2. Bekare · Ajeti 111 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:104–2:115
"Raina" ishte fjalë, që shokët e Pejgamberit e shprehnin kur ai i mësonte, pra me te i thonin: përcillna, pritna deri ta mësojmë etj. Mirëpo, edhe jehuditë e kishin një fjalë të gjuhës së tyre ebreje po të asaj forme, por me përmbajtje fyese, dhe me qëllim të caktuar e përdornin pranë Pejgamberit, andaj Zoti i urdhëreoi besimtarët që në vend të saj të përdorin fjalën "Undhurna".. Shumica dërmuese e dijetarëve islamë janë të mendimit Abrogimi ose pezullimi i një dispozite me një tjetër quhet:,,Nes'hun". Shumica dërmuese e dijetarëve islamë janë të mendimit se në Kur'an ka abrogim të dispozitave, të citateve. Disa të tjerë nuk pranojnë mundësinë e pezullimit të ndonjë dispozite a teksti të Kur'anit, e mendojnë se fjala është për pezullimin e dispozitave në shpalljet e mëparshme.
Myslimanët porositen që të mos bëjnë shumë pyetje, e të kërkojnë tepër sqarime, sepse populli i Musait pat shkuar aq larg duke bërë kërkesë pas kërkese derisa haptazi kërkuan ta shohin Zotin, andaj u dënuan. Prandaj Zoti i thotë Muhammedit dhe besimtarëve se ata i mundon zilia për besimin tuaj, andaj largohuni njëherë prej tyre, kryeni detyrat fetare, e Zoti do të shpallë më vonë urdhërin e vet rreth tyre.
Ithtarët e librit nuk donin të pranojnë ndonjë pejgamber a shpallje tjetër pos të vetën. Prandaj ata të tjerët i mendonin të pafë dhe të pa xhennet. E Kur'ani sqaron se xhenneti dhe mëshira e Zotit është për besimtarët e drejtë e të sinqert që iu kanë bindur mësimeve të Tij, është për myslimanët.
Herë romakët, e herë persianët e rrënonin xhaminë Aksa në Jerusalem. Ashtu bënin edhe idhujtarët mekas duke mos lejuar njerëzit të shkojnë e ta vizitojnë Qaben. Ata nuk e lejuan as Pejgamberin me shokët e vet që ta vizitojnë Qaben në vitin e gjashtë hixhrije. Ata e poshtëruan veten në këtë dynja, e në ahiret i pret dënim i madh, kurse besimtarët e kanë lehtë, ata mund të falen e të luten kudo qoftë, sepse Allahu i ka lejuar t'i kthehen cilësdo anë kur janë të penguar t'i kthehen kibles, ose nuk dinë se kah është ajo.
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:111–2:113
- Ata (ithtarët e Librit) thonë: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet në qoftë se nuk është çifut ose i krishterë!” - Allahu i Madhëruar na tregon për vetëpëlqimin dhe mashtrimin që i ka verbuar jehudët dhe të krishterët. Secili prej tyre pretendon i mbushur me vetëpëlqim se në Xhenet do të hyjnë veçse ata që janë jehudë ose të krishterë. Në suren Maide, Allahu i Madhëruar na tregon për fjalët e tyre:
"Judejtë dhe të krishterët thanë: “Ne jemi bijtë e Allahut dhe të dashurit e Tij (nga njerëzit)”." [Maide 18]. Por në vijim Allahu i përgënjeshtron duke thënë: "Thuaju: “E pse, atëherë, Ai ju dënon për gjynahet tuaja?" Pra, nëse do të ishte ashtu siç pretendoni, Ai nuk do t’ju dënonte. Ndërsa në këtë ajet i Madhëruari thotë: - Këto janë trille të tyre! - Ebul Alije shpjegon se " el emaniju" quhen shpresat e kota, jo reale, që kurrë nuk realizohen. - Thuaju: “Sillni provat tuaja, nëse keni të drejtë!” - Sillni ndonjë fakt, që vërteton pretendimin tuaj! - Përkundrazi, ai që i është dorëzuar Allahut dhe është bamirës, e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij. - Duke shpjeguar këtë ajet, Seid Ibn Xhubejri thotë: “Ai që i dorëzohet me sinqeritet vetëm Allahut, duke bërë vepra bamirësie e duke pasuar rrugën