← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 142 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:135–2:145

"Ehli kitab" - ithtarë të librit, janë jehuditë dhe të krishterët, ngase Musai pati shpalljen e Zotit, Tevratin që quhet: "Dhjata e Vjetër" ose: "El Ahdu el kadim", e Isai Inxhilin, "Dhjata e Re" ose "El Ahdu el xhedid"' Kur'ani mposht të gjitha pretendimet e jehudive e të tjerëve se ndjekin fenë e Ibrahimit, pse feja e tij ishte Islame. Myslimanët janë të obliguar t'u besojnë të gjithë pejgamberëve që i dërgoi Zoti, qofshin beni israilë ose të tjerë, andaj feja e myslimanëve është fe me karakter unik ndaj të gjitha shpalljeve dhe ndaj të gjithë pejgamberëve. Është pra fe e natyrshme për çdo njeri, është stoli me të cilën Zoti pajisi çdo shpirt, është ngjyrë e pastër me të cilën Zoti i pastroi njerëzit, e jo vënie e njeriut në ujë, ose lyerje me vaj në shenjë pastrimi e që quhet kryqëzim.

Zoti është i të gjithëve, e jo vetëm i një populli. Ai dërgoi pejgamberë nga të gjithë njerëzit, e jo vetëm prej një kombi, andaj nuk duhet polemizuar rreth Tij.

I "Kible" i thuhet anës kah e cila orientohet dikush, e këtu është fjala për orientimin e atij që falet. Pasiqë shkoi Pejgamberi në Medinë nja 16-17 muaj u fal kah Bejtul Mukaddesi, xhamia në Jerusalem, sepse Qabja, përveç që ishte në duart e idhujtarëve, ishte e mbushur me plot idhuj, i megjithqë dëshira e Muhammedit ishte të kthehet drejt Qabes.

Para se të urdhërohet Muhammedi dhe myslimanët që gjatë faljes së namazit të kthehen kah Qabja, Kur'ani paralajmëron se disa të marrë do të përgojojnë këtë çështje, dhe me të vërtetë i u vërtetuan parashikimet e Kur'anit, sepse disa përgojues u përpoqën të mbjellin dyshim ndër i besimtarë për ata njerëz që ishin falur kah Kudsi dhe kishin vdekur pa u kthyer kah Qabja, se çka do të bëhet me besimin dhe faljen e tyre? Zoti shpalli në Kur'an se nuk u humb as besimin i as namazin e tyre. Pejgamberi dhe myslimanët u gëzuan shumë, kur pasoj urdhëri i Zotit që të kthehen kah Qabja, pse ishte edhe një paralajmërim e ajo do të kalojë me vonë në duart e myslimanëve siç edhe ngjau.

Ndryshimi i kibles ishte edhe një sprovë me anën e së cilës do të dalloheshin besimtarët e sinqert e të vendosur nga ata të luhatshmit, duke u pastruar radhët e tyre nga të dyshimtit, pra ashtu edhe ngjau. Muhammedit i thuhet që të mos brengoset për përgojimet rreth kibles, sepse jehuditë dhe krishterët, përveç që nuk do të kthehen kah kibla e myslimanëve, ata nuk do të kthehen as kah kibla e njëri-tjetrit.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:142–2:143

- Njerëzit mendjelehtë do të thonë: “Çfarë i ktheu ata (muslimanët) prej Kibles së mëparshme?” - Me fjalën “sufehâu” (mendjelehtë) janë për qëllim idhujtarët arabë, ahbarët e jehudëve dhe munafikët. Të gjithë këta përfshihen te ky përshkrim, sepse ajeti është i përgjithshëm. Profeti i Allahut fillimisht ishte urdhëruar që të kthehej në drejtim të Bejt el Makdes. Gjatë kohës kur ishte në Mekë, ai falej mes dy kulmeve të Qabes (atij të Jemenit dhe atij të Shamit), duke e pasur kështu Qaben mes tij dhe drejtimit për të cilin ishte urdhëruar, pra, Bejt el Makdesin. Por kur emigroi në Medinë, ky bashkim u bë i pamundur dhe Allahu e urdhëroi të drejtohej drejt Bejt el Makdes. Kështu ka thënë Ibn Abasi dhe shumica e mufesirinëve. Por ata kanë pasur mendime të ndryshme rreth faktit a u urdhërua me ajet Kur 'ani apo me mënyra të tjera? Dy janë mendimet e sjella në këtë çështje. Ikrime, Ebu Alijeh dhe Hasan el Basriu janë të mendimit se kibla drejt Bejt el Makdesit ishte me ixhtihad nga Profeti ﷺ .Pra, Bejt el Makdesi si kibl e pas mbërritjes në Medinë, ishte një përzgjedhje e Profetit ﷺ me ixhtihadin e tij, dhe kështu vazhdoi për më shumë se 16 muaj. Ai lutej e i përgjërohej Allahut vazhdimisht që të drejtohej drejt Qabes, e cila ishte kibla e Ibrahimit, dhe Allahu iu përgjigj lutjes së tij. Kështu erdhi urdhri për t’u drejtuar drejt Qabes dhe Profeti e njoftoi umetin për këtë dispozitë. I pari namaz që ai e fali drejt Qabes në Medinë ishte namazi i asrit (ikindisë), siç gjendet në dy Sahihët hadithi i El Berait (Allahu qoftë i kënaqur me të!), që thotë: 137 “Profeti u fal drejt Bejt el Makdesit për 16 ose 17 muaj, por atij i pëlqente që kibla e tij të ishte drejt Qabes. I pari namaz që fali ishte ai i asrit. Ndër ata që u falën me Profetin ﷺ ishte edhe një burrë, i cili pasi mbaroi namazin me Profetin , kaloi pranë një xhamie, ku njerëzit ishin në ruku duke u falur, dhe u tha: “Dëshmoj në emër të Zotit se unë sapo u fala me të Dërguarin e Allahut në drejtim të Mekës!” Atëherë ata u rrotulluan ashtu në atë pozicion siç ishin, në ruku, dhe u kthyen në drejtim të Qabes.” Tek Nesaiu përmendet se ishte namazi i drekës në xhaminë e Beni Seleme. Ndërsa

