← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 168 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:158–2:170

Safa dhe Merve janë emra të dy brigjeve afër Qabes. Në Safa kishte qenë një statujë që quhej "Asaf" e në Merve një që quhej "Nailetun". Kur idhujtarët i vizitonin, u prekshin për to. Myslimanët pasi e çliruan Mekën dhe Qabën nuk deshën t'i vizitojnë, duke u frikësuar se po madhërojnë diçka që adhurruan edhe idhujtarët. Pasi që i hoqën ato statuje, u këshilluan po madhërojnë diçka që adhurruan edhe idhujtarët. që t'i vizitojnë ato dy birigje. Tash haxhinjt ecin ndërmjet atyre dy brigjeve dhe ajo ecje quhet "sa'jun", dhe është obligim.

Ata të cilët fshehin argumentet e Zotit, nuk besojnë vetë dhe nuk i lënë as të tjerët ta njohin të vërteteën e të besojnë, ata janë të përzënë prej mëshirës së Zotit, vetëm nëse pendohen shpjegojnë haptazi atë që kanë fshehur dhe bëjnë punë të mira, atëherë Zoti ua falë, e nëse vdesin si pabesimtarë, ata kurrë nuk kanë shpëtim. i Zoti sjell fakte të qarta për ata që kanë mendim të shëndoshë, siç është e tërë gjithësia me i krijesat e dukuritë në te, andaj nuk mbetet vend për besime të kota.

Shpjegimi i skenës, që do të shfaqet në ditën e kijametit, është ndihmë e madhe dhe mëshirë nga i madhi Zot, ashtu që të mos mashtrohemi e të shkojmë pas punëkëqinjve, sepse atë ditë ata, kur ta shohin dënimin që i pret nëse munden do të largohen.

Të imitosh në mënyrë të vërbër traditat e të parëve, kur ato janë të dëmshme, është gabim i madh. Kështu vepruan idhujtarët. Ata nuk pranuan faktet e sakta, as këshillat e dobishme, por shkuan pas mësimeve të dreqit, i cili gjithnjë mëson për mbrapsht. Trashëgimi i traditave të të parëve që janë në dobi të njeriut, duhet ruajtur e respektuar.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:168–2:169

- O njerëz! Hani nga ato ushqime të lejuara dhe të mira që gjenden në Tokë, ..." - Pasi sqaroi faktin se Ai është i vetmi i Adhuruar me meritë, Allahu i Madhëruar tregon se Ai është El Râzik – Furnizuesi, që u jep rizk të gjitha krijesave të Tij. Ai u tregon e kujton mirësinë e Tij që u bëri të lejuar çdo gjë që është e mirë dhe iu ndaloi çdo gjë që është e dëmshme. Qartësimi i hallallit dhe haramit janë mirësi nga Allahu i Lartësuar. Në hadith të saktë në Sahihun e Muslimit përcillet se Profeti ﷺ ka thënë: 170 “Allahu i Lartësuar ka thënë: “Çdo pasuri që ia kam dhënë (e bërë hallall) robërve të Mi, ajo është e lejuar për ta...” Në këtë hadith thuhet gjithashtu: "Unë i krijova robërit e Mi me besim të drejtë ( hunefa), por atyre iu vërsulën shejtanët dhe i larguan nga feja e tyre, duke ua bërë haram atë që unë ua bëra hallall.” Hafidh Ebu Bekër Ibn Merdeuejhi përcjell prej Ibni Abasit, që ka thënë: 171 “Unë i lexova Profetit ﷺ këtë ajet: "O njerëz! Hani nga ato ushqime të lejuara dhe të mira që gjenden në Tokë..." Ndërkohë, Sad Ibn Ebu Uekkasi u ngrit dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, lute Allahun që të më bëjë mua nga ata njerëz që iu pranohen lutjet!" Profeti ia ktheu: “O Sad, le të jetë ushqimi yt i pastër (hallall), dhe atëherë ti do të jesh nga ata njerëz që u pranohen lutjet. Betohem në Atë në dorë të të cilit është shpirti i Muhamedit se, kur njeriu fut një kafshatë haram në bark, nuk i pranohet duaja për 40 ditë. Çdo njeri që ka vënë mish në trupin e tij përmes pasurisë haram dhe të fitimit me fajde, ai më tepër meriton zjarrin.” Allahu i Lartësuar thotë: - ... e mos shkoni pas hapave të shejtanit! Ai është armiku juaj i betuar. - Allahu na paralajmëron që të ruhemi dhe të largohemi sa më shumë prej shejtanit. Në një ajet tjetër thotë: "Shejtani është armiku juaj. Kështu që, edhe ju konsiderojeni si armik! Ai i fton ithtarët e vet për t’i bërë banorë të Zjarrit." [Fatir 6]. Pastaj i Lartësuari thotë: - Ai ju urdhëron vetëm për të këqija e poshtërsi - Çdo poshtërsi e mosbindje ndaj Allahut, çdo vesves dhe gabim është nga hapat e shejtanit. Po kështu është dhe çdo betim për të bërë gjynah e poshtërsi. El Sha’biju tregon se, njëherë, një burrë u betua se do të bënte kurban djalin e vet nëse do të ndodhte aksh gjë. Atëherë, Mesruku i dha fetva që të ther te një dash, dhe pastaj i tha: “Ky betim i gabuar është ndjekje e hapave të shejtanit.” Abd Ibn Humejdi përcjell në Senedin e tij prej Ibn Abasit, që ka thënë: “Çdo betim e zotim gjatë zemërimit është prej hapave të shejtanit. Shlyerja e tyre është njëlloj si kompensimi për thyerjen e betimit. 96” - ...dhe ju shtyn që të thoni për Allahun gjëra që nuk i dini. - Armiku juaj, Shejtani, ju urdhëron që të bëni vepra të

