16. Nahl · Ajeti 96 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 16:90–16:101
Betimet e dhëna dhe të përforcuara me emër të Allahut, nuk bën të thyhen. Disa nga fiset arabe pasi që kishin lidhur besën me një fis tjetër, e thyenin atë besë kur gjenin rast të lidhnin besën me një fis tjetër më të madh e më të fortë, pra e thyenin besën e dhënë myslimanëve pse ishin më pak, kurse lidhnin me të tjerët që ishin më shumë. Paska qenë një grua e marrë në Mekë, e cila tjerrin që e kishte dredhur gjatë tërë ditës e prishte në mbrëmje. Zoti i krahason ata që e thyejnë besën me atë grua të marrë.
Të humbur mbesin ata të cilët nuk duan t'i pranojnë mësimet e Kur'anit. Myslimanëve u tërhiqet vërejtja për pasojat e thyerjes së betimit, të cilat do të ndikojnë në I ftohje ndaj islamizmit, nëse myslimani është i tillë që nuk e mban besën. Pra kjo është ajo rrëshqitja në gabim.
Besën e dhënë Allahut dhe të dërguarit të Tij nuk duhet ndërruar për ndonjë fitim të kësaj bote, ngase të mirat e kësaj bote, sado që të jenë të këndshme, janë të përkohshme, kurse të mirat në botën tjetër janë të përjetshme.
Vepra e mirë, e atij që është besimtar, është garanci për një jetë të kënaqur edhe gjatë kësaj jete. Para Zotit shpërblehet njësoj vepra e mashkullit dhe e femrës.
Vesvesja e shejtanit është ndikuese në zemrat e njerëzve, andaj për të qenë zemra e atij që do të lexojë Kur'an e mbrojtur prej vesveses, nevojitet kërkuar mbrojtjen e Zotit, duke thënë: Eudhu bil lahi minesh-shejtanir raxhim.
Zëvendësimi ose ndërrimi i ndonjë ajeti me një ajet tjetër është çështje, e cila i preokupoi mjaft shumë dijetarët islamë. Thuhet se zëvendësimi i një dispozite me një tjetër, është sikurse ndërrimi i barit, i ilaçit gjatë mjekimit të ndonjë sëmundjeje. Shumica dërmuese e dijetarëve islamë janë të mendimit se pati abrogim - nes-hun, në Kur'an. Disa të tjerë, të cilët edhe unë i përkrah, janë të mendimit se nuk ka pasur as nuk duhet të jetë bërë ndonjë zëvendësim. Allahu e di më së miri!
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 16:93–16:96
- Sikur të kishte dashur, Allahu do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai e lë të humbur atë që do dhe e udhëzon atë që do. - Allahu i Lartësuar u drejtohet njerëzve dhe i njofton se, nëse Ai do të dëshironte, mund t’i bënte një popull dhe në një fe të vetme. I Lavdëruari thotë në një ajet tjetër: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do të besonin ata që janë në Tokë që të gjithë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit që të bëhen besimtarë? Asnjë njeri nuk mund të besojë, përveçse me lejen e Allahut. Ndërsa ligësia (e mohimit të Zotit) do të godasë ata që nuk mendojnë.” [Junus 99]. Pra ishte plotësisht e mundur që Ai të vendoste harmoni mes njerëzve dhe atëherë nuk do të kishte konflikte, përçarje, urrejtje e armiqësi mes tyre. I lartësuari thotë gjithashtu: “Sikur të dëshironte Zoti yt, do ta bënte njerëzinë të një feje, por ata do të jenë vazhdimisht duke kundërshtuar, përveç atyre të cilët i ka mëshiruar Zoti yt. Për këtë edhe i krijoi ata. Vendimi i Zotit tënd do të përmbushet: “Unë do ta mbush Xhehenemin me xhinde dhe njerëz bashkë.” [Hud 118, 119]. Njerëzit duhet të jenë të bindur se: “Ai e lë të humbur atë që do dhe e udhëzon atë që do”, me urtësinë e Tij, duke i dhënë gjithkujt atë që meriton. - Pa dyshim, ju do të përgjigjeni për atë që keni bërë. - Ai do t’ju pyesë në Ditën e Kijametit për veprat tuaja dhe çdokujt do t’i japë shpërblimin që meriton, për çdo gjë të vogël e të madhe. 195 Pastaj Allahu i Lartësuar i porosit robërit që të mos i përdorin përbetimet për dredhi e padrejtësi mes tyre dhe i paralajmëron se kjo sjell largimin nga mirësia dhe e drejta. Ai thotë: - Mos i përdorni betimet tuaja për të bërë dredhi mes jush e kështu, t'ju rrëshqasin këmbët nga rruga e drejtë pasi forcimit në të! - Ky është një shembull shumë i frikshëm për atë që është në rrugë të drejtë dhe më pas devijon, pikërisht për shkak të përbetimeve të thyera e të papërmbushura. Madje, kjo shkelje shkakton ligësi e bëhet pengesë për të pranuar besimin e drejtë. Kur mohuesi i besimit të vërtetë sheh që besimtari premton e përbetohet për diçka, dhe pastaj e shkel fjalën e dhënë, ai e humb besimin tek besimtari dhe feja që ai përfaqëson dhe mbart. Kështu, ai nuk nxitet për të pranuar Islamin dhe që ta dojë