në hadithin e Nuejlete Bintu Muslimit thuhet se: 138 . “Kur atyre u arriti lajmi për këtë, ata ishin në namazin e drekës. Atëherë burrat, duke u rrotulluar, shkuan në vendin e grave dhe gratë, duke u rrotulluar, shkuan në vendin e burrave.” Ndërsa banorëve të Kubas u shkoi lajmi veçse në namazin e sabahut. Tek ata shkoi dikush dhe u tha: 139 “Profetit iu shpall një ajet këtë natë dhe u urdhërua që të drejtohet drejt Qabes. Fytyrat e tyre ishin drejt Shamit dhe u rrotulluan, derisa u drejtuan drejt Qabes.” 91 Kjo tregon se gjykimi abrogues hyn në fuqi veçse pas njohjes së tij, edhe pse mund të jetë shpallur më parë, sepse ata nuk u urdhëruan që të përsërisnin namazet e ikindisë, akshamit dhe jacisë, që i kishin falur në një drejtim që tashmë ishte i abroguar. Allahu është më i ditur. Kur erdhi ky vendim i ri, disa njerëz prej idhujtarëve, munafikëve dhe ithtarëve të librit, shprehën e shfaqën dyshime dhe shprehën shmangie nga udhëzimi i Allahut. Ata, tashmë po i shfaqnin këto dyshime e mospajtime me udhëzimin e Zotit, edhe pse ato ishin në zemrat e tyre edhe më parë. Ata filluan të thoshin: “Pse e ndërruan ata (muslimanët) kiblën e mëparshme?” Pra, në formë qesëndie thoshin: “Ç'është me këta njerëz?! Njëherë drejtohen drejt Bejt el Makdesit e njëherë drejt Qabes?!” Atëherë Allahu shpalli: - Thuaju: “Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi...". - Kështu, e gjithë çështja është në dorë të Tij dhe është Ai që vendos. Allahu i Madhëruar thotë : "Kudo që të jeni (o besimtarë) , kthejini fytyrat tuaja drejt saj!" Gjithashtu: "Nuk është e tërë mirësia që thjesht t’i ktheni fytyrat tuaja drejt lindjes ose perëndimit. Mirësi e vërtetë është të besosh në Allahun...." [Bekare 177]. Pra, ngado që të na drejtojë Allahu i Madhëruar, ne do të kthehemi andej. Kështu do të veprojmë edhe sikur të na urdhërojë çdo ditë që të kthehemi në një drejtim i ri, sepse e tillë është bindja e plotë ndaj Tij. Fakti që Allahu i Lartësuar e drejtoi umetin e Muhamedit drejt kiblës së Ibrahimit tregon për përkujdesin e Tij të madh për ta. - Ai udhëzon në rrugën e drejtë atë që do” - Imam Ahmedi sjell me senedin e tij hadithin deri tek Aishja, që tregon se Profeti ﷺ ,duke aluduar për ehlu kitabët, ka thënë: 140 “...ata nuk na kanë aq zili për ndonjë çështje, siç na kanë për ditën e xhuma, për të cilën na zgjodhi e udhëzoi Zoti dhe ata u privuan; për kiblën në të cilën na drejtoi Allahu dhe ata nuk ia qëlluan dhe për fjalën tonë pas imamit: "Amin!”” - Dhe kështu, Ne ju bëmë ju një popull të zgjedhur (e të drejtë), për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt. Edhe i Dërguari ka për të qenë dëshmitar për ju. - Popull “ uesatan”, do të thotë “të zgjedhur dhe të mirë”, siç thuhet në fjalën arabe: "Muhamedi është uesatan në popullin e tij", pra, është më i nderuari dhe më i zgjedhuri mes tyre. Gjithashtu, thuhet: "kurejshët janë uesatan mes arabëve", pra, më të zgjedhurit mes arabë ve, në derën e tyre dhe prejardhjen. E ngjashme me këtë është emërtimi: “Sal âtul usta” - “namazi i mesëm”, i cili është namazi më i mirë, e ky është namazi i ikindisë. Allahu e bëri këtë umet “ uesatan”, të zgjedhur e të ditur, pikërisht për ato veçori me të cilat e dalloi e përzgjodhi ndër popujt e tjerë. Ai i veçoi ata duke u dhënë Sheriatin më të plotë e të kompletuar, me rrugën më të drejtë dhe të qartë, siç ka thënë i Madhëruari: "Ju jeni populli më i mirë, i ardhur për të mirën e njerëzve. Ju urdhëroni për mirë, ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allahun." [Al Imran 110]. Imam Ahmedi sjell hadithin nga Ebu Seidi, se Profeti i Allahut ka thënë: 141 “Nuhu do të thirret në Ditën e Gjykimit dhe do t’i thuhet: “A e kumtove mesazhin e Zotit tënd?” - “Po”, - do të thotë. Atëherë do të thirret populli i tij dhe do t’i thuhet: “A jua kumtoi Nuhu mesazhin e Zotit?” Ata do të thonë: “Nuk na erdhi asnjë paralajmërues dhe nuk na erdhi askush që të na këshillonte.” Atëherë, do t’i thuhet Nuhut: “Kush dëshmon për ty?” Ai thotë: “Muhamedi dhe populli i tij.” Atëherë ai