e Profetit, ka këtë premtim. Kështu, që një vepër të pranohet nga Allahu duhet të plotësojë këto kushte: Të kryhet me sinqeritet vetëm për të kënaqur Allahun e Madhëruar Një dhe të Vetëm. Të jetë e saktë dhe korrekte, sipas asaj që Zoti ka sjellë në Sheriatin e Tij. Nëse kryejmë një vepër me sinqeritet duke synuar kënaqësinë e Allahut, por nuk i përmbahemi kushtit të dytë, që të veprojmë ashtu siç jemi urdhëruar nga Zoti dhe Profeti i tij, ajo është e papranueshme. Profeti ka thënë: 106. “Ai që kryen një vepër (adhurim) që nuk është prej fesë tonë, ajo është e refuzueshme.”. Allahu i Madhëruar thotë: "Ne do t'i kthehemi ndonjë vepre, që ata e bënë (në këtë botë) dhe do ta bëjmë atë hi e pluhur." [Furkan 23]. Gjithashtu, nëse dikush bën një vepër e cila nga ana e jashtme duket se është në përputhje me rrugën e Muhamedit ﷺ dhe Sheriatin e Zotit, por nuk bëhet me sinqeritet, pra, me qëllimin për të fituar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, edhe kjo lloj vepre është e refuzuar dhe e papranueshme nga Allahu i Madhëruar, që thotë: "Kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos përziejë asnjë!”. [Kehf 110]. Më pas, i Lartësuari thotë: - Për ata nuk ka frikë, as nuk kanë pse të brengosen. - Allahu u jep garanci se do t’i marrin të plota shpërblimet për veprat e tyre dhe se do të jenë të sigurt nga çdo frikë. Ata nuk kanë pse të frikësohen në lidhje me atë që i pret në të ardhmen dhe nuk kanë përse të trishtohen për atë që lënë pas në të shkuarën. - Çifutët thonë: “Të krishterët nuk mbështeten në asgjë (në fenë që pasojnë)”. Të krishterët thonë: “Çifutët nuk mbështeten në asgjë (në fenë që pasojnë)”. Ndërkohë, që të dyja palët lexojnë Librin. - Ky ajet ajet na tregon pretendimet e tyre paradoksale, që kundështojnë njëra tjetrën. Ai na tregon urrejtjen, inatin armiqësinë që ata fshehin për njëri tjetrin. Ibn Is’haku sjell rrëfimin nga Ibn Abasi, që thotë se, kur delegacioni i krishterë i Nexhashiut mbërriti tek Profeti, atje erdhën edhe disa nga rabinët jehudë, që filluan të polemizonin me krishterët përpara Profetit . Kështu, Rafi’u Ibn Harmelete tha: “Ju nuk
jeni të mbështetur në asgjë”, duke mohuar Isain si profet dhe Ungjillin si libër. Nga ana tjetër, foli një burrë nga të krishterët e Nexhashiut, që tha duke iu drejtuar jehudëve: “Ju nuk jeni të mbështetur askund!” duke mohuar se Musai ishte profet, e po kështu edhe Teuratin. Atëherë, Allahu i Madhëruar zbriti këto ajete: “Çifutët thonë: “Të krishterët nuk mbështeten në asgjë (në fenë që pasojnë) ”. Të krishterët thonë: “Çifutët nuk mbështeten në asgjë (në fenë që pasojnë) ”. Ndërkohë, që të dyja palët lexojnë Librin." Domethënë, secili prej dy grupeve e lexonin qartë në librat e tyre atë që e mohonin. Në vijim, Allahu i Lartësuar thotë: - Po këto fjalë thonë edhe ata që janë injorantë. - Janë dhënë mendime të ndryshme se për kë është fjala këtu dhe cilët nënkuptohen me këtë ajet. At âu ka thënë se bëhet fjalë për popuj të shumtë që ishin para jehudëve. Ndërsa Es Sediju ka thënë që ishin arabët, të cilët thanë: ‘Muhamedi nuk mbështetet në asgjë.” Ndërsa Ibn Xheriri ka zgjedhur mendimin se kjo është gjithëpërfshirëse dhe nuk ka ndonjë argument të posaçëm që të veçojë ndonjë nga këto grupacione. - Ditën e Gjykimit, Allahu do të gjykojë ndërmjet tyre për kundërshtimet që ata kanë mes njëri -tjetrit. - Ai do të bëjë ndarjen dhe gjykimin e Tij të drejtë mes të gjitha këtyre grupacioneve.
