18. Kehf · Ajeti 39 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 18:32–18:44
Shembulli i dy njerëzve: njëri pasanik, po jobesimtar, e tjetri besimtar më i varfër, ka të bëjë me parinë kurejshite, e cila krenohej me pasuri e pozitë dhe nënçmonte besimtarët e varfër.
Ai që i kishte ato kopshte aq të mira, që sipas përshkrimit që u bën Kur'ani, ishin fantastike, por pronari i tyre as nuk e besonte Zotin fuqiplotë, as nuk falënderonte për ato begati dhe mburrej e krenohej ndaj atij fqinjit të vet që ishte më i dobët, si në pasuri, ashtu edhe në familje e farafis. Madje, ai mendonte se edhe nëse do të ekzistojë bota tjetër, ai do të jetë më i privilegjuar. Fqinji besimtar i tërhoqi vërejtjen, duke ia përkujtuar krijimin e tij në etapa të njëpasnjëshme, mandej e këshilloi që ta falënderojë Zotin për ato të mira që i kishte më shumë se të tjerët. Më në fund i tërhoqi vërejtjen se mund të ndodhë ndonjë fatkeqësi e të mbetet pa ato të mira. Dhe, vërtet, ngjau ashtu, një breshër i madh shkatërroi çdo gjë në kopshtet e tij, e kur e pa ai, prej së keqi rrah shuplakë dhe e mjeron veten pse u mashtrua, pse iu rrit mendja dhe nuk iu mbështet Zotit, e as nuk e falënderoi. Kështu, pra, çka dëshiron Zoti ajo bëhet, pa ndihmën e Tij nuk mund të arrihet sukses, andaj për çdo çështje duhet kërkuar ndihmën e Tij.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 18:37–18:41
Allahu i Lartësuar na tregon se shoku besimtar i dha një këshillë këtij mohuesi të mirësive. Ai e qortoi atë në lidhje me mosbesimin tek Allahu, vetëpëlqimin dhe mashtrimin nga të mirat e kësaj dynjaje: - “Shoku i vet (besimtar) - duke e qortuar - i tha: “A e mohove Atë që të krijoi nga dheu, pastaj nga një pikë uji dhe pastaj të bëri njeri të plotë?” - Si është e mundur që të refuzoni Zotin tuaj, Krijuesin tuaj, ndërkohë që argumentet e Tij janë të qarta dhe të pakundërshtueshme. Çdo njeri është i bindur në vetvete dhe i njeh mirë argumentet që dëshmojnë për të Madhërish - min. Të gjitha krijesat e dinë që dikur nuk kanë ekzistuar dhe e kuptojnë që, shkak për ekzistencën e tyre nuk mund të jetë kurrsesi një krijesë, e cila edhe ajo vetë - njëlloj si gjithë krijesat e tjera - nuk ka ekzistuar
dikur. Nga kjo vetëkuptohet se ekzistenca e krijesave i njihet vetëm Krijuesit. Ai është Allahu dhe nuk ka të adhuruar tjetër me meritë veç Tij. Ai është Krijuesi i gjithçkaje dhe çdo gjë tjetër, veç Tij është krijesë. Për këtë arsye, besimtari e kundërshtoi me forcë mohimin e shokut të tij dhe tha: - “Por unë besoj se Allahu është Zoti im dhe unë nuk i bëj shok Zotit tim askënd.” - Unë nuk do të flisja kurrë ashtu siç flet ti. Unë dëshmoj dhe besoj bindshëm se Allahu është i vetëm në krijimin, zotërimin, pushtetin dhe sundimin e Tij mbi gjithçka, si dhe në meritën e adhurimit. Ai është i vetmi i Adhuruar, i Cili nuk ka ortakë, nuk ka të barabartë me Të në meritën e adhurimit. - “Përse nuk the kur hyre në kopshtin tënd: “Çfarë do Allahu bëhet! S’ka fuqi pa ndihmën e Allahut!”