tha: “Për këtë flet edhe fjala e Allahut: "Dhe kështu, Ne ju bëmë ju një popull uesatan. Ju do të ftoheni të dëshmoni dhe ju do të dëshmoni për të, siç e ka kumtuar të vërtetën e Zotit në popullin e tij dhe unë do të dëshmoj për ju (se ju dëshmoni të vërtetën).” [Buhariu, Termidhiu, Ibn Maxhe me rrugë të ndryshme nga Ea’meshi]. Ndërsa në hadithin e sjellë nga Ahmedi prej Ebu Seid el Hudriut thuhet: 142. “...Atëherë do të thirren (për të dëshmuar) Muhamedi dhe populli i tij dhe do t’u thuhet: “A ua kumtoi ky Profet të vërtetën popullit të vet?” - “Po.” Pastaj do t’u thuhet: “Nga e morët diturinë për këtë çështje?” Ata thonë: “Na erdhi një profet, i cili na njoftoi se profetët e kumtuan të vërtetën.” Për këtë flet fjala e Allahut të Lartësuar: "Ne ju bëmë një popull uesatan, për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt." - Dhe Ne e ndryshuam Kiblen nga e cila ti drejtoheshe vetëm për t'u dalluar ata që pasojnë sinqerisht të Dërguarin, nga ata që kthehen pas. - Kështu, o Muhamed, Ne të ligjëruam fillimisht kiblën drejt Bejt el Makdesit, e pastaj të urdhëruam të kthehesh drejt Qabes, me qëllim që të dilnin në pah ata që të pasojnë ty në urdhëresat që u sjell nga Zoti e drejtohen andej nga drejtohesh edhe ti, nga ata të cilët e braktisin rrugën tënde dhe kthehen në mosbesim, duke e lënë fenë e tyre. - Vërtet, kjo provë qe e rëndë, por jo për ata që Allahu i ka udhëzuar. - Kthimi nga kibla e parë në kiblën e dytë ishte shumë e rëndë për shpirtin, por jo për ata të cilët ua udhëzoi Allahu zemrat, që kishin besim të palëkundur në Shpalljen e Zotit dhe për faktin se çdo kumt që sjellin profetët është i vërtetë dhe për të nuk duhet të kesh as më të voglin dyshim. Ata e kuptojnë lehtësisht dhe natyrshëm se Allahu vepron çfarë të dëshirojë dhe mund të ligjërojë çfarëdo rregulli që dëshiron. Ai mund t’i ngarkojë robërit e Vet me çfarëdo ligji e urdhëresash që dëshiron, dhe pastaj mund të anulojë e ndryshojë çfarë të dëshirojë. Për të gjitha këto, Allahu ka urtësinë e plotë dhe me argumentin më të pathyeshëm. Ndërsa ata që në zemrat e tyre kanë sëmundje, sa herë që ndodh diçka, ajo mbjell tek ata dyshime e pasiguri, ndërkohë që zemrave të besimtarëve ua shton më tepër sigurinë dhe besimin e vërtetë dhe të qartë, siç thotë i Madhëruari: "Ne të shpallëm Kur 'anin, që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve u shton veçse dëshpërim." [Isra 82]. Disa kanë thënë se ata që Allahu i quan “ es-sabikune el euelun”,92 janë ata të cilët u falën në të dyja drejtimet që Zoti i ligjëroi. Kjo tregon se umeti i Muhamedit ishin në gradën më të lartë të bindjes për Allahun dhe besimin në Profetin e Tj. Ata janë njerëzit më të plotë në nënshtrimin për zbatimin e urdhëresave të Allahut të Lartësuar. Allahu qoftë i kënaqur me ta! - Dijeni se Allahu nuk jua humb kurrë besimin (namazin) tuaj. - Allahu nuk do t’jua humbasë kurrë namazin tuaj kur drejtoheshit drejt Bejt el Makdesit. Kështu, shpërblimi i namazit të asaj kohe kurrë nuk ka për të humbur tek Allahu. Në hadith të saktë përcillet nga El Bera që tregon se disa besimtarë vdiqën gjatë kohës kur ata faleshin në drejtim të Bejt el Makdesit (pa u ndryshuar kibla), ndaj disa njerëz pyetën: “Si është gjendja e tyre?” Atëherë Allahu zbriti ajetin: "Dijeni se Allahu nuk jua humb kurrë besimin (namazin) tuaj." Pra, Ai nuk do ta humbë imanin tuaj në kiblën e parë, besimin tuaj të plotë te Profeti, si dhe e bindjen e pasimin e sinqertë në kiblën tjetër. Ai do t’jua japë shpërblimin e plotë për të dyja rastet. - Vërtet, Allahu është Përdëllimtar dhe Mëshirëplotë me njerëzit. - Në një hadith të saktë thuhet: 143 “Njëherë, Profeti pa një grua mes robëreshave, që ishte ndarë nga fëmija e saj. Ajo, duke kërkuar për fëmijën e saj, sa herë që gjente ndonjë fëmijë të vogël, e merrte dhe e pushtonte në gjoksin e saj. Kur e gjeti fëmijën e saj, e pushtoi dhe i dha gjirin e saj. Profeti tha: "A mendoni se kjo grua do ta hidhte fëmijën e saj në Zjarr, nëse do të kishte mundësinë të mos e hidhte

atë?" - "Jo, - i thanë - o i Dërguari i Allahut." Atëherë, ai tha: "Me të vërtetë, Allahu është më i mëshirshëm për robërit e Tij, sesa kjo nënë me fëmijën e saj." 93

