2. Bekare · Ajeti 151 · Tefsir
Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:146–2:157
Pejgamberët, që ishin para Muhammedit si Musai e Isai kishin lajmëruar për ardhjen e Muhammedit, por disa prijës fetarë, edhe pse e dinin e fshehen këtë të vërtetë.
Çështja e kibles ishte një nga çështjet e para që pësoi ndryshim në dispozitat e sheriatit islam, andaj, përsëritet urdhëri për kthim kah ajo. Të gjithë myslimanët kanë një kible dhe të gjithë, kudo që të gjenden, gjatë lutjeve i kthehen asaj. Derisa të gjithë janë të koncentruar në një pikë, në një kible, është rreptësisht e ndaluar që një ithtari të kibles t'i thuhet pabesimtarë, kafir.
Namazi dhe durimi janë faktorë kryesorë, që e ndihmojnë njeriun në zgjidhje të çdo problemi, pse në to kujtohet fuqia dhe mëshira e Zotit.
Dëshmorët, shehidët në rrugën e Zotit, nuk e përjetojnë distancën në varreza sikurse e përjetojnë të tjerët deri në ringjallje, ata ia fillojnë menjëherë jetës së botës tjetër. Për jetën e tyre ne nuk jemi të njohur, atë e di vetëm Zoti, sepse ata janë të gjallë te Zoti. Është gabim të mendosh se trupi i tyre nuk prishet, janë të gjallë edhe me trup, sepse Zoti thotë janë të gjallë te Zoti, e jo te ne. i Për sabërlinjt e kemi edhe hadithin e Pejgamberit: "Kur ndonjë prindi i vdes evladi, Allahu u thotë melekëve: a ia morët shpirtin e fëmijës të robit Tim" Ata thonë: po. Ai thotë: a ia morët pemën e zemrës" Ata thonë, po. Ai thotë: e çka tha ai robi Im" Ata thonë: të falënderoi dhe tha se edhe ne do të vdesim e do të shkojmë te Zotit Ai thotë: Ndërtoni për te një shtëpi në xhennet dhe vënia emrin "Shtëpia e lavdërimitt" (Ahmed, Tirmidhi).
Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:151–2:152
- Ja kështu Ne dërguam mes jush një profet nga gjiri juaj, që t’ju lexojë ajetet Tona, që t’ju pastrojë, t’ju mësojë Librin dhe Urtësinë, dhe t’ju mësojë atë që nuk e dini. - Allahu i Madhëruar u kujton robërve të Tij besimtarë mirësinë e madhe që u dhuroi, kur dërgoi ndër ta Profetin e Tij, Muhamedin ﷺ , që t’u lexonte atyre, ajetet e qarta, t’i pastronte nga poshtërsitë e ligësitë, për t’i nxjerrë nga errësira e shirkut në dritën e teuhidit, e për t’u mësuar Librin, - pra, Kur'anin, - dhe Urtësinë, pra, Sunetin. Ai e dërgoi Profetin e Tij ndër ju, për t’ju mësuar atë që nuk e dinit. Ata ishin një popull i zhytur në injorancë të errët e të frikshme dhe në kotësira fjalësh e besimesh. Por me mirësinë e begatinë e kësaj shpalljeje, ata u ngritën në gradën e lartë të eulijave të Zotit dhe dijetarëve të mëdhenj. Ata u shndërruan në dijetarë, adhurues të sinqertë e të përulur ndaj Zotit pikërisht me mirësinë e madhe që Zoti u dhuroi me dërgimin e Muhamedit ﷺ . Për këtë arsye, Allahu i Madhëruar i nxit besimtarët që ta njohin dhe shprehin mirënjohjen për këtë mirësi dhe t’i japin hakun e saj duke e përmendur dhe lavdëruar shumë Allahun: - Më kujtoni, që edhe Unë t’ju kujtoj! Më falënderoni e mos më mohoni! - Ashtu siç ju bekova dhe dhurova mirësinë e madhe me dërgimin e Muhamedit ﷺ , ashtu më kujtoni e përmendni vazhdimisht në veten tuaj. Nga Zejd Ibn Eshiri përcillet se Musai i tha Zotit: “O Zoti im, si të të falenderoj e shpreh mirënjohjen time për Ty?” Zoti i tha: “Më kujto mua dhe mos më harro ! Nëse më kujton e përmend vazhdimisht, më ke falenderuar dhe je treguar mirënjohës; e nëse më harron, atëherë më ke mohuar .” Hasan el Basriu ka thënë: “Allahu e kujton atë që e përmend Atë, ia shton mirësitë atij që tregohet mirënjohës dhe falënderues për to dhe e ndëshkon atë që e mohon Atë.” Disa selefë, duke shpjeguar fjalën e Allahut: “Frikësojuni Zotit me një frikë të vërtetë”, kanë thënë: “Kjo do të thotë që t’i bindesh Atij dhe të mos ia thyesh urdhrat, ta përmendësh e kujtosh Allahun e të mos e harrosh, ta falenderosh dhe të mos e mohosh.” Hasan el Basriu, fjalën e Allahut: “Më kujtoni, që Unë t’ju kujtoj” e ka shpjeguar: “Më kujtoni mua duke zbatuar ato urdhëresa me të cilat ju kam ngarkuar, që t’ju kujtoj e t’ju jap atë që ia kam bërë detyrë vetes si shpërblim për ju.” Në hadith të saktë qëndron: 149 “Allahu i Madhëruar ka thënë: “Kush më kujton në veten e vet, Unë e kujtoj Atë në Veten Time. Kush më përmend në një kuvend, Unë e përmend Atë në një kuvend më të mirë.” Allahu i Lartësuar thotë: "Më falënderoni e mos më mohoni!" Kështu, Allahu i Lartësuar ka
urdhëruar që të jemi mirënjohës dhe falënderues ndaj Tij. Madje, Ai u ka premtuar atyre që janë mirënjohës se do t’ua shtojë të mirat. Thotë i lavdëruari: "Zoti juaj shpalli: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj të mirat, por nëse do të tregoheni mosmirënjohës, të jeni të bindur se dënimi Im është vërtet shumë i rëndë." [Ibrahim 7]. Ahmedi përcjell me senedin e tij që Raxha el Utaridij ka thënë: “Një ditë erdhi tek ne Imran Ibn Husajni, që kishte veshur një veshje prej hizzi, rrobë e shtrenjtë, që nuk ia kishim parë ta vishte më parë dhe as më vonë nuk e pamë ta vishte ndonjëherë. Ai na tha: “Profeti i Allahut ka thënë: 150 “Nëse Allahu i Lartësuar i ka dhënë dikujt ndonjë mirësi, le ta dijë se Allahu e dëshiron dhe kënaqet që të shohë shenjat e mirësive që u ka dhënë krijesave të Tij.” Ndërsa në një version tjetër të këtij hadithi, Reuhi ka thënë: “Allahu e dëshiron dhe kënaqet që të shohë shenjat e mirësive që u ka dhënë robërve të Tij.”
Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:151–2:152
Në këto ajete, Allahu i Lartësuar na kujton se dispozita për Kiblën, plotësimi i begative të Tij ndaj nesh dhe udhëzimi në rrugën e drejtë nuk janë as mirësitë e para e as të fundit që Ai u ka falur adhuruesve të Tij. - “Ja kështu Ne dërguam mes jush një profet nga gjiri juaj, ” – Pra, mirësitë e lartpërmendura janë të ngjashme me mirësinë e dërgimit të një Profeti nga mesi juaj. Allahu i Lartësuar kujdeset për adhuruesit e Tij, duke u falur mirësitë themelore në fillim dhe duke vazhduar më tej me mirësitë plotësuese. Më e madhja mirësi ishte pikërisht përzgjedhja e një Profeti nga mesi i tyre. Ai zgjodhi një Profet, të cilit ata ia dinin prejardhjen dhe përkatësinë farefisnore. Kështu, ata ishin të sigurt për sinqeritetin dhe pastërtinë e tij si njeri, pasi ata e njihnin atë si besnik, të ndershëm, të moralshëm dhe të urtë. Po përse u dërgua ai Profet? Thotë i Lartësuari: - “…që t’ju lexojë ajetet Tona…” – Domethënë, t'ju kumtojë ajetet kur’ânore dhe çdo fjalë tjetër të sjellë prej Allahut. Shpjegimi: Profeti i fundit ju kumton