← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

18. Kehf · Ajeti 47 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 18:45–18:53

Jeta e dynjasë u përngjet bimëve që pas shiut të mirë rritën shumë dhe marrin hov sa që ngatërrohen mes vete, por pas një kohe thahen dhe bëhen si byk që e shpërndajnë erërat. Me këtë kuptohet se jeta në këtë botë është e shkurtër, përsa i përket secilit njeri, edhe pse jeta e kësaj dynjaje është e gjatë, në krahasim me jetën e individëve.

Është e vërtetë se malli dhe fëmijët janë stoli e kësaj bote, por kur krahasojmë me të mirat e botës tjetër që është e amshueshme, këto stoli janë pak send. Shpërblimi te Zoti është shumë i madh, ruana Zot, edhe ndëshkimi është shumë i rëndë.

Kur të vijë koha e kijametit do të shkulen kodrat, do të lëvizin në ajër si retë e shiut, do të zhduket çdo bimë e dru dhe toka do të mbetet fushë e rrafshët. Bëhet ringjallja dhe njerëzit ekspozohen para Zotit ashtu si kanë lindur në këtë botë dhe u paraqiten shënimet e veprave të bëra, pa munguar as vepra më e vogël, e mëkatarët, duke ditur punën e vet dëshprohen pa masë dhe secilit do t'i ofrohet ajo që e ka merituar, pse aty mbizotëron drejtësia e Zotit.

Përmendet rasti i kundërshtimit, i shejtanit ndaj urdhërit të Zotit, me qëllim që t'ju rikujtohet njerëzve se ai është armik i tyre, kështu që nuk duhet shkuar pas mësimeve të tij.

Këtu, në këtë ajet, thuhet qartazi se shejtani - Iblisi ishte nga radhët e xhinve, e nuk kishte qenë engjëll. Rreth kësaj çështjeje janë dhënë mendime të shumta, sa që është e pamundur t'i parashtrojmë një nga një, andaj po përfundojmë se Iblisi ishte xhin.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 18:47–18:49

- “Një ditë, Ne do t'i shkulim malet ...” - Allahu i Lartësuar na tregon për ngjarjet e tmerrshme, që do të ndodhin Ditën e Kijametit. Ato do të jenë ngjarje shumë të mëdha, sikurse thotë i Lartësuari: “Atë ditë, qielli do të lëkundet fuqishëm, malet do të shkulen nga vendi e do të lëvizin.” [Tur 9, 10]. Malet do të lëvizin nga vendi i tyre dhe do të zhduken: “I sheh malet dhe mendon se ato janë të palëvizshme. Por ato lëvizin siç lëvizin retë.” [Neml 88]. “... dhe malet do të bëhen si lesh i shprishur.” [Karia 5]. “Të pyesin ty për malet. Thuaj: “Zoti im do t’i shkulë ato dhe do t'i shpërndajë si pluhur.”.