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:142–2:143

Këto ajete përmbajnë disa çështje. Në to përmendet një prej mrekullive të Profetit (s.a.u.s.). Ato përmbajnë gjithashtu një ngushëllim, i cili i qetësoi zemrat e besimtarëve. Ajetet tregojnë kundërshtimin e qafirëve ndaj caktimit të Zotit dhe urdhrave të Tij, si edhe përgjigjen ndaj këtij kundërshtimi me tri pika. Në ajete paraqiten cilësitë e atyre që kundërshtojnë ligjet e Zotit, nga njëra anë, si edhe cilësitë e atyre që i pranojnë plotësisht këto ligje, nga ana tjetër. Allahu i Lartësuar në këto ajete flet për një kategori njerëzish, të cilët i quan ‘sufehâ’ -mendjelehtë. Këta mendjelehtë kundërshtojnë dispozitat e shpallura prej Allahut të Lartësuar. Sufehâ quhen ata të cilët nuk dinë të dallojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për ta. Madje,

ata janë aq të paqëndrueshëm dhe të nxituar, saqë për hir të gjërave më të ulëta, janë gati të shesin të mirat më të mëdha që mund të ketë një njeri. Njerëzit mendjelehtë për të cilët flet ajeti janë çifutët, të krishterët dhe të gjithë ata që kundërshtojnë dispozitat e shpallura nga Zoti. Në rastin konkret, kundërshtimi ishte për shkak të ndryshimit të Kiblës. Gjatë kohës kur jetonin në Mekë, muslimanët ishin të urdhëruar të drejtoheshin për nga Xhamia e Shenjtë në Palestinë, kur ata falnin namazin. Po kështu vazhduan të faleshin edhe pas emigrimit në Medinë, për afro një vit e gjysmë. Në këtë caktim të Tij, Allahu i Lartësuar kishte fshehur mjaft urtësi, disa prej të cilave do të tregohen më poshtë. Një vit e gjysmë pas vajtjes në Medinë, Allahu i Lartësuar, me urtësinë e Tij, i urdhëroi besimtarët që të drejtoheshin për nga Qabja. Allahu i Lartësuar i lajmëroi besimtarët se mendjelehtët patjetër që do ta kundërshtonin urdhrin e Tij, duke thënë: - “Njerëzit mendjelehtë do të thonë: “Çfarë i ktheu ata (muslimanët) prej Kibles së mëparshme ?”” – Pra, cili qe shkaku që muslimanët e ndryshuan Kiblën nga Bejtul Mukadesi, Xhamia e Shenjtë në Palestinë, në drejtim të Qabesë? Çfarë i shtyu ata të bënin këtë ndryshim? Kjo pyetje e tyre shprehte kundërshtim të hapur dhe pakënaqësi ndaj caktimit të Zotit dhe ndaj ligjeve të shpallura prej Tij. Ajo qe një shprehje e poshtër e mosmirënjohjes ndaj dhuratave dhe mirësive të falura prej Allahut Bujar dhe të Urtë. Por Allahu i Madhëruar i qetësoi besimtarët, fillimisht, duke i paralajmëruar ata për fjalët që do të dëgjonin prej mendjelehtëve. Ai u tregoi se të tilla fjalë kundërshtuese buronin veçse prej njerëzve mendjelehtë, të paditur dhe të pafe. Urdhrat e Zotit i kundërshtojnë veçse mendjecekëtit. Kështu, nuk ia vlen që të shqetësohesh për hir të këtyre mendjelehtëve. Të urtët dhe të diturit nuk duhet të merakosen për fjalët e atyre, sepse është shumë e qartë se nga vijnë ato. Ky ajet tregon, pra, se urdhrat dhe dispozitat e shpallura prej Allahut i kundërshtojnë veçse ata që janë mendjelehtë, injorantë dhe inatçorë. Ndërsa të diturit, të urtët, të udhëzuarit dhe besimtarët i pranojnë pa mëdyshje këto urdhra dhe dispozita. Ata jo vetëm që i pranojnë, por edhe nënshtrohen plotësisht për zbatimin e tyre. I Lartësuari thotë në suren Ahzabë, ajeti 36: “ Kur Allahu ose i dërguari i Tij kanë vendosur për një çështje, nuk i takon (nuk i lejohet) besimtarit dhe besimtares që të gjejnë ndonjë gjykim tjetër në të. Kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, është në rrugë krejt të gabuar.” Dhe thotë në suren Nisa, ajeti 65: “Për Zotin tënd, jo. Ata nuk janë besimtarë, përderisa nuk të zgjedhin ty për të gjykuar në konfliktet mes tyre dhe pastaj të mos ndiejnë kurrfarë pakënaqësie nga gjykimi yt, por të të binden sinqerisht.” Dhe thotë në suren Nur, ajetet 51, 52: “Kur besimtarët ftohen, që ndërmjet tyre të gjykojë Allahu dhe i dërguari i Tij, e vetmja fjalë që thonë, është: “Dëgjuam dhe bindemi.” Ata janë të shpëtuarit. Kush i bindet Allahun dhe të dërguarit të Tij dhe kush ka frikë Allahun dhe i përmbahet udhëzimit të Tij, - ata do të jenë fitimtarët (që do të arrijnë çdo të mirë). ” Duke i përshkruar ata si “mendjelehtë”, është e panevojshme që t’i jepet ndonjë përgjigje pyetjes së tyre të kotë. Nuk ia vlen që atyre t'u kushtohet vëmendje më shumë se kaq. Megjithatë, edhe në këtë rast, Allahu i Lartësuar nuk do të lejonte që ky dyshim dhe kundërshtim i hedhur prej sufehâ-ve të kalonte pa u sqaruar dhe pa përgjigje. Allahu i Lartësuar e bëri këtë, me qëllim që në zemrat e njerëzve të mos mbetej asnjë lloj paqartësie. Ai thotë: - “Thuaju: “Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi. - Kështu pra, nëse Lindja dhe Perëndimi janë pronë e Allahut, atëherë kjo do të thotë që nuk ka asnjë drejtim tjetër në gjithësi që të mos jetë pronë e Tij. Edhe udhëzimi për të kuptuar të vërtetën është në dorën e Tij. Ai udhëzon në rrugën e drejtë kë dëshiron. Ndryshimi i Kiblës është, gjithashtu, udhëzim i urtë i dhuruar prej Tij,

