18. Kehf · Ajeti 29 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 18:21–18:31
Ngjarja e as-habi kehfit është një argument i qartë dhe i prerë për mundësinë e ringjalljes dhe të tubimit para Zotit, ngase Ai që mund t'i zgjojë ata pas gjumit shumë të gjatë, është i plotfuqishëm t'i ringjallë njerëzit pas vdekjes së tyre, e pas kijametit. Tash aty është e ndërtuar një xhami mu në hyrjen e shpellës.
Në kohën e Pejgamberit tonë bëhej bisedë rreth numrit të tyre, por të gjitha ato biseda ishin të pabazë, andaj i thuhet Pejgamberit që të mos polemizojë me ithtarët e librit rreth numrit të tyre, është mjaft kjo që po të rrëfehet në Kur'an. Ibni Abasi thotë se ata ishin shtatë, ashtu kuptohet edhe nga Kur'ani.
Për asnjë çështje që ke ndërmend ta kryejsh në të ardhmen, mos thuaj: Do ta bëjë, pa thënë: In shaell-llah, e nëse harron në atë moment, thuaje më vonë. Shkak i zbritjes së këtij ajeti ishte: Pejgamberi qenka pyetur për as-habi kehfin, e ai paska thënë: Nesër u jap përgjigjen: mirëpo iu paska ndërprerë shpallja pesëmbëdhjetë ditë dhe qenka ngushtuar shumë Pejgamberi. Atëherë i shpallet ky ajet dhe e mëson se si duhet thënë ai dhe besimtarët në rastet e këtilla.
Paria kurejshite ishin tubuar te Pejgamberi dhe i kishin thënë: Largoj këta farë varfanjaksh prej teje, sepse neve po na vjen nënçmim të ulemi së bashku me ta, e aludonin në Hababin, Bilalin, Suhajbin, Selmanin, e atëherë do të vijmë ne paria e të tubohemi pranë teje, e nëse ne e pranojmë fenë islame, do ta pranojnë të gjithë të tjerët, andaj ose largoj ose caktona neve një vend, kurse atyre një vend tjetër. Pejgamberit i shkoi mendja të bëjë diçka ashtu me shpresë se paria do ta pranojë fenë islame, por Zoti ia tërhoqi vërejtjen dhe i tha: Lexo çka po të shpallet dhe përkufizohu me besimtarët e sinqertë, hiqu atyre që janë dhënë pas epshit e luksit të kësaj bote. Kush të dojë le të besojë, e kush jo, le të mos besojë, por tregoj për vendin e zullumqarëve në xhehenem dhe për të besimtarëve bamirës në xhennet. Edhe në kaptinën "En amë" është përmendur qëndrimi i parisë kurejshite, por këtu është thënë në mënyrë më të theksuar.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 18:29
Allahu i Lartësuar i drejtohet Profetit të tij të dashur Muhamedit ﷺ dhe i thotë: - “Dhe thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, ndaj kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. ” - Kjo fjalë duhet kuptuar sigurisht si një kërcënim dhe paralajmërim i ashpër. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar thotë më pas: - “Për jobesimtarët, Ne kemi përgatitur një zjarr, muret e të cilit do t'i rrethojnë ata, ...” - Ne kemi përgatitur zjarr për të padrejtët dhe keqbërësit. Këta janë mohuesit e Allahut, Profetit dhe Shpalljes, që ai solli ndër njerëz. Allahu i Madhëruar thotë për zjarrin: “muret e të cilit do t'i rrethojnë ata...” Ibn Xhurejxhi sjell shpjegimin nga Ibn Abasi: “Domethënë, ata do të rrethohen nga mure prej zjarri.” - “... nëse kërkojnë shpëtim, do t'u jepet një lëng (i nxehtë) , si bakër i shkrirë, që do t'ua përvëlojë fytyrat. ” - Ibn Abasi shpjegon se: el muhl është një lëng i trashë, njëlloj si llumi në fund të vajit. Ai është i zi, me erë shumë të shpifur, i trashë e viskoz dhe tmerrësisht i nxehtë.” Allahu i Lartësuar thotë: “... do t'u jepet një lëng (i nxehtë), si bakër i shkrirë, që do t'ua përvëlojë fytyrat.” Domethënë, prej nxehtësisë së madhe, kur mohuesi e afron te goja për ta pirë, nxehtësia e tij ia përvëlon fytyrën, aq sa i bie lëkura e fytyrës. - “Sa e tmershme është ajo pije! ” – Ajo është pija më e keqe që ekziston. Allahu i Lartësuar thotë në një ajet tjetër: “... A mund të konsiderohen këta njëlloj me ata që do të rrinë përgjithmonë në Zjarr, ku etja do t’u shuhet me ujë të valë, që ua copëton zorrët?!” [Muhamed 15]. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Sa vend i keq është ai!”. - Zjarri është është vendqëndrimi dhe vendtubimi më i shëmtuar dhe i tmerrshëm, që ekziston, siç thotë Allahu i Madhëruar në një ajet tjetër: “Shumë i keq është, vërtet ai (Xhehenemi), si vendbanim dhe vendqëndrim.” [Furkan 66].
