← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 130 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:124–2:134

Zoti e provoi Ibrahimin me obligimet që po shënohen në vazhdim, të cilat ai i plotësoi. Zoti e bëri Ibrahimin shembëlltyrë të njerëzve që vinë pas tij, andaj është i pranishëm ndër të gjithë popujt. Atij dhe birit të tij, Ismailit i takoi ndërtimi i Qabes që është vend në ç'drejtim kthehen të gjithë besimtarët e drejtë, vend sigurie, pse në afërsi të saj lufta gjithnjë ka qenë e ndaluar dhe pasiqë ata e pastruan prej besimeve të kota, e lutën Zotin ta furnizojë atë vend shkretëtirë me fruta të ndryshme, e lutën besimtarët, por Zoti u tha se në këtë botë nuk bëj dallim, furnizoj edhe ata jo besimtarë, por ata në botën tjetër i hodhi në zjarr. Duke ndërtuar Qaben e lutnin Zotit t'ua pranojë atë vepër, t'i udhëzojë në rrugë të drejtë ata dhe pasardhësit e tyre. U lutën që të dërgojë pejamber prej tyre për ta udhëhequr popullin. Kur erdhi Muhammedi pejgamber, tha: "Unë jam fryt i lutjes së Ibrahimit".

Ibrahimi ishte pejgamber i dalluar, i cili sinqerisht iu dorëzua Zotit. Ai porositi pasardhësit I e vet t'i përmbahen vetëm fesë, të cilën e zgjodhi Zoti, fesë islame. Ashtu bënë edhe pasardhësit e tij, si Jakubi që i porositi bijtë e vet për të njëjten fe.

E derisa Muhammedi ishte pasardhës i Ibrahimit, porositi mësimet që i praktikoi Ibrahimi. Ai ndoqi fenë e Ibrahimit, refuzimi i arabëve idhujtarë që edhe ata rridhnin prej birit të Ibrahimit, refuzimi i jehudive që edhe ata rridhnin nga biri tjetër Is-haku dhe i të gjithë atyre që thonin se pasojnë fenë e Ibrahimit, nuk ishte i drejtë, por ishte një kokëfortësi dhe zili kundër Muhammedit dhe Kur'anit, pa pasur kurrnjë fakt tjetër për kundërshtim.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:130–2:131

Në këto ajete, Allahu i Madhëruar u kundërvihet mohuesve të cilët trilluan idhujtarinë dhe shokvënien ndaj Zotit, e cila bie ndesh tërësisht me fenë e drejtë të Ibrahimit, të dashurit të Allahut, imamit të të gjithë besimdrejtëve. Ai e pastroi teuhidin e Zotit të tij dhe kurrë nuk iu lut dikujt tjetër veç Allahut dhe kurrë nuk i bëri shok Zotit as edhe një çast të vetëm se një pulitje sysh. Ai u distancua dhe u largua nga çdo gjë që adhurohet përveç Allahut. Me këtë ai iu vu kundër gjithë popullit të vet, madje u nda edhe nga babai i vet. I Madhëruari thotë: "...O populli im, unë distancohem nga idhujtaria juaj." Unë i përkushtohem vetëm Atij që krijoi qiejt e Tokën, me besim të drejtë. Unë nuk jam prej idhujtarëve.” [En'am 78, 79]. Gjithashtu: " (Kujto) Kur Ibrahimi i tha të atit dhe popullit të vet: “Unë i urrej dhe u qëndroj larg atyre që ju adhuroni, Përveç Atij që më krijoi dhe më tregon udhën e drejtë.”! Ai e bëri këtë fjalë të kujtohet ndër pasardhësit e tij, me qëllim që ata gjithmonë të kthehen (në besimin e vërtetë) ." [Zuhruf 26, 27]. "Edhe lutja e Ibrahimit për babain e vet u bë veçse për shkak të një premtimi, që ai kishte bërë më parë. Por kur iu bë e qartë se ai ishte armik i Allahut, ai u largua prej tij. Me të vërtetë, Ibrahimi ishte shumë i ndjeshëm dhe i butë." [Teube 114]. "Vërtet, Ibrahimi ishte shembull i së mirës, adhurues i Allahut, besimtar i drejtë (monoteist) dhe nuk ka qenë kurrë nga idhujtarët. Ai ishte mirënjohës për të mirat e Tij (e Allahut) . Allahu e dalloi atë (si profet) dhe e udhëzoi në Rrugën e Drejtë." [Nahl 120, 121]. - Prej fesë së Ibrahimit largohet veç ai që e nënçmon vetveten. – Pra, ai që e ka zhytur veten në padrejtësi, duke u bërë mendjelehtë dhe duke bërë zgjedhjen më të keqe për veten. Ai ka shpërfillur të vërtetën e ka përqafuar të kotën. Ai ka shkatërruar veten kur i kundërvihet rrugës së atij që Allahu e zgjodhi në këtë botë për ta ndriçuar me udhëzimin e Tij, duke e bërë njeriun më të plotë, me gjithë moshën e tij të vogël në atë kohë kur u zgjodh. Allahu e zgjodhi Ibrahimin mbi të gjithë botën dhe e përzgjodhi për të qenë Halili (i preferuari) i Tij. Ndërsa në ahiret, ai do të jetë pa dyshim nga më të zgjedhurit dhe më të mirët të lumtur. E ku ka mendjelehtësi, çmenduri e shkatërrim më të madh sesa braktisja e rrugës së Ibrahimit, fesë dhe besimit, që ai solli nga Zoti i botëve?! Allahu i Madhëruar thotë: - Ne, e dalluam atë në këtë botë dhe në botën tjetër, ai do të jetë ndër të mirët. Kur Zoti i tij i tha: “Përulu!”, ai (Ibrahimi) tha: “Iu përula Zotit të