që ju njerëz të faleni drejt Kiblës së babait tuaj, Ibrahimit (a.s.). Atëherë, kur çështja qëndron kështu, përse kundërshtojnë ata? Përse e kundërshtojnë urdhrin për t'u drejtuar në njërin nga kahet që është, gjithsesi, pronë e Allahut të Lartësuar? Vetëm fakti që drejtimi i ri i faljes, sikurse të gjitha drejtimet e tjera, është pronë e Allahut, do të mjaftonte që ai të respektohej pa ngurruar. Atëherë, si duhet të veprohet kur dihet se ai vjen si dhuratë nga Allahu i Lartësuar, si një udhëzim drejt rrugës së lumturisë dhe mirësisë?! Përgjigjja është e qartë. Nënshtrimi duhet të jetë i plotë dhe me kënaqësinë më të madhe. Ata që i kundërshtojnë të tilla urdhra i shtyn veçse zilia kundër besimtarëve, për dhuratat dhe mirësitë që Zoti u jep atyre . - “Ai udhëzon në rrugën e drejtë atë që do”. – Sipas kuptimit të drejtpërdrejtë të ajetit, udhëzimi i njerëzve është i kushtëzuar nga dëshira absolute e Allahut të Urtë dhe të Drejtë për t’i udhëzuar ose jo ata. Ky kuptim është t epër i saktë dhe i pakundërshtueshëm. Me fjalë të tjera, nuk ka dyshim se askush nuk mund ta gjejë udhëzimin e drejtë nëse këtë nuk e dëshiron Allahu i Lartësuar dhe i Drejtë. Por ky fakt nuk i bën të pavlefshme shkaqet njerëzore që bëjnë të meritueshëm udhëzimin ose humbjen, sepse si udhëzimi, ashtu edhe humbja e rrugës së drejtë, kanë shkaqe që i bëjnë të meritueshme ato. Vërtet Allahu i Lartësuar udhëzon atë që Ai dëshiron, por këtë e bën në përputhje të plotë me urtësinë dhe drejtësinë e Tij. Po me urtësinë dhe drejtësinë e Tij, Ai i lë në humbje ata që dëshiron. Nëse robi i zbaton dhe u nënshtrohet shkaqeve që të çojnë në udhëzim, atëherë Allahu i Lartësuar, me urtësinë, dijen dhe drejtësinë e Tij, i jep sukses atij për të ecur në rrugën e udhëzimit. E njëjta gjë vlen edhe për devijimin. Ajetet e Kur’ânit shpjegojnë njëri-tjetrin. Kështu, në një prej tyre thuhet: “Allahu fton për në Shtëpinë e Paqes (Xhenet) dhe udhëzon në rrugë të drejtë atë që Ai dëshiron . Atyre, që bëjnë vepra të mira u takon e mira, madje edhe më shumë. Fytyrat e tyre nuk i mbulon pluhuri i zi e as nënçmimi. Ata janë banorë të Xhenetit. Ata do të jenë atje përjetësisht. Për ata që bënë të këqija, (le ta dinë se) dënimi i të keqes është aq sa e keqja. Ata do t’i mbulojë poshtërimi. Ata nuk mund t’i mbrojë kush nga Allahu. Fytyrat e tyre do të jenë sikur t’i ketë mbuluar një pjesë nga terri i natës. Ata janë banorë të Zjarrit. Ata do të jenë atje përjetësisht.” [Junus 25-27]. Diku tjetër, Allahu thotë: “ Thuaj: “A ka ndonjë prej idhujve tuaj që ta drejtojë ndonjë të humbur tek e Vërteta? Thuaj: “Vetëm Allahu udhëzon për tek e Vërteta. Atëherë, a është më e drejtë të shkohet pas atij që udhëzon për tek e Vërteta, apo pas atij që nuk mund të udhëzojë, vetëm nëse udhëzohet prej dikujt tjetër? Atëherë ç’është me ju, si gjykoni kështu?!” Shumica e tyre pasojnë veçse hamendësime; por hamendësimi nuk është asgjë ndaj së vërtetës. Allahu di gjithçka që ata bëjnë .” [Junus 35 -36]. Allahu thotë gjithashtu: “ Betohem për natën, që me errësirë mbulon gjithësinë, për ditën, kur ajo shkëlqen dhe për Atë që krijoi mashkullin e femrën. Vërtet, veprat tuaja janë të ndryshme. Atij, që jep dhe ruhet, që e beson me bindje të plotë më të mirën, Ne do t'ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit. Atij që tregohet koprrac dhe e ndien veten të panevojë (për Zotin), dhe që mohon më të mirën, Ne do t'ia lehtësojmë atij rrugën drejt dënimit. Pasuria nuk do t’i bëjë dobi, kur ai të shkatërrohet. Është detyra Jonë udhëzimi. Vetëm e Jona është Bota tjetër edhe kjo. ” [Lejl 1 -13]. Në ajetet e mëposhtme, Allahu i Lartësuar tregon shkakun e udhëzimit të këtij umeti (muslimanëve) në gjithçka të mirë dhe të drejtë: - “Dhe kështu, Ne ju bëmë ju një popull të ekuilibruar…” – Kuptimi: Ju bëmë të ekuilibruar, ju mbushëm me mirësi, e kështu ju shpëtuam. Ekstremet janë gjithmonë në rrezik, dhe ky është një fakt. Ndërsa muslimanët Allahu i Lartësuar i ka udhëzuar të gjejnë ekuilibrin e artë në të