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 18:29–18:31
- Dhe thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj... - Thuaju njerëzve, o Muhamed, se Kur’ani është e vërteta e sigurt e sjellë nga Zoti juaj. Tashmë është qartësuar udha e drejtë nga humbja, e vërteta nga gënjeshtra. Tashmë janë të qarta cilësitë e të lumturve dhe cilësitë e të dëshpëruarve. Të gjitha këto Allahu i Madhëruar i qartësoi përmes Shpalljes që ia dha të Dërguarit të Tij. Duke qenë se të gjitha këto janë bërë të qarta, atëherë ju nuk duhet të kini asnjë dyshim rreth së vërtetës dhe duhet të bëni zgjedhjen e drejtë. Zgjedhja është në dorën tuaj. - ... e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. - Këto janë dy rrugët e vetme që njeriu mund të zgjedhë. Suksesi varet nga Zoti. Një gjë është e sigurt: Allahu i Madhëruar i dha njeriut vullnet të mjaftueshëm që të zgjedhë lirisht e brenda mundësive të tij ose imanin, ose kufrin, ose të mirën, ose të keqen. Nëse zgjedh besimin
e drejtë, atëherë atij do t’i lehtësohet rruga drejt së mirës dhe së vërtetës. E nëse e refuzon ftesën e Zotit, atëherë ai nuk do të ketë asnjë arsyetim e justifikim para Zotit. Askush nuk e detyron që të besojë, sikurse thotë i Madhëruari: “Nuk ka detyrim në fe. Është sqaruar e vërteta nga e kota. Kush e braktis tagut-in dhe beson në Allahun, ai është kapur pas lidhjes më të fortë, e cila kurrë nuk këputet. Allahu dëgjon e di gjithçka. Allahu është Mbrojtësi (i dashur) i atyre që besojnë dhe i nxjerr ata prej errësirave në dritë. Për ata që nuk besojnë, kujdestarë janë shejtanët, të cilët i nxjerrin ata prej drite, për t'i futur në errësira. Këta janë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përjetësisht.” [Bekare 256, 257]. Atëherë, kuptoje mirë! Kur Allahu thotë: “…kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë!", kjo nuk do të thotë që njeriu është i çliruar nga detyrimet dhe përgjegjësia, sido që të veprojë. Përkundrazi, kjo duhet kuptuar si kërcënim i ashpër nga Zoti për atë që zgjedh mohimin, pasi i është sqaruar plotësisht e vërteta. Gjithashtu, është gabim të kuptohet nga ky ajet se duhet të heqësh dorë nga lufta kundër atyre që nuk besojnë. Pastaj i Madhëruari përmend përfundimin e të dy grupeve: - Për jobesimtarët, Ne kemi përgatitur një Zjarr muret e të cilit do t'i rrethojnë ata, - Këta kanë qenë të zhytur në padrejtësi të shumta, duke filluar nga mohimi i Zotit, mosbindja ndaj Tij dhe shkelja e kufijve të Tij. Për këta, Allahu ka përgatitur një zjarr të madh, muret e të cilit rrethojnë jobesimtarët. Ata nuk mund të gjejnë asnjë hapësirë për të shpëtuar, sepse zjarri përvëlues i mbështjell nga çdo anë. - e nëse kërkojnë shpëtim, do t'u jepet ujë (i nxehtë) si bakër i shkrirë që do t'ua përvëlojë fytyrat. - Ata kërkojnë ujë, për të shuar etjen e madhe, që ua copëton grykën dhe barkun. Por për të shuar etjen, atyre u jepet: “…ujë si katran, që përzhit fytyrën.” Pra, ai është si plumb i shkrirë ose vaj i përvëluar, për shkak të nxehtësisë së madhe të tij. Aq i nxehtë është, saqë Allahu thotë: “…ua përzhit fytyrën.” Vetëm afshi i tij i nxehtë ua përvëlon fytyrën, kur afrohen. Atëherë, si mendon se do t’ua bëjë zorrët dhe barkun, kur ata ta gëlltisin?! Allahu thotë: “…atyre që nuk besojnë, u qepen rroba prej zjarri e u hidhet ujë i valë mbi koka. Me atë u shkrihet gjithçka që u gjendet në bark dhe lëkurat." [Haxh 19, 20]. - Sa e tmershme është ajo pije! - Kjo është pije shumë e keqe për të shuar etjen dhe për të larguar pak ndëshkimin. Jo vetëm që nuk ua largon etjen, por do t’ua shtojë edhe më shumë dhimbjen dhe ndëshkimin. - Sa vend i keq është ai!”. - Zjarri është një vend shumë i keq për të gjetur qetësi dhe çlodhje. Atje nuk ka çlodhje e qetësi, por ka dënim shumë të madh e rraskapitës, që nuk pakësohet e as lehtësohet asnjë çast. Ata qëndrojnë atje të pashpresë dhe kurrë nuk shohin ndonjë të mirë. Atë vend dhe banorët e tij i ka lënë të braktisur Mëshirëploti, ashtu sikurse ata e harruan Atë dhe braktisën besimin në Të. Pastaj pëmendet grupi i dytë: - Le ta dinë Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, se Ne nuk do ia humbim shpërblimin atij që është bamirës. - Këta fatlumë kanë dy cilësi të domosdoshme. Së pari, ata kanë një besim të saktë e të drejtë. Ata besojnë Allahun, në melekët, librat dhe profetët e Tij, Ditën e Gjykimit dhe caktimin e së mirës dhe së keqes vetëm prej Tij. Ata i besojnë këto shtyllat e besimit ashtu si duhen besuar. Gjithashtu, ata bëjnë vepra të mira duke e adhuruar Zotin përmes riteve të detyrueshme dhe ato të pëlqyeshme. Allahu i Madhëruar thekson se ata “bëjnë vepra të mira”. Vepër e mirë është ajo që plotëson dy kushte: Të bëhet duke synuar kënaqësinë e Allahut. Të bëhet sipas porosive dhe Shpalljes së Allahut. Këto lloj veprash janë të mira, të cilat Zoti nuk i humbet. Përkundrazi, Ai do t’i ruajë ato dhe do t’ua japë të plotë shpërblimin. Në varësi të përpjekjeve të tyre dhe sinqeritetit, ata marrin nderimin dhe mirësitë nga Zoti.
