe. Atyre nuk ka për t’iu lehtësuar ndëshkimi aspak dhe as nuk ka për t’iu vonuar, por ka për t’i rrëmbyer ata me shpejtësi që nga momenti i qëndrimit në vendin e gjykimit, duke mos bërë asnjë llogari. Atë ditë do të sillet Xhehenemi i tërhequr me 70 mijë frerë. Për çdo fre do të jenë 70 mijë melekë, që e tërheqin. Në një degëzim të tij, ai do të ngrihet e do të hedhë vështrimin drejt krijesave. Atëherë, ai do të shfryjë me një zë të fuqishëm, që do t’i bëjë të gjithë të bien në gjunjë nga frika. Pastaj, ai do të thotë: “Unë jam ngarkuar që të ndëshkoj çdo tiran të pabindur e inatçor, i cili i ka shoqëruar Allahut shokë e ortakë! Jam urdhëruar të dënoj këtë e atë...” duke përmendur lloje të ndryshme gjynahqarësh dhe të padrejtish, sikurse ka ardhur në hadith. Pastaj Xhehenemi fillon të rrëmbejë ata që përmend, ashtu si i rrëmben zogu kokrat e grurit. Allahu i Lartësuar thotë: “Jo. Ata nuk e besojnë Ditën e Gjykimit. Por Ne kemi përgatitur zjarr flakërues për ata që nuk e besojnë Ditën e Gjykimit. Kur ai (Xhehenemi) t'i shohë ata (mohuesit e Zotit) prej një vendi të largët, ata do të dëgjojnë furinë (e Xhehenemit) dhe zërin e tij (të tmershëm). E kur të flaken në të, në një vend të ngushtë të lidhur në pranga (zjarri), aty do të luten për shkatërrimin e tyre (do luten për t'u asgjësuar) . Këtë ditë, mos u lutni për shkatërrimin vetëm një herë, por lutuni shumë herë!” [Furkan 11 - 14]. Dhe thotë: “Keqbërësit do ta shohin zjarrin dhe do të binden se do të hidhen në të dhe se nuk do të gjejnë shtegdalje prej tij.” [Kehf 53]. Dhe thotë gjithashtu: “Ah sikur ta dinin jobesimtarët (kohën) kur nuk do të mund ta largojnë zjarrin nga fytyrat dhe as nga shpinat e tyre dhe (kur) asnjë ndihmë nuk do t'u vijë atyre! Po, po. Ai (Kjameti) do t’u vijë atyre krejt befas dhe do t’i tronditë ata. Asnjë forcë nuk do të kenë ata ta shmangin dhe as nuk do t'u jepet afat.” [Enbija 39, 40] - Kur idhujtarët do t’i shohin idhujt e vet, do të thonë: “O Zoti ynë, këta janë idhujt tanë, të cilët ne i patëm adhuruar veç Teje.” - Ata idhuj, që ata i adhuronin veç Allahut dhe që aq shumë i shpresonin në jetën e kësaj dynjaje, në Ditën e Gjykimit do të distancohen prej tyre. Pikërisht në ato çaste, kur më së shumti kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje nga dikush për t’i shpëtuar, ata do të distancohen prej tyre. Allahu i Lartësuar na tregon si do t’u përgjigjen ata idhuj në kohën kur ata t’i shohin dhe t’u luten për ndihmë e shpëtim. Ai thotë: - Ata (idhujt) do t'ua kthejnë fjalën e do t'u thonë: “Ju jeni gënjeshtarë.” - Kjo është përgjigja e tyre. Ata do t’u thonë: “Ju jeni gënjeshtarë. Ne kurrë nuk ju kemi urdhëruar që të na adhuroni ne.” Allahu i

Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “Kush është më i humbur se ata të cilët, në vend të Allahut, u luten atyre që nuk mund t’u përgjigjen (edhe sikur t'u luten) deri në Kijamet?! Ata janë të paditur (e të pafuqishëm t'u përgjigjen) për lutjet e tyre. Dhe kur të mblidhen bashkë të gjithë njerëzit (në ditën e Llogarisë),ata (idhujt) do të jenë armiqtë e tyre dhe do t’ua mohojnë adhurimin që u përkushtuan.” [Ahkaf 5, 6]. “Ata adhuruan në vend të Allahut zota të tjerë, për t’u dhënë fuqi e lavdi. Por ata (idhujt) do ta mohojnë adhurimin e tyre dhe do të bëhen armiq të tyre.” [Merjem 81, 82]. “Dhe Ai (Ibrahimi) tha: “Përveç Allahut, ju adhuroni idhujt, vetëm për të kënaqur njëri - tjetrin në jetën e kësaj bote. Por, në Ditën e Kijametit ju do ta mohoni dhe do ta mallkoni njëri -tjetrin. Fundi juaj do të jetë zjarri dhe për ju nuk do të ketë asnjë ndihmëtar.”.” [Ankebut 25]. “ Një Ditë Ai do t'u thotë: “Thirrini (për ndihmë) ata, për të cilët pretenduat se janë shokët e Mi!”. Ata do t'i thërrasin, por (idhujt) nuk do t'u përgjigjen. Ne do të fusim urrejtje (si dënim) mes tyre. ” [Kehf 52]. Ajete të tilla janë të shumta në Kur’an. - Atë ditë ata (idhujtarët) do t'i dorëzohen Allahut - Atë ditë, ata do të poshtërohen e dorëzohen tërësisht para Allahut, të gjithë sëbashku. Të gjithë do të shtiren se tashmë janë të bindur ndaj Allahut. Kjo i ngjan fjalës së Allahut, kur thotë: “Veç sikur të mund t’i shohësh mëkatarët (atë ditë të dëshpëruar) kur, kokëulur para Zotit të tyre, thonë: “O Zoti ynë! Tani pamë dhe dëgjuam. Na kthe edhe një herë (në dynja), që të bëjmë vepra të mira. Tani ne jemi tërësisht të bindur”.” [Sexhde 12]. - dhe ajo që ata trillonin do t'i lërë në baltë. - U zhduk gjithçka që ata adhuronin veç Allahut. U fanitën zotat që ata i trillonin me mendjet dhe zemrat e tyre të prishura. Kështu, atë ditë nuk do të ketë asnjë ndihmës për ta, asnjë shpëtimtar e mik, që t’i strehojë e mbrojë. - Atyre, që nuk besuan dhe penguan nga rruga e Allahut, do t'u shtojmë dënim mbi dënim për shkak se bënin shkatërrime. - Kemi për t’ua shtuar ndëshkimin për mohimin dhe refuzimin e besimit të vërtetë. Përveç kësaj, ata do të shijojnë edhe ndëshkimin për shkak të pengimit të njerëzve nga pranimi i të vërtetës, sikurse thotë Allahu i Lavdëruar duke na treguar padrejtësitë e tyre, për të cilat meritojnë ndëshkimin: “Ata i ndalojnë të tjerët nga ai (Muhamedi) dhe vetë largohen prej atij. Por me këtë, ata shkatërrojnë veç veten e tyre dhe nuk e kuptojnë. Eh, sikur t’i shihje ata, kur të ndalen përpara Zjarrit! Ata do të thonë: “Ah, sikur të ktheheshim (në dynja) ! Atëherë nuk do t'i mohonim argumentet e Zotit tonë, por do të bëheshim besimtarë.”. [En’am 26]. Këta i ndalojnë njerëzit nga ndjekja e të vërtetës, të cilën e kanë refuzuar vetë në fillim. Allahu i Lartësuar tregon: “Melekët do t’u thonë: “Hyni në Zjarr, mes popujve që shkuan para jush - xhinde dhe njerëz.” Sa herë që një popull hyn aty, mallkon atë të mëparshmin. Dhe, kur të gjithë të tubohen në të, grupi i fundit thotë për grupin e parë: “Zoti ynë, janë këta që na çuan ne në humbje, prandaj shumëfishoja atyre dënimin me zjarr!” Ai do të thotë: “Për secilin nga ju dënimi është i shumëfishuar, por ju nuk e dini.”. Pastaj i pari do t’i thotë të fundit: “Ju nuk jeni më të mirë se ne; prandaj shijojeni dënimin, për gjithçka që bëtë!” Nuk ka dyshim se atyre që mohojnë argumentet Tona dhe tregohen kryeneçë ndaj tyre, nuk u hapen dyert e qiellit dhe nuk do të hyjnë në Xhenet derisa deveja të futet në vrimën e gjilpërës. Kështu i shpërblejmë Ne keqbërësit.” [ Ea’raf 38 - 40]. Ky është argument se mohimi i Zotit nuk është i të njëjtit nivel, prandaj dhe mohuesit nuk do të jenë në të njëjtën gradë në dënimin që do të vuajnë. Po kështu, edhe besimtarët nuk do të jenë njëlloj në gradat dhe kënaqësitë në Xhenet. Secili do të përjetojë atë mirësi që do t’u dhurojë Allahu i Lavdëruar, sipas gradës së besimit që kanë pasur në dynja. Allahu i Lartësuar thotë në këtë ajet: “... do t'u shtojmë dënim mbi

