19. Merjem · Ajeti 98

سورة مريم
Përkthimi Sherif Ahmeti
98

وَكَمۡ أَهۡلَكۡنَا قَبۡلَهُم مِّن قَرۡنٍ هَلۡ تُحِسُّ مِنۡهُم مِّنۡ أَحَدٍ أَوۡ تَسۡمَعُ لَهُمۡ رِكۡزَۢا

Sa shumë brezni kemi shkatërruar para tyre. A po vëren ndonjë prej tyre, ose a po dëgjon zërin e ulët të tyre (nuk u ndihet zëri)?*

Shënim i përkthyesit — Sherif Ahmeti
Idhujt të cilët i adhuruan dhe me të cilët krenoheshin, do t’u bëhen armiq idhujtarëve. E përderisa ata nuk i pranuan udhëzimet e Kuranit, ata mbetën në mëshirën e shejtanit, i cili i ngacmon dhe i nxit gjithnjë për punë të këqija. Muhamedit a.s. i thuhet të mos ngutet, e të dëshirojë likuidimin e tyre, pse ata kundështojnë Zotin, pse Ai i ka në dorë frymëmarrjet, ditët, vitet e tyre janë të numëruara, prandaj së shpejti do ta gjejnë dënimin e merituar. Ditën e ringjalljes besimtarët do të sillen te Zoti të nderuar, të krenuar, sepse do të priten si mysafirë të lartë, ndërsa kriminelëve do t’u grahet si shtazëve, kur grahen te uji, dhe përveç atij që Zoti i jep leje, përveç atij që e mban premtimin e Zotit, e premtimi i Zotit është Shehadeti, askush tjetër nuk ka të drejtë të kërkojë falje për tjetrin. Fjala më e ndyrë dhe më e përçudur është ajo e atyre, që i përshkruajnë Zotit fëmijë. Është e rëndë ngase gjithçka që është në qiej e tokë është krijesë e Tij, dhe si rob i Tij do t’i paraqitet secili i vetmuar, pa pasuri, pa fëmijë, pa shoqëri, pa fuqi në Ditën e Gjykimit, prandaj nuk është për t’u habitur kur thuhet se prej një këso fjale të rëndë, fjalë injorante gati do të shkatërroheshin qiejt e toka. Dashurinë në zemrat e atyre që besuan dhe bënë vepra të mira e shpik Zoti, prandaj ata e duan Zotin dhe Ai i do ata, dhe e duan njëri-tjetrin. Në përputhje me këtë ajet është edhe hadithi i Pejgamberit a.s. që thotë: “Kur e do Allahu ndonjë rob, e thërret Xhibrilin e i thotë: Unë e dua filanin, pra duaje edhe ti, e Xhibrili thërret në qiell: Allahu e do filanin, duajeni edhe ju, e duan banorët e qiellit dhe ajo dashuri ndaj tij zbret edhe te banorët e tokës, e edhe ata e duan!” (Muslimi). Me ndihmën e Zotit, përfundoi përkthimi dhe komentimi i kaptinës Merjem. I Lavdëruar qofsh o Allah!