← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 115 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:104–2:115

"Raina" ishte fjalë, që shokët e Pejgamberit e shprehnin kur ai i mësonte, pra me te i thonin: përcillna, pritna deri ta mësojmë etj. Mirëpo, edhe jehuditë e kishin një fjalë të gjuhës së tyre ebreje po të asaj forme, por me përmbajtje fyese, dhe me qëllim të caktuar e përdornin pranë Pejgamberit, andaj Zoti i urdhëreoi besimtarët që në vend të saj të përdorin fjalën "Undhurna".. Shumica dërmuese e dijetarëve islamë janë të mendimit Abrogimi ose pezullimi i një dispozite me një tjetër quhet:,,Nes'hun". Shumica dërmuese e dijetarëve islamë janë të mendimit se në Kur'an ka abrogim të dispozitave, të citateve. Disa të tjerë nuk pranojnë mundësinë e pezullimit të ndonjë dispozite a teksti të Kur'anit, e mendojnë se fjala është për pezullimin e dispozitave në shpalljet e mëparshme.

Myslimanët porositen që të mos bëjnë shumë pyetje, e të kërkojnë tepër sqarime, sepse populli i Musait pat shkuar aq larg duke bërë kërkesë pas kërkese derisa haptazi kërkuan ta shohin Zotin, andaj u dënuan. Prandaj Zoti i thotë Muhammedit dhe besimtarëve se ata i mundon zilia për besimin tuaj, andaj largohuni njëherë prej tyre, kryeni detyrat fetare, e Zoti do të shpallë më vonë urdhërin e vet rreth tyre.

Ithtarët e librit nuk donin të pranojnë ndonjë pejgamber a shpallje tjetër pos të vetën. Prandaj ata të tjerët i mendonin të pafë dhe të pa xhennet. E Kur'ani sqaron se xhenneti dhe mëshira e Zotit është për besimtarët e drejtë e të sinqert që iu kanë bindur mësimeve të Tij, është për myslimanët.

Herë romakët, e herë persianët e rrënonin xhaminë Aksa në Jerusalem. Ashtu bënin edhe idhujtarët mekas duke mos lejuar njerëzit të shkojnë e ta vizitojnë Qaben. Ata nuk e lejuan as Pejgamberin me shokët e vet që ta vizitojnë Qaben në vitin e gjashtë hixhrije. Ata e poshtëruan veten në këtë dynja, e në ahiret i pret dënim i madh, kurse besimtarët e kanë lehtë, ata mund të falen e të luten kudo qoftë, sepse Allahu i ka lejuar t'i kthehen cilësdo anë kur janë të penguar t'i kthehen kibles, ose nuk dinë se kah është ajo.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:115

- Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi, pra, ngado që të ktheheni, është Fytyra e Allahut. - Këto ajete, - dhe Allahu është më i ditur - janë një formë ngushëllimi për Muhamedin ﷺ dhe shokët e tij, të cilët u dëbuan nga Meka dhe u privuan nga xhamia dhe vendi i adhurimit të tyre. Në fillim, gjatë kohës kur ishte në Mekë, Profeti ﷺ falej drejt Bejt el Makdesit, por duke e pasur edhe Qaben përballë. Kur emigroi në Medinë, ai u fal duke u drejtuar nga Bejt el Makdesi, për 16 ose 17 muaj rresht, derisa Allahu e urdhëroi që të falej drejt Qabes. Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar thotë: "Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi, pra, ngado që të ktheheni, është Fytyra e Allahut." Ebu Ubejd el Kasim Ibn Selami, në librin e tij “Abrogueset dhe të abroguarat” thotë: “Na ka treguar El Haxhaxh Ibn Muhamedi...”, dhe pastaj sjell senedin e tij deri tek Ibn Abasi, që thotë: “E para dispozitë që u anulua nga Kur 'ani për ne, siç na është thënë, - dhe Allahu e di më mirë, - ishte çështja e kibles (drejtimit të faljes). Allahu i Lartësuar tha: "Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi, pra, ngado që të ktheheni, është Fytyra e Allahut." Profeti i Allahut për njëfarë kohe u fal drejt Bejt el Makdesit dhe jo në drejtim të Shtëpisë së Lashtë (Qabes), pastaj Allahu e ktheu drejt Shtëpisë së Lashtë, duke e anuluar dispozitën e parë: “Ngado që të shkosh, ktheje fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë! Kudo që të gjendeni, kthejini fytyrat tuaja drejt saj.” [Bekare 150]. Muxhahidi ka thënë për: "... ngado që të ktheheni, është Fytyra e Allahut", që domethënë se: kudo që të jeni, ju mund të drejtoheni drejt Qabes. Ibn Xheriri thotë se, të tjerë janë të mendimit se Allahu i Madhëruar i shpalli këto ajete përpara se të urdhëronte drejtimin drejt Qabes. Disa të tjerë janë të mendimit se ato janë shpallur nga Allahu për të treguar lejueshmërinë e faljes së nafileve ngado që të kthehesh, nga lindja, perëndimi etj., gjatë udhëtimeve ose në rastin e namazit të frikës. Ebu Kurajbi përcjell me senedin e tij deri tek Ibn Umeri se ky i fundit falej ngado që kthehej kafsha e tij dhe tregonte se Profeti ﷺ vepronte kështu duke aluduar për ajetin: “... ngado që të ktheheni, është Fytyra e Allahut.". Këtë hadith e ka sjellë Muslimi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Ebu Hatimi dhe Ibn Merdeuejhi përmes shumë rrugësh transmetimi nga Abdul Melik Ibn Sulejmani. Baza e këtij hadithi është sjellë edhe në Sahih -ët e Buhariut dhe të Muslimit prej Ibn Umerit dhe Amr Ibn Rabiates, por pa e përmendur ajetin. Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se ky ajet flet për disa muslimanë, të cilët njëherë nuk e gjenin dot kiblën dhe secili prej tyre u fal në drejtim të ndryshëm nga shokët e vet. Kështu, Muhamed Ibn Is 'hak el Ehuazij përcjell me senedin deri tek Amër Ibn Rabia, që transmeton nga i ati, i cili thotë: “Ne ishim së bashku me Profetin një natë të errët, kur qëndruam për të pushuar diku. Secili nga njerëzit vendosi disa gurë para vetes për të falur namaz, por kur agoi dita e vumë re se shumë nga ne nuk ishin falur në drejtimin e duhur të kibles. Atëherë, Allahu shpalli ajetin: "Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi, pra, ngado që të ktheheni, është Fytyra e Allahut." Këtë hadith e ka sjellë Tirmidhiu dhe Ibn Ebu Hatimi me rrugë të dobëta transmetimi. Ai është sjellë edhe përmes

rrugësh të tjera, por në senedin e tyre gjithashtu ka dobësi. Ndoshta numri i madh i haditheve forco jnë njëri tjetrin. Për sa i përket çështjes, a duhet përsëritur namazi pas njohjes së faktit se je falur në drejtim të gabuar, janë dhënë mendime të ndryshme. Por ky ajet dhe hadithet e përmendura tregojnë se nuk është detyrë që ato të përsëriten. Al lahu është më i ditur. Ndërsa Ibn Xheriri sjell me senedin e tij deri tek Muxhahidi, rrëfimin e tij, i cili ka thënë: “Kur u shpall ajeti: "Zoti juaj ka thënë: “M’u lutni Mua, që Unë t’ju përgjigjem!" [Gafir 60], njerëzit thanë: “Nga të drejtohemi për t’u lutur?” Atëherë zbritën ajetet: "...ngado që të ktheheni, është Fytyra e Allahut." - Vërtet, Allahu është i Gjerë dhe i Gjithëditur. - Rreth kuptimit të këtij ajeti, Ibn Xheriri ka thënë: “Allahu është i Gjerë dhe u mjafton të gjithë krijesave të Tij me bamirësinë, bujarinë e mëshirën e Tij. Allahu është gjithashtu i Gjithëditur. Ai i di veprimet e robërve dhe Atij nuk mund t’i fshihet asgjë nga ato. Dituria e Tij ka përfshirë gjithçka”.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:115

