18. Kehf · Ajeti 19 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 18:9–18:20
Çështja e atyre të strehuarve në shpellë, ishte një nga mrekullitë e Zotit, po jo edhe më e rëndësishmja, sepse në faqet e kësaj bote ka mrekulli që ia kalojnë kësaj.
"Kehf" i thuhet shpellës, e "Rekimë", ndoshta ishte pllaka e gurit në të cilën ishin gdhendur emrat e atyre që u fshehën në shpellë. Ka mendime se kodra, ose lugina ku gjendej shpella quhej Rekimë, ose fshati nga ishin djelmoshat quhej ashtu.
Komentuesit e Kur'anit e përshkruajnë ngjarjen kështu: Njëfarë sunduesi i quajtur Dekijanus, pas kohës së Isait a.s. që sundonte në qytetin Tarsus (tash në territorin e Turqisë), detyronte njerëzit të adhurojnë idhuj, statuja, e çdo njeri që e besonte Zotin një, ai e mbyste. Një grup djelmoshash të moshës shumë të re, vendosin t'i mbesin besnikë fesë së drejtë, andaj bashkohen dhe ikin drejt maleve ku kishte shpella, e rrugës u bashkohet edhe një bari me qenin e vet, e shkojnë e hyjnë në atë shpellë. Në mëngjes, kur dëgjon sunduesi për ikjen e tyre u vihet prapa me ushtri deri te hyrja e shpellës, por asnjë prej tyre nuk pati guxim të hyjë në të, andaj vendosën t'ia mbyllin hyrjen me gurë të mëdhenj e t'i lënë të vdesin nga uria. Pas lutjes që i shprehin Zotit xh. sh. ata i kap gjumi dhe qëndruan fjetur shumë vjet. Si duket hyrja në shpellë ishte nga veriu, andaj nuk i kapte dielli as në mëngjes as në mbrëmje. Qeni kishte vënë kokën mbi dy këmbët e para të shtrira sikur rrinte gati për mbrojtje të menjëhershme. Për të mos u lënduar njëra anë e trupit të tyre, Zoti me fuqinë e Tij i rrotullonte sa në të djathtë e sa në të majtë. Kur u zgjuan nga gjumi ishin uritur dhe menduan se kishin fjetur tërë ditën ose pjesën më të madhe të saj. E dërguan njërin në qytet t'ju blejë ushqim, duke porositur që të mos bjerë në sy e të zbulohet. Kur hyri në qytet, u habit, pse nuk ishte ai që kishte qenë dhe nuk njihte asnjë njeri. E bleu ushqimin e kur ia dha shitësit monedhat e argjendit, ai u habit dhe i tha: Prej nga këto" Aty u grumbulluan i njerëz e po i shikojnë të hollat dhe të habitur i thanë se mos ke gjetur ndonjë thesar të hollash. Ai u betua në Zotin se nuk ka gjetur, por janë të hollat e tyre. Ata i thanë se ato të holla janë të kohës së sundimtarit Dekijanus. Atëherë djaloshi pyeti: Ç'është puna e Dekijanusit" Iu përgjegjën se ai ka vdekur shekuj më parë. Atëherë u tregon për rastin e tyre, e banorët e qytetit e lajmërojnë sunduesin e qytetit i cili ishte besimtar i mirë, Sunduesi së bashku me ushtri e popull shkoi te shpella. Ata në shpellë dëgjuan zhurmën dhe hingëllimën e kuajve e menduan se i ka rrethuar Dekijanusi, andaj u ngritën e po i luten Zotit. Sunduesi hyri brenda, i gjeti duke u lutur, e kur e kryen lutjen, ai i përqafoi që të gjithë dhe i njoftoi se ai e beson një Zot sikurse edhe ata, e se Dekijanusi ishte zhdukur. Dëgjoi fjalët dhe ngjarjen e tyre dhe e kuptoi se Allahu i zgjoi ata për të qenë çështja e tyre një argument për njerëz. Pastaj i zuri gjumi dhe vdiqën, e njerëzit thanë: Do t'u ndërtojmë atyre një faltore aty.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 18:19–18:20