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:111–2:112
Çifutët pretendojnë se në Xhenet do të hyjnë veç ata. Edhe të krishterët, nga ana e tyre, thonë se në Xhenet do të hyjnë veçse të krishterët. Kështu secila palë pretendon se Xheneti është i përgatitur vetëm për ta. Porse Allahu i Lartësuar na tregon se këto janë thjesht pretendime e hamendje të tyre, sepse ato nuk mund të jenë kurrsesi të pranueshme, kur janë të paargumentuara saktësisht. - “Ata (ithtarët e Librit) thonë: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet nëqoftë se nuk është çifut ose i krishterë!” Këto janë trille të tyre .” – Pra, këto janë thjesht ëndrra me sy hapur nga ana e tyre. Nëse ata janë të qetë dhe të sigurt në pretendimin e tyre, duhet të sjellin faktet për ta mbështetur atë. Nëse do të pranohej çdo fjalë e pretendim që del nga njerëzit, pa u mbështetur në argumente të sakta, atëherë çdokush do të pretendonte gjithçka, pa patur asnjë ndryshim mes mëtuesve. Argumentimi i saktë është i vetmi vërtetues apo përgënjeshtrues i pretendimeve. - “Thuaju: “Sillni provat tuaja, nëse keni të drejtë!”” - Meqë ata nuk sollën asnjë lloj argumenti, kuptohet vetvetiu që ky qe pretendim i gënjeshtërt i tyre. Më pas, Allahu i Lartësuar na jep një kriter shumë të qartë dhe të kuptueshëm për të dalluar se cili do të hyjë në Xhenet e cili jo? Ky gjykim i përfshin të gjithë. Thotë i Lartësuari: - “Përkundrazi, ai që i është dorëzuar Allahut dhe është bamirës…” – Pra, çështja nuk qëndron sikurse ëndërroni ju. Dëshirat dhe pretendimet tuaja nuk hyjnë aspak në punë, nëse nuk ia përkushtoni të gjitha veprat dhe adhurimet tuaja Allahut të Lartësuar, duke e drejtuar zemrën veçse tek Ai, dhe, përveç kësaj, duke qenë bamirës (muhsin). Pra, sinqeriteti i zemrës duhet të shoqërohet me një adhurim të saktë, që të bëhesh muhsin. Fjala “ muhsin” vjen nga “ahsene juhsinu ”, domethënë: “e rregulloi, e kreu mirë”, ndërsa shprehja: “ ahsenehû etķanehû” do të thotë: “e kreu në formën më të mirë”. Kësisoj, “ ue hue muĥsin ” domethënë: “ai që e kryen adhurimin ndaj Allahut në formën më të shkëlqyer”. Asnjë adhurim nuk quhet i pranueshëm nga Allahu, nëse nuk kryhet sipas rregullit dhe mënyrës që Ai e ka dëshiruar dhe e ka sqaruar në Sheriatin që ia shpalli Muhamedit (a.s.). Vetëm ai njeri që e kryen këtë lloj adhurimi mund të quhet muhsin ose bamirës. Mësojeni se vetëm ata që
plotësojnë dy kushtet e mëposhtme do të jenë banues të Xhenetit: 1. Kanë sinqeritet në adhurim (duke e bërë atë vetëm për Allahun). 2. E kryejnë adhurimin sipas Sheriatit të përcaktuar nga Allahu i Lartësuar. Pra, vetëm për këta është premtimi i pakthyeshëm nga Allahu i Lartësuar, i Cili thotë: - “…e ka shpërblimin e vet te Zoti i tij. Për ata nuk ka frikë, as nuk kanë pse të brengosen.” - Ata do të trashëgojnë përjetësisht shpërblimet e përgatitura prej Allahut, Zotit të tyre, në Xhenetet e mrekullueshme. Ata do t’i përjetojnë të dyja llojet e lumturisë: lumturinë që sjell shpëtimi nga zjarri i Xhehenemit dhe nga dëshpërimi i përjetshëm, si dhe lumturinë që sjell arritja e paqes dhe e sigurisë në Xhenetin e kënaqësisë së përjetshme.