. - Kur hyre në kopsht dhe u kënaqe me atë mrekulli që pe, përse nuk e lavdërove Allahun e Lartësuar?! Ti duhet ta përlëvdoje Zotin, sepse Ai ta ka dhuruar. Ti duhet të jesh mirënjohës për të gjitha begatitë që Zoti të ka dhuruar: pasurinë, fëmijët, shërbëtorët dhe ata që punojnë për ty. Përse kur i pe të gjitha këto të mira, nuk the: “ Mâ shâellâh, l â ku-uete il-lâ bil-lâh.” (Çfarë do Allahu bëhet dhe s’ka fuqi pa ndihmën e Allahut!)?!” Në një hadith sahih, Ebu Musa përcjell se Profeti i Allahut i tha njëherë atij: 1 733. “A të tregoj për një nga thesaret e Xhenetit? Ai është: “Lâ ĥaule ue l â ku-uete il-lâ bil-lâh” (Nuk ka ndryshim të gjendjes dhe nuk ka forcë veçse me ndihmën e Allahut!)”. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - “Edhe pse me sheh se unë kam më pak pasuri dhe fëmijë sesa ty, unë pres që Zoti im të më japë diçka më të mirë se kopshti yt.” - Unë nuk e vë në dyshim jetën tjetër, madje shpresoj se atje Zoti im do të më japë më shumë të mira, sesa kopshti dhe mirësitë e tjera, që ti i ke këtu. Përveç kësaj: - “Ndërsa për kopshtin tënd pres ndonjë fatkeqësi nga qielli e ai të gdhijë i rrafshuar.” - Unë pres që, mbi këtë kopsht dhe të mirat e tua, për të cilat ti pandeh se nuk kanë për t’u zhdukur kurrë, Zoti të dërgojë ndonjë fatkeqësi nga qielli, ndonjë rrebesh shiu, që të shkulë nga rrënjët të gjitha bimët dhe pemët që ndodhen në të, derisa të mbetet një vend i shkretë dhe ranor, ku të rrëshqet edhe këmba. - “Ose t’i shterojë uji dhe ti mos e gjesh më kurrë.” - Uji të zhduket thellë në tokë, aq sa të mos kesh asnjë pikë për të ujitur të mbjellat. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Më tregoni, nëse uji juaj humbet në thellësi, kush do t’ju sjellë juve ujë në sipërfaqe?!” [Mulk 30]. Pra, kush do t’ju sjellë juve ujë të rrjedhshëm mbitokësor?!
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 18:39–18:44
- Përse nuk the kur hyre në kopshtin tënd: “Ma shaell-llah, la ku-uete il-la billah.” – "Çfarë do Allahu bëhet, s’ka fuqi pa ndihmën e Allahut.". Edhe pse me sheh se unë kam më pak pasuri dhe fëmijë sesa ty, unë pres që Zoti im të më japë diçka më të mirë se kopshti yt! – O mohues i Zotit, edhe pse më sheh që jam më i varfër në pasuri dhe fëmijë, dije se ajo që gjendet tek Zoti është më e mirë dhe e përjetshme. Mirësitë dhe bujaria e shpresuar nga Allahu është më e mirë se e gjithë bota dhe ç’ka në të. Por kjo mirësi arrihet veçse me iman dhe Islam. Me këtë gëzohen të mençurit dhe të urtët. - Ndërsa për kopshtin tënd pres ndonjë fatkeqësi nga qielli e ai të gdhijë i rrafshuar.” Frikësohu, se për shkak të padrejtësisë dhe vetëmashtrimit, Zoti mund të dërgojë në kopshtet e tua ndonjë goditje nga qielli dhe t’i shndërrojë në djerrina, me pemë të thata dhe fruta të shkatërruara. - Ose t’i shterojë uji dhe ti mos e gjesh më kurrë. - Edhe uji