këqija, pastaj edhe më të këqia se ajo, si "imoraliteti", pastaj edhe më të këqija se ajo, siç është "të folurit për Allahun pa dituri". Kjo është një këshillë për të qenë i kujdesshëm e për tu ruajtur nga fjalët, joshja e ftesa e çdo qafiri dhe bidatçiu.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:168–2:171

- “O njerëz! Hani nga ato ushqime të lejuara dhe të mira që gjenden në Tokë,” - Ky është një urdhër që i drejtohet të gjithë njerëzimit, besimtarëve dhe jobesimtarëve, që tregon bujarinë e Allahut të Lartësuar ndaj tyre. Ai i urdhëron njerëzit që të hanë nga prodhimet e gjallesat e tokës, qofshin ato drithëra, fruta, agrume, kafshë etj., por me kusht që ato duhet të jenë të lejuara prej Tij. Njerëzit nuk duhet të prekin as ato gjëra që ndihmojnë në përhapjen e haramit, i cili sjell shkatërrim në tokë. Ndërsa kusht i dytë është që ato duhet të jenë të mira e të këndshme, e jo të ndyra e të neveritshme, si p.sh. gjaku, mishi i derrit etj. Ky ajet vërteton se, çdo gjë, në origjinën e saj, është e lejuar të hahet dhe të shfrytëzohet. Ndërsa haram është vetëm ajo gjë për të cilën ka fakte se Zoti e ka bërë të tillë. Gjërat e ndaluara janë dy llojesh: 1. Të ndaluara për shkak se janë vetë të ndyra e të dëmshme. Këto janë të kundërtat e gjërave të mira e të këndshme. 2. Të ndaluara jo për shkak se janë vetë të ndyra e të dëmshme, por për shkak të pasojës apo gjynahut ku ato të çojnë. Ato të shpien në shkeljen e të drejtave të Zotit, ose në shkeljen e të drejtave të krijesave. Ky lloj është i kundërt me kategorinë e gjërave hallall, të lejuara nga Allahu. Kështu, përfitimi prej begative të Zotit duhet të plotësojë dy kushte: së pari, ato të jenë

