← Kthehu te rezultatet për „zemrat tuaja u ngurtesuan si guri“

2. Bekare · Ajeti 172 · Tefsir

Shënimet shpjeguese të Sherif Ahmetit (Kurani me Komentim) 2:171–2:182

Derisa idhujtarët nuk i vunë veshin e kuptimit shpalljes së Zotit as thirrjes së Pejgamberit, por vazhduan ta praktikojnë traditën e të parëve injorantë, brengosjen e pejgamberëve për mossukses në thirrjen e tyre, Zoti ua qetëson duke u thënë se faji nuk është te ju, por tek ata që nuk pranojnë mësimet tuaja, të cilët janë sikurse bagëtia e bariut që zërin e tij e dëgjojnë po nuk e kuptojnë.

Edhe pse një numër i njerëzve i refuzoi mësimet e Zotit, Ai nuk ua ndërpreu të mirat në këtë botë. Përkundrazi, Ai i udhëzoi për ushqime të mira, e besimtarëve u tha: hani ushqimet e lejuara të cilat janë në dobi të shëndetit tuaj dhe falënderonie Zotin, i cili u udhëzoi për ruajtjen e shpirtit sikurse edhe për ruajtjen e shëndetit. Ushqimi i ndaluar është i dëmshëm, por nëse është në rrezik jeta nga uria, atëherë është i lejuar aq sa për t'i ikur rrezikut.

Çështja e ndryshimit të kibles shkaktoi polemikë të thellë te ithtarët e librit, ashtu që secili prej tyre pretendonte se vetëm kibla e tij është rrugë e drejtë. Për këtë polemikë të pavend shpallet ky ajet i Kur'anit, sipas të cilit kuptohet se e tërë e mira është në besimin e drejtë, në veprat e mira e humane, në zbatimin e obligimeve të fesë, e jo kthimi kah lindja ose perëndimi.

I Gjurmimi i hakmarrjes kundër dorasit që mbyt tjetrin pa kurrfarë të drejte e arsye, është obligim i bashkësisë, por në mënyrë dhe masë të drejtë, e jo në mënyrë revanshuese. Me këtë obligim synohet ruajtja e jetës, sepse mbytja e dorasit nga ana e bashkësisë, është vërejtje të tjerëve për pasojën e një krimi të tillë, e hakmarrja nuk është synim. Në Kur'an thuhet: kisasi - ekzekutimi i dënimit kundër katilit, është jetë për ju, anipse është humbje e një personi, pse ndikimi i një mase të tillë ka lënë përshtypje të madhe në ruajtjen e jetës së të tjerëve. Kur'ani zgjon ndër njerëz ndenjën. vëllazërore kur thotë: e atij që nga vëllau i vet i falet diçka.. ku viktima ose familja e viktimës quhet vëlla i dorasit, andaj falja e gjakut, ose kalimi në shpagim të tij, është shumë thevab.

Testamenti - vasijjeti, në ditët e para deri kur u shpall dispozita rreth të drejtës së trashëgimisë ka qenë obligim, e pas asaj dispozite testamenti kufizohet në suaza më të ngushta, por ata që e dëgjojnë porosinë e porositësit, janë të obliguar të dëshmojnë besnikërisht.

Tefsiri i shkurtuar i Ibn Kethirit (Tejsir el-Alijj el-Kadir) 2:172–2:173

- O ju që keni besuar! Hani nga të mirat me të cilat ju kemi begatuar dhe falënderojeni Allahun, nëse jeni të