dënim, për shkak se bënin shkatërrime.” Pra, ata i meritojnë këto ndëshkime të shumëfishuara, për shkak se ata bëjnë zullum, duke i penguar njerëzit nga e vërteta. Nuk ka shkatërrim më të madh sesa kundërvënia ndaj të vërtetës dhe pengimi i përhapjes së saj ndër njerëz.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:84–16:85

Allahu i Madhëruar përshkruan këtu gjendjen e mohuesve të besimit. Ditën e Gjykimit, Ai nuk ka për të pranuar asnjë shfajësim e arsyetim, që mund të largojë ndëshkimin prej tyre. Atë ditë, edhe aleatët e miqtë më të ngushtë që kanë patur në këtë jetë, do të distancohen prej tyre. Madje, ata vetë, me gojën e tyre do të dëshmojnë se ishin mohues të besimit dhe se gënjenin për fenë e Zotit: - Atë Ditë, kur prej secilit popull do të sjellim dëshmitarë,... - Nga çdo popull do të nxjerrim dëshmitarë, që do të dëshmojnë me drejtësi për veprimtarinë e popullit dhe për çështjen se si iu përgjigjën ftuesit të Zotit në udhën e drejtë. Këta dëshmitarë, sigurisht, do të jenë njerëzit më të pastër dhe më të zgjedhur, profetët e Zotit. Me dëshminë e tyre, do të jepet gjykimi i drejtë nga Zoti. - ... atyre që nuk besuan, nuk do t'u jepet leje për shfajsim, e as nuk do të kërkohet prej tyre (të arsyetohen). - Askujt nuk do t’i jepet mundësi për të nxjerrë shfajësime e justifikime, sepse pas dëshmisë së

pakundërshtueshme të profetëve nuk ka nevojë për asnjë dëshmi tjetër për meritën e ndëshkimit. Atëherë, çdo shfajësim e justifikim është thjesht një mashtrim i kotë, që nuk sjell asnjë përfitim për ta. - Kur keqbërësit të shohin dënimin, atëherë as nuk do t’u lehtësohet dhe as nuk do t’u jepet afat. - Edhe nëse kërkojnë të kthehen në këtë botë, që të rregullojnë atë që kanë shkatëruar, kjo kërkesë nuk ka për t’iu pranuar. Madje, ata as do të arrijnë të shprehin plotësisht keqardhjen, pasi menjëherë do t’i përpijë ndëshkimi i ashpër, i cili nuk ka për t’iu lehtësuar ndonjëherë. Ky ndëshkim do t’i përpijë pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë vonim, që nga momenti që fillojnë ta shohin e vërejnë me sytë e tyre. Kështu do të ndodhë, sepse ata nuk do të merren fare në llogari. Ata nuk kanë pse të merren në llogari, pasi nuk kanë ndonjë të mirë që t’u vlejë atë ditë. Pasi iu paraqiten veprat që kanë bërë në këtë jetë, ata do t’i pranojnë gjynahet, dhe kështu do të poshtërohen para të gjithëve.

← Nahl 16:84