إِنَّهُمۡ إِن يَظۡهَرُواْ عَلَيۡكُمۡ يَرۡجُمُوكُمۡ أَوۡ يُعِيدُوكُمۡ فِي مِلَّتِهِمۡ وَلَن تُفۡلِحُوٓاْ إِذًا أَبَدٗا
Pse, nëse ata (të qytetit) kuptojnë për ju, do t'ju mbysin me gurë, ose do t'ju kthejnë në fenë e tyre, e atëherë kurrë nuk keni për të shpëtuar.*
Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Çështja e atyre të strehuarve në shpellë ishte një nga mrekullitë e Zotit, por jo edhe më e rëndësishmja, sepse në faqet e kësaj bote ka mrekulli që ia kalojnë kësaj. “Kehf ” i thuhet shpellës, e “Rekim”, ndoshta ishte pllaka e gurit në të cilën ishin gdhendur emrat e atyre që u fshehën në shpellë. Ka mendime se kodra, ose lugina ku gjendej shpella quhej Rekim, ose fshati nga ishin djelmoshat quhej ashtu. Komentuesit e Kuranit e përshkruajnë ngjarjen kështu: Një farë sunduesi i quajtur Dekijanus, pas kohës së Isait a.s., që sundonte në qytetin Tarsus (tashti në territorin e Turqisë), i detyronte njerëzit të adhurojnë idhuj, statuja, e çdo njeri që e besonte Zotin një, ai e vriste. Një grup djelmoshash të moshës shumë të re vendosin t’i mbesin besnikë fesë së drejtë, prandaj bashkohen dhe ikin drejt maleve ku kishte shpella, e rrugës iu bashkohet edhe një bari me qenin e vet, e shkojnë e hyjnë në atë shpellë. Në mëngjes, kur dëgjon sunduesi për ikjen e tyre iu vihet prapa me ushtri deri te hyrja e shpellës, por asnjë prej tyre nuk pati guxim të hyjë në të, prandaj vendosën t’ia mbyllin hyrjen me gurë të mëdhenj e t’i lënë të vdesin nga uria. Pas lutjes që i shprehin Zotit xh. sh. ata i kap gjumi dhe qëndruan fjetur shumë vjet. Si duket hyrja në shpellë ishte nga veriu, prandaj nuk i kapte dielli, as në mëngjes, as në mbrëmje. Qeni kishte vënë kokën mbi dy këmbët e para të shtrira sikur rrinte gati për mbrojtje të menjëhershme. Për të mos u lënduar njëra anë e trupit të tyre Zoti me fuqinë e Tij i rrotullonte sa në të djathtë e sa në të majtë. Kur u zgjuan nga gjumi ishin të uritur dhe menduan, se kishin fjetur tërë ditën ose pjesën më të madhe të saj. E dërguan njërin në qytet t’ju blejë ushqim, duke porositur që të mos bjerë në sy e të zbulohet. Kur hyri në qytet ai u habit, pse nuk ishte ai që kishte qenë dhe nuk njihte asnjë njeri. E bleu ushqimin e kur ia dha shitësit monedhat e argjendit, ai u habit dhe i tha: Prej nga këto? Aty u grumbulluan njerëz e po i shikojnë të hollat dhe të habitur i thanë, se mos ke gjetur ndonjë thesar të hollash. Ai u betua në Zotin, se nuk ka gjetur, por janë të hollat e tyre. Ata i thanë se ato të holla janë të kohës së sundimtarit Dekijanus. Atëherë djaloshi pyeti: Si është puna e Dekijanusit?- Iu përgjigjën, se ai ka vdekur shekuj më parë. Atëherë u tregon për rastin e tyre, e banorët e qytetit e lajmërojnë sunduesin e qytetit, i cili ishte besimtar i mirë. Sunduesi së bashku me ushtri e popull shkoi te shpella. Ata në shpellë dëgjuan zhurmën dhe hingëllimën e kuajve e menduan, se i ka rrethuar Dekijanusi, prandaj u ngritën e po i luten Zotit. Sunduesi hyri brenda, i gjeti duke u lutur, e kur e kryen lutjen, ai i përqafoi