sinqertë në adhurimin e Tij! - Allahu i Madhëruar i urdhëron adhuruesit e Tij besimtarë që të hanë ushqime të mira e të pastra, nga rizku hallall që Ai u ka mundësuar, dhe i porosit që ta falenderojnë dhe shprehin Atij mirënjohjen për ato mirësi, nëse vërtet janë adhurues të sinqertë të Tij. Të ushqyerit me hallall është shkak për pranimin e duave dhe adhurimeve që robi i përkushton Zotit. Në të kundërt, të ushqyerit me haram pengon pranimin e duasë dhe adhurimit, siç ka ardhur kjo në hadithin që Ahmed Ibn Hambeli sjell nga Ebu Hurejra, që tregon se Profeti i Allahut ka thënë: 172. “O njerëz! Allahu është i Mirë dhe pranon veçse të mirën. Allahu iu dha besimtarëve ato urdhëresa që i dha edhe Profetit të Tij dhe thotë: “O ju të dërguar (të Allahut)! Hani (të gjitha) gjërat që janë të mira dhe të pastra dhe bëni vepra të mira! Unë di gjithçka që ju bëni. " Ai thotë gjithashtu: "O ju që keni besuar! Hani nga të mirat me të cilat ju kemi begatuar !". Pastaj përmendi një burrë, i cili ka udhëtuar gjatë dhe, i shpupuritur e i pluhurosur, i zgjat duart drejt qiellit e lutet: "O Zot! O Zot!" Por ndërkohë, ushqimi i tij është haram, pija e tij është haram, veshja e tij është haram, pra, ka jetuar me haram. Atëherë, si t’i pranohet lutja këtij njeriu?!” Hadithin e sjell Imam Muslimi në Sahih-un e tij, dhe Tirmidhiu prej Fudejl Ibn Merzukut. Pasi u tregon mirësitë e Tij dhe i porosit që të ushqehen me hallall, Allahu i Madhëruar tregon se çfarë u ka bërë haram: - Juve ju janë ndaluar veçse të ngordhurat, gjaku, mishi i derrit dhe ato (kafshët) që nuk theren në emër të Allahut por të dikujt tjetër. - Ngordhësirë konsiderohet ajo kafshë që ka ngordhur duke mos u therur sipas mënyrës së ligjëruar. E ngordhur konsiderohet jo vetëm ajo kafshë që ka ngordhur vetë, por edhe ajo që Zoti përmend në suren Maide ajeti 3: " ...ajo që është mbytur me lak në fyt, ajo që është vrarë me goditje, ajo që është rrëzuar nga lartësitë , ajo që është shpuar (nga kafshët e tjera), ajo që është ngrënë nga egërsirat, përveç asaj që arrini ta therni..." Kjo do të shpjegohet më hollësisht më pas, - në dashtë Allahu i Madhëruar. Për këtë tregon edhe hadithi i sjellë në Sahih, në Mesanid, Muetta dhe në Sunen.97 Në lidhje me detin dhe kafshët e tij, Profeti ka thënë: 173. “Uji i tij është i pastër dhe të ngordhurat që dalin prej tij janë hallall.” Nga Ibn Umeri vjen një hadith që i atribuohet Profetit: 17 4. “Na janë lejuar neve dy lloj gjakrash dhe dy lloj të ngordhurash: peshqit dhe karkalecat, mëlçia dhe shpretka.” Por kjo çështje do të vijë më e sqaruar dhe e shtjelluar në suren Maide, - në dashtë Allahu. ***** Çështje: A lejohet qumështi dhe vezët e kafshës së ngordhur? Sipas Shafiut e të tjerë, ato janë haram, sepse janë të ngjitura me të mgordhurën. Thuhet se ato vetë janë të pastra, por që bëhen të papastra, sepse janë të ngjitur me të ngordhurën, sipas një mendimi të përcjellë nga Maliku. Po kështu edhe mullëza e të ngordhurës është subjekt i mendimeve të ndryshme që kanë dhënë dijetarët. Mendimi më i përhapur është se ato janë të pista. Por kundër këtij mendimi vijnë transmetimet nga sahabët, të cilët kanë ngrënë nga djathrat që u vinin nga mexhusët. 98 Ibn Maxhe përcjell me senedin e tij prej Selmanit (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) këtë hadith: 175 . “Njëherë, kur Profeti ﷺ u pyet rreth gjalpit, djathit dhe zebrës (gomarit të egër) , tha: “Hallall është ajo që Zoti e bëri hallall në Librin e Tij, dhe haram është ajo që Zoti e bëri haram në librin e Tij. Ato gjëra për të cilat nuk ka folur, janë gjëra të cilat Ai i ka falur dhe toleruar.” ***** - "...mishi i derrit..." - Allahu e ka bërë haram mishin e derrit, pavarësisht a është therur apo ka ngordhur vetë. Edhe dhjami i tij ka të njëjtin gjykim si mishi i tij. - "...dhe ato (kafshët) që nuk theren në emër të Allahut, por të dikujt tjetër." - Po kështu, Allahu e ka bërë haram atë kafshë që është therur jo në emër të Tij, por në