gjitha çështjet, të fesë apo të jetës qofshin. Kështu për shembull, nëse flasim për qëndrimin ndaj profetëve, ata i qëndrojnë besnikë mesit të artë. Ata nuk e teprojnë në lëvdimin dhe madhërimin e tyre, sikurse bëjnë krishterët, të cilët e konsiderojnë Isain si Zot dhe si bir të Zotit. Por ata as nuk tregohen të padrejtë, duke shpërfillur profetët e duke shkuar në ekstremin tjetër, sikurse vepruan çifutët, të cilët mohuan shumë profetë dhe shumë të tjerë i vranë. Muslimanët i besojnë të gjithë profetët, pa dallim, duke mos lejuar asnjë prishje të ekuilibrit të caktuar nga Zoti i gjithësisë. Ata i besojnë profetët ashtu sikurse janë në të vërtetë: si njerëz, si krijesa, si adhurues të Zotit të tyre, të cilët përçonin mesazhin e Tij ndër njerëz. Edhe ligjet që ata zbatojnë në jetën dhe në fenë e tyre janë të ekuilibruar, sepse ato nuk janë të ashpra dhe të vështira, sikurse janë ato të çifutëve. Por, nga ana tjetër, muslimanët nuk lejohen të kalojnë në ekstrem, duke i shpërfillur këto ligje, sikurse bëjnë krishterët, që pothuajse nuk kanë kufij që t’u përmbahen. Çifutët, sipas ligjit të tyre, lejohen të falen veçse nëpër sinagogat e tyre. Po sipas fesë së tyre, papastërtia në rroba nuk mund të pastrohet me ujë. Atyre iu bënë të ndaluara shumë nga ushqimet e mira, si ndëshkim për poshtërsitë e tyre. Ky është njëri ekstrem. Ndërsa në ekstremin tjetër qëndrojnë të krishterët, të cilët nuk njohin ndonjë gjë si të papastër apo të ndaluar. Ata lejojnë gjithçka që ka kjo botë. Ndërsa të ekuilibruarit janë të tillë në të gjitha çështjet e fesë dhe të jetës. Allahu i Lartësuar u ka lejuar atyre çdo gjë të pastër, të dobishme dhe të mirë, qofshin këto në ushqime, pije, veshje apo në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Ai u ka ndaluar atyre veçse gjërat që janë të papastra, të dëmshme dhe të këqija. Ky popull (muslimanët) ka fenë më të ekuilibruar dhe moralin më të lartë. Veprat e tyre kanë vetëm një synim: përmirësimin. Allahu i Lartësuar i dhuroi këtij populli dituri, butësi, drejtësi dhe mëshirë, në atë masë që nuk ia ka dhuruar asnjë bashkësie të mëparshme. Allahu i Lartësuar i bëri muslimanët një popull të ekuilibruar në drejtësinë dhe urtësinë e tyre, për një arsye të caktuar, siç e thotë në vijim: - “…për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt …” - Për shkak të drejtësisë dhe urtësisë së tyre të madhe, ata do të dëshmojnë për popujt e tjerë dhe kurrë nuk do të ndodhë e kundërta. Ata që ky popull i quan “të pranuar tek Zoti”, ata do të jenë vërtet të tillë. Ndërsa ata të cilët janë “të papranueshëm” në gjykimin e muslimanëve, ata do të jenë të tillë edhe për Allahun e Lartësuar. Dikush mund të thotë: Si mund të pranohet dëshmia e njërës palë për tjetrën, kur ato do t’i nënshtrohen të dyja të njëjtit gjykues? Aq më tepër që gjykimi i njërës palë kundër tjetrës është i papranueshëm, kur ato janë në konflikt me njëra tjetrën. Atëherë, si është e mundur që, Ditën e Gjykimit, do të pranohet gjykimi i muslimanëve kundër popujve të tjerë? Përgjigja: Është e vërtetë që, gjykimi i ndërsjelltë i palëve në konflikt me njëra - tjetrën nuk lejohet dhe nuk merret në konsideratë. Por kjo ndalesë vlen vetëm për rastet kur të dyja palët janë të akuzuara dhe të përlyera. Ndërsa kur njëra palë nuk është e akuzuar apo e përlyer, çështja ndryshon. Kështu shpjegohet edhe dëshmia e umetit islam Ditën e Gjykimit. Duke qenë se muslimanët janë të pajisur me drejtësi dhe dituri, ata e meritojnë që të gjykojnë dhe të dëshmojnë për popujt e tjerë, sepse kushte të dëshmisë dhe gjykimit janë që ato të kryhen me dije dhe me drejtësi. Si rrjedhojë, ato do të jenë të pranueshme Ditën e Gjykimit. Nëse dikush do ta kundërshtonte këtë gjykim dhe do të kërkonte ndonjë argument për drejtësinë e këtij umeti (muslimanëve) në dëshminë e tyre, Allahu i Lartësuar e ka plotësuar edhe këtë kërkesë. Për të gjykuar dhe dëshmuar mbi drejtësinë dhe dijen e muslimanëve, Ai ka zgjedhur dëshmitarin më të ditur dhe më të drejtë, krijesën më të mirë, Profetin e fundit, Muhamedin (a.s.):