vërtet të mira, të këndshme e të pastra dhe, së dyti, të jenë të lejuara, në mënyrë të tillë që të mos shkelin të drejtat e Zotit dhe as të robve. Ky ajet vërteton, gjithashtu, që të ushqyerit sa për të mbajtur veten gjallë është i detyrueshëm për njeriun. Kjo do të thotë që, nëse ai nuk e bën një gjë të tillë, është gjynahqar, sepse urdhërimi tregon detyrim, dhe kush nuk e zbaton atë pa arsye të pranueshme, meriton ndëshkimin e të Madhëruarit. Pasi urdhëron rendjen pas gjërave që sjellin dobi e mirësi, Allahu i Madhëruar ndalon ndjekjen e rrugëve të humbjes, të cilat të çojnë në shkatërrim dhe dëshpërim. Ai i ndalon njerëzit nga pasimi i hapave të shejtanit, i cili është armiku i tyre i përbetuar, duke thënë: - “…e mos shkoni pas hapave të shejtanit! Ai është armiku juaj i betuar. ” – Pra, mos shkoni pas hapave të të mallkuarit. Hapat e shejtanit janë urdhrat e cytjet e tij. Ato përfshijnë të gjitha zullumet, duke filluar nga ato të pafalshmet, si mohimi i Zotit dhe idhujtaria, e duke vazhduar me gjynahet e tjera, si bërja haram e gjërave që Allahu i Lartësuar i ka bërë të lejuara, apo urdhërimin për ngrënien e ushqimeve që janë haram. Allahu i Lartësuar e ka cilësuar shejtanin si: “ aduun mubîn”, domethënë armik që e shfaq hapur armiqësinë, pa e fshehur aspak atë. Ky armik, me urdhrat që jep, synon veçse mashtrimin dhe të keqen e njeriut. Ai dëshiron që edhe njeriu të bëhet banor i Zjarrit përvëlues. Kështu, Allahu i Lartësuar nuk është mjaftuar duke na ndaluar nga pasimi i hapave të shejtanit, por na ka bërë të qartë, gjithashtu, se ai është armiku ynë i hapur. Më tej, Allahu i Lartësuar, që është më i vërteti në fjalët e Tij, na përshkruan urdhrat e këtij armiku të mallkuar, që të shtyn larg mëshirës së Mëshiruesit: - “Ai ju urdhëron vetëm për të këqija e poshtërsi dhe ju shtyn që të thoni për Allahun gjëra që nuk i dini. ” - Kuptimi: Ai ju urdhëron për të këqija, të cilat e trishtojnë personin që i kryen ato. Fjala “të këqija” përfshin të gjitha llojet e gjynaheve dhe të mosbindjes ndaj Zotit. Më pas vjen fjala “ faĥshã” – “poshtërsi”, domethënë vepra e keqe në mosbindje ndaj Zotit, e cila sigurisht që përfshihet në termin “të këqija”, por ajo përmendet në mënyrë të veçantë për të përshkruar më hollësisht gjërat për të cilat urdhëron shejtani. Kështu, shejtani i urdhëron njerëzit për bërë të këqija, të cilat sjellin dëshpërim për vepruesit e tyre, dhe për të bërë vepra të ulëta, sikurse janë imoraliteti, konsumi i pijeve dehëse, vrasja pa të drejtë e tjetrit, shpifjet, koprracia etj., të cilat janë të fëlliqura për çdo njeri me logjikë. Një ndër veprat më të ndyra për të cilën shejtani i urdhëron njerëzit, është edhe ajo që thotë Allahu: “Ai ju shtyn që të thoni për Allahun gjëra që nuk i dini” - Në këtë përcaktim hyjnë: - Ata që flasin rreth Allahut pa dije të sigurt dhe pa dëshmi të qarta, të sjella nga Ai, nëpërmjet Profetit të Tij. - Ata që flasin rreth dispozitave dhe përcaktimeve të Zotit, pa dije dhe pa fakte. - Ata që e përshkruajnë Allahun ndryshe nga ç'e ka përshkruar Ai Veten dhe ndryshe nga ç'e ka përshkruar Atë Profeti i Tij. - Ata të cilët ia mohojnë Zotit ato cilësi, emra dhe vepra të Tij, të cilat Ai i ka pohuar për Veten e Tij dhe i ka pohuar për Të Profeti i Tij. - Ata të cilët pretendojnë se Allahu i Lartësuar ka partnerë të barabartë me Të, të cilët i afrojnë adhuruesit e tyre tek Allahu i Lartësuar. Këta besojnë se idhujt, të cilët i adhurojnë dhe u përkushtohen, do t'i afrojnë më shumë tek Allahu i Lartësuar. - Ata të cilët thonë: “Allahu e ka bërë këtë të lejuar dhe atë të ndaluar, për këtë ka urdhëruar dhe për atë ka ndaluar”, duke mos pasur asnjë dije dhe dëshmi nga Allahu i Lartësuar dhe Profeti i Tij. - Ata të cilët pretendojnë se Allahu e ka krijuar këtë apo atë gjë, për këtë shkak dhe atë arsye, duke mos pasur për këtë dëshmi të sigurt nga Zoti dhe Profeti i Tij. - Ata të cilët i interpretojnë fjalët e Allahut dhe të Profetit të Tij, duke u dhënë atyre kuptime që Allahu i Lartësuar dhe Profeti i