emër të idhujve, ose është therur pa përmendur emrin e Tij, siç veprohej në kohën e injorancës: 176 “Kurtubiu përcjell prej Aishes, (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se kur ajo u pyet rreth kafshëve që therin të huajt për festat e tyre, kur ata ua dhurojnë muslimanëve, ajo tha: “Mos hani nga ato që theren për ato ditë (feste për ta), por mund të hani prej pemëve të tyre !" Pastaj Allahu i Madhëruar e lejoi që, në rast nevoje, muslimani të hajë edhe nga këto gjëra, që në kushte normale i ndaloi. Ai thotë: - Por, kush detyrohet (të hajë njërën nga këto), pa dashur të bëjë keq dhe duke mos e tepruar... - Pra, duke mos e tepruar apo kaluar masën e lejuar. - "...për të nuk është gjynah (nëse i ha). – Pra, në këtë rast nuk është gjynah. (Madje është detyrë nëse rrezikohet jeta.) - Vërtet, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Vërej me kujdes kur Allahu thotë: “... pa dashur të bëjë keq”. Kjo do të thotë: duke mos besuar se është e lejuar. Pra, mund ta hash, por duhet të vazhdosh të besosh se ajo është haram. Në raste të tilla lejohet të hash aq sa mund të arrish në një vend ku mund të ushqehesh me hallall. Kur mbërrin në destinacionin ku mund të gjesh ushqim hallall, e hedh pjesën e mbetur. Për këtë flet fjala e Tij: "... dhe duke mos e tepruar." ***** Çështje: A lejohet të hash ushqimet e dikujt tjetër, që i gjen pa i grabitur, apo nuk lejohet dhe është më mirë të hash një kafshë të ngordhur? Nuk ka kundështim që lejohet të hash ushqimin e tjetrit nëse je në gjendje domosdoshmërie, por pa e dëmtuar dhe pa e grabitur me luftë. Në këtë rast nuk lejohet të hash të ngordhurën. Por dijetarët kanë dhënë mendime të ndryshme për çështjen se a e ke detyrë ta kompensosh atë që ke ngrënë apo jo? Mendimi më i saktë është se nuk e ke detyrë të kompensosh, sepse Profeti ﷺ i tha një burri i cili e privoi një nevojtar që të merrte nga prodhimi i kopshtit të tij, madje e goditi atë dhe ia mori edhe thesin: 177 “Nuk e ushqeve atë që ishte i uritur dhe as u përpoqe ta mësosh kur nuk dinte!” Pastaj e urdhëroi që t’ia kthente thesin e tij dhe e urdhëroi që t’i jepte një eusuk ose gjysëm eusuku me ushqim.” Këtë hadith e sjell Ibn Maxheh dhe senedi i tij është sahih dhe shumë i fortë e i mirë. - Vërtet, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë. - Allahu të fal ata për atë ushqim të ndaluar që hahet në gjendje domosdoshmërie. Madje, ngrënia e ushqimit haram në gjendje domosdoshmërie është e urdhëruar, dhe jo thjesht e lejuar. Për këtë tregon pohimi që përcjell Uekiu prej Mesrukut, i cili ka thënë: "Ai që ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe nuk ha, as nuk pi, por vdes në atë gjendje, do të hyjë në zjarr." Kështu ka thënë edhe Ebu el Husejn el Tahaui, dhe ky është mendimi më i saktë ndër ne. Ky është i ngjashëm me gjykimin për çështjen e agjërimit kur je i sëmurë e raste të tjera. Allahu është më i ditur.