- “Kështu, Ne i zgjuam ata që të mund ta pyesnin njëri -tjetrin (se sa gjatë kishin fjetur).” - Allahu i Lartësuar na tregon se ashtu sikurse i vuri në gjumë ata, Ai i zgjoi dhe i ngriti përsëri, me trupa të shëndetshëm e të padëmtuar. Ata u ngritën me pamjen, flokët, lëkurën dhe çdo pjesë tjetër të trupit të rregullt, pa humbur asgjë prej pamjes së jashtme dhe gjendjes fizike. Por kjo ndodhi pas 309 vjetësh, prandaj dhe ata filluan të pyesnin njëri-tjetrin. - “Njëri prej tyre foli e tha: “Sa keni ndenjur këtu?” - Sa keni ndenjur në gjumë? - “Ata thanë: “Kemi ndenjur (ndoshta) një ditë ose një pjesë të ditës.” - Thanë kështu, sepse kur hynë në shpellë, ishte fillimi i ditës, ndërsa kur u zgjuan ishte pasdite vonë. - “Pastaj thanë: “Zoti juaj e di më së miri se sa keni ndenjur këtu. ” - Allahu është më i ditur rreth çështjes tuaj. Me sa duket, ata patën një lloj mëdyshjeje në lidhje me gjumin e gjatë që kishin bërë. Më pas, ata u morën me diçka që ishte më e rëndësishme për momentin, dhe pikërisht për nevojën që kishin për ushqim dhe pije. Ata thanë: - “Tani dërgojeni njërin prej jush me këto monedha (argjendi) në qytet, që të zgjedhë ushqimin më të mirë dhe t’jua sjellë juve.” - Kur u strehuan në shpellë, ata kishin marrë me vete disa dirhemë argjendi, për ushqime e pije. Qyteti që përmendet i referohet vendit nga i cili ata u larguan, për t’u fshehur. Ata dërguan njërin prej tyre për të shkuar e për të blerë ushqimin më të mirë me ato para. Ata e porositën që të ishte shumë i kujdesshëm kur të futej në qytet, kur të blinte ushqime dhe në kthim. - “Dhe le të ketë shumë kujdes e mirësjellje e të mos i japë të kuptojë askujt për ju!”. - Të jetë i kujdesshëm që të mos zbulohet, sepse nëse e marrin vesh vendndodhjen tuaj, ata kanë për t’ju kthyer në besimin e tyre të gabuar. - “Sepse nëse ata (të qytetit) vijnë te ju, do t’ju vrasin me gurë, ose do t’ju kthejnë në fenë e tyre, e atëherë kurrë nuk keni për të shpëtuar. ” - Nëse ata - domethënë, ithtarët e Dikjanusit, - ju kapin, do t’ju torturojnë, derisa t’ju kthejnë në fenë e tyre ose t’ju marrin jetën. Kujdes, se nëse ktheheni në fenë e tyre, duke mohuar besimin e vërtetë në Zot, atëherë s’keni për të shpëtuar as në dynja dhe as në ahiret.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 18:19–18:20
- Kështu, Ne i zgjuam ata që të mund ta pyesnin njëri -tjetrin (se sa gjatë kishin fjetur). - I zgjuam nga gjumi i gjatë, që ata të gjenin se sa kishte zgjatur qëndrimi i tyre në shpellë. - Njëri prej tyre foli e tha: “Sa keni ndejur këtu?” Ata thanë:”Kemi ndejur (ndoshta) një ditë ose një pjesë të ditës.” - Ky ishte një gjykim. Me sa duket, ata patën mendime të ndryshme për këtë çështje. Duke qenë se kishin mospërputhje, ata thanë: - (Më në fund) ata thanë: “Zoti juaj e di më së miri se sa keni ndejur këtu....” – Ata u kthyen tek Ai që i di të gjitha me hollësi. Mbase, pas kësaj, Allahu i Madhëruar ua bëri të qartë kohën e saktë të qëndrimit. Fillimisht, Ai i bëri që të diskutonin mes njëri -tjetrit për këtë. Pasi dhanë mendimet e tyre me aq sa dinin dhe nuk arritën në përfundim të qartë, pa dyshim që Zoti do t’ua ketë treguar të vërtetën. Kjo përkon edhe me urtësinë e Tij në zgjimin e tyre nga ai gjumë i thellë, sepse Allahu nuk e bën diçka kot dhe pa urtësi. Gjithashtu, Allahu është i mëshirshëm me ata që kërkojnë diturinë rreth gjërave të domosdoshme për t’u mësuar dhe bëjnë ç’të munden për arritjen e këtij qëllimi. Prej mëshirës së Tij, Ai ua jep këtë dituri atyre që hulumtojnë dhe e kërkojnë. Kjo kuptohet edhe nga fjala e Tij: “Dhe kështu bëmë, që ata të zbuloheshin e që të kuptohet se premtimi i Allahut është i sigurt dhe se Kijameti pa dyshim që do të