atë. Për këtë arsye, i Lartësuari jep këtë kërcënim të frikshëm për të tillë vepër: - Kështu ju do të përjetoni (në këtë jetë) të keqen (e merituar) për pengimin e njerëzve nga Rruga e Allahut dhe (në ahiret) do të keni një dënim të madh. - Më pas i Madhëruari thotë: - Mos e shisni besën që i keni dhënë Allahut për një vlerë të paktë! - Kurrë mos shkelni marrëveshjet dhe besën e dhënë, për fitimet e pakta të kësaj bote. Dijeni se ajo që ju pret tek Allahu është shumë herë më e madhe se e gjithë dynjaja, me çka brenda saj . Shpërblimi i Allahut për ata që e besojnë, e shpresojnë dhe synojnë ta kënaqin Atë , i përmbahen marrëveshjeve dhe premtimeve të dhëna dhe e adhurojnë Atë me përkushtim e korrektësi, është shumë më i mirë se e gjithë kjo dynja me gjithçka në të. Prandaj i lartësuari tha: - Ajo që ju pret tek Allahu është shumë më e dobishme për ju, nëse e dini. - Mjafton njohuria rreth mirësive të ahiretit, që ju të mos bini në të tilla gabime, për fitimet e kësaj bote të shkurtër e mashtruese. - Ajo që e keni pranë vetes, është e përkohshme, - pra, zhduket, fanitet dhe do të përfundoojë shumë shpejt. Mirësitë që Allahu ju ka dhënë në këtë botë kanë një afat kur do të përfundojnë. - kurse ajo që është tek Allahu është e përjetshme. - Kurse shpërblimi për përmbushjen e porosive të Allahut do të jetë i përjetshëm e i pafundmë. Ai nuk ka për t’u pakësuar asnjëherë. - Ne do t’u japim durimtarëve shpërblimin më të mirë për atë që bënë. - Ky është betim nga Allahu i Lavdëruar, që vjen me disa elementë përforcues, se Ai do
t’i shpërblejë të durueshmit në mënyrën më të mirë për veprat e tyre, duke i falur e mëshiruar edhe për gabimet e mangësitë e tyre.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 16:96
- Ajo që keni pranë vetes është e përkohshme, kurse ajo që është tek Allahu është e përjetshme. - Jepini rëndësi dhe përparësi asaj që do të mbesë përgjithmonë, e jo asaj që do të zhduket. Të jeni të bindur se gjithçka që keni, edhe nëse është shumë e ju mahnit, ka për të marrë fund e do të zhduket një ditë. Ndërsa ajo që është tek Zoti do të mbesë përgjithmonë. Ashtu si Zoti që është i përjetshëm, edhe ato mirësi të mrekullueshme nuk do të zhduken kurrë. Ai që i jep përparësi kësaj bote të shkurtër e të përçmuar, kundrejt jetës tjetër të përjetshme, nuk është aspak i mençur. Ky ajet ngjan me ajete të tjera, ku Zoti thotë, për shembull: “Por ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote, kur dihet se jeta e botës tjetër është më e mirë dhe e përjetshme.” [El ea’la 16, 17]. Ose: “Ndërsa për ata që e kanë frikë Zotin e tyre, do të ketë Xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe në të cilët do të jenë përgjithmonë. Kjo është një dhuratë e mrekullueshme nga Allahu. Ajo çka gjendet tek Allahu është më e mirë për punëmirët." [Al Imran 198]. Këto ajete janë nxitje për të qenë asketë në këtë botë. Kjo jetë dhe bukuritë e saj nuk duhet të jenë synimi kryesor në zemrat tona. Këtu bëhet fjalë për atë lloj asketizmi që është i detyrueshëm për besimtarin e që nënkupton ruajtjen e zemrës nga ato lloj kënaqësish që janë të dëmshme për njeriun dhe e bëjnë atë të shpërfillë detyrimet me të cilat e ka ngarkuar Zoti i tij. Njeriu e ka detyrë të jetë asket ( zahid) ndaj atyre gjërave që e pengojnë të plotësojë përgjegjësitë ndaj Allahut. Një mënyrë që ndihmon të jesh zahid është të krahasosh kënaqësitë e pakta të kësaj jete me kënaqësitë e përjetshme dhe të shumëfishta të ahiretit. Nëse e shqyrton, do të shohësh një dallim shumë të madh, i cili do të bëjë që t’i japësh përparësi më të mirës. Asketizmi i lavdërueshëm nuk duhet kuptuar si veçim vetëm për të kryer disa adhurime individuale, si namazi, agjërimi, dhikri etj. Zuhd-i i vërtetë është kryerja e të gjitha porosive të Sheriatit të Zotit, që kryhen haptazi dhe fshehtazi. Pjesë thelbësore e zuhd-it është edhe ftesa e njerëzve në fenë e Zotit, me fjalët dhe veprat e tua. Zuhd i vërtetë është ai që e nxit njeriun të plotësohet në çdo aspekt që e bën të dobishëm në sferën fetare dhe atë jofetare, si për veten, ashtu edhe për të tjerët. Ai nxit për të arritur çdo virtyt e vlerë që i sjell mirësi në të dyja jetët. - Ne do t’u japim durimtarëve shpërblimin më të mirë për atë që bënë. - Një e mirë shpërblehet me dhjetëfishin e deri në shtatëqindfishin e saj. Allahu nuk ua humbet shpërblimin atyre që bëjnë mirë.