Tefsiri i Sa'dit (Tejsir el-Kerim er-Rahman) 2:172–2:173

- “O ju që keni besuar!” - Ky urdhër u drejtohet besimtarëve, pas atij që i drejtohej të gjithë njerëzimit. Ky veçim ndodh për arsye se të vetmit që përfitojnë vërtet prej urdhrave dhe ndalesave të Zotit janë pikërisht besimtarët. Ata janë të vetmit që i marrin në konsideratë urdhrat dhe ndalesat, duke i respektuar ato, dhe këtë e bëjnë të shtyrë vetëm nga besimi që kanë në zemër. - “Hani nga të mirat me të cilat ju kemi begatuar” - Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar i urdhëron besimtarët që të përfitojnë prej çdo gjëje që quhet e mirë dhe e këndshme, si dhuratë prej Zotit Bujar dhe Mëshirëplotë. Ai i urdhëron, gjithashtu, që ata të jenë mirënjohës për mirësitë e dhuruara prej Tij, duke i shpenzuar dhe shfrytëzuar ato për bindjen ndaj Zotit të tyre. Kështu, Allahu i Lartësuar u jep besimtarëve të njëjtat urdhra që u ka dhënë profetëve të Tij, siç thuhet në ajet: “O ju të dërguar të Zotit! Hani prej mirësive dhe punoni vepra të mira…” [Haxh]. Mirënjohja për të cilën Allahu i Lartësuar urdhëron besimtarët është pikërisht “kryerja e veprave të mira” për të cilën ka urdhëruar profetët. Duke qenë se ky ajet u drejtohet besimtarëve, aty nuk përmendet që gjërat duhet të jenë të lejuara, sikurse u përmend në ajetin që u drejtohet njerëzve në përgjithësi. Arsyeja është se nuk ka nevojë që t’u thuhet besimtarëve, se të mirat që duhet të hanë, duhet të merren në mënyrë të lejuar, pasi besimi i tyre nuk i lejon të shfrytëzojnë diçka në mënyrë jo të lejuar. Po ashtu, nëse njeriu i përdor mirësitë e Zotit për të adhuruar Atë, ai nuk do të merret në përgjegjësi për to Ditën e Gjykimit. Ai i ka hallall ato mirësi që i shfrytëzon dhe i përdor në bindjen ndaj Zotit. Ndërsa mohuesi, i cili nuk i shfrytëzon mirësitë e Zotit për ta adhuruar Atë dhe për të treguar mirënjohjen ndaj Tij, do të merret në përgjegjësi për to në Ditën e Gjykimit, edhe nëse i përdor ato në mënyrë të lejuar në këtë botë. Mirësitë që ai mund të gëzojë në këtë jetë, duke qenë se nuk tregohet mirënjohës për to dhe nuk i shfrytëzon për adhurimin e Zotit, në realitet ai i ka haram dhe do të mbajë përgjegjësi për to. - “…dhe falënderojeni Allahun, nëse jeni të sinqertë në adhurimin e Tij!” - Me fjalë të tjera, ajeti kuptohet kështu: Ai që nuk tregon mirënjohje ndaj Zotit, nuk e adhuron