mund të zhduket thellë në tokë, që ti të mos kesh asnjë mundësi për ta nxjerrë jashtë me asnjë mjet. Kjo ishte një lutje kundër mohuesit, që besimtari e bëri në shenjë zemërimi për shkeljen e të drejtës së Zotit prej mohuesit. Besimtari u lut për shkatërrim të atyre kopshteve, që e çuan atë njeri në vetëmashtrim e padrejtësi. Mbase kjo lutje mund të bëhej shkak që ai të kthehej i penduar te Zoti dhe të hapte sytë e të shihte të vërtetën dhe rrugën e drejtë. Dhe Allahu i Madhëruar iu përgjigj lutjes së tij: - Dhe kopshtet e tij u shkatërruan vërtet. – Kopshtet i goditi një ndëshkim përfshirës, që i shkatërroi plotësisht, me pemë, fruta e të gjitha. Dëshpërimi i pronarit të tyre qe shumë i madh. - Ai përplaste shuplakat për shpenzimet që kishte bërë në to. Ato u shkatërruan që në rrënjë, prandaj ai thoshte: “O i mjeri unë, sikur të mos i kisha bërë shok Zotit tim!” - Ai u dëshpërua shumë, sepse kishte shpenzuar shumë në të, e tani ishte shkatërruar tërësisht. Ai ndjeu keqardhje edhe për veprimin e tij të keq, sepse tha: “O i mjeri unë, sikur të mos i kisha bërë shok Zotit tim!” - Atij nuk i doli ndonjë krah, që ta ndihmonte nga dënimi i Allahut, ndërkohë që edhe vetë nuk mundi ta ndalonte. - Më herët, ky i lëvdohej shokut duke thënë: “Unë kam pasuri dhe krah ndihmës më shumë sesa ti.” Por tani, të gjithë ata mbështetës u zhdukën dhe askush nuk iu gjend pranë kur i erdhi ndëshkimi. Ata e tradhtuan pikërisht në momentin kur kishte më shumë nevojë për ta. E si mund të dilte i fituar ai mbi caktimin e Zotit?! Kur Zoti vendos për diçka, askush nuk mund ta shmangë, edhe sikur të mblidhen gjithçka gjendet në qiej dhe në tokë. Megjithatë, mëshira e Allahut është e madhe, prandaj nuk është çudi që ai njeri të jetë penduar dhe të jetë përmirësuar. Ka mundësi që Allahu t’ia ketë mundësuar pendimin dhe t’ia ketë larguar arrogancën nga zemra. Kjo kuptohet se ai shfaqi keqardhje për shirkun dhe se Allahu ia kishte larguar shkakun e arrogancës dhe të shfrenimit. Gjithashtu, kur Allahu i dëshiron të mirën dikujt, ndodh që ia jep ndëshkimin që në këtë jetë dhe ia
kursen në ahiret. Bujaria e mirësia e Allahut është shumë e madhe, saqë logjika e njeriut nuk mund ta konceptojë plotësisht. Vetëm i padrejti nuk e pranon këtë fakt. Në ajetet e mësipërme, Allahu i Madhëruar na tregoi se Ai e zbret ndëshkimin mbi ata që kalojnë kufijtë dhe i japin përparësi jetës së kësaj bote. Ai na mësoi gjithashtu, se nderimet e mirësitë u jepen atyre që kanë besim të pastër, bëjnë të mira, tregojnë mirënjohje për Allahun dhe i ftojnë edhe njerëzit në këtë rrugë të mbarë. Në të gjitha këto mësime tregohet se mbështetja dhe ndihma e vërtetë është ajo që vjen nga Allahu i Madhëruar. Kjo është ndihma e vetme që duhet shpresuar dhe që duhet të kujdesesh për ta arritur, prandaj Allahu thotë: - Në të tilla sprova ndihma vjen vetëm nga Allahu, Zoti i Vërtetë . Ai është më i miri shpërblyes dhe Ai jep