ndodhë." [Kehf 21]. Populli e dinte mirë gjendjen e tyre, prandaj ata do të shërbenin si argument për ringjalljen. Pasi diskutuan dhe pyetën njëri -tjetrin rreth kohës sa qëndruan, ata dërguan njërin prej tyre që t’u sillte ushqim, madje më të shijshmin dhe më të mirin: - Tani dërgojeni njërin prej jush me këto monedha (argjendi) në qytet, që të zgjedhë ushqimin më të mirë dhe t’jua sjellë juve. Dhe le të ketë shumë kujdes e mirësjellje e të mos i japë të kuptojë askujt për ju! – Ata e porositën shokun për të qenë i kujdesshëm që mos binte në sy, sepse kjo do të përbënte rrezik të madh për ta, siç thanë më pas: - Sepse nëse ata (të qytetit) vijnë te ju, do t’ju vrasin me gurë, ose do t’ju kthejnë në fenë e tyre, e atëherë kurrë nuk keni për të shpëtuar. - Ata ishin mes dy kërcënimeve: ose të ekzekutoheshin duke u goditur me gurë nga populli i tyre, dhe kjo do të ishte një vdekje e dhimbshme, ose të ktheheshin në idhujtari, dhe kështu të shkatërronin këtë botë dhe fenë e tyre. Nga këto ajete nxjerrim mësime të shumta, disa prej të cilave janë: - Nxitja për kërkimin e diturisë dhe hulumtimin e saj, sepse Allahu i rizgjoi ata për të pyetur e hulumtuar për çështje që u interesonin. - Është prej edukatës që, nëse nuk di diçka, t’ua lesh në dorë të diturve dhe të mos e kalosh cakun. - Lejohet të ngarkosh dikë ( el uekale ) për kryerjen e shitblerjes, ashtu siç lejohet edhe pjesëmarrja kolektive (el sherikeh) në të. - Lejohet zgjedhja e ushqimeve më të shijshme dhe më të mira, por me kusht që të mos teprohet e shpërdorohet. Në ajet thuhet: “Dërgojeni njërin prej jush me këtë monedhë argjendi në qytet, që të zgjedhë ushqimin më të mirë dhe t’jua sjellë juve.” Ky lejim është edhe më i fortë nëse bëhet fjalë për dikë që mund të hajë veçse të tillë ushqim të zgjedhur dhe të shijshëm. Me sa duket, në këtë ajet janë bazuar shumë mufesirinë, që janë të mendimit se ata të rinj ishin bij mbretërish e pasanikësh, pasi ata urdhëruan që t’u sillnin ushqimin më të mirë dhe më të shijshëm. Atëherë, ishte në zakonin e të pasurve që ta zgjidhnin ushqimin. - Nxitja për t'u fshehur dhe për t’u mbrojtur nga çdo sprovë që të dëmton në fenë tënde. Lejimi i fshehjes së besimit për veten dhe vëllezërit, në rastet kur përbën rrezik për jetën dhe besimin. - Dashuria dhe prirja e fortë e këtyre djemve për fenë e Zotit dhe besimin e pastër. Ata braktisën gjithçka vetëm e vetëm për ta ruajtur të pacenuar besimin e tyre. - Analiza e dëmeve që sjell e keqja dhe mosbesimi është shumë e rëndësishme. Ajo bën që e keqja dhe mosbesimi të urrehen dhe të shihen ashtu siç janë në realitet. Analiza e së keqes dhe mosbesimit dhe vënia në dukje e ligësive dhe dëmeve që ato sjellin është nga punët më të mira, që e kanë bërë besimtarët më të hershëm dhe të mëvonshëm. Kështu vepruan ata të rinj kur thanë: “Nëse ata kuptojnë për ju, do t’ju vrasin me gurë, ose do t’ju kthejnë në fenë e tyre, e atëherë nuk keni për të shpëtuar kurrë.” [Kehf 20].