- “Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi” - Allahu i Lartësuar ka përmendur në mënyrë të veçantë këto dy kahe, sepse ato paraqesin shenja madhështore. Në to ndodh lindja e diellit dhe perëndimi i tij. Duke qenë Zotërues i këtyre dy drejtimeve të rëndësishme, atëherë Ai është edhe Zotërues i drejtimeve të tjera të horizontit. - “…ngado që të ktheheni është Fytyra e Allahut.” – Kuptimi: Nëse ju ktheheni në një drejtim të caktuar, duke zbatuar me përpikmëri urdhrin e Allahut, do ta gjeni Allahun e Lartësuar në atë drejtim. Pra, ngado që të drejtoheni, andej është drejtimi i duhur, nëse këtë e keni bërë me fakte prej Allahut të Lartësuar. Kështu, nëse ju drejtoheshit fillimisht drejt Kudsit kur faleshit, dhe tanimë drejtoheni drejt Qabes, ky është drejtimi i duhur dhe i saktë, sepse këtë e bëtë të mbështetur në fakte nga Zoti juaj. Nëse ju faleni mbi një objekt lëvizës, ku nuk mund të mbani një drejtim të caktuar, atëherë çdo drejtim ku ktheheni është i saktë dhe i pranuar nga Allahu i Lartësuar, sepse Ai e ka ligjëruar dhe e ka lejuar një gjë të tillë. Nëse nuk e dini drejtimin e Kibles dhe faleni në një drejtim të caktuar, pasi jeni përpjekur fillimisht me çdo mënyrë të mundshme për të gjetur drejtimin e duhur, ai drejtim është i saktë dhe i pranuar tek Allahu i Lartësuar. Edhe nëse më pas zbuloni se ai nuk ishte drejtimi i Kiblës, përsëri namazi i falur mbetet i saktë, sepse Allahu i Lartësuar nuk ka ngarkuar asnjë përtej mundësive. Po të njëjtin gjykim ka edhe ai që falet duke qenë i lidhur në një mënyrë të tillë, që nuk ka mundësi të drejtohet nga Kibla, apo ai që është i sëmurë e prandaj s'mund të kthehet andej: drejtimi i tyre, në të dyja rastet, është i saktë dhe i pranueshëm nga Allahu i Lartësuar. Shkurtimisht, të gjitha drejtimet të cilat i ka lejuar dhe i ka urdhëruar i Madhëruari, janë të sakta dhe të pranuara nga Ai. Kjo pjesë e ajetit dëshmon, gjithashtu, se Allahu i Lartësuar ka Fytyrë, sepse fjala ‘ uexhh’ domethënë ‘fytyrë’. Ky atribut i Tij pohohet dhe pranohet për Të, ashtu sikurse i shkon madhështisë së Tij. Fytyra e Tij nuk i përngjan asgjëje, sepse çdo gjë tjetër është krijesë, dhe mes Krijuesit e krijesës nuk ka asnjë mundësi përngjasimi. - “Vërtet, Allahu është i Madhërishëm dhe i Gjithëditur.” – Kuptimi: Mirësitë e Allahut janë të gjera dhe cilësitë e Tij janë

madhështore, pikërisht sepse dija dhe bamirësia e Tij janë të gjera. Ai ua ka lehtësuar çështjet njerëzve dhe i toleron ata në shumë mangësi që kanë, duke ua pranuar veprat e tyre të mangëta dhe duke i shpërblyer për to. Ai është i Lavdëruari pafundësisht dhe vetëm Atij i takon mirënjohja e plotë.

← Bekare 2:115