juve gjithçka, nëpërmjet së cilës ju do të dalloni të vërtetën nga e kota. Nëpërmjet Shpalljes, ju do të dalloni rrugën e drejtë nga e gabuara. Shpallja hyjnore ju sqaroi fillimisht njëshmërinë e Allahut dhe faktin se Ai është i Vetmi që meriton adhurimet tuaja. Nëpërmjet saj, ju u siguruat plotësisht rreth sinqeritetit dhe vërtetësisë së Profetit të Zotit dhe e kuptuat domosdoshmërinë e besimit dhe të pasimit të rrugës së tij. Po nëpërmjet Shpalljes, ju mësuat ligjin e jetës, të cilin duhet ta zbatoni derisa të takoni Krijuesin tuaj. Ajo ju njohu me gjithçka që ju pret pas vdekjes dhe ju nxiti të punoni për Ditën e Premtuar. Ajo ju pajisi me jaķîn-in, me sigurinë e plotë në premtimin e Zotit, e cila është nxitësja e çdo të mire. Më tej: - “…që t’ju pastrojë” – T’ju pastrojë moralin nga çdo cilësi e ulët dhe shpirtin nga çdo gjë e keqe. Allahu do t’ju pastrojë nga idhujtaria, dhe do t’jua mbushë zemrën me teuhid, fillimisht, pastaj do t'ju pastrojë nga cilësitë e këqija, dhe do t’ju pajisë me virtyte të larta. Këto do të bëhen nëpërmjet Profetit dhe mësimeve të tij. Allahu do t’ju nxjerrë nga idhujtaria në teuhid, nga mashtrimi në sinqeritet, nga tradhtia në besnikëri, nga mendjemadhësia në modesti, nga morali më i ulët në moralin më të lartë. Ai do t’ju shpëtojë nga armiqësia dhe urrejtja që keni ndaj njëri -tjetrit, dhe do t’ju fusë në miqësi dhe dashuri mes jush. Mirësi tjetër që Allahu i Lartësuar u bëri adhuruesve nëpërmjet Vulës së profetëve, ishte edhe mësimi i Librit dhe Urtësisë, siç thotë Ai: - “…t’ju mësojë Librin dhe Urtësinë” - Libri është Kur’âni. Domethënë, Profeti do t’ju mësojë të lexoni Kur’ânin dhe të kuptoni brendinë e tij. Por ai do t’ju mësojë edhe atë që quhet ĥikmet-in, domethënë urtësinë. Siç kanë thënë disa dijetarë,
qëllimi me këtë fjalë është Suneti ose Tradita profetike. Ndërsa disa të tjerë janë të mendimit se fjala “ ĥikmet” nënkupton hollësitë e Sheriatit të zbritur nga Allahu i Lartësuar. Kështu, sipas tyre, kuptimi është: Nëpërmjet Profetit, ju do të aftësoheni që, përveç kuptimit të Kur’ânit dhe të Sunetit, të cilët përfshihen në fjalën “Libër”, ju do të mësoni edhe imtësitë e ligjit hyjnor, duke i dhënë çdo gjëje vendin e vet. Me kuptimin e dytë, fjala ‘Libër’ përfshin Kur’ânin dhe Sunetin. Edhe kjo mundësi është e saktë, sepse Tradita profetike është plotësuese dhe shpjeguese e Kur’ânit. - “…dhe t’ju mësojë atë që nuk e dini” - Para ardhjes së Profetit të fundit, njerëzit ishin të paditur dhe në humbje të thellë. Ata nuk e njihnin të vërtetën dhe as nuk punonin sipas saj, prandaj çdo mësim i vyer dhe çdo vepër e mirë që ka arritur ky umet, është rezultat dhe fryt i ardhjes së Profetit të nderuar. Profeti (s.a.u.s.) është mirësia më e madhe që Allahu i Lartësuar u ka falur adhuruesve të Tij, e cila e bën të detyrueshme mirënjohjen e tyre ndaj Tij. Më tej, i Madhëruari thotë: - “Më kujtoni, që edhe Unë t’ju kujtoj.” - Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na urdhëron që ne ta kujtojmë vazhdimisht Atë. Nëse e bëjmë këtë, atëherë Ai na ka premtuar shpërblimin më të madh që mund të ëndërrojë një adhurues: “…që edhe Unë t’ju kujtoj”. Profeti (s.a.u.s.) përcjell tek ne këto fjalë të Allahut të Lartësuar dhe Bujar, që thotë: “Atë që më kujton Mua në veten e Tij, Unë e kujtoj atë në veten Time. Atë që më kujton Mua në një grup njerëzish, Unë e kujtoj atë në një grupim më të mirë se ai”. Kujtimi më i plotë dhe më i mirë i adhuruesit për Zotin e tij është ai që bëhet me gjuhë dhe zemër bashkë. Ky lloj kujtimi shton në zemër njohjen dhe dashurinë për Allahun e Lartësuar. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar e shpërblen atë njeri me mirësi të shumta. Kujtimi i Allahut të Lartësuar është kushti kryesor për t’u treguar mirënjohës ndaj Tij, prandaj Allahu i Lartësuar urdhëron veçanërisht për kujtimin dhe pastaj urdhëron përgjithësisht për mirënjohje ndaj Tij. Në vijim, i Lartësuari thotë: - “Më falënderoni…” – Kuptimi: Jini mirënjohës për mirësitë që ju kam dhuruar dhe për të këqijat që ju a kam larguar ! Mirënjohja bëhet me zemër, me fjalë dhe me vepra. Mirënjohja me zemër bëhet duke i pranuar plotësisht dhe me përulje mirësitë e Zotit. Mirënjohja me fjalë bëhet duke e falënderuar dhe duke e lavdëruar Allahun e Lartësuar. Mirënjohja me vepra bëhet duke i kryer ato si bindje ndaj Krijuesit dhe ndaj urdhrave të Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Nëse robi tregon vërtet një mirënjohje të tillë, ai garantohet për dy gjëra: 1. Ruajtja e paprekur e mirësive, të cilat i zotëron. 2. Shtimi i mirësive ekzistuese dhe i të mirave që ende nuk i zotëron. I Lartësuari thotë: “ Zoti juaj shpalli: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj të mirat, por nëse do të tregoheni mosmirënjohës, të jeni të bindur se dënimi Im është, vërtet shumë i rëndë.”” [Ibrahim, 7]. Nga ky urdhër që Allahu i Lartësuar u jep adhuruesve, për të qenë mirënjohës ndaj Tij, pas përmendjes së mirësive që u përmendën më sipër, kuptojmë që ato janë mirësitë më të mëdha për të cilat duhet falënderuar Allahu i Lartësuar. Me fjalë të tjera, urdhri për të qenë mirënjohës, tregon se mirësitë e lartpërmendura janë shumë të mëdha. A ka mirësi më të madhe se dija që Allahu i Lartësuar i dhuroi këtij umeti, me anë të së cilës lartësohen dhe pastrohen mendja, trupi dhe shpirti?! Allahu jo vetëm që i pajisi me këtë dije të dobishme, por edhe u dha sukses që të veprojnë dhe të jetojnë sipas saj. E pra, kjo është mirësia më e madhe, e cila kurrë nuk zhduket, edhe nëse ikën çdo lloj mirësie tjetër. Prandaj është detyrë për këdo, të cilit Allahu i Lartësuar i dhuroi këtë dije dhe i dha sukses që të punojë dhe të jetojë sipas saj, që ta falënderojë Atë pareshtur. Duke falënderuar Allahun, mirësitë e Tij ruhen, dhe jo vetëm kaq, por
edhe shtohen më tepër. Mirënjohësve, Allahu i Lartësuar ua shton mirësitë dhe i ruan nga sëmundja e vetëkënaqësisë. Duke qenë se mirënjohja është e kundërta e mohimit, Allahu i Lartësuar thotë: - “…e mos më mohoni!” - Fjala “ kufr” (mohim) është përdorur këtu përballë fjalës “shukr” (mirënjohje). Pra, është fjala për mohimin e mirësive dhe mosmirënjohjen ndaj tyre. Por ka mundësi që fjala “mohim” të jetë sjellë me një kuptim më të gjerë, në të cilin hyn mohimi i Zotit dhe të gjitha llojet e tjera të poshtërsive dhe të mosmirënjohjes. Në këtë vështrim, Allahu i Lartësuar na i ka ndaluar të gjitha llojet e mohimit.