tij nuk i kanë synuar kurrë, por që i kanë sajuar veç njerëzit e humbur. Ata e kuptojnë fjalën e Allahut dhe të Profetit të Tij veçse në formën dhe mënyrën e diktuar nga grupet e humbura, që janë pasues të shejtanit. Njerëzit që flasin për Allahun pa dije konsiderohen si pasuesit më të denjë të shejtanit, sepse ata i pengojnë njerëzit të pinë nga i vetmi burim i shpëtimit të tyre, që është fjala e Zotit dhe e Profetit të Tij. Të folurit për Allahun pa dije dhe pa fakte është nga ligësitë më të mëdha që shejtani i mallkuar dhe ushtria e tij urdhërojnë. Ata përdorin të gjitha kurthet dhe mashtrimet për të devijuar krijesat nga e vetmja rrugë e vërtetë. Ndërsa Allahu i Lartësuar, nga ana tjetër, urdhëron për drejtësi, për vepra të mira e bamirësi ndaj të afërmve, dhe ndalon nga veprat e ulëta, të këqija dhe padrejtësitë. Kështu, robi gjendet mes dy ftesave, prandaj le të jetë i kujdesshëm se cilën rrugë do të pasojë, se fjalën e kujt do të dëgjojë dhe do të zbatojë. A do të ndjekë ftesën e Allahut drejt lumturisë së dynjasë dhe të ahiretit? A do të pranojë urdhrin, bindja ndaj të cilit sjell sukses, lumturi dhe prehje? A do të pasojë rrugën e Bamirësit të madh, i cili urdhëron veçse për mirësi dhe çdo gjë të dobishme dhe ndalon nga çdo gjë e keqe, e neveritshme dhe e dëmshme? Apo do të zgjedhë ftesën e shejtanit të mallkuar, i cili është armik i hapur i tij?! Si mund të ndjekë robi rrugën e atij që i dëshiron të keqen, dëshpërimin dhe vuajtjen në këtë jetë dhe në jetën tjetër?! A nuk e di ai se çdo e keqe vjen si pasojë e pranimit të ftesës së shejtanit dhe e miqësimit me të?! I mallkuari urdhëron veçse për vepra të fëlliqura e shkatërruese, dhe ndalon nga çdo vepër e mirë dhe e dobishme. Pastaj Allahu i Lartësuar flet për gjendjen e idhujtarëve dhe për mënyrën se si reagojnë ata kur ftohen për të pasuar rrugën e drejtë, të sjellë nga Profeti i Allahut. Ai na tregon përgjigjen e tyre, kur ftohen për të pasuar Shpalljen nga Zoti i gjithësisë. Kështu, edhe pse janë njohur me ftesat e mësipërme, ata thonë: - “Kur atyre (idhujtarëve) u thuhet “Pasoni atë që shpalli Allahu!”, ata thonë: “Jo. Ne ndjekim atë rrugë që kishin të parët tanë. ”” – Pra, ata mjaftohen me pasimin e verbër të paraardhësve të tyre, duke qëndruar mospërfillës ndaj udhëzimit të sjellë nga profetët e Zotit. Ata nuk i shqetëson fakti që të parët e tyre, rrugën e të cilëve e pasojnë verbërisht, kanë qenë injorantë, të humbur dhe të larguar nga rruga e drejtë e Zotit. Justifikimi i tyre për refuzimin e të vërtetës është shumë i dobët dhe i pavend. Madje, ai vërteton se refuzimi i tyre bëhet me vetëdije, dhe kështu ata nuk tregohen të drejtë në vlerësimin e së vërtetës. Nëse do të synonin dhe do të përpiqeshin sinqerisht që të gjenin udhëzimin e vërtetë, pa dyshim që do ta mësonin dhe pranonin atë. Çdokush që synon të vërtetën dhe bën një krahasim mes saj dhe të kotës, e kupton lehtësisht se cila është e vërteta dhe, nëse do të jetë njeri i drejtë, do ta pasojë pa u lëkundur atë. Pastaj i Madhëruari thotë: - “Po sikur të parët e tyre të mos kishin kuptuar asgjë dhe të mos ishin të udhëzuar në rrugën e drejtë? ” - Kjo tregon se ata janë njerëz që nuk e pranojnë apo nuk janë të aftë që ta pranojnë të vërtetën. Ata nuk e mposhtin dot kryeneçësinë e tyre. Për këta lloj njerëzish, Allahu i Lartësuar sjell një shembull, i cili përshkruan gjendjen e tyre kur ftohen të ndjekin fenë e drejtë të Allahut. - “Mohuesit u përngjajnë kafshëve, të cilat, kur i thërret dikush, dëgjojnë vetëm britmë dhe zë (por s'kuptojnë asgjë) ." – Pra, ata u përngjajnë bagëtive, të cilat veç sa dëgjojnë zërin e bariut, por nuk kuptojnë se çfarë thotë ai. Edhe mohuesit, ashtu si bagëtitë, e dëgjojnë atë që i fton në rrugën e drejtë, por nuk reagojnë me logjikë ndaj zërit që dëgjojnë. Për këtë arsye, Allahu thotë: - “Ata janë të shurdhër, memecë, të verbër dhe nuk kuptojnë asgjë. ” – Ata janë ‘ summun’, pra, të shurdhër, që nuk e dëgjojnë të vërtetën me logjikë, për ta