përfundimin më të mirë. - Dije se, nëse beson Allahun e Madhëruar dhe je i devotshëm ndaj Tij, atëherë je ndër ata që Ai do t’i ndihmojë e mbrojë me dashurinë e mëshirën e Tij, do t’i nderojë me bujarinë e Tij me shpërblime të pamata dhe do t’i shpëtojë nga çdo sprovë në këtë botë. Ndërsa ai që nuk beson Allahun dhe nuk i lë çështjet në dorën e Tij, ai është i mjerë dhe ka për të dështuar në të dyja jetët. Ai që është i urtë e kupton se ajo çfarë ofron Zoti është shpërblimi më i madh që mund të shpresohet. Ky shpërblim arrihet veçse me besim, devotshmëri dhe duke ia besuar Zotit çështjet e tua. - Në këtë ajet nxitemi për të nxjerë mësime nga gjendja e atij të mjeri, të cilit Allahu i pati dhënë shumë mirësi të kësaj bote. Por ato, në vend që të bëheshin shkak që ai të tregohej mirënjohës dhe adhurues i Zotit, e bënë atë që të hutohej në dëfrime dhe të harronte ahiretin, duke kaluar kufijtë. - Nga ajeti mësojmë se kushdo që bëhet i tillë, fundin e ka shkatërrim dhe dëshpërim, edhe nëse për njëfarë kohe mund të kënaqet me pasuritë e tij. Ai do të kënaqet për një kohë të shkurtër dhe do të vuajë shumë gjatë. - Gjithashtu, nëse njeriu sheh diçka të mirë te familja e pasuria e tij, këtë mirësi duhet t’ia njohë Atij që i ka dhuruar, pra, Allahut të Madhëruar dhe të thotë vazhdimisht, sa herë që i sheh dhe i kujton këto mirësi: “Ma sha Allah! La ku -uete il -la bil -lah” / Çfarë do Allahu bëhet. S’ka fuqi pa ndihmën e Allahut. Në këtë mënyrë, ai i shpreh mirënjohjen Allahut për mirësitë e Tij dhe bëhet shkak që ato të ruhen, madje dhe të shtohen. Në ajet thuhet: ‘Kur hyre në kopshtin tënd, do të ishte më mirë për ty të kishe thënë: “Ma sha Allah! La ku -uete illa bil-lah.” - Ngushëllimi i atij që nuk ka shumë në këtë botë le të jetë meditimi për mirësitë që Allahu ka përgatitur në ahiret, sepse në Kuran thuhet: “Edhe pse me sheh se unë kam më pak pasuri dhe fëmijë se sa ty, unë shpresoj që Zoti im të më japë diçka edhe më të mirë se kopshti yt…”. - Pasuria dhe fëmijët, nëse nuk janë shkak që t’i bindesh Allahut, nuk të sjellin asnjë dobi, sikurse ka thënë Allahu: “As pasuria dhe as fëmijët tuaj nuk ju afrojnë tek Ne. Afrohen vetëm ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Këta do të shpërblehen shumëfish për veprat e tyre dhe do të jenë në dhoma të larta e të sigurt”. [Fatir 37]. - Lejohet të lutesh kundër atyre që kanë kaluar kufijtë dhe mohojnë Allahun për shkak të pasurisë dhe pushtetit, në mënyrë të veçantë nëse lëvdohen dhe tregohen kryeneç ndaj besimtarëve. - Ndihma e vërtetë është ajo që vjen prej Allahut. Shenjat e saj shfaqen veçse pasi realizohet kaderi i Zotit dhe i jepet çdokujt ajo që meriton me veprat e tij. Allahu thotë: “Në të tilla sprova, ndihma vjen vetëm nga Allahu Zoti i Vërtetë. Ai është më i miri shpërblyes dhe Ai jep përfundimin më të mirë.” Përfundimi i mirë u takon atyre që e kërkojnë dhe punojnë për ta arritur ndihmën e Allahut.