← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

17. Isra · Ajeti 32 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 17:23–17:39

Pesha e rëndësisë së respektit ndaj prindërve, vërehet në atë se Zoti xh. sh. ka kërkuar menjëherë pas adhurimit ndaj Tij, respektimin ndaj prindërve. Kujdesi ndaj tyre kërkohet sidomos kur ata përjetojnë pleqërinë dhe bëhen të paaftë. Nuk lejohet kurrsesi ndonjë fjalë e rëndë që i prek ata, e veçanërisht kur ajo ka për qëllim hidhërimin e tyre.

Kërkohet kujdes edhe ndaj të afërmve, të varfërve dhe ndonjë të mbeturi në rrugë, e nëse nuk ka njeriu me çka t'u ndihmojë, atëherë ata duhet përcjellë me fjalë të mira.

Shpenzimet e panevojshme janë të ndaluara, e posaçërisht ato të kota që nuk i sjellin dobi askujt, ose ato në rrugë të këqija, sepse me ato shpenzime ndihmohet rruga e shejtanit.

Njeriu nuk duhet të jetë koprrac, por jo edhe tepër shpenzues. Thuhet se një grua e dërgon vajzën e vet të kërkojë nga Pejgamberi herkën - xhyben e tij, e derisa atë nuk e pati, ia dha këmishën e vet, por mbeti ulur në shtëpi dhe nuk mundi të dalë për namaz në xhami. Ky ishte shkaku i shpalljes së këtij ajeti.

Nga frika se do të varfërohen, që do të thotë se ende nuk i kishte kapur varfëria, disa xhahila arabë mbytnin vajzat e posalindura.

Furnizimi (rrizku) është i garantuar prej Zotit, Ai sipas dijes së Vet u jep njerëzve aq sa duhet.

Zinaja - kurvënia është ves i ndytë dhe shtazarak, me pasoja të mëdha.

Kujdestari, trashëgimtari i të mbyturit pa faj, ka të drejtë të kërkojë përmes drejtësisë hakmarrjen: të mbytet — — fajtori, të paguajë gjakun ose t'ia falë. Këtë të drejtë ia ka dhënë Zoti, andaj ai nuk ka të drejtë të tejkalojë kufijtë e drejtësisë.

Ndaj pasurisë së jetimit duhet pasur kujdes, duhet ruajtur atë dhe brenda mundësive edhe duhet shtuar.

Tregtarët kanë përgjegjësi të madhe nëse bëjnë hile në matjen dhe në peshimin e gjësendeve.

Mos thuaj e pashë, pa e parë mirë, e dëgjova ose di pa e ditur mirë, pse për gjithë këtë ke përgjegjësi para Zotit.

Mendjemadhësia është e urrejtur edhe prej njerëzve edhe prej Zotit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 17:32

Duke ndaluar nga imoraliteti, madje edhe t’i afrohesh atij dhe çdo shkaku që të çon në të, Allahu i Lartësuar thotë: - Mos iu afroni imoralitetit! Ai është, vërtet një vepër e shëmtuar - Është një gjynah i madh. - dhe një rrugë shumë e keqe. - Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Umame: 1677. “Një djalosh i ri erdhi tek Profeti dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, me lejo që të bëj imoralitet!” Njerëzit filluan ta qortonin rëndë dhe po i thoshin: “Mjaft, mjaft!” Profeti i tha: “Afrohu!” Ai u afrua shumë pranë. Profeti i tha: “Ulu!” Ai u ul. Profeti i tha: “A do ta dëshiroje këtë gjë për nënën tënde?” - “Jo, - tha ai, - vallahi, o i Dërguari i Allahut! Më bëftë Allahu kurban në vendin tënd!” - “Ja kështu, – tha i Dërgauri, - edhe të tjerët nuk e dëshirojnë për nënat e tyre!” Profeti i tha sërish: “A do ta dëshiroje këtë për vajzën tënde?” - “Jo, - tha ai, - vallahi, o i Dërguari i Allahut! Më bëftë Allahu kurban në vendin tënd.” - “Ja kështu, edhe njerëzit e tjerë nuk e dëshirojnë për vajzat e tyre!” Profeti i tha sërish: “A do ta dëshiroje këtë për motrën tënde?” - “Jo, vallahi, o i Dërguari i Allahut! Më bëftë Allahu kurban në vendin tënd!” - “Ja kështu, edhe të tjerët nuk e dëshirojnë për motrat e tyre.” Profeti vijoi: “A do ta dëshiroje këtë gjë për tezen tënde?” - “Jo, vallahi, o i Dërguari i Allahut! Më bëftë Allahu kurban në vendin tënd!” - “Ja kështu, edhe njerëzit nuk e dëshirojnë për tezet e tyre.” Pastaj i tha: “A do ta dëshiroje këtë gjë për hallën tënde?” - Jo, - tha ai, -

vallahi, o i Dërguari i Allahut! Më bëftë Allahu kurban në vendin tënd!” - “Ja kështu, edhe të tjerët nuk e dëshirojnë për hallat e tyre.” Pastaj Profeti i Allahut vendosi dorën në gjoksin e tij dhe u lut: “O Allah, falja gjynahet, pastroja zemrën dhe ruaja nderin!” Pas kësaj lutjeje, djaloshi nuk u pa më që të hidhte shikimin kund (në haram).”

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 17:32

Vëreni me kujdes! Allahu i Madhëruar na ndalon që edhe t’i afrohemi imoralitetit. Ky ndalim edhe më i fortë sesa thjesht ndalimi nga kryerja e kësaj vepre, sepse kështu ai të pengon nga të gjitha rrugët e veprat pararendëse të imoralitetit, që të shpien tek ai. Marrja e masave për prerjen e rrugëve të zina-së është një veprim i domosdoshëm, sepse Profeti (a.s.) ka thënë: “Ai që kullot afër kufijve të ndaluar pritet që t’i shkelë ato kufij." Sidomos kur bëhet fjalë për këtë lloj vepre, që është nga më të vështirat për t’u përballuar nga njeriu. Allahu i Madhëruar e ka përshkruar imoralitetin si fahishe - poshtërsi ose vepër e shëmtuar, e cila konsiderohet e tillë si në Sheriat, ashtu

edhe në logjikën njerëzore të pastër. Kjo vepër konsiderohet si shkelje e të drejtës së Zotit, të gruas e familjes së saj, shkelje e të drejtës bashkëshortore dhe pastërtisë së shtratit bashkëshortor, prishje e gjakut dhe i përkatësisë farefisnore etj. Allahu thotë gjithashtu: “...dhe një rrugë shumë e keqe." Rruga më e keqe është rruga e atij që guxon të kryejë këtë poshtërsi të madhe.

← Isra 17:32