kuptuar dhe për t’iu bindur asaj. Ata janë ‘umjun’ - të verbër, që nuk i shohin faktet, për ta dalluar të vërtetën nga e kota, dhe nuk marrin mësime prej tyre. Ata janë gjithashtu ‘bukmun’ – memecë, që nuk e thonë kurrë të vërtetën, e cila është në dobinë e tyre. Cili është shkaku i kësaj gjendjeje? Allahu i Lartësuar thotë: “ata nuk kuptojnë”. Pra, shkaku është që ata nuk kanë mendje të shëndoshë, por janë mendjelehtë dhe injorantë. E si mund të dyshosh në mendjelehtësinë e dikujt që, kur ftohet në rrugën e drejtë, kur ftohet për t'u larguar nga shkatërrimi e për t'u ruajtur nga ndëshkimi, kur urdhërohet për vepra të mira, që janë në dobi të tij, kur ftohet në rrugën që i siguron suksesin dhe lumturinë, ai, çuditërisht, e refuzon ftesën dhe nuk i bindet urdhrit të Zotit të tij?! Çfarë mund të thuhet tjetër për një njeri, i cili, me vetëdije, i hyn rrugës së Zjarrit, duke ndjekur të kotën dhe duke shpërfillur të vërtetën?! A mund të thuhet që një i tillë është i mençur?! Jo, pa dyshim që ai është më mendjelehti dhe më injoranti që mund të ekzistojë.

← Bekare 2:168