gjithësisë.”. - Allahu i Madhëruar e urdhëroi për sinqeritet të plotë për Të, e urdhëroi që t’i dorëzohet dhe nënshtrohet në zbatimin e ligjit të Tij. Ibrahimi iu përgjigj dhe e plotësoi këtë urdhër të Zotit.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:130–2:135

- “Prej fesë së Ibrahimit largohet veç ai që e nënçmon vetveten. ” - Askush nuk mund të devijojë nga rruga e Ibrahimit pasi të ketë njohur dhe mësuar gjithë këto të dhëna rreth cilësive të larta të tij, përveç atyre që e zhvlerësojnë veten, duke u kënaqur me këtë gjendje, ose veç ata që e shesin veten më lirë sesa i falimentuari shet mallin e vet. I parë anasjelltas, ky ajet do të kuptohej kështu: Nuk ka njeri më të mirë, më të plotë, më të udhëzuar, sesa dikush që ndjek rrugën dhe fenë e Ibrahimit (a.s.), sepse Ibrahimi ishte i zgjedhuri i Allahut në dynja dhe ahiret. I Lartësuari thotë më tej: - “Ne, e dalluam atë në këtë botë ”. – Pra, Allahu i Lartësuar e përzgjodhi atë mbi njerëzit e tjerë, duke i dhënë sukses për të bërë punë të mira. Ai e udhëzoi atë që t'i kryente këto vepra, të cilat e bënë atë më të drejtin ndër më të dalluarit dhe ndër më të përzgjedhurit e Allahut. - “dhe në botën tjetër, ai do të jetë ndër të mirët. ” - Në ahiret ai do të jetë prej të mirëve ( sâliĥîn), të cilëve u takojnë gradat më të larta në xhenetet e përjetësisë. Ai e meritonte këtë gradë, sepse ishte i bindur e i nënshtruar. - “Kur Zoti i tij i tha: “Përulu!”, ai (Ibrahimi) tha: “Iu përula Zotit të gjithësisë.”.” - Ai iu përgjigj menjëherë urdhrit të Zotit të tij, duke thënë me gjuhën e fjalëve, të ndjenjave dhe të veprave: “Iu përula Zotit të gjithësisë”. Ai menjëherë shfaqi sinqeritetin dhe përkushtimin në adhurimin e Allahut, si Një të vetëm dhe të Pashoq. Ibrahimi (a.s.) iu dorëzua Allahut duke kryer çdo vepër që Ai e dëshironte dhe pëlqente, në shenjë dashurie dhe madhërimi për Të. Ai u kthye gjithmonë tek Allahu i Lartësuar, për çdo çështje dhe në çdo gjendje. Njësimi i Allahut u bë cilësia e pandryshueshme e natyrës së tij. Më pas, Ibrahimi (a.s.) këshillon e porosit edhe pasardhësit e tij, në mënyrë të tillë që ato fjalë të kujtohen gjithmonë. E tillë ishte edhe porosia e Jakubit (a.s.) për pasardhësit e tij: - “Kjo ishte porosia që Ibrahimi ua la bijve të tij. Kështu bëri edhe Jakubi: “O bijtë e mi, Allahu ua ka zgjedhur fenë,...” – Kësisoj, ata i këshilluan pasardhësit e tyre që të pasojnë fenë të cilën Zoti i tyre e zgjodhi për ta. Allahu, me këtë fe që u zgjodhi, tregoi mëshirën e tij për ata. Ai e solli fenë me qëllim që ata ta pranojnë dhe ta zbatojnë rigorozisht në jetën e tyre, duke kryer urdhrat e Tij dhe duke u zbukuruar me moralet dhe cilësitë e vyera, të cilat Ai i ka porositur. Më tej, Ai porosit që njerëzit të jenë të vazhdueshëm në këtë fe, duke mos u larguar kurrë nga ajo. - “…prandaj mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë të nënshtruar ndaj Tij! ” – Kuptimi: Edhe vdekja t’ju gjejë si muslimanë, si zbatues të fesë që Allahu i Lartësuar ka zgjedhur për ju. Në këtë mënyrë, duke qenë të vazhdueshëm në ushtrimin e fesë së Allahut, edhe në ditën e gjykimit do të ringjalleni si muslimanë, sepse kush jeton si musiman, i tillë do të vdesë dhe si i tillë do të ringjallet tek Allahu i Lartësuar. Çifutët pretendonin se ishin pasues të fesë së Ibrahimit dhe të Jakubit (Israilit), por Allahu i Lartësuar ua hodhi poshtë këtë pretendim, duke u thënë: - “A ishit ju të pranishëm, kur Jakubi, para se të vdiste, u tha bijve të vet:... ” – Domethënë, a ishit ju në momentet kur Jakubit i ishte afruar vdekja dhe ai pyeti bijtë e tij, me qëllim që t'i provonte dhe për të qetësuar zemrën e tij se ata do t'i