Dhe vendin e tyre ta bëjë rrafsh e pa kurfarë bimësie. As ultësira e as lartësira nuk do të shohësh në vendin e tyre.” [Ta Ha 105, 107]. Domethënë, malet do të zhduken, toka do të rrafshohet dhe sheshohet tërësisht, pa asnjë thyerje, siç thuhet në vijim: - “... dhe do ta shohësh Tokën të sheshtë (e të shkretë) ” - Pa asnjë ndërtesë, pa asnjë bimësi e pemë, që dikush të mund të fshihet në të. Të gjitha krijesat do të tubohen para Zotit të tyre, pa fshehur askush asgjë. - “... dhe Ne do t'i tubojmë të gjithë, pa lënë askënd pas. ” - Askush nuk do të lihet pa u tubuar, nga i pari rob, deri tek i fundit: “Thuaju: “Të jeni të sigurt se, edhe të parët edhe të fundmit, Keni për t’u tubuar në një ditë të caktuar.” [Uakia 49, 50]. “Ajo është dita e tubimit të njerëzve dhe dita që do ta dëshmojnë (të gjithë).” [Hud 103]. - “Ata do të sillen të gjithë para Zotit tënd të rreshtuar ...” - Ka mundësi që kuptimi të jetë se të gjitha krijesat do të rreshtohen e qëndrojnë para Allahut në një rresht. I Lartësuari thotë në një ajet tjetër: “Atë ditë, Xhibrili dhe melekët do të qëndrojnë të rreshtuar. Askush nuk mund të flasë, veç atij që e lejon i Gjithëmëshirshmi dhe që thotë të vërtetën.” [Nebe’ 38]. Megjithatë, ata mund të qëndrojnë edhe në disa rreshta, siç thotë i Lartësuari: “Kur të vijë Zoti yt dhe melekët të qëndrojnë radhë - radhë.” [Fexhr 22]. - “(e do t'u thuhet) : “Tashmë keni ardhur para Nesh ashtu, siç ju patëm krijuar herën e parë.” - Ky është një qortim brejtës për ata që nuk besojnë ringjalljen dhe poshtërim i tyre para të gjithë krijesave, prandaj u thuhet në vijim: - “Por ju (o mohues) mendonit se Ne nuk do të caktonim për ju një ditë takimi (për gjykim).” - Pra, ju nuk e besonit se kjo do të ndodhte. - “Kur libri (i punëve) do t’u vihet përpara ...” - Bëhet fjalë për regjistrin e veprave, në të cilin janë shënuar si veprat e mëdha, ashtu edhe ato më të voglat, si të rëndësishmet, ashtu edhe ato më të parëndësishmet. - “... ti do t’i shohësh gjynahqarët të frikësuar nga shënimet në të ...” - Ata janë të tmerruar, për shkak të veprave të tyre të shëmtuara. - “që do të thonë: “Të mjerët ne! ” - Të mjerët ne, që e shpërfillëm adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut dhe e çuam dëm jetën tonë në dynja! - “Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër - të madhe apo të vogël - pa e shënuar.” - Ky libër nuk paska lënë asnjë gjynah të robit pa e shënuar saktësisht! Taberaniu sjell hadithi n nga Sa’d Ibn Xhunade, me të njëjtin isnad të përmendur para këtij ajeti: 1738. “Pasi përfundoi lufta e Hunejnit, Profeti i Allahut zbriti në një luginë të shkretë, ku nuk kishte pothuajse asgjë. Ai urdhëroi dhe tha: “Çdokush prej jush që gjen një shkop a një shkarpë, le ta sjellë.” Nuk kaloi shumë dhe para nesh u mblodh një grumbull i madh me shkarpa. Profeti i Allahut tha: “A e shihni këtë? Ja, kështu i mblidhen gjynahet robit, njëlloj siç i mblodhët ju këto shkarpa. Prandaj le të ketë frikë robi dhe le të largohet nga gjynahet e mëdha dhe të vogla, sepse ato të gjitha shënohen e llogariten.” - “Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë.” - Gjejnë si veprat e mira, ashtu edhe të këqijat. I Lartësuari thotë: “Atë ditë, çdo njeri do të gjejë pranë vetes veprat e mira që ka bërë. Ndërsa për të këqijat që ka bërë, do të dëshirojë që, në mes tij dhe tyre, të jetë një largësi shumë e madhe. Allahu ju paralajmëron me dënimin që vjen prej Tij. Por Allahu është shumë i Mëshirshëm ndaj robërve.” [Al Imran 30]. “Atë ditë, njeriu do të njihet me atë që ka bërë dhe me atë që ka lënë pa bërë. Madje, njeriu do të jetë dëshmitar i vetvetes, edhe nëse paraqet arsyetime.” [Kijame 13]. Në suren Tarik, ajeti 9, thotë: “Ditën kur të zbulohen të fshehtat...”, pra, kur të shfaqen e dalin sheshit çdo gjë që ishte e fshehur. Në dy Sahih-ët vjen hadithi se Profeti i Allahut ka thënë: “Ditën e Kijametit, çdo tradhtari do t’i lidhet një flamur në brezin e tij dhe do të

thuhet: ‘Kjo është tradhtia e filanit, të birit të filanit.” - “Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt. ” - Allahu i Lartësuar do të gjykojë të gjithë krijesat. Të gjithë do të gjykohen sipas veprave të tyre dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi. Ai fal shumë, mbulon të metat, mëshiron krijesat, por edhe ndëshkon, ashtu siç gjykon me pushtetin e Tij të plotë, urtësinë e Tij të madhe dhe drejtësinë e Tij absolute. Ai ka për ta mbushur zjarrin me jobesimtarët dhe me ata që kanë bërë shumë gjynahe e poshtërsi. Më pas, Ai do të nxjerrë gjynahqarët (që e besonin si një Zot të vetëm) dhe do të lë rë në përjetësi jobesimtarët. Ai është Gjykuesi më i drejtë, që kurrë nuk bën padrejtësi. Ai thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk bën padrejtësi as sa një grimcë. Nëse është vepër e mirë, Ai e shumëfishon atë dhe dhuron shpërblim të madh nga ana e Tij.” [Nisa 40]. Gjithashtu: “Ditën e Gjykimit, Ne do të vëmë peshore të sakta, prandaj askujt nuk do t'i bëhet padrejtësi. Edhe sikur të jetë diçka që peshon sa një kokërr meli, Ne do ta sjellim atë aty (në peshore) . Mjaftojmë Ne si llogaritës të drejtë (të punëve).” [Enbija 47]. Ajetet që flasin për këtë çështje janë të shumta. Uthman Ibn Afani përcjell se Profeti i Allahut ka thënë: 1739. “Ditën e Kijametit, delja pa brirë do të marrë hak kundër deles me brirë (që e ka shpuar në dynja)”.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 18:47–18:49