Atë si Një të vetëm, sepse çdokush që tregohet mirënjohës ndaj Tij, patjetër që do të jetë adhurues i Tij dhe zbatues i rregullt i të gjitha urdhrave të Tij. Ky ajet tregon, gjithashtu, se konsumimi i gjërave të mira dhe të lejuara bëhet shkak dhe ndihmë për të kryer vepra të mira, dhe çka është më e rëndësishme, që ato të konsiderohen si të pranuara te Zoti i Lartësuar. Shfrytëzimi i mirësive e bën të detyrueshme mirënjohjen për to, e cila sjell dy gjëra, njëra më e mirë se tjetra: së pari, ruajtjen e imanit dhe të mirësive ekzistuese dhe, së dyti, shtim të mirësive të tjera. Mosmirënjohja ose mohimi i mirësive, nga ana tjetër, largon mirësitë ekzistuese dhe ato që priten të vijnë. Më tej, pasi lejon përdorimin e gjërave të pastra, të këndshme dhe të dobishme, Allahu i Lartësuar ndalon gjërat e pista, të këqija e të dëmshme, duke thënë: - “Juve ju janë ndaluar veçse të ngordhurat, gjaku, mishi i derrit” – “Të ngordhura” ( el mejtetu ) konsiderohen kafshët që kanë ngordhur jo prej therjes së rregullt të përcaktuar nga Sheriati. Ato ndalohen të hahen, sepse janë të pista dhe të neveritshme. Në shumicën e rasteve, ngordhja vjen si pasojë e sëmundjeve të ndryshme të kafshës, dhe kjo ia shton më tepër dëmin. Prej të ngordhurave, që ndalohen të hahen, përjashtohen karkalecat e tokës dhe të gjitha gjallesat e detit. Këto dy kategori janë të lejuara dhe të pastra, edhe nëse nuk theren sipas Sheriatit. Ndërsa gjaku i ndaluar është gjaku i damarëve, që del me forcë, sikurse është përcaktuar në një ajet tjetër të Kur’ânit: “ Thuaj: “Në Shpalljen që më është dhënë nuk gjej ushqime të ndaluara, veç mishit të ngordhur, gjakut që derdhet vrullshëm dhe mishit të derrit, sepse janë të ndyrë, dhe mishit që nuk therret me emrin e Allahut, që është shkelje e kufijve të Tij. E për atë që është i detyruar të hajë nga këto, por duke mos pasur për qëllim shijimin dhe duke mos e tepruar, Zoti yt është Falës e Mëshirëplotë.” [En’am 145]. - “…dhe ato (kafshët) që nuk theren në emër të Allahut por të dikujt tjetër. ” – Domethënë, gjatë therjes së të cilave përmendet emri i dikujt tjetër, përveç Allahut, qofshin ata idhuj prej guri, të vdekur, varre etj. Këto që u përmendën deri tani nuk janë të gjitha llojet e të ndaluarave, por janë ato që quhen të këqija, të pisëta, të neveritshme e të dëmshme. Me fjalë të tjera, këto janë sjellë si shembuj, për të treguar se Allahu i Lartësuar ka ndaluar veçse gjërat e neveritshme dhe të dëmshme. Allahu i Lartësuar na i bëri të ndaluara këto gjëra të neveritshme, në shenjë butësie dhe mëshire ndaj nesh, për të na ruajtur nga çdo gjë e dëmshme. Megjithatë, Allahu i Lartësuar dhe i Mëshirshëm thotë: - “Por, kush detyrohet (të hajë njërën nga këto), pa dashur të bëjë keq dhe duke mos e tepruar, për të nuk është gjynah (nëse i ha) .” – Pra, çdokush që ndihet i detyruar për të konsumuar këto ushqime të ndaluara, i lejohet ta bëjë, por me disa kushte: Së pari, të jetë i detyruar për t’i përdorur ato. Një rast i tillë është, për shembull, kur njeriu nuk ka asgjë për të konsumuar përveç këtyre harameve; përndryshe mund të vdesë. Një rast tjetër është kur kërcënohet seriozisht, nëse nuk e konsumon atë haram. Së dyti, të mos synojë haramin, ndërkohë që ka mundësi të përdorë hallallin, ose kur nuk është e domosdoshme diçka e tillë. Pra, kur nuk është plotësuar kushti i të qenit i detyruar, i shtrënguar. Kusht tjetër është që të mos teprohet me masën e lejuar. Pra, nuk duhet të kalohet masa mbi të domosdoshmen. Për atë njeri që e ka të domosdoshëm përdorimin e haramit, pasi nuk ka asnjë mundësi të përdorë hallallin, dhe nuk e tejkalon masën që e ka të domosdoshme, për atë, pra, Allahu i Lartësuar thotë që nuk ka gjynah. Ai nuk do të merret në përgjegjësi për konsumin e kësaj të ndaluare. Madje, në rast të tillë, njeriu është i urdhëruar që ta konsumojë atë, për të mbajtur trupin gjallë. Ai e ka të ndaluar që të shkojë me këmbët e veta drejt

shkatërrimit dhe vdekjes; ai e ka të ndaluar të vrasë veten. Për këtë arsye, njeriu do të merret në përgjegjësi nëse e le ushqimin deri në vdekje, sepse konsiderohet si vetëvrasje. Ky lejim është mëshirë nga Allahu i Lartësuar për adhuruesit e Tij, prandaj e mbyll ajetin duke përmendur dy emrat e Tij të bukur: - “Vërtet, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë.” - Duke qenë se lejimi i këtyre të ndaluarave është i kushtëzuar, dhe dihet që robi nuk mund t'i përmbushë plotësisht kushtet e caktuara, atëherë Allahu i Lartësuar tregon se Ai është Falës i Madh e Mëshirëplotë, mbulues i të metave dhe mangësive të robit. Allahu fal dhe mëshiron shumë, sidomos kur nevoja e madhe e rëndon njeriun. Ky ajet vërteton rregullin e madh në Islam, që thotë: “Domosdoshmëria e bën të lejueshme të ndaluarën”. Pra, në çdo situatë ku njeriu detyrohet të përdorë haramet, Sunduesi i Mëshirshëm ia lejon një gjë të tillë. Allahut i qoftë përherë lavdia dhe mirënjohja!

← Bekare 2:172