përmbaheshin porosive të Allahut. Ai u tha atyre: - “Çfarë do të adhuroni pas meje?” - Dhe ata i dhanë një përgjigje, e cila e qetësoi zemrën e tij: - “Ata thanë: “Do të adhurojmë Zotin tënd dhe Zotin e etërve të tu – të Ibrahimit, të Ismailit dhe të Is’hakut -, që është Një Zot i Vetëm. Vetëm Atij i nënshtrohemi.”” – Kuptimi: Do të adhurojmë një Zot të vetëm. Veç Allahun do të adhurojmë dhe nuk do t'i shoqërojmë Atij shok në adhurim. Ne do të jemi muslimanë, të dorëzuar dhe të nënshtruar, duke zbatuar porositë e Tij. Pra, ata premtuan për dy gjëra: për njësim të Allahut me sinqeritet dhe për vepra të mira, sipas porosive të Tij. Është e sigurt që ata nuk ishin të pranishëm në momentet e kësaj porosie të madhe. Ne na tregon Allahu i Lartësuar se si Jakubi (a.s.) i këshilloi pasardhësit e tij për fenë e drejtë monoteiste, dhe jo për fenë çifute. Pastaj i Madhëruari thotë: - “Ai ishte një popull që tashmë ka shkuar. Atyre u takon ajo që fituan vetë dhe juve ju takon ajo që keni fituar vetë. Ju nuk jeni përgjegjës për veprat e tyre.” – Pra, çdokush do të marrë aq sa ka punuar, duke u shpërblyer me drejtësi për veprat dhe gjithçka që do të paraqesë. Askush nuk do të merret në përgjegjësi për gabimet e gjynahet e tjetrit. Secilit do t’i bëjë dobi veçse besimi dhe devotshmëria e tij ndaj Allahut. Kjo do të thotë që lidhja që bëni ju (nënkupton ajeti) me ata popuj të mëparshëm, duke pretenduar se jeni pasues të fesë së tyre, është diçka e pavlefshme dhe e parëndësishme, prandaj është më mirë për ju, që të rishikoni gjendjen tuaj të tanishme. Vështroni punët dhe fjalët tuaja dhe gjykoni në meritoni shpëtimin apo ndëshkimin, sepse ju nuk do të pyeteni për ato që bënë popujt e kaluar, edhe nëse pretendoni se jeni prej tyre dhe pasues së fesë së tyre, por do të llogariteni për veprat tuaja. - “Ata thonë: “Bëhuni çifutë ose të krishterë, që të gjeni rrugën e drejtë! ”” - Secili prej dy grupeve, çifutët dhe krishterët, duke pretenduar se janë në rrugë të drejtë, i ftojnë muslimanët për të ndjekur udhëzimin dhe rrugën e tyre. Ata pretendojnë se vetëm ata janë të udhëzuar, ndërsa çdo rrugë tjetër është e gabuar. Atëherë, Allahu i Lartësuar urdhëron që kësaj ftese ne t’i përgjigjemi kështu: - “Thuaj: “Jo. Në asnjë mënyrë! Ne jemi të fesë së drejtë të Ibrahimit, që ishte besimtar monoteist dhe nuk ka bërë kurrë idhujtari”. ”. - Pra, jemi ne që ndjekim fenë e Ibrahimit (a.s.), i cili, sikurse u përmend, ishte i përkushtuar dhe i nënshtruar vetëm ndaj Allahut. Ai ishte adhurues vetëm i Allahut, duke i kthyer shpinën çdo gjëje tjetër. Ai ishte praktikues i monoteizmit dhe larg idhujtarisë. Për këtë arsye, udhëzimi dhe lumturia gjenden në pasimin e rrugës së Ibrahimit, ndërsa humbja dhe dëshpërimi gjenden në çdo rrugë tjetër veç kësaj.

← Bekare 2:130