- Ata e kanë vendin në Xhenetin e Adnit, nëpër të cilin rrjedhin lumenj. Ata do të stolisen me byzylykë floriri dhe do të veshin rroba të gjelbra prej mëndafshi të hollë e të trashë (të qëndisur) . Atje do të qëndrojnë të mbështetur në shtretër (të lartë). – Për ata që kanë besim korrekt, sinqeritet dhe vepra të mira, janë premtuar kopshte të larta, të mbushura me pemë. Aq të dendura janë ato pemë, saqë i fshehin e mbulojnë tërësisht banorët poshtë tyre. Të shumtë janë edhe lumenjtë që rrjedhin nëpër ato pyje e kopshte të dendura. Ato rrjedhin pranë pemëve të hijshme dhe pranë ndërtesave të larta. Stolitë e banorëve do të jenë prej floriri të kulluar, ndërsa veshjet do t’i kenë prej mëndafshi jeshil, të trashë e të hollë. Ata do të qëndrojnë të zbukuruar e të mbuluar me rroba shumë të bukura. El eraik janë shtretërit e stolisur dhe me mbulesa shumë të shtrenjta e të veçanta. Në përmendjen e faktit se ata qëndrojnë të mbështetur në shtretër të zbukuruar, kuptohet se ata janë në rehati të plotë dhe janë të çliruar tërësisht nga çdo lloj lodhjeje e pakënaqësie. Shërbëtorët vrapojnë mes tyre për t’u shërbyer gjithçka që dëshirojnë. Këto lloj kënaqësish bëhen edhe më të bukura nga fakti se do të jenë të përjetshme dhe gjithmonë në shtim e zbukurim. Për këtë vend, Allahu thotë: - Sa shpërblim i mrekulleshëm! Sa vend i bukur është ai! - Sa i mirë është shpërblimi i vepërmirëve. Ai është vendi më i mirë ku mund të qetësoshesh dhe të gjesh kënaqësinë dhe lumturinë. Atje do të kënaqen me gjithçka që ua kënaq shpirtin dhe sytë. Shpirtin e kanë të mbushur me lumturi, që kurrë nuk largohet. Sytë u qeshin dhe shprehin kënaqësinë që përjetojnë në çdo çast. E çfarë vendi mund të jetë më i mirë se ky, që ka mirësi e kënaqësi të përjetshme?! Më i pakëti në pasuri atje është një njeri i cili edhe sikur të udhëtonte mes pyjeve, kopshteve e kështjellave të tij për një mijë vjet nuk do t’i kalonte dot të gjitha. Ai do të lumturohet dhe do të mendojë se nuk ka më të lumtur se ai. Atij i plotësohen të gjitha ato që ka ëndërruar të ketë. Madje, edhe kur ëndrrat e dëshirat mbarojnë, Allahu i shton të tjera, që besimtari as i ka menduar ndonjëherë. Pas gjithë këtyre, mirësitë e kënaqësitë vazhdojnë të shtohen e zbukurohen çdo ditë që besimtari kalon në Xhenet. E lusim Allahun Bujar që të mos na privojë nga mirësitë e Tij të shumta, për shkak të sherrit dhe ligësive të veprave tona të mangëta dhe gjynaheve. Nga ajeti kuptohet se stolitë e arta në Xhenet do të përdoren nga femrat dhe nga meshkujt. Kjo vlen edhe për mëndafshin. Në një ajet tjetër thuhet: “Atje do të stolisen me rrathë të artë dore dhe do të veshin rroba të gjelbra prej mëndafshi të hollë e të trashë.” Po kështu thuhet edhe në një hadith të saktë.