- “Edhe i Dërguari ka për të qenë dëshmitar për ju.” - Ndër dëshmitë e këtij umeti ndaj popujve të tjerë, mund të përmendim se, Ditën e Gjykimit, Allahu i Lartësuar do t’i pyesë profetët: A e përçuat mesazhin Tim ndër popujt tuaj? Ata, sigurisht, do të përgjigjen se e kryen detyrën e ngarkuar. Por, kur Allahu i Lartësuar do t’i pyesë popujt në të cilët ata u dërguan si profetë, popujt do ta mohojnë këtë fakt. Ata nuk do ta pranojnë që profetët e përcollën mesazhin e Zotit. Atëherë, profetët do të kërkojnë dëshminë e popullit të fundit, muslimanëve, të cilët do të dëshmojnë se çdo profet e kreu me përkushtim dhe totalisht detyrën e ngarkuar prej Allahut. Për vërtetësinë dhe saktësinë e kësaj dëshmie, do të dëshmojë edhe Profeti i umetit të fundit, Muhamedi (s.a.u.s.). Ky ajet provon se mendimi unanim i këtij umeti është argument i sigurt, i tillë që është detyrë të besohet, të pranohet dhe të zbatohet. Ky umet nuk mund të bjerë në pajtueshmëri mendimi për diçka të gabuar. Ai nuk mund të pranojë një gjë të gabuar si të saktë, sepse Allahu i Lartësuar e ka cilësuar atë si “ ueseţa” (të ekuilibruar) në dije dhe drejtësi. Nëse muslimanët do të binin të gjithë në konsensus për diçka të gabuar, atëherë nuk do të meritonin të quheshin të tillë. Këtë qëndrim e përforcon edhe fjala e Allahut të Madhëruar: “…për të qenë dëshmitarë (Ditën e Gjykimit) për popujt”. Nëse ky umet dëshmon se diçka është hallall apo haram, sipas gjykimit të Zotit, atëherë kjo dëshmi është e pakundërshtueshme, sepse ata janë të pagabueshëm në këtë dre jtim. Muslimanët janë të pagabu eshëm në qëndrimet e tyre unanime, sepse përndryshe nuk do të meritonin të përzgjidheshin që të dëshmonin mbi të gjithë popujt e tjerë. Nga ky ajet mësojmë, gjithashtu, se dëshmia, gjykimi dhe dhënia e fetvave janë të papranueshme, nëse ai që i kryen nuk e gëzon cilësinë “adâle” 4. - “Dhe Ne e ndryshuam Kiblen nga e cila ti drejtoheshe…” – Fjala është për kiblën e parë, që ishte drejt Xhamisë së Shenjtë në Palestinë. Sigurisht që ky vendim kishte urtësi në vetvete. Allahu i Lartësuar ka dituri absolute dhe nuk ka nevojë që, për të ditur diçka, të provokojë krijesat që ta shfaqin atë të cilën e mbajnë të fshehur brenda shpirtit të tyre. Ai i sjell sprovat me qëllim që krijesat ta shfaqin qëndrimin që e mbajnë të fshehur dhe, në këtë mënyrë, të bëjnë të meritueshëm shpërblimin ose ndëshkimin e Tij. Allahu i Lartësuar nuk do të gjykonte kurrë për të dhënë shpërblime dhe ndëshkime, duke u bazuar thjesht në dijen e Tij absolute për të fshehtat. Shpërblimi ose ndëshkimi janë të lidhur ngushtë me veprat, të cilat shfaqen dhe lënë gjurmë. Kjo është drejtësia absolute e të Madhërishmit. Ai ndëshkon veçse pas sqarimit të argumenteve dhe qartësimit të së vërtetës nga ana e Tij. Ai nuk ndëshkon thjesht dhe vetëm duke u bazuar në dijen e Tij të fshehtë rreth krijesave, por sipas veprave të kryera prej tyre, pasi kështu ato nuk do të kenë asnjë justifikim para Krijuesit. Allahu i Lartësuar thotë:

- “…vetëm për t'u dalluar ata që pasojnë sinqerisht të Dërguarin, nga ata që kthehen pas …” – Domethënë, për t'u dalluar qartë ata që e pasojnë rrugën e Profetit, pasi e njohën mirë atë. Njeriu e ka detyrë që, pasi ta ketë njohur të vërtetën, ta pasojë atë rigorozisht në të gjitha rastet, sepse ai është thjesht një krijesë, e cila duhet me domosdo t’i nënshtrohet ligjeve të Krijuesit të saj dhe të zbatojë urdhrat e Tij. Aq më tepër që, edhe në librat e para të Zotit sqarohej qartë që Profeti i fundit do të drejtohej nga një kah tjetër për të kryer faljen e namazit dhe, më konkretisht, drejt Qabes. Ai që realisht e kërkon rrugën e drejtë nuk ia lejon vetes që të mos bindet dhe të mos pasojë të vërtetën e sigurt. Përkundrazi, argumentet ia shtojnë edhe më shumë atij besimin dhe bindjen ndaj Profetit të fundit të Allahut. Ndërsa ata që ia kthejnë shpinën të vërtetës së qartë dhe të sigurt, duke ndjekur pasionin dhe mendjemadhësinë e vet, pa dyshim që do të zhyten edhe më shumë në mosbesimin e tyre. Më shumë do të çoroditen e turbullohen. Të tillët, si fatkeqë e të pashpresë, vazhdimisht do të sjellin argumente të pabaza dhe të pafaktuara. Justifikimet e tyre do të jenë gjithmonë të ndërtuara mbi dyshime e hamendësi. - “Vërtet, kjo provë qe e rëndë,” - Kjo dispozitë për ndryshimin e Kiblës ishte shumë e vështirë për t'u pranuar. I Madhëruari thotë se ajo ishte sprovë e madhe. - “…por jo për ata që Allahu i ka udhëzuar” - Ai i ka udhëzuar ata që ta kuptojnë drejt se kjo dispozitë është një mirësi e madhe nga Zoti i tyre. Kjo është një mirësi, ndaj së cilës duhet të tregohesh mirënjohës. E si të mos tregohesh mirënjohës ndaj Allahut të Lartësuar, kur Ai na drejtoi drejt kësaj Shtëpie madhështore, të cilën e dalloi mbi të gjitha vendet e tjera. Vizita e kësaj Faltoreje për haxh dhe umre është një nga kushtet e Islamit dhe shkak për fshirjen e të gjitha gjynaheve të robit. Këto mirësi e lehtësojnë shumë pranimin, madje me kënaqësi, të dispozitës së zbritur prej Allahut të Lartësuar. Ndërsa të tjerët, të cilët nuk janë udhëzuar të kuptojnë mirësitë që fsheh kjo dispozitë, sigurisht që do ta kenë të vështirë t’i përballojnë ndryshime të tilla kaq të mëdha. Pastaj i Madhëruari thotë: - “Dijeni se Allahu nuk jua humb kurrë besimin (namazin) tuaj”. - Është e pamundur të mendohet një gjë e tillë për Allahun e Lartësuar. Është jashtë çdo mundësie që Allahu t'ua humbasë dhe t'ua çojë dëm veprat dhe besimin e të mirëve. Ky është një përgëzim shumë i madh për këdo që Allahu i Lartësuar e ka begatuar me besim të sinqertë dhe me fenë Islame: Ai do t'ia mbrojë besimin dhe do ta ruajë nga devijimi. Ruajtja që jep Allahu i Lartësuar në këtë aspekt është dy llojesh: 1. Që adhuruesi të mos e humbasë besimin e tij prej shumë faktorëve që e shkaktojnë një gjë të tillë, siç janë, për shembull, sprovat, fatkeqësitë, dëshirat apo pasionet e shfrenuara. 2. Ndërsa lloji i dytë i ruajtjes së Allahut të Lartësuar është suksesi që Ai i jep adhuruesit për ta shtuar e plotësuar imanin e tij. Ai i jep sukses atij të cilit dëshiron t’ia ruajë imanin besimin, duke i krijuar çdo mundësi për këtë gjë. Ashtu sikurse e udhëzon që të gjejë rrugën e besimit fillimisht, në të njëjtën mënyrë e ndihmon që ta përsosë dhe ta ruajë atë më tej, të pacënuar. Kësisoj, Allahu e plotëson mirësinë e Tij ndaj adhuruesit, duke ia shtuar imanin, por edhe shpërblimin për veprat që kryhen në emër të këtij imani, sepse besimtarin e vërtetë nuk mund ta devijojnë kurrë sprovat, sado të mëdha qofshin ato. Nga Fjala e Allahut të Lartësuar: “ Ne e ndryshuam Kiblen nga e cila ti drejtoheshe vetëm për t'u dalluar ata që pasojnë sinqerisht të Dërguarin, nga ata që kthehen pas …” dikush mund të kuptojë gabimisht se, sprova mund të bëhet shkak që, edhe disa besimtarë të kthehen mbrapa dhe të braktisin besimin e tyre. Por Allahu i Lartësuar, në ajetin që vjen më poshtë, e

mohon kategorikisht këtë mendim të gabuar, kur thotë: “Dijeni se Allahu nuk jua humb kurrë besimin (namazin) tuaj.”. Kështu, Ai deklaron që, sprovat, sado të mëdha qofshin, nuk mund ta devijojnë besimtarin dhe nuk m und t’ia humbasin besimin atij. Ky premtim përfshin edhe ata të cilët vdiqën para se të ndryshohej Kibla. Pra, Allahu i Lartësuar nuk do t'ua humbasë besimin edhe asaj kategorie njerëzish, sepse ata nuk bënë gjë tjetër, por veçse zbatuan urdhrat e Allahut dhe të Profetit të Tij. Bindje ndaj Allahut quhet zbatimi i përpiktë i urdhrave të Tij, në çdo kohë qofshin ato. Ky ajet dëshmon, gjithashtu, për saktësinë e mendimit të Ehli Sunetit, se: edhe veprat janë pjesë e imanit, pasi Allahu i ka quajtur punët e gjymtyrëve (namazin) “iman”. - “Vërtet, Allahu është Përdëllimtar dhe Mëshirëplotë me njerëzit. ” - Allahu i mëshiron shumë njerëzit. Prej kësaj mëshire shumë të madhe është edhe plotësimi i mirësive të Tij ndaj tyre, duke ua ruajtur dhe shtuar besimin që ua dhuron fillimisht. Është pikërisht mëshira e Tij që i dallon ata mbi njerëzit që shtiren si besimtarë dhe mashtrojnë. Po prej mëshirës së Tij ishte edhe sprova e mësipërme, nëpërmjet së cilës Ai e shtoi edhe më tepër besimin dhe bindjen e tyre. Me mëshirën e Tij, Ai ua ngriti gradat shumë lart, duke i urdhëruar ata që të drejtoheshin për nga Faltorja më e nderuar që ekziston mbi Tokë, e cila është Qabja.

← Bekare 2:142