Allahu i Madhëruar na tregon rreth ndodhive dhe skenave të tmerrshme të Ditës së Gjykimit: - Një Ditë Ne do t'i shkulim malet dhe do ta shohësh Tokën të sheshtë (e të shkretë) dhe Ne do t'i tubojmë të gjithë, pa lënë askënd pas. - Allahu do t’i shkulë malet nga vendi dhe do t’i bëjë si lesh i shprishur, që shpërndahet në ajër. Toka do të bëhet e sheshtë, e lëmuar, pa gropa apo male. Atëherë, Zoti do t’i ringjallë e do t'i nxjerrë

sipër tokës të gjitha krijesat. Ai ka për t’i mbledhur të parët dhe të fundit. Do t’i nxjerrë nga barku i tokës apo shkretëtirave të humbura, nga fund i oqeaneve dhe skutat më të errëta. Do t’i bashkojë trupat e tretur pasi të jenë përhapur dhe zhdukur nëpër tokë. Ai do t’i rikrijojë, duke bashkuar çdo pjesë të tyre në një krijim të ri. - Ata do të sillen të gjithë para Zotit tënd të rreshtuar... – Krijesat do të qëndrojnë të rreshtuar para Zotit, duke pritur gjyqin e Tij. Veprat e tyre do të dalin para Zotit, i Cili do të japë për ta gjykimin më të drejtë. Ai do t’u thotë: - (e do t'u thuhet) : “Tashmë keni ardhur para Nesh ashtu, siç ju patëm krijuar herën e parë. – Tashmë jeni pa pasuri, pa familje, pa fis e ndihmëtarë. Asgjë nuk i shoqëron ata, përveç veprave të tyre të mira ose të këqija, që bëjnë në këtë botë, siç thuhet në Kur'an: ‘Tashmë, ju na vini të vetmuar, ashtu si ju krijuam së pari, duke lënë pas vetes gjithçka që ju patëm dhënë. Nuk po shohim të jenë me ju ndërmjetësit tuaj, për të cilët mëtonit se ishin ortakët e Allahut. Pa dyshim, sot është këputur çdo lidhje mes jush dhe ka humbur gjithçka që ju shpresonit.” [En'am 94]. Ndërsa në këtë ajet, Allahu u drejtohet mohuesve të ringjalljes dhe u thotë: - Por ju (o mohues) mendonit se Ne nuk do të caktonim për ju një Ditë takimi (për gjykim).” - Ju e mohonit shpërblimin për veprat tuaja dhe nuk besonit premtimin e Zotit për shpërblim apo ndëshkim. Tani ju po e dëshmoni këtë realitet me gjithë qenien tuaj. - “Kur Libri (i punëve) do t’u vihet përpara, ti do t’i shohësh gjynahqarët të frikësuar nga shënimet në të,... – Është çasti kur hapen regjistrat e veprave, të shkruar me besnikëri nga melekët e Zotit. Ky është një moment kur zemrat dridhen nga frika dhe ankthi është i madh. Edhe shkëmbinjtë do të shkriheshin nga ky moment. Keqbërësit do të përjetojnë një tmerr të paprovuar kurrë më parë. Kur të shohin të shënuara të gjitha fjalët dhe veprat që kanë bërë, do të thonë: - që do të thonë: “Të mjerët ne! Çfarë është ky libër, që nuk ka lënë asnjë vepër - të madhe apo të vogël -, pa e shënuar.” - Nuk ka lënë asnjë gjynah, të vogël a të madh, pa e shënuar. Asnjë fjalë apo vepër e bërë haptas apo fshehtas, natën apo ditën, nuk është harruar, por është ruajtur me korrektësi. - Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë bërë. - Ata nuk do të mund të mbulojnë e fshehin asgjë. - Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt. - Ajo është dita kur ata do të ndëshkohen për veprat që kanë bërë. Atyre do t'u paraqiten veprat, të cilat do t’i pranojnë të gjitha. Ajo është dita kur do të bëhet realitet ndëshkimi, që ata nuk e besonin. Ky është përfundimi që merituan, sepse Allahu nuk i bën padrejtësi askujt. Ai do t’i trajtojë krijesat ose me drejtësi, ose me bamirësi dhe mëshirë.

← Kehf 18:47